“Në burgun e Spaçit, dy bashkëvuajtësit e mi, më treguan se si, e kishin varrosur të gjallë Mitrush Kutelin, në kampin e Vloçishitit…”/ Refleksionet e shkrimtarit të njohur nga SHBA-ja

Nga Visar ZHITI

                              -TË TEJKALOSH TË GJITHA VDEKJET QË TË KANË DHËNË…!-

                                  – Shkrimtari Mitrush Kuteli në themele dhe në majë –

Memorie.al / Sipas latinëve, janë dy vdekje për shkrimtarin, njëra ajo natyralja dhe tjetra ajo më pas, kur i vdes vepra, do të thosha prerë. Por për shkrimtarin shqiptar, ka dhe vdekje të tjera të më përparshme, të mbrapshta, kur të vdesin pa vdekur, siç ndodhte kur sundonte ‘Realizmi Socialist’, ndalonin vepra dhe autorë bashkë, rroposin libra dhe futin burgjeve shkrimtarë, i pushkatonin, madje vrisnin dhe të vrarët e kobe të tjera.

Sot, dua të përkujtojmë shkrimtarin Mitrush Kuteli, në ditën e tij të ikjes, në 4 maj 1967, në moshën 60 vjeçare, por që i tejkaloi të gjitha vdekjet që i dhanë, të tijën dhe të tjerat, ato të mëparshmet, burg e ndalim vepre e harrim, madje e pabesueshme, e tmerrshme, ai ka dhe një varrosje për së gjalli dhe deshi Zoti, i shpëtoi dhe asaj, edhe heshtjes vrastare pas vdekjes natyrale, që e kanë të gjithë, se askush nuk është i dënuar për të qenë i pavdekshëm si korp dhe sipas një novele të vetë Kutelit, megjithëse diktatorët, do të donin të paktën të vdisnin të fundit, prandaj dhe e mbushin jetën me spektaklet e zeza të vdekjeve të tjera, të qytetërimit, të ëndrrave dhe të gjithë vendit, etj, etj., ndërkaq Kuteli ynë, provoi dhe ringjalljen e veprës së tij, ëndërr dhe qytetërim dhe zë i vendit, ajo i shkundi nga supet dherat e harrimit të qëllimtë dhe të pa qëllimtë dhe u pa tashmë, që është themeltare në letrat moderne shqipe, ndërkohë dhe në majë, me atë shkëlqim bore të përhershme të majëmaleve…!

Mitrush Kuteli, është i magjishmi i tregimit shqip, le ta themi në toskërishten e ëmbël, bashkë me Ernest Koliqin, me atë gëgërishten gjithë vezullime, dhe me Anton Pashkun në Kosovë, me gjuhën prej dhimbje dheu, një trini e letrave shqipe. Edhe Kuteli, donte të shkruante romane, (thonë se e përfundoi njërin në burg, por ka humbur…) dhe më pas nuk e lanë, nuk i dhanë kohën e duhur, për romanin për Ilirinë, koha ishte e të tjerëve, kur “leje krijuese”, u jepeshin deri dhe atyre që s’dinin të shkruanin dot, as për partinë e tyre, që i kishte emëruar shkrimtarë, shpesh unë e shkruaj këtë fjalë si (sh)krimtarë, që e vrisnin kohën, me denoncime e për të sharë, por ata mbeten jashtletrarë, ndërkaq romani shqiptar, do të merrte njohje botërore me Kadarenë, por tani po flasim për prekursorin Kuteli.

Ndërkohë ai, ishte dhe poet, “Poemi kosovar”, p.sh., sot recitohet me dhimbje, e gjithë krenari kombëtare. Kuteli ishte dhe kritik letrar, ai nxori librin e pare, me kritika në letrat shqipe. Ai si askush tjetër, u bë nxitësi i botimit të përmbledhjeve të yllta me poezi, të mikut të tij, poetit brilant parnasian, Lasgush Poradeci dhe la punët e tij dhe përgatiti vetë “Albumin” e Fan Nolit, ku poezia shqipe, gjëmon si trumpetë. Ai nuk donte të vinte vetëm.

Po erdhën të tjerë dhe e lanë vetëm. Erdhi Realizmi Socialist…! Nuk iu bashkua atij me vetëdije dhe u mor me përkthime nga letërsia e madhe. Dhe e ndjeu se duhej të ikte…!

Thashë që Kutelin e kanë varrosur një herë më parë të gjallë dhe kjo, s’është metaforë, por ngjarje reale, e kam shkruar, gjendet në librin tim “Ferri i çarë”. Ja:

SHKRIMTARI – i varrosur para se të vdiste –

 – E di ti që e kanë varrosur njëherë të gjallë Kutelin? – më tha A. S., ndërsa pinim kafe. Shqeva sytë, por mendova se mos qe fjala për ndonjë metaforë. Sidoqoftë, jo kaq egër.

– Si?! – klitha.

– E kanë varrosur vërtet, ishte i dënuar në kënetën e…!

– Këneta e Koçitas, e ferrit?

– E Vloçishtit. Duhet të ketë qenë viti ’48-49…!

Po, po, e dija. Kisha pasur njerëz të mi atje. Edhe Makesen Bungo, rrëfen për një shkrimtar të burgosur, që e thërret polici dhe e pyet: “Ç’punë bëje ti më parë, ë”? – “Shkruaja libra”, – i përgjigjet i burgosuri. “Ashtu? – ulërin polici. – Pse, Lenini je ti? Vetëm ai shkruante libra”, – dhe e godet në kokë. Mitrush Kuteli nuk lëvizi. As u mënjanua. I plasi gjaku…!

 – Dëgjo tani, është e tmerrshme, e dëshmon Hamza Tusha nga Elbasani, është gjallë, e ka parë me sytë e vet, ka qenë dhe partizan dhe e burgosën, por i shkonte fjala te komandanti i burgut, Tasi Marko, me vëllanë lart, në Byro. O ky, o njëri nga kapterët, me urdhër të komandantit, s’dihej të cilit komandant, a iu shkrep vetë, se dëshirat e një kapteri të xhindosur, ishin barabar me ato të shtetit, thërret pra ai, kapteri, që t’ia sjellin aty, menjëherë, atë shkrimtarin. Të burgosurit punonin si robër për tharjen e asaj kënete, këneta e ferrit, siç the ti. “Shpejt, hapni një gropë, aty në llum, e dua të thellë, – bërtiste kapteri me zë komandanti. – Hë, mbaruat? Shpejt, të dënuar, se… Ja, këtë, këtë shkrimtarin, hidheni brenda, lakuriq!”

Dhe i vërsulen Mitrush Kutelit – s’u pa ç’ishin, roja, të dënuar në shërbim të komandës – ia shkulin rrobat dhe ai, i hutuar, rri në këmbë, drejt, si një Krisht.

– Hidheeeeni, në gropë! Mbulojeni shkrimtarrrrin!” – dëgjohet britma e kapterit si një armë. Lopatat hedhin baltë mbi të, kënetë… Sa veta kishin mbuluar ashtu pas punës, në llurbë…

 – Kjo është makabre, e papërballueshme edhe ta dëgjosh.

– Po, po. Dëgjo vazhdimin. Hamzait i qaset bashkëqytetari i tij, i burgosur edhe ky, Tahir Çiftja, i përgjërohet që t’i thotë komandantit t’i lejojë që ta hapin varrin – e ç’varr ishte ai? krim, hatá… – thuaji, aman, turp, gjynah, thuaji: a ta shohim, ka vdekur apo jo? Sa duron robi… mbase gënjehet.

 Komandanti turfulloi, ç’është kjo… hapeni gropën. Dhe e ashtu bënë. E zbuluan. Nxjerrin atë grumbull balte që pak më parë kishte qenë mish dhe kocka, gjë e gjallë, i burgosur, njeri. Mitrush Kuteli… regëtinte ende… Mbase llumi, uji, lëkura merrte ajër, lakuriq… prilli, ishte muaji prill… Zoti… Grahmat e fundit të baltës.

Mjeku i burgut, ai që të dënuarit e kishin shpëtimtar, engjëll mbrojtës, Dr. Isuf Hysenbegasi, u përkujdes shumë, e solli në jetë. E ngjalli…!

U meka. S’po kisha më fjalë.

– E di ç’bënë me gropën? – e kishte vendosur, donte të më lemeriste prapë.

 – E mbyllën, – bërtita – çfarë tjetër?!

– Po, po, “por më parë futni këta dy pleqtë”, urdhëruan. S’donin t’u shkonte dëm gropa dhe kapterët hodhën të gjallë dy peqinas, s’e di si quhen.

– E tmerrshme!

                                                             *  *  *

Përtej të besueshmes, vërtet! Nuk do të doja ta nëpërmendja, lëndon shumë, e di, por duhet, në emër të së vërtetës, të njohjes, të vuajtjes njerëzore…

Tronditja është e madhe. Ia thashë një herë shkrimtarit Dhimitër Xhuvani, kisha nderim të veçantë për të dhe unë kisha ribotuar romanin e tij të ndaluar “Tuneli”, kur punoja te botimet “Naim Frashëri”, ai ishte dhe kushëri i Kutelit.

– E dinit që e varrosën të gjallë?…

– Po, – më tha.

– Dhe s’e keni shkruar? – gati akuzova.

– Ja, nga dhimbja, s’donim që…!

Njëra nga vajzat e Mitrush Kutelit, ma tha bukur në një panair libri në Tiranë, në stendën me emrin e babait të tyre:

– Ne nuk duam të kujtojmë se ç’bënë të tjerët me Kutelin, por ç’bëri Kuteli…!

E drejtë. Vështrimi dhe heshtja e të birit të shkrimtarit, Pandeli Paskos, me të cilin kam punuar, më fliste shumë…!

Po, Mitrush Kuteli, është i të gjithë familjes së madhe e të përbashkët, i Shqipërisë. Ajo që i ngjau atij, tani është dhe metafora, jo vetëm e shkrimtarit, por dhe e kohës. Është detyrë ta tregojmë…! Me emra. Dhe vrasësit nuk janë metaforë, por realë, kanë mbështetës, madje dhe ata me letra…

Këneta, që po donin ta thanin me robër dhe dhunë, që në vend të ujërave do ta mbulonte djersa e madhe  njerëzore dhe gjaku, është realiteti i ri që sollën fitimtarët mizorë. Trilli paranojak i tyre për të rroposur atë që ishte arritur, atë kulturë e traditë, art e letërsi, që gjithçka të fillonte me ta, tërbueshëm…! Si panxhari i sheqerit të hidhur, helmues që mbollën në të gjithë kënetën e tharë me emrin AtDhe. (E shkruajta ashtu si poeti i dashur Ali Podrimja).

Dhe ringjallja e mundimshme është dhe në duart tona… të jetë e aftë të kujtojë e sotmja, të dijë çfarë të dijë e ardhmja, dhe nga ato të domosdoshmet, martirizimin e letrave shqipe, që të besojnë në ringjalljen dhe të vazhdojnë të punojnë për atë…

Në emër të vuajtjes njerëzore, thashë? Jo, në emër të lumturisë të së ardhmes…! Memorie.al

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/ne-burgun-e-spacit-dy-bashkevuajtesit-e-mi-me-treguan-se-si-e-kishin-varrosur-te-gjalle-mitrush-kutelin-ne-kampin-e-vlocishitit-refleksionet-e-shkrimtarit-te-njohur-nga-shba/