“Një familje myslimane e Shkodrës, me djalin 6 muejsh, duke tentue me u arratis prej liqenit, vogëlushi nis me kja e, për mos me nigju rojet e kufinit, i ati, e kap të birin dhe…”/ Historia tragjike në diktaturë

Nga At Zef Pllumi

                                                             VDEKJA E STALINIT

Memorie.al / Të flasësh o të shkruejsh për Stalinin sot, mbas 40 e sa vjetësh që ka dekë, duket si jashta vendit, për mos me thanë marrí krejt. Megjithkëta, mendoj se asht detyrë para njerëzimit, me tregue marritë e njerzimit: ato kohë që i kemi bajtë mbi shpinë. Kur mbaroi Lufta e Dytë Botnore, Stalini u çmue si strategu ushtarak ma i madh i saj. Ai qysh 20 vjet përpara, ishte kenë tirani i tanë Bashkimit Sovjetik dhe me gjak e terror, jo vetëm kishte shtrue anmiqtë e Partisë Komuniste, por kishte zhdukë pa mëshirë edhe shokët e vet të parties, që nuk mendojshin si ai; tash e kishte marrë malli me zotnue tanë botën, mbasi Rusia, iu duk tepër e vogel. Ballkanin e muer krejtsisht, përveç Greqisë, që nuk ia la Churcill-i n’asnji mënyrë.

Titoja mujt pak ma vonë deri dikund me i dalë dore, por tjerët nuk e di a për bindje, a për servilizëm, a për frigë, por t’u vunë të gjithë me e çue nalt e ma nalt, derisa e banë si perëndi. Ah, o i madhi Zot, sa marrija shkruhej përditë në të gjithë shtypin e kësaj cope të botës, që fillon në Vladivostok e, vjen deri këtu në Tiranë!

Lene m’anësh për filozofi, se ai tashma ishte ma i madh ideolog i klasikëve të komunizmit e socializmit; po e xamë edhe si strateg luftarak, edhe në organizim shtetnor, por nuk jam i sigurt, a iu mbush mendja atij vetë, a por servilat e hileqarët shfrytzuen emnin e tij, dhe ai na duel edhe gjuhëtari ma i madh i kohëve, me teorinë e tij për zanafillën e gjuhëve. Edhe nuk guxonte kurkush as me qeshë, as me folë, për këto marrina: shkoje drejt e në burg.

E mbaj mend se n’atë kohë në Shkodër, ishin dy motra jetime, por që i kishin kalue 20 vjetat. Njana ishte ba komuniste e, i kishin dhanë punë dikund në nji zyrë, ndërsa tjetra ishte pa punë, pra pa kurrnji të ardhun: as pare me marrë 400 gram bukë. Me rrogën e njanës, u mundojshin me jetue të dyja; ishte tepër e vështirë, mbasi rrogat, si i thojshin atëherë, ishin për krye e, jo për familje, d.m.th., vetëm sa me jetue nji person e edhe ky në zgrip. Nji në mbramje, kur kthen prej zyret në shtëpi, ajo komunistja, i thotë motrës së vet:

– “Shka na ke pregatitë sonte me hanger”?

Ajo mbasi kqyrë portretin e Stalinit të madh, që e kishte ble e vu aty n’atë dhomë që kishin i thotë:
– “Qe tek i ke mustakët e Stalinit e të bashin mirë, në daç zieji, në daç fërgoi, se na nuk kemi asnji kafshatë bukë, me hanger”! N’e nesre në mbramje ajo filloi burgun; pra puna kishte mbërrijtë këtu edhe ma zi.

Nji dite prej ditësh në gazete, po del nji lajm mjaft i çuditshëm. Ai thonte se ishin dënue 9 doktora, të cilët i kishin dhanë diagnozë e barna të gabueme Stalinit të madh, me qëllim që me i shkurtue jetën. Nji grue doktoreshë e hetoi; atë e shpallën heroinë e, doktorat i shtinë në burg. Stalini kishte shpëtue prej tyne. Prej këtij lajmi u muer vesht se Stalini, kenka nji zot që vdes. Edhe njaty kah shkurti 1953, radioja filloi me kumtue tash e parë, gjendjen shëndetsore të tij.

Kur vdiq, si t’u shembte bota. Ishin marrë masat ma të rrepta ushtarake. Vendi u mbulue në zí. Komunistat kjajshin me të vërtetë, se pritshin shka po ndodh e, nji pjesë tjetër kjante për servilizëm, sepse propaganda komuniste deri atë ditë, e paraqiste sikur ai të kishte në dorë rruzullin mbarë e, as dielli nuk mund bante dritë, pa të. Tirani shqiptar aty në Tiranë, u ul në gjuj para statujës së tij në sheshin kryesor (ku sot gjindet Skandërbegu) dhe u detyrue me u ulë, i gjithë populli.

Shumë vetë e fituen burgun në këtë rasë, sepse vunë buzën në gaz kur tjerët vajtojshin. Stalini vdiq edhe bota po rrotullohej si gjithmonë, as dielli nuk u shkimb. Atje në Kremlin, në vend të tij, hipi nji tjetër zot, ndërsa të vdekunin e balsamosën dhe, mbrenda njaj arke të kristaltë, e vunë aty në sheshin qendror. Feja e re e komunistave të pafé, nuk mund rrinte pa ritet fetare të feve të vjetra.”

Periudha prej vjetit 1954 e deri në vjetin 1959, kje periudha ma e butë e ma e begatshme e pushtetit komunist në Shqipni. Kjo nuk don me thanë se ishte liri, por ishte nji përpjekje me u paraqitë si organizim i gatshëm, me shtetet e tjera satelite te Bashkimit Sovjetik. Burgjet u riorganizuen, ashtu edhe kampet e punës së detyruar, të cilat u emnuen “Reparte riedukimi“. Ndër to kishte fillue edhe përmirësimi i racionit të bukës e ushqimit: tash u jepshin 800 gr. Bukë, 40 gr. Makarona ose oriz, 70 gr. Perime e thohej edhe për 40 gr.

Mish, por ai kalonte nëpër shumë duer, para se të mbërrinte ndonjiherë të rrallë tek i burgosuni, sa me e pa me sy. Jepshin edhe nji palë rroba të jashtme (xhakete e pantallona), beze e ngjyrosun në kafe dheut, të cilat zbardhoheshin porsa t’i lajshe 2 herë; gjithashtu edhe dy palë të brendshme bezeje. Por, përmbi të gjitha u vu edhe pagesa e punës: ata që e kalojshin normën e caktueme të punës, paguheshin me nji përqindje qesharake, por që mjaftonte me marrë 1 kg sheqer, pak vaj e, ndoj pusulle postet, e mbi të gjitha, atyne që punojshin shumë, u zbritej edhe dënimi nga 5 ditë në muej.

Përveç këtyne që thamë, të burgosunve iu dhanë edhe dy të drejta tjera mjaft të rëndësishme: fjetja d.m.th., iu dhanë nga tri batanije dhe 70-80 cm. vend fjetje mbi dërrasa, nëpër kapanone. Kjo e drejtë shpeshherë shkelej, mbasi batanijet të shumtën e herës ishin formale e, shihej drita nëpër to. Po t’u ankojshe, merrshe përgjigjen: “Këto kemi: në daç merri, në daç leni; ven firmën këtu”. Edhe ai 70-80 centimshi, mvarej prej aftësisë së kapanonëve e, numrit të të burogsunve.

E drejta tjetër që patën të dënuemit gjatë kësaj kohe, kje takimi me familjet e veta, marrja e ushqimeve ose e pakove prej tyne, si dhe mundësia me gatue vetë brenda kampit në nji kapanon të vogël, që thirrej; “kuzhina private”. Për të burgosun ky kje nji favor shumë i madh, mbasi me ushqimin që jepte komanda, shkohej drejt nji esaurimenti, që nuk kishte doktor me e pru në fije.

Me gjithë këto liri e rregullime të mira, kampet e burgjet mbetën se mbetën vendet ma të tmerrshmet e Republikës, ku njeriu nuk kishte asnji të drejtë njerzore, ku shfrytëzohej prej shtetit ma keq se skllavi dikur, ku çdo komandant, oficer o polic, ta merrte shpirtin si t’i tekej, shpejt o ka dalë, dhe nuk kishe ku me e kërkue të drejtën tande, mbasi u çmojshe vetëm si nji kafshë, për me ba punë të randa.

Herë mbas here Ministria e Brendshme organizonte vetë provokime me anë të cilave arrestoheshin njerëz, për t’i shndërrue në skllavë o kafshë pune, me të cilat janë punue të gjitha “Veprat e mëdha të Partisë”: janë bonifikue të gjitha kënetat e rrjedhjet e lumenjve, janë shfrytëzue e shumta e minierave e, janë ndërtue gadi të gjitha uzinat e fabrikat, si edhe qendrat e reja të banimit në të gjithë Shqipninë. Pra, Enver Hoxha, ose Partia e Punës e Shqipërisë, ishte pronari ma i madh i skllavëve që njeh historia.

Kështu jetojshin të burgosunit. Po njerzit e lirë? A kishte në Shqipni njerëz të lirë?! Në vështrimin e vërtetë të fjalës, nuk kishte. Gjatë ksaj kohe Shqipnia u thur (rrethue) gjithkund gjatë kufinit të sajë, me “klon“. Thirrej kështu rrjeti me telin gjembaç, që përdorej prej ushtarakëve. Gjithkund 200 metra, pa mbërrijtë te piramidat e kufinit, ishin ngulë shtylla të gjata 4-5 m. dhe me atë lloj teli, ishte ba nji thurje e posaçme që mos të mund kalohej kufini, në asnji mënyrë.

Ky rrjet ishte i pajisun edhe me sinjale elektrike, përveç qenve e njerëzve të stërvitun. Kushdo që orvatej me e kalue këtë “klon“, lente aty jetën e vet, nën breshni të automatikëve e trupi i tij u lehej kafshëve mishngrënëse, ose varrosej në mefshtësi.

Brenda këtij “kloni“ jetojshin shqiptarët, që kishin liri, në të shumtën e rasave, me u martue si mbas rregullave të Partisë; kishin liri me rrahë shuplakë e, me brohoritë Enver Hoxhën; kishin liri me shkue kur të duen në WC; kishin liri me folë mirë për Partinë e Pushtetin; por nuk kishin liri, as me shfaqë mendimin e vet, pakënaqsitë e nevojat e veta, as me ndigjue radiot e huaja, se këto dënoheshin me nji ligjë dhe i kapte “neni i propagandës“.

Jam i sigurt se nji përqindje si me u skapullue nga kjo tokë e mallkueme, por kahdo që sielleshe, delte përpara kloni. Nuk ishte vetëm kloni. Nji rrjetë tjetër e merimangës, tepër e rrezikshme e kërcnuese, ruente çdo shqiptar. Sigurimi i Shtetit, tashmë me nji përvojë të pasun me kurthe tinzare, rrena e tradhti, i kishte ngule çapojt në çdo tru shqiptari e, si nji përbindsh i tmerrshëm, këpuste çdo fije shprese, që mund endej për andrrën e lirisë. E kam ndër sy avokatin plak, Qazim Danin, i cili fill mbas gëzimit të madh të lirimit nga burgu, pësoi tronditjen fatale, kur i vranë djalin 25-vjeçar, në kërkim të lirisë.

Po ashtu edhe Kolë Gurakuqin; djali i tij i vetëm, mësues në Velipojë, gjatë udhëtimit u hodh prej motoskafit n’ujë, por e vranë aty për aty. Më dhimbeshin ata dy pleq dhe, sa herë shkojshem me u ngushllue, kthejshem i vramë në shpirt, mbasi çdo përpjekje ngushllimi, kishte mbarue për ta. Jo nga pleqnia, por nga idhnimi; nga humbja e së vetmes dashuni mbi tokë, kur kishin shpresën, mendjet e tyne kishin kalue.

Po ashtu i dhimbshem kje episodi i Sandër Pistullit, nji prej ish tregtarëve të ndershëm të Shkodrës, nji burrë tamam “zotni“, i cili shkrini të gjithë atë pasuni, që me frikë e kishte mshefë, për me ikë me gjithë familje. Kur ai me tanë familjen mbërritën në breg të liqenit, aty në vend të lundërtarëve, e pritshin njerëzit e Sigurimit, që e përplasën në burg, për shumë e shumë vite, ndërsa familja e shpërndame, vuejti pa mujtë me u mbledhë ma në shtëpi të vet.

Edhe ma tragjike, tregohej ngjarja e nji familje myslimane të Shkodrës. Mbas shumë përpjekjesh tepër të mshefta, ia kishte dale me u bashkue me tre djelmoça tjerë, që me nji lundër po niseshin për liri. Familja ishte e re e, u kishte falë Zoti nji djalë, që ende nuk i kish 6 muaj; kryesisht për vogëlushin andrrojshin lirinë. Prej Shkodret udhtimi nëpër liqe, asht shumë i gjatë.

Mbasi kaloi gjysa e natës, lundra hyni në zonën ma të rrezikshme. Shi aty foshnja filloi me kja. Nana e shkretë e struku e i dha gji. Fytyrat e djelmoçave u tmerruen: ata ruheshin që mos të ndigjohesh zhurma e rremave e, që tash vaji i fëmijës. Baba, që po voziste edhe ai me tjerët, i bërtiti gruas nën za: “Jepi gji! Pajtoje djalin, se na more në qafë! Kemi afër rojet kufitare!”

Për fat të keq, foshnja shpërthente edhe ma zi në vaje e, nuk kishte gja me e pajtue. U duk sikur edhe në breg, ku ishin rojet, u ba si zhurmë e pregatitje armesh. Rojet e kufinit me mjete të veta, mund i kapnin gjallë ose i vrisnin të gjithë. Foshnja u tërbue në vaje. Nën za u ndie nji ofshame: mbaruem! N’atë ças babës, i hiku mendja. Atë e kishin pranue shokët për ta shpëtue dhe tash shi ai, po bahej rreziku kryesor i jetës së tyne. Lëshoi rremin dhe i terbuem si ujk, ia shkëputi nanës foshnjen prej gjinit dhe e hodh n’ujë.

Qetësia e vdekjes ra mbi ata voztarë. Lundra, me atë heshtje vorri që barte, kaloi kufinin: hyni në liri. Jeta që lindi u ba kurban i lirisë. Kurban tepër i madh. Kaq shtrejtë kërkoi të paguhej ajo? Aso kohe lajmet për t’arratisun vijshin ma vështirë se prej jetës tjetër. Kurrgja me siguri, por si kam pasë ndigjue, ajo nusja nuk bani ma ditë të mirë dhe vdiq mbas katër vjetësh nga veremi, që nuk iu nda kurrë që nga ajo natë; ndërsa burri jetoi në mjerime, edhe disa vjet. A thue liria nuk kenkesh kurrgja tjetër, por vetëm nji mikrob iluzionar jetëshkatrrues? Mbetet mister…”

MARASHI

Ata dy fëmijët që gjatë funksioneve fetare i kishem veshe xhakoj, ishin shumë të zgjuet. Më vinte keq që nuk mund vazhdojshin shkollë. Fola me familje të tyne. Marashin ma dhanë, megjithëse jo fort me andje. I ati më thonte: “Po ku don me e çue, more zotni? Kjo shkolla e tyne, asht shkollë e dreqit e del dreq”! Nji ditë shkova ndër zyra të lokalitetit në Breg të Lumit dhe fola për Marashin, me e dërgue Lokaliteti me bursë. Vetëm njani prej atyne zyrtarëve, kishte krye shkollën e mesme; gjithë tjerët ishin me fillore.

Si përgjigje përfundimtare, kje kjo: “Po me i çue tanë fëmijët në shkollë, kush i ruen dhitë këtu në Dukagjin”? E pashë se nuk delte gja prej tyne e, u ula në Shkodër. Bashkë me djalin shkova në seksion t’arsimit. Më thanë: ke ardhë vonë. Shkolla nuk kishte fillue ende, por regjistrimet kishin mbarue. Nuk ma pranuen kurrsesi. Bashkë me te, u nisa për Tiranë. Shkova te nji konvikt. Fola me drejtorin. Ndodhi burrë i mirë e, i kuptueshëm.

– “Pse kaq vonë”?

-Me e dijtë ti, se prej kah vjen ky fëmijë, thue që asht tepër herët. Asht prej malsive të Dukagjinit, atje në krye të kufinit. Nana i ka dekë, baba i shkretë ke me mbajtë ma parë, ky asht djalë i zgjuet e, dam me e lanë pa shkollë. Ti e din mirë se ato male, duhet të bajne kuadrot e veta, si n’arsim, si në shëndetsi, n’administratë etj., e jo me i dërgue atje njerëzit me shkollë, prej Tirane e Shkodre”.

– “Ashtu asht, ashtu, por halli se bursat shtetnore janë plotsue, kanë mbetë pak vende me gjysa bursash”.

– “Don me thanë që gjysëm, me e pague familja”?

– “Po, duhen 9 mijë lekë, për tanë vjetin, e verës kthen te shpija”.

Un atëhere i pagova ato 9 mijë e, djali u regjistrue. I dhashë të gjitha porositë, që mund japin nji prind. Sado rrallë, i premtova, do të vij me të pa e, me pvetë për mësime. Fola me drejtorin, të cilit nuk i kallxova se ishem klerik, dhe ai e muer ashtu si i takonte nji edukatori. Kurrë nuk e pveta, si e kishte emnin.

Për katër vjet e mbajta atë djalë, në nji konvikt të Tiranës. Gjatë verës rrinte ma shumë me mue, se në familje. Shkollën e naltë, nuk mund e nxuer kurrsesi. Duket se në biografi, ia kishin shti informatën e marrun kushedi prej kuj, se e kishem dërgue un në shkollë. Nji ditë prej ditësh, po më thotë: “E shka m’u desht shkolla që bana?! A veç me ruejtë dhitë ndër Rrosulla tv Palajt”?!

– “Mbasi nuk të japin bursë n’Universitet, së paku kërko punë n’arsim ose n’administratë”.

– “Gjithkund i kam drejtue lutjet, por ma mbyllin derën. Patër, të lutem, mbaje sekret: më kanë thirrë e më kanë thane, që ke me u çue e me folë kundra fratit, në mbledhje të rinisë. Në mos e bajsh këtë, vazhdo ruej dhitë, me shkollën që ke. Un kurrë nuk mund e baj këtë gja! Më del e keqe”.

U trishtova pa masë. Nuk ishem i zoti me i thanë asnji fjalë, asnji mësim si me veprue, n’atë ças aq të rëndësishëm për te: Jeta e Nderi.

Kishin kalue 6-7 vjet e, gjindesha përsëri në Repartin e Riedukimit në Ballsh. Në nji lloj bunkeri katror çimentje, rrethue në të gjitha anët me tela, komanda na kishte izolue kund nja nandëmbëdhjetë të burgosun, me akuza nga ma të ndryshmet. Ngjitun me mue ishin Dom Nikollë Mazreku e Gjon Perjaku.

Nji ditë prej ditësh lexova në “Zëri i Rinisë“ nji ngjarje të kobshme: në lagjen ‘Palaj’ të Shoshit, ndërsa në mbledhjen e Rinisë bahej “puna politike“ (Kështu thirreshin ato mbledhje ku flitej kundra Zotit e fesë ose, si i thirshin ata në të zbutun, “kundra zakoneve prapanike“) Marash Miruku e, i dërguemi i Partisë, Dedë Sokoli kishin mbetë dekun, gjuejtun prej nji rrufeje, ndërsa të gjithë tjerët antarë rinie, kishin shpëtue gjallë.

E lexova disa herësh, tue hulumtue imtë atë artikull në çdo rresht të tij e, tue krahasue të gjitha ato të dhana me vendin e ngjarjes dhe personat që përmendeshin aty. Sytë m’u mbushën me lot dhe me dhimbje e hodha gazetën, tue ofsha: o i shkreti Marash! Mbeta shumë i përmalluem. Gjoni, që e kishem ngjitë, po më pvetë:

– “Pse t’u mbushen sytë me lot? Për si thotë gazeta, e kjofshin të vërteta, ai komunist, duket se asht kenë”.

– “Nuk e besoj, por edhe sikur t’ishte ba antar partie, un atë e kam pasë si djalë”.

– “Me shka kuptova prej gazetës, duket se kanë ndër mend me e ba ‘hero’, ashtu siç kanë ba ‘heroj kot’ njiqind tjerë, deri atë qorrin, si i thonë atij, që pa sy, ban dy norma pune në ditë. Mos u ban marak për te”!

– “Jo, Gjon, – ia ktheva, – nuk asht ashtu. Dhimbja që kam sot për te, më duket sikur vjen nga nji përgjegjësi shpirtnore, që kam pase ndaj tij. E kam gjetë fëmi, posa kishte mbarue filloren. Ishte shumë i mprehtë. U përpoqa me e dërgue në shkollë, mos me e humbë atë talent natyre. Babai i tij, më kundërshtonte me ngulm. ‘Nuk asht shkollë, kjo që bajnë komunistët’, më thotë:

‘Këta u hjekin trutë që u ka falë Zoti e, në vend të tyne, ua mbushin rradaken fëmijëve me shtupa gazetash, që janë plot marrina: me sha Zotin, thonë, asht punë e mirë; me vra anmikun, thonë, punë e mirë; me grabitë tjerët, thonë, asht mirë, se këta vetë, nuk të lanë gja mbas shpirtit; për këta asht keq, vetëm me guxue të shajsh Enver Hoxhën ose Partinë!“

Kështu më thonte aq shpesh baba i shkretë, deri që nji ditë, vetëm se nuk donte të prishej me mue, ma la, e un me shpenzime të mija, e kam çue në konvikt në Tiranë.

– “Mire të paska thanë ai plaku; duket se atje asht ba komunist”.

– “Jo, jo, nuk asht ba atje. Kur janë mbyllë kishat, më 1967, i kanë kërkue që të flasë kundra meje, por ai nuk ka pranue. Tashti shifet se çfarë presionesh, duhet të ketë pasë! A e ke ndie kah thotë mileti, se ‘Këta të bajnë me ia hypë nanës…’?! Nuk mund i gjykojmë të gjithë njerëzit të këqij. Mandej shif se u ba nji kohë tepër e gjatë, që po rrnojmë pa shpresë. Zoti na lshoi dore. Këta rrxuen të gjitha kishat, ne na shtinë ndër burgje. Ngjarjet u rrokullisën e kurrkuj në botë, nuk i bjen ndër mend për ne.

Nji kohë që të mbyt shpirtin, të ligshton. Prej ligshtie njeriu edhe dorëzohet; detyrohet me ba nji punë që nuk duhet e, prandej i lutet Zotit që t’i dërgojë edhe vdekjen. Edhe më vjen dyshimi, kur e analizova ngjarjen te ‘Zëri i Rinisë’, të përshkrueme aq imtë: e njajta rrufe, ka vra delegatin e partisë, 200 metra larg, dhe Marashin, në mbledhje të rinisë, shi në mes të tridhjete vetave, në dhomën ku dikur banojshem un”.

“Asht e çuditshme: vetëm këta të dy! Merr dukjen e nji mrekullie të vërtetë, prandej mendoj se kurrë nuk kanë me ia dhanë titullin e ‘heroit të kotë’. Kush i din punët e Zotit? Ndoshta Marashi, shi ai vetë, me lot ndër sy, i asht lutun Perëndisë, që ma parë: më gjuej me rrufe prej qiellit, mbasi kështu nuk e donte ma këtë jetë. Urdhni i Zotit thotë: Mos gjyko”! Memorie.al


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/nje-familje-myslimane-e-shkodres-me-djalin-6-muejsh-duke-tentue-me-u-arratis-prej-liqenit-vogelushi-nis-me-kja-e-per-mos-me-nigju-rojet-e-kufinit-i-ati-e-kap-te-birin-dhe-h/