“Në Ballsh, kishim doktor Miço Konomin, që kishte kaluar afro 30 vjet si i dënuar dhe kur i thashë të vinte ta vizitonte pak Dashnor Mamaqin, ai më…”/ Dëshmia e ish-të burgosurit politik

Nga Nuredin Boriçi  

Memorie.al / Nuredin Boriçi lindi në qytetin e Fierit, në vitin 1945. Ai ka kryer Institutin e Lartë Pedagogjik, Fakultetin Gjuhë-Letërsisë dhe ka punuar shumë vjet si mësues në qytetin e Fierit. Në vitin 1977 arrestohet nga Sigurimi i Shtetit dhe dënohet me 6 vjet burg politik, i akuzuar për “agjitacion e propaganda kundër pushtetit popullor”. Mbas shembjes së regjimit komunist pas viteve ’90-të, Boriçi ka botuar tetë libra me kujtime nga periudha e regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe pasardhësit të tij, Ramiz Alisë, ku në fokus të tyre janë krimet e atij regjimi dhe vuajtjet që ai dhe bashkëvuajtësit e tij kaluan në burgjet dhe kampet e punës së detyruar, deri në vitin 1990. Midis tyre po përmendim: “Pleqtë e burgut”; “Është koha për të vdekur”; “Mall për dheun e pastër” dhe “Ullinjtë e Hekalit”. Shkrimi që kemi përzgjedhur për botim këtu, është marrë nga libri “Pleqtë e burgut”.

PLEQTË E BURGOSUR, TURPI I DIKTATURËS

Në burgjet e Shqipërisë pleqtë e dënuar rropateshin nëpër kapanonet e ftohtë gjatë dimrit, apo në ajrin mbytës gjatë verës së nxehtë. Ishin vërtet rrëqethëse ato fytyra të rrudhosura, largimi nga fëmijët, nipërit dhe gurët e shtëpisë, nga rruga, nga mali përballë dritares, nga malli për një plep diku larg…!

Këta pleq mund të kishin qenë tregtarë të pasur (të cilëve u ishin rrëmbyer edhe florinjtë), intelektualë të Liceut të Korçës, pjesëmarrës në luftë kundër fashizmit dhe më vonë ministra apo ambasadorë, veterinerë, që kishin studiuar në vende Perëndimore, priftërinj, hoxhallarë, shehlerë, të cilët një pjesë vuanin që nga viti 1944, të tjerët nga ’68-ta e këtej, kur u goditën institucionet fetare.

Pleq të sëmurë, të urtë, pleq nervozë, të lodhur, për të cilët mëshira do të ishte shumë urgjente. Sidoqoftë ata tani nuk janë më. Në burgun e Ballshit, më 1980-ën, kapanoni 9 përmblidhte më të moshuarit. E pra, ishte një azil pleqsh. Ja disa prej tyre: Mykerem Janina 92 vjeç, Zef Malaj 80 vjeç, Mikel Koliqi 80 vjeç, Shemsi Totozani 75 vjeç, Qemal Gega 70 vjeç, Miço Konomi 75 vjeç, Thoma Plasa 70 vjeç, Gaqo Peci 60 vjeç, etj.

Nëpër burgjet e Shqipërisë për tre dekada, mjeku Dhimitër Konomi (ose doktor Miço, siç e thërrisnin të dënuarit), shërbeu me dhimbje për pacientët, të cilët e kujtojnë në çdo kënd të vendit me respekt dhe konsideratë. Mjafton të themi se shumë nga këta, të mbetur të vetmuar në burgun e gjatë, betoheshin “për kokën e doktorit”.

Kaloi vite në burgun e Elbasanit, Vlorës, Laçit, Përparimit, Ballshit, Zejmenit, ku krahas vuajtjeve të tij, me ndjenjën e humanizmit të thellë kontrollonte të sëmurët, trupat e tyre të sfilitur nga puna, uria, aksidentet.

Vetëm të burgosurit e dinë se me sa përkushtim punoi doktor Miçoja, pa bërë dallim në se ishte gjeneral i luftës apo ministër i rrëzuar, bujk apo bari. Për atë të gjithë ishin të barabartë. Në një rast në Ballsh, duke biseduar me të, i kërkova t’i bënte një vizitë Dashnor Mamaqit, që nuk ndihej mirë. M’u përgjigj:

– “Do vij, por më parë më shoqëro, të lutem, deri te kapanoni shtatë, se aty më ka kërkuar një çoban nga Korça, të respektoj radhën, njeriun…”!

– “Enver Hoxha është një qen”, thërriste një plak lab i çmendur, i dënuar me 20 vjet burg. “Enver Hoxha e kalbi Labërinë burgjeve”! Dhe jargët i vareshin si ngjitës.

Mykerem Janina në moshën 90-vjeçare, futet në burgun e Ballshit, i akuzuar për agjitacion e propagandë. Krimi i tij qe kultura e madhe (ai njihte si askush osmanishten-turqishten e vjetër, kishte korrespodencë në vitet ’70-të me Azis Nesin, kurse babai i tij, kishte qenë rektor në Universitetin e Stambollit, njihte si askush islamizmin), por faji ishte dhe dashuria shpirtërore në këtë moshë për një femër të re…!

Në kapanonin 3 kishte shumë të moshuar. Ndër këta edhe djali i rilindasit të shquar Sotir Peci, një ndër bashkëpunëtorët e Fan Nolit në SHBA-ës. Profesori korçar ishte dënuar së bashku me dy intelektualë të tjerë, ndër këta piktori Vangjush Tushi. Bisedoja në një rast me të:

– Për procesin mësimor, – më pyeti ai, – a të kanë goditur në akuzë? Sepse mua, – vazhdoi ai, – më përmendën “dhinë e zotit Segën”. Ti e ke lexuar atë novelë ku flitet për dhinë që donte të ishte e lirë? E pra, hetuesi më tha se, aludimi im ishte i qartë: Shkëputja e Shqipërisë nga tufa e kampit socialist, si rezultat do të kishte fundin e dhisë në gojën e ujkut.

Thoma Plasa, një ndër tregtarët më të pasur të Korçës, mjek, patolog. Kalon pleqërinë në burgun e Ballshit. Me nostalgji kujtonte florinjtë që i’a rrëmbeu diktatura, kujtonte Bolonjën ku studioi, kujtonte mikun e tij italian, këngëtarin Renato Rasha, me të cilin luante bixhoz në Itali më 1936-ën, kujtonte Ana Manjanin, me të cilën ka pasur lidhje intime. Ai vetëm kujtonte… pastaj me gavetën e aluminit, afroheshim së bashku në sportelin e kuzhinës.

Zef Mala, 80 vjeç, udhëheqësi i Grupit Komunist të Shkodrës, i verbuar krejtësisht, lëvizte ngadalë në oborrin e burgut i kapur për dore me një të dënuar tjetër, Kolën zemërartë…! Jetonte në errësirë!

Një proverb i lashtë thotë: “Njeriu fillon të shijojë pak pikërisht atëherë kur e lenë sytë”. Zef Mala, i besoi në rininë e tij, ëndrrës plot dritë të komunizmit, edhe pse shumë shpejt, që kur ishte i ri, pësoi zhgënjimin për idealet e tij. Me siguri në këtë burg, i plakur, i verbuar, ndiente pendesë.

Mikel Koliqi, vëllai i shkrimtarit Ernest Koliqi, lëvizte në oborrin e burgut ngadalë. Fytyra e tij katrore me sytë fisnikë, ku urrejtja e justifikuar, në këto rrethana, nuk zinte vend kurrë, ishte një simbol i durimit dhe mirësisë. Ai ishte një njohës i mirë i muzikës klasike, një poliglot i shkëlqyer, njohës i letërsisë shqiptare deri në ’44-ën. Të gjitha vitet e regjimit komunist, i kaloi në internim e në burgje.

Nuk mund të le pa përmendur pleqtë fetarë, të cilët të dënuar për arsyen e vetme se kundërshtuan heqjen apo shembjen e institucioneve fetare, me një durim të admirueshëm, vuanin ditët e fundit në burgjet e diktaturës. Me njërin prej tyre, Sheh nga Tepelena, i cili flinte pranë meje, bisedoja dhe ai më thosh: “Kam përkrahur edhe Luftën Antifashiste, kam luftuar me çetat partizane; por më 1968-ën, kundërshtova prishjen e teqesë, nuk aprovova direktivat nga lart, prandaj dhe më burgosën”.

Kasem Trebeshina, shkrimtar disident, gjithë vitet në burgjet shqiptare, ku personalitetet e kulturës fyheshin në mënyrën më barbare. Në verën e vitit 1981, shkrimtari Trebeshina në burgun e Ballshit, merr një vendim rrëqethës; të vet asgjësohet. Ai ka shpallur grevë urie. Mundohemi ta bindim…!

Por më kot: “Dua të mos jem më… jam i lodhur”, sikur flisnin sytë e tij sepse, pas kaq ditë greve urie, ai nuk kishte forcë të fliste. Kitaristi virtuoz Mehdi Prodani, dhe intelektualë të tjerë, më së fundi, arrijnë ta shpëtojnë Kasemin, duke e ndihmuar me serume etj…! Kështu terrorizoheshin shpirtrat e pamposhtur të kundërshtarëve të diktaturës.

Përballë meje në kapanonin 3, flinte pedagogu i marksizmit, Arif Gashi, përballë të cilit më 1966-ën, në Institutin e Shkodrës, unë jepja provimin e marksizmit. Arif Gashi kishte studiuar në Moskë. Edhe në burg librin s’e hiqte nga duart. Veçse tani lexonte Tolstoin. Por edhe Marksin.

– I dashur profesor, – i thashë në një rast, – sociologët perëndimorë thonë se gabimi fatal i Marksit, qëndron në atë se ai ndërtoi një doktrinë për njeriun, pa e njohur më parë atë…NJERIUN!

– Komunizmi varrosi vetveten në atë çast kur sarkofagu me kufomën e Leninit, më 1924-ën, krijoi mitin, krijoi mbinjeriun…! Si të ta shpjegoj – dhe ai vazhdoi leksionin, duke më kujtuar auditorin në Institutin Pedagogjik të Shkodrës, ku ai ishte aq komunikues e njerëzor.

Pra, duke krijuar mitin e Leninit, mbinjeriun e Niçes, komunizmi vrau veten, – përfundoi ai leksionin, para një ish-studenti të tij, në të njëjtin burg. Profesor Arif Gashi kishte lexuar në rusisht dhe njihte shumë mirë filozofin e madh “rivalin” e Marksit, Fridrih Niçen.

Pastaj unë i kujtova atij se shkaku, pse u burgos, mund të kishte qenë edhe ajo tezë provimi, së cilës unë iu përgjigja plot emocion, me titull “Fol për gabimet e Stalinit” më 1966-ën. Profesori na kishte folur 5 faqe leksion për gabimet e Stalinit të qartësuara në 13 pika. Shumë, apo jo?!

Një ndër pleqtë e kapanonit, tregonte në një rast për vrasjen makabre të Hysni Lepenicës, kësaj figure të shquar të patriotizmit shqiptar. Ai fajësonte komunistët, të cilët sipas tij, u morën vesh me komandën italiane të garnizonit në Gërhot të Gjirokastrës, ku u asgjësuan 32 burra të shquar nacionalistë.

Më vonë, thoshte ai, Sigurimi i Shtetit burgosi djalin e Hysni Lepenicës, duke rrëmbyer edhe dokumente me vlerë, korrespondencën e Lepenicës me Fan Nolin, me Avni Rustemin e të tjera figura të ndritura, si dhe shumë foto me vlera muzeale.

Këta të moshuar ishin memorja e kombit, ose më mirë të themi, dinin të vërtetat e pastra, prandaj dhe duhet të izoloheshin për të mos shpërndarë dritën e së vërtetës. Mbase prandaj u arrestua edhe djali i Sotir Pecit, bashkëpunëtorit të Fan Nolit, profesori i frëngjishtes në Korçë, Gaqo Peci, i cili dispononte dokumente të shumtë dhe etimologjinë e disa mijëra fjalëve shqip të punuara nga ati i tij, ndofta dhe korrespondencën e Sotir Pecit, këtij rilindasi të shquar, me të tjerë dijetarë.

Në regjimet totalitare harresa është në favor të jetëgjatësisë së regjimit obskuratist, që, në rastin tonë ishte komunizmi i Enver Hoxhës.

KOSTA

Tmerr. Është dimër, 15 gradë nën zero. Spaç ‘78, kampi në apel…! Një djalë i hollë, i kockëzuar, sikur të ishte një Krisht i bërë me parafinë, a një vepër arti e punuar me qelq, me dorën e djathtë të vendosur në pjesën e fytyrës ku pëllëmba e ngrirë me gishtat e shtrirë formojnë një mur ndarës për sytë e fikur në zgavrat e errëta: Aristoteli, djalosh i zgjuar i gjimnazit të Gjirokastrës, njëri nga tre djemtë e arrestuar në vitin ’74, si fajtor për traktet që shpërndanë kundër diktaturës; ky Aristotel pra, i çmendur nga torturat, uria, të ftohtit, humbet arsyen.

Ai nuk fle më, ai lëviz pa qëllim, brenda telave, herë-herë i zhveshur lakuriq mbi dëborë bënte lëvizje, të cilat janë konveksione që mund të deshifrohen vetëm prej të burgosurve që e shikojnë me dhimbje…! Me pëllëmbën e ngrië të dorës, ai sikur ndan universin në dy pjesë. E mira dhe e keqja, Aristoteli i çmendur, këtë ndarje sikur ia bënte hapësirës së ftohtë, dritës që vinte nga qielli i pakët në atë gropë burgu…!

Sikur ky Krisht prej qelqi qortonte krijuesin: “O Perëndi, pse më vërtite në këtë gropë të ftohtë”?! Pas pak ditësh forcat e lënë. I shtrirë në shtratin pranë xhamit në infermierinë e Spaçit, ai jeton çastet e fundit. Unë doja ta shihja Aristotelin në agoninë e tij. Unë shpresoja më kot që ai të ngrihej…! Fytyra e tij e ngrirë, pa jetë; më la në shpirt një porosi: Mos harroni!

Aristoteli vdiq. Shoku të tij Kosta Qiriakos, me sytë e trembur, me buzët e shtrënguara, thua se pret edhe ai radhën për të hyrë përtej portës së çmendurisë, i afrohen shumë të burgosur, e ngushëllojnë. I afrohem edhe unë; duke u dridhur jo nga të ftohtit, por nga sytë e tij që thërrasin: “Më ndihmoni… po çmendem”! Memorie.al

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/ne-ballsh-kishim-doktor-mico-konomin-qe-kishte-kaluar-afro-30-vjet-si-i-denuar-dhe-kur-i-thashe-te-vinte-ta-vizitonte-pak-dashnor-mamaqin-ai-me-deshmia-e-ish-te-burgosurit-pol/