“Në Degën e Brendshme të Durrësit, ndërhyra për dy mësues nga Vlora, të cilët akuzohehsin se kishin kapur dy vajza nga Elbasani dhe…”/ Dëshmia e rrallë e Xhaferr Kananit, që sfidoi regjimin komunist

Nga Florenc Bakillari 

Pjesa e Dytë

-Historia e rrallë e fshatarit nga Kalivaçi i Tepelenës që, pasi u vetë shpall si oficer i Sigurimit, u paraqit si i dërguari special i Kadri Hazbiut, në Degët e Punëve të Brendshme në Shkodër dhe Durrës-

Memorie.al / Xhaferr Kanani, personazhi i rrallë, në rrëfimin e tij për aventurën tejet të rrezikshme që ai ndërmori në vitin 1960, atë të vet shpallurit oficer i Sigurimit të Shtetit dhe më pas të prezantimin me “kolegët” në Degën e Punëve të Brendshme të Shkodrës dhe atë të Durrësit. Edhe pas gati pesë dekadash nga ajo kohë, ai çuditej për mungesën e vigjilencës atje, pikërisht në strofkën, ku thureshin planet për arrestimet, torturat, persekutimet, burgosjet e internimet e dhjetëra shkodranëve. Xhaferri do të befasohej nga prezantimi dhe pritja e ngrohtë që i bënë drejtuesit më të lartë të Degës së Punëve të Brendshme të Shkodrës, duke filluar na kryetari, kolonel Feçor Shehun, shefi i Policisë, kolonel Skënder Vinçani, shefi i Sigurimit, nënkolonel Hysen Hoxhati, etj. Pasi u bë i njohur në Shkodër, ai vendosi të vazhdonte lojën e tij të rrezikshme edhe në qytetin e Durrësit. Shkodra do t’i jepte Xhaferr Kananit, majorit të rremë, kënaqësinë e shoqërimit të kryeministrit Mehmet Shehu, i cili vizitoi qytetin verior, në verën e vitit 1960, ndërsa, Durrësi, shoqërimin e Enver Hoxhës, gjatë përcjelljes që kreu i Partisë së Punës së Shqipërisë, Enver Hoxha, i shoqëruar nga pjesa më e madhe e anëtarëve të Byrosë Politike, kishin ardhur në qytetin bregdetar për të përcjellë, Moris Torezin, kreun e Partisë Komuniste të Francës, pas vizitës disa ditore që ai kishte bërë në vendin tonë . Historinë e “inspektimit të tij, si i dërguar special i ministrit Kadri Hazbiu” në Shkodër dhe Durrës, janë përshkruar me detaje dhe hollësira nga vetë personazhi i shkrimit tonë, Xhaferr Kanani, në këtë intervistë të tij të gjatë, që do publikohet në disa numra.

                                                    Vijon nga numri i kaluar

Rrëfimi i fshatarit të Kalivaçit, që u vetë shpall “major” i Sigurimit të Shtetit, sa vjen e bëhet me interesante. Në numrin e sotëm, do të lexoni takimet e “majorit”, që ngjante shumë me Kadri Hazbiun, me oficerë të lartë të Ministrisë së Brendshme, të cilët, e kujtonin se shërbente në Degën e Durrësit. Ndërsa “kolegët” e qytetit bregdetar, teksa e shihnin me eprorët e tyre të qendrës, e merrnin se ai ishte i dërguari special i ministrit të Brendshëm.

Në intervistën e tij, Kanani tregon se, si i zgjidhte problemet që kishin pushuesit e huaj, kryesisht ata nga Gjermania Lindore, me policinë e Plazhit të Durrësit. Me një oratori dhe zgjuarsi të dhuruar nga natyra, djaloshi i ri nga Kalivaçi, u përball me gjermanët, duke iu mbajtur madje fjalime pas lutjes që mori nga Dega e Brendshme, për të zgjidhur konfliktet mes policisë dhe të huajve.

Zoti Kanani, a ju ka qëlluar të takoni oficerë madhore të Ministrisë së Brendshme?

Jam takuar disa herë me të tillë njerëz me grada dhe drejtues madhorë të Sigurimit të Shtetit. Kemi pirë me ta edhe kafe. Kur këta të fundit me shikonin me oficerët e Degës së Punëve të Brendshme, të Durrësit, mendonin se isha efektiv dhe koleg me ta. Kurse oficeret e Durrësit, kur më shihnin me eprorët e tyre të Ministrisë së Brendshme, mendonin se unë isha ai që u kisha thënë, i dërguari special i Kadri Hazbiut.

Kisha hyrë disa herë në “Bllokun” e udhëheqjes, duke shfrytëzuar njohjen me komandantin e Gardës, Kolonel Çelo Arrza. Kam takuar disa herë Ramiz Alinë, Manush Myftiun, Rita Markon, Gogo Nushin. Ata me pyesnin për të huajt që pushonin në Plazhin e Durrësit dhe u kam thënë gjithçka mendoja, në biseda të shkurtra sigurisht, se si silleshin gjermanët, polakët, çekët etj.

A ju ka ndodhur të ndërhyni në ndonjë rast për të dhënë mendim në lidhje me arrestimet apo ndalimet e kryera nga Sigurimi i Shtetit në Durrës?

Po, ka pasur shumë raste kur unë kam shpëtuar njerëz të vënë në shënjestër nga Sigurimi Shtetit. Shkoja shpesh në Postën e Policisë së plazhit, aty ku policët ndalonin shumë qytetarë. Shkoja e i pyesja për arsyet e ndalimeve dhe në pjesën më të madhe të rasteve, kam dhënë urdhër të liroheshin. “Si i dërguari special i Kadri Hazbiut”, për të vëzhguar veprimtarinë agjenturore të të huajve në Plazhin e Durrësit, më është dhënë rasti të kem shumë informacione rreth veprimeve të turistëve që vinin në atë kohë. Atëhere, në Plazhin e Durrësit vinin shumë turiste nga Gjermania Lindore dhe pushonin në kampin e rinisë në Durrës. Për ta ishin ngritur çadra dhe policia ishte ndeshur me disa kundërvajtje të të huajve.

Policët ishin gjithnjë dyshues për shqiptarët që shoqëroheshin me të huajt, por njëkohësisht paragjykonin këta të fundit duke i quajtur agjentë. Në shumë raste shqiptarët ishin shoqëruar në poste dhe unë kam ndërhyrë që të mos mbaheshin, se të rinj ishin dhe këto veprime ishin të moshës. Po kështu, u kisha thënë se edhe ndaj të huajve nuk ishte nevoja të ishin aq kritikë se ata vinin nga vende mike dhe nuk duheshin parë si agjentë.

Cilat ishin përplasjet e policëve me pushuesit e huaj në Plazhin e Durrësit?

Kujtoj se policët që shërbenin në periudhën e plazhit, vinin nga rrethet dhe kishin konstatuar se të huajt, me aparatet e tyre fotografike, kishin bërë shumë foto. Por jo të gjitha paraqisnin bukuritë e Durrësit, pasi shumë prej tyre ishin negativë për mendimin e specialistëve të asaj kohe. Në këto kushte, policët ishin detyruar që t’ua merrnin aparatet dhe t’u asgjësonin filmin për të fshehur në një farë mënyre të vërtetën nga sytë e Europës. Ata të huaj që kundërshtonin veprimet e policisë, shpesh silleshin në postën e plazhit.

Këto raste ishin bërë problem. Turistët, sidomos gjermanët, ishin të organizuar dhe shoqëroheshin nga një drejtues që quhej shef i shtabit të pushuesve. Në rastin konkret, ky rast kërkoi në Degën e Punëve të Brendshme të Durrësit sqarime se përse veprohej kështu me pushuesit. Ky ishte një defekt në marrëdhëniet polici-turiste. Kryetari i Degës së Punëve të Brendshme të Durrësit, Kopi Niko, ngarkoi shefin e policisë, nënkolonel Taqo Luarasi, që bashkë me mua dhe dy oficerë të merrnim një takim me gjermanët.

Çfarë ndodhi në këtë takim?

Na sollën fillimisht një përkthyes, ishte pedagog në Universitetin e Tiranës dhe me sa më kujtohet, ishte nga Gjirokastra dhe quhej Nusret. Shkuam në takim me pushuesit gjermanë, të cilët komandoheshin nga shefi i Shtabit të Kampit. Sapo hymë ra heshtja. Pushuesit e huaj kërkuan të dinin se përse policia i ndalonte të rinjtë shqiptarë të shoqëroheshin me ta. Gjithashtu, një pyetje tjetër ishte se a lejoheshin ato, vajzat, të kryenin martesa me shqiptarët. Na kërkuan llogari, pse policët tanë u thoshin shqiptarëve të mos shoqëroheshin me gjermanët se ishin agjentë. Dikush nga vajzat u ngrit dhe tha se ajo dhe shoqet e saj i preferonin shqiptarët për temperamentin e tyre. Shef Taqoja më thotë mua që ta merrja situatën në dorë, pasi ai nuk kishte eksperiencë në këto punë.

Si rrjedhojë, bashkëbisedimin e katranosëm ca unë dhe ca Nusreti. U thashë se kur njerëzit tanë shkonin në vendin e tyre, vepronin konform ligjit dhe rregullave të shtetit të tyre. Ndaj edhe ata duhet të bënin të njëjtën gjë, të respektonin traditat, rregullat duke mos krijuar probleme me policinë. Vijova duke u thënë se nuk ishte aspak e vërtetë që shqiptarët ndaloheshin të shoqëroheshin me to, pasi Shqipëria dhe Republika Demokratike Gjermane ishin vende mike.

Përsa i takonte lidhjes martesore, kjo ishte një pyetje që duhet t’u bëhej instancave më të larta dhe qeverisë. Për dashurinë me shqiptarët u thashë se si ndal kush, por duhet të kishin mendjen, të ishin të kujdesshëm e të mos qëndronin pranë shtëpisë së ndonjë qytetari fanatik, pasi kështu mund të krijoheshin probleme. Duhet te qëndronin, pra, ne vende ku lejoheshin të tilla gjëra. Përsa i përket ankesës se gjoja policia u thoshte agjentëve, iu përgjigja se kjo nuk ishte e vërtetë.

Keni asistuar në ndonjë vendngjarje gjatë kohës që shërbenit në Durrës?

Më kujtohet një rast, kur teksa qëndroja në plazh, te kampi i punëtorëve, shefi i Krimeve të Degës së Brendshme, Fane Xhuveli, më thotë se kishte ndodhur një vetëvrasje në fshatin Çetë të Kavajës. Ai më tha se duhet të shkoja me të, por na duhej dhe një makinë. I thashë Kristo Themelkos, nëse mund ta merrja makinën e tij. Ai më tha se le të bëhej copë makina e tij, për punët e Ministrisë së Brendshme. Morëm makinën dhe bashkë me mua ishin prokurori i rrethit, Riza Teqja, mjeku ligjor, Koçi Moisiu dhe shefi i Krimeve, Fane Xhuveli.

Atje ishte vetëvarur një plak. Kur mbërritëm në vend dhe bëmë veprimet, kuptova se donin të arrestonin djalin e të ndjerit, pasi dyshonin se ai mund ta kishte vrarë të atin. U thashë se për këtë nuk kishin fakte dhe nuk duhet të kishte ndodhur kështu. Pas ekspertizës, ata më thanë se duhet të firmosja edhe unë në proces-verbal dhe ashtu bëra. Kjo m’u ngrit edhe si akuzë në gjyqin tim.

Po armë, a mbanit më vetë?

Po, mbaja, madje dua t’u them se rrugës për në fshatin Çetë të Kavajës, tek bisedoja me “kolegët”, vura re një fakt të çuditshëm. Asnjë nga kuadrot me të cilët isha, nuk kishte me vete armë. Vetëm unë kisha një “Beretë” italiane, por pa fishekë. E kisha marrë në Degën e Armatimit në Durrës. U kisha thënë se kisha një pistoletë sovjetike, e cila më rëndonte shumë dhe më bezdiste. Ndaj u kërkova të më jepnin një armë më të vogël. Ata më dhanë një “Beretë” italiane, nuk kishte fishekë për të. Me atë pistoletë nuk kisha bërë ndonjëherë qitje dhe nuk dija as ta përdorja.

Kanani: “Si ia mbusha mendjen Feçor Shehut se. isha oficer i Sigurimit të Shtetit”?!

Në rrjetën e mashtrimit të Xhaferr Kananit, i pari ra ish-kryetari i Degës së Punëve të Brendshme të Shkodrës, që më pas u bë ministër i Brendshëm. Majori i vetëshpallur, tregonte gjithçka për tetë muajt e jetës së tij, si punonjës fals i Sigurimit të Shtetit. Ai fliste për kombinacione të Degëve që vizitonte si i dërguar special i Kadri Hazbiut. Kanani tregonte se, kur ishte ndier në vështirësi dhe pse Feçorr Shehun e mendonte naiv dhe të paaftë profesionalisht. Si ndihej pas 47 vjetësh, për faktin se u prishi karrierën shumë oficerëve dhe për cilin ndien më shumë keqardhje dhe i kërkonte ndjesë. Këto dhe të tjera tregime interesante, vijnë nëpërmjet intervistës së personazhit të rrallë, që depërtoi me zgjuarsi në radhët e Sigurimit të Shtetit.

A ju ka mbetur në mendje ndonjë kombinacion që Dega e Durrësit përgatiste për arrestimin e ndonjë elementi, të ashtuquajtur armik?

Dua të sjell për lexuesin një kujtim interesant, që lidhet me përgatitjet që bënin drejtuesit e Degës së Punëve të Brendshme të Durrësit, të drejtuar nga Kopi Niko, për arrestimin e një nënkoloneli të policisë. Ai quhej Miltiadh Papa. Kishte kohë që operativet e Sigurimit e kishin nën survejim dhe po përgatisnin pak nga pak momentin për t’i hedhur prangat. Dyshohej se nënkoloneli dhe një prokuror, që ishte arrestuar në Tiranë, kishin lidhje me Teme Sejkon. Nuk e njihja nga afër Miltiadh Papën, por një herë, me ishte dhënë rasti shumë shkurt, që të pija një kafe me të. Ai dukej sikur donte të më thoshte diçka, por, i kisha informacionet se nga dita në ditë ai do të përfundonte në qeli.

Më dhimbsej, pasi më dukej njeri shumë i mirë. Edhe gjatë kohës që pimë kafe, doja t’i jepja një sinjal për atë çka po ndodhte rreth tij, por ai sa herë që tentoja, ndryshonte muhabet për të dhënë të kuptoja se, ai e dinte po ashtu, fundin e survejimit të tij. Në kohën që ne pinim kafe, dy operative të Sigurimit i pashë të nxitonin nga vendi ku ishim në drejt Degës së Punëve të Brendshme të Durrësit dhe e pyeta Miltiadhin: “Ku shkojnë ata dy operativët? Përse nxitojnë”?! Ai më tha: “Bëjnë detyrën. Duan që kush e kush të mbërrijë i pari tek eprorët tanë për të raportuar atë që panë. Nuk u vë faj”. Kjo shpjegonte fare qartë dramën që po luhej me fatin e Miltiadhit dhe të të tjerëve, të klasifikuar si bashkëpunëtorë të Teme Sejkos dhe agjentë të shërbimeve të huaja.

Durrësi ishte një vend i preferuar edhe për arratisjet nga deti, sidomos me hyrjet në vaporët e huaja që vinin në port. A ka patur ndonjë rast të kapjes në flagrancë të personave që tentonin këtë lloj arratisjeje?

Dua të flas për fatin e tre himarjotëve, që kishin ardhur për t’u arratisur në Durrës. Ata kishin fshehur rrobat nën rërë dhe me not disa milje larg, ishin futur në një vapor turk, pak para se ai të nisej. Ekuipazhi ishte habitur se si dy nga djemtë (pasi njeri prej tyre nuk ia kishte dalë dot mbanë) kishin notuar aq larg bregut. Kapiteni i kishte marrë në pyetje, dhe mendimi im është vetëm se ata ishin të krishterë nuk vendosën që t’i mbanin, por me pas dhanë sinjalin e alarmit dhe u bënë të ditur autoriteteve portuale shqiptare se në bordin e tyre ndodheshin dy shtetas shqiptarë, që kishin hipur në mënyrë ilegale.

Policia jonë shkoi i mori dhe të nesërmen më njoftuan edhe mua për atë që kishte ndodhur. Policia i kishte rrahur aq keq, sa njeri prej tyre, kishte hemorragji në stomak dhe pështynte gjak. Të zhveshur siç ishin, i kishin lënë në qelitë e ftohta të Degës së Punëve të Brendshme të Durrësit dhe ishin duke ngrirë. I pashë dhe m’u dhimbsën. U thashë drejtuesve të policisë se, duhet t’u jepnin ndonjë gjë për t’i veshur dhe njeri prej tyre, që ishte shumë i sëmurë, duhet të merrte ndihmën e parë mjekësore. Më thanë se tani do t’i çonin në plazh, pasi atje kishin fshehur rrobat. I morën me një nga makinat. Shkuam në plazh.

Dy djemtë i vunë që të gërmonin në rërë për të gjetur rrobat. Prej aty nxorën tri palë tesha. Këtu edhe ata vetë kuptuan se i treti që kishte qenë me ta e kishte humbur betejën me detin. Pra ishte mbytur. Ata nisën të qanin dhe u lutën që të trajtoheshin si njerëz, pavarësisht nga veprimi që kishin bërë. Gjithsesi, dënimi i tyre ishte shumë i ashpër. Ata u dënuan me shumë vjet burg. Në atë moment, më shkoi ndërmend që të bisedoja me kolonel Kopi Nikon, shefin e Degës së Punëve të Brendshme të Durrësit, që të ndërhynte për të shtruar me çimento qelitë e paraburgimit, ku do të sistemoheshin të ndaluarit, pasi atje do të shkoja edhe vetë një ditë.

Qelitë u shtruan. Në këtë rrjedhë dua të përmend edhe një rast kur dy mësues nga Vlora, u denoncuan nga dy vajza jo të mira, nga Elbasani. Ndaj tyre ishin bërë disa akuza të pabaza dhe të padrejta dhe kjo më shtyu t’i ndihmoja. E kuptova që ata nuk kishin asnjë faj. Sqarova rrethanat në të cilat kishte ndodhur takimi me vajzat dhe qëndrimin me to. Dhe arritëm në përfundimin se, të dy djemtë ishin të pafajshëm. Duke patur parasysh këtë përfundim, ndërhyra dhe bëra të mundur evitimin e dënimit të tyre.

A ju ka pyetur ndonjë person për ndonjë dokument që vërtetonte se ishit oficer i Sigurimit?

Me thënë të drejtën, në Degën e Punëve të Brendshme të Shkodrës dhe të Durrësit, askush nuk kishte pyetur për të vërtetuar vërtetësinë e qenies sime si oficer i Sigurimit. Feçor Shehu, që drejtonte Degën e Shkodrës, asnjëherë nuk kishte dyshuar se unë isha major fals. Madje, ai ishte edhe personi përgjegjës për futjen time në kombinacionin e mashtrimit. Ky ishte edhe personi që kur u dekonspirova dhe doli në shesh e vërteta u hakmor më shumë se kushdo tjetër ndaj meje. 38 oficerë u liruan nga puna për mungesë vigjilence, por Feçor Shehu, mbijetoi edhe pse ai ishte “peshkuar” i pari dhe ai në një farë mënyre, me mendjelehtësinë e tij, duhej të mbante më shumë përgjegjësi.

Megjithatë, dua të sqaroj se krahas këtyre ka patur edhe njerëz që më kanë vënë në pozitë të vështirë, me pyetjet e tyre provokuese e, për t’u dhënë përgjigje jam djersitur pasi ndodhesha në pozicion inferior ndaj tyre. I vetmi person që më ka kërkuar dokumentin e identifikimit, ishte një kapter i Postës së Policisë së Peqinit. I shkurtër në shtat, por tejet korrekt dhe i vendosur, ndërsa kisha dalë nga një këpucari në qytetin e Peqinit, ai më afrohet, më nderon dhe diçka po nxirrte nga xhepi.

Pas kësaj me dokumentin e tij në dorë, kërkoi nga unë dokumentin e identifikimit tim. Nuk dija si të dilja nga kjo situatë e krijuar. Kapteri, nuk m’u nda dhe përsëriste kërkesën e tij derisa aty erdhi një epror i tij, me gradën toger, me të cilin u përqafuam sikur njiheshim prej kohësh. Togerit, i’u ankova për kërkesën e vartësit të tij. Ai e urdhëroi të largohej dhe kapteri që kishte patur plotësisht të drejtë, u ndie ngushtë kur eprorët më sipër tij, e detyruan që të mos zbatonte detyrën. /Memorie.al

                                            Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/ne-degen-e-brendshme-te-durresit-nderhyra-per-dy-mesues-nga-vlora-te-cilet-akuzohehsin-se-kishin-kapur-dy-vajza-nga-elbasani-dhe-deshmia-e-rralle-e-xhaferr-kananit-qe-sfidoi-r/