“Nga stili lojës që mahniti kinezët, te rekordi absolut i shënimit të 120 pikëve në një ndeshje dhe dashuria e bujshme me vajzën e Presidentit të Shqipërisë…”/ Historia e panjohur e legjendës së basketbollit shqiptar

Nga Uvil Zajmi

Memorie.al / Cili ishte djali, karriera e të cilit do të shpërthente duke shkëlqyer që në moshë shumë të re, për t’u bërë një lider, kapiten dhe një ndër basketbollistët më të shquar të basketbollit shqiptar? Një karrierë unike ajo e Vaso Shakës: Nga tradita me patina, te koshat e shkollës “Çajupi” që do t’i jepnin famë, jo vetëm në Shqipëri, por deri në Kinën e largët që merrnin për model stilin e tij. Spektaklet në lojë, shënues i pa ndalur: Nga 101 pikët në Ballkaniadë, te 120 të realizuar ndaj “Dinamos” dhe 38 pikë shënuar kundër gjigantëve të “Jugoplastikës”. Nga trajnerët Stërmasi e Borova, te pesëshja e paharruar tiranase, sfidat në derbi, trajner i vajzave të “17 Nëntorit”, një jetë plot surpriza e pasione për artin, pikturat dhe muzikën. Çfarë bën Vaso Shaka, një emër me të cilin është e lidhur një pjesë e rëndësishme dhe historike për vlerat sportive, njerëzore të një brezi, gjenerate, që i dhanë jetë një sporti tejet pasionant për shqiptarët, edukues dhe mjaft i preferuar, sidomos atij të viteve ’70-të, e më pas?

Mbi patina, traditë familjare

Lindur në Korçë, në vitin 1942, vllah me origjinë. Familja Shaka, prindërit, Vaso dhe motra transferohen në Tiranë, kur ishte 6 vjeç. Sportin e ka nisur me dëshirën për t’u bërë futbollist, madje shumë i kërkuar edhe nga trajneri Myslym Alla si portier. Pastaj skermë, volejboll, ping-pong, atletikë, patina, i gatshëm për të luajtur në të gjitha sportet te Pallati i Pionierëve në Tiranë. Por në familjen Shaka, traditë është një disiplinë pak e rrallë, por shumë aristokrate siç janë patinat, një sport i pëlqyer, shumë i preferuar dhe i frekuentuar për ta.

Madje pasioni mbi patina ishte i pari, në veçanti motra Rozeta, gruaja e prof. Alfred Uçit, ka qenë ndër të paktat vajza moderne të kohës kur përgjatë Bulevardit të Tiranës mbi patina, demonstronte patinazhin artistik, nën vëmendjen dhe kuriozitetin e qindra qytetarëve tiranas. Por, ndryshe nga tradita, Vaso Shaka do të luante një tjetër sport, edhe ai shumë fisnik, madje duke qenë lider, tejet spektakolar dhe i papërsëritshëm.

Çajupi, emri i poetit që do t’i jepte famë

Gjithçka që ka lidhje me fillimet sportive të Vaso Shakës, nis me startin në shkollë: Nga tetëvjeçarja “Shkolla e Kuqe” një nxënës i mirë i saj, për të vijuar në gjimnazin “Çajupi”. Nga trajneri i tij i parë Avni Zajmi në patinazh, tek Ahmet Golemi në skermë, pastaj Pëllumb Pelivani në volejboll, Elez Maha në atletikë dhe në gjimnaz, me mësuesin e Edukimit Fizik dhe më pas trajnerin e parë të tij, Abdulla Stërmasi.

Ishte ai që e tërhoqi nga çdo sport tjetër duke e orientuar drejt basketbollit. Atje gjen Bujar Shehun, Filip Guraziun, Agim Korbin, Iljaz Konjarin, duke hedhur bazat e krijimit të skuadrës së shkollës dhe më pas të “17 Nëntorit”. Janë vitet kur rivaliteti midis shkollave të mesme të kryeqytetit, është shumë i madh dhe janë pikërisht gjimnazistët e “Çajupit” që, për herë të parë thyejnë dominimin e gjatë “qemalstafas”.

Feti Borova, strategu që e afron te “17 Nëntori”

Një karrierë e nisur në mënyrë modeste, luhet me tabela dërrase e në dhe të zi, në parqet sportive “Studenti”, ai tek lojërat me dorë te Rruga e “Elbasanit”, për të ardhur tek ai i “Konferenca Pezës”, i njohur me emrin “Parku i Xha Tonit”, ndonëse plaku i palodhur legjendar, që mirëmbante fushat quhej Xhetan. Nga ai kompleks i hapur kanë dalë basketbollistë, volejbollistë e shumë sportistë tjerë, të cilët janë stërvitur me dekada në atë mjedis sportiv që i përkiste Klubit “17 Nëntori”.

Viti 1959, trajneri, mjeshtri i njohur Feti Borova, ka nuhatjen profesionale dhe e tërheq Vaso Shakën nga të rinjtë, te skuadra e parë e “17 Nëntori”-t. E aktivizon si qendër apo qendër anësor, duke zëvendësuar Boris Bumçin dhe ndeshja e parë e Shakës me “17 Nëntori”-n, regjistrohet në Tiranë kundër “Vllaznisë” së Renato Radojës e Bujar Golemit, për Spartakiadën e Parë Kombëtare. Është aktiviteti i parë zyrtar i tij në të cilin “17 Nëntori”, shpallet fitues me Vaso Shakën, i cilësuar e vlerësuar si një ndër talentet emergjente e të padiskutueshëm të basketbollit.

Ndonëse shumë i ri në moshë, vetëm 17 vjeç, por me një stil loje, gjuajtje që ofronte diçka të re në basketbollin kombëtar. Pastaj vajtja me studime në Çekosllovaki dhe periudha 1960-1961 e gjen Vaso Shakën student në Bratislavë, ku aktivizohet me skuadrën e qytetit në hendboll. Pret t’i vijë federimi nga Praga, luan fazën e parë, por kjo nuk do të zgjasë, pasi marrëdhëniet me Çekosllovakinë prishen dhe në 1961-in, kthehet përfundimisht në Tiranë.

Një stil i ri dhe modern loje

Janë vitet kur në basketboll fillon aplikimi i sulmit të shpejtë, mbrojtje agresive me gjuajtje nga larg, që të zvogëlohen diferencat në shtat lartësi me lojtarët e huaj. Në veçanti, roli i lojtarit qendër, kërkon tjetër interpretim e kur basketbolli është në hapat e para të transformimit, shfaqet Vaso Shaka, të cilit natyra i kishte falur disa dhunti, ndër të cilat, virtuozitetin me topin në rolin e qendrës dhe qendër anësore.

Me kërcyeshmëri të lartë, ai realizonte me lehtësi kosha spektakolarë nga pozicione të vështira, madje me disa stile në gjuajtje si me hark, nën tabelë, nga distanca, duke demonstruar reflekse dhe intuitë natyrale. Jo lojtar force, ai ishte zotërues i dy tabelave, gjithmonë me gjurin e djathtë të fashuar, Shaka ka qenë lojtari më i mirë i pesëshes, si në lojën individuale dhe atë kolektive.

Me aftësi të shkëlqyera teknike e taktike, me individualitet të spikatur, elegant, asistman, me një lojë të pastër e plot fantazi, dallohej për spostimet brenda e jashtë zone dhe me një orientim ideal në fushë, ai shënonte edhe ndaj kundërshtarëve të huaj shtatlartë. Shumë kurajoz e me iniciativë, i qetë, i vëmendshëm, i ekuilibruar në momentet më të vështira e decizive të takimit: Kur topi adresohej në duart e Vaso Shakës, ishte një garanci më shumë. Lojtar spektakli dhe me stilin e tij origjinal, demonstronte një diapazon e arsenal të madh në lojë, si një basketbollist i gjithanshëm.

Pallati i Sportit dhe Ballkaniada

Nga ndeshja e parë ndërkombëtare zhvilluar në vitin 1959 në Tiranë, me përfaqësuesen e kryeqytetit ndaj hungarezëve të BFS-së, pas një viti në Ballkaniadë në Sofje, në janarin 1961 në “Lojërat e Mesdheut” në Bukuresht, për të vijuar në Festivalin e Helsinkit. Viti 1963 është plot aktivitete ndërkombëtare: “Lojërat e Ushtrive Popullore Mike” në Pekin, pastaj në Xhakarta, Korenë e Veriut dhe në fund të vitit, janë dy takimet e para ndërkombëtare miqësore, me Kubën në basketboll (në volejboll në muajin qershor ishte zhvilluar një turne ndërkombëtar ku edhe u përurua Pallati Sportit), të zhvilluara në Pallatin e Sportit “Partizani”: E para me tabela dërrase dhe e dyta me plastike, të sapo montuara.

Por, ballkaniada e 1965-ës shënon kulmin dhe majën e karrierës së Vaso Shakës. Një aktivitet i zhvilluar në Pallatin e Sportit “Partizani”, në Tiranë, i ndërtuar edhe me kontributin vullnetar të sportistëve. I grumbulluar me ekipin e “Partizani”-t, pasi përfundonin stërvitjen, skuadra, drejtues, trajnerë punonin deri në një orë në ditë, për të shpejtuar realizimin e tij. Pastaj turneu: Kapiten e skuadrës dhe lider i saj pas tri takimeve, Shaka shpallet shënuesi më i mirë i turneut, duke realizuar 101 pikë. Është ballkaniada që shënon kthesën rrënjësore të basketbollit shqiptar: Nuk ka më humbje deri në disfata me diferenca të mëdha pikësh.

Lojtar i precizionit të lartë

I tillë ka qenë. Ndonëse me shtat lartësi 187 cm., nëse do t’u referohesh komenteve të shtypit dhe skedave të kohës kur ka luajtur, do të konstatosh se ka realizuar në mënyrë sistematike mesatarisht rreth 30 pikë për ndeshje. Lojtar qendre apo anësor gjithmonë i mbuluar nga lojtarë shtatlartë (në veçanti në aktivitetet ndërkombëtare), Vaso Shaka është dalluar për saktësinë në gjuajtje, në zonë e jashtë saj, duke modernizuar që në atë kohë rolin e lojtarit qendër, duke dalë nga zona e saktësinë në realizim.

Me lëvizshmëri natyrale, shumë elegant, mënyra e lojës dhe stili që demonstronte ishte diçka e veçantë për kohën, tifozët e specialistët, duke luajtur në mënyrë konstante me një basketboll të admirueshëm. Ka rekordin me 120 pikë të realizuara në një ndeshje: Kupë Republike, në fund të viteve ’60-të, te Parku mbrapa Kryeministrisë, (kundër “Dinamos”), ndërsa ndeshja ka përfunduar 157-40, për “17 Nëntorin”, Vaso Shaka ka shënuar 120 pikë.

Ndeshja e lamtumirës, në “Partizani” – “17 Nëntori”

Me një karrierë të shtrirë në vitet 1960-1973, midis ndeshjeve të rëndësishme dhe atyre që nuk harrohen, mbeten përballjet “17 Nëntori” – “Partizani”, ato të viteve ’70-të, në të cilat ka qenë protagonist absolut i tyre. Përballjet “Partizani” – “17 Nëntori” kanë qenë sfida midis sfidave, pasi në to përfshiheshin shumë faktorë si brenda mjedisit sportiv, por edhe jashtë tij.

Trajnerë e lojtarë të shquar të kohës me klas e individualitet të lartë teknik; rivalitet i madh kur mjaft takime janë përcaktuar në sekondat e fundit, të shoqëruara në pafundësi me polemika dhe pastaj një tifozeri e jashtëzakonshme, në një pallat sporti të tejmbushur, duke mos harruar gjithashtu preferencat e politikanëve të kohës.

Imagjinoni kur në fushë ishin lojtarë të tillë, si: Vaso Shaka, Bujar Shehu, Kujtim Kasmi, Gavrosh Lëvonja, Topalli, Avrami, Koleka, Shkurti e përballë: Fagu, Pali, Zaçe, Pëllumbi, Dodan Përmeti, Kastriot Mushi, Edgar Prifti etj. Ka zgjedhur pikërisht një takim, kur më 28 janar të vitit 1973, Vaso Shaka ka dhënë lamtumirën, duke i’a dorëzuar fanellën Pirro Kolekës. Nga ai takim, ka një kujtim unik: Ruan protokollin e ndeshjes, që përfundoi 86-73 për Tiranën, në të cilin përfshihen basketbollistë, arbitra, të dhëna teknike, gjithçka, një dokument interesant shumë i rrallë.

Por në karrierën e tij, ka shumë sportistë që i dhanë jetë këtij sporti në ato vite: Luan Shatku, Filip Guraziu, Renato Radoja, Agim Lahi, Dhimitër Papa, Konomi, Pirro Angjeli, Niko Profkola, Nustret Reka, Luan Kalebota, Viktor Papavangjeli, Robert Kuqo, etj. Për më shumë se një dekadë, Vaso Shaka ka qenë kapiten me kombëtaren dhe “17 Nëntorin”, deri ditën që u nda nga sporti, madje një ndër arkitektët kryesorë të klubit tiranas, bashkë me Buajr Shehun, Kujtim Kasmin, Gosh Lëvonjën, Land Topallin, Niko Avramin, Pirro Kolekën, Dhimitër Papën, Nine Shkurtin, Daltën etj., duke krijuar një ndër pesëshet më historike të basketbollit shqiptar.

Kina, e çmendur me “Stilin Shaka”

Në Kinë, Vaso Shaka ka qenë pesë herë, me të cilat e lidhin disa momente sportive. Së pari kur stili i lojës së një sportisti merret si model në një shtet tjetër, madje të madh dhe me potencial në sport, si Kina Popullore. Viti 1963, në Institutin e Fizkulturës të Pekinit, për studentët jepen pjesë filmike që demonstronin teknikën e lartë e të veçantë në gjuajtje, si dhe stilin e shqiptarit Vaso Shaka. Ndërkohë, gjatë një turneu në Kinë, kur me dy menisqe e dy kavilje njëkohësisht të dëmtuara, mjekët kinezë e ndaluan dhe e këshilluan të mos luante pasi, mund të kishte pasoja.

Por, para takimit, ndërsa shkonte në spital, ku e mjekonin, vijonte duke luajtur, ndonëse me dhimbje të vazhdueshme gjatë ndeshjes, pastaj rikthimi në spital dhe mjekimi intensiv. Edhe takimin e fundit ndërkombëtar me skuadrën përfaqësuese, e ka zhvilluar më 17 tetor 1972, në Tiencin të Republikës Popullore të Kinës. Aty e ka dorëzuar fanellën me numrin 9, numër që nuk e ka ndarë asnjëherë gjatë karrierës së tij (pasi te “17 Nëntori”, kur ishin bashkë në skuadër, Renato Radoja kishte trashëguar nga të rinjtë numrin 7, ndërsa Shaka preferoi atë me numër 9).

Moviola në basketboll, ide e Shakës

Vaso ka qenë shumë i qetë, asnjëherë polemika dhe kundërshtime apo debate me arbitra gjatë gjithë karrierës si sportist, trajner, drejtues. Ai është njeriu që propozoi dhe realizoi aplikimin për herë të parë të moviolës në Shqipëri për një sfidë basketbolli e jo futbolli. Në Tiranë, në Pallatin e Sportit “Partizani” luhet takimi “17 Nëntori” – “Partizani”, në kohën e rivalitetit historik: Kanë mbetur edhe pak sekonda, tiranasit janë në avantazh të një pike në renditje dhe të një pike në fushë, kur arbitri i njohur Virgjil Karaj, ka vërshëllyer për shkelje të vijës anësore nga Land Topalli dhe në mes të polemikave, topi i kalon “Partizani”-t, i cili e rifillon me shpejtësi lojën dhe Fagu realizon, duke i dhënë fitoren “Partizani”-t.

Në barazim pikësh në renditje, do të luhet takimi final për titull. Por, me një kërkesë të klubit për të ri parë edhe një herë momentin e shkeljes së vijës, Radio-Televizioni Shqiptar, i cili transmetonte takimin, vë në dispozicion pamjet filmike. Një grup specialistësh, lojtarë e drejtues të Federatës së Basketbollit, rishikojnë edhe një herë çastin, duke konstatuar se Topalli nuk e kishte shkelur vijën anësore. Sidoqoftë, pas pak ditësh u zhvillua takimi final, që u fitua nga “17 Nëntori”, me koshin në fund lojë të Topallit, por verifikimi i një momenti të diskutueshëm në ekranin e R.T.SH.-së, është rasti i parë i aplikimit të moviolës në një eveniment sportiv në Shqipëri, që i takon fund viteve 1960 – ’70-të, ide që vinte prej Vaso Shakës.

Ndeshjet kundër sllavëve

Janë të paharruara: Kundër “Zadar”-it, në Kupën e Kupave, viti 1970 dhe “Jugoplastikës” një sezon më vonë në atë të Kampioneve. Të dyja klube të ish-Jugosllavisë kampione bote me përfaqësuesen, ndërsa me klube, në kulmin e formës dhe sukseseve të tyre, ku luanin lojtarë shumë të mëdhenj për kohën. Në veçanti “Jugoplastika”. Për historinë e basketbollit shqiptar, në veçanti atij me klube në përfaqësimet ndërkombëtare, janë ndër më të famshmet, ndonëse janë humbur, por të tilla kanë qenë e mbeten edhe sot.

Bëhet fjalë të luaje kundër lojtarëve të tillë, si: Shollman, Prug, Petër Skans, Dvërdiç, Gjergja (lojtari më i mirë në Europë në vitin 1967). Dhe më kryesorja: Ndaj “Jugoplastikës” në Tiranë, Vaso Shaka ka realizuar 38 pikë, që habiti kundërshtarët. Në karrierën e tij, Shaka ka rreth 100 ndeshje ndërkombëtare, ku përfshihen edhe përforcimet, si ato me “Partizani”-n në një aktivitet të Ushtrive Popullore Mike në Kinë (1963); sërish në Kinë më 1966-ën, me “Dinamo”-n në një turne të ekipeve të Ministrive të Punëve të Brendshme dhe me “Vllazninë”, në Kupën Ballkanike, në sezonin 1967. Pa harruar turnetë e njohura për EKE të basketbollit në Budapest 1968, Kaljari 1970 dhe Holandë 1972.

Shaka, inxhinier kimist në profesion

Ndonëse me një karrierë të shkëlqyer, si një ndër basketbollistët elitarë në kufijtë e një legjende, edhe në profesion, Vaso Shaka ka qenë ndryshe: Student në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, dega Kimi-Industriale, në jetë ka qenë inxhinier kimist dhe për shumë vite ka punuar si teknologmercolog në Kombinatin e Mishit në Tiranë dhe pas viteve ’90-të në Yzberisht, në një tjetër kombinat të produkteve ushqimore. Është karakterizuar nga një ekuilibër dhe i arsyeshëm, shumë i dashur dhe mik me të gjithë, si sportist, ashtu edhe drejtues. Jo i vrullshëm në vendimmarrje, i kujdesshëm deri në detaje.

Krijimi i mitit si trajner, me vajzat basketbolliste!

Vendimi për të qenë trajner i vajzave të ekipit “17 Nëntori”, është marrë në Kinë, gjatë një turneu ku ishin përfaqësueset e djemve dhe vajzave. Duke qenë se trajnerin Qemal Shalsi, e caktuan drejtues në Federatën e Basketbollit, Shakës i propozuan të merrte skuadrën e lënë tashmë nga Shalsi. Ndonëse ishte ende aktiv, por në dilemë për ta lënë apo jo, ishte ky shkaku që kur u kthyen në Tiranë, pas dy javëve, merr drejtimin e skuadrës kampione dhe me traditë të hershme në Shqipëri. Pastaj, dhjetë vite protagonist me Bukuroshe Shtizën (Bellova), Dojakën, Betin, Ferhatin, Hoxhën, F. Konçi (Tikja), Dhurata Xhanin, Gjetja, Gjoni, Xhaxho, V. Bega, T. Vogli, L. Çani, I. Sulollari dhe në harkun e pak viteve, në përtëritjen e skuadrës, shpërthejnë Vali Myrto, motrat Edra e Mirza Alibega, Goxhi, Shoshkiç, ndër talentet e mëdha të basketbollit shqiptar, produkt i punës së Shakës ,kur ishte trajner i “17 Nëntori”-t.

Dashuria e bujshme e Shakës

Është dashuruar dhe martuar shumë i ri. Ka qenë i famshëm dhe në kulmin e formës kur është njohur me të shoqen, Fitoren, ndër vajzat më të bukura të Tiranës. Dashuria e tij me vajzën e Presidentit të Kuvendit Popullor (Haxhi Lleshi), ka qenë një ndër evenimentet kryesore të kronikës rozë të kohës, si ndër historitë më të bujshme të një sportisti me famë në Shqipëri. Njihej kudo ku shkonte. “Madje më shumë se edhe Presidenti i Kuvendit Popullor, para se të bëhesha dhëndër. Asnjëherë, në asnjë çast në jetën time familjare dhe karrierën sportive, nuk ka ndikuar kjo lidhje martesore”, shprehet Shaka.

Vaso është njohur si një njeri tepër serioz, korrekt dhe me iniciativë për të kundërshtuar e refuzuar edhe drejtues partie, kur i kërkonin skuadrës apo klubit, fitore me çdo kusht ndaj kundërshtarëve të fortë, kur diçka e tillë ishte e pamundur, kjo më shumë në aktivitetet ndërkombëtare.

Pasioni për lulet, operat dhe pikturat

Vaso ka disa pasione, ndër të cilat filmat, të lexojë, të dëgjojë muzikë me preferencë këngëtarin italian Adriano Çelentano, por edhe të ndjekë operat, kur deri pak kohë më parë shkonte rregullisht në shfaqje. Nuk harron lulet për të cilat kujdeset sistematikisht, por pasioni primar, është ai për pikturën. Një preferencë lindur vite më parë, kur klubi ishte në rrugën “Konferenca e Pezës”, përballë tij ishin studiot e piktorëve.

Me shumë prej tyre ishin miq, siç ndodh zakonisht midis artistëve e sportistëve. Nga ajo kohë i vazhdon ky pasion nga i cili nuk është ndarë asnjëherë, deri në ditët e sotme. Ka në shtëpi një koleksion të pasur me vepra e punime të artistëve shqiptarë, rreth 100 të tilla, duke filluar nga Sali Shijaku, Zamir Mati, Thaçi, Golemi etj. Nga familja e skulptorëve Balli, ka një basoreliev me portretin e tij të realizuar prej tyre.

Çfarë bën sot Vaso Shaka?

Është fitues i mbi 25 titujve kampionë dhe i Kupës së Republikës si lojtar e më pas trajner i vajzave të “17 Nëntorit” dhe atij kombëtar për një dekadë (1973-1983). Shumë i sjellshëm dhe i edukuar në fushë e jashtë saj, Mjeshtër i Merituar, N/Kryetar i B.F.S.SH.-së (Bashkimit të Fizkulturistëve dhe Sportistëve të Shqipërisë), ai është zgjedhur edhe në pesëshen e basketbollit shqiptar të shekullit. Vaso Shaka jeton në një apartament pranë Liqenit Artificial, të marrë kur luante sport dhe është prind i dy vajzave, Emona e Boriana, të cilat nuk e trashëguan të atin në sport.

I ndjek aktivitetet sportive, shkon pak në Pallat Sporti, pëlqen televizorin, futbollin, turnetë ndërkombëtare dhe mbetet tifoz i “17 Nëntori”-t. Pak ka ndryshuar, ndonëse vitet kalojnë, kujton mirë gjithçka, flet shtruar, i qetë dhe tejet familjar, kur e sheh të shoqërojë nipin dhe mbesën çdo ditë për në shkollë, apo të shëtisë në mbrëmje në korridoret e liqenit, duke pirë kafen me një cigare, së cilës nuk i ndahet. Zotëron një kulturë të admirueshme jo vetëm sportive, sërish elegant si kur luante e vishej, Vaso Shaka mbetet “Një zotëri i basketbollit shqiptar”, një përfaqësues intelektual i vërtetë i “fair play”-t të sportit shqiptar, pasi ashtu e ka interpretuar basketbollin e tij, duke qenë protagonist absolut, i papërsëritshëm. Memorie.al

 Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/nga-stili-lojes-qe-mahniti-kinezet-te-rekordi-absolut-i-shenimit-te-120-pikeve-ne-nje-ndeshje-dhe-dashuria-e-bujshme-me-vajzen-e-presidentit-te-shqiperise-historia-e/