“Në infermieri, më futën dëshmitarin profesionist, M.K., kurse plakut të gjorë, Hilmi G., që kishte bërë 19 vjet burg e do lirohej, ‘doktor’ Kamber B., e la të…”/ Letra e Pjetër Arbnorit, për Ramiz Alinë

Nga Pjetër Arbnori   

Memorie.al / Pjetër Arbnori u lind më 18 janar të vitit 1935 në qytetin e Durrësit, (ku asokohe babai i tij, Filip Toma, shërbente si oficer i Xhandarmërisë së Mbretërisë së Zogut), ndërsa origjina  e familjes së tyre, është nga Shiroka, buzë liqenit të Shkodrës. I ati, Filipi, si oficer xhandarmërie, mori pjesë në qëndresën kundër pushtimit italian, më 7 prill në Durrës, drejtuar nga Abaz Kupi. Në vitin 1940, familja e tyre u vendos në qytetin e Ersekës, (ku Filip Toma shërbente në repartet që morën pjesë në luftën italo-greke), dhe në atë kohë, Pjetri, ndoqi klasën e parë fillore në “Mësonjëtoren” e Korçës. Në fundin e vitit 1940, familja e tyre (pa të atin, që shërbente në luftë), u kthye në Shkodër, ku blenë një shtëpi në Shirokë dhe Pjetri vijoi mësimet në shkollën lokale. Në vitin 1942, babai i Pjetrit, Filipi, u vra në një përpjekje me një njësit partizan, të çetës së Teki Kolanecit, Petrit Dumes dhe Nevzat Haznedarit. Ndërkohë, Pjetri vazhdonte mësimet dhe klasën e tretë të fillores e ndoqi në Kolegjin Saverian të qytetit të Shkodrës dhe më pas shkollën e mesme e kreu në gjimnazin “29 Nanduer”, ku ai figuronte i regjistruar me emrin Pjetër Filipi. Në vitet 1949 – ’50, Pjetri u organizua me disa shokë e bashkëmoshatarë që shtypnin dhe shpërndanin trakte,  kundra regjimit komunist në fuqi, si dhe grumbullonin e transportonin traktet e Komitetit “Shqipëria e Lirë” që hidheshin nga avionët. Pasi mbaroi shkollën e mesme, Pjetri u emërua në punë si mësues në një shkollë tetëvjeçare në zonën e thellë të Dukagjinit. Më pas ai u thirr për të kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak, ku për shkak të biografisë familjare, atë e kreu në repartet e punës në bujqësi, në Fermën Xhafzotaj, e më pas në SMT-në e Shijakut. Në vitin 1957, kur ishte zbutur pak lufta e klasave, (si rezultat i ndikimit rus pas ardhjes së Hrushovit në fuqi), Pjetrit iu dha e drejta që të vazhdonte me korrespondencë Universitetin Shtetëror të Tiranës dhe pas diplomimit, me vendim të Komitetit të Partisë në Durrës, u caktua mësues letërsie në Shkollën e Mesme Bujqësore në Golem, të Kavajës, nën emrin Pjetër Toma. Në vitin 1962, Pjetri u arrestua nga Sigurimi i Shtetit, i akuzuar se së bashku me një grup shokësh, (ku bënin pjesë edhe Uran Kalakulla, Tanush Kaso, Zeqir Koçi, etj.) kishin dashur të formonin një parti social-demokrate, gjë për të cilën fillimisht u dënua me vdekje dhe më pas iu ul, me 25 vjet burgim. Pas 18 viteve burg, të cilat ai i vuajti në Burrel, e ri dënuan me 10 vite të tjera burgim. Në kushtet më të vështira në burg, ai shkroi një pjesë të madhe të veprës së tij letrare. Ai mundi të lirohet nga burgu, vetëm në gusht të vitit 1989, duke kryer gjithsej 28 vjet burg politik, duke u konsideruar si: “Mandela i Shqipërisë”. Në janar të vitit 1990, ai mori pjesë në demonstratë e zhvilluar në qytetin e Shkodrës, për rrëzimin e bustit të Stalinit. Ndërsa në fundin e vitit 1990, ai u angazhua në proceset demokratike dhe ishte një nga bashkëthemeluesit e degës së Partisë Demokratike në qytetin e Shkodrës. Nga vitit 1991 e deri më 2001-in, ai ishte deputet në Kuvendin e Shqipërisë si përfaqësues i Partisë Demokratike, dhe prej nga vitit 1992 deri në 1997-ën, ishte kryetar ishte Kryetar i Kuvendit. Me gjithë dedikimin intensiv në politikë, ai nuk ka munguar së kultivuari dhe pasionin e tij të hershëm për letërsinë. Gjithashtu, gjatë këtyre viteve, është marrë edhe me studime të ndryshme historike, duke botuar shumë libra, (mbi 25 libra) në gjininë e letërsisë si dhe ato me kujtime të eseistikës historike, etj., gjë për të cilat është vlerësuar brenda dhe jashtë vendit, duke ju dhënë çmime të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare. Pjetër Arbnori ndërroi jetë në një spital të Napolit në Itali, (në 8 korrik të vitin 2006), ku kishte shkuar për kurim, pas një hemorragjie cerebrale. Veç të tjerash, Pjetër Arbnori është vlerësuar edhe me shumtë tituj e medalje, si: “Mësues i Popullit”, “Pishtar i Demokracisë”, “Oficer i Madh i Urdhrit të Plejadës”, Urdhri “Nënë Tereza”, “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”. etj. Pjesa që kemi përzgjedhur këtu për botim, është shkëputur nga libri i tij autobiografik “Të mbetesh njeri”, ku ai përshkruan edhe vuajtjet e tij në burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe pasuesit të tij, Ramiz Alia.

                                            LETER-ANKESE NGA BURGU I BURRELIT

                                        Kryetarit të Presidiumit të Kuvendit Popullor

                                                                RAMIZ ALIA

                                                                    Tiranë

Duke shkelur në mënyrë sistematike ligjshmërinë dhe rregulloren e brendshme të burgut të Burrelit, komanda më detyroi të filloj grevën e urisë që prej 7 ditësh e s’dihet kur do ta përfundoj.

  1. Prej 23 vjetësh që jam i burgosur, në bazë të normativës (49 gram kaloriale, 6.8 gram vaj në ditë), kemi pasur një ditë supë orizi, një ditë supë makaronash, një ditë supë fasulesh. Prej një viti komanda, na i ka prerë fasulet.

Në magazinë ka pasur gjithnjë fasule (ndoshta me pakicë), por nuk u kanë dhënë kuzhinierëve tanë dhe kohët e fundit e kanë fshehur fare. Nuk është e drejtë që racionin tonë ta hanë policët. Ku do t’i siguroj unë, si i burgosur, proteinat minerale që më siguron ligji?

  1. Sistematikisht komanda kursen në kurrizin tonë dhe në favor të buxhetit, duke na dhënë zarzavate të kalbura ose tepër të lira (me muaj të tërë gjatë vitit na jepet kungull shqeto). Rregulli financiar parashikon që, mesatarja e kostos së zarzavateve gjatë gjithë vitit të jetë 1.8 lekë për kg., ndërsa ne na jepen asosh që kushtojnë zakonisht gjysmën e çmimit, teksa patatet dhe qepët në dimër janë “eveniment”.
  2. Zëvendësdrejtori i kampeve e burgjeve, Mitat Bare, në prani të kryetarit të Degës së Punëve të Brendshme dhe komandantit Ismail Musta, na lexoi vendimin e 28 majit 1983, “Mbi heqjen e gatimit personal (na ndalohet të ziejmë edhe një çaj me gazeta, kur jemi me grip) dhe kufizimin e ushqimeve (1-2 kg) dhe fruta e zarzavate (3 kg në muaj) nga familja. Na u lexua se kjo bëhet “për lehtësimin e familjeve tona”.

Ai lexoi shprehimisht:

“I burgosuri lejohet të marrë nga familja vetëm 1-2 kg në muaj sheqer, ose gjalpë, ose marmelatë, ose hallvasi, ose biskota e tjerë, si dhe pranë burgut do të hapet një dyqan ku do të ketë për konsum ditor, sallam, byrek, konserva, kafe të përgatitur, e tjerë”. Mbas pak ditësh, komandanti na lexoi dhe na afishoi një rregullore të re ku, përmbysej kokëtatëpjetë vendimi i 28 majit, sigurisht në dëm të të burgosurit.

Aty thuhej: “lejohet të marrësh nga familja 1-2 kg sheqer, gjalpë, marmelatë, hallvë e biskota (u zhduk fjala e tjerë), si dhe të blesh pranë dyqanit të burgut, për konsum ditor, sallam, byrekë, konserva, kafe të përgatitur; kur ka mundësi”. Kështu për çudi u hoq prapë fjala e tjerë dhe u shtua një fjalë magjike “kur ka mundësi”, që për komandantin do të thotë: “kur të dua unë”! Veç kësaj, na doli një klauzolë tjetër, e pa lexuar nga Mitat Bare, që thotë se:

“Në dyqan mund të blesh vetëm 3 kg. fruta zarzavate në muaj, po të mos i kemi marrë nga familja, gjë që më duket se nuk ka të bëjë fare me lehtësimin e familjes, që u përdor si motiv i vendimit të 28 majit. Për javë të tëra, dyqani mbeti me kafe, biskota dhe reçel. Një herë në pesëmbëdhjetë ditë, na ndanin nga 100 gram sallam, i cili zhdukej përsëri. Nga 2 kilogramshi i lejuar, shitej vetëm sheqeri, të tjera, thoshin, nuk ka.

Unë e kuptoj se mund të ketë mungesa në treg: po si qëlloi që në listën tone, të vihen artikuj vetëm që nuk gjenden. Kërkuam të na i zëvendësonin artikujt që nuk gjendeshin, me gjizë, djathë, apo një çikë vaj, sa për t’i hedhur supës së kazanit, por komandanti, na u përgjigj: “S’keni për të ngrënë kurrë gjizë, djathë e vaj”. Rojet talleshin me ne: “Hani reçel e biskota, pini kafe”!

Por a ka njeri në Shqipëri që të jetojë me biskota e reçel! Sa herë e kam lexuar në shtypin e librat tuaj, fjalën e Mari Antuanetës më 1789: “Ç’ka populli që bërtet?- Duan bukë!-Po pse s’hanë biskota”!

Për mua sistemi i furnizimit, që ka vendosur komandanti, është një grabitje e të ardhurave tona minimale, me anën e shitjes së detyruar të artikujve që nuk shkojnë në treg. Rregullorja i lejon konservat. Komandanti lejon vetëm reçel molle dhe speca turshi. Thuhet që kombinati “Ali Kelmendi”, prodhon mbi 100 lloje konservash. Ja që nuk mund të vikan të gjitha, ja as gjysma, po 10-15 lloje (groshë në kavanoz, fërgesë gjize, ullinj konserve, kuti sardele, kuti mishi), a nuk mund të vijnë?

  1. Në këto kushte, familjet dërguan pako. Mua më nisën një kile qumësht pluhur, një gjysmë kile djathë e dy kile qepë. Pakoja m’u kthye mbrapsht, si shumë të tjerëve, sikur qumështi, djathi e qepët ishin lëndë radioaktive. Si ka mundësi që qumështi i kondensuar të lejohet në dyqan e, të mos lejohet nga familja? Në takime ka ndodhur që një shalqi të ndahet përgjysmë, gjysma t’i kthehet familjes, gjysma të burgosurit. Lëkurat futeshin në peshën e 3 kilshit.

Një tjetri i solli e shoqja 3 kg. ullinj dhe ia kthyen, duke thënë se ullinjtë qenkan rreptësisht të ndaluar. Hapa fjalorin e gjuhës shqipe dhe doli se qenkësh frut i një peme gjithnjë të gjelbër. Çfarë e konsideron komanda ullirin, mineral nga nëntoka apo prodhim deti që, s’e lejon të futet në kapitullin e 3 kg. fruta zarzavatesh?! Mua më kthyen dhjetë qofte dhe tri vezë të ziera, që m’i kishte sjellë nëna në takim, megjithëse ishin brenda peshës 2 kg në muaj.

  1. Sistematikisht na janë ngrënë 2 orët e ajrimit që na i siguron rregullorja. Cilitdo, kur i teket, të ha 20 minuta dhe po t’i ankohesh të kërcënon. Ora qëndron e fshehur në zyrë, por ne na i tregonte altoparlanti që kemi në dhomë, minutat e humbura. Një meremetim i vogël, një vizitë, një nisje në spital, një takim, një thirrje në komandë, të gjitha këto janë shkaqe për të prerë ajrin tonë jetik. (Jetojmë në një dhomë 8 me 5 m. 22-24 burra të ndriçuar nga një llambë 40 vatëshe, njëlloj me ato të nevojtoreve dhe birucave).

Nuk po përmend mbylljet me javë të tëra, kur komanda refuzon të na nxjerrë një orë në mensë që, të ajroset dhoma dhe të shihemi ne. Edhe kur bëjmë ajrimin, shumica e 60 minutave, ikën me punë të tjera: pastrimi i dhomës, radha në nevojtore, radha për rruajtje e qethje, radha për furnizimin ditor në dyqan, banjo, larja e teshave. Kështu që ajrimi efektiv, po të jesh dorëgjerë në llogari, katandiset rreth 30 minuta. Kurrë s’mund të gjesh në oborr më tepër se 8-10 vetë që shëtisin, të tjerët janë të zënë me punë anti-ajrosje.

  1. Nevojtorja na lejohet dy herë në 24 orë nga 20 minuta. Ka katër të ndara dhe dy çezma. 22-24 pjesëtarët e dhomës, detyrohen të mbyllen të gjithë brenda. Po të nxjerrësh kokën a trupin te dera, për shkak të ngjeshjes së madhe e pamundësisë së lëvizjes, je nën kërcënimin e birucës dhe prerjes së korrespondencës 3 muaj, jo kërcënim teorik, po i praktikuar shpesh herë.

Çdo njeri ka 1’30’’ në çezmë dhe tre minuta në nevojtore. A mund të laj këmbët, duart, dhëmbët, të mbushë ujë për të pirë, të derdhë e të shpëlajë paguren e urinës për 90 sekonda. Komanda ka kohë të tepërt në darkë nga ora 6 deri në 9, por refuzon t’i shtojë minutat. Të burgosurit detyrohen të kthehen me duar të palara nga nevojtorja, shkak i përhapjes së sëmundjeve të barkut në burg.

Në dhomë, shumica përdorin pagure urine dhe mbajnë te koka shishe plastmasi, kur t’i zërë e keqja. Gjatë 23 vjetëve që jam në burg, ka pasur periudha kur na është hapur dera në mesnatë, ndërsa tani na e refuzojnë shpesh edhe ditën, duke i detyruar njerëzit të dalin në nevojë, në sy të burrave.

  1. Në rregullore kemi banjo një herë në dhjetë ditë dhe larje teshash një herë në dhjetë ditë. Në praktikë, banjoja nuk funksionon me muaj, por edhe kur ndizet jo të gjithë mund të bëjnë brenda një ore (24 vetë në tri kabina pa derë, për 60 minuta të dyshimtë). Komanda mund të gjejë kohë të lirë për t’i kryer këto punë, jashtë kohës së ajrimit, siç ka qenë përpara, po nuk do.
  2. I kemi kërkuar komandantit që në korrik dezinfektimin, për çimka e miza. “Do të ketë”! – tha. Vetëm në shtator kur në dhomën 6/1 ra tifoja, një sëmundje ngjitëse, u dezinfektua vetëm një dhomë.
  3. Zyrtarisht kemi 3 infermieri. Praktikisht ato janë kot. Një herë në vit a në dy vjet shtrohet një njeri, i vihet edhe një “shoqërues”, për dhjetë ditë (fati i “fukarait”) dhe pastaj rrinë e pluhurosen, megjithëse këtu ka mjaft të sëmurë edhe të pashërueshëm. Një herë në vit a në dy vjet, vjen një komision i shëndetësisë, nga Ministria e Punëve të Brendshme, në dhomë mjekët fusin kokat, shtrembërojnë hundët nga ajri i qelbur dhe ikin duke lënë një proces-verbal, se çdo gjë është në rregull.

Rrallë e për mall, bëjmë nga një radioskopi: të gjithë dalin shëndosh. Një herë ca vite më parë na doli “shëndosh” edhe Skënder Alia, që bëri radioskopinë. Qëllonte që një ose dy vetave, u jepej raport 10 ditë qumësht, i cili u pritej mbas 7 ditëve. Kam lexuar mjaft, por si të ketë ndonjë sëmundje gjoksi që shërohet me 7 lugë (250 gramshe) qumësht!

I kam shkruar për disa nga këto fakte komandës, jam ankuar edhe me gojë, por gjithnjë kam marrë përgjigje negative.

Në këto rrethana, u detyrova të shpall grevën e urisë, duke kërkuar respektimin e ligjshmërisë e zbatimin e rregullores.

Që ditën e parë sollën gjalpë në dyqanin e burgut. I porositur muaj me radhë dhe i refuzuar prerë nga komandanti.

Më thirrën të nesërmen përsëri: “Pse s’e prish grevën, ta sollën gjalpin”, më thanë. “Unë s’kam bërë grevë për gjalpë, s’jam zotëri të jetoj me gjalpë, biskota e reçel. Do të ishte turp për mua që, të bëja grevë për gjalpë. Atë ma keni imponuar, unë dua të blej një lugë gjizë e një lugë vaj, për t’ia hedhur supës së kazanit. Unë bëj grevë për zbatimin e rregullores”.

Ditën e dytë erdhën konservat e peshkut të zhdukura me kohë, ditën e tretë erdhën djathi (100 gr. për njeri) dhe sallami i zhdukur prej kaq ditësh (500 gr. për njeri), megjithëse komandanti kishte thënë: “S’keni për të ngrënë kurrë djathë e gjizë”. Si ndodhi që u gjetën gjithë këto gjëra për tri ditë?

Vetëm se nga rregullorja e afishuar në mur, nuk është hequr ende shtrembërimi i bërë me qëllim i vendimit të 28 majit, gjë që bën të dyshoj se, pas dy javësh, komanda mund të tallet përsëri me parullën: “Pini kafe, hani biskota e reçel”.

Infermieri i repartit, nënoficeri Kamber Lybeshari, nuk të përgjigjet as të viziton, po nuk e thirre “zoti doktor”! Dy herë më kanë shtruar në infermieri, më 1969 e ’70, kur isha me bronko-pneumoni dhe krizë zemre. Të dyja herët nuk më ka futur në forcë, por më ka lënë me supën e kazanit dy javë.

Në vend të ushqimit të infermierisë, më futën provokatorin dhe dëshmitarin e njohur profesionist Muharrem Koliqi, i cili të gjitha fjalët që thoshte vetë (unë s’mund të flisja fare se isha me krizë zemre), i regjistroi në emrin tim dhe pas 10 vjetësh, më 1979, u dënova rishtas me 12 vjet të tjerë, në bazë të dëshmisë së tij. Ja përse përdoren kryesisht infermieritë.

E kam si sot parasysh fshatarin e gjorë Hilmi Gocaj që, kishte 19 vjet burg dhe i mbeteshin pak muaj për t’u liruar. E kishte zënë një dhimbje në bark dhe përditë i ankohej Lybesharit. Ditën e fundit i tha: “Po jam keq zoti doktor, aman më bëj derman”! Do qumësht ti, do qumësht, prandaj bën ashtu”! – i’u përgjigj me cinizëm Lybeshari. Në darkë ai u bë shumë keq.

Dera trokiti gjithë natën me forcë (janë shenjat e qarta në derën e dhomës 10, sot mensa, po askush s’e hapi). Në të aguar Hilmiu vdiq. Erdhi Kamberi me infermierin e pastruesin dhe e çuan në infermieri. Bënë një proces-verbal “të saktë”, ku thuhej se: vdiq nën kujdesjet e shëndetësisë. Thirrën karrocën e komunales dhe çdo gjë u mbyll mirë e bukur.

PROLOGU I ROMANCËS “BUKUROSHJA ME HIJEN”

Për të më futur në qeli, operativët e burgut gjenin gjithmonë pretekste nga më absurdet. Kishte vite kur nuk mjaftoheshin me futjen në birucë në dimër, që e kisha “racion” të përhershëm, por edhe në pranverë e verë. Një ditë në apelin e drekës, erdhi nënoficeri A.K., një polic sadist me dhëmbë aligatori dhe ulëriti. “Përse e ke varur kapelen në mur? Përse e ke shpuar murin? Ku e ke gjetur gozhdën? Pse ke shkelur rregulloren”? I thashë qetë se, suvaja kish qenë e shpuar, unë kisha futur një kunj shkrepëseje në të dhe kisha varur kapelen.

Pasi më dënoi me një muaj birucë, u kthye dhe u tha shokëve të mi gjithë kënaqësi: “Jua rrasa në birucë atë priftin tuaj”.

Dhe s’kish faj! Pjetër po, shkodran po, me syze, tullac, me pantallona të zeza, ditë e natë me libra të trashë në duar, unë, patjetër, për sytë e tij duhet të isha prift.

Kur dola, i shkrova ministrit të Brendshëm, Kadri Hazbiu një letër ironike, ku i thosha se: me profesion jam mësues letërsie, se kam kryer Fakultetin e Filologjisë të Universitetit Shtetëror të Tiranës, i cili, me sa di, nuk kishte akoma degë për priftërinj.

Kjo letër më kushtoi edhe një muaj tjetër biruce, me kërcënimin për ri dënim të bërë zyrtarisht nga drejtori i burgjeve B.H. dhe komisari i burgut A.M., që lehnin njëri me zë të trashë, tjetri me zë të hollë. Them lehnin, se asnjërin s’e kisha dëgjuar, të fliste ndonjëherë si njeri.

Kishte raste kur dënohesha se, kisha vënë nallanet shtrembër, se kisha qeshur me zë të lartë, se kisha lexuar natën. Njëherë s’po gjenin dot pretekst.

Kur ja, vjen një ditë polici A.P. dhe më thotë: “Je caktuar përgjegjës dhome”. E kundërshtova prerë. Më dënuan me një muaj birucë për moszbatim urdhri. Bëra grevë urie. Isha i zhveshur, në çimento. Kur dilnim të lanim sytë e për të pirë ujë, dyert rrinin hapur dhe një shoku im i dënuar përballë, tek shikonte me lakmi racionet e mia të bukës të paprekura, të mbledhura pilë anës së murit, i thoshte rojës me shaka. Si nuk gabuat, zoti roje, të më ndërronit birucë me Pjetrin?

Një ditë gjeta te çezma dy gazeta “Zëri i popullit”, e vetmja gazetë të cilën na e lexonin me detyrim çdo ditë pas buke. U gëzova pa masë. I lexova me një frymë, pastaj i hodha në skaj të qelisë.

Uria e vullnetshme ndihet vetëm në ditët e para të grevës, pastaj trupin e ndien krejt të lehtë. Shtrirë në çimento, me sytë mbyllur, po mendoja, kujtoja, ëndërroja. Të kisha një letër do të shkruaja diçka, po s’kisha. I burgosuri i stërvitur gjithmonë është mirë të ketë disa mjete të domosdoshme të fshehura: një copë brisk, zakonisht penë e mprehur, një fill pe, dy fije shkrepëse, një zhig-zhig e një laps me vete.

Edhe unë kisha një plumbçe një centimetër të gjatë, të futur në të qepurën e këmbëzës së pantallonave ku, s’kishte burrë ta gjente edhe sikur njëqind herë të më kontrollonte. Mora përsëri gazetat t’i lexoj, si ai që s’ka ç’bën. Befas më vajti syri tek anët e bardha të gazetës. Ç’mrekulli!

Nisa të shkruaj në to. Një punë torturuese, provoni të shkruani në grevë urie, shtrirë barkas në çimento, me plumbçin e shkurtër që mezi mbahej mes gishtave, nën shqetësimin se do të hapej sporteli e do të më shikojë polici. Tek mua erdhën dallgë…! Liria…si një bukuroshe e të tjerëve, që e ruanin hije të përçudnuara. Dhe ika të shëtis maleve. Memorie.al

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/ne-infermeri-me-futen-deshmitarin-profesionsit-m-k-kurse-plakut-te-gjore-hilmi-g-qe-kishte-bere-19-vjet-e-do-lirohej-doktor-kamber-b-e-la-te-letra-e-p/