“Në ’84-ën, kur rojet kufitare vranë në Ksamil, Jean-Marie Masselin, qeveria shqiptare deklaroi nëpërmjet ATSH-së, se atë e kishte dërguar i biri i Zogut…”/ Libri i dy autorëve francezë

Nga Vasil Qesari

Memorie.al/ Përmbysja e ngrehinës së madhe totalitare në Shqipëri do të linte pas, jo vetëm ndryshimin e sistemit, shoqëruar me plot shpresa, mirazhe e klithma lumturie por, fatkeqësisht, edhe mjaft plagë, drama, viktima, pluhur, mllefe e zhgënjime nga më të ndryshmet. Dhjetë vjet e më tepër pas asaj ngjarje, e cila tronditi thellë shoqërinë, duke përmbysur tërësisht shumë kode, rregulla e koncepte të mëparshme, njerëzit vazhdojnë endé t’i bëjnë vetes pyetje të tilla, si: Ç’kish ndodhur në të vërtetë në shoqërinë shqiptare, gjatë 50 vjetëve të fundit të diktaturës? Si qe e mundur që sistemi arriti të deformonte gjithçka? Përse njerëzit e kishin pranuar atë? Cila qe logjika totalitare e transformimit të shoqërisë e individit? Si qenë konceptuar e funksiononin strukturat e mekanizmave totalitare: propaganda, policia sekrete dhe ushtrimi i ideologjisë së terrorit?  Si ndodhi që ndër mbarë vendet komuniste të Lindjes europiane, Shqipëria të cilësohej përjashtim apo rast i veçantë? Pse Enver Hoxha i qëndroi verbërisht, fanatikisht e gjer në fund besnik Stalinit, duke e kthyer vendin në një burg ku dhuna, frika e spastrimet vazhduan gjer në fund të viteve ’80-të? Pse vendi u izolua çmendurisht, duke i mbyllur njerëzit mes bunkerësh e telash me gjemba? Përse, pra, ndodhën gjithë fenomenet e mësipërme…?!  Libri ‘Post-scriptum për diktaturën’, s’pretendon t’u japë përgjigje definitive pyetjeve të mësipërme, apo kompleksitetit të arsyeve që sollën e mbajtën në fuqi pushtetin totalitar në Shqipëri. As edhe të jetë një afresk i plotë, i thellë e i gjithanshëm i jetës e vuajtjeve që përjetuan njerëzit gjatë atij sistemi.  Autori i tij, ndofta, ka meritën që bashkë me shikimin retrospektiv të periudhës totalitare si dhe zellin e një analisti të pasionuar, është përpjekur të kthejë edhe një herë kokën mbrapa, për të dhenë jo vetëm kujtimet e opinionet e tij personale, por dhe për t’i u rikthyer dhe një herë vizionit të asaj epoke me filozofinë e thjeshtë të ruajtjes së Memories e mbështetjes së Apelit për të mos harruar kurrë maksimën e njohur, se…kadavrës vazhdojnë t’i rriten thonjtë e flokët edhe pas vdekjes! Dhjetë vjet e më shumë pas përmbysjes së madhe, libri në fjalë ka vlera aktuale e shpresojmë të vlerësohet nga lexuesi sepse, siç shprehet edhe një studiues shqiptar…e keqja më e madhe që mund t’i ndodhë një populli, vjen atëherë kur ai nuk arrin të bëjë analizën e së kaluarës së vet. Një popull amnezik është i detyruar të jetë vazhdimisht neuropatik e të përsërisë përvojat e tij të dhembshme…!

                                                 VRASJA E JEAN – MARIE MASSELIN

Të dhëna drithëruese për izolimin, mbylljen hermetike dhe egërsinë e rojeve kufitare shqiptare, na sjellin edhe dy autorë francezë. Çifti Elisabeth e Jean-Paul Champseix, gjatë viteve 1982-1988, punuan si profesorë të frëngjishtes në fakultetin e Gjuhëve të Huaja të Universitetit Shtetëror të Tiranës. Duke jetuar për një kohë të gjatë në vendin tonë, ata vrojtuan nga afër realitetin kompleks të bastionit të fundit stalinist në Europë, vendin e paradokseve dhe frikës së madhe.

Në librin e tyre “Bulevardi Stalin – 57”, ndër të tjera, ata shkruajnë edhe rreth episodit të vrasjes mizore të qytetarit francez Jean-Marie Masselin, nga rojet kufitare shqiptare. Vrasja e punonjësit të “Klubit Mesdhetar të Korfuzit”, ndodhi më 18 qershor 1984, teksa ai ishte në shoqëri me dy turistë të tjerë franceze, Bertrand Labat e Robert Hoatua, njerëz të pasionuar pas zhytjeve e peshkimit nënujor.

Në ujërat pranë Korfuzit, të rrahura nga shëtitjet e motoskafëve, jahteve, trageteve e natyrisht edhe të anijeve të peshkimit, kish vite që ky sport nuk sillte kënaqësitë që priteshin. Ishte kjo arsyeja pse, tre zhytësit, të hipur mbi motoskafin e tyre e të shoqëruar nga një barkë e vogël greke, vendosën t’u afrohen brigjeve shqiptare, për të cilat flitej se ishin të virgjëra e shumë të pasura në peshk.

Por, pa bërë as dyqind metra, greku, i frikësuar, kish ndërruar mendje për t’i shoqëruar më tej e qe ndalur brenda ujërave asnjanëse, duke i paralajmëruar se ideja e tyre ish me rrezik e mund t’u sillte pasoja krejt të papëlqyeshme. Por, francezët, nuk ia vunë veshin. Vazhduan lundrimin dhe e ndalën motoskafin katër a pesë metra larg bregut shqiptar.

Të mrekulluar nga ujërat kristal, mungesa e turistëve, qetësia përreth si edhe nga mendimi se do kishin kënaqësinë të bënin gjuajte të bollshme, ata veshën me nxitim pajisjet nënujore. Njëri prej tyre u hodh në ujë, kur …

Robert Hoatua, i tregoi më pas, një gazetari të së përditshmes franceze Figaro, se ç’kish ndodhur:

“…Pikërisht, në momentin kur një nga shokët tanë u hodh nga motoskafi në ujë, dëgjuam krisma e breshëri armësh e ndjemë që plumbat po na fluturonin mbi kokë. Ngritëm sytë e në një shkëmb karshi pamë tre ushtarë që shtinin pa reshtur në ajër e përreth motoskafit…”!

Në vend të dorëzoheshin e të mos lëviznin, tre turistët të trembur për vdekje, menduan se e vetmja gjë që mund të bënin ishte të ktheheshin vetëtimthi mrapsh, drejt ishullit të Korfuzit. Por, ushtarët vazhdonin të qëllonin pa pushim përreth tyre e, çdo tentativë e tillë, qe e pamundur. Atëherë, të tmerruar, provuan t’u shpjegojnë me fjalë e me shenja, duke u treguar pushkët e tyre të peshkimit nënujor, me idenë se kështu, ata do ta kuptonin se qëllimi i ndodhjes së tyre atje, ishte thjesht zbavitës e sportiv.

Në ato çaste, për dreq, nisi të fryjë një erë e lehtë dhe motoskafi nisi të largohet vetvetiu nga bregu. Atëherë, ushtarët të egërsuar e të acaruar në kulm nga mendimi se ata po tentonin t’u shpëtonin nga duart, i shpeshtuan breshëritë e automatikeve duke bërtitur që të mos bënin asnjë hap prapa.

(Të edukuar të shihnin tek çdo i huaj një armik, ata ishin të bindur se njerëzit mbi motoskaf nuk qenë veç një grup agjentesh të rrezikshëm. Ndërkohë që, edhe kujtimet e përpjekjes dhe jehona e zbarkimit të komandos së Xhevdet Mustafës në brigjet e Divjakës në shtator 1982, ishte akoma e freskët).

Kufitarët ishin të sigurt se kësaj radhe, asnjë prej spiunëve nuk do shpëtonte pa u kapur gjallë. (Po qe se do ndodhte e kundërta, pasojat do të ishin shumë të renda. Bile, mund t’i akuzonin edhe për bashkëpunim me ta, e kështu, do të përfundonin me siguri në gjyqin ushtarak).

Për fatin e keq të francezeve, të cilët endé shpresonin të gjenin një gjuhë të përbashkët me ushtarët duke vazhduar t’u tregonin pajisjet e tyre nënujore (për t’i siguruar se ata s’ishin veç amatorë peshkimi), këta të fundit as që dinin se ç’ishin veshjet nënujëse e armët pneumatike të peshkimit. Për kufitarët, ato jo vetëm që ishin vërtet armë, por bile, edhe tepër të sofistikuara…!

Kaluan dy-tre minuta e, thirrjet që të huajt të zbrisnin sa më shpejt në breg, u benë dhe më të egra. Francezët, të tmerruar, e kishin humbur toruan, s’dinin si të vepronin e vazhdonin të hezitonin. Atëherë, kufitarët, vendosën të shtinin mbi motoskaf. Tre turistët nxituan të fshihen pas kabinës e cila u bë shoshë nga plumbat.

(Njëzet gjurmë plumbash u numëruan më pas mbi motor, e mbi treqind të tjerë, mbi karkasën e tij plastike).

Robert Hoatua u plagos nga një plumb që e goditi në krah. Bertrand Labat arriti të hidhej nga motoskafi e të notojë, herë mbi ujë e herë nenë ujë, në drejtim të barkës greke që priste jashtë ujërave shqiptare. Por, shoku u tyre Jean-Marie Masselin, nuk u duk më. Ku kish përfunduar vallë?

Të nesërmen e ngjarjes, një anije solli trupin e tij pa jetë në ishullin e Korfuzit. Një plumb i kish përshkuar kokën tej e përtej…! Reagimi i autoriteteve shqiptare i la gojëhapur të gjithë. Ngjarja tragjike u mohua krejtësisht. Ne as kemi vrarë e as kemi plagosur njeri! – deklaronte, në një komunikatë të saj Agjencia Telegrafike Shqiptare, e cila vijonte pastaj me justifikime që ngjanin me subjektin e një romani spiunazhi.

 Rojet shqiptare – thuhej në të – nuk ishin në dijeni për nacionalitetin e shkelësve të kufirit, në se ishin francezë, anglezë, grekë, sovjetikë apo njerëz të dërguar nga biri i ish-Mbretit Zog…! Përse, me ç’qëllime, kishin hyrë ata në ujërat tona? Nëpërmjet shtypit francez, mësuam se, një anije tjetër i priste ata në thellësi.

 Cili qe misioni i tyre…? Në një version të shtypit të huaj është thënë se, fillimisht, Masslin u gjet i vdekur mbi një shkëmb, për shkak të një goditje në kokë. Pastaj, u shkrua për variantin tjetër se, ai ish goditur në kokë me plumb.Të gjitha këto, nuk mund të na heqin dyshimin se, diçka fshihej në misionin e motoskafit e njerëzve që ndodheshin në bordin e tij. …! Memorie.al

 Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/ne-84-en-kur-rojet-kufitare-vrane-ne-ksamil-jean-marie-masselin-qeveria-shqiptare-deklaroi-nepermjet-atsh-se-se-ate-e-kishte-derguar-i-biri-i-zogut-libri-i-dy-autorev/