“Ndërsa pritej fjala e ministrit Kadri Hazbiu, shefi i Ndërlidhjes i dha komandantit të Divizionit fonogramin e Enver Hoxhës, i cili…”/ Dëshmia e rrallë e ish-shefit të Garnizonit të Elbasanit

Nga Artur Ajazi

Memorie.al / Ish-Komandanti Garnizonit të Elbasanit ish-ushtaraku Bajram Luarasi, që ka kaluar mbi 85 vite të jetës së tij, tregon fillimin e karrierës ushtarake, minutat e takimeve me Enver Hoxhën, Nikita Hrushovin dhe momentet e fundit të takimit dhe bisedimeve mes tij, oficerëve madhorë të Shtabit të Divizionit të Elbasanit, me ministrin e Mbrojtjes Kadri Hazbiun, minutat e frikshme pas mbërritjes së një fonogrami urgjent nga Enver Hoxha, zëri kumbues i tij që urdhëronte, dhe djersitja e Hazbiut, ndarja dhe largimi kokëvarur i tij drejt Kërrabës, ku e priste një fat jo i mirë.

Zoti Bajram, ju keni qenë për afro 35 vjet ushtarak me një karrierë të pasur, e cila ka nisur qysh në vitin 1956, duke veshur uniformën me grada, nga nëntoger, toger, kapiten, dhe pastaj atë pa grada, pas vitit 1967. Keni ndërruar shumë ministra, zv/ministra, por deshëm të dinim konkretisht, momentet e fundit me ish-ministrin e fundit të Mbrojtjes, me Kadri Hazbiun, një prej figurave të rëndësishme të asaj kohe?

Po e vërtetë është, e kam nisur karrierën ushtarake qysh në adoleshencë, e kam veshur uniformën ushtarake qysh 14 vjeç, qysh në shkollën “Skenderbej”, e nisa karrierën me grada dhe e bitisa me uniformën tipike kineze.

Kam ndërruar mjaft ministra, komandantë, zv/ministra, drejtorë politikë dhe ushtarakë, kam takuar shumicën e tyre, madje kam takuar edhe Enver Hoxhën, nja tre herë, dhe kam qenë roje nderi, tek Komiteti Qendror të PPSH-së, ditët kur erdhi Nikita Hrushovi, i cili edhe na përshëndeti.

Kam marrë pjesë edhe në tre parada ushtarake. Ndërsa duke u ndalur paksa tek gradat në ushtri, mbaj mend se atë ditë që më kishte ardhur grada Major, unë e gëzova vetëm 2 orë, sepse erdhi njoftimi urgjent, mbi heqjen e tyre.

Në mëngjes ika nga shtëpia me uniformën me grada, dhe jam kthyer në shtëpi pasdite, me uniformën e re kineze. Por le të kthehemi tek pyetja juaj. Pas vetëvrasjes së Mehmet Shehut, i cili ishte Kryeministër dhe kreu ministrisë së Mbrojtjes për shumë vite, Enver Hoxha emëroi me urgjencë Kadri Hazbiun, në vendin e tij.

Njeriun më të afërt të Mehmetit, të cilin e prisnin të gjithë të bëhej ai ministër për Ushtrinë, pasi kudo i shikoje bashkë. Kadriu ishte njeri sa serioz, aq edhe me humor, sillej shumë korrekt dhe shumë miqësor me ushtarakët, vartësit dhe ushtarët, por edhe shumë autoritar.

E kisha takuar nja 2-3 herë edhe Kadriun, por kur u bë ministër i Mbrojtjes, kishim kontakte të tjera pune. Pas ngjarjes me Mehmetin, kur ndodhi vetëvrasja e tij, në dhjetorin e vitit 1981, situata në vend, dhe veçanërisht në ushtri ishte tepër serioze, ishte e rrezikshme, ishte delikate, sepse mund të prisje të papritura, mund të shkarkoheshe, arrestoheshe, qarkulloheshe, ose edhe ngriheshe në detyrë.

Kjo për faktin, sepse vetëm 10 ditë pas varrimit të zakonshëm të Mehmet Shehut, nisi reprezalje edhe në Ushtri. U arrestuan ushtarakë e civilë edhe në Divizionet e vendit, ish-miqtë e Mehmetit, ashtu siç do të veprohej edhe me ish-miqtë e Kadriut, një vit më vonë. Edhe në repartet ushtarake të Divizionit të Elbasanit, ngjau kjo gjë, u shkarkuan dhjetëra ushtarakë, u arrestuan, qarkulluan, etj.

Kadri Hazbiu me detyrën e ministrit të Mbrojtjes, ka patur një takim të fundit me ushtarakët e Divizionit të Elbasanit, mund të na thoni çfarë mbani mend atë ditë tetori 1982?

Po e mbaj mend shumë mirë, ishte 12 ose 13 tetori i vitit 1982, komandanti Divizionit, Mikado Shakohoxha, na mblodhi qysh në ora 06.30 dhe na tha; “Sot vjen ministri, shoku Kadri në Elbasan, dhe mbledhja urgjente do të mbahet tek salla qendrore e Shtëpisë Oficerëve, kujdes çdo gjë të jetë në rregull”.

Ai na caktoi ne të mbanim edhe nga një fjalim të shkurtër dhe do të raportonim mbi problemet dhe zbatimin e detyrave. Ishte ora 10.00 kur njoftohemi se makina e Kadri Hazbiut sapo kaloi Bradasheshin, ndërkohë që në gatishmëri ishte gjithë efektivi reparteve tona, gjithë Shtabi Divizionit.

U rreshtuam tek oborri Shtëpisë Oficerëve, sipas shkallëve dhe posteve, detyrave përkatëse, efektivi Shtabit të Divizionit, dhe komandantët e brigadave të rrethit. Elbasani ishte rreth i madh, dhe kishte shumë brigade ushtarake.

Sapo mbërriti në oborrin e Shtëpisë së Oficerëve, ministri Mbrojtjes Kadri Hazbiu, ashtu energjik siç ishte, na takoi të gjithëve, dhe u drejtua drejt sallës ku do të mbahej mbledhja e paracaktuar.

Të gjithëve, na ra në sy një farë ndryshimi, nuk ishte ai Kadriu me humor kur takohej me efektivat, ishte çehre prishur, sikur e mundonte diçka, ose priste të ndodhte diçka. Mbledhja nisi dhe fjalën e parë e mbajti komandanti Divizionit, pastaj komisari, pastaj fola edhe unë, mbi masat e marra në shkallë rrethi nga repartet e Garnizonit.

Pas dy – tre ndërhyrjeve nga salla, fjala pritej të merrej nga ministri Hazbiu, kur kishte kaluar afro 25-30 minuta. E mbaj mend, ai kishte hequr xhaketën e kostumit, e kishte varur në shpinën e karriges tij, dhe mbante veshur një këmishë të bardhë, madje me mëngët përveshur.

Gjatë gjithë kohë shikonte majtas-djathtas, lart e poshtë, rrinte mendueshëm, kurse ne në rreshtat e para dhe të dyta të sallës, pyesnim veten tonë me shikime; “ore, sikur nuk duket mirë Kadriu”.

Ndoshta kjo vinte edhe nga situata e rënduar psikologjike tek shumica e ushtarakëve, mos harroni se sapo kishte vrarë veten kryeministri, ministri Mbrojtjes, numri dy i shtetit, dhe ndaj familjes së tij, kishte ndodhur reprezalje, por kishte patur edhe arrestime. Kur pa mbaruar akoma mirë këto mendime, vjen me urgjencë shefi ndërlidhjes Divizionit.

Çfarë kishte ndodhur?

Pra siç ju thashë gjithë salla po priste të fliste Kadriu, ministri Mbrojtjes, anëtari Byrosë Politike, njeriu me peshë goxha të madhe në atë kohë.

E ndërsa një oficer po afronte mikrofonin pranë vendit ku ishte ulur Kadri Hazbiu, shefi Ndërlidhjes vjen me vrap, dhe i drejtohet komandantit të Divizionit, Mikado Shakohoxha: “Shoku komandant, fonogram urgjent nga shoku Enver Hoxha, është për ju”. Të gjithë ngrinë, as miza nuk pipëtinte, pasi fonogrami duhej të ishte për Kadriun.

Pamë se Kadriut i shkuan djersë mbi ballë dhe po i mbulonin fytyrën. Dëgjuam zërin e Enver Hoxhës, sikur të ishte pas dere, kumbues dhe foli vetëm kaq: “ Ai që ndodhet në Elbasan, të niset urgjent për Tiranë”. Kaq ishte dhe e mbylli. Për afro 10 minuta nuk dëgjohej as frymëmarrja e ushtarakëve në sallë.

I pari ishte Kadriu, që ashtu siç ishte, kishte varur edhe kokën, dhe u mundua të mbahej në sytë tanë, u takua ftohtë me ne të gjithë, ishte si një takim lamtumire, të gjithë ne e kuptuam por nuk folëm, e kuptuam se atij i kishte ardhur radha. Dhe ashtu ndodhi, pas 2-3 ditësh Kadri Hazbiu u arrestua, dhe pas afro një viti hetuesi, u pushkatua.

Kisha dëgjuar ato kohë se Kadriut i kishin kërkuar llogari për ngjarje të ndodhura 40 vjet më parë, por edhe për ato që kishin ndodhur 10 vitet e fundit, kur ai ishte ministër i Brendshëm, por edhe për ato muaj që qëndroi si ministër i Mbrojtjes, duke kërkuar prej tij, se; “Përse nuk e spastrove ushtrinë, nga këlyshët e Mehmetit”?!

Unë nuk e gjykoj politikisht Kadri Hazbiun, por e vlerësoj si ministër, aq sa kemi patur takime dhe marrëdhënie epror-vartës. Ishte shumë njerëzor, komunikues, dhe mbi të gjitha autoritar, kaq. Deri tek km. 29, Kadriun e shoqëruan edhe dy makinat e Divizionit dhe truprojet e Garnizonit Elbasanit, kurse atje ku ndahej Elbasani dhe Tirana në Krrabë, kishin dalë edhe makina policie.

Ai ishte takimi i fundit me njeriun e dytë pas Mehmet Shehut. për nga rëndësia, ishin minutat e fundit me njeriun që kishte mbajtur mbi supet e tij. Sigurimin e Shtetit dhe forcat e Policisë, për afro 40 vjet.

Çfarë ndodhi në radhët e Ushtrisë, pas arrestimit të tij?

Ndodhi ajo që kishte ndodhur edhe me Mehmetin. U shkarkuan, qarkulluan dhe arrestuan dhjetëra ushtarakë, u qarkulluan drejt qyteteve dhe pikave të hapjes (kështu quheshin atëhere), dhjetëra ushtarakë, pasi kishin marrë detyrë në ngritje, kur Kadri Hazbiu u bë ministër Mbrojtje.

Këto ishin gjëra të zakonshme që ndodhnin në Ushtri në atë kohë, fjala vjen edhe unë për një fije kam shpëtuar nga arrestimi, kur u arrestua Petrit Dume në 1974, sepse ishte patrioti im, dhe unë kisha miqësi me atë, sepse edhe më kishte përkrahur, por jo ama të kisha bashkëpunuar.

Por në atë kohë, e keqja të vinte shpesh jo nga lart, por nga poshtë, sepse ishin ata poshtë që nisnin letra dhe denoncime të sajuara, dhe të merrnin në qafë, për të marrë një post, apo për të zgjidhur një problem të tyre familjar.

Por ushtarakët, kanë qenë dhe do të mbeten, njerëzit më të përkushtuar, më punëtorë, më besnikë të idealeve dhe fateve të vendit, që kanë kontribute të padiskutueshme në ngritjen e armatës së bashkuar të asaj që quhej Ushtria Popullore, dhe që sot e kanë katandisur në paçavure. Memorie.al


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/ndersa-pritej-fjala-e-ministrit-kadri-hazbiu-shefi-i-nderlidhjes-i-dha-komandantit-te-divizionit-fonogramin-e-enver-hoxhes-i-cili-deshmia-e-rralle-e-ish-shefit-te-garnizonit-te/