“Në Komitetin e Partisë u përpilua një letër e hapur për Enver Hoxhën, ku gjoja Himara dhe gjithë bregdeti, zotoheshin se s’do pranonin më pako nga…”/ Dëshmia nga Franca, e ish-telekronistit të Vlorës

Nga Vasil Qesari

Memorie.al/ Përmbysja e ngrehinës së madhe totalitare në Shqipëri do të linte pas, jo vetëm ndryshimin e sistemit, shoqëruar me plot shpresa, mirazhe e klithma lumturie por, fatkeqësisht, edhe mjaft plagë, drama, viktima, pluhur, mllefe e zhgënjime nga më të ndryshmet. Dhjetë vjet e më tepër pas asaj ngjarje, e cila tronditi thellë shoqërinë, duke përmbysur tërësisht shumë kode, rregulla e koncepte të mëparshme, njerëzit vazhdojnë endé t’i bëjnë vetes pyetje të tilla, si: Ç’kish ndodhur në të vërtetë në shoqërinë shqiptare, gjatë 50 vjetëve të fundit të diktaturës? Si qe e mundur që sistemi arriti të deformonte gjithçka? Përse njerëzit e kishin pranuar atë? Cila qe logjika totalitare e transformimit të shoqërisë e individit? Si qenë konceptuar e funksiononin strukturat e mekanizmave totalitare: propaganda, policia sekrete dhe ushtrimi i ideologjisë së terrorit?  Si ndodhi që ndër mbarë vendet komuniste të Lindjes europiane, Shqipëria të cilësohej përjashtim apo rast i veçantë? Pse Enver Hoxha i qëndroi verbërisht, fanatikisht e gjer në fund besnik Stalinit, duke e kthyer vendin në një burg ku dhuna, frika e spastrimet vazhduan gjer në fund të viteve ’80-të? Pse vendi u izolua çmendurisht, duke i mbyllur njerëzit mes bunkerësh e telash me gjemba? Përse, pra, ndodhën gjithë fenomenet e mësipërme…?!  Libri ‘Post-scriptum për diktaturën’, s’pretendon t’u japë përgjigje definitive pyetjeve të mësipërme, apo kompleksitetit të arsyeve që sollën e mbajtën në fuqi pushtetin totalitar në Shqipëri. As edhe të jetë një afresk i plotë, i thellë e i gjithanshëm i jetës e vuajtjeve që përjetuan njerëzit gjatë atij sistemi.  Autori i tij, ndofta, ka meritën që bashkë me shikimin retrospektiv të periudhës totalitare si dhe zellin e një analisti të pasionuar, është përpjekur të kthejë edhe një herë kokën mbrapa, për të dhenë jo vetëm kujtimet e opinionet e tij personale, por dhe për t’i u rikthyer dhe një herë vizionit të asaj epoke me filozofinë e thjeshtë të ruajtjes së Memories e mbështetjes së Apelit për të mos harruar kurrë maksimën e njohur, se…kadavrës vazhdojnë t’i rriten thonjtë e flokët edhe pas vdekjes! Dhjetë vjet e më shumë pas përmbysjes së madhe, libri në fjalë ka vlera aktuale e shpresojmë të vlerësohet nga lexuesi sepse, siç shprehet edhe një studiues shqiptar…e keqja më e madhe që mund t’i ndodhë një populli, vjen atëherë kur ai nuk arrin të bëjë analizën e së kaluarës së vet. Një popull amnezik është i detyruar të jetë vazhdimisht neuropatik e të përsërisë përvojat e tij të dhembshme…!

HIMARA NE BREG TE DETIT…!

Për të forcuar pushtetin e tij absolut, shtetit totalitar i nevojitej të krijonte jo vetëm individë, grupe a shtresa armike, por kur ia donte nevoja, edhe krahina të tëra. Shembuj klasikë të terrorit, dhunës e përçarjeve të tilla nëpërmjet veprimtarisë së Sigurimit, kanë qenë edhe Mirdita e Himara. E kjo, nuk qe e rastësishme.

Ashtu si banorët trima e të paepur të Veriut, edhe himarjotët në Jugë, kishin një histori të lashtë e plot ngjarje trimërie. Si Mirdita edhe Bregdeti, për shkak të rezistencës e luftës së tyre të pashembullt kundër pushtuesve turq, kishin arritur të njiheshin nga Porta e Lartë si territore të lira, duke ruajtur kështu të pacenuar, pavarësinë, lirinë, pronën e fenë e tyre të krishterë.

Himarjotët, kanë qenë brez pas brezi një popullsi vazhdimisht kryeneçe dhe e pa nenë shtruar ndaj shtypjes, padrejtësisë e arbitraritetit. Kjo, pat bërë që në shpirtin e tyre, Koncepti i Lirisë të ishte i lidhur ngushtë me kundërshtimin e çdo lloj diktati, ngado që t’a kish orgjinë. Por, mospranimi i diktatit e nenë shtrimit, qenë në kundërshtim flagrant me natyrën e shtetit totalitar.

Qe kjo arsyeja pse, Himara, gjatë regjimit komunist, u cilësua vazhdimisht si rebele, e dyshimtë, pro greke etj. Të gjitha këto, s’ishin veçse justifikime për të motivuar dhunën e shtypjen ndaj një krahine, e cila s’e kish aspak për shpirt komunizmin, pronën kolektive, ateizmin, servilizmin e mercenarizmin.

 Drama e Himarë dhe himarjotëve, nisi mbas zgjedhjeve të dhjetorit 1945, atëherë kur, një pjesë e mirë e popullit të saj, votoi kundër përfaqësuesve të Frontit Demokratik. Pas kësaj, PPSH-së e shpalli atë krahinë, armike. (S’ishte rastësi që i njëjti qëndrim, u mbajt dhe ndaj Mirditës e disa zonave të tjera në veri të vendit). Përçarjen, frikësimin, nenë shtrimin e ndëshkimin e himarjotëve, Partia ia besoi armës së saj besnike, Sigurimit të Shtetit.

Himara, Dhërmiu, Palasa e Qeparoi, qenë ndër fshatrat që e paguan edhe më shtrenjtë rebelimin e tyre. Shpalljet kulakë (për 100 rrënjë ullinj më shumë se të tjerët, a për shkak të një dyqani çikërrimash), arrestimet, proceset gjyqësore e burgosjet nisën në masë. Dhjetëra e dhjetëra familje u internuan në zona të ndryshme të vendit, ndërkohë që populli filloi të jetojë nenë kërcënimin e frikës e represionit.

Operativët, agjentët e bashkëpunëtorët e Sigurimit në Bregdet, u bënë të plotfuqishëm. Mjaftonte një fjalë a dyshim e, kushdo, përfundonte direkt e në qelitë e burgut. Sigurimi u bë zot dhe i kudo ndodhur në mbarë krahinën. Urdhri nga lart qe i prerë dhe i qartë:

“… Godisni pa mëshirë! Shpartalloni kudo e këdo që dyshoni! Përçani familjet e fiset! Fusni mes tyre njerëzit tuaj! Trilloni e sajoni gjithçka, në mënyrë që të tremben jo vetëm burrat e gratë, por edhe kalamajtë në barkun e nenës…”!

Për të gjetur pretekste për sa më shumë presion, spastrime e arrestime, shpesh, ishin vetë operativët e Sigurimit, ata që organizonin e sajonin edhe të ashtuquajturat shkelje të kufirit nga armiqtë e jashtëm. I tillë qe, bie fjala, gjoja, zbarkimi në Gjodhimë të Qeparoit, i një diversanti me mbiemër Aleksi. Mbas zbarkimit, i cili nuk qe veçse lojë e Sigurimit, u arrestuan P. Aleksi e kunati i tij, S. Guma.

Në rrjedhën e viteve, Sigurimi Shtetit arriti të realizojë në Bregdet, atë që s’kishin mundur ta bënin në shekuj hordhitë e pushtuesit turq. Krahina, shihej ngado me sy të keq, ndërsa populli i saj, plëngprishës e filogrek. Lidhur me këtë të fundit, pra me cilësimin grekë të himarjotëve, është luajtur një strategji dhe lojë e ndyrë, për të cilat ia vlen të jepen shkurt vetëm dy shpjegime.

Së pari: ka qenë vetë regjimi totalitar, ai, i cili ka pasë fabrikuar e mbështetur parullat dhe propagandën se, himarjotët ishin pro-grekë.

 Së dyti: lufta dhe përbuzja e tij ndaj himarjotëve, nuk ka qenë veçse shprehje e urrejtjes ndaj kristianizmit, si feja zyrtare e Perëndimit, rrjedhimisht edhe e borgjezisë.

Cilësimet: “të huaj”, “kaurë”, “grekë”, “çibanë në trupin e atdheut”, etj., ishin në interes të regjimit, i cili lipsej të gjente sa më tepër shkaqe, për të motivuar e justifikuar përçarjen, shtypjen e terrorin e ushtruar në krahinë. Politika e PPSH-së, anti-Himarës, ka qenë e qartë, e hapur, konkrete dhe pa ekuivokë. Sipas saj, himarjotët i kishin sytë nga Greqia dhe, qe pikërisht kjo arsyeja, pse ata s’e donin dhe e përbuznin komunizmin.

Kështu, pra, gjatë gjithë ekzistencës së diktaturës, Himara ngeli një problem delikat e tepër specifik për organet e Partisë dhe Sigurimin e Shtetit. Për më keq akoma, krahina, përveç indiferentizmit, ftohtësisë e mos dashjes së regjimit, kish edhe mjaft kontakte me botën e huaj. Tradicionalisht, qysh prej viteve ’20-të e më pas, varfëria e madhe kish shtyrë qindra familje himarjote, të merrnin udhët e kurbetit.

Fillimisht, në vendin e afërt fqinj, Greqinë, e më pas në SHBA-ës, Francë, etj. Në rrjedhën e viteve, një pjesë e vogël ishin kthyer në vendlindje, por megjithatë, matanë, kishin mbetur shumë familje të cilat, pas instalimit të komunizmit në Shqipëri, qenë ndarë përgjithmonë e për gjalli me të afërmit e tyre.

Pasojat e kurbetit qenë tragjike. Shumë nëna, tashmë të plakura e shamizeza, kishin jashtë djemtë e tyre që patën ikur fëmijë e pastaj ishin martuar e qenë bërë me nipër e mbesa. Nga ana tjetër, fëmijët e lenë nga etërit e tyre në bark të nenës, dinin që i kishin baballarët larg, në vende të huaja, por veten e ndjenin jetimë.

(Pikërisht, në atë dramë drithëruese të Bregdetit, e ka zanafillën edhe kënga aq e njohur ‘Vajza e Valëve’, shkruar nga artisti i shquar himarjot, Neço Muka).

Kështu, prezenca e një numri të madh bregasish jashtë, (një pjesë e vogël e të cilëve qenë arratisur nga vendi gjatë e mbas vitit 1944), ishte një problem i mprehtë për organet e diktaturës komuniste të Enver Hoxhës e pasuesit të tij, Ramiz Alisë. Ekzistenca e një emigracioni masiv në vendet armike, konsiderohej rrezik potencial për stabilitetin e suksesin e ndërtimit të socializmit në krahinë.

Ja pse, Sigurimi Shtetit e mbante vazhdimisht “shpatën të mprehur”, për të goditur pa hezitim e mëshirë, mbi këdo ku dyshonte, qoftë edhe pa as më të voglën provë. Por, me gjithë terrorin politik e psikologjik, njerëzit vazhdonin të rrezikonin duke mos i ndërprerë kontaktet me të afërmit e tyre, veçanërisht nëpërmjet shkëmbimit të letrave e marrjes së pakove.

Kërcënimet e vazhdueshme të Sigurimit të Shtetit, si dhe presionet sistematike të organizatave të Partisë e Frontit, s’kishin dhenë asnjëherë rezultatet e dëshiruara. Prandaj, për t’i dhenë fund një herë e përgjithmonë asaj situate tepër të rrezikshme, pak kohë mbas zhvillimit të punimeve të plenumit të IV-të të Komitetit Qendror të PPSH-së (1974), Komiteti i Partisë në Vlorë, inicioi një nismë revolucionare të ndërmarrë, gjoja, nga mbarë populli i Bregdetit – ngjarje e cila u shoqërua me shumë pompë nga propaganda lokale e kombëtare.

 (Me anë të një Letre të Hapur, të ideuar e përpiluar në zyrat e Partisë, populli i Bregdetit zotohej solemnisht para shokut Enver se, do të shkëpuste çdo lidhje me njerëzit e të afërmit jashtë, e se do të refuzonte çdo letër e pako të dërguar prej tyre. Ne s’kemi nevojë për leckat e Perëndimit – shkruhej ndër të tjera në të – Sepse, Partia, na ka siguruar me bollëk gjithë të mirat. Dyqanet e shtetit janë plot me ushqime e veshmbathje. Jeta jonë është e lumtur…!)

Zotimet e asaj iniciative, të imponuar me frikë e kërcënime, u benë të detyruara për çdo fshat. Në mënyrë publike e nëpërmjet mbledhjesh të posaçme, njerëzit shtrëngoheshin të deklaronin se do refuzonin çdo gjë që do t’u vinte nga jashtë. Ndërkohë, ata që do guxonin të shkelnin zotimin e shenjtë të marrë solemnisht para Partisë, do merrnin ndëshkimin e merituar: së pari, nëpërmjet vërejtjeve në organizatat e Frontit Demokratik, e pastaj me mjete të tjera bindëse.

Natyrisht, kush tregohej kokëfortë, kish punë fillimisht, në sektorin politik të Komitetit të Partisë e pastaj në zyrat e Sigurimit, ku këshillohej se do përfundonte në birucë po qe se do pranonte qoftë edhe një letër nga jashtë…!

Klima e panikut që pllakosi mbarë vendin, mbas Plenumit të IV-të, si dhe kërcënimet, presionet e arrestimet, më së fundi dhanë rezultatet që priteshin. Kontrollet e rrepta të korrespodencës, verifikimi i njerëzve që merrnin pako nga jashtë, demaskimi i tyre në qendrat e punës, lagje e Frontin Demokratik, ngjalli një frikë të pa përshkruar.

Sipas një statistike të zyrës së kolipostave në PPT-në e Vlorës, vetëm gjatë vitit 1974, ardhja e letrave nga jashtë kish renë 90 % ndërkohë që, prej qytetarëve të ndryshëm ishin pranuar vetëm 12 pako, ndërsa mbi 160 të tjera ishin kthyer mbrapsht, pra në destinacionet e vendeve të huaja nga ku edhe qenë nisur.

Për të ilustruar këtë gjendje, është për t’u shënuar rasti i qytetarit vlonjat V.A., të cilit me rastin e ditëlindjes së fëmijës së tij, nga një mik i huaj i kish ardhur një paketë postale me një kukull brenda. Personi në fjalë, u shtrëngua ta kthente atë mbrapsht, shoqëruar me një deklaratë refuzimi me shkrim, për shkak të frikës e pasojave.

Po ashtu, për të demaskuar nëpunësin M.Q., në qendrën e tij të punës u zhvilluan urgjent katër seanca mbledhjesh speciale të organizatës bazë të Partisë. Shkaku ish se, vjehrra e tij, kish pranuar të merrte një shami koke të ardhur nga Greqia.

(Shamia e zezë ashtu si vetë jeta e bregasve, qe pjesë e pandarë e kostumit tradicional të grave e plakave fatkeqe himarjote). Memorie.al

                                                         Vijon numrin e ardhshëm

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/ne-komitetin-e-partise-u-perpilua-nje-leter-e-hapur-per-enver-hoxhen-ku-gjoja-himara-dhe-gjithe-bregdeti-zotoheshin-se-sdo-pranonin-me-pako-nga-deshmia-nga-franca-e-i/