“Në gjyq, më doli dëshmitar, Alfred M., kurse hetuesi im, Arqile D., pas ’90-ës, kur isha drejtor i burgut të Drenovës, më erdhi për inspektim…”/ Dëshmia e rrallë e ish-të dënuarit nga Maliqi

Nga Najada Pendavinji

Memorie.al / Petrit Bazelli është një nga të persekutuarit e regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe pasuesit të tij, Ramiz Alia, i cili si familje e ka përjetuar përndjekjen menjëherë pas mbarimit të Luftës në vitin 1944. Ai u arrestua nga Sigurimi i Shtetit, nën akuzën e “agjitacionit dhe propagandës”në mars të vitit 1980. Ka lindur në fshatin Maliq të Korçës, në vitin 1949 dhe është nipi i atdhetarit të njohur, Pasho Kolaneci, (të cilin regjimi komunist e pushkatoi, duke e akuzuar si “armik i popullit”), dhe kushëriri i Asim Bazellit, i cili u dënua me 25 vjet burg. Petrit Bazelli, ishte i treti nga fisi i tij, që përjetoi hakmarrjen komuniste, duke u dënuar me 10 vjet burg, të cilat i vuajti kryesisht në kampin e Spaçit dhe Qafë Barit. Ai është një nga dëshmitarët okularë të revoltës në kamp-burgun e Qafë Barit, në majin e vitit 1984 dhe në dëshmitë e tij, ai flet me dhimbje edhe për disa nga bashkëvuajtësit që u torturuan, u plagosën apo humbën jetën, gjatë asaj revolte e cila u organizua prej tyre, për më shumë liri dhe të drejta njerëzore. Menjëherë pas shembjes së regjimit komunist në fillimin e vitit 1991, Petrit Bazelli u angazhua duke dhënë kontributin e tij, në mbrojtjen e të drejtave dhe dinjitetit të viktimave të krimeve komuniste.

Z. Bazelli, cila është historia e familjes suaj?

Unë jam nga Maliqi i Korçës dhe rrjedh nga një familje e mesme nga ana ekonomike, por që të parët tanë kanë dhënë kontributin e tyre në çlirimin e Shqipërisë, siç ishte atdhetari Pasho Kolaneci, të cilin regjimi komunist e pushkatoi së bashku me Asim Bazellin, i cili u dënua me 25 vjet burg.

Kështu, i treti nga fisi që e pësoi dhe përjetoi burgjet komuniste, jam unë. Kam mbaruar shkollën e mesme me rezultate të shkëlqyera dhe kam ushtruar profesionin e mësuesit të matematikës, në fshatin Moglicë, deri në vitin 1975, ku papritur pushohem nga puna pa asnjë lloj arsyetimi, por sigurisht për probleme biografike, pasi i përkisja klasës antikomuniste.

Dhe pas kësaj, të ardhurat ishin të pakta, sepse fillova punë si kaldaist në Kombinatin e Sheqerit, këtu në Maliq, ku paga ishte e vogël. Por koha e diktaturës komuniste ishte e tillë që, të ruanin e survejonin nga të gjitha anët, kështu që më 20 dhjetor 1980, arrestohem nga Sigurimi i Shtetit, nën akuzën për agjitacion e propagandë.

Pra po t’i thoshe të bardhës e bardhë dhe të zezës e zezë, kishe bërë agjitacion kundër shtetit. Duhej t’i thoshe të zezës e bardhë, gjithnjë e bardhë që, të shpëtoje nga kthetrat e komunizmit. Kur u arrestova, isha në moshën 32 vjeçare, kisha krijuar familje dhe kisha katër fëmijë, ku më i vogli ishte dy muaj e gjysëm.

Ku ua bënë hetuesinë, kush ishin hetuesit tuaj dhe a jeni përballur me ta pas viteve ’90-të?

Hetuesinë e bëra në qelitë e Degës së Punëve të Brendshme të Korçës. Ishte e njëjta si për të gjithë shqiptarët që e provuan, të gjithë ish të dënuarit e dinë, edhe kushdo që ka pasur dëshirë ta mësojë e ka mësuar këto 30 vjet, se si ishte hetuesia e komunizmit.

Atje përballeshe me pyetje të pakuptimta, vetëm e vetëm të thoje atë që kërkonin ata. Të vendosnin në një karrige të betonizuar me duar të lidhura mbrapa, duke bërë çfarë të donin me ty. Hetuesi im ka qenë Arqile Dine. Është vërtet për t’u çuditur, për arsye se në vitin 2011, hetuesi i komunizmit ishte akoma në punët e shtetit në Hetuesinë e Krimeve të Rënda.

Këtë e kam me fakte, sepse kur vijnë njëherë nga ato institucione ku punonte ai, për të kontrolluar dokumentet e të burgosurve ordinerë që ishin në burgun e Korçës, për arsye se unë isha drejtor i burgut të Korçës në këto vite, prezent me ta ishte edhe Arqile Dine. E kam parë dhe e kam njohur që ishte ai nga dritarja e zyrës sime.

Nuk e di nëse do e besoni, por vërtet kur e pashë atë fytyrë, që ishte e njëjta siç ka qenë në ato vite, m’u rikthyen në mendje jo vetëm koha e hetuesisë, por edhe vitet e burgut. Unë për të mos bërë skandal, sepse ishte vërtet e papranueshme situata nga ana ime, të përballesha me hetuesin e komunizmit pas këtyre viteve, me pak kujdes ju thashë që në zyrë le të vijnë vetë dy veta, për arsye se s’kishim shumë ambiente.

Në fakt ambienti ishte i gjerë. Por siç ju thashë, për të mos shkaktuar ndonjë skandal tjetër dhe duke përmbajtur veten nga emocionet që vijnë nga prezenca e hetuesve të diktaturës akoma në organet e pushtetit demokratik, për më tepër që ishte Partia Demokratike në pushtet, nuk e pranova në zyrë, dhe erdhën dy çuna të rinj, ku në fund të bisedës, ua tregova atyre të cilët nuk e dinin sesi ishte situata dhe u çuditën si ka mundësi të ishte e vërtetë ajo që po u tregoja. Kjo është e vërteta.

Me sa vite burg u dënuat dhe ku e vuajtët dënimin?

Gjyqi u zhvillua me dyer të mbyllura, në Korçë ku më dolën katër dëshmitarë, të cilët unë i njihja dhe njëri prej tyre ishte Alfred Muço. Kur kam dalë unë nga burgu, kam marrë vesh se ai vrau veten. Vërtet mund të them se ata që spiunonin mund të ndiheshin të detyruar edhe nga Sigurimi, por ishin persona të dobët në karakter, që bënin ato që i thoshte Sigurimi i Shtetit. Vendimi i gjyqit ishte me 10 vjet burg, por meqenëse ndodhën ato ndryshimet, ndërhyrjet politike nga Europa, pikërisht mbas ardhjes së Pérez de Cuéllar në Shqipëri në vitin 1990, filluan amnistitë.

U bë amnistia e parë që ishte një e katërta e dënimit, unë kisha bërë dy vite burg, m’u hoqën 2 vite. Amnistia e dytë u bë pas 1 vit e gjysmë, m’u hoqën edhe disa muaj të tjerë dhe të tjerat i fitova me punë. Kështu që unë, nga 10 vjet që dha trupi gjykues, kam bërë 7 vite burg. Në fillim, më çuan në kampin e Spaçit dhe më pas, në burgun e Qafë Barit.

Çfarë kujtoni nga burgu i Spaçit?

Në maj të vitit ’81, na çuan në kampin-burg të Spaçit. Menjëherë më futën në punë në minierë, ku punova në zonën e dytë, sigurisht në galeri nëntokë ku ishim të detyruar të bënim normën. Por unë me ata shokët e mi ku unë isha minator dhe dy të tjerët vagonistë, punonim së bashku dhe ishim të detyruar që të bënim normat mbi 100%, për të marrë ditët e zbritjes dhe ato pak lekë që mos harxhonim familjen, pasi ishte vërtet varfëri e madhe. Spaçi ishte i tmerrshëm, uri nuk mund të them se kishte, por për ata që punonin, sigurisht, pasi ushqimi ishte i bollshëm, por edhe puna e vështirë.

Kë kujtoni ndonjë nga bashkëvuajtësit tuaj në atë kamp?

Në Spaç, kam takuar edhe Fatos Lubonjën, të birin e Todi Lubonjës dhe gjatë bisedës bënim shaka dhe i thoja: “Mirë ju që po vuani pasojat e dënimit të babait tuaj, por ne si na kapi ky persekutim, vetëm për një fjalë goje”?! Kujtoj bashkëvuajtës të tjerë si: Tomi Kondakçi, Sherif Merdani që ishin nga Korça, Nikolin Kurti, Muhamet Tirana, nga Shkodra.

Këtu në Spaç, kam gjetur të burgosur me të cilët kisha lidhur shoqëri që para burgut, por sigurisht që vazhdoi edhe pas jetës së burgut. Ishte koincidencë pasi kam gjetur një shokun tim kosovar, Jetulla Gashi nga Prishtina, këtu në burgun e Spaçit, por jo vetëm ky, pasi ishin edhe tre pleq të tjerë kosovarë që i kisha njohur para burgut, të cilët i kishin sjellë në Ndërmarrjen Bujqësore të Maliqit dhe që njihesha me ta.

Jetullai erdhi djalë i ri në Shqipëri pasi u arratis nga Kosova për problemet e tyre, dhe kemi qenë në një bankë që në vitin e dytë gjimnaz, pasi vitin e parë ai e kishte bërë në Prishtinë. Mbaruam gjimnazin bashkë, atij i doli shkolla për Mjekësi, punoi disa kohë në Korçë dhe më pas u transferua në Elbasan, bashkë me kosovarët e tjerë pleq. Mbas vitit ’78-të, kur i kishin hapur dyert me Jugosllavinë, i akuzuan për arratisje dhe veprimtari armiqësore dhe të katër këta, u dënuan në burgjet e Shqipërisë komuniste.

Mbas dy vjetësh, arrestohem unë dhe takohemi për herë të dytë në Spaç me Jetulla Gashin. Kur shkova në Spaç, mora vesh që ai punonte në galeri, sepse e kishin hequr si mjek, pasi kishte dhënë raporte për të burgosurit e sëmurë. Kemi qëndruar gati tre vjet bashkë në një dhomë së bashku me Sandër Sokolin, punonim në galeri, derisa Jetullanë e transferuan e çuan në Burrel dhe nuk u takuam më në burg. Por kur u lirova unë nga Qafë Bari, Jetullai kishte vajtur doktor atje, por nuk rastisëm të takoheshim.

Pasi u mbyllën burgjet politike në ’91-in, Jetullai punoi mjek në Tiranë dhe më pas kishte ikur në Zvicër. Nuk po lidheshim më, pas kësaj, kishte shkuar në Kosovë tek familja e tij dhe ishte martuar. Por në kohën e gjenocidit serb, kur i sollën kosovarët në Shqipëri, Jetullain me të shoqen dhe katër fëmijët bashkë me të motrën dhe tre fëmijët e saj, i mora në shtëpi.

I mbajtëm derisa mbaroi lufta në Kosovë dhe unë kam qenë i mirëpritur nga Jetullai në Prishtinë. Ky ishte takimi i tretë me Jetullain në jetën tonë. Kemi mbetur miq për gjithë jetën, sigurisht me të gjithë kosovarët e tjerë që ishin nëpër burgjet e Shqipërisë.

Të kthehemi përsëri të periudha e vuajtjes së dënimit, kur u transferuat në kampin e Qafë Barit?

Në vitin 1983, mbasi u mbyll burgu i Ballshit edhe bashkë me një pjesë të të burgosurve të burgut të Spaçit, na çuan në kampin e Qafë – Barit, ku kam qëndruar deri ditën e lirimit. Kampi-burg i Qafë Barit, ishte një minierë e tmerrshme për kushtet e punës, pasi ishte e gjitha me lagështi, me ujë që pikonte nga galeritë, i cili ishte me përbërje acid piriti, sa mund të them na i shkrumbonte edhe rrobat, aq i fortë ishte.

Mbaj mend që kjo lloj përbërje, nuk e di, më bëri alergji dhe pata ënjtje të duarve dhe këmbëve, sa nuk i vishja dot pantallonat dhe bluzat. Këtu natyrisht kam punuar në minierë, derisa një javë para revoltës së Qafë Barit, dola nga miniera për arsye të sëmundjes që thashë pak më lart dhe ndenja regjim burgu. Ata që nuk arrinin të bënin dot normën, i merrnin dhe i torturonin.

Por jo se nuk bëhej norma, por nuk kishte mineral, pasi aq nxirrnin shpërthimet që bëheshin brenda në shkëmb. Na detyronin që të rrinim edhe tetë orë të tjera në punë, që të realizonim normën dhe pikërisht këto gjëra shkaktuan edhe revoltën e të burgosurve. Qafë Bari ndodhej rreth 18 km. larg qytetit të Pukës, në afërsi të Fushë Arrësit, ku brenda kamp-burgut kishte rreth 700 të burgosur. Kampi ishte i rrethuar me tela me gjemba e roja të shumta të armatosura ushtarë dhe policë…!

Çfarë ndodhi në revoltën e Qafë Barit, cilat ishin pasojat pas shtypjes së saj?

Isha prezent në revoltën e Qafë Barit, e cila për koincidencë u bë në maj, në të njëjtën ditë, ashtu si dhe revolta e Spaçit, por me 11 vjet më vonë, pra më 20 maj të vitit 1984. Kur bisedonim me të burgosurit, e mendonim se kjo revoltë mund të ishte e organizuar nga vetë personat e Sigurimit të Shtetit, për të bërë eliminimet e atyre personave që ata kishin në plan. Isha prezent në përplasje midis të burgosurve dhe policëve të kampit, mbasi filluan t’i arrestonin, na vijnë në mensën e kampit dhe na thërrasin emrat një e nga një.

I pari që kundërshtoi, ishte Kosta Gjordeni nga Durrësi. Kështu ata fillimisht qëlluan në drejtim të të ndjerit Tom Ndoj, i cili doli para turmës, në atë moment kam thirrur: “mos Tom”, por nuk e zuri plumbi dhe u plagos Kosta Gjordeni. Nëse ai nuk do kishte dalë para plumbit, do më kishte goditur mua afër zemrës, sepse isha në krah të tij. E mora Kosta Gjordenin në krahë dhe e ngjita në kapanonin e Qafë Barit lart, në të cilin rrinin kryesisht ata të papunët. Atje e lashë derisa erdhi doktori për t’ia shikuar plagën.

Pas kësaj, vijnë mbas dy ditësh në Qafë Bari, për të bërë arrestime në shenjë hakmarrjeje ndaj atyre që organizuan revoltën. Kështu janë arrestuar tre miqtë e mi të ndjerë, i pari Drango Vujosheviç, i cili ishte doktor i burgosur, (një malazez që kishte mbetur në Shqipëri), i cili kishte edhe djalin e tij në burgun e Spaçit, për arsye se kishin tentuar të arratiseshin. Edhe djalin ia kam njohur.

I dyti u arrestua i ndjeri Nuredin Skrapari, inxhinierë nafte me profesion. Dhe i treti u arrestua Sandër Sokoli nga Tropoja, ishte nipi i Sadik Bekteshit. Mësuam nga policët se Sandri i shkretë në kohën që e arrestuan dhe e kishin çuar në ambientet ku i futën të arrestuarit, kishte reaguar kundër tyre. Nuk i përballoi dot torturat, goditjet që ju bënë dhe ata si rezultat, e shtrinë përmbys dhe i ngrenë kokën e këmbët dhe e thyejnë në mes. Na thanë policët që vdiq pa vajtur në Fushë Arrëz.

Kujtoj me dhimbje dhe Sokol Sokolin që u pushkatua. Kur vajtëm në Pukë, sepse na morën meqë kisha dalë nga galeria, si të aftë për punë, për të punuar në komisariatin e Pukës, ku u bënë disa ndërtime, u përshtat një ndërtesë ngjitur me Degën e Brendshme për hetuesi, kur u nda hetuesia nga Sigurimi i Shtetit. Atje kemi fjetur për disa muaj në një tunel. Kur na thërrisnin për t’u qethur te berberi, na futën në një dhomë në komisariatin e Pukës, ku gjetëm dy çantat me plaçkat e Tom Ndojës dhe Sokol Sokolit, që i pushkatuan dhe rrobat nuk ia kishin dhënë familjarëve.

Unë hyra i pari që u qetha e i pashë ato çanta, dhe më thotë ish-polici, pse i shikon ato çanta ashtu…?!  “Jo i thashë, unë nuk po shikoj çantat, ti ku e kupton që po shikoj ato, por edhe nëse i shikoja, s’ka problem, pasi këta janë bashkëvuajtësit e mi që u pushkatuan nga ju”. Këta policë nuk i dinin rregullat e burgut, por kishin marrë instruksione nga Edmond Caja që, të silleshin me ne, siç silleshin kolegët e tyre në kampin e Qafë Barit.

Është e çuditshme se kam parë në televizor që diskutohet për dy kriminelë që kanë qenë në periudhën e Revoltës së Qafë Barit, ishin ata që shtypën me dhunë këtë revoltë. Edmond Caja, i cili para revoltës ishte shef policie, ndërsa mbas revoltës, për krimet që bëri që i kanë deklaruar edhe bashkëvuajtësit e mi, u gradua drejtor burgu dhe përsëri shef policie u vu një oficer i ri, Ludovik Cali, identik për të mos thënë, më kriminel se Edmond Caja.

Si vazhdoi jeta juaj pasi u liruat nga burgu?

Unë jam liruar nga burgu në 30 tetor 1987, kur isha 40 vjeç. Fillova punë në Ndërmarrjen Bujqësore, ndryshe nuk kishim ku të vinim dhe nuk të pyeste njeri çfarë shkolle kishe, pasi ishe një ish-i dënuar. Në momentin që u ndërrua sistemi, kam punuar në punë shteti, por natyrisht vetëm kur e merrte pushtetin Partia Demokratike, ndryshe, ne mbeteshim për të tjerët “armiqtë e popullit” dhe s’bëhej fjalë të na merrnin në punë!

Për çudinë e kohës, sepse mbeturinat e komunizmit, tentakulat e komunizmit ekzistojnë dhe fuqimisht janë fokusuar në drejtim të ekonomisë, duke zbatuar vendimin e Plenumit të ’89-ës, që shoku Ramiz, i’u tha: “Ne që bëmë komunizmin, do bëjmë kapitalizmin”.

Ky është kapitalizmi shqiptar, është aq i mirë sa po e braktisin të gjithë forcat e punës, njerëzit me shkollë të lartë, me profesione, pasi këto janë pasojat e qeverisë neokomuniste që ekziston edhe tani…/! Memorie.al

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/ne-gjyq-me-doli-deshmitar-alfred-m-kurse-hetuesi-im-arqile-d-pas-90-es-kur-isha-drejtor-i-burgut-te-drenoves-me-erdhi-per-inspektim-deshmia-e-rralle-e-ish-te-de/