“Një nga meritat kryesore të kujtimeve të At Zef Pllumit, të qëndruarit besnik ngjarjeve në pasqyrimin e tyre, si p.sh., takimi me Mehmet Shehun dhe…”/ Refleksione për veprën “Rrno vetëm për me tregue”

Nga Eugjen Merlika

                                                           MISIONI I SHKRIMTARIT

                               (Duke lexuar librin “Rrno për me tregue” të At Zef Pllumbit)

Memorie.al/Zoti asht i madh. I kjoshim falë atij të lumit që ka krijue vdekjen, se përndryshe njerëzit do t’kishin me kenë gjithmonë skllav të tiranve. Edhe kta do t’desin nji ditë e ti duhet të jetojsh vetëm sa me tregue. Kurrgja në mos kjosh i zoti me ba, rrno vetëm për me tregue. A e kupton ç’ka due me t’thanë? Mbaruen të tjerët, mbarojmë na, mbaron dhe ti: të gjithë shkojnë si qeni në rrush, po nuk kje dikush me kallzue se si kje puna. Kush të teprojë le të kallzojë!”

Këto fjalë profetike të meshtarit të vjetër, At Marin Sirdanit, drejtuar autorit, atëherë ende djalë i ri e, i pa shuguruar si prift, përbëjnë lejt-motivin e veprës së At Zef Pllumbit. Ishte një porosi me vlerë, një nga ata amanete “që nuk i tret dheu”, që ve në lëvizje gjithë energjitë, përkushtimin, motivimin shpirtëror, moral e mundësor të një njeriu të letrave, që synon t’i shërbejë tërësisht një qëllimi të shenjtë, shpalosjes të së vërtetës. Në vetëdijen e autorit, ai amanet bëhet besim, ideal, ëndërr, kuptim jete; e shoqëron çdo orë, çdo ditë, çdo muaj, dhjetëvjeçarë me radhë, në një rrugë të gjatë, të vështirë, gjithmonë në të përpjetë, që është jeta e shkrimtarit.

Ai amanet i jep forcë, vullnet, qëndrueshmëri, për të sfiduar sfinksin, për të mbijetuar në një xhungël ku sundojnë egërsirat, ku çdo ditë rrezikohet të gjymtohet, të humbë, të asgjësohet. Ai amanet kthehet në një dritë të fuqishme që ndriçon çdo qelizë të kujtesës së pazakontë, për të hedhur në letër gjithë bagazhin jetësor të një përvoje vetjake e të përgjithshme, që përbën shtyllën kurrizore të veprës që sendërtohet e merr formën e librit të kujtimeve, duke hyrë, mendoj un, me dinjitet në fondin e letrave shqipe.

”28 nandor 1944, qe nji ditë e ftohtë, e zymtë, ndoshta me zymta që prej shpalljes së pavarësisë”, është një fjali në fillim të veprës, është penelata e parë që paralajmëron koloritin e saj. Zymtia përshkon gjithë faqet e librit, duke pasqyruar atmosferën në të cilën hynte një komb i tërë, pas një tragjedie që nuk kurseu askënd në kontinentin e vjetër. Por në vendin e autorit, tragjedia do të kishte përmasa makabre, para të cilave dhe bota shekspiriane, do të dukej e zbehtë. Autori është një misionar e misioni i tij është shumëplanësh. Si shkrimtar duhet të paraqesë me art epokën e trazuar së cilës i përket, si famullitar, pjesëtar i bashkësisë së Klerit Katolik, duhet të marrë në mbrojtje arsyet e tij, si i përndjekur politik i regjimit duhet, të dëshmojë dramën e asaj pjese të popullsisë që “koha e re”, i vuri në qafë një zgjedhë. Si i tillë, por edhe si njeri, si qytetar, ai rreshtohet në anën e të mundurve, të viktimave, të atyre që e pësojnë historinë, por me vetëdijen e plotë se duhet të pasqyrojë të vërtetën, vetëm të vërtetën. Është kjo një nga meritat kryesore të kujtimeve të At Zef Pllumbit, të qëndruarit besnik ngjarjeve në pasqyrimin e tyre, ashtu siç kanë ndodhur, me dritat e me hijet.

Merr tepër rëndësi ky fakt, po të kemi parasysh se bën fjalë për pasqyrimin e një epoke në të cilën e vërteta është dhunuar katërcipërisht, në të gjitha shfaqjet e saj, për një gjysëm qindvjete, duke ju servirur për së prapthi një populli të tërë. Dita e çlirimit u hymnizua në të gjitha format, u bë motiv zotëronjës kudo, në artet, letërsinë, shkencat historike e shoqërore. U paraqit gjithmonë në simbiozë  me fitoren e Evropës kundër diktaturave, u quajt prej shumicës si pika kulmore në historinë tonë të shekullit të kaluar. Në fakt ajo ditë solli në fron një regjim që u mbështet mbi mashtrimin e dhunën e që, për fat të keq, në sajë të jetëgjatësisë, mundi të futë tentakulat e tij në indet e segmenteve të ndryshme të shoqërisë, duke krijuar tabu të rreme në mendësitë e vetëdijen e një pjese të dy brezave shqiptarësh.

Ndërsa për At Zefin, “Shqipnia e terrorizueme kishte ra në koma. Njerzit e dijtun nuk dijshin ma kurrgja dhe njerzit e paditun kishin në dorë gjithçka; atë që nuk dihej”. Nëpërmjet episodeve të ndryshme përshkruhen bëmat e partizanëve, në të cilat ai merr pjesë në vetë të parë. Objektiviteti në vlerësimin dhe paraqitjen e personave dhe ngjarjeve është i dukshëm: për tregues mund të përmenden bisedat me Shefqet Peçin apo me Mehmet Shehun, episodi i rojeve të burgut Dhimitër e Tomorr, gjyqi kundër Klerit Katolik, bisedimet për Statutin e Kishës etj. Autori i ka vënë detyrë vetes të dëshmojë gjithë përvojën e tij. Ai mbetet në qendër e rreth tij vërtiten ngjarje e persona të cilët, për mirë apo për keq, lidhen me të. Vështrimi i shkrimtarit është shumë i gjerë, kap një kënd prej 360°, gjithçka që rrezaton jeta materiale, shpirtërore, intelektuale e mjedisit në të cilin ndodhet, doket, zakonet, filozofinë, historinë, politikën, kulturën e popullit të tij.

Kujtimet e autorit rrokin një shtrirje kohore të gjatë, i ngjajnë një Sage të gjithë periudhës së komunizmit, që nga lindja deri në shembjen e tij. Pjesa më e madhe e tyre i përket burgjeve e kampeve të punës. Kjo, jo vetëm për faktin se jeta e autorit, për forcë madhore, kaloi më shumë në to, por dhe për një farë nënteksti filozofik të një realiteti të zotëruar nga një diktaturë, që gjente shprehjen e saj ideale pikërisht në ata kampe e burgje. Nëpërmjet personazheve të vërteta, të hasur në këto mjedise, personazhe që drejt për së drejti apo tërthorazi, kanë bërë historinë e kohës së tyre, nëpërmjet historive të jetëve të tyre ravijëzohet një vend i cili është shndërruar në një burg të madh. Në të secili e sheh me dyshim lindjen e ditës, mbasi nuk e di se çdo të ndodhë me të deri në mbrëmje, kufiri mes “tanëve” e “armiqve”, pothuajse është zhdukur mbasi, sa hap e mbyll sytë, ish luftëtarët, drejtuesit e Partisë, gjeneralët, shkrimtarët, përfundojnë në qeli, nga ku vazhdojnë t’i besojnë përrallës së komunizmit.

Përshkrimi i atyre burgjeve, në të gjithë vërtetësinë rrëqethëse të tyre, është ndihmesa më e madhe që autori i ep shqiptarëve e historisë së tyre. Ato copëza jete të mnerëshme të ngulura në vepër dëshmojnë se deri ku arriti krimi i organizuar në formën e Shtetit, e do të vlejnë për të ardhmen, kur Shqipëria të jetë bërë një vend normal e, kur Historia do të shkruhet në termat e saj të vërteta. Ato dëshmi do të hedhin dritë mbi një realitet për të cilin, fatkeqësisht, në Shqipëri e më shumë në Evropë, shfaqet prirja për t’a zvogëluar, për t’a harruar, për t’a fshirë nga kujtesa. Autori është i vetëdijshëm për këtë, duke patur parasysh se kjo mundësi, bie ndesh me amanetin që ka marrë në të rit e vet: me tregue. Ai nuk ndalet, vazhdon të kujtojë e të tregojë, i bindur se jo gjithmonë tregimi i tij do të bjerë në vesh të shurdhër.

Por një qëllim ka për zemër autori e që lidhet me misionin e tij si shërbyes i Krishtit. Ai don të paraqesë në dritën e së vërtetës Kishën e tij, këtë institucion që ishte nga më të luftuarit, mbi të cilin ranë “rrufetë e Zeusit”, në mënyrë të posaçme, të pandara, me ashpërsinë më të madhe, deri në paradokse. Përse komunizmi shqiptar u tregua kaq gjakësor me fenë në përgjithësi, e me atë Katoliken në veçanti? Sepse, siç e thashë më sipër, ishte një sistem që themelin e kishte mbi mashtrimin e dhunën, dukuri që çdo besim, në veçanti ai i krishteri, i quajnë të papranueshme e i luftojnë me të gjitha mjetet. Që të ngrihej godina duhej pastruar themeli nga morali, duhej vënë atje imoraliteti, duhej asgjësuar kushdo që i kundërvihej këtij të fundit. Kisha Katolike shqiptare, nuk pranoi të bëhej krah i regjimit, nuk pranoi të ligjësonte krimin, nuk pranoi të shkëpuste lidhjet e saj shekullore me Vatikanin. Ja pra arsyeja e barbarizmit të pashembullt që u martirizua më shumë se çdo simotër e saj, që u kërcënua me shuarjen e plotë si asnjë tjetër.

Ç’përfaqësonte Kisha Katolike për Shqipërinë e popullin shqiptar? Pa dyshim ka qenë një nga pjesët më cilësore të superstrukturës së këtij Vendi. Tradicionalisht, një nga tempujt më të fuqishëm të kulturës sonë, dha një ndihmesë themelore në formimin e vetëdijes kombëtare të shqiptarëve, pati merita të jashtëzakonshme në kultivimin në popull të dashurisë për Atdheun, gjuhën e historinë e tij, pati rol përcaktues gjatë pushtimit otoman, në ruajtjen e identitetit kombëtar, i dha Shqipërisë një thesar të paçmuar në fushat e ndryshme të kulturës. Përfaqësuesit më në zë të saj, në qindvjetorin që lamë pas, si: Dom Nikoll Kaçorri, At Gjergj Fishta, Dom Ndre Mjeda, Imzot Luigj Bumçi, At Anton Harapi etj., ishin korifenj shqiptarizmi e ‘Baballarë Kombi’.

Këto të vërteta, të mohuara për një kohë të gjatë nga regjimi e veglat e tij në të gjitha nivelet, autori i shpalos me mjeshtëri nëpërmjet portretizimit të figurave, ndërhyrjeve filozofike, bisedave politike, kujtesës historike, episodeve që trajtojnë arkivin apo bibliotekën. Në sytë e lexuesit parakalojnë, në dritën e së vërtetës, eprorët apo kolegët, martirë të fesë  e të kombit, secili me personalitetin e tij. Ato hyjnë lehtë në mendjen e tij e mbeten gjatë. Aftësia e autorit në portretizimin e personazheve më duket se është me të vërtetë spikatëse. Më duket me vend të sjell këtu një pjesëz nga gjyqi i madh në redaksinë e ‘Hyllit të Dritës’. Flet At Mati Prendushi që, në krahasim me gjykatësit e tij, më duket si Guliveri me Liliputët:

Tash e disa shekuj na kanë ngulë ndër huj e na kanë varë në konop ata që nuk deshtën as fenë, as kombin, por e kemi thirrë vedin gjithmonë katolikë shqiptarë, të Gjergj Kastriotit. Kemi jetue gjithmonë me popullin si në luftë e si në paqe: në luftë me turkun e me shkjanë, sepse njani na mbante në robni e tjetri donte me na përpi. Ndërsa na nuk jena da kurr prej popullit, por jemi përpjekë me e mësue e me i dhanë atë kulturë që ka Evropa e, mos me u dallue për keq prej të tjervet. Na kemi hapë shkolla shqiptare e nuk kemi dallue ndër to as katolikë as myslimanë, mjaft që populli shqiptar të ecin në rrugën e Zotit…”!

Fjalë lapidare, të gdhendura në mermerin e ndërgjegjes së kombit, që pohojnë një të vërtetë të mohuar, të njollosur, të kthyer përmbys nga një bandë kriminelësh të institucionalizuar në krye të Shtetit, për fatin e keq të Shqipërisë. Këtë të vërtetë rivendos në mendjet e lexuesve me mjeshtri At Zef Pllumbi, duke ja arritur plotësisht qëllimit të tij. Figurat e At Anton Harapit, At Gjon Shllakut, Dom Alfons Trackit, At Pal Dodajt, At Ciril Camit, At Mati Prendushit, At Donat Kurtit e sa e sa meshtarëve të tjerë mbeten në kujtesën e lexuesit, në thjeshtësinë e njëherësh në shkëlqimin e tyre si shërbyes të kishës së Krishtit, si njerëz, si shqiptarë.

Portretizimi është i efektshëm dhe në vizatimin e figurave të tjera, të atyre që në këtë sagë kujtimesh gjysëm shekullore, bëjnë pjesë në viktimat apo në fitimtarët. Është mjaft goditës portretizimi i veglave të diktaturës, të atyre “heronjve të heshtur” ose jo, që penda të tjera të fuqishme të letrave shqipe, për dhjetëvjeçarë të tërë i himnizuan, i veshën me lavdi edhe se përfaqësonin krimin, dhunën, imoralitetin.

 “Shikjo Dul, këta janë dokumenta tepër të rëndësishme për historinë e Shqipnisë, prandaj tregoni kujdes të veçantë për ta!

Mos u ban marak P. Marin, se këto paçavure ne nuk na vlejnë fare: historinë e shkruajmë neve!”

 Thuhet se një përgjigje të përafërt dha dhe Hitleri kur dikush pati guximin t’i kujtojë krimet e ushtrive të tij dhe historinë. Dul Rrjolli ishte një partizan i thjeshtë i paditur, por mendësia që shprehin fjalët e tij, është ajo e arrogancës së pjesës më ekstremiste të komunistëve shqiptarë që, arritën të mbizotëronin e të merrnin pushtetin, me të gjitha pasojat që pësoi Shqipëria.

Ka një tjetër shtysë të fuqishme në misionin e tij shkrimtari e kjo është dashuria për popullin e vet dhe vendin e të parëve. Është një ndjenjë e fuqishme, e përzierë me krenarinë e dhimbjen, por që në ndonjë rast shpërthen në një zemëratë që na kujton shprehjen e Çernishevskit për rusët: “Komb skllevërish, fund e majë të gjithë skllevër!”

 “Shka kishte me thanë bota kur të shofin se gjithë jeta e këtij populli paskësh kalue tue u shkrrye barkas rrshanë, pa mujtë kurrë me u çue në këmbë”? shfryn ai në një çast dëshpërimi, kur sheh se objektet e kultit, vendet ku populli i tij ishte falë në qindvjetorë të gjatë, që i kishin qëndrue stuhinave të kohëve, tani shembeshin nga turma të pandërgjegjshme, të infektuara nga frika e padija. E sheh këtë çast si humnerën më të thellë, në të cilën janë zhytur bashkatdhetarët e tij. E din mirë se ringjallja do të jetë tepër e vështirë e duhet të kalojë nëpërmjet një prove të madhe dashurie. Ai mundohet t’a kalojë këtë provë çdo ditë të ferrit të tij të dhimbshëm, në marrëdhëniet me bashkëvuajtësit, sidomos me ata që, deri pak kohë më parë, bënin pjesë në turmën e xhelatëve të tij. Bën pjesë dhe kjo në misionin e shkrimtarit, veç atij të famullitarit, sepse arti në genet e tij ka predikimin e dashurisë ndërmjet njerëzve, brezave, popujve, dashurisë që ndërton familjen, shoqërinë, Kombin. Sa larg misionit të tyre ishin ata shkrimtarë që, në gjithë veprën e tyre, himnizuan “luftën e klasave”, “urrejtjen klasore” mes pjesëtarëve të një populli, të një kombi, mes folësve të një gjuhe, që evokuan “armët e zbrazura për t’uruarin komunizëm” e bëmat e tij “heroike”!

Nga lartësia e misionit të tij, i vetëdijshëm për peshën e rëndë që ka marrë mbi supe, me modestinë e artistit e të fetarit, autori i drejtohet lexuesit bashkëkohës të tij, por dhe atij të kohëve të mëpastajme, me një kërkesë sa të thjeshtë aq dhe të ndërlikuar:

Ngjarjet që tregohen ktu janë tepër të vështira me u shkrue, prandej autori u kërkon të falun mbasi nuk asht shkrimtar, dhe me dashamirësi ju këshillon qi, të reflektoni shumë mbi këto ngjarje dhe të kërkoni shkakun e vërtetë se pse ndodhën ato…! Pse”?

Pyetja e autorit del nga përmasat e veprës së tij e godet fort ndërgjegjen e një shoqërie që bart në vetvete krimin e pandëshkuar e që është shoqëria shqiptare. Por ajo shkon dhe më tej, i kalon kufijtë e brishtë të truallit të ngjarjeve e i drejtohet botës së madhe, ku një kulturë e tërë e ashtuquajtur “progresiste”, mbetet indiferente kundrejt tyre, duke vënë theksin gjithmonë vetëm mbi një lloj tjetër krimi, atë nazifashist. Teoria e dy peshave e  dy masave, që kushtëzoi për gati gjysëm shekulli çdo hap të jetës së shqiptarëve, në Evropën demokratike vazhdon të paragjykojë ndër pretimin dhe analizën e historisë së tyre. Nuk është e rastit dhe heshtja e kësaj të fundit në lidhje me kundërvënien ndërmjet Shtetit shqiptar dhe të përndjekurve politikë të komunizmit që kërkojnë dëmshpërblimin për vitet e punës së papaguar në kampet e punës së detyruar.

Misioni i autorit është tepër fisnik e i lëvdueshëm. Do t’ishte në dobi jo vetëm të së vërtetës, por dhe të ripërtëritjes shpirtërore të shqiptarëve, të përqafohej nga një numër më i madh shërbyesish të artit. Këto lloj shkrimesh do të vlenin shumë, sidomos për të rinjtë, që të kenë mundësi të krijojnë përfytyrimin e saktë se në ç’absurditet të llahtarshëm jetuan prindër e gjyshat e tyre, cila qe përgjegjësia, ku u shfaq forca apo dobësia e tyre.

Meritat letrare e artistike të veprës më duket se janë të bollshme, aftësia përgjithësuese e madhe, gjuha e stili të rrjedhshëm, galeria e personazheve dhe e mjediseve e larmishme, pasqyrimi i së vërtetës jetësore i saktë. U mundova të paraqes përshtypjet mbi vlerat kryesore të mesazhit që buron nga libri “Rrno vetëm për me tregue”. Aspekte të ndryshme mund të analizoheshin shumë më gjerë e, besoj se do të jenë objekt i kritikës më cilësore.

Si lexues e quaj të udhës të shpreh vlerësimin, mirënjohjen dhe respektin e thellë për personalitetin e autorit që, do t’a quaja pa mëdyshje një ‘Sollzhenicin shqiptar’. Memorie.al

Qershor 2003    

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/nje-nga-meritat-kryesore-te-kujtimeve-te-at-zef-pllumit-te-qendruarit-besnik-ngjarjeve-ne-pasqyrimin-e-tyre-si-p-sh-takimi-me-mehmet-shehun-dhe-refleksione-per-vepren/