“Në spitalin ‘Foche’ ku u shtrua Mbreti Zog, më 28 mars 1961, u bë’ konsulta në prezencën e 6 profesorëve më kompetentë të Europës dhe rezultoi se…”/ Kujtimet e kolonel Hysen Selmanit

Nga Hysen Selmani

Pjesa e dyzetë

Memorie.al/ Shpesh herë, shtypi evropian dhe ai amerikan, ka trajtuar temën e kujtimeve të Mbretit Shqiptar, Zogu i I-rë, të cilat, ai i shkruante dhe i diktonte, gjatë periudhës së mërgimit të tij nga Shqipëria. Duke pasur parasysh, shënimet dhe sintezat që ndihmësi i tij, kolonel Hysen Selmani, përpiloi gjatë viteve në shërbim të tij, – gjithmonë, pranë Mbretit të Shqiptarëve, si në atdhe, ashtu edhe në mërgim, këto shënime, pak a shumë me pjesë të shkëputura, pa ndjekur rreptësisht kriteret e zakonshme të kujtimeve, dhe pa pasur formën e prerë, e përfundimtare të një redaktimi, janë të përgatitura nga vetë Hysen Selmani, i cili i ka kushtuar pjesën më të madhe të jetës së tij, si në Shqipëri, ashtu dhe gjatë mërgimit, shërbimit ndaj Zogut të I-rë, Mbretit të Shqiptarëve.

                                            Vijon nga numri i kaluar

NEW YORK, 4 GUSHT 1951

Madhëria e Tij, Mbreti Zog i I-rë, u ftua për të shkuar në Washington. Ai menjëherë u nis dhe ishte i shoqëruar prej kolonel Hysen Selmanit, Nuçi Kottes, Mizrail Pashës e Peter Kolonjës. Si mbaroi të gjitha vizitat, atëherë me radhë, thirri senatorët amerikanë. Senatori Tahti, ishte njëri prej tyre dhe ishte Kryetar i Partisë Republikane në Amerikë. Ai ishte shumë Zotni. Mbreti Zog, në (Washington, për çdo mbrëmje, kishte nga 20 senatorë e personalitete të larta amerikane.

“Kjo vazhdoi për 12 ditë me radhë dhe pastaj u kthyem prapë në New York. Në Washington, çdo gjë pothuajse shkoi mirë. Por, Presidenti Truman, ishte i sëmurë prej një gripi të fortë. Këtu, në dreka e darka, kishim një numër të madh gjeneralësh të Pentagonit. Kishim mes të tjerësh edhe shumë ministra, shefa seksionesh, dhe të tjerë. Këta ishin të gjithë, përsa kohë, që ne qëndruam aty”.

Në New York, Mbreti, dëshironte të blinte një shtëpi të mirë. Kështu gjetëm një shtëpi në Long-Island me 110 akër bahçe e tokë. Ishte një shtëpi si një Pallat, me plot 45 pjesë, e gjitha në kushte të mira. Ishin edhe 4 shtëpi të tjera, të mëdha. Këtë e blemë për 150.000 dollarë. Kuptohet se kjo bënte shumë, por i zoti që e shiti, e bënte këtë më tepër se kishte taksa të rënda, ndërsa Mbreti Zog, nuk paguante taksë. Për këtë arsye e morëm aq lirë dhe e paguam. Lamë major Lev Sukaçevin, që ishte me avokat Boris Komarën, për ta patur nën kujdes. Si rojtar lame, një shqiptar, sepse Mbreti Zog, kishte vendosur që, pas një kohe, të sistemohej në Amerikë.

Kjo, akoma nuk ishte vendosur, por shtëpinë e bleu, që ta kishim. Edhe në Aleksandri, kishim një shtëpi të madhe me gjithë bahçe, që kishte kushtuar plot 20.000 stërlina. Shtëpinë, në Aleksandri, ja shitëm Princit Telat, qe ishte djali i Mbretit të Arabisë Saudite, Abdyl Aziz. Por, Princi na pengoi, se nuk na pagoi të hollat menjëherë, që bënin 285.000 dollarë. Kjo gjë, na pengoi dhe na dëmtoi aq rëndë ,saqë do të shënohet më vonë. Duke pritur që të bëhej pagesa, ne vonuam derisa u bë Revolucioni Egjiptian.

NEW YORK, 27 SHTATOR 1951

Madhëria e Tij, Mbreti Zog i I-rë me datën 27 shtator 1951, u nis nga New York-u, për në Europë. Ai ishte i shoqëruar deri në aeroportin e New York-ut, nga më tepër se 300 persona. Ishin amerikano-shqiptarë, grekë, jugosllavë, e roje policë. Ishte me të vërtetë, një përcjellje tepër madhështore. Ai u nis direkt për në Francë, ku në Paris, qëndroi 12 ditë. Ai vizitoi Presidentin dhe shumë personalitete franceze.

Natyrisht bëri të gjitha mundësitë për realizimin e interesave të Atdheut. Gjithkund, ai u prit mirë. Dhe, pasi mbaroi të gjitha vizitat në Paris, u nis për në Egjipt. Në Paris, pati dy herë takim me Princin Telat, që kishte blerë shtëpinë në Aleksandri. Ky i fundit, i dha fjalën se, brenda 10 ditëve, do t’i paguante të gjithë të hollat, e do të vinte në Aleksandri, për të marrë shtëpinë në dorëzim.

PARIS, 5 TETOR 1951

Madhëria e Tij, Mbreti Zog, me datën 5 Tetor 1951, u nis për Egjipt. “Pasi mbaroi të gjitha punët në Paris, arritëm në aeroportin e Kairos. Ishte natë dhe aty na prisnin Madhëria e Saj, Mbretëresha Geraldinë, me gjithë princeshat dhe Tofik Dos Pasha, Theoderos Pasha dhe Hasan Nehas Pasha, me Zonjën. Ishin edhe shumë autoritete Egjiptiane, si Tahir Pasha, Princ Omer Faruk dhe gjithë personaliteti i Pallatit.

Aty u përshëndetëm me të gjithë. Pastaj, ndenjëm pak në hotel “Hilipolis”, një orë. Sa iu dhamë një kafe dhe pastaj, ne u nisëm direkt për në Aleksandri. Mbreti Zog, tani është në Aleksandri. Ai po përgatitet për t’u nisur për në Europë, duke u falë e biseduar ndoshta për të fundit here, me të gjithë miqtë arabë.

Mbreti Faruk, vinte përditë e i vinte mjaft keq që po largoheshim nga Egjipti. Por, e sheh edhe ai vetë, se qëndrimi i Mbretit Zog, në Egjipt, nuk është aq i favorshëm për interesat, që ai kërkon të bëjë, për vendin e vet. Kështu, Mbreti, përditë ka me duzina miq, që i urojnë një rrugë me plot suksese. Është gjithmonë në pritjen e Princit Telat, që do t’i dorëzonte për shtëpinë, 100.000 lira stërlina. Menjëherë, ne patëm dërguar edhe plaçkat në shoqërinë “Farosse”, për t’ i dërguar më pas në Francë dhe patëm zënë dy shtëpia në Kanë.

ALEKSANDRI, 20 TETOR 1951

Me këtë datë, 20 Tetor 1951, na vjen Lartësia e Tij, Princi Telat. Ai i tha Mbretit Zog: “Të kam si babain tim. Unë i prisha të hollat, më kanë mbetur vetëm 25.000 lira e të tjerat, vetëm do t’i paguaj me këste, brenda tre muajsh”. Me siguri kjo, e mërziti aq shumë Mbretin, sa i prishi të gjithë programin. Por, nuk ishte se çfarë të bënte. Menjëherë thirrën avokatët, Mbreti të vetin, kurse Princi, kishte avokatin e Ambasadës Arabisë Saudite. Mbaruan formalitetet noteriale dhe i dorëzoi shtëpinë e Mbretit provizorisht.

Ai zuri vend në hotel “Mediterranea,” për dy muaj, sipas premtimeve të Princit, që do t’i paguante të hollat. Princi, kishte me vete një të Ambasadës. Ai quhej Feidan dhe ai e mori përsipër. Kështu dolëm nga shtëpia e, u grumbulluam 46 vetë, në hotel “Mediterranea”. Gjoja do të rrinim për dy muaj. Kjo do të na shkatërrojë krejtësisht, si ekonomikisht dhe politikisht.

Të nesërmen, erdhi Mbreti Faruk, si gjithmonë dhe po bisedonin mbi udhëtimin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në bisedim e sipër, erdhën edhe Shyqyri Kuatly e Myftiu i Jeruzalemit. Të gjithëve u vinte shumë keq që, Mbreti Zog, po largohej nga Egjipti. Ata kishin një simpati të madhe për të dhe ai vetë i ndaloi edhe këta për darkë, ku filluan bisedat, mbi punët në Amerikë. Burrat folën si për muhabetet në New York, ashtu edhe në Washington. Atë e thirrën në telefon dhe i treguan mbi ngjarjen e Zvicrës, ku kishin botuar një artikull, shumë të kotë.

“Atëherë, unë,- tha Mbreti Zog, – ju luta që për hatrin tim, mos e botonin. E hoqën”.

“Po,- tha Mbreti Faruk, – ma tha Mizrail Pasha. Ashtu ka qenë, po pasi u botua, si në Zvicër, në Francë dhe në “Lajit” le të ishte botuar. Nuk do të bënte ndonjë përshtypje më tepër”. Shoqëria “Farose,” amballazhoi të gjithë materialin që transportonte për në Francë. Ishin më tepër se 20 kasa, libra e sende të argjendta.

Gjithçka, kishte të personelit nga të dy shtëpitë, si ajo e Mbretit me Mbretëreshën dhe si ajo e Princeshave. Mobiljet, nuk u luajtën nga vendi. Për fat të keq, nuk i merrnim dot, shtëpitë ishin të mobiluara, krejt në sistemin modern. Po, shoqëria “Farose”, kërkonte që t’i transportojë bagazhet në Francë”.

“Po,- i thamë, – të presin”. “Një pjesë’ të vogël të arkivës e kishim me vete. Kuptohet, atë që kërkojnë përditë për të punuar me të. Pjesa më e madhe, ishte amballazhuar në Shoqërinë: “Farose”. Ndërkohë, ne ishim në Hotel “Mediterranea” dhe situata ishte shumë e ndërlikuar, pasi hotel “Mediterrane”, ishte i vjetër. Madje, ata kërkonin që ta lirojmë, sepse po mbusheshin dy muaj dhe Princi as që dëgjohej. Më nuk dimë se çfarë të bëjmë”. Qeveria e Nehas Pashës, nuk mundi të bëjë edhe ajo asgjë mbi qetësinë e vendit. Një mbrëmje, i vunë zjarrin Kairos.

U bënë dëm të gjitha, saqë u dogj edhe hotel “Shepet” që ishte i njohur edhe shumë magazina e klubet. “Një gjendje që, as mendja nuk ta merr”. Pas kësaj, Qeveria e Nehas Pashës dha dorëheqjen sepse, nuk pati asnjë mundësi të stabilizojë qetësinë. Përditë dilnin shumë universitarë dhe gjithmonë në grevë. Policisë, nuk i besohej, por në ushtri, kishte hyrë një mikrob i rrënjosur. Kudo s’kishte asnjë autoritet dhe ishin të vështira masat, për sigurimin e qetësisë.

ALEKSANDRI, 8 MAJ 1952

Madhëria e Tij, Mbreti Zog, ishte i zënë nga punët e mëdha të përditshme. Ai ishte gjithashtu i mërzitur dhe ishte gati për t’u nisur me një personel të madh prej 43 vetash. Për ditë kishte miq, sidomos arabë, që u vinte keq sepse po ikte nga Egjipti. Ata kishin një simpati të madhe e admirim, për Mbretin Zog. Gjithsesi, Mbreti kishte ende shumë probleme: “Akoma nuk po i dilte blerësi i shtëpisë dhe nuk po i paguante të hollat, sipas kushteve. Kjo ishte një shumë mjaft e madhe dhe bëheshin pothuaj gati, dyqind mijë dollar, që duheshin marrë. Mbreti, ndërkohë, kishte zënë dy shtëpi në Kanë, Francë dhe ato i kishte paguar për 6 muaj.

Të gjitha bagazhet e amballazhuara ndërkohë, kishin mbetur në shoqërinë “Farose”. Në këtë kohë, ai e la hotelin “Mediterranea” dhe zuri një shtëpi të madhe, në Ramleh Marash-Pasha. Aty ai u instalua në pritjen e pagesës, që të nisej. Dhe, kur më në fund e pa se pagesa, nuk po i bëhej shpejt, vendosi për të dalë, por të gjitha të hollat, ishin në bankën “Miser.” Për të tërhequr të hollat, lipsej të pagonim plot 76.000 lira egjiptiane. Mbreti këtë dëshironte, që me të hollat e shitjes së shtëpisë, të dërgonin paratë në bankën “Miser” dhe të tërhiqnin të gjithë arin, që ishte në dollarë, ar, amerikan.

EGJIPT, 12 PRILL 1952

Gjendja në gjithë viset egjiptiane, përditë vjen duke u keqësuar. Qeveria, e ka humbur krejtësisht autoritetin para popullit e, sidomos pas rënies së Qeverisë të Nehas Pashës, erdhën qeveri me radhë, muaj më muaj, por asnjë dobi. Është një gjendje jo vetëm e keqe, por edhe një anarki komplet. Pritej në çdo ditë, ndonjë kryengritje, nuk kuptojmë as Qeverinë, as Mbretin Faruk, se çfarë mendojnë, e përse nuk marrin masa, kjo situate, ka vënë në frikë edhe të huajt. Çdokush po largohet dhe të gjithë pasanikët, marrin masa për largimin e pasurisë. Madhëria e Tij, Mbreti Zog, ishte shumë i mërzitur pas kësaj dhe mendoi se: “Do të dal, sepse dy shtëpitë në Kanë, janë të zëna dhe të paguara për 6 muaj”. Por, ç’të bënte, kur ende Princi Telat. nuk i përgjigjej?

ALEKSANDRI, 10 MAJ 1952

Mbreti Zog, më datën 10 Maj 1952, kishte shumë audiencë. Ai ishte në sallon poshtë dhe gjithmonë kishte dhimbje të një ulçere. Por, këtë ditë, i kishte peshuar më tepër dhe nuk e ndiente veten mirë. Si mbaroi të gjitha pritjet, në orën 12 të ditës, u ngrit dhe filloi të hipte shkallët. Kishte dy oficerë me vete, që e shoqëronin. Kapiten, Muharrem Gjoka, ishte më pranë.

Ndërkohë e sheh se është mjaft i zbehtë dhe e urdhëron që ta mbajnë e, t’i rrinë afër. Papritmas, kur ishte në mesin e shkallëve, Mbretit i vjen një krizë aq e rëndë, sa po të mos e mbante oficeri, ai do të ishte rrëzuar. Aty e merr për krahu oficeri, Muharrem Gjoka dhe e çon direkt në dhomën e fjetjes. Mbreti, ishte si i fikur se po i shkonte shumë gjak. Menjëherë thirri dy doktorët e shtëpisë: Doktor Omer Shaukinë dhe Doktor Qemal Jusufatin. Ata menjëherë e trajtuan me akull dhe injeksione.

Mezi mundën që pas një ore, ta sjellin pak në vete, se ishte i dobësuar krejt dhe kishte humbur shumë gjak. Pas dy orëve, erdhi në vete. Ishte shumë i lodhur dhe aq i këputur, saqë nuk mund të ngrihej në këmbë. Kishte humbur shumë gjak e, u lodh shumë. Po në atë mbrëmje, morëm edhe tre profesorë specialistë të ulçerës dhe ata i bënë të gjitha kurat. Por, u dobësua shumë dhe kështu vazhdoi 4 ditë. Pas katër ditëve, gjendja u përmirësua disi, sa për të ndenjur në karrige. Por, vetëm dhe gjithmonë në dhomën e gjumit e, asnjëherë jashtë dhomës. Profesorët që erdhën, i thanë se, nuk mund të udhëtojë para 2 muajsh.

Aleksandri, 12 korrik 1955

Na vjen Exelenxa e tij, Shyqyri Kuantly. Ai duke qeshur, menjëherë hyri te Mbreti Zog i I-rë dhe i tha: “Madhëri, çdo gjë u mbarua. Tani, qeveria egjiptiane, ka dhënë të gjitha urdhrat që; Madhëria Juaj; të jeni të lirë, kur të dëshironi për të dalë. Dërgoni e merrni pasaportat, se i keni gati. Po ashtu, edhe bankës “Misir”, i është dhënë urdhër, për të tërhequr të gjitha të hollat që keni depozituar, etj. Kur po bisedonte Kuatly me Mbretin Zog, aty vjen edhe avokati Hasan Saoud, i cili kërkoi të paraqitej te Mbreti Zog. I thamë të presë se, ishte Presidenti Kuatly, por megjithatë e thirrën brenda edhe avokatin, i cili parashtroi, se e kishin lajmëruar se, ende gjyqi nuk kishte marrë fund, për sa i përket Sezisë.

Duhej të linin një garanci në bankë për gjyqin, prej 12.000 (dymbëdhjetë mijë) lira egjiptiane, derisa të merrte fund gjyqi. “Në rast se fitoni gjyqin, këto të holla, ju dërgohen në Francë lirisht prej bankës”. Presidentit Kuatly, i erdhi shumë keq se, Presidenti i Egjiptit, Gemal Abdyl Naser, i ka thënë se; asnjë pengim nuk ka, e u skuq, por tha: “Madhëri, me këta njerëz, nuk di njeriu se ku mbahet. Nuk kanë as më të voglën burrëri. Ku na nxjerrin tani se, Sezija, nuk ka përfunduar!

Do t’i shkoj përsëri Naserit”, – tha, por Mbreti Zog, e zuri për dore, e i tha: “Jo, jo, miku im, nuk ka problem. I lemë ato garanci që kërkon gjyqi. Më mirë mos të hyjmë më thellë, se kjo shumë nuk do të pengojë. Vetëm shumën e arit që kam në bankën “Miser”, të ma lenë të lirë, se dua të shes prej tyre, për të paguar 75.000 lira. Për tre vjet, kam hyrë borxh këtu brenda në Egjipt e, ndër banka, e pastaj më duhet për të tërhequr arin, që kam në bankën “Miser”.

Mbreti, pas kësaj, e urdhëroi avokatin Hasam Saoud: “Më mirë rregulloje sipas ligjit këtë garanci dhe mos të kemi më pengesa”. Madhëria e Tij, Mbreti Zog, u mërzit që e pa Presidentin Kuatly, shumë të mërzitur. Ky i fundit, nuk dëshironte që, t’i linte këtë garanci. Por, Mbreti Zog i tha: “Miku im, jam tepër mirënjohës kundrejt teje. Sikur mos të kishit qenë ju, edhe dy vjet të tjera, nuk do të më lejonin. Tani jemi te qetë. I lini 12.000 lirat, le t’i mbajnë”. Me këto fjalë, avokati shkoi që të rregullonte akt-garancinë. Kur shkuam në bankën “Miser”, për të tërhequr arin, aty na nxorën shumë ngatërresa. I gjithë qëllimi ishte, për të mos lejuar të marrim arin, por këto t’i merrnim në lira egjiptiane. Ne aty kishim ar, në dollar amerikan.

“Një 5 napolon ari amerikan, kushtonte 28 lira egjiptiane, kurse ata, duan ta zënë 5 napolonin ar amerikan, në 11 lira egjiptiane. Kështu u bë një ngatërresë, saqë patëm një humbje prej 147.000 stërlinash, vetëm me arin. Kjo na shkaktoi më tepër probleme, se çdo gjë tjetër. U detyruam që t’ i pranojmë se, vetëm duhet të rrije dhe të shpenzoje edhe më tepër. Mbreti Zog, pranoi se, nuk kishte se çfarë të bënte.

Ndërsa, presidenti Kuatly u përpoq, por ata e gënjenin, duke zenë shkaqe, turli-turli. Mbreti, dha urdhër që të likuidojmë të gjithë pagesat e sa më pare, të niseshim për në Europë. Kështu, pasi u la garancia e gjyqit në bankën “Miser,” u pagua edhe Kompania “Farose” për bagazhet. Nuk na mbeti gjë, as të pagonim biletat e udhëtimit, por u rregulluam. Kështu, morën fund të gjitha, me pagesat e hotelet e të tjera dhe bashkë me këtë, edhe kompania.

FRANCË, ABLON, 15 MARS 1961

Madhëria e Saj, Mbretëresha Geraldinë, përsëri e thirri profesorin Leneger dhe dy specialistë të Spitalit “Foche” të ulçerës. Në konsultë, profesor Leneger, tha se: “Këtu nuk është më zemra, por është ulçera dhe lipset për disa ditë, të shtrohet në spitalin “Foche”. Kurse Mbreti Zog, dëshironte të shtrohej në spitalin amerikan, ku punonte profesori Leneger. Por, aty nuk ishin ato mjete që, i kishte spitali “Foche”. Nuk kishte as specialistët e kështu, u vendos të shtrohej për nja 10 ditë. Kjo bëhej, sa për t’i bërë gjilpërat dhe siç e vendosën në konsultë.

Më’ 20 Mars 1961, ai u shtrua në spitalin “Foche”. Ishte jo dhe aq i lodhur. Gjithmonë, ishte me ato shaka. Por, pinte shumë duhan e kafe dhe hante shumë pak. Aty u zu një apartament, ku Mbretëresha Geraldinë, ishte gjithmonë me Mbretin. Edhe ne zumë dy dhoma, për dy oficerë, të shërbimit. Përditë, e vizitonin Princeshat dhe gjithë personeli i Oborrit. Kolonel Hysen Selmani, ishte me Princin Trashëgimtar, Lekën, por tri herë ne ditë, shkonin dhe e shihnin, ku javën e pare, ishte fare mirë. Edhe në spital, pranonte vizita. E kishte bërë, pothuaj si në shtëpi. Përditë i vinin të huajt e shqiptarët. Ishin me qindra. Atij nuk i vinte zor, por kënaqej, kur bisedonte me ta.

Asnjëherë, duhanin nuk e linte dhe as kafen. Kur i vinin vizita, ai i priste në një sallon, jashtë apartamentit. Nuk mbante kurrë rrobdishambër në takim. Dhe, nuk ka pritur njeri, pa u veshur me rrobe. Ishte i qeshur dhe i palodhur. Kur përnjëherë filloi të ndjejë dhimbje dhe dobësi, menjëherë, u thirr profesori, Leneger dhe doktorët e spitalit “Foche”. Ata na këshilluan, të thërrisnim edhe një profesor prej Gjermanie dhe një prej Zvicrës. Kështu, do të bëhej një konsultë e përgjithshme. Ata menjëherë u thirrën dhe erdhën e, u vendosën në spitalin “Foche”. Më datë’ 28 Mars 1961, u bë’ konsulta në prezencën e 6 profesorëve, më kompetentë të Europës.

Kë’ta, pasi panë gjithë analizat dhe i bënë shumë fotografi, e shikime, pas gjithë këtyre provave, konstatuan se, përveç ulçerit, kishte dhe mushkërinë e zezë, në të cilën ishte kancer. Dhe kjo dhimbje e madhe, nuk ishte prej ulçerës, po prej mushkërisë së zezë. Pas shumë ekzaminimesh, e vërtetuan se është kancer. Profesorët, u këshilluan njëri me tjetrin dhe me shumë prova, shikonin se a mund t’i bëhej një operacion. E panë si të pamundur, pse kishte arritur në gradën e fundit. Në këtë mënyrë, ata dhanë vendimin. Profesorët, pas gjithë analizave e fotografive dhe shikimeve, e panë se sëmundja e Mbretit Zog i I-rë, nuk kishte asnjë shërim. Çdo gjë tjetër ishte e kotë.

Thirrën Madhërinë e Saj, Mbretëreshën Geraldinë, Princin Trashëgimtar, Lekën, Princeshën Sanije, e kolonel Hysen Selmanin, dhe ju komunikuan se, në konsultën e bërë, u konstatua dhe u vërtetua se: “Pas gjithë mjekimeve, që i kemi bërë Mbretit Zog, ai nuk ka vetëm ulçerën, por ka shumë sëmurë edhe mushkërinë e zezë dhe të gjitha dhimbjet, i vijnë prej kësaj. Ky është kancer. Bëmë çmos për t’i bërë një operacion, por është krejt e kotë, se mbetet në dorë. Që sot, ka për të vazhduar të bëjë këto kura. Nëse fillon një përmirësim, ka mundësi t’i bëjmë një operacion”. Pastaj ata dolën.

Profesorët, deri diku na këshilluan se: “Me këto kura që po i japim, e në rast se, diktohet një përmirësim i vogël, profesori i spitalit “Foche”, do të na vërë në dijeni dhe ne do të vijmë menjëherë. Mund t’i bëjmë një operacion, por ka shumë pak shpresë”. Këto ishin fjalët e fundit të konsultës së 6 profesorëve. Në këtë kohë, Princi Leka u mërzit aq shumë, saqë nuk përshkruhet. Nga dhimbja e madhe që i erdhi, ai menjëherë, mori specialistët e spitalit “Foche” dhe bashkë me kolonel Hysen Selmanin, shkoi direkt në një apartament privat. Ai mori në telefon të gjithë institutet, përsa i përkiste kancerit, në të gjitha vendet e Amerikës.

Foli më parë në Boston dhe pastaj me radhë në vendet e tjera. Sapo specialistët e konstatuan këtë kancer, hynë në kontakt me gjithë profesorët për 7 orë me radhë. Ndërsa pamë se nuk mund t’i bëhej një dobi, tani mbetëm në shpresën që na thanë profesorët: Po të përmirësohet pak, mund t’i bënim një operacion. Pas këtij komunikimi të profesorëve, Oborri Mbretëror Shqiptar, lëshoi një komunikatë urgjente, duke i njohur të gjithë shqiptarët, në botën e lirë, si edhe miqtë e shumë personalitete, mbi sëmundjen e Mbretit Zog. Këtu poshtë, ne po shënojmë komunikimin e lëshuar, në bazë të konsultës së fundit, prej 6 profesorëve më të mirë të Evropës.

“Vëllezër të dashur,

Për dijeni, ju komunikojë se: për të mjekuar sa më mirë e që të jetë nën shikimin e vazhdueshëm të doktorëve specialistë, Lartmadhëria e Tij, Mbreti Zog i I-rë, Mbret i Shqiptarëve, u shtrua në spitalin “Foche”. Mbreti ynë i dashur, përveç ulçerës së vjetër, që e ka patur prej shumë viteve, vuan edhe nga mëlçia e zezë. Gjendja e përgjithshme shëndetësore, vazhdon të jetë në rregull, por Mbreti, është i dobësuar nga shkaku i mosmarrjes së mjaftueshme të ushqimit.

Njëkohësisht, edhe profesorët më të famshëm, si në; Francë, Gjermani, Zvicër, e gjetkë, janë në konsultime gjithmonë. Kemi për t’ju vënë vazhdimisht në dijeni, mbi shëndetin e Madhërisë së Tij, Mbretit tonë të dashur”. (Kjo komunikatë, ju dha edhe gazetarëve). Tani ndodhemi me një dhimbje e tronditje, e shohim se Mbreti i dashur, ka filluar nganjëherë ta humbasë veten. Por, ai shpejt vinte në vete dhe hapte sytë e na shikonte, po jo me dhimbje. Na shikonte me një fytyrë të qeshur e, përdridhte mustaqet e bukura. Pastaj na jepte të shikonim, se është mirë. Memorie.al

                                                Vijon numrin e ardhshëm

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/ne-spitalin-foche-ku-u-shtrua-mbreti-zog-me-28-mars-1961-u-be-konsulta-ne-prezencen-e-6-profesoreve-me-kompetente-te-europes-dhe-rezultoi-se-kujtimet-e-kolo/