“Në shtëpinë e tij në Durrës, ai mblidhte fëmijë për kurse dhe u jepet cigare të huaja, çokollata, revista…”/ Historia e mësuesit grek, që u burgos si “agjent”, e vdiq në kampin e Ballshit në ’78-ën

Nga Artur Korriku

Memorie.al / Në vitin 1971, në qytetin e Durrësit u krye një arrestim i bujshëm i cili, shkaktoi tronditje në mbarë banorët e qytetit bregdetar. Ishte arrestuar Stathi Cehaef, mësuesi poliedrik, i shkollës së mesme të Muzikës “Mujo Ulqinaku”. Megjithëse arrestimi i tij u krye në mënyrë sekrete, nga organet e Sigurimit të Shtetit të Tiranës, edhe ata që pyeteshin rreth tij, porositeshin me përgjegjësi që; për ato probleme që ishin biseduar, të ruheshin në sekret të plotë.

Por përsëri në qytet u përfol se; ishte arrestuar një agjent i rrezikshëm, i cili përveç veprimtarisë së spiunazhit kundër vendit tonë, kishte punuar në mënyrë perspektive, për të kompromentuar dhe rekrutuar më pas të rinjtë, të cilët ai i afronte përmes formave të ndryshme komprometuese, me qëllim që kur të vinte momenti të, rekrutoheshin për llogari të shërbimeve sekrete të vendeve të Evropès Lindore.

Për këtë veprimtari, në hetuesi në Tiranë, sipas statistikave të dosjes hetimore, janë shoqëruar rreth 40 të rinj, të moshave 15 deri në 20 vjeç, nga qyteti i Durrësit, shumica ish-nxënës të tij. Agjenti i arrestuar, ishte Stathi Cehaef, i ardhur në Shqipëri në fund të viteve ’40-të nga Greqia, në kohën kur ndodhën të ashtuquajturat “Provokacionet e gushtit” 1949.

Cili ishte Stathi Cehaef dhe si u vendos ai në Durrës?! 

Stathi Cehaef, ishte lindur në Kallamata të Greqisë në vitin 1922. Ai ishte fëmijë i Kostandinit dhe Andronikës. Në rininë e tij, ai fillimisht punoi në një studio personale fotografie që i përkiste të atit të tij. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, sipas dëshmisë së dhënë nga ai vetë pas arrestimit, është rekrutuar nga Shërbimet Sekrete gjermane të Abwerit, gjatë kohës kur ai po ndiqte kurse të mësimit të gjuhës gjermane, të organizuara nga ky shërbim i Zbulimit Ushtarak të Gjermanisë naziste.
Dhe më pas, format e grumbullimit të informacionit prej tij kanë qenë pikërisht kurset me të rinjtë. Pas lufte, Stathi është marrë në bashkëpunim nga shërbimet e tjera, të cilat e “gjuajtën” atë, nga arkivat që u mbetën në duar. Ai, u rekrutua si agjent i shërbimeve partnere anglo-greke dhe, duke qenë mjaft i talentuar në gjuhët e huaja, një karakteristikë mjaft e lakmuar për një zbulues potencial, synohet të hidhet në bastionet lindore.

Për këtë në vitin 1949 përgatitet për ta dërguar në Shqipëri si agjent dhe prej këtej do të gjendej mundësia që të hidhej në Republikën Demokratike Gjermane, me perspektivë kalimin e tij në Bashkimin Sovjetik.

Në vitin 1949, në periudhën e njohur si periudha e zhvillimit të “Provokacioneve greke të Gushtit” të këtij viti, ai vjen si ushtar grek dhe kur formacioni i tij ushtarak, sulmohet nga forcat tona, ai, sipas porosisë së dhënë, dorëzohet si rob lufte. Qëndron pak kohë në një kishë në zonat kufitare ku, i kishin grupuar robërit dhe me pas dërgohet në Lushnjë, ku ishte ngritur edhe kampi i grumbullimit të tyre.

Në periudhën kur ndodhej në Lushnjë, ai rekrutohet nga Sigurimi i Shtetit Shqiptar dhe dërgohet për t’u stërvitur në Nojë të Krujës, në fshehtësi të plotë, sipas kritereve të shërbimeve inteligjente të asaj periudhe, për t’u përgatitur si, agjent i Shqipërisë, me perspektive, për ta dërguar më pas si zbulues në Republikën Federale Gjermane.

Pas rekrutimit dhe stërvitjes, ai dërgohet si student i gjuhës ruse në Universitetin Shtetëror të Tiranës. Pikërisht kopertura e tij si bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit, i lejoi të vepronte për vite të tëra, i pa shqetësuar, për llogari të shërbimeve të tjera të huaja, në rolin e agjentit të shumëfishtë.

Poli-agjenti

Gjatë periudhës së mëvonshme, Cehaef, kontaktohet nga Zbulimet e Evropës Lindore dhe rekrutohet prej tyre, si agjent i shërbimeve sekrete sovjetike. Rekrutuesi i tij, sipas deponimit të Stathit ne hetuesi, është oficeri i shërbimit sekret gjermano-lindor Leopold Zajder. Për shkëmbimin e informacionit, ai mbahet në lidhje nga përfaqësuesi tregtar i Çekosllovakisë së asaj periudhe, Washek, që punonte si specialist i hekur-nikelit, në Ndërmarrjen Minerale të Eksportit, në portin ë Durrësit, ‘MINERALIMPEKS’.

Ndërkohë, sipas dëshmisë së tij dhe të informacionit të Zbulimit Shqiptar, shërbimet sovjetike, e kishin kaluar atë në dispozicion te Qendrës së Zbulimit që, e zhvillonte veprimtarinë e vet për llogari të Komandës së Traktatit të Varshavës.

Rekrutimi i të rinjve 

Stathi, ndërkohë ishte stabilizuar si profesor në shkollën e muzikës. Ai ishte mjaft i talentuar dhe zotëronte njohuri të gjuhëve të huaja. Stathi zotëronte 7 gjuhë, ndërsa kishte njohuri në rreth 22 të tjera. Gjuha e fundit që ai po mësonte, para arrestimit, ishte gjuha kineze. Stathi Cehaef, deponoi pas arrestimit se, sipas porosive të dhëna nga shërbimet lindore, ai mbante lidhje me të rinjtë dhe i përpunonte nëpërmjet komprometimit, me sende të ndryshme që, në atë kohë ishin tabu në vendin tonë, për të krijuar me pas kushte, për t’i rekrutuar nga shërbimet përkatëse.

Në bazë të porosive të dhëna nga “Qendra” për punën perspektive me të rinjtë, Stathi mblidhte në banesën e tij, një dhomë në katin e 4-të të një pallati në Durrës (që njihet si pallati i Dovanëve), të rinj të moshave nga 15 deri 20 vjeç, me pretekstin e kurseve të ndryshme, që zhvillonte me ta. U servirte atyre pije të huaja si Whisky, Campari, Martini e të tjera, apo cigare të markave Marlboro, Pall Mall, Dunhill etj., që në atë kohë ishin të ndaluara në vendin tonë. Gjithashtu i tregonte revista të ndryshme, deri te ato pornografike, që ndaloheshin me ligjin e asaj kohe.

Numri i të rinjve të cilët frekuentonin kurset muzikore dhe ato të gjuhëve të huaja të Stathit, ka qenë relativisht i lartë, por hetuesia, për shkak të bujës së madhe që kishte shkaktuar në popull kjo ngjarje, nuk i mori të gjithë në pyetje, por është mjaftuar vetëm me, hartimin e listave të tyre të marra nga deponimet e Stathit, si dhe listën e paraqitur nga pyetjet e të rinjve rreth tij, lista të cilat janë inkuadruar me pas që të dyja, në dosjen hetimore të Cehaefit.

Një pjesë e tyre, kanë dalë si dëshmitarë në gjyqin e zhvilluar në Gjykatën e Durrësit. Në dosje gjithashtu, përshkruhet sesi Stathi Cehaef, kishte krijuar lidhje me mësues, intelektualë të ndryshëm, mjekë, dhe së bashku, zhvillonin agjitacion e propagandë kundër pushtetit komunist. Gjithashtu, ai kishte një aktivitet të gjatë kontrabande, me çekët, polakët dhe mallrat që i merrte ,i shiste në Durrës .

Tregimi i një ish-nxënësi të Stathit

Luan Jaupi, tashmë 69 vjeç, ka qenë një nga nxënësit e Stathit në ato vite. Ai tregon se, ishte regjistruar në kursin e kitarës në Pallat të Kulturës, kurs të cilin e drejtonte Stathi Cehaef. Jaupi, ka dëshmuar në gjyqin e zhvilluar ndaj mësuesit të tij dhe lidhur me këtë, ai na njeh me intervistën e tij, që po e publikojmë të plotë në këtë shkrim.

Zoti Jaupi, kur dhe si e keni njohur Stathin?

Stathin, e kam e njohur në vitin 1970. Në atë kohë vendosa të mësoja kitarën dhe u regjistrova në kursin e Stathit në Pallatin e Kulturës “Aleksandër Moisiu” këtu në Durrës. Ai drejtonte kursin e kitarës dhe mandolinës. Isha 16 vjeç në atë kohë. Ai dinte të luante në të gjitha instrumentet, piano, violinë, kitarë etj.

Veç tyre, ai njihte shkëlqyeshëm një numër të madh gjuhësh të huaja e, për këtë arsye, drejtonte edhe kurse për mësimin e tyre. Unë u regjistrova në gjuhën Esperanto. Këtë kurs, ai e drejtonte në shtëpinë e tij që, ishte një dhomë e vogël, në një pallat në qytetin e Durrësit. Ai kishte lidhje me punonjës të huaj, kryesisht nga vendet e Lindjes, si: çekë, polakë dhe gjermano-lindorë, të cilët ishin vendosur në Durrës, për aktivitete ekonomike, në bazë të marrëveshjeve që vendi ynë kishte me vendet e tyre.

Prej tyre, ai siguronte pije, cigare, çokollata, çamçakëzë e të tjera sende, që mungonin në vendin tonë në atë kohë. Gjithashtu po prej tyre ai siguronte edhe revista ku bënin pjesë edhe revistat pornografike që pëlqeheshin nga të rinjtë. Ai ishte i abonuar edhe në një numër revistash shqiptare të asaj kohe si: ”Ylli”, “Në Shërbim të Popullit”, “Shkenca dhe Jeta” etj. Unë si koleksionues që jam, i blija krejtësisht numrat e ndonjë reviste, të të gjithë vitit. Ai dinte të fitonte para.

Pijet, cigaret, revistat, etj., jua servirte të rinjve, kur ata shkonin të ndiqnin kurset në banesën e tij. Duke qenë një ndër nxënësit e tij, kujtoj sesi i prisnim me gërshërë nga revistat pornografike, fotot e femrave lakuriqe dhe jua tregonim fshehtazi shokëve tanë. Më vonë, mësova se kjo ishte strategji e tij, për të rekrutuar të rinj, me qëllim spiunazhi.

Në vitin 1971, Stathi u arrestua nga organet e Sigurimit të Shtetit. Së bashku me të, u arrestuan edhe Mark dhe Terezina Dema, burrë e grua. Në gjyq, ata dolën ne vitin 1972. Unë u thirra në atë proces, me cilësinë e dëshmitarit, pasi kisha blerë prej tij, disa mallra të huaja.

Më konkretisht, pata blerë prej tij, një radio dore të markës “Cosmos M”. Radion, ma sekuestruan në Degën e Brendshme, duke menduar se mund të shërbente, si radio-transmetuese por, pas disa muajve, ma kthyen sepse, rezultoi se ishte radio e thjeshtë. Pata blerë gjithashtu prej tij, një ventilator zyre. Nuk dëshmova për revistat porno dhe pijet e cigaret e huaja, megjithëse Sigurimi, i kishte marrë vesh këto gjëra, nga të tjera burime, gjë që u reflektuan edhe në akuzën e ngritur ndaj tij.

Gjykimi i Stathit

Në korrik të vitit 1972, ka nisur procesi gjyqësor ndaj Stathi Cehaef. Trupa gjyqësore përbëhej nga: Kryetar Arzen Leskoviku dhe anëtarë Sopot Rustemi dhe Pashk Baçja. Hetues, ishte Llambi Gjoni. Në këtë proces, dëshmuan rreth 17 të rinj. Organet kompetente të asaj kohe, kishin në dispozicion, listën e plotë të dëshmitarëve në hetuesi, si dhe në gjyq, ashtu si dhe listën e të rinjve, kandidatë për rekrutim, të cilën Cehaefi, e kishte paraqitur për miratim. Nga ky gjyq, Stathi Cehaef u dënua me 25 vjet burg, me akuzën për:

– Spiunazh
– Agjitacion e propagandë në bashkëpunim me persona të tjerë.
– Kontrabandë
– Pornografi

Në periudhën e burgimit, ai nuk është keqtrajtuar në hetuesi. Policë shërbimi, por edhe të burgosur, kanë deklaruar se kur erdhi një periudhë kohe, në burgun e Degës së Punëve të Brendshme në Durrës, për të gatuhej në mënyrë të veçantë. Atij i dërgohej ushqim special. Madje, mbahej nën kontrollin e mjekut për arsye se, ishte i sëmurë me diabet, luks që nuk e kishin të burgosurit e tjerë.

Kujtimet e një ish-oficeri të Sigurimit, për Stathin

Rreth veprimtarisë së Stathit, një ish-oficer i Shërbimit Sekret Shqiptar të Zbulimit, me përvojë disavjeçare pune kundër shërbimeve të huaja, në sektorin e Turizmit, ka hedhur në letër disa kujtime, të cilat sjellin edhe disa nga metodat e ndjekura, për ta vënë nën kontroll, aktivitetin e tij armiqësor kundër Republikës Popullore të Shqipërisë.

Ai shprehet se; Stathi Cehaef, ka qenë një nga agjentët më të spikatur të fuqive të huaja që, kanë zhvilluar veprimtari të suksesshme në vendin tonë. Ai kujton se, për të grumbulluar të rinjtë, Stathi, shfrytëzonte autoritetin e madh që kishin mësuesit e asaj periudhe, tek nxënësit dhe prindërit. Aktet që u konstatuan më vonë, kanë qenë produkt i këtij mirëbesimi, pasi prindërit, nuk shqetësoheshin nga shoqëria e nxënësit me një mësues.

Ish-Oficeri tregon se, shenjen e parë të dyshimit për Stathi Cefaefin, organet e Kundërzbulimit Shqiptar (Sigurimi i Shtetit), e morën nga një prind, i cili denoncoi faktin se, mësuesi kishte filluar të interesohej, mbi transportin që zhvillonin anijet e Flotës Tregtare. Personi që denoncoi, K.XH. kishte qenë oficer, komisar i një grupimi baterish kundërajrore dhe me pas, kishte kaluar në Flotën Tregtare. Menjëherë, sapo i biri i kishte treguar se çfarë kishte biseduar me mësuesin e të rinjve, ai kërkoi takim, me kryetarin e Degës së Punëve të Brendshme dhe e denoncoi mësuesin.

“Denoncimi, – kujton ish-oficeri tashmë në pension, – u ruajt i fshehtë dhe që atëherë, Cehaefi u mbajt nën vëzhgim të pandërprerë. Gjatë kësaj periudhe ai u ndoq, u fotografua dhe u incizua. Atij i u dokumentuan takimet agjenturore edhe me polakët, çekët, etj. Shkëmbimin e informacionit e bënin në shkallën e brendshme të ish PTT-së 5-katëshe të asaj periudhe, të Durrësit. Njëri ulej, tjetri ngjitej dhe në shkallë, kur nuk kishte asnjë njeri, shkëmbenin zarfet”.

Në stafin e afërt të tij, me kombinacion, u fut edhe një agjent i Sigurimit te Shtetit. Me pas, ai u përpunua edhe me dy të tjerë, babë e bijë. “Kur u arrestua Stathi, hetuesia kërkonte që të merrte në pyetje agjentin me të bijën, por duke qenë bashkëpunëtorë të Sigurimit, u desh ndërhyrja e Sekretarit të Parë të Komitetit të Partisë së rrethit, shokut Iljaz Reka, -kujton ish-oficeri Shërbimeve Sekrete, – me qëllim që të lejohej pyetja dhe me pas ballafaqimi hetimor, para të cilit Stathi, me gjithë inteligjencën që e karakterizonte, mbeti i zbuluar”. “Një periudhë kohe ai u nënvleftësua nga punonjësit e Sigurimit, duke menduar se, ishte njeriu i tyre, më pas ishte ai që i nënvleftësoi ata, se sa të aftë ishin, dhe nga kjo pësoi disfatë”, shkruan ish-oficeri.

Arrestimi 

Stathi u arrestua më 5 nëntor, 3 ditë para festës së themelimit të Partisë Komuniste Shqiptare, pasi kishte arritur në organet e Shërbimeve Sekrete, (sigurimi i Shtetit), një e dhënë se po organizohej diçka me rastin e festës…! Nga të gjitha ato kurse që ai kishte organizuar, me të rinjtë, na bëri përshtypje në kontrollin e banesës, fakti se ai, si vegël pune në shtëpi, kishte pasur vetëm një violinë…! Dhe një broshurë në përkthim e sipër, mbi jetën e Rikard Sorges.

Ish-oficeri i Shërbimeve Sekrete, kujton se, Stahi ishte mjaft i zgjuar dhe i studionte njerëzit shumë mire, përpara se të gjente pikat e tyre të dobëta. Një violinisti shumë të talentuar, i kishte premtuar që, ta dërgonte për studime në Francë, por kjo nuk u arrit sepse, informacioni mbi ç’kërkonte ai, kishte ardhur paraprakisht dhe kjo e dogji atë, pasi nuk u fut në listë fare.

Për dikë tjetër, interesohej t’i dilte e drejta e studimit, madje edhe shpenzonte për t’i ndihmuar të rinjtë në nevojë. Interesimi kryesor i tij, mbetej njohja me fëmijë të oficerëve dhe kuadrove kryesore, me perspektiva studimi dhe karriere. Ai kishte krijuar lidhje, deri me fëmijë të njerëzve që bënin pjesë në shtresat e larta të nomenklaturës komuniste.

Fundi i agjentit

Stathi, ka vdekur në vitin 1978 në burgun e Ballshit, gjatë periudhës kur ai punonte në bibliotekën e këtij burgu dhe merrej me përkthimin e literaturës profesionale, nga shërbimet e huaja, për Shkollën e Lartë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Shqipërisë…! Raporti mjeko-ligjor, përcakton si shkakun e vdekjes, një atak kardiak, por ky është edhe misteri i fundit i spiunit që, shumëkush mund ta dëshironte të vdekur…!

Ai mbeti agjenti më i përfolur në Durrës, për metodat e komprometimit që ka përdorur me të rinjtë. Në këndvështrimin e oficerëve të Shërbimeve Sekrete Shqiptare që, janë marrë me aktivitetin e tij armiqësor, kundër vendit tonë, mbetet një agjent nga më të suksesshmit që, kanë pasur veprimtari spiunazhi në Shqipëri. Atëherë u tha se: Stathi u varros brenda burgut, por nuk përjashtohet mundësia që, ai të jetë shkëmbyer me ndonjë agjent që, i interesonte vendit tonë e, që mbahej nga shërbimet e vendeve fqinje…! Memorie.al

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/ne-shtepine-e-tij-ne-durres-ai-mblidhte-femije-per-kurse-dhe-u-jepet-cigare-te-huaja-cokollata-revista-historia-e-mesuesit-grek-qe-u-burgos-si-agjent-e-vdi/