“Në dhjetor ’66-të, teksa shkova për stërvitje si zakonisht te këndi ‘Spartak’, traineri ekipit, më doli para dhe me lotë në sy…”/ Dëshmia e trishtë e legjendës së basketbollit shqiptar

Nga Gaspër Marku

Memorie.al / Filip Guraziu, është një nga ato emrat e spikatur të qytetit të Shkodrës, jeta e të cilit ka provuar jo pak surpriza të pakëndshme familjare, por që asnjëherë nuk u dorëzua duke i mbijetuar sfidave të jetës. Krahas të tjerave, Gurazezët, si një prej familjeve të vjetra dhe të nderuara shkodrane, kishin shumë pasion edhe sportin. Pjerin Guraziu, babai i Filipit, një nga intelektualët dhe ekonomistët më të zotë të viteve 50-të, emri i të cilit ka marrë shumë vëmendje lidhur me incidentin e ndodhur më 1951, të dhënat e evidentojnë si kampionin dhe rekordmenin e parë të sportit shqiptar në disiplinën e atletikës së lehtë shqiptare. Dhe, jo rastësisht, edhe djali i tij, Filip Guraziu, do të preferonte sportin.

Karriera sportive e Filip Guraziut

Sporti i basketbollit ka qenë që në fëmijëri pasioni kryesor i Filip Guraziut, me të cilin provoi të ketë suksese të shumta me “Vllazninë”, “Tiranën” dhe kombëtaren e Shqipërisë, por ecuria e karrierës së tij sportive, do të shoqërohet me situata të pakëndshme, ku falë asaj që është quajtur asokohe, lufta e klasave, ai ka provuar jo pak vuajtje në jetën e tij, ku sidomos ato emocionale kanë qenë tejet të vështira.

“Në rininë time, sporti për mua ishte gjithçka, ishte investimi më i madh i jetës. Sporti ishte gëzimi, kënaqësia, krenaria, sakrifica, besimi dhe optimizmi i jetës. Sporti ishte siguria politike, siguria e punës, siguria për konsolidimin e familjes. Sporti ishte vetë jeta! Në vjeshtën e vitit 1966 në moshën 23 vjeçare, me punë, djersë, disiplinë e sakrificë pata mbërrit me u diplomu për Matematikë në Universitetin Shtetëror të Tiranës, në vitin 1964 e, njëkohësisht, me mbajt mbi shpatulla një bagazh rezultatesh sportive me peshë shumë të madhe në fushën e basketbollit”, tregon zoti Guraziu, në një bisedë me “Veriu Sport”, ndërkohë që vijim kujton disa nga rezultatet sportive dhe tituj e nderit të fituar prej tij në vite.

Largimi nga sporti, – kujtim trishtues i Guraziut

“Në dhjetor të vitit 1966, shkova si çdo ditë pasditeve në stërvitje me skuadrën e “Vllaznisë” në fushën sportive të Këndit “Spartak” në Shkodër dhe para se me mbërrit te dhoma e zhveshjes, jashtë, pak si në qoshe, po më priste trajneri Esat Haxhi, i cili mu afrue dhe me tha se kishte diçka me më komuniku. Esati ishte i mpimë, u mundonte me shmangë shikimin sy në sy, dhe t’ue i’u dridh buza, foli me za të ultë: ”Filip, jam i autorizuem me të komuniku përjashtimin tënd prej aktivitetit sportiv të basketbollit për motive politike”, i shpëtuan lot prej syve.

Është një kujtim trishtues, që edhe sot kur e mëson realitetin e asaj kohe, është i tillë. Një përjashtim nga sporti, por në të njëjtën kohë duke e larguar nga arsimi si mësues i matematikës, e largojnë edhe nga qyteti, me një transferim në Dukagjin dhe më pas punëtor në Kombinatin e Drurit në Shkodër.

Rikthimi nga ndërhyrja e Bilal Parrucës…!

Largimin për motive politike nga sporti, Filip Guraziu e vuajti shumë, pasi edhe momenti që ndodhi, ishte pikërisht në një fazë kur forma e tij sportive ishte në kulm dhe se ai, kishte shumë për t’i dhënë ekipit. Por, pas dy viteve ndërprerje të aktivitetit sportiv, me interesimin e drejtpërdrejt të drejtuesit të lartë të qeverisjes vendore, Bilal Parruca, Guraziu do të rikthehej përsëri në sport, duke u ribashkuar me skuadrën kuqe blu.

“Falë ndërhyrjes së Bilal Parrucës, asokohe Kryetar i Komitetit Ekzekutiv i Rrethit Shkodër, fitova të drejtën e riaktivizimit në sportin e basketbollit. Për fatin tim të keq, ndoshta pasojë e ndërprerjes së stërvitjes për një periudhë dyvjeçare, mbas pak kohe u aksidentova në gju në mënyrë të pashërueshme”, shton në kujtimet e tij Guraziu.

Persekutimi dhe vuajtjet e familjes Guraziu!

Filip Guraziu, ka lindur më 18 qershor të vitit 1943 në Tiranë. Ai është djali i Pjerin Guraziut, intelektual i shkolluar në Perëndim, që mbante detyrën e shefit të financave në Ministrinë e Bujqësisë, deri sa u pushkatua nga shteti komunist në vitin 1951.

22 Shkurt 1951 – Pjerin Guraziu arrestohet dhe me 30 Mars 1952 pushkatohet me akuzën: “Akuzohen se: Janë vënë në shërbim të spiunazheve të huaja imperialiste, duke u bërë agjentë të rregullt të tyre. Kanë furnizuar spiunazhet e huaja me informata me karakter sekret ushtarak, politik dhe ekonomik në dëm të Republikës sonë Popullore”.

Pushkatimi i Pjerin Guraziut, lidhet me shpërthimin e dinamitit të hedhur në oborrin e ish-ndërtesës së Ambasadës Sovjetike në Tiranë, më 19 shkurt 1951.

Pas ngjarjes u arrestuan rreth 150 persona dhe u pushkatuan 22 intelektualë. Njoftimin se babai ishte pushkatuar si “armik i popullit”, familja e Filip Guraziut (i cili ishte vetëm 7 vjeç) e mësoi pas ekzekutimit. Familja u zhvendos nga Tirana në Shkodër, në shtëpinë e gjyshërve.

Gjatë viteve në vijim, e gjithë familja Guraziu është survejuar vazhdimisht nga Sigurimi i Shtetit. Në moshën 14 vjeçare, Filip Guraziu u zhvendos në Tiranë për shkollën e mesme dhe falë aftësive të mira sportive, arriti të integrohej.

Gjatë viteve të komunizmit, për shkak të luftës së klasave ai është përballur me përjashtim nga sporti, arsimi dhe ka punuar në fabrikën e druve dhe si punëtor krahu. Me këmbëngulje dhe vështirësi, Guraziu ndoqi shkollën e natës dhe punoi si llogaritar në kooperativë.

Pas ’90-ës, Filip Guraziu, kryebashkiaku i parë i Shkodrës

Për Filip Guraziun, ashtu si edhe për shumë të tjerë intelektual që kishin provuar persekutimin e sistemit të kaluar, proceset demokratike të pas vitit ‘90-të do të sillnin edhe ditë të mira. Që në zgjedhjet e para demokratike, falë votave të bashkëqytetarëve të tij, Filip Guraziut do t’i besohej drejtimi i Bashkisë së Shkodrës.

Për katër vite me radhë, 1992-1996, ai është kryetari i parë i Bashkisë së Shkodrës së viteve të demokracisë. Në vijim, Filip Guraziu shërben si anëtar i Këshillit Bashkiak, drejtor i Shkollës së mesme të përgjithshme “Jordan Misja”, Kryetar i Shoqatës së miqësisë Itali – Shqipëri me qendër në Firence e Shkodër, President i klubit “Vllaznia”, Nënkryetar i Shoqatës së të Përndjekurve Politikë me qendër në Shkodër, etj.

Sot, në moshën 81 vjeçare, falë edhe aktivizimit të tij me sport, Filip Guraziu gëzon një shëndet të plotë. Përpos frekuentimit të turizmit dhe ecjes në natyrë , ai është shumë aktiv me kontributin e tij në shoqërinë civile në mbrojtjen ekologjike, të turizmit, të artit, kulturës, autor i botimit të disa librave, aktualisht mbështetës dhe kultivues i zhvillimit të Gegnishtes, në portalin e të cilit, shkrimet dhe botimet e tij kanë një interes mjaft të madh nga ana e publikut.

Sukseset dhe titujt

– Dy herë Kampion Kombëtarë me Përfaqësuesen e Shkollave të Mesme të Tiranës, vitet 1959, 1960. “Medalje e artë e Spartakiadës Parë Kombëtare”, viti 1959 si basketbollisti më i dalluar dhe me perspektiv.

– Pjesëtar i Përfaqësues shqiptare të basketbollit për moshën deri 22 vjeç, në Lojërat Rinore të Bukureshtit, në shkurt 1960.

– Katër herë Kampion Kombëtar në Basketboll me të rriturit me “17 Nëntorin” e Tiranës për vitet 1961, 1962, 1963 dhe me “Vllazninë” e Shkodrës në sezonin sportiv 1966-1967, me emra të tillë shumë të njohur në formacion, si: Zyhdi Çoba, Nikolin Pali, Agim Lahi, Luan Shatku, Nikolin Kovaçi, Dhimitër Taçi, Petrit Osmani, Asllan Gjyrezi, Renato Radoja, Roland Koka. Kujtojmë këtu, që medaljen e katërt të kampionit me “Vllazninë”, Guraziu nuk pati mundësi ta marrë sepse, e larguan nga sporti në fazën e dytë për arsye politike.

– Fitues i 4 Kupave të Republikës, me skuadrën e “17 nëntorit” të Tiranës për vitet 1961, 1962, 1963, dhe me skuadrën e “Vllaznisë” së Shkodrës, në vitin 1966.

– Fitues i 3 Kupave të “Çlirimit të qytetit të Shkodrës” në vitet 1961, 1962, 1963.

– Fitues i 3 kupave të qytetit të Tiranës, në vitet 1961, 1962, 1963.

– Në moshën 18 vjeçare, pjesëtar i Përfaqësuese Shqiptare të Basketbollit.

– “Mjeshtër i Sportit”, në Basketboll në moshën 19 vjeçare.

– Fitues i Anketës së Gazetës “Sporti Popullor” si lojtar i “pesëshes më të mirë”, që do të përfaqësonte Shqipërinë në Lojërat Ballkanike të Basketbollit, të vitit 1965 në Tiranë.

– Lojtar kryesor i pesëshes së pare i Përfaqësueses shqiptare në Ballkaniadën e Basketbollit, që u zhvillua në Tiranë në dhjetor 1965.

– “Mjeshtër i Merituar”, në Sportin e Basketbollit, viti 1993.

– ” Nderi i Sportit Shqiptar”, viti 2000.

– “Medalje e Mirënjohjes”, viti 2006. Memorie.al

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/ne-dhjetor-66-te-teksa-shkova-per-stervitje-si-zakonisht-te-kendi-spartak-traineri-ekipit-me-doli-para-dhe-me-lote-ne-sy-deshmia-e-trishte-e-legjend/