“Në 1973-in, u arrestua inxhinieri gjeolog i naftës, Nuredin Skrapari, pasi bashkë me dy shokë, kishin pirë dhe në shenjë revolte, me portretin e Enver Hoxhës, ata…”/ Kujtimet e Petraq Xhaçkës

Nga Petraq Xhaçka

Pjesa e dhjetë

Memorie.al / Qëllimi i këtij libri, është të bashkojë ndihmesën në përpjekjet që bëhen, për të paraqitur të vërtetat dhe tmerret e diktaturës komuniste në Shqipëri. Qëllimi kryesor i librit, nuk është t’i tregojë popullit tonë e kujtdo tjetër, se ne naftëtarët kemi qenë të pafajshëm, sepse kjo është bërë e njohur nga botime në shtypin tonë, nga televizionet e huaja, si dhe nga takimet direkte me Forumin Ndërkombëtar dhe atij shqiptar të të Drejtave të Njeriut. Dëshira e autorit, është që nëpërmjet kësaj historie, së bashku me tregime të tjera, të luftohet çdo shfaqje në çfarëdo forme, qoftë dhe të moderuar, që ai mund të ketë për të krijuar një shoqëri komuniste. Mendoj se edhe nëpërmjet kësaj historie të hidhur personale, do të shfaqet fytyra mizore e pabesë dhe prepotente e enverizmit, që për një gjysëm shekulli, ja mbajti thikën me majën në gjoks popullit shqiptar, me syrin pishë, duke përgjuar lëvizjet për shpëtim nga jashtë, apo rebelim të vetë popullit, i gatshëm ta shtynte thikën drejt zemrës, në lëvizjen më të parë. Ngjarjet janë vënë në fushat ekonomike ku ajo është shfaqur më me forcë, siç ka qenë industria e naftës dhe e gazit, ku pata fatin të derdh energjitë e mia, për një jetë të tërë dhe të bëhem në ato ngjarje pjesëtar dhe dëshmitar. Të gjitha ngjarjet që shkruhen në këtë libër kujtimesh, janë të vërteta, jo vetëm pa asnjë për zmadhim apo zbukurim të tyre, por ndofta, nuk di sa kam mundur të paraqes forcën tmerruese të ngjarjeve që ndodhnin në atë sistem dekadent të socializmit, ku nuk ekzistonte asnjë ndjenjë humane.

                                                          Vijon nga numri i kaluar

Më vonë, në vitin 1973, më kaluan në Institutin e Naftës, si zëvendës drejtor për sektorin shkencor të nxjerrjes së naftës në Patos. Aty gjeta përgjithësisht një kolektiv shumë të mirë dhe u krye një punë e gjerë shkencore. Siç shikohet, në këtë periudhë, lëvizjet e mia nëpër detyra u bënë të shpeshta, nga organet e nomenklaturës, pa më pyetur fare mua.

Në vitin 1973, arrestohet për politikë, një nga specialistët e kërkimeve e të rilevimeve gjeologjike në Kuçovë, gjeologu Nuredin Skrapari, për arsye se në një natë, bashkë me dy specialistë të lartë të tjerë, mbasi ishin mbledhur dhe kishin pirë, paskëshin qëlluar në formë pakënaqësie e proteste, portretin e diktatorit, për jetën e mbyllur të rinisë në vendin tonë, duke e thyer e grisur atë.

Ky djalë i ri, specialist i lartë, për këtë akt, kreu rreth pesëmbëdhjetë vjet burg. Ky lajm i shqetësoi mjaft kolegët e tij të punës në Institut dhe në ndërmarrje, e ndikoi që specialistët e lartë e teknikët, të jetonin e punonin nën një tension e një frikë për të ardhmen.

Aty nga fillimet e viteve ’70-të, në rajonin e Sarandës, nga puset e parë, u morën disa rezultate pozitive, por me sasira shumë të vogla nafte dhe gazi. Në fakt atje u bënë disa gabime, sepse u mbi vlerësuan përfundimet e arritura dhe u projektuan shumë puse për shfrytëzim, pa patur një projekt shkencor e teknik, të miratuar.

Po kështu, filluan të kryheshin disa punime të tjera sipërfaqësore më të gjera se sa duheshin bërë, lidhur me fillimin e ndërtimit të rezervuarëve të nëndheshëm. Euforia i shtyu përgjegjësat në terren dhe në Institut, që të mbivlerësonin sasinë e rezervave të naftës e të gazit në të.

-Meqenëse unë punoja në sektorin shkencor të nxjerrjes e të shpimeve në Patos, munda të lidhesha në një farë shkalle me të dhënat e këtij shtratimi dhe konkludova bashkë me specialistët e tjerë, se llogaritjet paraprake të rezervave të bëra nga sektori i gjeologjisë së Institutit të Naftës, ishin të pa argumentuara mirë dhe më të larta nga mundësitë reale. Teknikisht dhe ekonomikisht, për pasojë pa e njohur mirë shtratimin, nuk duhej futur intensivisht me shpime në atë objekt.

Mendimet që shfaqa në Drejtorinë e Përgjithshme, i bënë ata të më dërgonin në Sarandë, bashkë me dy specialistë të nxjerrjes, N. Shehu e M. Bano. Na kërkohej që të studionim nga afër të dhënat konkrete, e të parashtronim mendimet tona. Mbas rreth dy muaj pune studimore, ne arritëm në përfundimet tona dhe unë u përgatita për të raportuar. Në takimin e drejtorisë së ndërmarrjes së Sarandës, që kishte pak kohë që ishte krijuar, erdhi për t’u njohur me gjendjen e punimeve, edhe zëvendës kryeministri i atëhershëm, Adil Çarçani.

Mbasi u raportua mbi gjendjen e punimeve nga drejtues të tjerë, në fund u kërkua prej meje, që të informoja mbi përfundimet e ekipit. Unë raportova mendimin, se rezervat e njohura deri në atë fazë, ishin mjaft më të vogla, nga ato llogari të parashikuara dhe për pasojë, duhej pakësuar numri i sondave që do të fillonin shpimet dhe volumi i punimeve të impianteve sipërfaqësore. Zëvendës kryeministri, pasi më dëgjoi, tha:

– Me këtë vlerësim që na paraqite këtu ti, Xhaçka, për madhësinë e rezervave të vend-burimit të Sarandës dhe masave që duhen marrë për të pakësuar investimet, ti na vure litarin në grykë.

Unë u detyrova t’i shpjegoja më në hollësi situatën teknike të llogaritjeve të rezervave dhe se në këtë gjendje, ishte domosdoshmëri të shkurtoheshin shumë investimet e filluara dhe ato që mendoheshin të bëheshin, sepse do të ishin të pajustifikueshme dhe do të rëndonin ekonominë.

– Është më mirë dhe më e drejtë, t’i themi gjerat tani, kur ende nuk janë bërë investime shumë të mëdha, se sa t’i lëmë për më vonë, kur nuk mund të korrigjohen më. Drejtuesit e naftës dhe shefat në qeveri, duke i konsideruar të drejta mendimet tona, dhanë urdhër për të ndërprerë disa punime të filluara.

Do të hiqej dorë nga plani i bërë, për një intensifikim të shpimeve për nxjerrjen e naftës aty. Ky ishte një kontribut tepër i madh, që unë me disa punonjës të tjerë, po i jepnim ekonomisë në kohën e duhur, pa lejuar të kryheshin shpenzime shumë të tepërta, nga ato që ishin kryer.

Mendimi im ishte se ky, ishte thjesht një gabim vlerësimi të rezervave gjeologjike, i bërë pa qëllime keqdashëse nga sektori gjeologjik i Institutit, si dhe nga drejtoria e tij, dhe vinte nga mungesa e përvojës në fushën e llogaritjeve të rezervave, nga punonjësit e gjeologjisë së kërkimeve, për formacionet gëlqerore dhe do të ishte mirë më pas, që kjo punë t’i ngarkohej sektorit shkencor të nxjerrjes së naftës. Megjithatë, përsëri situata u kap shpejt prej nesh dhe jeta edhe më vonë, tregoi se gjykimet e llogaritjet tona, ishin të drejta.

Me këtë hap, ne nuk lejuam të kryheshin shpenzime shumë të mëdha në këtë zonë, që nuk premtonin të justifikoheshin ekonomikisht, duke treguar edhe një herë seriozitetin dhe ndershmërinë time, dhe të kolegëve që punuam për këtë problem. Mjaftonte ky rast, por që në fakt e tërë jeta ime, ishte e mbushur me raste të tilla, i cili tregon se unë kurrë nuk kam patur mendimin e sabotimit, sepse po ta kisha, në ngjarjet e Sarandës, unë do të heshtja e të beja sehir.

Unë nuk kisha asnjë përgjegjësi për punimet që po kryheshin, por ishte ndërgjegjja e pastër ndaj popullit e vendit tim, që nuk më lejonte të qëndroja indiferent, teksa po rrezikoheshin vlera të mëdha të hollash, që do të humbitnin kot pa efektivitet.

Në këto kohë, sidomos gjatë gjashtëmujorit të dytë të vitit 1974, u zhvilluan mbledhje të shumta dhe u organizuan disa grupe pune, në drejtim të planifikimit të prodhimit të naftës për pesë vjeçarin 1975-‘80. Udhëheqja e partisë, kishte shtruar kërkesën e saj, që planifikimi i naftës për atë periudhë, të ishte i një niveli më të lartë, e të arrinte shifrën e 3 milionë tonëve në vit. Që të arrihej kjo shifër, teknikisht duheshin zbuluar çdo vit, më shumë se një vend-burim i ri i rëndësishëm nafte, ç’ka për kushtet tona, ishte krejtësisht e pamundur.

Përveç kësaj, që të arrihej një nivel i tillë në vitin 1976, duhej që praktikisht, të ishim të zbuluar dy vend-burime të rinj nafte dhe këto të ndodheshin në fazë të avancuar shfrytëzimi dhe njohjeje, çka në realitet, nuk ekzistonte. Koha, në mënyrë absolute, nuk lejonte të kapeshin nivele të tilla. Këto pra, nuk ishin gjë tjetër, vetëm planifikime absurde, bllofe, vetëm për propagandë, në trajtë fishekzjarrësh, për kongresin e ardhshëm të partisë.

Udhëheqja e lartë e shtetit e kishte të lehtë të justifikonte në të ardhmen këtë mosrealizim, me një grup tjetër sabotatorësh. Ashtu siç prodhoheshin me lehtësi, në një uzinë biçikletat, po aq të lehtë e kishte diktatura, të “fabrikonte” dhe ajo “grupe armiqësore” me njerëz të pafajshëm. Në atë kohë, pothuaj u hoq fare nga përdorimi, termi “i paaftë”. Nga ajo kohë dhe më pas, në sektorin e naftës në Shqipëri, nuk do të kishim të paaftë, do të kishim vetëm armiq! Çmenduri tronditëse! Feudalët e mëdhenj, nuk merakoseshin për jetën e skllevërve, e të familjeve të tyre prej skllevërish.

Planifikimet e ndërmarrjeve ishin në nivele më të ulëta, sepse vendburimet ishin në fazat e rënies së prodhimit dhe jo të rritjes. Kjo gjendje solli debate të mëdha midis organeve të qendrës dhe kuadrove drejtuese të ndërmarrjeve. Këta të fundit ngulnin këmbë në nivele mbi tridhjetë përqind më të ulëta nga ato të qendrës.

Si gjithnjë edhe në këto debate, nxirrnin kokën disa punonjës që për konformizëm me udhëheqjen e shtetit, mbështesnin shifrat e larta dhe së dyti, sepse ata nuk mbanin asnjë përgjegjësi për mosrealizimin e planeve të prodhimit të naftës. Në tërësinë e tyre, shumica e specialistëve e drejtuesve, të cilët merreshin direkt me kërkimet ose nxjerrjen e naftës, ishin për planifikime realiste, pra në nivele mjaft më të ulëta.

Këtë pozicion të drejtë dhe parimor, kam mbajtur edhe unë gjatë këtyre diskutimeve tepër të gjata dhe plot tensione nervore, nga politizimi që i bëhej këtij problem, nga piramida shtetërore. Unë kisha kundërshtime të ashpra me Abdyl Këllezin, që ish Kryetari Komisionit të Planit të Shtetit dhe me ministrin Koço Theodhosi. Ata që të dy, ishin anëtare të Byrosë Politike të partisë dhe duhej patjetër, të mbronin shifrat e larta, por me sa kuptoja, vetë ata mbanin rezerva dhe e kuptonin se kërkesat e tyre ishin tepër të larta, e të paargumentuara shkencërisht.

Por edhe ata me siguri viheshin në kondita të vështira, ndaj Njëshit të shtetit. Nëpërmjet materialeve të partisë, që na vinin për informim në çështjet ekonomike, kuptohej qartë, se ishte Enveri, ai që shtronte këto detyra të parealizueshme. Nuk ishte e vështirë të kuptoje në disa mbledhje me rëndësi, se dhe vetë ministrat, të cilët merreshin direkt me ekonominë dhe mbanin përgjegjësi për realizimin e planeve, kishin një frikë e ndrydhje shumë të madhe.

Ndërsa pjesëtarë të tjerë të aparatit qendror të partisë, të cilët përgjigjeshin për sferat e tjera të jetës, luftonin me egërsi kolegët e tyre dhe përkrahnin me zell planifikimet e fryra ose vlerësimet që bënte diktatori, për çdo problem. Skena të tilla skandaloze, i janë bërë të njohura publikut, sidomos në vitet e fundit, gjatë zhvillimeve demokratike.

Në sektorin e naftës, ishin të shumta rastet kur Byroja Politike, dilte në ndryshim me vendimet e Ministrisë së Naftës apo dhe të Qeverisë, sidomos në hartimin e planeve të shtetit për naftën, gazin dhe nivelin e metrazhit të kërkimeve e, rezervave që priteshin të zbuloheshin e të tjera.

Ndeshjet e mia në debate me udhëheqës të partisë e anëtarë të qeverisë, u bënë të njohura dhe në masën e specialistëve të tjerë dhe ata, shprehnin miratimin e tyre për këto qëndrime. Por jam i bindur, se nga ana tjetër, kishte individë të një lloji tjetër, nga ata që merrnin pjesë në këto mbledhje, pa u përzier në debate. Ata mbanin shënime, me të cilat me siguri informonin punonjësit e Sigurimit.

Këta të fundit me kënaqësi, mbushnin dosjet me të dhëna gjithë llojesh dhe i përdornin ato sipas rastit, apo nevojës që u kërkohej. Për këta nuk kishte rëndësi, sa të sakta e korrekte ishin informacionet. Ata mblidhnin “pro”-të dhe “kundra”-t. Mjaftonte që ishin sulmuar si të fryra, përkrahur e mbrojtur si reale planet e prodhimit të naftës.

Falsifikimi, keq interpretim i realitetit, ishte një gjë e zakonshme në punën e tyre, sepse ata kurrë nuk jepnin llogari për saktësinë e të dhënave. Po ashtu edhe organet e drejtësisë, kurrë nuk kërkonin, nëse qëndrojnë ato në të vërtetë, apo jo. Mjaftonte t’i kishin të përcjella nga Sigurimi! Memorie.al

                                                          Vijon numrin e ardhshëm

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/ne-1973-in-u-arrestua-inxhinieri-gjeolog-i-naftes-nuredin-skrapari-pasi-bashke-me-dy-shoke-kishin-pire-dhe-ne-shenje-revolte-me-portretin-e-enver-hoxhes-ata-kujtimet-e-petr/