“Në vitin 1951, Hasan Dosti, përfaqësuesi i Komitetit ‘Shqipëria e Lirë’, deklaroi në Radion ‘Evropa e Lirë’ se, ishte marrë vesh plotësisht me Zogun…”/ Dosja e UDB-së, për emigracionin politik shqiptar

Pjesa e tretë

Memorie.al / Dosja sekrete të UDB-së, Shërbimit Sekret Jugosllav, në vitet 1944-1953. Në këtë dosje janë përfshirë të dhëna të hollësishme për grupet shqiptare që vepronin në Itali, Greqi, Austri, Gjermani, Francë, Angli, Turqi, Siri, Liban, Egjipt, SHBA, Kanada, Australi, Zelande e Re dhe Brazil. Dosja e UDB-së, e përshkruan emigracionin shqiptar se mori një karakter politik, kryesisht gjatë Luftës së Parë Botërore, posaçërisht me daljen në skenë të vëllezërve Frashëri, Ismail Qemal Vlorës, Mihal Gramenos, Çerçiz Topullit dhe të trimave të tjerë të kombit shqiptar, që luftuan kundër pushtuesve të huaj. “Edhe gjatë kohës së sundimit të Zogut, nga viti 1924, shqiptarët e vazhduan luftën politike jashtë shtetit kundër Zogut”, vijon raporti i shërbimit sekret jugosllav. Aty thuhet se Fan Noli, kryetar i atëhershëm i qeverisë shqiptare, u arratis së bashku me miqtë e tij, fillimisht në Austri dhe më vonë në Shtetet e Bashkuara, ku u vendos në Boston.

                                                      Vijon nga numri i kaluar

Dosja e UDB-së për AHMET BEG ZOGUN

Ish-Mbreti i Shqipërisë. Ka lindur më 1895, në Burgajet, rrethi i Burrelit, në fisin e Matit, si pasardhës i një familje bejlerësh, me ndikimin në rajonin e këtij fisi që nga kohët e para të sundimit turk. Pas vdekjes së të atit (Xhemal Pashës), i cili ka qenë i pari trashëgues i fisit Mati, që në moshën djaloshare me shkollën e paktë që kishte mbaruar në Stamboll, u bë i pari i fisit, sipas të drejtës trashëgimore, meqenëse vëllai i madh, Xhelali, kishte vdekur. Në vitin 1911, udhëhoqi fisin e vet, duke u bashkuar me Hasan Beg Prishtinën, Riza Beg Kryeziun nga Gjakova dhe Bajram Currin, në një kryengritje kundër xhonturqve.

Ka luftuar në anën e Turqisë në Luftërat Ballkanike, kundër malazezëve, në Lezhë. Në vitin 1914, për një farë kohe, i shërbeu Princit të atëhershëm, Wilhelm Wid. Gjatë kohës së Luftës së Parë Botërore, më 1915-ën, ka qenë te Pashiqi në Nish, me porosi të Esat Pashës, për t’i ofruar miqësinë, në një kohë kur fiset shqiptare me veprimet e tyre armiqësore, po rrezikonin ushtrinë serbe. Gjatë tërheqjes së ushtrisë serbe, Zogu e mbajti fjalën dhe matjanët nuk i sulmuan njësite serbe.

Kështu ai arriti të fitonte miqësinë e Beogradit, i cili më vonë do t’ia shpërblente, duke shpenzuar për karrierën e tij politike rreth dy milionë dinarë, në periudhën që nga koha e vrasjes së Esad Pashës, deri ne rënien e Zogut nga pushteti, ne maj te vitit 1924. Më 1915, kur Austriaket pushtuan Shqipërinë, Ahmet Beg Zogu u bashkua me austriakët, të cilët e morën me vete në Vjenë, ku qëndroi deri në përfundimin e luftimeve.

Pas Luftës, ai për herë të parë u shqua në Kongresin e Lushnjës, në janar 1920. Pastaj me matjanët e vet, përkrahu Qeverinë e re shqiptare, të dalë nga ky kongres, duke bërë të mundur hyrjen e saj në Tiranë, si dhe duke detyruar Qeverinë e Durrësit, të Turhan Pashës, që të lëshonte pushtetin. Në krye të forcave të armatosura qeveritare, ai luftoi kundër ithtarëve të Esad Pashës, të cilët në Tiranë në maj 1920, udhëhiqeshin nga Osman Bali.

Në mars 1920, Zogu u bë Ministër i Punëve të Brendshme, dhe që nga ajo kohë, ka qenë vazhdimisht ose ministër i Punëve të Brendshme ose komandant i ushtrisë shqiptare. Ka udhëhequr aksione luftarake për të mbrojtur dhe forcuar qeverinë në Tiranë dhe në krye të trupave qeveritare e të matjanëve të vet, shtypi disa kryengritje.

Si ministër i Punëve të Brendshme organizoi zgjedhjet, duke çuar në Parlament njerëzit e vet. Shumë shpejt ai arriti të zinte një ndër vendet më të shquara në skenën politike shqiptare dhe u bë personaliteti qendror, rreth të cilit janë sjellë gjithë ngjarjet politike në Shqipëri – deri në humbjen e pavarësisë së saj.

Në dhjetor të vitit 1922, Parlamenti shqiptar zgjodhi një regjencë të re, e cila i besoi formimit e qeverisë Ahmed Beg Zogut. Ishte kryeministër, deri në fund të shkurtit të vitit 1924, kur, pas një atentati, u detyrua t’ia linte pushtetin te vjehrrit, Shefqet Bej Verlacit, aleatit dhe mikut të tij politik.

Për shkak të situatës politike dhe të rrethanave tepër të ashpërsuara, si dhe të opozitës së ashpër të kundërshtarit, të cilët nxitën masat popullore për kryengritje, qeveria u detyrua të jepte dorëheqjen, ndërkaq Verlaci dhe Zogu, u detyruan të largoheshin nga vendi.

Qeveria e re u formua nga përparimtarë, me Fan Nolin në krye, por dhe kjo qeveri pati jetë të shkurtër, sepse Zogu, i cili ishte fshehur në Beograd, u kthye sërish në pushtet, në fund të vitit 1924, nëpërmjet një ndërhyrje ushtarake në Shqipëri, si i përkëdheluri i Jugosllavisë, e cila në këtë rast, i ofroi gjithë ndihmën e nevojshme, përkundrejt premtimit konkret nga ana e tij se do të vendoste marrëdhënie miqësore me Jugosllavinë.

Pas kthimit të tij në pushtet, Zogu thirri Asamblenë Kushtetuese, e cila shpalli republikën dhe votoi kushtetutën e re, duke zgjedhur atë kryetar të republikës. Sipas dispozitave kushtetuese Zogu, si President i Republikës ishte, në të njëjtën kohë edhe kryeministër.

Duke shfrytëzuar këtë pozitë të dyfishtë dhe kompetencat e gjera që i jepte kushtetuta, Zogu, përreth vetes mblodhi njerëzit e vet, posaçërisht në ushtri dhe trupin ligjvënës, të cilët, duke i bishtnuar sistemit zgjedhor, i shndërroi në një vegël të verbër dhe të bindur.

Në nëntorin e vitit 1926, shtypi një kryengritje të vërtetë në Veri (Kryengritjen e Dukagjinit), gjë që i dha mundësinë që me metoda të vrazhda të forconte pushtetin e vet. Edhe pse u kthye në pushtet, si mik dhe i përkëdheluri i Jugosllavisë, nevoja e madhe për para, bëri që sërish të bjerë në krahët e Italisë, e cila e shfrytëzoi, duke shtënë ne dore, pak nga pak, ekonomikisht dhe politikisht Shqipërinë, duke e vënë kështu haptazi, në rrezik sovranitetin e saj.

Në nëntor të vitit 1926 – u nënshkrua pakti i Tiranës, me anë të të cilit Shqipëria, u lidh haptazi me Italinë, gjë që, gjithsesi, solli reagimin e Jugosllavisë. Në vitin 1928, Zogu u bë Mbret, duke e marrë emrin Zogu I-rë, Mbret i Shqiptarëve.

Regjimi i Zogut, në fillim Republikë, pastaj Mbretëri, zgjati deri në pushtimin e Italisë, më 1939, duke u mbështetur tek grupet reaksionare vendore, si dhe tek përkrahja e Italisë, të cilës i krijoi një sërë lehtësish, në dëm të pavarësisë ekonomike dhe politike të vendit.

Më 7 prill 1939, kur italianët pushtuan Shqipërinë, Zogu me familjen dhe suitën e tij, iku në Greqi, nga ku më pas vajti në Turqi dhe, në fund, në Francë. Nga Franca shkoi në Angli, ku jetoi deri në përfundimin e Luftës. Në fund të shkurtit 1946, bashkë me familjen, me të tre motrat, si dhe me suitën e vet, shkon në Egjipt, ku u prit si mysafir i Mbretit Faruk, duke u vendosur në Kajro.

Në fillim të vitit 1947, Zogu bëri një përpjekje për të bashkuar emigracionin shqiptar në Perëndim, për të përgatitur formimin e një qeverie shqiptare në emigrim. Për këtë qëllim ai dërgoi përfaqësuesin e vet, kolonel Hysen Selmani, që të lidhej me përfaqësuesit e “Bllokut Kombëtar Indipendent”, “Ballin Kombëtar”, etj., si dhe caktoi një takim në Kajro. Në takimin me Zogun, morën pjesë përfaqësuesit e “Legalitetit”, “Bllokut Kombëtar Indipendent”, “Ballit Kombëtar”, etj., si dhe të “Grupit të kosovarëve”.

Zogu propozoi që grupet politike në emigracion, të bashkoheshin duke formuar një qeveri qendrore, e cila do ta kishte këtë program:

1-Zogut t’i njiheshin të drejtat Mbretërore;

2-gjithë emigrantët shqiptarë të mblidheshin në Greqi;

3-Zogu do të merrte përsipër financimin e tyre;

4-major Abaz Kupi, të emërohej udhëheqës ushtarak.

Marrëveshja nuk u arrit, për shkak të qëndrimit të “Ballit Kombëtar”, që s’donte të komprometohej politikisht, duke i njohur Zogut të drejtat Mbretërore. Aksioni për krijimin e një organizate të bashkuar, me një udhëheqje të përbashkët, vazhdoi dhe më pas, por nismën për këtë e mori “Balli Kombëtar”, pa Zogun, nën patronazhin e anglo-amerikanëve.

Më në fund, pas disa konferencave të pasuksesshme, në gusht të vitit 1949, me ndërhyrjen e Maklinit (ish-shef i Misionit ushtarak anglez pranë udhëheqjes së rezistencës nacionaliste në Shqipëri, gjatë kohës së pushtimit, si dhe ekspert për çështjet shqiptare) u arrit të krijohej Komiteti “Shqipëria e Lirë”, i cili, megjithatë nuk i përfshiu të gjitha grupet.

Zogu, deklaroi se ishte gati ta ndihmonte Komitetin, por me kusht që prej tij, të përjashtohej Sait Kryeziu, gjë që anglo-amerikanët, nuk e pranuan, duke deklaruar se Kryeziu, ishte njeriu tek i cili kishin më shumë besim. Themelimi i këtij komiteti, përbënte një disfatë për Zogun, aq më tepër që Komiteti realizoi bashkimin e emigracionit shqiptar, duke mos njohur të drejtat mbretërore të Zogut.

Komitetit iu bashkua edhe një pjesë e ithtarëve të Zogut, të cilët, edhe pse mbetën monarkistë dhe ishin për rikthimin e Zogut në krye të vendit, pranonin se kjo duhej të arrihej vetëm nëpërmjet votimit, në qoftë së atë e zgjidhte populli. Pas kësaj, Zogu dërgoi emisarët e vet në Romë, për të përçarë Komitetin. Për këtë mision ,u dërgua si emisarë e motra, Sanija, dhe me sa duket edhe Ali Këlcyra (një ndër liderët e “Ballit Kombëtar”).

Aty nga gjysma e vitit 1951, Zogu shkoi në Amerikë. Gjatë qëndrimit të Zogut në Amerikë, Hasan Dosti, përfaqësues i Komitetit, deklaroi në Radion “Evropa e Lirë” se, në përgjithësi ishte marrë vesh plotësisht me Zogun dhe se kishin rënë dakord që, udhëheqjen e politikës shqiptare, ta merrte Zogu.

Lidhur me qëndrimin e Zogut në Amerikë mendohej se Amerika dhe Anglia do të pranonin që në Shqipëri të bëhej njëfarë ndryshimi, sepse ato dëshironin ta kishin të sigurt Mesdheun dhe Adriatikun, kurse Zogu tha se në këto ndryshime do të luante rolin kryesor. Në qarqet amerikane pati fjalë të mira për Zogun, prandaj ka arsye të besohet se amerikanët do të kenë arritur me të ndonjë marrëveshje.

Në Amerikë atë e pritën në Ministrinë e Jashtme dhe në Pentagon. Sipas deklaratës së ambasadorit grek në SHBA, Politis, Zogu ka kërkuar ndihmë ekonomike dhe ndihmë në armë për ithtarët e vet. Autoritetet amerikane mbajtën një qëndrim të rezervuar, duke mos e pasur të qartë se ç’ndikim kishte ai në të vërtetë tek emigracioni dhe se ç’forca dispononte.

Zogu ka deklaruar se në malet e Shqipërisë gjendeshin 14.000 kryengritës, por se ata ishin të armatosur keq dhe ndihmohen pak nga jashtë, duke shtuar se në Itali kishte dhe një grup tjetër, të stërvitur për luftë guerilase, që ishte gati të vepronte.

Ai ka kërkuar nga Greqia, dhe sidomos nga Italia, një përkrahje të efektshme për ithtarët e tij, me të cilët do të bashkëpunonin pjesa më e madhe e ithtarëve te partive të tjera antikomuniste. Për Jugosllavinë ka thënë se ajo me politikën e vet “ekspansioniste” paraqet pengesë të madhe për forcat çlirimtare, antikomuniste…! Memorie.al

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/ne-vitin-1951-hasan-dosti-perfaqesuesi-i-komitetit-shqiperia-e-lire-deklaroi-ne-radion-evropa-e-lire-se-ishte-marre-vesh-plotesisht-me-zogun/