“Në Shqipëri, jeta e njeriut vlen shumë pak, më pak se gjysma, madje më pak se ngritja në ajër e një helikopteri, apo aparatura e munguar e një ambulance…”/ Refleksionet e emigrantit, pas humbjes së shokut të fëmijërisë

Nga Dodë Melyshi

Memorie.al /Ne me Kastriotin qemë shokë fëmijërie. Bashkëmoshatarë. Tetë vite në një klasë. Fillimi i viteve ’90-të na ndau të gjithëve dhe në shtete të ndryshme. Prandaj qysh atëhere e kisha takuar rrallë, shumë rrallë. Me përshëndetje kalimthi e nxitimthi, ashtu sikurse vetëm emigrantet në turra-vrapin e kohës, përherë të pamjaftueshme, dinë të bëjnë. Këtë gusht qe ndryshe. Dy mëngjese rresht, pimë kafe në Rrëshen. Jo aq gjatë sa për t’u thelluar, por mjaftueshëm për ta kuptuar. E për të kuptuar pse kishte mijra e mijra ndjekës në rrjetet sociale. E për të kuptuar projektet e tij, që përqendroheshin përpos të tjerash edhe tek një kanal-tv live, në rrjet.

Me një gjuhë të thjeshtë, të sinqertë, esenciale e të drejtpërdrejtë, promovuese, me një ironi të hollë e të shëndetshme, kishte kuptuar diçka që shumë të pluri-diplomuar, nuk arrijnë kurrë të kuptojnë: si arrihet tek masa! Si arrihet tek shija, nevoja, emocioni dhe dëshira e njeriut të thjeshtë?!

Si arrihet të marrë përparësi binomi: vendlindje-komunitet?

Dëshmi e faktit se talenti, gjenialiteti dhe shpirti krijues, para se të mësohen nëpër shkolla e universitete, lindin bashkë me njeriun.

Koherent e transparent me vetët-veten e me të tjerët, elementë kryesore për të përcaktuar suksesin edhe në iniciativa të lavdërueshme humanitare. Veti që pak kujt i përkasin.

Kur mësuam lajmin e vdekjes së tij, qemë në makinë bashkë me Tanushin, bashkëmoshatarin e shokun tim të ngushtë. I përshkuam ato 15 km. rrugë që kishim programuar, si të mpirë. Te paaftë me fol, vetëm me shkëmbimin e ndonjë rrokje. Nuk e besonim!

Ndërroi jetë para pak ditësh.

E kishte “tradhtuar” zemra, dy herë, – na thanë. Por na ngelet një dyshim i ligjshëm dhe këmbues në tru, se e kishte tradhtuar edhe mungesa totale e një sistemi shëndetësor në Shqipëri, ku ne vend të parë, vendos jetën e njeriut.

Ne çdo vend të Europës apo edhe të Ballkanit të kishte qenë ai djalë, do kishte shpëtuar, padyshim.

Në Shqipëri jeta e njeriut vlen shumë pak, më pak se gjysma. Më pak se ngritja në fluturim e një helikopteri, më pak se aparaturat e munguar të një ambulance. Shpesh herë vlen zero.

Mjafton të futesh në një farmaci të thjeshtë dhe kupton absurditetin e shëndetësisë shqiptare. Sikur më ndodhi pak ditë më parë. Para meje një burrë jo akoma i vjetër. Kërkoi ca asparina. “A don edhe takipirina?” – i thotë farmacistja. Njiheshin natyrisht, por kjo s’do të thotë asgjë. Ai i herë tha: jo, jo, pastaj në mëdyshje i tha po.

Farmacistja ndau ca kokrra dhe i’a dha. Se atje farmacitë nuk shiten vetëm me pako por edhe me kokrra, apo qeska. Njëlloj si në vitin 1990, kur në pak më shumë se adoleshentë, mendonim të krekosur t’i tregonim botës, se dimë të tymosim cigare, tek kioska para gjimnazit që një shitëse, që shiste cigare të hapura, me numër, pa paketë…!

“A don edhe takipirina?” – i tha farmacistja zotnisë. Ngela pa fjalë. S’u durova, e i thashë atij, se; takipirinat s’janë karamele, e ndoshta duhet ndonjë recetë kardiologu për to…!

Kështu është Shqipëria jonë.

“Ka rënë shteti këtu” – është rituali i përditshëm që dëgjohet në gojën e gjithsecilit. E dallon tek shëndetësia, tek rendi, tek mungesa e vizionit për të programuar një të ardhme dinjitoze, tek babëzitja e paskrupullt të atyre që e qeverisin. Shteti ka rënë, e vendi po braktiset, masivisht.

“E shikon, këtu s’ka më rini, as çifte të reja, s’ka as gra që lindin brez të ri. Po ikin jashtë të gjithë”, – më tha një shok.

Mbi tragetin e të dielës së parafundit të gushtit, që shënonte atë që ne quajmë “mbylljen e pushimeve verore”, ndërsa vallëzonte mbi ujërat blu të Adriatikut, drejt Italisë, pikërisht mbi ato ujëra mes qiellit e detit, mendimi më shkoi tek shoku im i fëmijërisë që u “dorëzua” pesë ditë më parë!

E mendimi tjetër tek bindja që po lija pas krahësh, një shtet in-ekzistues, në këmbë, sa për sy e faqe, pre e çakejve dhe matrapazëve, të rrënuar qysh në strukturim. Bashkë me sistemin e tij shëndetësor, frikshëm të padenjë! Memorie.al

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/ne-shqiperi-jeta-e-njeriut-vlen-shume-pak-me-pak-se-gjysma-madje-me-pak-se-ngritja-ne-ajer-e-nje-helikopteri-apo-aparatura-e-munguar-e-nje-ambulance-refleksionet-e-emigrantit/