“Nga pikëpamja etnike, maqedonasit do të na afrohen shumë, vetëm kur të gjejnë në atdheun serb, mbështetjen e vërtetë etnike, që u ka munguar dhe…”/ Libri i ri i gazetarit, publicistit dhe diplomatit të njohur

Nga Bashkim Trenova

Pjesa e dytë

                                                 SHQIPTARËT SIPAS SERBËVE 

                              (KRIZA LINDORE DHE LUFTËRAT BALLKANIKE)                                                      

Memorie.al / “Serbët rrjedhin nga sllavët, një numër i madh tribushë që i dhanë jetë popujve sllavë. Mbi origjinat e historisë së sllavëve njohuritë janë modeste dhe jo aq të qarta. Emri i tyre del për herë të parë në shekullin VI pas J. K., kur shkrimtarë bizantinë, fillojnë të flasin për sllavët….”! (Dushan Batakoviç, Milan St. Protiç, Nikola Samarxhiç, Aleksandër Fotiç. Histori e Popullit Serb. L’Age d’Homme. Lausanne. 2005. Fq. 3.)                                                                                                                                                                                                                                       Vijon nga numri i kaluar                                        

          NË VEND TË PROLOGUT – NJË PROJEKT,  DY MEMORANDUME DHE NJË ANALIZË

Projekti ose Naçertania e Ilia Garashaninit – politikan, kryeministër i Serbisë gjatë viteve 1852-1853 dhe 1861- 1886:

Problemet e kolonizimit të rajoneve jugore

Duke lexuar pjesën e parë të këtij studimi, secili vë re menjëherë se në shqyrtimin e problemit të kolonizimit të rajoneve jugore, bëhet fjalë kryesisht për rajonet që ndodhen në veri dhe në jug të maleve të Sharrit. Kjo nuk është rastësi. Ky bllok i shqiptarëve, që rrethojnë malet e Sharrit, ka një rëndësi të madhe kombëtare, administrative dhe strategjike për vendin tonë. Ne kemi treguar tashmë se si u krijua kjo gjendje dhe rëndësinë e saj për forcimin e lidhjeve midis rajoneve që rrethojnë Luginën e Vardarit dhe territoreve tona të mëparshme. Zgjerimi serb, që nga krijimi i shtetit të parë serb në shekullin e 9-të, gjithnjë e ka marrë vrullin e tij nga ndërlidhja e këtij zgjerimi me territoret e dikurshme të Rashkës, dhe kjo në të gjitha drejtimet, madje edhe në jug. Kjo lidhje u ndërpre nga shqiptarët dhe për sa kohë që lidhja e vjetër ndërmjet Serbisë dhe Malit të Zi me Maqedoninë, nga Drini në Moravën jugore, nuk rivendoset në tërësi, ne nuk do të kemi siguruar zotërimin e këtyre territoreve.

Nga pikëpamja etnike, maqedonasit do të na afrohen shumë vetëm kur të gjejnë në atdheun serb, mbështetjen e vërtetë etnike, që u ka munguar deri më tani, dhe që do ta marrin vetëm pas shtypjes së bllokut shqiptar. Nga pikëpamja ushtarake dhe strategjike, blloku shqiptar, ka në vendin tonë një pozicion nga më të rëndësishmit, një vend që ndan ujërat ballkanike drejt Adriatikut, Detit të Zi dhe Detit Egje. Kush e mban këtë pozicion strategjik, në një masë të mirë ka epërsinë në qendër të Ballkanit, veçanërisht në rrugën kryesore të komunikimit Moravë-Vardar. Nuk është rastësi që kjo zonë ka qenë shpesh skenë e betejave vendimtare për fatin e Ballkanit: Nemanja kundër grekëve, serbët kundër turqve në 1389, Huniadi kundër turqve në 1446. Në shekullin e 20-të, vetëm një vend i populluar nga banorët e tij vendas mund të garantojë sigurinë e tij, ndaj të gjithë kemi detyrën e domosdoshme që; të mos i braktisim këto pozicione të rëndësishme strategjike, duke i lënë në duart e elementit armiqësor dhe të huaj, aq më tepër që ky element, mbështetet në shtetin kombëtar të së njëjtës origjinë.

Ky shtet është i pafuqishëm për momentin, por edhe kështu është kthyer në një bazë të imperializmit italian, përmes të cilit synon të  depërtojë në zemër të shtetit tonë. Mjeti më i sigurt kundër këtij depërtimi është populli ynë, i cili do të dëshirojë dhe do të dijë të mbrojë tokat dhe shtetin e tij. Përveç kësaj, përveç këtij blloku prej 18 qarqesh, shqiptarët dhe pakicat e tjera kombëtare në krahinat jugore jetojnë të shpërndarë, prandaj nuk janë aq të rrezikshëm për jetën e kombit dhe të shtetit tonë. Të nacionalizosh rajonet, që rrethojnë malet e Sharrit, do të thotë të varrosësh përgjithmonë çdo pengesë të pakalueshme, të sigurosh pushtet mbi këto toka përgjithmonë…!

Problemi i Sanxhakut të Novi-Pazarit zgjidhet vetvetiu dhe nuk luan më në jetën tonë shtetërore atë rol, që luajti deri në vitin 1912. Do të theksojmë vetëm se me zhvendosjen e shqiptarëve, këputet lidhja e fundit ndërmjet myslimanëve tanë të Bosnjes e të Novi-Pazarit me pjesën tjetër të botës myslimane. Ata po kthehen në një minoritet fetar, i vetmi minoritet mysliman në Ballkan dhe ky fakt do të përshpejtojë nacionalizimin e tyre. Së fundmi, Mali i Zi ka filluar të paraqesë një problem serioz. Toka e tij e varfër nuk është në gjendje të ushqejë popullsinë, por, me gjithë migrimin, ajo u rrit nga viti 1912 në 1931, me 16%. Ky popull baritor, pak i qetë, i ka dhënë gjakun  racës sonë gjatë shekujve. Energjitë e tij, të kanalizuara mirë, nuk do të jenë shkatërruese, por mund të përdoren në interes të përgjithshëm të shtetit, nëse orientohen drejt juglindjes.

Përmbledhtas:

Shqiptarët është e pamundur të zmbrapsen vetëm përmes kolonizimit gradual, ata janë të vetmit që ia dolën në mijëvjeçarin e fundit, jo vetëm t’i bëjnë ballë bërthamës së shtetit tonë, Rashkës dhe Zetës, por edhe të na shkaktojnë dëm, duke shtyrë kufijtë tanë etnikë në veri dhe në lindje. Ndërsa kufijtë tanë etnikë janë zhvendosur gjatë mijëvjeçarit të kaluar në veri në Suboticë dhe në veriperëndim në Kupa, shqiptarët na kanë dëbuar nga rajoni i Shkodrës, ish-kryeqyteti i Bodinit, nga Metohia dhe Kosova. E vetmja mënyrë dhe mjeti i vetëm për t’i dëbuar është forca brutale e një pushteti të organizuar shtetëror, ku ne gjithnjë i kemi mbizotëruar.

Nëse nga viti 1912 e deri më sot, nuk kemi arritur sukses në luftën tonë kundër tyre, duhet të fajësojmë veten, sepse këtë fuqi nuk e kemi përdorur siç duhet. Nuk mund të bëhet fjalë për një asimilim të tyre në favorin tonë. Përkundrazi, duke u mbështetur tek Shqipëria, ata shohin të ringjallur ndjenjën e tyre kombëtare dhe, nëse ne nuk i lajmë me ta hesapet në kohën e duhur, në 20 apo 30 vitet e ardhshme, ne do të përballemi me një irredentizëm të ashpër, shenjat e të cilit po shfaqen tashmë, dhe që në mënyrë të pashmangshme, do të vërë në pikëpyetje të gjitha hapësirat tona në Jug.

Problemi ndërkombëtar i kolonizimit

Nëse pranojmë se zhvendosja progresive e shqiptarëve përmes kolonizimit tonë të ngadaltë nuk ka efekt, atëherë mbetet vetëm një rrugë, dëbimi i tyre masiv. Për këtë qëllim ne shohim dy shtete, Shqipërinë dhe Turqinë. Shqipëria, me një popullsi të rrallë, këneta të shumta ende të pa drenazhuara dhe lugina lumenjsh të pasistemuara, do të mund të strehonte disa qindra mijëra shqiptarë nga vendi ynë. Turqia moderne, me sipërfaqet e saj të mëdha të Azisë së Vogël dhe të Kurdistanit, ende të pabanuara dhe të papunuara, ofron mundësi pothuajse të pakufizuara për kolonizimin e brendshëm….! Turqia ofron mundësi më të mëdha pritjeje për shumicën e shqiptarëve tanë të dëbuar.

Së pari, le të theksojmë se nuk duhet të kufizohemi vetëm me hapat diplomatikë me Ankaranë, por duhet të përdorim të gjitha mjetet për të bindur Tiranën që të pranojë disa nga emigrantët tanë. Mendoj se do të jetë e vështirë për ta rregulluar këtë në Tiranë, sepse, Italia do të jetë pengesë, por paratë luajnë një rol të madh në Tiranë. Gjatë diskutimeve për këtë temë, është e nevojshme t’i bëjmë të qartë qeverisë shqiptare se, ne nuk do të ndalemi para asgjëje për zgjidhjen përfundimtare të kësaj çështjeje dhe, në të njëjtën kohë, t’i bëjmë të ditur se do të japim subvencione të mëdha për vendosjen e kolonëve. Ndoshta, nëpërmjet kanaleve sekrete, në këmbim të dëmshpërblimit material, mund të marrim një zotim nga zyrtarët në Tiranë për të mos e kundërshtuar këtë aferë. Turqia, me sa duket, është dakord fillimisht të pranojë rreth 200 mijë të zhvendosur prej nesh, me kusht që të jenë shqiptarë, gjë që është më e favorshme për ne…!

Ky problem, pa dyshim, do të shkaktojë njëfarë shqetësimi ndërkombëtar, i cili është i pashmangshëm në një rast të tillë. Sa herë që kanë ndodhur veprime të këtij lloji në Ballkan, gjatë shekullit të kaluar, gjithmonë ka pasur një fuqi që ka protestuar, sepse këto veprime, nuk janë përputhur me interesat e saj. Në këtë rast mund të jenë Shqipëria dhe Italia. Përsa i përket Shqipërisë, ne kemi treguar tashmë se duhet të përpiqemi të lidhim një konventë me të për këtë problem dhe, nëse nuk i arrijmë qëllimet tona, atëherë duhet të paktën të marrim sigurinë se ajo, i shikon pozitivisht këto zhvendosje të popullsisë për në Turqi.

E përsërisim se një veprim i shkathët në Tiranë dhe përdorimi i shkathët i parave, mund të luajnë një rol vendimtar në këtë çështje. Opinioni botëror, veçanërisht qarqet e financuara nga Italia, do të jenë disi të alarmuara. Megjithatë, bota sot është mësuar me shumë më keq dhe është aq e zënë me çështjet e përditshme, sa nuk ka nevojë të shqetësohet edhe për këtë subjekt. Kur Gjermania dëbon dhjetëra mijëra hebrenj dhe Rusia zhvendos miliona burra nga një pjesë e kontinentit në tjetrën, transferimi i disa qindra mijëra shqiptarëve, nuk do të nisë një luftë botërore. Por autoritetet kompetente duhet të dinë se çfarë duan dhe të veprojnë me vendosmëri për ta arritur atë, pavarësisht nga pengesat e mundshme ndërkombëtare.

Është Italia, pa dyshim, ajo që do të vendosë më shumë pengesa, por ajo sot është shumë e zhytur në problemet e saj me Abisininë dhe Austrinë dhe nuk mund të shkojë aq larg sa të kundërshtojë këtë veprim. Për të thënë të vërtetën, rreziku më i madh qëndron në një ndërhyrje të mundshme nga aleatët tanë të mëdhenj, Franca dhe Anglia. Ne duhet t’u përgjigjemi me qetësi dhe vendosmëri, sepse është në interesin e tyre, siç u duk në Luftën e fundit të Madhe, që të sigurohet linja Moravë-Vardar, dhe do të jetë edhe më mirë për ne dhe për ta, nëse ne do të mbizotërojmë plotësisht nga pikëpamja etnike në rajonet përreth maleve të Sharrit dhe në Kosovë.

Kushtet e transferimit

Tashmë kemi treguar se për ne është efektiv vetëm largimi i shqiptarëve nga trekëndëshi i tyre. Dhe për të arritur një transferim masiv, kushti i parë është krijimi i një psikoze të përshtatshme, e cila mund të bëhet në shumë mënyra. Ne e dimë se masa myslimane, në përgjithësi, ndikohet lehtësisht, sidomos nga feja, se është supersticioze dhe fanatike. Prandaj, për zhvendosjen e shqiptarëve duhet të fitojmë së pari, me para ose me shtrëngim, klerikët e tyre, njerëzit me ndikim.

Është e nevojshme të gjenden sa më parë agjitatorët që do të bëjnë propagandë në favor të zhvendosjes, sidomos nëse Turqia na i furnizon këta. Ata duhet t’u përshkruajnë atyre bukurinë e vendeve të reja ku do të vendosen, jetën e qetë dhe të këndshme që do të bëjnë atje, të ndezin fanatizmin fetar në masat dhe të zgjojnë në to ndjenjën kombëtare turke. Shtypi ynë mund të bëjë shërbime të jashtëzakonshme në këtë drejtim, duke përshkruar zhvendosjet paqësore të turqve nga Dobruzha dhe vendosjen e tyre të suksesshme në rajonet e reja. Këto përshkrime do të krijonin në masën tonë shqiptare, parapëlqimin e dëshiruar për t’u larguar.

Një mjet tjetër do të ishte shtrëngesa e ushtruar nga aparati shtetëror. Ky duhet të shfrytëzojë me themel ligjet, që t’ua bëjë shqiptarëve të padurueshëm qëndrimin në vendin tonë: gjoba, burgime, zbatim rigoroz i të gjitha dispozitave të policisë, dënim i çdo kontrabande, i shpyllëzimeve, dëmeve të shkaktuara në bujqësi, i kundërvajtjeve, detyrim për të mbajtur të lidhur qentë, të detyrohen sa më shumë njerëz të punojnë pa shpërblim, në punë të vështira, të përdoret çdo mjet tjetër që një polici me përvojë, mund të imagjinojë. Në planin ekonomik: mosnjohja e titujve të vjetër të pronësisë dhe puna në kadastër, e cila në këto rajone duhet të shoqërohet me mbledhjen e pamëshirshme të taksave dhe shlyerjen e detyruar të të gjitha borxheve publike apo private; marrja e të gjitha kullotave shtetërore dhe bashkiake, heqja e koncesioneve të dhëna, heqja e licencave për të ushtruar profesione, shkarkimi i zyrtarëve shtetërorë, i punonjësve privatë e bashkiakë etj., të gjitha këto do të përshpejtojnë procesin e zhvendosjes.

Mund të përdorim edhe masa praktike dhe efektive në nivelin shëndetësor: zbatimi me forcë i të gjitha dispozitave edhe në banesat private, shkatërrimi i mureve dhe rrethimeve të mëdha të shtëpive, zbatimi i rreptë i masave veterinare, gjë që do të pengojë shitjen e bagëtive në tregje etj. Shqiptarët janë shumë të ndjeshëm në aspektin fetar, ndaj duhet t’i prekim edhe në këtë pikë. Kjo do të arrihet duke përndjekur klerikët, duke shkatërruar varrezat, duke ndaluar poligaminë dhe, mbi të gjitha, duke zbatuar rreptësisht ligjin e regjistrimit të detyrueshëm të vajzave në shkollën fillore, kudo të ndodhen. Edhe nisma private mund të ndihmojë shumë në këtë drejtim. Ne duhet, sipas nevojës, të shpërndajmë armë për kolonët tanë.

Në këto rajone është e nevojshme të organizohet forma e vjetër e veprimtarisë çetnike dhe të ndihmohet ajo, në mënyrë të fshehtë, në praktikat e saja. Është veçanërisht e nevojshme të kryhet një vërshim malazezësh nga malet për të nxitur një konflikt masiv me shqiptarët e Metohisë….është gjithashtu e nevojshme që të gjitha këto fakte të paraqiten si një konflikt klanesh dhe, nëse është e nevojshme, të shpjegohen duke u dhënë një karakter ekonomik.Përfundimisht, ne mund të nxisnim edhe trazira lokale, të cilat do të shtypen me gjak dhe me mjetet më rezultative, jo duke i’u drejtuar më shumë ushtrisë sesa vetë kolonëve, fiseve malazeze dhe çetnikëve. Mbetet ende një mjet që Serbia e përdori në mënyrë shumë praktike pas vitit 1878; vënien e zjarrit në fshehtësi të fshatrave dhe lagjeve të qyteteve shqiptare.

Organizimi i transferimit

Në hartën e bashkangjitur (autori ka shtuar në përmbledhjen e tij një hartë, që tregon rrethet që do të boshatisen), janë shënuar rrethet përkatëse: Dibra e sipërme, Pollogu i poshtëm, malet e Sharrit, Drenica, Shtavica, Vuçiterna, Llapi, Graçanica, Nerodimja, Gjakova, Gora, Podgora, Podrimja, Peja, Istoku, Gjilani dhe Kaçaniku. Nga këto rrethe, që së bashku përbëjnë këndin shqiptar, më të rëndësishmet për ne aktualisht janë: Peja, Gjakova, Podrimja, Gora (Dragashi), Podgora, Sharri, Istoku dhe Drenica, në veri të maleve të Sharrit, pastaj Dibra e sipërme, dy Pollogët në jug të këtyre maleve.

Këto janë rrethe kufitare dhe duhet të boshatisen me çdo kusht. Rrethet më të thella si: Kaçaniku, Gjilani, Nerodimja, Graçanica, Llapi, Vuçiterna etj., duhet të dobësohen, nëse është e mundur, veçanërisht Kaçaniku dhe Llapi, ndërsa të tjerat duhet të kolonizohen gradualisht dhe sistematikisht, gjë që duhet të arrihet në dhjetëvjeçarët e ardhshëm. Mjetet e sipërpërmendura duhet të përdoren në radhë të parë në rrethet kufitare, nëse duam që ato të boshatisen.

Gjatë shpërnguljes, duhen patur parasysh pikat e mëposhtme:

Së pari, të bëjmë boshatisjen e fshatrave, pastaj të qyteteve. Fshatrat janë më kompakte, prandaj paraqesin më shumë rreziqe. Më pas, nuk duhet të gabojmë të dëbojmë vetëm të varfrit; shtresa e mesme dhe e pasur përbën shtyllën kurrizore të çdo populli dhe është kjo që duhet përndjekur dhe dëbuar. Të varfrit, të privuar nga mbështetja e bashkatdhetarëve të tyre ekonomikisht të pavarur, nënshtrohen lehtë. Kjo është një çështje me rëndësi të madhe dhe e theksoj, sepse një nga arsyet thelbësore të dështimit të kolonizimit tonë në jug, qëndron në faktin se, ne kemi dëbuar të varfrit, ndërsa të pasurit kanë mbetur, kështu që ne jemi ende po aty ku kemi qenë, sepse ne kemi fituar vetëm sipërfaqe shumë të vogla toke, për të vendosur kolonët tanë. Kur të kemi krijuar psikozën e boshatisjes, duhet të bëjmë gjithçka për të boshatisur fshatra të tëra, ose të paktën familje të tëra.

Është absolutisht e nevojshme të shmanget dëbimi i familjeve vetëm pjesërisht. Shteti ynë nuk do të shpenzojë miliona për t’ua lehtësuar jetën shqiptarëve, por për të hequr qafe sa më shumë prej tyre. Prandaj është e nevojshme të parandalohet me çdo kusht blerja e tokave të shqiptarëve që do të ikin, nga ata që mbeten. Kjo duhet të kihet parasysh edhe në zhvendosjen e individëve dhe fshatrave të tëra, nëse ata dëshirojnë të kenë lehtësi gjatë këtij procesi. Sapo të bien dakord për largimin e tyre, ata duhet të ndihmohen në çdo mënyrë. Ne duhet të thjeshtojmë formalitetet administrative, t’u kompensojmë menjëherë pronën, t’u lëshojmë dokumente udhëtimi pa asnjë formalitet, t’i ndihmojmë të arrijnë në vend-qëndrimin më të afërt të trenave, që do t’i çojnë në Selanik, për t’i nisur pastaj  pa vonesë për në Azi. Është shumë e rëndësishme që udhëtimi i tyre të jetë i lehtë, i përshtatshëm dhe i lirë.

Udhëtimi i tyre me tren duhet të jetë, nëse është e mundur, falas, dhe duhet të pajisen me ushqim. Zhvendosja e tyre masive varet kryesisht nga këto kushte. Frika nga vështirësitë gjatë udhëtimit, do të jetë pengesa kryesore për lëvizjen e tyre, ndaj është thelbësore të zgjidhen shpejt dhe me energji të gjitha pyetjet, në lidhje me udhëtimin e tyre. Në veçanti, është e nevojshme të sigurohet që ata të kenë sa më pak shqetësime në lidhje me udhëtimin. Njerëzit e thjeshtë kanë vështirësi të orientohen. Prandaj do të ishte me vend të studiohej dhe të miratohej sistemi i transportit të punëtorëve, nga agjencitë e mëdha. I zhvendosuri, duhet të mbështetet vazhdimisht, në mënyrë që të mos e ndiejë peshën e kësaj zhvendosjeje. Kjo është e vetmja mënyrë për të krijuar këtë valë njerëzish të zhvendosur, që do të zbrazë viset tona jugore nga shqiptarët.

Ripopullimi i zonave të zbrazura

Problemi i vendosjes së kolonëve në rajonet e boshatisura, është po aq i rëndësishëm sa edhe largimi i shqiptarëve. Pyetja e parë që lind është se; kush duhet të vendoset atje. Gjëja më e natyrshme është të vendosim elementin tonë me prejardhje nga rajonet e varfra, para së gjithash nga Mali i Zi, Hercegovina, Lika dhe Kraishnica. Malazezët janë më mirë për disa arsye. Metohia, Drenica dhe Kosova, janë rajonet ku ata zbresin më natyrshëm nga malet e tyre të varfra. Rritja demografike në Mal të Zi është shkaku i varfërimit të tij, gjë që në kohët e fundit ka shkaktuar lëvizje të pandërprera socio-politike të pafavorshme për pushtetin tonë shtetëror dhe mjaft të rrezikshme për rendin dhe qetësinë në të ardhmen. Është e kotë të shpërndahet misër dhe të jepen pensione pleqërie. Zgjidhja e vetme është vendosja e tyre, në rajonet pjellore të Metohisë, Drenicës dhe Kosovës.

Dhe, duke qenë se malazezët janë më të afërt në mentalitet dhe temperament me shqiptarët, ata janë edhe mjeti më i përshtatshëm për t’i nënshtruar. Ata fillimisht duhet të vendosen në rajonet në veri të maleve të Sharrit, por në të njëjtën kohë, të zgjedhim si kolonë një numër të caktuar banorësh të Likës, Kraishnicës, serbë të Çaçakut, Uzhicës dhe Toplicës…! Është e nevojshme të krijohen kushte të favorshme për mërgimtarët e jugut të Serbisë, të vendosur në jug të maleve të Sharrit, në mënyrë që ata të arrijnë të kapin toka pjellore. Ata janë njerëz të ndershëm dhe punëtorë, të cilët, nëse do t’u krijohen kushte të këndshme jetese në fshat, do t’i jenë gjithmonë mirënjohës shtetit tonë. Në përgjithësi, fshatrat e serbëve të jugut meritojnë më shumë vëmendje dhe shqetësim nga ç’është treguar nga ne deri më sot.

Kolonizimi i Pollogut (i sipërm dhe i poshtëm) dhe i Dibrës nga këto popullsi të varfra si dhe dhënia e kullotave këtyre të fundit, më parë se shqiptarëve, do t’i bëjë ata të kuptojnë se ky shtet është i tyre dhe ata do të dinë të mbrojnë kufijtë e tij. Përveç këtyre rajoneve, në jug të Malit të Sharrit dhe Karadakut mund të vendosen kolonë serbë nga Vranja, Leskovci, Piroti dhe Vllasotinci, veçanërisht ata nga fshatrat e varfra malore. Theksojmë edhe një herë se Dinarikët nuk duhet të lejohen të zbresin në jug të vijës së Karadakut dhe Maleve të Sharrit. Në kolonizimin e fshatit të zbrazur nga shqiptarët, është e nevojshme të shmangen vonesat burokratike dhe fiskale.

Veprimi i parë që duhet bërë është që t’u dorëzohen menjëherë kolonëve dokumentet e pronësisë së tokës ku do të vendosen. Një nga shkaqet kryesore të dështimit të kolonizimit tonë aktual është fakti se koloni nuk ndihej i sigurt në pronën ku u vendos, sepse nuk mori menjëherë dokumentet e pronësisë dhe kështu u ekspozua ndaj keqtrajtimit të zyrtarëve dhe politikanëve të paskrupullt. Fshatari ndihet mirë në tokën që ka, vetëm nëse e di se askush nuk do ta detyrojë ta lërë, ndaj duhet t’i jepet menjëherë kjo garanci.

Por, në të njëjtën kohë, dhënia e të drejtave të plota pronësore kolonit paraqet rrezik…! Për këtë është e nevojshme që, me ligj, të paktën për tridhjetë vjet, të ndalohen kolonët që të disponojnë lirisht tokën, edhe nëse e kanë marrë menjëherë tapinë. Sipas ligjit, në vendin tonë gratë përjashtohen nga e drejta e trashëgimisë së tokës; gjithashtu, për të shmangur copëtimin e pronave të vogla, grave duhet t’u hiqet e drejta e trashëgimisë në tokat e kolonizuara, me përjashtim të rasteve kur koloni nuk ka fëmijë meshkuj dhe planifikon të jetojë me dhëndrin e tij…!

….Të rrallë janë popujt që zotërojnë, si ne, një element kaq të përshtatshëm për kolonizim në kushte kaq të vështira. Sukseset e pakta që kemi arritur në kolonizim, janë bërë të mundura nga cilësitë kolonizuese të racës sonë. Vetëm fshatari ynë, i mësuar me toka të zhveshura apo djerrë, me lloj-lloj mjedisesh, mund të jetojë në kushte kaq të vështira…! Memorie.al

                                                   Vijon numrin a ardhshëm

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/nga-pikepamja-etnike-maqedonasit-do-te-na-afrohen-shume-vetem-kur-te-gjejne-ne-atdheun-serb-mbeshtetjen-e-vertete-etnike-qe-u-ka-munguar-dhe-libri-i-ri-i-gazetarit-publicist/