“Në maj 1972, pas një stërvitje në Durrës, në prani të anëtarëve të Byrosë Politike dhe të drejtuesve të Ushtrisë, Enveri e mbuloi me puthje Gjergj Titanin dhe…”/ Refleksionet e shkrimtarit të njohur

Nga Shpendi Topollaj  

Pjesa e katërt

Memorie.al / Kur simbolet e komunizmit, pas gjysmë shekulli kapardisje, u shembën, u bë një zhurmë aq e madhe, sa ne u zgjuam nga gjumi i thellë. Hapëm sytë, por jo të gjithë e besuam atë që kish ndodhur: shpesh njeriu, siç sheh disa ëndrra që i merr për të vërteta, ashtu sheh edhe disa të vërteta, që i merr për ëndrra. Për më tepër, nuk qenë të paktë ata që iu kundërvunë kësaj përmbysjeje historike, me demonstrime e, deri kërcënime. Për të kapërcyer këtë situatë, duhej durim e mençuri. Ishim vëllezër. E si të tillë e kishim detyrë intelektuale, morale e shpirtërore, që të denonconim demagogjinë e komunizmit dhe krimet e përbindshme të inkuizicionit të kuq. Natyrisht, që më të besueshëm ishin ata që kishin lënguar e vuajtur, burgjeve e internimeve. Heshtja, do të qe me të vërtetë, një mëkat i madh i tyre…!

                                                Vijon nga numri kaluar

MEDITIME POETIKE TË OFICERIT TË PRANGOSUR

Libri “Metaforat e dhimbjes” i Gjergj Titanit

Plotësisht i denjë për emrin dhe mbiemrin që mban, te Gjergj Titani, pasqyrë e shpirtit të tij, të paepur titanik, është portreti fizik. Me një fytyrë që shpreh vendosmëri e vullnet dhe me një trup të lidhur mirë, të duket se e ke ndeshur në ato relievet e mermerit, të nxjerra nga dheu, që të zbuluara në vendin e Pergamit (qytet në Azinë e Vogël), në fund të shekullit të XIX – të, paraqesin gjigantomahinë, pra mitin mbi luftën e perëndive me gjigantët. Dhe e tillë shkoi jeta e këtij ushtaraku të spikatur, i cili shpall te “Lirinë e Zotave s`e dua”:

“Lirinë e falur jo s`e dua!

O e fitoj, o, kurrë lypsar!

Etja për të një herë s`m`u shua:

O e fitoj, o drejt në varr”!

Kjo luftë e përjetshme, e kish çuar atë filozofin e madh, në sentencën: “Freyssyn ist nichts, frey warden ist der Himmel!” (Të jesh i lirë s`është asgjë, të bëhesh i lirë, është vetë parajsa). Duket e pabesueshme, por Gjergj Titanin, fati e mori për dore qysh të vogël fare dhe e çoi pas prindërve, në shtigjet e luftës për liri. Duke qenë rrethuar nga uria, vuajtjet e krismat e armëve, duke qenë dëshmitar okular i ngjarjeve historike, edhe pse shumë më i vogël se “Biri i Regjimentit”, ai mori në mal edukatën e parë dhe atje nisi të formohej karakteri i tij i fortë. Pas çlirimit të Shqipërisë, me të drejtë, për Gjergjin u zgjodh Shkolla Ushtarake “Skënderbej”.

Nga gjiri i saj dolën jo vetëm kuadro të shquara për ushtrinë, por edhe poetë me emër. Pa diskutim, që në këtë shkollë të mrekullueshme dhe të lavdishme, lindi dhe talenti poetik i Gjergjit. Ai që dallonte për rezultate të larta në mësime, për prirje në disa degë të sportit, ish pajisur dhe me një shpirt të ndjeshëm poetik, respektin e mirënjohjen për mësuesit dhe mospajtimin me padrejtësinë. Sidomos për këtë cilësi të fundit, e kujtojnë atë të gjithë ata që që studiuan dhe punuan krah tij. Pasi kreu studimet e larta jashtë shtetit, Gjergji i takon atij brezi oficerësh, që vunë në shërbim të përgatitjes luftarake të ushtrisë dhe modernizimit të saj, tërë aftësitë, kulturën dhe qenien e tyre.

Gjergjit, nuk do t`i dilnin kurrë nga mendja, pamjet e partizanëve që binin për atdhe, entuziazmi i tyre i pareshtur dhe përpjekjet e së ëmës, për të shpëtuar jetën e këtyre djemve të rinj, nëpër spitalet partizane. Ai ndihej i lumtur me heroikën e atyre viteve, ndaj besonte tek e ardhmja, ashtu siç beson një idealist i ndershëm. I kushtoi gjithçka kishte kësaj të ardhmeje dhe këtij ideali dhe me punën e tij të palodhur, bëri një emër shumë të mirë, në tërë ushtrinë, gjersa pikërisht për këtë e pësoi, ashtu siç e kishin pësuar shumë e shumë idealistë të tjerë, para tij. Dora gjakatare e diktaturës, godiste ngado, e asaj nuk kishte si t`i shpëtonte dhe ushtria. Enver Hoxha, shkoi në plumb e mbylli ndër burgje, tërë gjeneralët, pikërisht ata të cilët kishin bërë luftën dhe i kishin hapur atij, rrugën e pushtetit.

Në këtë atmosferë frike e terrori që sundonte në popull e ushtri, nuk u kursye as Gjergj Titani, ai “partizani i vogël”, që kish shkuar pas familjes në mal dhe që e njihte personalisht e gjithë udhëheqja e lartë e vendit. Në atë regjim, ngjisnin çudira të mëdha, të cilat nuk i rrokte as fantazia më e zhvilluar. Në maj të vitit 1972, pas përfundimit me sukses të një stërvitje në Durrës, e pata parë diktatorin, që në prani të anëtarëve të Byrosë Politike dhe të drejtuesve të Ushtrisë, ta mbulonte me puthje Gjergjin, ta përgëzonte e ta ngrinte në qiell, me superlativa. Por nuk vonoi shumë dhe filloi goditja e, më pas burgosja e këtij oficeri të mrekullueshëm, me mendime të përparuara e të pavarura.

Në ato kohë, ish pushkatuar poeti Trifon Xhagjika, në lulen e rinisë dhe të krijimtarisë. Duke pranguar, pushkatuar, internuar dhe çmobilizuar kuadrot kryesore të Ushtrisë, partia – shtet, realizoi ndofta tradhtinë më të madhe, ndaj atdheut. Pështyma e turpit, i mbeti përjetë në fytyrën e saj të shëmtuar. Kurrkush nuk i besoi përrallat, që u sajuan për ta, siç nuk besuan që Gjergji, qe mbyllur në burgun mesjetar të Burrelit, i cili sepse të kujtonte labirintin e Kretës, që ishte stisur për Minotaurin. Dhe paskëshin pasur të drejtë: pas mureve të trasha dhe të ftohta të qelive, zemra e Gjergjit, përjetonte lirinë. Tani atë s`e kishte më, ai e ndiente se ajo, ishte gjëja më e çmuar e njeriut. Ndaj dhe e zgjodhi atë si lajtmotiv, kur pa se llava e shpirtit, po merrte trajtën e poezisë.

Nuk përjashtohet që nga pena e Gjergjit edhe para vitit 1977, të jenë shkruar poezi. Veç për një gjë jemi të sigurt; kulmin e tij poetic, ai e arrin në vitet e burgut të gjatë, atje ku të zihej fryma, rrethuar nga telat me gjemba. Jeta në burg, është shumë e varfëruar. Atje nuk di kujt t`i drejtohesh, për t`i hapur zemrën! Atje mungon dhe peizazhi, ose më mirë të themi, ka vetëm një pamje të zymtë, një botë minjsh e merimangash. Dhe po të ndodhte që të gjendet një kënd, nga i cili shihet një lis, i burgosuri i drejtohet atij, duke i besuar brengën që e mundon, dhe duke iu lutur gjetheve të tij, që kur të fluturojnë si zogj shtegtarë, të ndalen në dritaren e mëmës së mjerë dhe t`i thonë se; edhe po vdiq ai, ajo do ta vëzhgojë nga shtëpia. Në kushtet e izolimit të plotë, poeti është tërësisht i çarmatosur. Por ai nuk dorëzohet. Ai e di se; “gjaku ynë i pastër; më kot në burgje s`rrodhi”.

Atë nuk e thyejnë gardianët, rreshtimet poshtëruese, fyerjet, ushqimi i keq, acaret e dimrit të gjatë dhe për këtë vendos të luftojë, të sfidojë me atë çka mundet. Dhe kujtohet që ka një armë më të fortë se pushka: ka mundësinë fatlume të shkruajë poezi. Dhe kjo nuk është pak. Ai, do t`ua lërë brezave që nuk e jetuan dhimbjen, që nuk e jetuan burgun dhe nuk e jetuan diktaturën e Enver Hoxhës, ndërmjet poezive, dokumenteve autentike, me shkallë shumë të lartë besueshmërie. Ai tani e kupton, se kështu më shumë se kurrë, mund t`i shërbejë vendit të tij. Gjergji, nuk bën me poezitë e tij akrobacira fjalësh. Duke e parë të vërtetën në sy, ai flet me të si burri me burrin, pa iu dridhur qerpiku. Kur ndien nevojën e të biseduarit, ai di t`u japë jetë edhe gjërave abstrakte e të padukshme.

Për kryefjalë të të gjithë poezive, Gjergji ka lirinë. Ai me të lidh çdo gjë; të tillë e do atdheun, i cili siç thotë vetë, s`matet kurrë me kilometra e hektarë, siç do dhe ahet e pishat, që thithin lirinë, duke parë diellin kur lind e perëndon, prandaj ai gjithmonë rend, siç pohon tek: “…Udhët e mëdha”, të gjejë në botë, lirinë e vjedhur. Veç të tjerash, ne hetojmë tek ai një përpjekje të stërmundimshme prej poeti, për ta përcaktuar lirinë, duke i thurur himn asaj. Këtu vargjet, edhe kur kanë një tingëllim të bukur, përsëri, duket sikur nuk e kënaqin deri në fund atë:

“Ndjenjë njerëzore, dëshirë,

Zjarr që digjet nga lashtësia,

Shqipe që fluturon në hapësirë,

LIRIA”!

Për mrekullinë e lirisë, fjalët s`mjaftojnë: ajo është vetë jeta dhe si e tillë atë nuk mund ta përkufizojnë, as tërë zemrat e mendjet njerëzore, të marra së bashku. Kur e sheh veten të pafuqishëm, për t`i kënduar deri në fund lirisë, ashtu siç e meriton, poeti mjaftohet duke thirrur në testamentin e tij: “Vëllezër, Tiranëve kurrë mos u besoni”! Për të mos u çmendur, nga të qenit larg njerëzve, larg shokëve, miqve, nënës e djalit të tij, ashtu siç kuvendon me lirinë, ai i jep jetë dhimbjes:

“O dhimbje njerëzore, ti lot i shpirtit tim,

Dergjë brengëmadhe që më shtie në mendim,

Sikur plagët e tua të mund t`i shëroja,

Gjë tjetër s`do të doja…

Për skëterrën ku e kanë futur ai shkruan:

Ku bën ligjin marrëzia,

Ku përleshet zemërimi,

Ja qelia!

Ku veçuar rri si murgu,

Ku veç bindjet ke melhem,

Ky është burgu!

Vetmia e burgut është e lashtë:

Qysh se bota zë fill, vegon, e këlthet,

Një zë, një yll, një shkëndijë lirie,

Dhjetra, qindra, mijra vjet,

Fytafyt u përleshën me përbindsha vetmie.

Poeti arrin të portretizojë deri natën:

Magjistare e maktheve e ankthit dhe e dyshimit,

Sfinks i heshtur, kurtheve, tinëzisë,

Strofkë ku mëkohen skuthët e përgjimit,

Sundimtare e gjithëpushtetshme e ligësisë”.

Kjo është bota që kërkon të sundojë mbi një shpirt të madh e rebel, i cili gjen rrugë për të sjellë pranë e për të komunikuar me imagjinatë, me plot shokë e miq të mirë. I lexon këto poezi të ndjera dhe të vjen të pyesësh veten: “Kur Gjergji me shokë, vuanin tmerret e burgut dhe mendonin me kaq mall e dashuri për ne, po ne shokët e tyre, a e bëmë si duhet detyrën qytetare ndaj tyre, a guxuam fundja, sa për të mos na vrarë sot ndërgjegjja, t`i kundërvihemi diktaturës”?! Dashurinë për shokët, poeti e shfaq edhe kur i kushton një poezi Kundër admiralit të nderuar Abdi Mati, këtij biri e babai të Flotës Luftarake Detare, që aq shumë i ngjante detit, edhe kur nuk harron marinarët e thjeshtë të cilët i quan:

“O miqtë e mi detarë të viteve rinore,                     

Ç`ju hijeshojnë bluzat me vijat bardhë e blu!                     

Kordelja e beretës valzonte aq gazmore,                     

Një det i tërë në gjoks, ju kaltëronte ju”!

Në të ritë e tij, Gjergji e kish veshur vetë uniformën e bukur të marinarit. Dashuria për të, qe e lidhur me dashurinë për Shqipërinë. Krijoi e krijoi ëndrra të sinqerta rinore, por këto iu plagosën rëndë. Ia plagosën, por nuk ia vranë dot. Në domethënien e këtyre poezive, sheh dëshirën e pashuar për të qenë mbrojtës i atdheut, sa të duket se ai është gati të harrojë, gjithë ç`i punuan, vetëm e vetëm të bashkohet me ushtarët poligoneve. Këtë dëshirë të pastër e të fortë në dukje, s`e kupton vetëm ai që ka veshur që fëmijë kapotën ushtarake, por e kupton dhe ai që lexon poezinë e vitit 1980 (pra, të shkruar në burg), me titull; “Nga gjiri yt mëkuar”, ku thotë: 

“Yt bir plangprishës s`jam, e nderin s`e kam shitur.

Po jam nga djemtë e tu të mirë, Mëmëdhe!

Në male qysh fëmijë, gërxheve sfilitur,

rropatur e gjakosur ashtu siç shpesh më pe”.

Apo vargjet e vitit 1985 (po në burg), me titullin e thjeshtë “Sazani”, ku shohim refleksione të dashura të viteve kur shërbeu atje si oficer i ri. Dashurinë e përhershme për ushtrinë, së cilës i kushtoi tërë jetën, poeti e shpalos edhe te poezia e shkruar më 10 korrik 1983 “Rininë të dhuruam”, ku mes të tjerash shkruan:

“Na mbeti rinia në pyjet e blertë,                         

Në sprovat e rënda me vëllezërit ushtarë,

Dhe poezitë i shkruam, mbi kondak, mbi ca fletë                        

Poligonesh për shokët tanë moshatarë”.

Poeti është i ndërgjegjshëm se inati dhe hakmarrja e regjimit, s`është vetëm ndaj tij. Ajo godet kudo, e kryesisht zgjedh më të mirët, siç e thotë dhe vetë ai, te poezia kushtuar gjeneral Abaz Fejzos, që në sinqeritet e sipër, nxiton ta quajë me dhimbjen e vdekjes, me një epitet ndoshta të pranueshëm, vetëm për prozën; mendimtar! I bindur se fati i tij, ngjet me atë të mijëra e mijëra të tjerëve dhe pse jo, edhe me vetë fatin e tërë atdheut, ai gjen forca të rilindë shpirtërisht dhe thotë: “Ëndrrat, shpresat nga oqeani i shqetësimeve, i nxora në vargje, i ktheva në poezi, poezitë i mbusha me metafora”. I pajisur me energji të mëdha shpirtërore, ai tani kërkon; “Një këngë malli, që shëron çdo brengë”.

Dhe kujton ai nënë shkretën që u përngjan gjithë nënave të tjera, që vinë në dyert e burgut, me nga një trastë të zbardhur me ushqime në duar. Dhe kujton ai djalin që mbeti pa baba e, të cilin e pyet:

“A i di hallet që hoqa,  

ç`plagë e brenga kam në gji?  

Më vërshojnë kujtimet lumë,  

por një fjalë s`dëgjoj nga ti”.

Dhe kujton ai të bukurën G. G., emri i së cilës i ka mbetur në mendje, si enigma boreale, imazhi i saj i ngacmon kujtesën, ndonëse larg, tepër larg, diku në Balltik, ndodhet ajo që mbeti tek e papërsëritshmja rini. Diktaturat, veç të tjerash, shkatërrojnë edhe familjet, ato ndajnë si pa të keq, gruan nga burri, pikërisht kur shpallin me hipokrizi, se familja është e shenjtë. Ai për këtë nuk shprehet haptazi. Por, duke iu referuar poetit antifashist 32 vjeçar, Migel Ernandes, në poezinë “Qelia 1009”, në muret e së cilës, ai pat shkruar:

“Vëllezër, shokë, nuk ju harroj kurrë,                          

Dërgomëni pak diell dhe pak grurë”.

Gjergji merr si shembull, vejushën besnike të poetit:

“Se Hozefinën pate për krah,                       

Shoqja e jetës, një herë s`t`u nda”.

Të tjerat merren lehtë me mend dhe ja pse dhimbja e tij është edhe më e madhe. Në burg Gjergj Titani, si qytetar, si ushtar, si burrë, si bir, si baba e si shok analizon ndërgjegjen e vet dhe arrin në përfundimin se aty s`ka asgjë të gabuar, ndaj dhe është ballëlartë kur i drejtohet të birit:

“Ndoshta ty të kanë thënë,  

babi yt është burrë i lig                       

Bir, të flet ndërgjegjja e prindit,  

babin ti e ke fisnik”.

Poeti ka deklaruar, se ai është në çdo rrethanë optimist. Tani ai e gjen dhe përgjigjen, për pyetjen që e kish munduar për një kohë të gjatë:

“Stinët kush do t`i zgjojë”?

…duke e mbyllur poezinë tjetër; “Balada e moshës”, me fjalët:

“Po lëngjet në drurë ziejnë,                      

E zogjtë rikthehen përsëri,                      

Blerime mbi pemë shpërthejnë                      

Stinët rinisin zgjimin e ri”.

Libri me poezi; “Metaforat e dhimbjeve”, na forcon bindjen se poeti ka ende shumë për të thënë, se sot që nuk ka qeli të ngushta betoni, që të vrasin me heshtjen e tyre kryeneçe e mizore, tingujt e gëzuar të lirës poetike. Kemi besim në talentin e këtij poeti, që duke ditur të shkruajë aq bukur në burg, do të na kënaqë edhe më shumë tani, që është i lirë. Sa për lexuesin, e garantojmë poetin, se dëshirën e fundit, do t`ia plotësojmë siç e kërkon:

“Këngët e vuajtjeve rrahur me kamxhik                         

Do t`i marr në zemër për mbrojtje çdo mik”. /Memorie.al

                                                                Vijon numrin e ardhshëm

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016           


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/ne-maj-1972-pas-nje-stervitje-ne-durres-ne-prani-te-anetareve-te-byrose-politike-dhe-te-drejtuesve-te-ushtrise-enveri-e-mbuloi-me-puthje-gjergj-titanin-dhe-refleksionet-e-shkr/