“Në Nivicë e Shënvasi, s’ka pasur asnjë spiun e ballist, prandaj sa të jem unë anëtar partie, s’do lejoj të arrestohet asnjë nga bashkëfshatarët e mi…”/ Historia e panjohur e Dino Martikos

Nga Thanas Gjika

Pjesa e dytë

Portret-biografi, kushtuar Dino Thanas Martikos

Memorie.al / Gjatë historisë kombëtare të popullit shqiptar, janë shquar shumë burra e gra, për guximin me të cilin i kanë kundërshtuar padrejtësitë dhe urdhrat e padrejta të sunduesve të huaj ose vendës. Kjo dukuri, ka qenë e përhapur në shekuj, por edhe gjatë viteve 1944-1991, kur sundoi diktatura komuniste. Mirëpo politika terrorizuese dhe propaganda e partisë-shtet, e detyronte popullin që të vlerësonte si trimëri, servilizmin ndaj partisë e pushtetit. Qëndrimet e guximshme të atyre që kundërshtonin politikën e Partisë, ose veprime të gabuar të kuadrove të Partisë e të pushtetit, dënoheshin me burgime, internime, pushkatime, etj.

                                                           Vijon nga numri i kaluar

Ushtria greke pas disa muajsh u tërhoq nga territoret shqiptare, sepse në luftë kundër saj, hyri ushtria gjermane, aleatja e Italisë Fashiste. Me rikthimin e ushtrisë italiane në Sarandë, u rihap dega e Bankës së Napolit, ku Dinua u ri-punësua si llogaritar kontabël. Në vitin 1942, djaloshi Martiko u martua me zonjushën Sofia Gribizi, që kishte mbaruar gjimnazin Femëror të Korfuzit, qyteti ku ajo kishte lindur e qe rritur. Babai i saj, Vangjel Gribizi, një minoritar grek nga Poliçani i Gjinokastrës, pasi kishte punuar disa vjet në Amerikë, si kurbetli, ishte kthyer dhe qe instaluar në Korfuz, ku së bashku me një grek vendës, hapi kafenenë “Mavros Gatos”, që u bë shumë e njohur.

Që përpara se të ndodhte pushtimi italian, gjatë jetës si konviktor te Shkolla Tregtare dhe më vonë gjatë viteve të punës në Vlorë, si sekretar, Dinua kishte rënë në kontakt me idetë komuniste, që përhapnin Anastas Lulua dhe Sadik Premtja. Si i ri që kishte rezerva ndaj regjimit të Monarkisë, i pushtuar dhe nga formula e idealistëve të kohës: “Të ndërtojmë një botë më të mirë”, Dinua e simpatizoi Lëvizjen Komuniste, si një lëvizje që mund të sillte krijimin e një sistemi shoqëror më të mirë. Faktikisht, ai dinte pak për komunizmin si ideologji. Kishte lexuar italisht “Manifestin Komunist” të Karl Marksit dhe disa pjesë të veprës “Kapitali”.

Kështu, kur filloi Lëvizja Antifashiste, ai ishte një simpatizant i krahut të majtë, të kësaj lëvizjeje. Madje në vitin 1942, ai u bë dhe anëtar i Partisë Komuniste Shqiptare. Karabinieria italiane e kërkonte për ta arrestuar dhe e kapi dy herë, por e lëshoi shpejt, sepse në hetuesi, ai tregohej i vendosur për të kundërshtuar akuzat që i bëheshin prej informatorëve të Shërbimit Informativ të Ushtrisë Italiane, SIM-t. Ai nuk pranoi asnjë akuzë dhe nuk dekonspiroi asnjë nga shokët.

Aktivitetet e para të komunistëve të Bregdetit dhe të Kurveleshit, filluan me përpjekjet për pajtimin e gjaqeve dhe shuarjen e armiqësive midis fshatrave. Dinua, kryesonte pothuaj të gjitha mbledhjet në bashkëveprim me komunistët e Kuçit, personalisht me Jaho Gjolikun, që ishte mik familjar i Martikove. Në marrëveshje edhe me Hysni Kapon, Dinon e emëruan kryetar të Frontit Antifashist Nacional-Çlirimtar të Bregut të Sipërm, që përmblidhte fshatrat: Nivicë-Bubar, Shënvasi, Lukovë, Sasaj, Piqerras e Borsh.

Në një nga këto takime në Kuç, ai shfaqi dëshirën për t’u inkuadruar në një çetë partizane. Hysni Kapua dhe Jaho Goliku, të cilët ia njihnin Dinos aftësitë si orator dhe emrin e mirë që kishte në popull, ngulën këmbë që ai të kryesonte propagandën në Bregun e Sipërm. Hysniu e mbylli bisedën me fjalët:

“Dino, po të vish në mal, na shton vetëm një partizan, kurse po të punosh në terren, do na shtosh shumë partizanë”. Dhe vërtet kështu ndodhi. Nëmuri i partizanëve bregdetas, u rrit ndjeshëm. Për nga influenca në popull, fshatrat e Bregdetit, nga Palasa deri në Nivicë-Bubar, ndaheshin në atë kohë midis Dino Martikos për Bregun e Sipërm dhe Zaho Kokës për Bregun e Poshtëm.

Përplasje me kuadrot komunistë, gjatë Luftës Antifashiste

Enver Hoxha, udhëheqësi i PKSH-së, i detyruar prej Miladin Popoviçit, e hodhi poshtë Marrëveshjen e Mukjes dhe më 10 shtator 1943, me anë të shkresës sekrete të firmosur me pseudonimin “Shpati”, e shpalli ‘Ballin Kombëtar’ “organizatë tradhtare dhe bashkëpunëtore të pushtuesit”, ndonëse kjo organizatë, nuk kishte kryer ndonjë tradhti dhe bashkëpunim me pushtuesin. Gjithashtu në po këtë shkresë, ai i urdhëroi organizatat bazë të partisë, që të detyronin formacionet e ushtrisë partizane, të mos kryenin më asnjë aksion të përbashkët me forcat e ‘Ballit Kombëtar’, por t’i luftonin këto pa kompromis si armike.

Mbas këtyre vendimeve, ai filloi t’u kërkonte forcave partizane të kryenin aksione të armatosura kundër pushtuesve të rinj gjermanë, që po zëvendësonin ushtrinë italiane. Këto nisma kishin disa synime: Nga njëra anë mbulonin ‘Ballin Kombëtar’ me namin e keq si organizatë tradhtare, nga ana tjetër, u tregohej aleatëve të mëdhenj, se vetëm ushtria partizane po luftonte kundër gjermanëve dhe po i detyronte këta, që të mbanin në Shqipëri, sa më shumë forca të armatosura. Këto nisma kishin dhe një synim tjetër djallëzor: aksionet goditëse kundër forcave gjermane, do të pasoheshin nga hakmarrja e tyre, pra do të vriteshin njerëz të pafajshëm dhe do të digjeshin fshatra e shtëpi. Populli i mbetur pa shtëpi, do të shkonte të mal të bashkohej me partizanët.

Në fund të shtatorit 1943, komandanti Jaho Gjoliku, miku i familjes Martiko, mori kontakt me Dinon dhe pa e zgjatur hyri në temë: “Partia dhe Komanda, të vlerësojnë shumë për partizanët që i ke dërguar deri sot në male. Por, Partia ka nevojë për më shumë partizanë, prandaj kërkohet prej teje, të mbledhësh forcat territoriale dhe me to të bëhet një aksion kundër forcave gjermane. Mund ta bëni diku midis Nivicës dhe Shënvasisë. Ky aksion, do të ngrerë prestigjin e zonës por edhe tëndin. Nga reprezalja që do të kryejnë gjermanët, populli do të revoltohet dhe do të mbushë malet me luftëtarë”.

Dinua, uli kokën dhe u përgjigjej prerë: “Jooo! Në asnjë mënyrë nuk pranoj të zbatohet ky urdhër! “Është urdhër nga lart dhe ti e di që nuk mund të kundërshtohet”. Ia ktheu Jahua, i habitur nga reagimi i Dinos dhe shtoi: “E përse e shikon si të pazbatueshëm, këtë urdhër”?! “Aksioni, – filloi të sqarohej Dinua duke e parë në sy mikun, – do të sjellë hakmarrjen e gjermanëve. Do të vriten njerëz të pafajshëm, do të digjen shtëpi, plaçka dhe të lashtat. Fshatarët në vend të afrohen me Partinë dhe Lëvizjen, do të largohen. U thuaj shokëve të komandës, se ky aksion do të ngjallë urrejtje dhe jo dashuri në popull. Unë nuk mund ta marr përsipër zbatimin e këtij urdhri. Shënvasia dhe Nivica, janë fshatra të pasur. Nuk janë si fshatrat e Labërisë, gurë e shkëmb. Aksioni do të ketë kosto të lartë ekonomike, por edhe politike”. 

Jahua, duke i hedhur krahun në qafë, shtoi: “Ke të drejtë. Ma ktheve mendjen dhe mua. Do t’u them shokëve në mal që të mos kryhet ky aksion”. Mirëpo në qershor të vitit 1944, kur Dinua ndodhej në Korfuz, pranë gruas dhe vajzës së porsalindur, udhëheqja e partisë, vendosi në mungesë të tij, të organizohej një aksion kundër forcave gjermane.

Goditja u krye midis Shëvasisë e Nivicës dhe të dy fshatrat u dogjën. Është një ngjarje që njihet me emrin; “Masakra e Hondrovunit”. Në kohën që gjermanët po kryenin pushkatimin e 52 burrave niviciotë, e shënvasiotë dhe po hipnin mbi makina për t’i internuar 90 të tjerë, gratë dhe nënat e tyre, vunë kujën për të qarë gjëmën që ndodhi, por jo për të lëvduar aksionin partizan.

Midis viktimave që u pushkatuan, ishin dhe disa të afërt të familjes Martiko dhe vetë dajua i Dinos. Kurse një muaj më pare, gjermanët kishin vrarë vëllanë e tij, Aristidhin, bashkë me disa fshatarë të tjerë, që i kishin kapur rob në Sasaj. Prej këtij grupi, mundi të shpëtonte vetëm vëllai tjetër i Dinos, Ndrekua. Ky e nuahti se gjermanët nuk do t’i falnin, po do t’i vrisnin si hakmarrje ndaj aksionit partizan, prandaj realizoi me zgjuarsi arratisjen e tij.

Në Bregdet, një masakër si ajo e Hondrovunit, u krye edhe në Vuno. Fshati u dogj, si pasojë e kundërveprimit të gjermanëve që u sulmuan gjatë tërheqjes nga Greqia. Kurse në Dhërmi, kryeplaku i mençur, së bashku me disa fshatarë, u doli përpara forcave gjermane dhe i priti me fjalët: “Mund të kaloni të qetë, ne nuk kemi partizanë”. Dhe gjermanët kaluan pa shkaktuar dëme në Dhërmi e Palasë. Aksionet e tilla të forcave partizane, me disa të shtëna pushkësh, sillnin vrasjen e disa ushtarëve gjermanë, por nga ana tjetër, shkaktonin dëme të mëdha në popullin tonë me vrasje njerëzish, djegie shtëpish e fshatrash, zhdukje bagëtish, djegie të të lashtave në ara, etj.

Këto aksione i shërbenin më shumë Enver Hoxhës sesa vetë luftës. Ato i dhanë Enver Hoxhës kapital politik, sepse me to ai fitoi besimin e emisarëve jugosllavë dhe të përfaqësuesve ushtarakë të aleatëve të mëdhenj, se ai ishte njeriu më besnik i tyre dhe më i përshtatshëm, të cilit pas mbarimit të luftës i duhej besuar pushteti. Dhe kështu ndodhi…! Sot, pas 75 vjet nga përfundimi i Luftës Antifashiste, është e nevojshme që t’i jepen kësaj lufte vlerat që ajo ka vërtet dhe të hiqet dorë nga glorifikimi i saj me gënjeshtra e zbukurime. Në tekstet e Historisë së Shqipërisë, nuk ka arsye përse të vijojë fryrja e disa ngjarjeve të luftës, për të glorifikuar udhëheqësin e PKSH-së dhe komandantët ushtarakë.

Shumë nga këto gabime dhe krime, u pranuan në nëntor 1944 në Plenumin e Beratit dhe atyre fjalimeve ia vlen t’u rikthehemi edhe sot. Deri më sot, nuk iu kërkua kurrë falje popullit, për urdhra të gabuar, për shpalljen e ‘Ballit Kombëtar’ “tradhtar e bashkëpunëtor i pushtuesit”, kur ai ende ishte aleat me forcat partizane dhe ky akt i udhëheqësit të PKSH-së, i shtyu shumë forca balliste të bashkëpunonin vërtet me pushtuesin gjerman. Të tilla analiza dhe objeksione, si dhe kërkesa e të falurit për gabimet e krimet e kryera, nuk u bënë as gjatë 47 vjetëve, kur sundoi partia shtet, dhe nuk po bëhen as gjatë këtyre 28 vjetëve, kur shërbëtorët besnikë të klanit Hoxha, e shajnë sistemin komunist, por nuk i bëjnë analiza kritike sundimit enverist dhe nuk kërkojnë të falur, për gabimet e krimet e atij komandanti. 

Jam i bindur se nuk do të bëhen analiza shkencore dhe as do t’i kërkohet të falur popullit për krimet e kohës së Luftës Antifashiste dhe të kohës së diktaturës komuniste as në Konferencën Shkencore që do të organizojë Akademia e Shkencave me rastin e 75-vjetorit të çlirimit të atdheut. Klani Hoxha dhe shërbëtorët e tij ende duan vetëm lavde e dafina dhe jo analiza shkencore dhe as kritika të drejtpërdrejta.

Komunisti i ndershëm, nuk i zbaton verbërisht urdhrat!

Partia Komuniste Shqiptare, si parti leniniste, u shqua që në fillim për disiplinën e fortë midis anëtarëve të saj. Ky tipar e ndihmoi udhëheqjen e saj, që gjatë luftës së armatosur, formacionet e saj ushtarake, të ishin superiore në luftë në krahasim me formacionet e ‘Ballit Kombëtar’ dhe të nacionalistëve. Në radhët e partizanëve dhe të agjitatorëve të partisë, në saje të kësaj disipline, askush nuk guxonte të diskutonte urdhrat që jepte udhëheqësi i PKSH-së, i cili në 10 korrik 1943, ishte zgjedhur edhe Komandant Suprem i Ushtrisë Nacional-Çlirimtare.

Urdhrat që merrte Dinua nga lart, përpiqej t’i zbatonte gjithmonë me zell, por ndërkohë synonte që të mos i shkelte bindjet e veta. Sipas tij, populli shqiptar ishte një popull i vogël, prandaj midis tij nuk duhej praktikuar vëllavrasja, por vetëm bashkimi kombëtar, kundër pushtuesit. Për të realizuar këtë bashkim e unitet të popullit, ai u kishte folur fshatarëve për pajtimin e gjaqeve dhe shuarjen e armiqësive. Po për të krijuar këtë unitet kombëtar, ishte organizuar Konferenca e Pezës me 16 shtator 1942 dhe më 2-3 gusht 1943, u organizua dhe Mbledhja e Mukjes. Në këtë ecuri të ngjarjeve, uniteti kombëtar ishte kristalizuar në ndërgjegjen e Dinos, si parim bazë për mbarëvajtjen e Luftës Antifashiste.

Deri në fund të gushtit 1943, ai i kishte zbatuar me përpikëri urdhrat që vinin nga lart, sepse ato nuk binin ndesh me parimin e unitetit kombëtar të popullit shqiptar. Mirëpo, pas mesit të shtatorit 1943, forcat partizane të Bregut, kishin kapur rob një ballist të ri në moshë. Komandanti i forcave partizane, duke menduar se do ta kënaqte Dinon, iu drejtua: “Dino merrja shpirtin këtij maskarai, që ngriti dorë kundër partisë”! Partizanët po prisnin me padurim, që djaloshi të binte për tokë i vdekur. Dinua iu afrua pa folur. Pamja e tij e rëndë, serioze, e trembi ballistin, i cili i tha duke iu lutur: “Nuk kam vrarë asnjë partizan. Kurrë nuk kam luftuar kundër shqiptarëve. Falmani jetën, jemi vëllezër”.

Dinua nuk e nxori revolen e tij. Një tjetër mund ta kishte vrarë menjëherë, për të fituar pikë, por ai tha qetë e, me ton disi urdhërues: “Nuk të vras me kusht, që të mos ngresh më dorën kundër partizanëve. Shko”! Djaloshi i ngazëllyer, u përkul t’i puthte dorën, por Dinua nuk e lejoi. Komandanti u befasua, por nuk e kundërshtoi Dinon. Më vonë i tha se; ishte penduar që nuk ia bëri atë “nder” një tjetri.         

Dino Martikua, mori në dorëzim Sarandën pa gjakderdhje!

Në datën 10 shtator të vitit 1943, kur u bë i njohur kapitullimi i Italisë Fashiste, erdhi në Shënvasi, Jaho Gjoliku me një batalion partizan, së bashku me komisarin Abdul Hakiu. Gjatë drekës, ata organizuan planin për të marrë në dorëzim armatimet e forcave italiane të Sarandës. Projekt-plani i menduar nga lart ishte që Dino Martiko, si njohës i mirë i italishtes dhe agjitator i guximshëm, të hynte në bisedime me komandantin e garnizonit, kolonelin Elio Betini. Së bashku me Dinon, u caktua të ishte i pranishëm në takim edhe Abdul Hakiu. Për të garantuar suksesin e dorëzimit, qyteti do të rrethohej nga batalioni partizan, si dhe nga forcat territoriale të fshatrave Nivicë, Shënvasi, Lukovë, Sasaj, Piqeras dhe Borsh.

Në se bisedimet shkonin keq, pjesëmarrësve në rrethim, do t’iu duhej të përballonin ushtrinë italiane të dislokuar në Sarandë, që ishte një regjiment me organikë të plotë. Për arsye organizative, forcat e Bregdetit nuk mundën të vinin në ndihmë në atë ditë. Forcat partizane, kaluan mbrëmjen në Manastirin e Shën Gjergjit në Nivicë Bubar. Letra u konceptua dhe u shkrua italisht prej Dinos dhe iu drejtua kolonel Betinit, në emër të komandës së batalionit partizan, të dorëzonte me çdo kusht të gjitha armatimet si dhe materialet e depove ushtarake. Në të kundërt kundër tyre, do të përdorej forca e armëve.

Të nesërmen, në orët e para të mëngjesit, komanda e garnizonit italian të Sarandës, njoftoi batalionin se pranonte të hynte në marrëveshje për bisedime. Ndërkohë forcat partizane, u shpërndanë për të rrethuar me kujdes qytetin. Në orën 9:00 të mëngjesit të datës 11 shtator 1943, filluan bisedimet me shtabin e regjimentit italian. Sipas vendimit të marrë më parë në batalion, Dino Martikua, i kërkoi komandantit të garnizonit, të dorëzonte të gjitha armatimet e pajisjet ushtarake, për ndryshe nuk do të lejoheshin ushtarët italianë, të imbarkoheshin në aniet për t’u kthyer në Itali. Në fillim, bisedimet nuk po jepnin rezultatin e duhur. Shtabi i regjimentit Italian, kundërshtoi me forcë kërkesat. Dinua përballoi me sukses kërcënimet dhe kundërshtimet e ushtarakëve italianë. Nguli këmbë në kërkesat e palës shqiptare dhe theksoi se nga ndeshja me armë, ushtria italiane do të kishte dëme të panevojshëm.

Dinua priste duke ndenjur rëndë. Nuk tregonte shenja ngutjeje, për të marrë përgjigje të shpejtë. Priste pa këmbyer asnjë fjalë, me kolegun e vet. Atëhere Kolonel Belini, pasi u konsultua me kolegët e tij, pranoi dorëzimin pa kushte, për të mos e dëmtuar më tej ushtrinë e vet. Keqardhja e tij për marrjen e këtij vendimi, ishte e thellë, gjë që e dëshmuan lotët në sytë e tij. Kështu u arrit dorëzimi paqësor i qytetit-port të Sarandës dhe ushtria italiane, pranoi të largohej, duke lënë të gjitha armatimet ushtarake, që ishin mjaft moderne në krahasim me armët e partizanëve.

Brenda disa orësh, batalioni partizan hyri në qytet dhe pa humbur kohë, filloi marrjen në dorëzim të materialit ushtarak dhe depot. Në mbrëmje të asaj dite, kur ushtria italiane filloi të imbarkohej në aniet, para hotel “Piro Pallas”, populli i Sarandës, organizoi një miting të madh festiv. Manifestuan lirinë, e cila pas një viti, filloi të zhvendosej nga një ankth shpirtëror, që do të vijonte të sundonte në mendjet e shumë ish-pjesëmarrësve të luftës dhe të popullit shqiptar, për gati gjysmë shekulli…!

Vlen të përmendim këtu, se ndërsa Dino Martikua e mposhti komandën italiane të Sarandës dhe ia arriti fitores pa shkaktuar asnjë dëm, Bedri Spahiu, komandanti i forcave partizane, i cili u ngarkua të drejtonte bisedimet për dorëzimin e forcave italiane të Gjinokastrës, dështoi. Mirëpo suksesi i Dino Martikos, nuk u shkrua kurrë si duhej, e për të u hesht. Si do ta shohim më poshtë, ky komunist trim e i ndershëm, u luftua sepse nuk pranoi, si gjatë Luftës dhe pas saj, të servilosej dhe të zbatonte qorrazi urdhrat që i vinin nga lart.

Përplasje me kuadro të partisë e Sigurimit, pas Luftës Antifashiste

Mbas përfundimit të Luftës Antifashiste, forcat partizane që morën pushtetin, filluan të sillen sikur ishin; “vetë Ali, vetë kadi”. Dalëngadalë frika u bë natyrë e dytë për njerëzit në saje të pushkatimeve dhe arrestimeve pa gjyq për persona që shpalleshin pa fakte “armiq të popullit”. Propaganda e kohës së luftës për bollëk, mirëqenie, liri e demokraci, shumë shpejt pas luftës filloi të zëvendësohej me fukarallëkun, kultivimin e frikës, gënjeshtrës, servilizmit, etj. Në dhjetor 1944, Dinon e emëruan sekretar të Komitetit Ekzekutiv të Rrethit të Sarandës. Në organizatën bazë të partisë ku ai bënte pjesë, përveç sekretarit të parë të rrethit dhe kryetarit të Komitetit, bënte pjesë edhe shefi i Sigurimit të Sarandës. Një mbrëmje, porsa filloi mbledhja, ky i fundit filloi të informonte anëtarët e celulës:

“Sot në drekë arrestuam dy djemtë e tregtarit, Mihal Llambro, sepse donin të arratiseshin në Greqi. Kërkoj nga organizata, që të miratojë arrestimin e tyre. Le të venë edhe ata të bashkohen me babanë e tyre, te burgu i Kalasë së Gjinokastrës, ku ai do t’i presë me krahë hapur”. Sekretari i parë i Partisë, kryetari i Komitetit Ekzekutiv dhe anëtarët e tjerë të organizatës, kur kërkohej arrestimi i dikujt, nuk kundërshtonin. Konformizmi, nuk i lejonte që të dilnin në mbrojtje të atyre që shpalleshin “armiq të popullit”.

Dinua pyeti qetësish: “Sa vjeç janë djemtë e Mihal Llambros”?

“Njëri njëzet e, tjetri tetëmbëdhjetë, në mos e kam gabim”, u përgjigj serbes shefi. “Sa florinj kishin me vete”? Vijoi Dinua.

“Nuk u gjetëm florinj nëpër xhepa, e as në çantën e vogël që kishin me vete”. “Ku i kapët”? Pyeti përsëri Dinua. “Në Limjon”, u përgjigj shefi. Atëhere Dinua, duke u kthyer nga anëtarët e tjerë të celulës, vijoi me zë më të fortë: “Nuk kam dëgjuar deri sot, të akuzohen njerëz për arratisje në Limjon, që është periferi e Sarandës, vetëm dy kilometra larg dhe nuk është kufi. Pastaj këta djem të pasur, po të ishin nisur për t’u arratisur, do të kishin marrë disa florinj me vete”.

Dhe duke u kthyer nga shefi i Sigurimit, vijoi: “Nga e dije ti se ata do të arratiseshin? Me të tilla akuza të sajuara e keqdashëse, ne si komunistë, nuk do të sjellim kurrë drejtësinë që i predikuam popullit gjatë Luftës”. “Unë zbatoj vijën e Partisë”, u përgjigj me kapadaillëk shefi. “Dua që këta dy qelbësira, t’i fus në burg. Në hetuesi, ne kemi metoda që i shtrëngojmë dhe ata pranojnë ato që u kërkojmë”.

U bë heshtje. Anëtarët e tjerë të celulës, nuk i kundërshtuan fjalët e Dinos dhe mbledhja u mbyll pa e aprovuar kërkesën e shefit të Sigurimit. Dy djemtë u liruan, po shefi i Sigurimit, e mbajti vëth në vesh këtë dështim. Diskutimet dhe ndërhyrjet kundërshtuese të Dinos, ngjallnin shqetësime dhe bezdi jo vetëm te shefi i Sigurimit, por edhe te sekretari i parë i Partisë së rrethit, bashkë me kryetarin e Komitetit Ekzekutiv. Këta e kishin frikë, shefin e Sigurimit…!

“Nuk pranoj të bëni arrestime në Shënvasi dhe Nivicë”!

Përplasja më e madhe e Dinos në organizatën bazë të Partisë, ku ai bënte pjesë, ndodhi kur erdhi urdhri nga lart për të filluar arrestimet me plan. Partia shtet, për të ngjallur frikë e terror në popull, mobilizoi Sigurimin e Shtetit, që edhe ky sektor, njësoj si sektori ekonomik e ai bujqësor, të punonte me plan, për realizimin e arrestimeve. Këto u organizuan në bazë të një plani të paracaktuar në zyrat e Degëve të Punëve të Brendshme, në bashkëveprim me komitetet e partisë së rretheve.

Ky terror vijoi deri në fund të vitit 1989, kur udhëheqja e PPSH-së, u tremb nga vrasja e Nikolla Çausheskut. Askush nuk guxonte të dilte kundër arrestimeve, qoftë dhe kur arrestoheshin shokët, kolegët apo familjarët e tyre. Në ambiente shoqërore, të gjithë mbyllnin gojën. Natyrisht kishte mjaft shqiptarë që mendonin se kjo politikë ishte e padrejtë dhe pakënaqësitë e tyre, i shprehnin duke pëshpëritur në rrethe familjare, apo në shoqëri shumë të ngushtë, kurse qëndrimi i Dinos, ishte shumë kurajoz dhe nuk mjaftohej me pëshpërima.

Shefi i mësipërm i Sigurimit, i kishte bërë gati listat për të filluar arrestimet edhe në Bregdet. Porsa dëgjoi të hapej në mbledhjen e celulës kjo bisedë, Dinua ndjeu sikur dikush e goditi me çekan në kokë. Iu duk mjaft e rëndë të bëheshin arrestime në masë në Shënvasi e Nivicë. I revoltuar, iu drejtua shefit të Sigurimit: “Të gjithë e dimë se gjatë Luftës, midis fshatarëve të Nivicës e Shënvasisë, nuk pati asnjë bashkëpunëtor me armikun. Po ashtu, edhe pas Luftës, ata nuk kanë shfaqur armiqësi me Partinë. Më e rëndësishmja, për të ardhmen e popullit tonë, është që; Partia të mos krijojë armiq dhe atje ku nuk ka. Për fat të keq, na kanë mbetur nga koha e Turqisë disa përçarje dhe armiqësi fetare e krahinore”.

Dhe duke e ngritur zërin, vijoi: “Në Borshin tënd është e vërtetë që ka pasur spiunë, të cilët bashkëpunuan me italianët e gjermanët.” “Të gjithë borshiotët ish-ballistë, i kam futur në burg, pa bërë asnjë dallim”, u përgjigj me mburrje shefi i Degës. Dinua, e pa me neveri njeriun që mburrej se kishte arrestuar e burgosur fshatarët e vet dhe i tha: “Në Nivicë e Shënvasi, nuk ka pasur asnjë spiun e asnjë ballist, prandaj sa të jem unë anëtar partie, nuk do lejoj të arrestohet asnjë nga bashkëfshatarët e mi”. Memorie.al

                                                  Vijon numrin e ardhshëm

Marrë nga zemrashqiptare.net


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/ne-nivice-e-shenvasi-ska-pasur-asnje-spiun-e-ballist-prandaj-sa-te-jem-une-anetar-partie-sdo-lejoj-te-arrestohet-asnje-nga-bashkefshataret-e-mi-historia-e-pa/