“Negociatori me Prengë Pashën, ishte Mustafa Kruja, që gëzonte respektin e princit mirditas dhe ranë dakort që t’i printe kryengritjes, kurse Esad Pasha…”/ Libri i Dr. Nikoll Loka

Nga Dr. Nikoll Loka

Pjesa e nëntëmbëdhjetë

PRENGË BIBË DODA, DRITËHIJET E NJË BURRËSHTETASI”  

Memorie.al / Libri më i ri “Prengë Bibë Doda, një fenomen në jetën politike shqiptare”, i studiuesit Nikollë Loka, jo vetëm zgjeron fushën e studimeve historike mbi Mirditën, Derën e Gjonmarkajve dhe figurën e Princit mirditor, Prengë Bibë Doda, por është edhe një kontribut, në historiografinë kombëtare. Lënda shumë e pasur arkivore, literatura e shfrytëzuar apo e konsultuar, gojëdhënat etj, e bëjnë këtë libër, një thesar të vërtetë studimor, duke i dhënë shkencës së historisë një monografi shkencore, që pasuron njohuritë tona mbi Mirditën, kapedanët e saj, traditën, historinë etj. Të studiosh një figurë sa të rëndësishme dhe komplekse, siç është figura e Prengë Bibë Dodës, është përgjegjësi e lartë shkencore që, jo çdokush e merr përsipër. Nikollë Loka, ka bërë një punë të madhe hulumtuese dhe trajtim prej studiuesi profesionist, duke na e dhënë portretin e Princit dhe gjeneralit mirditor, me konturet e vërteta. Dr. Loka, i është përmbajtur fund e krye hapësirës dhe kohës, në të cilën janë zhvilluar ngjarjet shumëdimensionale dhe protagonistët e tyre.

MONOGRAFIA “PRENGË BIBË DODA, NJË FENOMEN NË JETËN POLITIKE SHQIPTARE”, NJË STUDIM SHKENCOR ME VLERË QË PASURON FONDIN E STUDIMEVE TONA HISTORIKE

                              (Nga Mr. Sc. Murat Ajvazi, mars 2017, Zvicër)

                                             Vijon nga numri i kaluar

Nga të dy çështjet, e para është më e rëndësishme. Unë përsëri kam ngulur këmbë, për domosdoshmërinë që mirditorët të qëndrojnë larg çdo lëvizjeje. Por Prengë Pasha më ka siguruar, se do të kishte shumë telashe, që të arrinte të ngadhënjente mënyra e ime e të parit të gjërave, që është gjithashtu edhe e tij, sepse ndjenja e përgjithshme, është në të mirë të një aleance (380) me malësorët. Pas rregullimit të këtyre dy çështjeve, në mbledhje u diskutua për nevojën e rishqyrtimit të privilegjeve të dikurshme të Mirditës. Ato janë faza të njohura dhe s’ka nevojë t’i numëroj. Qeveria kishte paraqitur dëshmi të mirëkuptimit duke larguar trupat, duke i tërhequr vërejtjen Kajmekamit dhe duke grupuar dymbëdhjetë fiset. Funksionet e përkohshme të kajmekamit, tashmë i janë dhënë sekretarit të Prengë Pashës. Pas mbledhjes së të dielës, ai funksionar është ftuar për të dhënë dorëheqje dhe do ta bëjë këtë, më 1 mars. Shpresohet që ai nuk do të zëvendësohet. Sot të gjithë mirditasit e futur në xhandarmëri tërhiqen, disa duke dezertuar, të tjerët duke dhënë dorëheqje. Pas disa ditëve, nuk do të mbeten më asnjë në kazermat e Shkodrës e, të Lezhës dhe as në malet e Mirditës. Qeveria nuk do të mund t’i zëvendësojë dhe nuk do të guxojë të dërgojë atje zaptije të huaj që të mos i ekspozojë para vdekjes së sigurt.(381)

Gjatë zbatimit të programit të reformës, në të cilin ishte parashikuar shtimi i batalionit të këtushëm të xhandarmërisë në 1000 njerëz dhe ndër trevat e shtrirjes së saj, përfshihej edhe Mirdita, u rekrutuan vullnetarë për shërbimin e xhandarmërisë. Për të zbutur zemërimin, me dijeninë e qeverisë së Vilajetit, zaptijve të vjetër të Mirditës, me dëshirën e tyre, iu hoq uniforma dhe njëkohësisht, u lidh një besë, në bazë të së cilës, askush nuk duhet të hynte më, në shërbimin e xhandarmërisë së Mirditës.

Konsulli austro-hungarez në Shkodër, njofton Vjenën në lidhje me gjendjen: “Rekrutimi i xhandarëve të rinj në periferinë e krahinës së Mirditës, ndërmjet shefave të mbledhur, shkaktoi më pak reagim kundër qeverisë, sesa kundër shokëve të fisit që akuzoheshin, për thyerjen e besës…! Sipas zakonit të vendit, veprohej duke djegur shtëpitë e banimit dhe solli pasoja më serioze, nga sjellja kundër xhandarëve të rekrutuar rishtas, të cilët nga ana e tyre, duhet të mbroheshin nga qeveria. Ishin djegur 7 shtëpi të xhandarëve dhe në Mjedë, ishin dërguar dy kompani këmbësorësh me dy mitraloza, në përforcim të garnizonit të atjeshëm. Nga trazirat, situata mund të kalonte në përleshje në mes të ushtrisë dhe mirditasve e, si pasojë edhe në një kryengritje të përgjithshme. Prandaj ishte kërkuar nga Prengë Pasha, që Kapidani Marka Gjoni dhe Abati Imzot Doçi, të bënin çfarë të ishte e mundur, për ta qetësuar popullsinë dhe për ta ndaluar nga hapat e pamenduar mirë. Unë do të përpiqem që të influencoj me frymën pajtuese edhe mbi Valiun dhe Komandantin ushtarak, por kjo gjë, sigurisht, do jetë më e vështirë. Trazirat e tanishme në Mirditë, sikurse dhe dorëheqja e mëparshme e Prengë Pashës, ka gjetur aprovimin e plotë të përfaqësuesit të këtushëm malazez, zotit Joviçeviç. Ky i fundit, u shpreh para sekretarit të Prengë Bibë Dodës: “Nesër do të nisem për në Cetinë, që t’i jap Mbretit një lajm të mirë, kryengritjen e afërme të Mirditës”. (382) Rritja e frymës anti-turke në Mirditë, ngjalli dyshime mbi rolin e Prengë Pashës, që siç duket, autoritetet osmane, donin ta zinin me prova fajësie. Fyerje e madhe i’u bë, kur i bastisën shtëpinë në Kallmet (skaj juglindor i Mirditës), pak në veri të Lezhës.

Thonë se kjo bastisje, kishte lidhje me përleshjen ndërmjet ushtarëve turq dhe mirditorëve, nga e cila pati disa ushtarë të vrarë të kompanisë, që ishte vendosur në Kallmet. Me thirrjen nga Lezha të batalionit, Mirdita u qetësua dhe turqit nuk kaluan në sulm. Dukej se po mbyllej gjithçka dhe osmanët nuk dëshironin të ndërmerrnin masa ndëshkuese. Por, autoriteteve turke, krejt pa mend, u shkrepi në kokë të ndërmarrin bastisjen e shtëpisë së Prengë Pashës, që me siguri ka shkaktuar një përshtypje të rëndë te mirditorët dhe ka lënë një shije të hidhur, në shpirtin e atyre që e pësuan.

Bastisja nuk gjeti asgjë komprometuese, po të mos përmenden disa pushkë, që kishin mbetur nga 2 mijë pushkët, të cilat qeveria turke, vjeshtën e kaluar, ia kishte dhënë Prengës për t’ua shpërndarë bashkëkombësve të vet. Autoritetet turke i dërguan Prengës një letër, në të cilën kërkonin të falur për bastisjen, e bërë gabimisht(!) Në këtë kërkesë për falje nuk përmendeshin armët…! Rasti me Prengë Pashën edhe një here, vërteton se turqit, që sundojnë prej fundit të shekullit XVI-të, ende deri më sot, nuk e përfytyrojnë qartë psikologjinë ambicioze të banorëve të malësive, prandaj nuk duhet të habitemi, nëse mirditorët së shpejti, do të nisin të reagojnë kundrejt përuljes që ka pësuar Kreu i tyre.(383)

Pasi shkon në Mirditë dhe e sheh gjendjen nga afër, Prengë Pasha, deklaron se; “mundësia për shpërthimin e një kryengritjeje tjetër në Shqipëri, është e largët”, por nuk heziton t’i përsërisë Konsullit të Përgjithshëm, z. Ritter von Zambaur, kërkesën për një ndihmë nga ana e Monarkisë, për t’i pajisur mirditorët me armë, ose në rast të kundërt, të tolerohet kontrabanda e tyre. (384). Çdo të thotë kjo? Ai parashikonte se kryengritja në Mirditë, ishte e pashmangshme, prandaj mirditasit duhet të përgatiteshin. Armatosja e popullsisë, është një fazë e rëndësishme në zhvillimin e suksesshëm të luftës, që Prenga nuk e përjashtonte. Princi mirditas nga idetë, po kalonte në veprime konkrete, duke kërkuar mbështetje te ato shtete, që ishin për luftë kundër osmanëve.

Ai ishte takuar me Nënkonsullin rus në Shkodër, i cili i përcjell Moskës, informacionin: “Sot Prengë Pasha, më bëri një vizitë. Dukej mjaft i shqetësuar, prej konfliktit me Ministrin e Brendshëm dhe shprehu frikën, se mos fillojnë trazirat në Mirditë, pasi ai hoqi nga vetja përgjegjësinë për qetësinë. Sipas fjalëve të tij, tashti po bëhen bisedime ndërmjet mirditorëve, shqiptarëve të jugut (toskëve) dhe shqiptarëve të vilajetit të Kosovës, për të formuar “lidhjen” që të bashkohen në veprime të përbashkëta, kundër turqve. (385)

Prengë Bibë Doda, u angazhua si politikan edhe në përpjekjet për zgjimin kombëtar të shqiptarëve. Për të shmangur përçarjen që kishte filluar prej kohësh midis dy shoqërive të Shkodrës, “Agimi” dhe “Bashkimi”, klubi i Manastirit, porosiste që: “çdo urrejtje të shuhet në një përqafim vëllazëror”. Në mbledhjen që iu kushtua pajtimit të këtyre shoqërive, klubi vendosi që atje, të shkonte Kamber efendiu, për t’u kontaktuar drejtpërsëdrejti me drejtuesit e tyre, si dhe me Prengë Bibë Dodën. (386)

Në përurimin e klubit te Selanikut, Prenga ishte në mes të veprimtarëve të shquar të Lëvizjes Kombëtare, si; Hasan Prishtina, Mihal Grameno, Gjergj Qiriazi, Siri Beu, Çerçiz Topulli, Fehim Bej Zavalani, Mino Vaska, Agush bej Jegeni, Riza beu, Nazim efendiu nga Dibra, Gjon Kajtazi nga Shkupi etj. (387)

Princi Bibëdoda, pati ndikuar në mbarëvajtjen e Kongresit të Alfabetit dhe pati dërguar një përshëndetje, që ishte lexuar në hapje të punimeve të tij. Si personalitet me influencë ndër shqiptarët katolikë të vilajetit të Shkodrës, atij do t’i besohej detyra, për organizimin e ngritjes së ndërgjegjes kombëtare në radhët e komunitetit katolik, si edhe për përhapjen e rrjetit të Komiteteve të Fshehta, në këtë Vilajet. (388)

Jo më peng, as si senator në Stamboll, Princi i mirditasve, Prengë Bibdodë Pasha, u gjend disa herë në pozitë të vështirë, sepse ishte i detyruar të mbante drejtpeshimin e vështirë ndërmjet turqve, që e lajkatonin dhe e kërcënonin dhe bashkatdhetarëve të vet, të cilët duke i shprehur një respekt të vërtetë, i quanin tradhti, dashamirësitë e tij ndaj Stambollit. Autoritetet turke, besnike të politikës së tyre, herë të butë e herë brutale, e shfrytëzuan situatën për të bërë kufizimin e koncesioneve që u ishin bërë mirditasve, me ndërhyrjen e Prengë Bibë Dodës.

Prenga kryente ndonjë shërbim për shtetin Osman, i diktuar nga rrethanat, por në anën tjetër, ishte i angazhuar dhe i kishte hedhur sytë drejt zhvillimeve politike dhe ushtarake që priteshin të ndodhnin. Pavarësisht nga antipatia për Ministrin e Brendshëm, ai i siguroi jetën, pas atentatit që iu organizua me 21 mars 1912. Kapidani Prengë, e kishte përcjellë Ministrin deri në Shkodër (389) dhe e kishte shoqëruar në të gjitha takimet që u zhvilluan. (390) Duke qëndruar në Shkodër dhe duke patur në dorë çelësin e zhvillimeve në Mirditë, e më gjerë, Prengë Bibë Doda, ishte bërë i nevojshëm dhe i rrezikshëm njëherësh. Për ta larguar përsëri nga vendlindja, në vitin 1912, Porta e Lartë, vendosi ta emëronte Senator, me një shpërblim mujor, prej 100 lirash turke. (391)

Ky projekt i ri Osman, nuk u realizua, për shkak të zhvillimeve të vrullshme politike. Në lidhje me këtë emërim të Kreut të Mirditës, Konsulli rus, informon Ministrinë e Punëve të Jashtme në Shën Petërburg: “Me 10/23 maj, Prenga mori ftesën për t’u nisur në Stamboll, meqë Qeveria turke, kishte marrë vendimin ta caktonte senator”. (392)

Lajmi për ikjen e Prengës në Stamboll, kishte shërbyer si objekt i fjalëve të shumta që qarkullonin, aq më tepër, se kjo pritej prej kohësh nga ana e qeverisë turke, pikërisht që nga koha e largimit prej Shkodre të Komisionit të Ministrit të Punëve të Brendshme, që nuk u mor vesh me kreun krenar të Mirditës së fortë, prandaj i dha një goditje ambicies së tij me zhbërjen e “Mirditës së Madhe”, në përbërje të së cilës duhet të hynin disa fise, që nuk i përkisnin deri atëherë. (393)

Urdhri për të shkuar në Stamboll, e nxiti Prengën t’i drejtohet konsullit francez, Krajevski, që të hulumtonte mbi qëllimet e Qeverisë Osmane. Diplomatët francezë në Stamboll, kishin marr shkarazi dhe gjysëm zyrtarisht, sigurime formale të vullnetit të mirë karshi tij, (394) por Kapidani, e kishte provuar edhe dy herë të tjera mirësinë e Sulltanit osman dhe nuk kishte ndërmend ta provonte për herë të tretë. Manovrat turke për një internim të tretë, e kaluan Prengën më hapur në anën e politikës shqiptare kryengritjes, duke u angazhuar në organizim dhe mbështetje politike dhe financiare.

Nëpërmjet konsullit të Malit të Zi, para pak kohësh, Prengë Pasha i kishte dërguar një letër mbretit Nikollë, në të cilën tregonte gjithë leverdinë malazeze, që të vijonte politikën e vitit të kaluar dhe të mbështeste një kryengritje të re të shqiptarëve. Sipas fjalëve të Prengë Pashës, “mirditorët kanë një plan që në fillim të kryengritjes, t’i dërgojnë familjet e tyre në Bosnjë, ndërsa po të dështojë kryengritja, të emigrojnë që të gjithë atje”.

Autoritetet osmane, e akuzuan Kreun e Mirditës, për një rol të dyfishtë të tij, megjithëse Kapidan Prenga, ishte shprehur publikisht për ruajtjen e qetësisë. Ai nuk e kishte shfrytëzuar autoritetin e vet, për t’i detyruar njerëzit që t’u bindeshin fjalëve të tij. Kështu në Kuvendin e Shpalit, i kishte këshilluar komitët, që të ktheheshin nëpër shtëpitë e veta dhe të mos ndërmerrej asnjë hap kundër qeverisë, por në fakt ndodhi e kundërta. (395)

Kjo “mosbindje”, mund të ndodhte vetëm në kushtet e një marrëveshje të heshtur, sipas të cilës ai do t’i këshillonte bashkëvendësit e tij, vetëm sa për sy e faqe dhe ata do të vazhdonin në drejtimin e tyre. Edhe në kryengritjen e vitit 1912, Prenga, kishte vendosur lidhje me kryengritësit dhe ishte dakord për luftë të armatosur, kundër Turqisë. Në ditët e para të marsit të atij viti, ishte mbajtur në Kallmet, një kuvend ndërkrahinor, ku morën pjesë 12 bajrakët e Mirditës, Dibra, Luma e Mati dhe ku ishte diskutuar për kryengritjen e armatosur. Në një takim tjetër, midis Prengë Bibë Dodës dhe përfaqësuesve të Komitetit të Krujës, ishte lidhur besa, njëheri ishin caktuar dhe prijësit: Marka Gjoni për 12 bajrakët dhe Abdi Toptani, për sanxhakun e Durrësit. (396)

Negociatori me Prengë Pashën, ishte Mustafa Kruja, i cili i gëzonte respektin e princit mirditas. (397) Prengë Pasha, kishte rënë dakord që t’i printe kryengritjes së Mirditës, nëse kryengritjes së Shqipërisë së Mesme, t’i printe Esad Pasha, por kjo nuk ndodhi. Esadi ishte bërë komandant i Redifeve të Vilajetit të Shkodrës, pas dorëheqjes së Prengës dhe vazhdonte bashkëpunimin me turqit, pa ndonjë zell të madh, ndërsa Prenga ishte tërhequr dhe në prapaskenë, po punonte kundër tyre. Sidoqoftë, veprimet luftarake në Mirditë, e kishin vënë Kapidanin Prengë, në pozitë të vështirë. Konsulli austro-hungarez në Durrës, me 21 qershor 1912, ia kishte bërë të qartë Prengë Marka Prengës, se; “kryengritësit e Mirditës me veprimet e tyre, po vinin në rrezik vetë Prengë Pashën”. (398)

Ç’ka do të thoshte kjo? Sipas logjikës diplomatike austro-hungareze, “mirditasit po e kalonin masën”. Ishte presion për t’i detyruar të ulin armët. Me largimin e Prengë Pashës jashtë vendit, në Mirditë lufta u zhvillua gjithnjë e më e ashpër, (399) sepse edhe formalisht, nuk kishte më një ndërmjetës me Qeverinë dhe nuk ekzistonte më asnjë kanal i komunikimit.

Diplomatët austro-hungarezë, e kritikojnë Princin Bibë Doda për shkujdesje: Pozita e Prengë Pashës u rëndua shumë, për shkak të deklaratave që u bënë para Gjykatës Ushtarake, nga disa kryengritës, të cilët ishin zënë rob, pas sulmit që iu bë një reparti ushtarak, afër Roboshtës në Zadrimë. Mosbesimi i autoriteteve ndaj tij, ishte dendësuar në një mënyrë të tillë, sa që nuk ishte treguar as edhe një konsideratë, për të mos e kompromentuar publikisht. Ishin përhapur fjalë se; “qeveria do ta ndalojë Prengë Bibë Dodën, që të shkonte në anë të Triestës, pasi kishte një plan, që ta hipin në vapor në skelën e Obotit, dhe si rob, ta dërgojnë në Stamboll me rrugën më të shkurtër, njësoj si para 30 vjetëve. Prej Barbullushit, në rrethin e Prengë Pashës, filluan që të kenë seriozisht frikë për sigurimin personal të tij. Megjithëse ato dolën pa baza, sepse siç u njoftua dje telegrafisht, nisja u ba pa ndonjë incident, prapëseprapë ato, e kanë bërë të lëkundshëm Prengën, në vendimin e tij fillestar, për të shkuar me të vërtetë në Stamboll, prandaj ai e ka lënë Shkodrën, pa ndonjë plan të caktuar, për të ardhmen e afërt.

Para nisjes, Prenga ishte takuar me konsullin austro-hungarez, Zambaur, i cili informon Vjenën: “Më ka njoftuar vetëm kaq, se po shkon për në Trieste, duke bërë ndalesë në Kotorr dhe Raguzë; ishte ankuar për padrejtësinë që i ishin bërë, dhe se kishte ndërmend që jepte dorëheqjen, si Gjeneral Brigade. Pastaj duke u informuar rreth lajmeve të ardhura prej Stambollit, ai mendon që të shkojë mundësisht nga Vjena, ose nga Parisi për atje. Në ditët e fundit, megjithëse pa ndonjë rezultat praktik, Prengë Pasha, i ishte drejtuar ambasadës franceze në Stamboll, që ta informonte atë, për opinionin që ekzistonte për të në rrethet qeveritare otomane. Më përpara, Prenga ishte përpjekur shpeshherë, që të merrte vesh dhe nga unë rreth mbrojtjes, respektivisht ndihmës, që mund t’i bëhej çështjes së tij, nga ana e Qeverisë Perandorake dhe Mbretërore. Mendimin tim, unë ia shfaqa në atë mënyrë, që ai me çdo kusht duhej të përpiqej të merrej vesh me Stambollin. Për sa i përket një qëndrimi të mundshëm në Vjenë, unë mbajta një qëndrim absolutisht të rezervuar, në mos më tepër refuzues”. (400)

Kreu i Mirditës, u kishte deklaruar autoriteteve austro-hungareze në Trieste, se gjithë populli shqiptar “myslimanë e katolikë”, ishte i revoltuar dhe në prag të kryengritjes. Mirditasit, – shtoi ai, – nuk dëshironin më të dëgjonin për këshillat e tij qetësuese, prandaj kërkoi nga Vjena, një formë ndërhyrjeje diplomatike energjike, pranë Portës së Lartë, që qeveria xhonturke, “të merrte në konsideratë dëshirat e shqiptarëve për një autonomi të pëlqyeshme”. Prengë Bibë Doda, deklaroi se; politika e ndjekur nga autoritetet osmane; e bënte pozitën e tij e palakmueshme dhe paralajmëroi se, do të tërhiqej për të mos qenë bashkëpërgjegjës në kryengritjen e re. (401) Memorie.al

                                                Vijon numrin e ardhshëm

380. Konsulli i Francës në Shkodër, Shkëlqesisisë së tij, Z. R. Puankare, Kryetar i Këshillit të Ministrave, Ministër i Punëve të Jashtme të Republikës, Nr. 37, Shkodër, 25 shkurt 1912, Dokumente Franceze për Shqipërinë dhe shqiptarët më 1912, Instituti i Historisë Prishtinë, zgjodhi, përgatitit dhe redaktoi Muhamet Shatri, Prishtinë, 2004, f. 97; Konsullata Mbretërore e Malit të Zi, Shkodër, Llazar Tomaniq, Kryeministër dhe Zëvendësministër i Jashtëm, Cetinë, 31 mars 1912, f. 121.

381.Raport i Konsullit të Francës në Shkodër, për shkëlqesinë e tij, zotin Poincare, kryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme, lidhur me tubimin e krerëve të Mirditës në Kallmet, Nr. 45 Shkodër e Shqipërisë, më 7 mars 1912, Dokumente Franceze për Shqipërinë dhe shqiptarët më 1912, vëllimi II, Muhamet Shatri, botimet Toena, Tiranë, 2012, f. 34-35

382.Raport i konsullit austro-hungarez në Shkodër, Zambaur drejtuar kontit Berchtold, në lidhje me zhvillimet politike në rajonin Lezhë-Mirditë, menjëherë pas zgjedhjeve për në Parlamentin Osman, Shkodër, më 2 maj 1912, Shqipëria në dokumentet Austro-Hungareze (1912) II, Qendra e Studimeve Albanologjike Instituti i Historisë, Vëllimi II, përgatitja dhe redaktimi Ferid Duka, Dritan Egro, Sokol Gjermeni, Botimet Albanologjike, 2012, 165-166

383. Nënkonsullata e Perandorisë së Rusisë, Shkodër, Departamentit të Parë të Ministrisë së Punëve të Jashtme, Sankt Petersburg, Shkodër (Shqipëri), 17/30 maj 1912 Nr. 76, Dokumente ruse për Lëvizjen Kombëtare Shqiptare më 1912, Institute i Historisë Prishtinë, përagtiti Muhamet Shatri, Ramiz Abdyli, Prishtinë, 2006, f. 98-99

384. HHStA-PA-VJ-22 3-387. Shkodër më 12 janar 1912. Informacion Zambaur, Shkodër – Erental, Vjenë.

385. Nënkonsullata e Perandorisë së Rusisë, Shkodër, Departamentit të Parë të Ministrisë së Punëve të Jashtme, Sankt Petersburg, Nr. 37, Shkodër, 24 mars/6 prill 1912, Dokumente ruse për Lëvizjen Kombëtare Shqiptare më 1912, Institute i Historisë Prishtinë, përagtiti Muhamet Shatri, Ramiz Abdyli, Prishtinë, 2006, f.69-75

386. Ramiz Abdyli, Lëvizja Kombëtare Shqiptare 1908-1910 Libri 1,f. 67-68

  1. Ramiz Abdyli, Lëvizja Kombëtare Shqiptare 1908-1910 Libri 1, f.73
  2. Ramiz Abdyli, Lëvizja Kombëtare Shqiptare 1908-1910 Libri 1, f.94-95
  3. Ivo Joviçeviç, Dushan Gregoriç, Ministër i Punëve të Jashtme të Malit të Zi, Cetinë 21 mars 1912, shih Zekeria Cana, Shpalime historike,botimet “Rilindja”, Prishtinë 1982, f.526 390.Ivo Joviçeviç, Llaza Tomanoviç, Kryeministër i Malit të Zi, Cetinë, 31 mars 1912, shih Zekeria Cana, Shpalime historike, botimet “Rilindja”, Prishtinë 1982, f.539
  4. Nënkonsullata e Perandorisë së Rusisë, Shkodër, Departamentit të Parë të Ministrisë së Punëve të Jashtme, Sankt Petersburg, Nr. 37, Shkodër, 24 mars/6 prill 1912, Dokumente ruse për Lëvizjen Kombëtare Shqiptare më 1912, Institute i Historisë Prishtinë, përagtiti Muhamet Shatri, Ramiz Abdyli, Prishtinë, 2006, f.69-75; Muhamet Shatri, Ramiz Abdyli, Dokumente ruse për Lëvizjen Kombëtare Shqiptare në vitin 1912 392. Nënkonsullata e Perandorisë së Rusisë, Shkodër, Departamentit të Parë të Ministrisë së Punëve të Jashtme, Sankt Petersburg, Shkodër (Shqipëri), 17/30 maj 1912 Nr. 76, Dokumente ruse për Lëvizjen Kombëtare Shqiptare më 1912, Institute i Historisë Prishtinë, përgatiti Muhamet Shatri, Ramiz Abdyli, Prishtinë, 2006, f. 98-99; AVPR, AIH, R. 24, Konsullata e Përgjithshme e Mbretërisë së Italisë, Pire, ministrit të Punëve të Jashtme, Romë. (përkthim nga italishtja) Nr. 1259, Pire, 3/16 qershor 1912, f.114-115:
  5. Nënkonsullata e Perandorisë së Rusisë, Shkodër, Departamentit të Parë të Ministrisë së Punëve të Jashtme, Sankt Petersburg, Shkodër (Shqipëri), 17/30 maj 1912 Nr. 76, , Dokumente ruse për Lëvizjen Kombëtare Shqiptare më 1912, Institute i Historisë Prishtinë, përgatiti Muhamet Shatri, Ramiz Abdyli, Prishtinë, 2006, f. 98-99
  6. Raport i Ambasadorit të Francës në Stamboll, për shkëlqesinë e tij, zotin Poincare, Kryeministër dhe Ministër i Punëve të Jashtme, lidhur me normalizimin e gjendjes në Mirditë, Nr. 30, Pera, më 29 maj 1912, Dokumente Franceze për Shqipërinë dhe shqiptarët më 1912, vëllimi II, Muhamet Shatri, botimet Toena,  Tiranë, 2012, f.85-87
  7. Simon Prendi: Historia: Mesjeta, koha e re, Njohuri për vendlindjen, f.96
  8. Revista “Leka”, Shkodër, viti 1942, dok.63, f.65
  9. Sali Ajazi, Nikollë Kaçorri Nënkryetar i Qeverisë së Vlorës, pa shtëpi botuese, Tiranë 2002, f.72
  10. Shqipëria në dokumentet austro-hungareze (1912) vëll. III, f.586
  11. Mokorp, Atasheu ushtarak në Stamboll, Ministrit të Luftës në Paris, Zyra z.Nr.465, datë 24 qershor 1912
  12. Raport i konsullit austro-hungarez në Shkodër, Zambaur dërguar kontit Berchtold, ku njoftohet për nisjen e Prengë Bibë Dodës në Satmboll, pozitën e tij në lishje me autoritetet osmane, si dhe interezimin e tij për këtë çështje pranë ambasadave franceze dhe austro-hungareze, Nr. 80/Konfidencialish, Shkodër, më 31 maj 1912, Shqipëria në dokumentet Austro-Hungareze (1912])II, f. 352-353

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/negociatori-me-prenge-pashen-ishte-mustafa-kruja-qe-gezonte-respektin-e-princit-mirditas-dhe-rane-dakort-qe-ti-printe-kryengritjes-kurse-esad-pasha-libri-i-dr-nikoll/