“Nënpunësja, Suzana Sutton, ishte e para amerikane që mbërriti në Shqipëri në korrik ’90-të dhe kur i’u lut Ramiz Alisë për lirimin e nënës time, ai i tha…”/ Dëshmia e rrallë e ish-diversantit nga SHBA-së

Nga Hajro Hajra     

Pjesa e katër

 Memorie.al / Një rrëfim autentik, i jetuar dhe i pazbukuruar, i nxjerrë nga kujtesa e skalitur, por jo e fjetur, e shqiptarit që ka përjetuar ferrin komunist, por që ka arritur të ikën nga ai ferr falë shkathtësisë e besimit të madh se vetëm duke dalë nga ai purgatori, mund të luftohet ai dimër i acartë, ajo mjegullnajë e skëterrshme që kishte mbuluar Shqipërinë cep më cep, do të lexoni në këtë shkrim për Remzi Barollin, të dënuarin me 101 vjet burg nga regjimi komunist i Enver Hoxhës.  

                                            Vijon nga numri i kaluar

Në Shqipëri, para se të fillonin peripecitë që do ta ndiqnin me vite të tëra, Remzi Barolli kishte arritur të kryente vetëm tri klasa të fillores. Kur kishte ardhur në Amerikë, në dhjetor të vitit 1955, kishte ditur relativisht mirë greqisht, por jo anglisht. Ai ishte vendosur te daja Nuriu dhe po atë ditë që kishte arritur në Amerikë, djali i dajës, Edipi, e kishte shpënë në restorantin e të atit. Aty kishte ardhur një polic, mysafir i restorantit, Joe quhej.

Edipi i kishte treguar atij për Remziun, i kishte thënë që kishte ardhur nga Shqipëria, që ishte kushëri i tij dhe që nuk dinte anglisht. – Mirë, e mësojmë – i kishte thënë polici Edipit dhe çdo ditë që kishte shkuar në restorant, ku kishte filluar të punonte dhe Remziu, ai ia kishte sjellë Remziut nga një letër me 10 fjalë të shkruara anglisht, që t’i mësonte dhe të nesërmen e kishte pyetur sikur mësuesi që e pyet nxënësin. Në njëfarë mënyre, polici kishte qenë mësuesi i parë i Remziut.

Pas 3 muajsh kishte arritur të mësonte bukur mirë anglisht sa kishte mbetur i habitur polici. Ndërkohë, Remziu kishte filluar të ndiqte mësimet në “Sarah Jay High School”. Pastaj kishte vajtur për 1 vit në “Brooklyn Technical High School”, ku do të mësonte një zanat. Më vonë ka ndjekur mësimet në “Jamaica High School”, në Jamaica, Queens. Këtë shkollë e ka mbaruar më 1960-ën.

Më 1957 pati filluar të punonte për aviokompaninë Eastern Air Lines. Po të mos kishte diplomë të shkollës së mesme, nuk do të mund të avancohej në punë. Aty ka punuar deri më 1965. Në fillim punonte në ngarkim-shkarkimin e valixheve e më vonë mbikëqyrës. Pastaj ndodhi një aksident aty në punë dhe Remziu lëndoi kurrizin e i’u deshën 5-6 muaj të lëvizte vetëm me karrocë invalidësh. Pas këtij aksidenti ai mund të pensionohej dhe ashtu do të vepronte, po të mos ishte mjeku që kujdesej për të pas aksidentit. Ishte një mjek qifut, Stapleton quhej.

Një ditë ai e kishte pyetur Remziun: çfarë do të bësh tash? – Do të pensionohem, – i kishte thënë Remziu. – Jo, shko në shkollë, – i kishte thënë ai Remziut dhe Remziu aty për aty kishte vendosur të fillonte studimet universitare. Studimet do t’i ndiqte nëpërmjet programit të shtetit Divission of Vocational Rehabilitation (DVR). Në cilindo universitet që të shkonte, do të paguante shteti. Në vitin shkollor 1966/67, Remziu u regjistrua në Adelphi University (një universitet privat i themeluar më 1863), në degën e kontabilitetit, jo pse e kishte zgjedhur këtë, por ngaqë matematikë, të cilën e donte dhe e njihte shumë mirë, nuk kishte pasur aty.

Nuk kishte pasur as histori, të cilën po ashtu do të dëshironte ta studionte Remziu. Studimet universitare i përfundoi në vend të 4 vjetëve, për 2 vjet e gjysmë, me sukses të shkëlqyeshëm. Pas kryerjes së studimeve (në dhjetor 1968), kishte punuar 6 muaj në Internal Revenue Service. Nga viti shkollor 1969/70 deri më 1993, filloi punën në universitetin ku kishte studiuar ku ligjëroi kontabilitet, po njëherazi punonte edhe administrator, ngase të ardhurat e ligjëruesit nuk ishin gjithaq të mira. Ndërkohë kishte punuar edhe në “Suffolk Community College” në Nju-Jork dhe në “Farmingdale State College”, po ashtu në Nju-Jork. Më 1974-ën filloi doktoraturën në financa dhe taksa, titull të cilin e mori më 1977.

Më 1995-ën, 2 vjet pas ardhjes në Arizonë dhe një vit pasi i kishte vdekur e ëma, ai filloi të punonte në “Arizona Institute of Business and Technology” në Feniks. Aty punoi për 11 vjet rresht dhe ligjëroi kontabilitet, financa e marketing.

Në mbështetje të vëllezërve nga Kosova

Ngjarjet në Kosovë në Amerikë ndiqeshin me një interesim të jashtëzakonshëm. Shoqata zhvillonte një veprimtari të dendur, jo vetëm duke organizuar protesta që lidheshin me ngjarje që zhvilloheshin në Kosovë në kohën e sundimit të egër serb, si në kohën e Titos, ashtu edhe pas vdekjes së tij, por edhe duke u dërguar peticione organeve më të larta shtetërore të Amerikës, pastaj duke kontaktuar personalitete të shquara, përfshirë senatorë e kongresmenë amerikanë, të cilët bënin një punë të madhe në mbështetje të luftës së drejtë të shqiptarëve të Kosovës, për realizimin e të drejtave kombëtare.

“Nja 90 për qind të demonstratave të Nju-Jorkut i ka organizuar kjo Shoqatë’ – thotë Remzi Barolli. “Për t’u solidarizuar me demonstratat e pranverës së vitit 1981 në Kosovë, kemi organizuar 50 autobusë për të shkuar në protesta. Njëzet e tetë orë pandërprerë kisha vrapuar dhe të nesërmen kisha shkuar në punë. Për të tubuar popullin, ne nuk i shprehnim simpatitë politike a fetare. Popullit gjithmonë i drejtoheshim me këto fjalë: – Në radhë të parë jemi shqiptarë, pastaj myslimanë, katolikë, ortodoksë…!

– Në fund të vitit 1989 dhe në fillim të vitit 1990, 6 javë, çdo të shtunë e të diel, kemi protestuar para Organizatës së Kombeve të Bashkuara, në mbështetje të kërkesave të shqiptarëve të Kosovës. Shqiptarët e Amerikës gjithnjë janë solidarizuar me kërkesat e vëllezërve të tyre nga Kosova dhe gjithnjë kanë përkrahur e kanë mbështetur materialisht luftën që bëhej për rrënimin e komunizmit në Shqipëri. Mjaftonte një njoftim për organizimin e ndonjë proteste a çfarëdo tubimi me karakter politiko-patriotik dhe shqiptarët i gjeje në vendin që caktohej.

Mjetet e informimit e kanë ndjekur me vëmendje veprimtarinë e Shoqatës dhe për ngjarjet në Kosovë kanë informuar kryesisht në mënyrë objektive, me përjashtime të vogla. Mjaft nga anëtarët e kësaj shoqate, ata më me ndikim, përveç që kanë pasur kontakte të shumta me zyrtarë amerikanë, kanë dhënë edhe një varg intervistash, të gjitha me qëllim që të sensibilizohej çështja shqiptare, jo vetëm te shtresa e njerëzve me ndikim në politikën amerikane, po edhe te qytetarët e rëndomtë, të cilët deri vonë nuk kanë ditur fare se ku gjendet Kosova”.

Takimet me Leka Zogun

Lufta e shqiptarëve të Amerikës për shembjen e komunizmit në Shqipëri bëhej me program të caktuar dhe drejtohej nga njerëz me influencë. Njëri ndër ta ishte edhe Mbreti Leka Zogu, i cili ishte në kontakt të përhershëm me Remzi Barollin dhe me veprimtarë të tjerë shqiptarë të Amerikës, të cilët luftonin për një Shqipëri të lirë e demokratike në kuptimin e plotë të fjalës.

– Leka, trashëgimtar i Fronit Mbretëror Shqiptar, – thotë Remziu, – ka qenë disa herë këtu, në Amerikë. Sa herë që vinte, ishte mysafir në shtëpinë time, në Nju-Jork. Gjatë këtyre takimeve të shumta ne bisedonim për hallet tona të përbashkëta, për Shqipërinë që po ngryste ditët nën regjimin gjakatar komunist dhe për Kosovën, që po përgjakej nga sundimi barbar serb. Leka e ka ndihmuar shumë luftën tonë kundër të kuqve të Tiranës. Ndonëse ka jetuar në Republikën Jug afrikane, ai vinte në Amerikë, sa herë që ishte nevoja për t’i koordinuar punët rreth luftës sonë antikomuniste.

Bëheshin përpjekje për t’i bashkuar të gjitha forcat e djathta antikomuniste dhe për të krijuar një front të përbashkët antikomunist që do ta luftonte komunizmin me të gjitha mjetet e me të gjitha mundësitë. Një regjim totalitarist si ai në Shqipëri, ku pjesa më e madhe e buxhetit derdhej për ngritjen e qindra-mijëra bunkerëve anekënd Shqipërisë, për armatim, për propagandë kundër “imperializmit amerikan”, për botime vëllimesh të shumta luksoze të veprave të Enver Hoxhës e të klasikëve të marksizëm-leninizmit, për përhapjen e “rrezeve të socializmit” në të katër anët e globit, për mbajtje kongresesh e konferencash të Partisë së Punës të Shqipërisë e të tjera, ishte vështirë të lëkundej pa bashkimin e të gjitha forcave, ndonëse kjo varej në masë të madhe nga lëvizjet politike në botë, nga interesat e fuqive të mëdha”.

Për herë të parë në Atdhe

Kur shumë shtete të ish-Bllokut Socialist po i flaknin përfundimisht prangat e robërisë komuniste dhe kur në Shqipëri sapo kishin filluar lëvizjet për t’i dhënë fund diktaturës gjysmëshekullore komuniste, e kur shembja e komunizmit ishte vetëm çështje ditësh, Remzi Barolli si një ithtar i flakët i ndryshimeve demokratike, po bëhej gati t’i dilte ndihmë atdheut të tij që për 50 vjet kishte mbartur mbi supe peshën e rëndë të diktaturës së kuqe.

Në kohën kur Ramiz Alia ishte ende në fuqi, Remzi Barolli me një grup shqiptarësh nga Nju-Jorku, për herë të parë pas afro gjysmë shekulli, po e vizitonte Tokën Shqiptare, në të cilën deri dje kishte mundur të shkonte vetëm ilegalisht. Kishte qenë kjo një ngjarje nga ato që rrallë ndodhin në jetën e njeriut dhe të cilën Remziu e kishte pritur si diçka shumë, shumë të veçantë. Po shkonte për herë të parë pas afro dyzet vjetësh, lirshëm në Atdheun e tij të dashur.

Gjatë jetës shumëvjeçare në mërgim, larg Atdheut, Remzi Barolli gjithnjë e kishte përfytyruar ditën kur do të shkonte në Shqipëri, pa qenë i detyruar që të hidhej tinëzisht me parashutë, ose ta kalonte kufirin në ndonjë vend ku mund ta linte jetën. Ajo ditë kishte ardhur dhe ai e kishte pritur atë me gëzim e mallëngjim njëkohësisht. Do ta shihte Shqipërinë e tij të dashur, për të cilën kishte rrezikuar jetën sa e sa herë gjatë hyrje-daljeve ilegale atje. Do ta shihte nënën, të cilën zor se do ta njihte, sepse po bëheshin gati pesëdhjetë vjet pa e parë, do t’i shihte të afërmit, ata që kishin arritur të shpëtonin gjallë.

– “Unë kam qenë i pari shqiptar i ikur që jam kthyer në Shqipëri’ – thotë zoti Barolli. ‘Kam shkuar atje me një grup shqiptarësh nga Nju-Jorku. Qëllimi i vizitës sonë kishte qenë që ta ndihmonim ekonominë shqiptare. Ramiz Alia ende ishte në fuqi. Ai nuk kishte pranuar të takohej me ne, edhe pse ne kishim kërkuar ta takonim”.

– “Gjithkund na pritën jashtëzakonisht mirë, – vazhdon rrëfimin Remziu. – Vizituam Tiranën, Durrësin, Shkodrën, Korçën. Kudo na bënë pritje madhështore. Kur shkova në fshatin tim të lindjes, në Trestenik të Devollit, autobusin u detyruam ta linim larg fshatit, ngase ishte e pamundur të depërtonim nga turma e madhe e njerëzve që kishte dalë për të na pritur. Ishin momente tepër prekëse takimet me të afërmit, me kushërinj të parë, me bashkëfshatarë. Nuk e njihnim njëri-tjetrin. Pyesnim cili i kujt është. Shumë nga bashkëmoshatarët e mi nuk ishin më gjallë. Në fytyrat e të gjithëve vërehej vuajtja e madhe. Varfëria kishte lënë gjurmë të thella në fytyrat e njerëzve, në trupin e tyre, në shpirtin e tyre.

Për nënën nuk kishte mundur të siguronte kurrfarë informate. E dinte se gjendej diku në ndonjë burg a në ndonjë kamp pune, por kurrkush nuk kishte ditur ose nuk kishte dashur t’i jepte informacion të saktë.

Shqipëria kishte nevojë për ndihmë

Pas ardhjes së Sali Berishës në krye të shtetit shqiptar, Remzi Barolli e viziton Shqipërinë me një delegacion shqiptaro-amerikan. Pritja që i ishte bërë këtij delegacioni kishte qenë jashtëzakonisht e mirë. Mysafirët nga Amerika kishin vizituar shumë qytete e vendbanime shqiptare dhe kudo ishin pritur me lule. Shqiptarët, ndonëse të varfër e të përvuajtur, e kishin ruajtur shpirtin e tyre fisnik. Gjatë takimeve të shumta me ta, delegacioni shqiptaro-amerikan ishte informuar për hallet e tyre dhe u kishte premtuar se do të bënin çmos për t’i ndihmuar, natyrisht në rrugë institucionale.

– “Jemi takuar edhe me Sali Berishën, – thotë Barolli. – Katër orë kemi biseduar në zyrën e tij. Me një grup ekspertësh amerikanë kam punuar për të ndihmuar në çështje të bankës, çështje ekonomike, çështje kontabiliteti dhe kompjuteri. Në vitin 1993, Sali Berishës i dërgova 300 faqe model pune, por përgjigje s’mora asnjëherë.

– Pas çdo vizite në Shqipëri, kthehesha shumë i zhgënjyer. Nuk mund të besoja se Shqipëria vetëm ishte shkatërruar, asgjë s’ishte ndërtuar. Komunizmi vërtet ishte shembur, por ai komunizëm ia kishte gërryer themelet Shqipërisë, së cilës i duhet kohë tepër e gjatë për t’u ngritur në këmbë. Kështu ishte nja 20 vjet më parë, gjatë vizitave të mia të para në Shqipëri. Edhe sot gjërat pak kanë ndryshuar në Shqipëri. Në vend që të shkonte përpara, në vend që të demokratizohej, Shqipëria sot është zhytur në një kaos, pothuaj e ka restauruar komunizmin dhe populli, shumica, po jeton aq keq, sikur në kohën e Enver Hoxhës” – thotë tepër i zhgënjyer Remzi Barolli.

Takimi i parë me nënën pas afro 50 vjetësh

Pas rënies së komunizmit në Shqipëri, nga Departamenti i Shtetit Amerikan i kishin telefonuar Remzi Barollit: – Mund të nxjerrësh njerëz nga Shqipëria. Kë të duash e sa të duash. – Kjo më gëzoi shumë, – thotë Remziu, – sepse kisha parasysh faktin se në ç’gjendje të rëndë ekonomike ishin ata pak të afërm të mi që ende ishin gjallë, por edhe duke qenë i vetëdijshëm se, ndonëse në krye të shtetit shqiptar kishte ardhur një qeveri e djathtë demokratike, ndryshimet nuk mund të bëheshin shpejt.

Një shteti të shkatërruar nga komunizmi për një gjysmë shekulli do t’i duhej një kohë e gjatë për ta marrë veten, kurse gjurmët që kishte lënë regjimi i egër antikombëtar, sidomos në psiken e shqiptarit, vështirë se mund t’i shlyejë edhe një shekull i tërë. Natyrisht, në radhë të parë ishte nëna, pastaj të tjerët. Ishte fundi i tetorit 1989. Nxora nga banka 32 mijë dollarë dhe shkova në Ambasadën Amerikane në Rumani. Atje qëndrova 2 javë e gjysmë. Pastaj shkova në Budapest. Isha me Nexhmiun dhe me nipin Arianin. Nga Shqipëria nxora motrën, vëllanë, nipin dhe disa të tjerë, gjithsej 16 veta.

– Për ta nxjerrë nënën time nga kampi (ajo, edhe pse ishte liruar, ende qëndronte në kamp, ngase s’kishte ku të shkonte, shtëpia ishte shkatërruar), kam qenë i detyruar të vrapoj shumë, – thotë Remziu.

Një nëpunëse në Departamentin e Shtetit Amerikan, Suzana Sutton quhej, ishte e para amerikane që kishte shkuar në Shqipëri pas rrëzimit të komunizmit (në korrik 1990). Ajo kishte biseduar me Ramiz Alinë dhe kishte kërkuar lirimin e nënës së Remziut, por ai i ishte përgjigjur: – Unë jam kryetar shteti dhe s’merrem me individë. Memorie.al

                                              Vijon numrin e ardhshëm

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/nenpunesja-suzana-sutton-ishte-e-para-amerikane-qe-mberriti-ne-shqiperi-ne-korrik-90-te-dhe-kur-iu-lut-ramiz-alise-per-lirimin-e-nenes-time-ai-i-tha-deshmia/