“Objektivat serbe ishin të dyfishta, duhej siguruar dalja në Detin Adriatik, por ëndërrohej gjithashtu, përfshirja e territoreve…”/ Libri i ri i studiuesit e diplomatit Bashkim Trenova

Nga Bashkim Trenova

Pjesa e katërmbëdhjetë

 NË VEND TË PROLOGUT – NJË PROJEKT, DY MEMORANDUME DHE NJË ANALIZË 

Projekti ose Naçertania e Ilia Garashaninit – politikan, kryeministër i Serbisë gjatë viteve 1852-1853 dhe 1861- 1886:

            MITE-MISTICIZËM, VIKTIMOMANI, RACIZËM DHE SERBONOSTALGJI

                                           SHQIPTARËT SIPAS SERBËVE 

                                (KRIZA LINDORE DHE LUFTËRAT BALLKANIKE)

Memorie.al / “Serbët rrjedhin nga sllavët, një numër i madh tribushë që i dhanë jetë popujve sllavë. Mbi origjinat e historisë së sllavëve njohuritë janë modeste dhe jo aq të qarta. Emri i tyre del për herë të parë në shekullin VI pas J. K., kur shkrimtarë bizantinë fillojnë të flasin për sllavët….”! (Dushan Batakoviç, Milan St. Protiç, Nikola Samarxhiç, Aleksandër Fotiç. Histori e Popullit Serb. L’Age d’Homme. Lausanne. 2005. Fq. 3.)

                                                 Vijon nga numri i kaluar

Kryengritja shqiptare e qershorit të vitit 1912, provokoi rënien e qeverisë së Turqve të rinj. Qeveria e re e Gazi Ahmed Muktar Pashës shpërndau lëvizjen e Turqve të Rinj dhe vendosi gjendjen  e jashtëzakonshme. Kjo qeveri “asnjanëse” ndaloi çdo veprim kundër rebelëve shqiptarë duke i lejuar të shprehin dëshirat e tyre. Ata kërkonin zgjedhje të reja, të drejtën e mbajtjes së armëve, një amnisti të përgjithshme dhe pranimin e ligjit islamik. Tërheqja e forcave qeveritare u lejoi shqiptarëve të marrin kontrollin e Kosovës dhe të Veriut të Maqedonisë. Ata hynë madje, në Shkup. Qeveria turke nuk arriti t’i dëbojë më parë nga 20 gushti. (2)

Qeveria serbe ishte çdo ditë e informuar mbi turbullirat në Maqedoni. Raportet  mbi plaçkitjet e kryera kundër serbëve, që jetonin në rajonet e Shkupit, Kumanovës dhe në Kosovë arrinin çdo ditë në Beograd. Përfundimisht, aleatët ballkanikë vendosën të veprojnë vetëm pas kryengritjes shqiptare dhe nismës së Berchtoldit, që kërcënonte të impononte një riorganizim të Turqisë në favor të shqiptarëve. Duhej pra të krijohej një shtet shqiptar kundër avancimit të sllavëve. Fitorja serbe në Luftën e Dytë ballkanike ishte një moment lavdie. U realizua objektivi i një kombi të tërë: “Serbia e Vjetër” – Kosova dhe Maqedonia ishin çliruar. (1)

1 – Vojislav G. Pavloviç. La France et l’espace yougoslaves : la naissance de la Yougoslavie (1878-1918) – Franca dhe hapësira jugosllave; lindja e Jugosllavisë (1878-1918) -Balkanološki institut SANU, 1 janv. 2015. Fq.139-140.

2 – Po aty. Fq. 150-151.

Objektivat serbe ishin të dyfishta. Duhej siguruar dalja në Detin Adriatik, por ëndërrohej gjithashtu përfshirja e territoreve shqiptare në shtetin serb. Kjo ishte e domosdoshme për të siguruar një lidhje tokësore me portin e ardhshëm serb. Nga ana tjetër nuk besoheshin shqiptarët si të aftë për të formuar një shtet të pavarur. Të ndarë në tre fe monoteiste, të ndarë në dy tribu, Gegë në veri dhe Toskë në jugë, shqiptarët dukeshin pa aftësitë e domosdoshme për të formuar një shtet të pavarur.

Fitorja serbe në luftërat ballkanike është rezultat i një procesi të gjatë prej më se tridhjetë vitesh, që mbyllet me krijimin e identitetit kombëtar serb. Çështja nacionale, më saktësisht ajo e serbëve të vilajetit të Kosovës, u përqafua nga shumica e rekrutëve serbë në tetor 1912. Shef i tyre i luftës ishte, sipas çdo logjike, Nikolla Pasiç, arkitekti i futjes së fshatarësisë serbe në politikë.

1- Vojislav G. Pavloviç.  La France et l’espace yougoslaves: la naissance de la Yougoslavie (1878-1918) – Franca dhe hapësira jugosllave; lindja e Jugosllavisë (1878-1918).- Balkanološki institut SANU, 1 janv. 2015. Fq.153, 155; 161-164; 170  dhe 183.

                                                                      ****

Vuk Drashkoviç – shkrimtar dhe politikan, lider i Lëvizjes për Ripërtëritjen Serbe, zv/kryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme:

Përse serbët e kërkojnë Kosovën përderisa 92% shqiptarë banojnë në këtë rajon dhe përderisa këta (sikurse nënvizon me këmbëngulje Z. Kadare) janë pasardhës të ilirëve, popullit më të vjetër në Ballkan? Përgjigja kërkon të hedhësh një sy, edhe të shpejtë, mbi historinë. Kosova është për serbët epiqendra e kulturës së tyre, e besimit të tyre  dhe e kujtesës së tyre kombëtare. Atje, më 28 qershor të vitit 1389, ata kanë përballuar forcat otomane tri herë më të mëdha se forcat e tyre, dhe kanë humbur betejën. Ky rajon është bërë simbol i tragjedisë kombëtare, por edhe i një aspirate shekullore. (1)

Pas Luftës së Parë, Mbretëria e Jugosllavisë vendosi tre sisteme ligjore: i pari ishte një sistem europian për serbët, kroatët dhe kristianët e tjerë; i dyti ishte ai i sheriatit për myslimanët, dhe i treti, tepër specifik dhe në përputhje me traditën shqiptare, ai i shqiptarëve të Kosovës. Shoqëria  shqiptare ka ligje tribale, gjakmarrjen apo hakmarrjen familjare.

Pas një vrasjeje, të gjithë anëtarët e familjes së viktimës mund të vrasin cilindo anëtar të familjes së vrasësit. Ligji i Mbretërisë Jugosllave ua lejonte atyre këtë gjë. Sipas traditës, shqiptarët mund të kenë tri, katër, pesë gra, dyzet fëmijë…!

Shkaku i tragjedisë së Kosovës është projekti i një Shqipërie të madhe. Ky projekt është i vjetër, mafia shqiptare e Kosovës, që prej dyzet vjetësh, kontrollon të gjithë pushtetin politik, ekonomik dhe juridik të Krahinës dhe komandon terrorin e organizuar kundër serbëve, duke i shpronësuar, duke dhunuar fëmijët e tyre, duke helmuar ujët e pijshëm, duke shkatërruar monumentet e tyre historike, duke djegur kishat dhe profanuar varret e të vdekurve të tyre. (2)

1 – Vuk Drashkoviç. Confrontation avec la vérité. (Përballja metë vërtetën). Le Monde Diplomatique, Prill 1989. Fq. 8. Marrëdhëniet serbo-shqiptare.           

2 – Vuk Drashkoviç. Les ambitions d’un nationaliste de longue date. – Ambiciet e një nacionlisti të hershëm – (Intervistë e botuar në L’Humanité me 12 qershor 1999).

Kosova është për Serbinë njëlloj si Vatikani për katolikët romanë, ose Jeruzalemi dhe Sioni për çifutët , ose Toka e Vladimirit për rusët. Kosova ishte zemra e shtetit të tyre mesjetar, e kulturës së tyre dhe epopesë kombëtare. Nga aty  në vitin 1389 u përhapën, në drejtim të Francës, lajmëtarët serbë për të njoftuar Europën e krishterë se sulltan Murati I ishte vrarë dhe se serbët kishin korrur fitoren në Fushën e Mëllenjave (Kosova). Në kohën kur kishat pariziane u binin kambanave të fitores, ushtria serbe ishte shfarosur.

Lajmëtarët, sipas të gjitha gjasave, duke kërcyer mbi kuaj sapo koka e sulltanit ra mbi tokë, nuk kishin pritur fundin e betejës. Sot në këtë rajon me zor  numërohen 10% serbë. Terrori i organizuar nga shqiptarët në prill të vitit 1941, me rënien e Mbretërisë së Jugosllavisë, praktikisht nuk ka pushuar asnjë ditë. Që nga kjo kohë serbët e Kosovës janë gjendur përballë dhunës së shqiptarëve dhe nuk kanë më atdhe. Ishin mbi treqind mijë ata që e braktisën këtë rajon gjatë dyzet viteve. Dhe toka u kolonizua nga një ushtri sulmuese prej nja dyqind e pesëdhjetë mijë migrantësh të ardhur nga Shqipëria e Enver Hoxhës. Kështu, mbi tokën e shenjtë të popullit serb, partizanët fitimtarë të Titos asistuan në lindjen e një shteti shqiptar. Tani, dëshira e shqiptarëve të Jugosllavisë për t’ia bashkuar këtë territor nënës Shqipëri, është krejtësisht e ligjshme. (1)

1 – Vuk Drashkoviç. L A  Y O U G O S L A V I E  E T  L A QUESTION SERBE. (Jugosllavia dhe çështja serbe.) Revue des deux mondes. 2016/11. Fq. 61.   

2 – Po aty. Fq. 71.                                                                                                       

Media:

Hilandar, buletin i monastirit të Hilandarit, nr. 12,1983/4:

Kosova tragjike dhe e famshme është bërë djepi dhe varri pan-serb: djepi i lindjes për Krishtin dhe varri i vdekjes për Krishtin, për t’u Ringjallur sërish tek Krishti, këtu mbi tokë si dhe atje lart në qiej.

                                                                ****    

Hriscanin, janar 1913, fq. 12:

Po lind Krishti! O Serbi e Madhe!

O qytet Prizren, bërtit fort të dëgjojë Adria!

Po lind Krishti o Fushë-Kosovë.

E lavdishmja Kumanovë, Shkupi i Dushanit!

O Prilep i bardhë, o Bitol i pasur;

O Durrës në bregdet, o portë e lumturisë serbe!

Po lind Krishti! Priftërinjtë serbë tashmë janë

Engjëj të luftës!

Hriscanin. Qershor 1913, fq.83:       

Fati i Kral Pjetrit është i lidhur me fatin e popullit tonë. Prandaj populli serb mirënjohës do ta festojë këtë ditëlindje, pasi nën komandën e Tij supreme ushtria serbe ka bërë të famshëm emrin serb, ka ngritur prestigjin e Serbisë, ka çliruar me qindra mijëra vëllezër të robëruar dhe ka pushtuar shumë vende.

Le të merren parasysh lutjet tona të ngrohta për shëndetin, lumturinë dhe jetë të gjatë Mbretit Pjetër, në mënyrë që nën sundimin e tij të urtë Serbia të përfshijë gjithë popullin serb dhe t’i bëjë vend vetes në radhën e shteteve të mëdha të kulturuara.

                                                                    **** 

L’Orthodoxie, nr. 385; 1.05.1983.

Ne e dimë se fluksi dhe refluksi i “lumit të eksodit që rrjedh prej dhjetëvjeçarësh” dhe shekujsh, nuk kanë pushuar dhe nuk janë qetësuar për serbët e Kosovës. Le të ruajmë së paku shpresën tek forca e kosovianëve të Serbisë, tek feja kristiane, tek feja ortodokse që rilidh varrin me Ringjalljen, dhe të besojmë tek forca e Kryqit dhe e Ringjalljes së testamentit ortodoks serb të Kosovës.

                                                                  ****

Pastirska rec. 24.9.1913:

Çdo serb e ka ditur se turku është një farë e keqe, se komitët duhen ndihmuar për t’u çrrënjosur gjaku i papastër turk e shqiptar, se do të vinë ditët e lirisë, ditët kur të realizohet hakmarrja.

                                                                 ****

Politika. 18 .09. 1912. (Proklamatë e Mbretit të Serbisë, Pjetri I Karagjorgjeviç):

Ngjarjet e fundit kanë vënë përsëri në rend të ditës zgjidhjen e fatit të Gadishullit Ballkanik, pra edhe të Serbisë së Vjetër, kësaj nëne të lavdishme por të trishtuar të Mbretërisë sonë, ku ndodhet bërthama e shtetit serb, e mbretërve dhe carëve të vjetër, ku ndodhen kryeqytetet e lavdishme të Njemaniçëve: Rasi i Novi Pazarit, Prishtina, Shkupi, Prizreni.

Ishte krijuar një situatë e tillë që askush nuk ishte i kënaqur me gjendjen në Turqinë Europiane. Tä pakënaqur ishin edhe serbët, edhe bullgarët, edhe grekët, edhe shqiptarët.

Prandaj, në emër të Zotit, unë kam urdhëruar ushtrinë tonë heroike të fillojë luftën e shenjtë për liri.

Ushtria ime krahas kristianëve do të gjejë edhe shqiptarë, të krishterë e myslimanë, me të cilët populli ynë jeton së bashku prej 1300 vjetësh, zakonisht duke ndarë bashkë me ta gëzimet e hidhërimet. Të gjithëve ne po u çojmë lirinë, vëllazërinë e barazinë. Serbia jonë do të çojë aty paqen e dëshiruar dhe përparimin, siç ua ka dhënë rretheve të çliruara në vitet 1877-1878. Në to jetojnë qytetarë të lirë, përparimtarë, të ndërgjegjshëm e të kënaqur. Këtë jetë duhet të themelojmë edhe në brigjet e Llapit, të Sitnicës, Ibrit, Drinit dhe Vardarit.

Politika; 10.10.1912:

Serbia e Vjetër nuk është vetëm një vend serb klasik, në të cilin është zhvilluar shteti më i fortë i lirë, i cili në kohën e Njemaniçëve të fundit kishte supremacinë mbi Gadishullin Ballkanik. Ajo nuk është vetëm si Bosnja apo Dalmacia, një vend serb ku flitet dhe dëgjohet serbisht. Aty kudo është fisi serb, siç është edhe në Srem, Baçkë dhe Banat, Bosnje, Hercegovinë e rajone të tjera serbe.

Politika; 21.10.1912:

Arnauti është i tëri vetëm një krim, i përzier me poshtërsinë dhe mashtrimin.

Politika; 4.11.1912:

Për shekuj të tërë kësaj Toke i ka qarë zemra për Detin. Ajo kujtonte pasurinë dhe lavdinë e dikurshme.

Deti më tregon: dikur qëmoti dallgët e mia të kaltra puthnin skutat e Tokës suaj – nënës sime të humbur. Ku është ajo Tokë? Ndërsa fëmijët e kësaj Toke i përgjigjeshin me turp : Erdhën kopetë e egra të barbarëve dhe u futën midis teje dhe nënës tënde.

Ndërsa toka, duke parë fëmijët e saj për shekuj të tërë të robëruar thotë: Fëmijtë e mi, dita e bekuar erdhi. Duke ndjekur gjurmët e gjakut tuaj, shkoni në Det!

Fëmijët u bindën. Me luftë heroike e zmbrapsën dushmanin shekullor. Mbi kufoma shkelin fëmijët e gëzuar, duke çarë rrugën: Toka kërkon Detin e vet. Të nxitojmë.

Në prag të Detit, të dehur nga fitoret, u ndalën. Dhe thirrën: Nënë po të kthejmë Detin!

Politika; 11.11.1912:

Shën Arhengel Mihaillo ka qenë emri i pagëzimit të car Dushanit, prandaj të gjithë po nxitonin për në kishë…! Para mbarimit të liturgjisë u mbajt mesha, meqë ushtria jonë krenare e shpalosi flamurin serb edhe në brigjet e Detit  Adriatik.

—                                                                                                

Politika; 12.11.1912:

Para një muaji trupat tona kapërcyen kufirin, ndërsa sot kemi dy Serbi të reja të pushtuara, një sipërfaqe dy herë më të madhe se gjithë atdheu i atyre ushtarëve të pakët në numër, por sot të famshëm në mbarë botën.

Politika; 12.11.1912. (Përshëndetja e mitropolitit Aksentije, në kishën ekzarkike të Manastirit ndaj trashëgimtarit të fronit):

Si shpërblim për heronjtë tuaj të rënë dhe për gjakun e derdhur serb, Juve, Aleksandrit tonë të Maqedonisë , ju dorëzohemi, ndërsa lutjet tona ia dërgojmë Zotit për lumturinë e Serbisë dhe Aleksandrit të Saj të Madh dhe të ushtrisë fitimtare serbe.

Politika; 16.11.1912:

Serbi i famshëm Gjergj Kastriotiç, i quajtur nga turqit Skenderbeg, vdiq në Lezhë, ku kishte shkuar që të këshillohej me krerë të tjerë serbë se si mund t’u rezistohet deri në fund turqve. Kjo ka ndodhur në vitin 1467…

Politika, 16.11.1912: 

Komanda e lartë krijoi rajonin serb që quhet “Qarku i Durrësit”…Arnautët do të marrin të gjitha liritë dhe në këtë liri të vërtetë shtetërore do të fisnikërohen, Serbia  do të realizojë një vepër kulturore.                                     —

Politika; 9.12.1912:

Rrethanat janë dhe ka ardhur koha që të flitet edhe për kërkesat e Serbisë. Kërkesat e saj janë të qarta, të justifikuara e të natyrshme.

Serbia në këtë luftë e kreu plotësisht detyrën e saj. Gjithë territori që ajo pushtoi, është i populluar nga qytetarët e saj; gjithë populli që ajo çliroi gëzohet për bashkimin me Serbinë.

Pra Serbia në këtë moment ka për detyrë që t’i sigurojë atij paqe dhe të ardhme, ndërsa garancia më e mirë për këtë është ndarja e Shqipërisë midis Serbisë dhe Greqisë.

Politika. 9.12.1912. (“Në spital”. Fejton i shkrimtarit Ivo Qipiko):

Qëndrova pranë shartit të një çetniku të ri. Para këtij çetniku të plagosur rëndë u ndjeva i tepërt dhe i panevojshëm.

Përpara kësaj figure të ndritur i kuptova edhe këta çetnikët tanë, që japin jetën e tyre për mendimin tonë të përbashkët.

Ndjeva thellë në shpirtin tim se këta të plagosur të parë bartin me vete shenjën e ringjalljes së vëllezërve tanë të robëruar.


Politika.11.12.1912:

Serbia nuk ka bërë luftë me të tilla ambicie, as sipas ndonjë politike imperialiste. Ajo as nuk dëshironte dhe as nuk kishte për qëllim të shtypte popuj të tjerë.

Politika; 28.12.1912:

Serbët me çmimin e gjakut të tyre të derdhur lumë arritën të drejtat e tyre të ngadhënjimtarit. Në fund të fundit, ata mund ta kërkonin me shumë të drejtë daljen në det, pasi pjesa më e madhe e territorit shqiptar të pushtuar, dikur i përkiste perandorisë serbe.

                                                                  ****

Samouprava 30.10.1912:

Na vjen keq që duhet të vëmë në dukje se shqiptarët nuk kanë pasur dhe nuk kanë kërkuar territor të veçantë, se ata në Mesjetë kanë qenë territor i shteteve serbe e bizantine (greke); se me këtë vërtetohet paaftësia e tyre për jetë shtetërore të pavarur. Asnjë rrethanë kulture dhe qytetërimi nuk përligj një territor shqiptar më vete. Përkundrazi, rrethanat e kulturës dhe qytetërimit europian flasin me forcë kundër tij.

Samouprava; 27.10. 1912:

Ai element, nëpër të cilin Serbia kalon deri në det, është element shqiptar, të cilin ajo e ka pasur edhe më parë, në kohërat e shkuara, kur kishte Durrësin. Ajo nuk do të dalë tani për herë të parë në det, as nuk po kalon për herë të parë nëpër këtë element shqiptar.

Shqiptarët nuk janë të aftë të ruajnë pavarësinë. Këtë e dëshmon në mënyrë të pakundërshtueshme edhe historia kaq shekullore, edhe niveli i tyre kulturor. Prandaj është më e natyrshme që shqiptarët të mbeten në territoret e Serbisë dhe Greqisë, siç kanë qenë edhe para ardhjes së turqve në Ballkan.

Samouprava (Autonomia e Shqipërisë), 3.11.1912:

Emri Shqipëri është një koncept thjesht gjeografik, që nuk shoqërohet nga një koncept për ndonjë kombësi shqiptare. Shqiptarët e vërtetë mendohet se janë mbeturinat e autoktonëve të vjetër në Ballkan, të cilët dyndje të shumta të huaja pothuajse i asgjësuan tërësisht. Emërtimi i tyre i fundit, arnautë, nuk ka kurrfarë lidhje me Shqipërinë. Këta janë ardhacakë turq, që morën tokat serbe, kur serbët, nën udhëheqjen e patriarkëve të tyre, u shpërngulën në Austri. Ata u përzien me serbët e mbetur dhe mbeturinat e autoktonëve shqiptarë.

Nga tiparet e tyre kanë ruajtur vetëm egërsinë. Memorie.al

                                                               Vijon numrin e ardhshëm

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/objektivat-serbe-ishin-te-dyfishta-duhej-siguruar-dalja-ne-detin-adriatik-por-enderrohej-gjithashtu-perfshirja-e-territoreve-libri-i-ri-i-studiuesit-e-diplomatit-bashkim-tren/