“Në burgun e Tiranës, Osman Gazepi i tha; or Mehmet Shehu, më kanë thënë se je trim i madh, por trimi, o të vret, o të lëshon, po të them faqe këtyre burrave…”/ Dëshmia e rrallë e ish-të burgosurit politik

Beqir Ajazi

Pjesa e dytë

                                                Kujtimet e Beqir Sure Ajazit 

                                                   Vijon nga numri i kaluar

Memorie.al/“Si më arrestuan partizanët që në tetorin e vitit 1944 dhe personazhet e famshëm që njoha në Burgun e Tiranës, ku pushkatuan dhe babanë tim”?

Fill pasi isha dënuar unë, me 30 vjet burg, e morën tim atë, Sure Ajazin, me nja 30 e ca të arrestuar të tjerë dhe e çuan në gjykatën te kinemaja, prapa ministrive. Prokurori Bilbil Klosi, tregohej me të vërtetë “i shkathët”, sa të tridhjetë të pandehurit, ai i pyeste brenda ditës së parë, i dëgjonte brenda ditës së dytë, si ata ashtu dhe mbrojtjen e avokatëve, kurse të pasnesërmen, ai i nxirrte dënimet si ato simitet e furrës. Dhe dënimet e tij nuk apeloheshin…!

Njëherësh me babain tim, janë gjykuar shumë vetë, po ata që u dënuan me vdekje dhe janë ekzekutuar, ishin: Sure Ajazi, Murat Basha, Ibrahim Bodinaku, Habib Gega, Mersin Hasa, Nazmi Lumani, Maliq Karahasani, Abdullah Kusi, Xhelal Peza, Osman Taraku, Fak Vrapi, Kolë Zefi si dhe Hajredin Zogolli.

Gjoja për t’u treguar si një qeveri që e hante meraku shumë për ligjshmëri, të pandehurve u kishin paraqitur të gatshme për të nënshkruar kërkesën e klemencës nga ana e Presidiumit të Kuvendit Popullor. Im atë, e kishte refuzuar këtë manovër qesharake, e bashkë me të edhe Fak Vrapi. Im atë i kishte bërtitur Fakut, duke e shtyrë që ta nënshkruante atë kërkesë se ishte i ri. Mirëpo Faku, kishte thirrur me sa fuqi kishte m’u në kinema, duke thënë: “Është e kotë z. Sure, se kur të rreh kadiu, s’ke ku e bën davanë”!

Kur u kthyen në burg, këta i futën në birucën e vdekjes, në pritje të nënshkrimit të vendimit nga ana e Omer Nishanit ose të faljes së ndonjërit prej tyre.Me datën 7 qershor 1945, duke shikuar nga dritarja, im atë kishte parë aty, para komandës, Ymer efendi Zorbën. Me që ky ishte caktuar që të shoqëronte të dënuarit me vdekje në vendin e ekzekutimit dhe t’u këndonte “telkinin” (lutjen e fundit që u këndohej myslimanëve që po ndahen nga jeta), im atë kishte ardhë në përfundimin se, atë ditë ata do t’i pushkatonin.

Me këtë mendim, ai i kishte kërkuar drejtorit të burgut, Janaq Karapataqit, që të më çonin pranë tij, meqë isha edhe unë në burg. Kur më futën në birucën e të dënuarve me vdekje, rastisi të shikoja një skenë që rrallë njeriu i bie ta shikojë në jetë: Sikur të më kërkohej që ta përshkruaja këtë kaush me dy fjalë, kisha për të thënë se, kjo birucë i përngjiste krejtësisht një “havre çifutësh”. Im atë ishte ulur këmbëkryq dhe më bëri vend që të ulesha aty poshtë tij në dyshek. Dikush falej; dikush këndonte Kuran; dikush thoshte uratë me një rozare të gjatë; dikush skërmitej dhe dikush tjetër qante herë mbytas e herë me zë. Dua të pohoj, për hir të së vërtetës, se gjatë qëndrimit tim në atë kaush të vdekjes, unë nuk pata roje që të përgjonte fjalët që do të këmbeja me babën.

-Të kam thirrur – tha ai – për të të lënë porositë dhe amanetet e fundit. U pa hoxha para derës së komandës dhe kjo tregon se neve do të na pushkatojnë sot. Tri janë porositë që kam menduar se duhet të të lë: Mos u merr me politikën e Shqipërisë se, po të kishte qenë e mundur të nxirrej gjë me këtë, do ta kisha gjetur unë…!

Mos i bjer kurrë njeriu me shpullë. Në qoftë se ke mosmarrëveshje me njeri, duroje, duroje, duroje deri sa të mos mbajë më ujë orizi. Mundohu fort që mos të arrish në atë pikë, ku s’mbetet më vend për durimin. Të gjitha bijat jetime të fisit të Ajazëve, t’i sjellësh e t’i përcjellësh më mirë se motrat e tua. Në qoftë se një mashkull nga fisi nuk ka me se të martohet, duhet të mblidhni para rrethas dhe asnjë djalë i fisit tonë të mos mbetet pa martuar, për shkak të mospasjes.

                                                                            ***

Në burg kam njohur dhe kolonel Osman Gazepin. Ishte oficer akademist i shkollës osmane. Burrë me karakter të fortë, trim, besnik, po shakaxhi dhe qyfyrexhi që nuk e kishte shokun. Me këto cilësi, ai u bë i njohur në tërë shoqërinë shqiptare të asaj kohe. Batutat e tij të bëra legjendë, tregohen ndër mjedise të ndryshme edhe sot e kësaj dite. Shumëkush e mban Osman Gazepin për budalla. Nuk është aspak e vërtetë. Ai ishte madje shumë i zgjuar, po kishte maninë që të krijonte ilaritet në mjedisin ku jetonte, qoftë dhe duke e ulur pak personalitetin e vet. Që ishte trim i vendosur, kam pasur rastin ta shihja vetë.

Në burg, Osman Gazepi ishte i vjetër dhe njeri pa kurë farë njeriu në këtë botë. Një grua që i kishte mbetur, kishte vajtur e rrinte në Fushë të Korçës, sepse si nënë Dëshmori që ishte, ajo nuk donte ta prishte biografinë e saj, duke e quajtur në opinion, si gruaja e Osman Gazepit…! Kështu që jam dëshmitar okular i faktit se ai burrë plak, për katër vjet rresht, d.m.th., deri kur Enveri, pas prishjes me Titon, filloi e vuri në burg atë kazanin e supës, kolonel Osman Gazepi e ka mbajtur shpirtin vetëm me 650 gram bukë të zezë thatë, pa pranuar asgjë tjetër nga askush. Dhe një njeri me personalitet të tillë, nuk mund të jetë apo të ketë qenë as bufon dhe as budalla. Shumë rrallë, për të mos thënë kurrë, ai mund të pranonte të shkonte për drekë ose për darkë tek ndonjë mik me të cilin kishte shumë muhabet dhe që e njihte për njeri serioz.

Teshat e fjetjes së tij përbëheshin nga dy batanije nga ato fare ordineret, të ushtrisë greke, nga të cilat njërën e shtronte si dyshek dhe tjetrën e hidhte mbi vete. Sa për jastëkun, këtë ai e kishte hequr fare, duke u bërë, në ditë të pleqërisë, një ‘Spartan’ i vërtetë, sepse kokën ai e mbështeste gjithmonë përmbi njërën llërë. Në një gjendje të tillë, Osman Gazepi jetoi plot tetë vjet dhe do t’i kishte bërë dhe shtatë të tjerat, nëse nuk do ta kishte ndihmuar një rrethanë specifike dhe krejt rastësore. Na erdhi një ditë për inspektim ministri i Brendshëm i atëhershëm, i tmerrshmi Mehmet Shehu, i cili kudo që shkelte, mbillte terror dhe vdekje…!

Në fillim, ai dëgjoi ndonjë ankesë ose pyeti ndonjë të burgosur se si i shkonte jeta aty në burg. Shumë nga ata që i paraqitën ndonjë farë ankese ose ndonjë kërkesë, ai, me qëndrimin e tij të ashpër, i bëri të pendoheshin për hapin që kishin bërë, sepse i shau e i bëri rezil dhe ua hodhi fajin atyre vetë. Manol Kume, një tregtar i ri, nacionalist dhe demokrat i vërtetë, e pyeti se si qëndronte problem i Kosovës. Unë që i bëja veshët pipëz, për të kuptuar rregullat e lojës edhe sot habitem me përgjigjen që i dha Mehmeti:

-“Ti e do Kosmetin se ke hall të bësh tregti të madhe me të, duke blerë atje lirë dhe duke i shitur në Gjirokastër, me fitime të mëdha. Ja pra përse e do Manol Kumja Kosmetin që të jetë me Shqipërinë, kurse ne që jemi komunistë të vërtetë, e dimë se Kosmeti jeton e lulëzon për bukuri në gjirin e Marshall Tito, që e mban atë në pëllëmbë të dorës”.

Pastaj, duke dashur t’i jepte vizitës së tij edhe ndonjë farë humori që të mbahej mend për shumë kohë, ai iu kthye Osman Gazepit e, me një ton tërë ilaritet, i tha:

-“Po ti, kolonel Osman Gazepi, me kë je dhe ç’kërkon nga unë, se kërkesat e këtyre të tjerëve i mora vesh”?

-“Unë, zoti ministër, jam vetëm me Zogun dhe me rininë” – ia priti Osmani.

-“Po, kur e doje Zogun aq shumë dhe ai po ashtu ty, si shpjegohet që iku e fluturoi dhe ty të la këtu”?!

-“Unë, zoti ministër, nuk kisha merita të tilla, që ai fluturoi e iku, mirë ka bërë, se ndryshe atij nuk do ia thoshin emrin Zog. Zogu ynë, ashtu si fluturoi e iku, po ashtu do fluturojë një ditë dhe të kthehet prapë në çerdhen e vet…”!

-“Po t’i lëmë këto, or Mehmet Shehu…! Më kanë thënë se je trim dhe vetë dëshiroj që ta besoj një gjë të tillë. Po trimi ama ka dy gjëra: o të vret ose të fal! Jam burrë i vjetër, kam bërë tani tetë vjet burg, nga të cilat katër të parat, vetëm me 650 gram bukë thatë, kurse katër të fundit, veç bukës thatë, kam ngrënë dhe një lugë supë burgu. Janë tërë këto vite që rroj këtu, i pa larë, i pa ndërruar, i pa qethur dhe i pa rruar. Prandaj o Mehmet Shehu, faqe këtyre burrave, po të them, si burri, burrit: ja më vrit, ja më lësho. Dhe gjakun ta kam falur me zakon e kanun…”!

Mehmet Shehu nuk e zgjati më me të, po doli dhe iku me gjithë të tijët. Afërsisht pas dy muajsh, Osman Gazepit i erdhi lirimi. Për këtë, nuk mbeti i burgosur pa u gëzuar. E them me bindje dhe me prova të shumta se të gjithë njerëzit e ndershëm dhe serioz, kishin rënë në pikë të hallit me kolonel Osman Gazepin, sepse ai i refuzonte kategorikisht ndihmat e tyre. Kështu ai doli nëpër Tiranë me një palë pantallona të ndyra, të arnuara si mos më keq dhe me një batanije të kuqe leshi që e kishte lidhur në fyt me tel dhe hedhur prapa si pelerinë. Si muhabetçi të madh që e njihnin tërë Tirana, ai e kalonte ditën me qyfyre e tregime kafe më kafe. Për të fjetur atë e mbanin të gjithë përgjegjësit e lokaleve, se e dinin që me flori të ishte e shtruar dyshemeja, ai ishte nga ata që nuk prekte asgjë.

Pas disa javësh, kur kuriozët e Tiranës filluan ta ndjenin veten të ngopur nga muhabetet e Osmanit, filluan të mos i’a varnin dhe mos të pyesnin më për të. Nuk e thërrisnin e as që e qerasnin me ndonjë kafe. Kur e kuptoi se kishte mbetur si kofini pas të vjeli, që s’i duhej më kujt, dhe se nuk kishte më jetë tjetër për të në Tiranë, veçse duke u bërë lypsar, Osmani i shkretë kishte marrë rrugën në këmbë, për të shkuar një ditë në Fushë të Korçës, tek fisi i gruas, me shpresë që të gjente vend sa të fuste kokën dhe të vdiste atje.

Kështu shkon lavdia dhe kështu i merret kuptimi kësaj jete të rreme. Askush nuk ka qenë i zoti as ta gëzojë e as ta kuptojë deri në fund. Ky Osman Gazep që kishte hyrë dikur me kalë në Parlament dhe i pat kërkuar Ahmet Zogut lejen që “t’i qiste ujë të zi Parlamentit”, (kur Beqir Valteri, plagosi Ahmet Zogun), ky Osman Gazep, të cilit dikur njerëzia i’a dinte përmendësh si orarin kur dilte nga shtëpia, ashtu edhe itinerarin se nga do të shkonte, ja që një ditë, askush nuk do e përfillte më. Askush nuk e mori vesh se kur ishte nisur nga Tirana dhe kishte marrë rrugën për në Fushë të Korçës. Ajo që dihet me siguri, është fakti se kolonel Osman Gazepin, e gjetën të vdekur në buzë të rrugës automobilistike, pranë Urës së Haxhi Beqarit. Mjeku i dërguar atje dhe prokurori, konstatuan se kishte sosur e mbaruar së ngrëni morrat…! Kështu pra i kishte mbyllur ditët kolonel Osman Gazepi, qyfyret, shakatë dhe romuzet e të cilit përmenden e tregohen edhe sot. Osman Gazepi ishte oficer me akademi dhe shumë trim e besnik.

                                                                             ***

Duke rënë kur s’të vjen gjumi dhe duke u ngritur kur të flihet, nata e burgut është një sfilitje e vërtetë dhe një torturë. Shpesh herë, në gjumin e atjeshëm, trupi dhe truri bëjnë të kundërtën e njëri – tjetrit…! Kur trupi është i lodhur, mendja merr fushat e malet, kapërcen detet dhe kur truri është në gjumë, trupin e detyrojnë të punojë. Kështu që, me kalimin e kohës, kjo gjendje bëhet një natyrë e dytë: Pikërisht në një gjendje të tillë isha një natë, kur më bëhet sikur një njeri më rri në këmbë aty pranë, ndërsa unë isha i shtrirë. U bëj apel forcave të mia për t’u zgjuar. Ngre kokën në drejtim të atij që më rri para, po nuk e dalloj dot se kush është. Njeriu e afron kokën, duke e ulur drejt meje dhe më thotë:

– “Nuk më njeh se kush jam, more Beqir”?!

– Jo, për besë – i thashë – Më kujtohesh si fytyrë, po s’të përcaktojë dot.

– “Jam Isufi” – më tha ai.

– Cili Isuf? – ia bëra unë.

“Isuf Hysenbegasi”, mor jaho! Doktori!

E vështrova ashtu me kujdes. Ishte rrjepur nga veshët, zbardhur e zverdhur, sit ë kishte dalë nga varri.

-Po si qenke katandisur kështu, more doktor? – i thashë – Ç’ke pësuar?

-“Kam ndenjur 33 muaj lidhur në tub të nevojtores” – më tha si.

-“Më patën dënuar me vdekje, po tani, ma kthyen, nga vdekja në burgim të përjetshëm. Prandaj sa ma komunikuan, më nxorën këtu mes jush”.

-Eja, futu këtu ndërmjet nesh, që të pushosh e të flesh – i thashë.

-“Nuk mund të hyj aty se jam plot morra” – thotë doktori.

Nxora atëherë nga një valixhe e vogël që mbaja te këmbët e dyshekut, një palë ndërresa dhe i thashë.

-Dil atje te dera dhe ndërrohu e lëri teshat e tua aty.

Kështu erdhi i shkreti dhe u fut ndërmjet nesh. Ai nuk kishte gjumë, kishte lindur për së dyti dhe kishte nevojë të fliste me ndokënd, pasi për tridhjet e tre muaj rresht, pa folur me njeri. Hyrja e tij në dyshekun tim nuk na ngushtoi fare, megjithëse hapësira ime nuk ishte veç 41 cm. I shkret doktor, ishte katandisur në përmasat e një fëmije.

-“Tridhjet e tre muaj’ – më tregoi ai – ‘që mbi trupin tim kanë ushtruar të gjitha torturat që ka mundur të shpikë mendja djallëzore e njeriut. Edhe kur kishin mbaruar së rrahuri, më jepnin një copë bukë thatë e pastaj më lidhnin e më varnin prap në tub të banjës”.

Unë e dëgjoja pa e ndërprerë…!

-“Të mërzitur nga fakti që nuk po pranoja ato që kërkonin, një ditë më futën në fyt një shkop, më thyen disa dhëmbë, duke më çarë buzët. I mora mëri vetes dhe nuk doja të rroja më, – vazhdoi doktori Isufi – koka ime ishte në një nivel me tubin e tualetit ku më kishin lidhur, atje ku ku bashkohen tubat ka gjithmonë lagështi. Duke qenë i vetëdijshëm si mjek, se çdo të ndodhte sikur të infektohesha nga lagështira dhe pa pastërtia”.

                                                                                 ***

Xhemal Kusi, një burrë zotëri nga Tirana, si rezultat i një sëmundjeje të pa kuruar, dalë nga dalë e përditë, erdhi duke u paralizuar, deri sa më në fund, ngriu e u bë kërcu si nga këmbët ashtu dhe nga duart. Me gjithë përpjekjet e doktor Nush Pogut, Xhemali erdhi e u bë si një copë mishi që vetëm fliste. Më në fund, doktori bëri një shkresë, ku duke e përshkruar gjendjen e Xhemalit dhe duke i vënë edhe diagnozën, propozonte lirimin e tij, mbasi aktualisht Xhemal Kusi, nuk ishte më veçse një i vdekur e i pa futur në dhe.

Komandanti i burgut, njëfarë Xhipe Mersini nga Vajza e Vlorës, dhe ky ish xhandar i Zogut në kohën e vet, i solli doktorit përgjigjen që kishte ardhur nga Ministria në lidhje me Xhemal Kusin: “Për lirimin e Xhemal Kusit, kërkesa nuk pranohet, pasi ai ka qenë anëtar i Komitetit Qendror të Legalitetit”! Memorie.al

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/ne-burgun-e-tiranes-osman-gazepi-i-tha-or-mehmet-shehu-me-kane-thene-se-je-trim-i-madh-por-trimi-o-te-vret-o-te-leshon-po-te-them-faqe-ketyre-burrave-deshmia-e-rralle-e-is/