“Në qoftë se, me bjen shkues Përtenën, cucën e ke t’marrme’ – kishte than Preng Gjeta, t’uj i caktu hasmin e tij me i trokit n’derë, për me kërku vajzën ma t’mirë…”! Një histori e vërtetë, në kufijtë e legjendës

Nga Dodë Melyshi

                                  -Pesha (mitike) e fjalës në Mirditë…!-

Memorie.al / “Në qoftë se më bjen shkues Përtenën, cucën e ke t’marrme” – kishte fol Preng Gjeta. – “I fjalë goje”, duhet të ketë mendu miku nga Geziqi. Me Përtenajt, ishin në një hasmëri të ashpër dhe të freskët. Dhe pikërisht prej tyne, fort po ruheshin, familjarisht. Ngjarja i përket rreth fillimit të shekullit të kaluam (diku kah viti 1900). Pellgu i Rreshenit, përfshi Kodrën, kishin miqësi të kultivume e të shumëfishta me Gziqin në veçanti, njëlloj si me gjithë zonën përtej lumit Fan i Vogël, në përgjithesi. Lumi qe ndante dy krahinat: Kthellën (asokohe e quajtun Thkelle) si bajrak e si krahinë, me Mirditë (historikisht e njohun, si; Mërditë). Gëziqin (Gziq), me Rrëshenin (Rrshe), i ndajnë ma pak, se dhjetë kilometra.

Atë dite pranvere gjysëm paradite,miku nga Geziqi,bashkë me i shoqërues të tij, në formë ndërmjetësi,i ishte drejtuar pikërisht kullës së Melyshajve. Me mundim dhe me përkujdesje të tepruar pikërisht prej hasmërisë që mbante në kurriz. Kërkonte për një djal dorën e vajzës së familjes ku ishte drejtue.

Vajza quhej Martine. Martinja e bajraktar Bardhok Dodës. I bie në renditje brezash, të ishte halla e gjyshit tonë. E cila në Derë të prindve, është thirrur përherë: “Nanë Tinja”. Duke pasur në mes katër breza, natyrisht që ka ndërruar jetë, para ardhjes së brezit tim.

Por aq shumë kam nigju të flitet për nanë Tinen, me aq dashamirësi, respekt dhe admirim, saqë e i imagjinoj si një enciklopedi lëvizëse, grue me një mendje më shume se t’hollë, e një kujtesë të hekurt. Një rrfimtare ekselente dhe një njohëse e shkëlqyer e historive të Zonës. Po ashtu edhe e rregullsisë, normave dhe dokeve zakonore. Një edukuese e motivuese e pashoqe. Shembull unik, jo vetëm për graninë por, edhe për burrnimin e brezave që pasuan.

Një pikë referimi, vlerash dhe principesh. Aq shumë kam nigju t’ flitet për Nanë Tinën në kullat tona që nga fëmijëria e hershme, deri me sot, aq më mjafton vetëm ky fakt i vetëm, për të kuptue forcën dhe peshën specifike që ka pas gruaja mirditore, brenda familjes së saj.

Një peshe disi e heshtun, e padukshme, e përkorë, pa protagonizëm e vanitet, në dukje çdo herë një hap pas burrit, në respekt të tij, por e një randsie dhe dinamike vitale, në jetën e familjes, njëlloj, në mos ma tepër se e burrit, në shumë raste.

Aq shumë kam nigju të flitet për Nanë Tinën, saqë njeriu i konsideron me fat, të gjithë paraardhësit që e patën njohur…!

Preng Gjeta, ishte zot shpie te Melyshajt, duke qenë se Bardhok Doda (i kushrini), nuk jetonte ma.

Nuk duhej t’i kishte ardh mirë nga kjo kërkesë. Ndoshta sepse për vajzën ma t’përzgjedhur t’Zjarmit, pretendimet i mbante lart. Apo ndoshta me s’shumti se me Përtenajt, kishte një dashamirësi dhe shkuellik të trashëgum ndër breza dhe shumë të sinqertë.

E nuk i dukej gjë e vyer me ba mik të ri, armikun e dashamirëve të vet.

Preng Gjeta, ka ngelur në kujtesën e bashkëkohësve të tij, si një burrë shumë mendjehollë. Thuhej se vetë Pinc Preng Bibë Doda, kur organizonte kuvendimet dymbëdhjetë-bajrakeshe, sigurohej ma par për prezencën e këtij të fundit, para se me fillu. Aq shumë e vlerësonte.

E kështu që atë mes paradite pranverore të para 130 vitesh, i zoti i shpisë kishte dhanë një formë sentence:

“Po të shënoj për shkues Gjon Përtenën (për emrin s’jam shume i sigurt; Gjon apo Gjin, apo edhe ndryshe), n’dash me u ba mek (mik) me mue”! Duke apliku një kod komunikimi që vetëm mirditorët dinë ta përzgjedhin, përpunojnë e servirin.

Miku nga Gziqi, do kishte dashur ndoshta, ma mire me dëgjue një; “Jo, të faleminers” të prerë, sesa një kushtëzim të tillë, të pamundun.

Thithi m’at duhan ma të hidhur se kurrë. Edhe kafja me gotën e rakisë, ashtu do i jenë dukur.

Uroi “lamtumirë kësaj ndeje”, me falenderimin protokollor përkatës, e u çue e doli vrik. Mori plot hidhërim e mendime rrugën e kthimit për Gziq, udhë e nan udhë, duke u ruajt nga përndjekja e hasmit.

Kulla e Përtenajve, me atë të Mëlyshajve, gjendeshin në një distancë ma pak se një kilometër. E të dytëve në hyrje të Katunit e, të parëve gati në dalje, afër kishës.

Kishin kalue vetëm pak ditë nga fillimi i ngjarjes, kur t’u dera e Përtenajve, thërret: “o i Zoti i shpisë”! i za burri. Dalin me hap shtegun. Kush mund t’a besonte?! Ishte bash hasmi nga Gziqi…!

Rrugë e pa rrugë, t’u hap jo dy, po katër sy, t’u u ruejt fort nga frika e, t’u i dhanë shumë kurajo vetvetes, kishte arrit me hy në territorin e Përtenës. Të cilët po e kërkonin në qiell, e u kishte mbi n’tokë. Madje u kishte mbi para Derës së Kullës.

“Baje Zot andërr”. Durimi i ndonji djali të ri të shpisë, kishte kapërcye limitet e, gati me pushk n’ dorë, për me e shkrep. Por kjo gja, ishte e pamundun.

Hasmi tashma gjendej mrenda oborrit. Konsiderohej në Besë.

Rregullat kanunore të Veriut, e përjashtonin një vrasje të tillë. Kategorikisht. Nga momenti që kishte trokit t’u dera, hasmi, për atë pak kohë sa do qëndronte, do duhej trajtu si një mik dosido. Shtrëngo dhambët, armatosu me durim e, respekto ligjin. Mos u turpno. Mos u korit me t’pa bame. Ky ishte një kod i pacenum, rranjosun në mendësinë e mirditorit.

Kush e shkelte, kush e nëpërkëmbte, mbulohej me turp ndër breza.

Turpi për Mirditën, ishte ma zi se vdekja! Shumë ma zi se vdekja.

Kreshtëkuq hasmit tashmë, i hapet dera. E i bahet vendi në krye të oxhakut. Si të një miku. Habia ishte edhe ma e madhe, se zemërimi. Edhe kur fiset në hasmëri, merrnin niciativa paqëtimi dhe faljeje, bahej përherë përmes ndermjetësimesh njerëzish të rrespektuar, nga të dy palët. E aspak drejtpërdrejt. Ndaj kërsheria me kuptue “çmendurinë” e geziqësit, ishte e fortë.

“Nesër je i lirë me m’vra, kur te duesh. Por sod të jam mësye për mek (mik). Kam kerkue një cucë tek Mëlyshi, e ato të kanë shenue ty për shkues. N’ta marrte mendja, me me pri, jam n’dorën tande. Nesër me kismet, t’u baftë pushka top”! -i foli i gëziqesi Gjon Përtenës.

Ky kishte ngel pa fjalë e, pa asnjë përgjigje. E’ në mpirje totale. Janë disa dekika (sekonda), që shpesh herë përcaktojnë jo vetëm jetën e njeriut, por edhe të familjeve. Madje edhe të shoqërisë mbarë.

Janë disa dekika që kanë një bekim gati hyjnor, në përmbatjen e tyre. Lum kush i rrok. Lum kush guxon dhe rrok momentin.

Në ato dekika në mendjen e Përtenës, duhet të jetë përpunuar ideja se hasmi nga Gziqi, nga momenti që kishte pasur guximin me i trokit n’ derë, ishte njeri me fat. Kishte rrok sekondin!

Pa guxu, nuk fitohet. Ka rreziku aq shumë e, pikërisht bash për ktë arsye, meritonte të shpërblehej. Pavarsisht se hasëm.

Duke kapërcy mos aprovimin dhe kundërshtinë energjike të njerëzve të tij, vendos të veproje. Burri n’za, në kësi rastesh e rrethanash njihet. Vepron me njetin personal…!

Një orë ma vonë, në oborrin e Mëlyshajve, shfaqen siluetat e dy burrave. Përtena para e, miku i ri nga Gziqi, që e ndiqte.

Preng Gjeta fërkon disa herë sytë. Nuk besonte kurrë atë që po shifte. I dukej ma shumë se andërr!

Pa iu kthye asfare përgjigje përshëndetëse dhe mirëseardhje, i thrret me ton, Përtenës: “A s’te qëlloi asnji fyshek t’u shpia, o Gjon?! Apo t’u ligj ora”?!

“As njana, as tjetra, – i përgjigjet Përtena. – Por m’ befi t’u Konaku. E në derë të shpisë, respektohet edhe hasmi. Me Kanu”!

“Po unë tash, ça të baj me ta?! Ka t’i jap”?! – vazhdoi ritin e tij Preng Gjeta.

“Ti, para se me m’ shënue për shkues, t’ishe menue mirë. Tash m’ke shënue. Unë jam këtu, si ndërmjetës e garantues. Fjala asht fjalë e, s’hahet. Fjala ka peshën e vet, e din ma mirë se une…! Duhet me i dhanë cucën”! -foli Gjoni…!

Kështu u fejua Martinja e Bardhok Dodës, në Geziq.

E kjo fejesë, u ba shkak anësor për mbylljen e një hasmërie të ashpër, mes dy fiseve.

Pesha mitike e fjalës, n’ Mirditë!

Por jo vetëm kaq. Forca e barazisë!

Kanunore. Besa. Mikpritja. Guximi dhe nuhatja e mirditorit. Aftësia me ndeshkue. E akoma ma tepër, aftësia dhe guximi edhe me fal. Përkthyer në një burim dhe miks historishë të pashoqe. E të pa krahasuara, në asnjë kënd të Shqipërisë. Madje në asnjë kënd të Botës.

Vështirë të kemi dinamika të tilla zhvillimesh historike. Histori që ngjizen me legjenda, i kapërcejnë ato, projektohen në qiell si mite, dhe kthehen në toke si të vërtet absolute. Të pa kontestueshme.

Miti i tharmuar, me hyjnoren.

Dëshmi krenari-mbushës e brezave që paraprinë. E që kapërcejnë çdo lloj mitologjie!

Shënim:

-Fotoja ilustruese, është e Franc Nopçes.

-Bajraku i Kthellës, njeh dy bajraktarë: Mëlyshin dhe Shtinë. Që mbanin flamurin me rend, një vit njëri, një vit tjetri. Memorie.al


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/ne-qofte-se-me-bjen-shkues-pertenen-cucen-e-ke-tmarrme-kishte-than-preng-gjeta-tuj-i-caktu-hasmin-e-tij-me-i-trokit-ndere-per-me-kerku-vajzen-ma-tmire/