“Ndërsa prisnim të na ekzekutonin, Isufi, shpiku një histori thesari, që gjoja kishte fshehur në lumin e Valbonës dhe nga kjo, na takuan me…”/ Historia e vitit 1985-’86, që futi në kurth Sigurimin e Shtetit

Nga Ferdinand Dervishi

Memorie.al / Shfaqja, mëngjesin e 22 shtatorit të vitit të largët 1985, e një kompanie policësh të armatosur deri në dhëmbë, që lëviznin njëshkolonë, të disiplinuar përgjatë shtratit të lumit Valbonë, të fryrë nga shirat, asokohe kishte hutuar gjithë banorët e fshatrave Bujan dhe Fushë-Lumi të Tropojës. Pa zhurmë, pa bujë, krejt kujdesshëm, vargu shkonte drejt vendit ku lumi i bashkuar me përroin e Shydenicës, krijonte një zgavër gjigante, në qendër të së cilës, rryma e ujit përdridhej si gjarpër. Në vazhdim ca sy të frikësuar, fshehur pas shkurreve, do të zmadhoheshin edhe më duke vëzhguar një djalë të ri, të vishej me ca rroba e një skafandër të çuditshme dhe të kridhej e zhytej në mes të vorbullës kërcënuese të ujit. Se bëhej fjalë për zbulimin e një thesari, saktësisht të një arke me 13 kilogramë flori, këtë banorët e zonës do ta mësonin të fundit, madje vite më pas, por që policët e ardhur nga Tirana, kishin me pranga me vete Isuf Halucin, atë djaloshin e hedhur, të fshatit të tyre.

Ai dallohej atje tej. Trupi i Isuf Halucit, i stërholluar nga torturat, shtrënguar këmbë e duar me hekura, shfaqej herë pas here mes supeve viganë të dy policëve të bëshëm, që e shtypnin në mes si sardele, edhe ata të lidhur bashkë me të me pranga.

“Ishte koha pasi gjykata na kishte dënuar, Isufin dhe mua, me vdekje me pushkatim. Kishim dy vjet në burg, ndërsa akuzat e fabrikuara në adresën tone, ishin gjithsej 13. Ishin pothuaj të gjitha akuzat më të rënda të Kodit Penal, të pjesës për “Krime kundër Shtetit”, që nga agjitacioni e propaganda, sabotimi, agjentura, tentativa e vrasjes së Ramiz Alisë, tentativa e arratisjes jashtë vendit, shkuar deri tek shkelja e dispozitave mbi arin e valutën.

Pikërisht pasi gjykata na dënoi me vdekje me pushkatim, Isufi më tha se, ishte duke u menduar t’u bënte një rreng të fundit këtyre. Këtyre kasapëve, torturuesve, policëve, hetuesve, prokurorëve, oficerëve e punonjësve të Sigurimit, krerëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme, ministrit Hekuran Isai, drejtorit të Sigurimit, Zylyftar Ramizi, etj. Një rreng me qëllimin final, të shmangte në kohën e duhur, vendimin e gjykatës që na kishte dënuar me vdekje”, rrëfen Skënder Haluci, djali i xhaxhait të Isuf Halucit, i bashkë dënuar me vdekje nën të njëjtat akuza dhe i mallkuar të përjetonte çaste tmerri në pritje të vendimit përfundimtar të ekzekutimit me pushkatim.

I njëjti që në kohët moderne, pra pas viteve ’90-të, falë jo vetëm fatit të mbijetesës, është investuar të punojë në fushën e drejtësisë, si jurist, gjyqtar dhe me atributet e një prej komisionerëve të Avokatit të Popullit.

Kurthi më i zgjuar…!

Një thesar, shoqëruar nga një histori mbështjellëse bindëse, mjafton për të ndalur një çast frymën e çdo humani të përgjegjshëm në botë. Sepse një thesar, gjetja e tij, arrin të ndryshojnë në mënyrën më radikale të imagjinueshme fatin, rrjedhën e jetës së qenies, apo qenieve njerëzore që e posedojnë.

Por, askush nuk mund ta besojë se si dikur, nën darën e shtypjes absolute, që buronte nga sistemi i betonuar komunist, larg çdo lloj mundësie për ndihmë, mbyllur e siguruar me pesëqind çelësa e policë roje, lidhur këmbë e duar dhe me skafandër në kokë, në pritje të pushkatimit, dikush të llogariste, pa bërë asnjë gabim të vetëm, efektet e magjishme të përrallës së një thesari të largët, të padukshëm, imagjinar. Një thesari të ndërtuar në brishtësinë e eterit, porse në mendjen e krijuesit, pasqyruar me bindjen për fortësinë e çeliktë të fijeve që përbënin kurthin për mbijetesë.

Të paktën brenda kufijve të territorit të Shqipërisë së të gjitha kohërave, ka të ngjarë që kjo të jetë, gracka më e zgjuar e një të dënuari, i cili pret ekzekutimin me vdekje, pikërisht me qëllim që të shmangë këtë dhe të vazhdojë të jetojë.

“Kam fshehur një arkë me 13 kilogramë flori, diku në shtratin e lumit Valbonë. Duhet të më besoni. Edhe Skënderi, djali i xhaxhait, e di për thesarin, por nuk e di se ku e kam fshehur. Do u jap prova për këtë.

Prova të prekshme. Pa ju dhënë prova mos më besoni. Por… shikoni mos ndryshoni sadopak linjën e përllogaritur për fatin e jetëve tona. Fundja gjithçka në këtë histori e ka një vlerë dhe një kundërvlerë…”, kishin qenë pak a shumë fjalët e Isuf Halucit, për një nga drejtuesit më të lartë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, takimin me të cilin, i dënuari me vdekje e kishte kërkuar me këmbëngulje dhe urgjencë.

“Historia e thesarit ishte edhe një përpjekje e fundit për të kthyer situatën në favorin tonë. Nga ana tjetër, Isufi, duket gjatë gjithë zhvillimit të gjyqit, e vuante shumë faktin se, bashkë më të, po shkoja edhe unë drejt dënimit me vdekje. Ishte katër vjet më i madh në moshë se unë. Duket, ndihej përgjegjës. Ndërkohë, unë e kisha vënë re se ai, gjatë gjithë zhvillimit të gjyqit, ishte përpjekur që të devijonte akuzat që më përfshinin edhe mua. Saktësisht, mohoi të gjitha akuzat, duke i quajtur të montuara, por edhe pohoi gjithashtu, sido që të vinte puna, Skënderi, pra unë, nuk ishte i përzier me asnjë prej tyre. Pra, unë jam i bindur se, më shumë se për veten e vet, këtë historinë e thesarit, Isufi e sajoi për të më ndihmuar mua”, rrëfen Skënder Haluci, pa e fshehur në asnjë çast dobësinë për personalitetin e të afërmit të vet, që tashmë nuk jeton.

Më tej, sajesa vazhdon me detajin kyç të së gjithë ngjarjes. Isuf Haluci, e kishte menduar planin e vet, deri në imtësi, duke përllogaritur, provokim–vëzhgim rezultati edhe kundër-reagimet e kundërshtarëve. Ai kishte menduar t’u jepte një provë të fortë njerëzve, që kishin në duar fatin e jetës së tij dhe të djalit të xhaxhait. Me qëllim që ata të nisnin të besonin seriozisht, në historinë e legjendës së thesarit.

“Fillimisht, që të besonin se e kishte seriozisht për thesarin, Isufi u tha atyre të Sigurimit të Shtetit, se ku gjendej një pjesë fare e vogël e tij. Me Isufin, në atë kohë bënim tregti me anë të florinjve, që i mblidhnim në zonën e Tropojës dhe dërgonim jashtë vendit, me anë të shoferëve të kamionëve të tregtisë, të cilët, kur ktheheshin, na sillnin mall, orë e sende të tjera, çikërrima të ngjashme, por shumë të kërkuara në tregun e kohës. Para se të na arrestonin, kujtoj se kishim gjendje 23 monedha floriri, që Isufi i mbante të fshehura në murin e shtëpisë së tij, në Bujan. Pas një tulle që duhej hequr.

Pas arrestimit tonë, duke e ditur se kishim nëpër duar florinj, policia dhe Sigurimi, kontrolluan të gjitha vrimat e mundshme, madje e mbajtën shtëpinë të rrethuar, për një javë, por pa mundur të gjenin ndonjë gjë të vlefshme. Kështu Isufi, në zbatim të planit të tij, u rrëfeu krerëve të Ministrisë së Brendshme të asaj kohe, se ku gjendej ‘një pjesë fare e vogël e thesarit’. Ata shkuan në shtëpinë e tij në Bujan dhe i gjetën 23 monedhat pikërisht, pasi hoqën tullën që u rrëfeu Isufi.

Duket, saktësia e informacionit dhe e vërteta e vërtetuar, bindi krerët e Ministrisë së Punëve të Brendshme, që të besonin tek pjesa tjetër, te “thesari i Bujanit”, i fshehur në një zgavër të lumit Valbonë. Më kupton, këta florinj të gjetur, këta pak florinj të falur, bënë atë efektin që bën te qeni i gjahut, aroma e lëkurës së presë, që gjahtari ia tund para hundës, para se ta lëshojë nga zinxhiri…”, vazhdon rrëfimin djali i xhaxhait të Isuf Halucit.

Tek “thesari”në Valbonë

Kështu, më 22 shtatorin e largët të vitit 1985, kur kreut absolut komunist të vendit, Enver Hoxhës, ende nuk i ishte tretur mishi në arkivol dhe kur në të gjithë vendin diktatura ishte duke ekzekutuar me pushkatim, deri edhe vjedhësit e rëndomtë, në bregun e spërdredhur të lumit Valbonë, mes bukurisë së natyrës që në ato anë gjendet me tepri në çdo kohë, një kompani policësh, kishin nisur të ndërtonin në mendjen e tyre skenën e gjetjes së një thesari. Të një thesari të vërtetë, mbase, mbase edhe të rrëshqitjes së ndonjë monedhe verdhëllemë në xhep, ashtu padashur, pa e vënë re askush.

“Para se të niseshin për në Tropojë, ata të Sigurimit, më morën në pyetje. Ndërsa unë bëra lojën e Isufit, djalit të xhaxhait, që e adhuroja. Më pyetën për thesarin dhe u thashë se, nuk dija asgjë. Kështu më kishte mësuar Isufi. Ne, por edhe të gjithë të burgosurit e tjerë, komunikonim ditën e natën me anë të një kodi që ishte shpikur në burg. I ngjashëm me atë MORS, ku një germë e caktuar e alfabetit, kishte një numër goditjesh përkatëse në murin ndarës të qelive.

Ndërsa ditën e dytë të marrjes në pyetje, duke bërë sikur u theva nga presioni dhe torturat, u rrëfeva xhelatëve se, e dija se Isufi kishte një thesar, por u betova se, nuk e dija se ku e mbante të fshehur. Duket ky pohim, i bindi përfundimisht ata të Sigurimit dhe të Ministrisë së Punëve të Brendshme se, Isuf Haluci, nuk i mashtronte për thesarin”, rrëfen Skënderi, duke tundur kokën majtas-djathtas, si për të treguar se, sa e çmendur kishte qenë e gjithë kjo histori.

Shpura e policisë dhe disa krerë të Sigurimit të Shtetit kishin udhëtuar për gjatë gjithë natës për në Tropojë. Isuf Halucin, sipas rrëfimit të djalit të xhaxhait, e kishin lidhur këmbë e duar me hekura, ndërsa në dy krahët i rrinin dy policët më viganë të Repartit Special 326, një nga të cilët ishte kampion në sportin e mundjes.

“Siç më tregoi Isufi më pas, dy policët që e kishin marrë përsipër sigurimin e tij, njërën dorë e kishin të lidhur me pranga me dorën e tij. Kështu kishin udhëtuar gjatë gjithë natës me makinë, kështu kishin ecur përgjatë shtratit të Valbonës, kështu kishin parë shfaqjen për gjetjen e thesarit në vendin ku përroi i Shydenicës, bashkohet me lumin e Valbonës, duke krijuar një zgavër gjigante…”!

Me të mbërritur te “vendi i thesarit”, te gropa në lumë, ku Isuf Haluci kishte treguar me gisht vendndodhjen e thesarit, një polic, që bënte profesionin e palombarit, ishte zhveshur për t’u veshur me kostumin e zhytjes të stilit të vjetër, të përbërë edhe nga një skafandër që vendosej në kokë. Pasi ishte bërë gati, edhe pse uji ishte i ftohtë brisk, polici ishte zhytur.

“Kujtoj se Isufi u kishte thënë se, florinjtë, rreth 13 kilogramë, i kishte futur në një arkë metalike dhe se këtë, gjatë kohës së verës, kur niveli i ujit kishte rënë, e kishte lidhur me kavo çeliku, pas një shkëmbi, në fund të shtratit të lumit, në një tip zgavre.

Më pas, këtë shifrën 13 kilogramë, e kam peshuar shpesh në mendje dhe gjithmonë rezultati më ka dalë se duhet të ketë pasur lidhje, me 13 akuzat që Sigurimi i Shtetit kishte montuar në adresën tonë. Një profeci e zgjuar e Isufit. Por le të kthehemi te kërkimi i thesarit. Polici që u fut në ujë ishte nga më të zgjedhurit e më të fuqishmit e Repartit Special Nr. 326. E njihnin të gjithë me emër. Por u lodh shpejt, duke u zhytur. Sepse lumi, kishte pasur prurje të mëdha, për shkak të shirave dhe për më tepër, uji kishte qenë shumë i ftohtë.

Për rrjedhojë, polici nuk kishte mundur të kërkonte me kujdes, të eksploronte që të gjitha zgavrat. Ndërsa unë mendoj se, zgjedhja e atij vendi, për kërkimin e thesarit, ishte sërish pjesë e mendjes gjeniale të Isufit. Pasi në atë zonë të Valbonës edhe në verë, kur ka pak ujë, është e vështirë të shkosh në taban të lumit dhe të eksplorosh të gjitha shpellat e nënujshme”, vazhdon rrëfimin e tij Skënder Haluci.

Pas disa orësh përpjekje, polici palombar ishte dorëzuar. Por ishte dorëzuar pa u bindur, se kishte eksploruar gjithë zonën që Isuf Haluci, qarkonte me gisht diku nën sipërfaqen e ujit të Valbonës. Pra ishte dorëzuar, duke e lënë sërish enigmë të vërtetën e thesarit. “Në këtë kohë, Isufi u ishte lutur ta linin atë që të zhytej me qëllim që të nxirrte thesarin. Madje u ishte lutur disa herë. Por drejtuesit e këtij operacioni, nuk e kishin lejuar.

Dhe bënë mirë, pasi Isufi, i katandisur kockë e lëkurë nga torturat, në pothuaj gjysmën e peshës së vet trupore, nuk do të kishte dalë i gjallë që andej. Sigurisht, që ai do të tentonte të ikte. Ma kishte thënë që në momentin e parë që më tregoi për rrengun. Më kishte thënë se, sido që të vinte puna, së paku do të arrinte të shihte Tropojën për herë të fundit”, përmbyll rrëfimin për kërkimin e thesarit Skënder Haluci.

Afrim Krasniqi: E kujtoj policinë duke kërkuar thesarin!

“Isha i vogël, por e kujtoj policinë që nisi të kërkonte thesarin në Valbonë, në vitin 1985, pasi shtëpia jonë ishte afër lumit”. Pohimi që vërteton marrëzinë e krerëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme për kërkimin e thesarit imagjinar të së dënuarit me vdekje Isuf Haluci, vjen nga gazetari, publicisti dhe studiuesi i njohur, Afrim Krasniqi.

I cili në fëmijërinë e hershme, ka banuar në fshatin Fushë-Lumi, që gjendet në kufi me Bujanin, nga ishte Isuf Haluci, nocione gjeografike që, gjenden në afërsi të qytetit të Bajram-Currit. Sipas rrëfimit të Krasniqit, atë mëngjes, herët, në shtëpitë e tyre kishte trokitur policia, duke dhënë urdhra të prerë që, askush mundësisht të mos dilte nga shtëpia dhe të mos bëhej kurioz për veprimet e përfaqësuesve të shtetit në zonë.

“Ishim fëmijë atëherë dhe prindërit na mbyllën brenda. Por ne e gjetëm mundësinë të hidhnim një sy. Nuk u rezistuam urdhrave. Fshehurazi, nisëm të vëzhgonin se çfarë ishte duke ndodhur”, rrëfen Krasniqi. Vendet, ku policë, civilë, por edhe ushtarë, sipas Krasniqit, kishin kërkuar për thesarin e Isuf Halucit, ishin dy.

“Kujtoj policë, ushtarë dhe disa civilë që fillimisht kërkuan në vendin kur përroi i Shydenicës bashkohet me lumin e Valbonës, por edhe në një vend tjetër. Kjo është një zonë midis fshatit Bujan dhe fshatit Fushë-Lumi, që në atë kohë, nuk kishte më shumë se 20 shtëpi. Kuptohet që ne fëmijët, vëzhgonim nga larg. Shtëpia e prindërve të mi, ishte jo më shumë se 500 metër nga lumi. Kam të ngulitur në mendje një person, që mbahej i lidhur me litar, nga disa ushtarë. Duhet të ketë qenë pëlumbari”, nxjerr nga memoria e fëmijërisë, publicisti i njohur.

“Pasi kërkuan në vend-takimin e përroit të Shydenicës me Valbonën, policët, ushtarët dhe civilët u zhvendosën më tej, duke kontrolluar një tjetër zgavër. Ky vend, gjendet ndanë Fushës së Bujanit, rreth 500-600 metër nga lugina e Varrezave të Dëshmorëve të Tropojës. Është një luginë e thellë, 200 metër mbase, e pabanuar, me shumë gjelbërim dhe ndan fshatin Bujan me Fushë-Lumin”, rrëfen Krasniqi.

Sipas tij, në këtë vend të dytë, dikur kishte qenë fshehur një grup të rinjsh të drejtuar nga një grua, të cilët ishin akuzuar për mashtrime dhe vjedhje të disa dyqaneve dhe magazinave të njohura në atë kohë. Një grup që nuk kishte asnjë lidhje me Isuf Halucin. Duket Sigurimi, mendonte se edhe në këtë vend të lumit, mund të kishte ndonjë thesar”, shpjegon Krasniqi, duke e përmbyllur me pohimin se, vërtet ajo zonë më pas, u vu në ruajtje dhe u shpall si ekonomi ndihmëse, e Degës së Punëve të Brendshme të Tropojës.

Rezultati i rrengut

“Fati ndihmon njerëzit e përgatitur”, thotë batuta e një filmi aksion të Holliwudit. Edhe historia e rrengut të Isuf Halucit në vitin 1985, e rrengut të florinjtë, e menduar me saktësinë e një mjeshtri, e ndihmoi atë dhe djalin e xhaxhait, Skënderin, të vazhdonin të jetonin. Pika e fundit e planit, zgavra gjigante në pikëtakimin e lumit Valbonë me përroin e Shydenicës, kishte qenë vështirësish e kontrollueshme jo vetëm gjatë sezonit të shirave, por edhe gjatë verës.

Kështu që fjala e palombarit se, nuk kishte mundur të kontrollonte gjithë shpellat në shtratin e lumit, sërish nuk i kishte lëvizur drejtuesit e Ministrisë së Brendshme, vetë ministrin Hekuran Isai, por edhe Drejtorin e Sigurimit, Zylyftar Ramizi, nga bindja se Isuf Haluci, nuk i kishte mashtruar. Shpejt ata kishin urdhëruar që, e gjithë zona që qarkonte pikëtakimin e Valbonës me përroin e Shydenicës, të rrethohej me tela me gjemba e, të ruhej me roje të armatosur. Të njëjtët, ishin kujdesur gjithashtu, të shmangnin të gjithë kuriozët, duke varur në disa pozicione të gardhit rrethues, tabela që shkruanin se, sipërfaqja e rrethuar, ishte ekonomi ndihmëse e Degës së Punëve të Brendshme të Tropojës.

“Pas katër ditësh nga kërkimi në Valbonë, mua më nxorën nga qelia dhe më çuan në zyrën e hetuesisë. Aty pashë se kishin çuar edhe Isufin, djalin e xhaxhait dhe kuptova se diçka e madhe ishte duke ndodhur. Pasi ishte kthyer nga Tropoja, Isufi me anë të kodit tone, më kishte shkruar një fjali të vetme: ‘Më duket se u’a futa’!? Prandaj kur e pashë aty, në dhomën e takimeve, të them të drejtën u frikësova. Mendova se Sigurimi i Shtetit, mund të kishte zbuluar dredhinë. Por isha gabuar. Pak çaste më pas, në dhomë u dha Ministri i Punëve të Brendshme, Hekuran Isai.

Ministri nxori paketën e cigareve dhe na zgjati nga një, mua dhe Isufit. Unë nuk e kam pirë kurrë dhe refuzova. Ai më tha se, unë kisha mbetur armik, në një mënyrë ku duhet të ketë pasur edhe djallëzi, apo, për atë vetë, edhe humor. Por kur je i dënuar me vdekje, kur jeta është në fill të perit, nuk e kupton, nuk e nuhat dot humorin e të tjerëve, për më tepër, të xhelatit tënd. Ishte edhe koha kur sapo kishim mësuar se, familjet tona, 18 frymë, i kishin internuar në Kotë të Vlorës.

Ministri nisi të na sillte rrotull me ca histori pa rëndësi dhe në fund na tha se, Presidiumi i Kuvendit Popullor, Kryetar i të cilit ishte Ramiz Alia, megjithëse ia kishim bërë shumë borxh Partisë e shtetit, na kishte falur jetën dhe se masa e dënimit, do të ishte 25 vjet burg. Para se ne të merrnim veten, ministri lëshoi edhe një: ‘por nuk e meritoni’ duke u larguar”, rrëfen një nga momentet më të rënda dhe njëkohësisht më lehtësuese të jetës së vet, juristi Haluci.

Fundi i grackës

Karremi i thesarit, kishte bërë punën e vet. Dy të dënuarit me vdekje nga Bujani i Tropojës, tashmë kishin shanse të vazhdonin të jetonin, madje falë moshës së re, kishin shanse edhe të jetonin si gjithë të tjerët, të lirë. Më 15 dhjetor 1985, sipas rrëfimit të Skënderit, atë vetë e kishin dërguar në burgun famëkeq të Spaçit, ndërsa Isufin, pak më larg, në burgun e Qafës së Barit. Por ditët pa tortura të Skënder Halucit, kishin qenë fare pak. Një tjetër urdhër, kishte bërë që ai të transferohej pas dy muajsh, më 18 shkurt 1986, në burgun e frikshëm të Burrelit.

“Burgu i Burrelit, ishte më i tmerrshmi. Kishte edhe një tabelë në hyrje, ku shkruhej me bojë të kuqe ‘Lavdi Marksizëm-Leninizmit”. (‘Këtu i thonë Burrel, ku hyn e nuk del’, përkthehej nga të dënuarit që vuanin aty). Por unë isha i ri dhe i fortë. Durova. Më vonë e kam mbledhur në mendje se, mbyllja ime në burgun e Burrelit, duhet të ishte vendosur dhe materializuar edhe si njëfarë presioni ndaj Isufit, që të mos u’a dridhte. Nga ana tjetër, Isufin nuk e lëvizën nga burgu i Qafës së Barit. Aty ai arriti ta merrte veten shpejt fizikisht. Madje, nga 50 kilogramë peshë trupore që kishte ardhur, kishte rifituar me shpejtësi peshën e zakonshme, por edhe i kishte ardhur zemra në vend, guximi.

Sepse, në fillim të verës së vitit tjetër, 1986, shpura e policëve, ishte bërë sërish gati për të nisur kërkimet e thesarit në zgavrën që krijohet nga bashkimi i Valbonës me përroin e Shydenicës. Sepse ëndrra, ajo ëndrra e florinjtë e ministrit Hekuran Isai dhe të tjerëve vazhdonte”, rrëfen Skënderi, duke buzëqeshur për herë të parë. Në burgun e Burrelit, Skënder Haluci kishte pasur kohë sa të donte, të risillte në mendje historitë e burgosjes, dënimit me vdekje dhe faljes, për shkak të thesarit imagjinar që, djali i xhaxhait, Isufi, shpiku për t’i shpëtuar këtij dënimi.

“Është e vërtetë që ne të dy përfituam nga rrengu që Isufi thuri për Ministrin Hekuran Isai e krerët e tjerë të Ministrisë dhe Sigurimit të Shtetit. Por pas lirimit, në qershor 1991, në vigjilje të vizitës në Tiranë të Sekretarit Amerikan të Shtetit, Xhejms Bejker, unë kam mësuar edhe për një tjetër rrethanë që mendoj se ka ndikuar shumë te Ramiz Alia, në firmosjen e dekretit, që e ndryshoi dënimin tonë, nga me vdekje, me pushkatim, në 25 vjet heqje lirie.

Duhet të ketë qenë pak a shumë kështu. Viti 1985, ishte një vit i përgjakshëm, pasi ishin ekzekutuar me pushkatim, disa të dënuar me vdekje nga veriu i vendit. Ishin pushkatuar dy të rinj nga Hasi, si dhe dy tropojan, Sokol Sokoli dhe Shkëlzen Doçi, i biletave të trenit. Pra, ishin pushkatuar gjithsej katër veriorë, për një periudhë të shkurtër kohore.

Sipas informacionit që unë mësova më pas, pikërisht këto pushkatime të shpeshta, kishin detyruar ish-sekretarin e parë të Komitetit të Partisë së Tropojës, që ishte njëkohësisht anëtar i Komitetit Qendror, të takonte në Tiranë Ramiz Alinë dhe t’i sqaronte se; vrasjet nuk ishin mirëpritur nga masa e popullit, se duhet të kishte një masë të pranueshme në ndëshkime të ngjashme dhe se mundësisht ato, duheshin ndërprerë për një periudhë të pacaktuar. Prandaj unë mendoj se, veç rrengut të thesarit, në faljen e jetëve tona, ka ndikuar edhe fakti i pushkatimit në të njëjtën periudhë, i katër fatkeqve nga kjo zonë”, sqaron juristi Haluci.

Biseda e fundit për thesarin e Valbonës, mes ideatorit të tij, Isuf Haluci, dhe krerëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme, ishte zhvilluar në verën e vitit 1986, në ambientet e burgut të Qafës së Barit. “Dikush nga Ministria e Brendshme ishte paraqitur për të biseduar me djalin e xhaxhait. I kishte thënë Isufit se, koha ishte ngrohur, se niveli i ujit të Valbonës kishte rënë dhe se kishin planifikuar që të shkonin sërish, një nga ato ditë, të kërkonin për thesarin atje, te vendi…! Por Isufi, që e kishte marrë plotësisht veten fizikisht, kishte bërë sikur nuk kuptonte.

Tjetri ishte detyruar t’i kujtonte se ai, Isuf Haluci, kishte lënë një bisedë përgjysmë, me shokun Hekuran Isai…! Për atë punën e thesarit. Por përgjigja e fundit e Isufit, batuta e tij ‘ik ore, se nuk e kam floririn për Hekuran Isain’ kujtohet pothuaj me eufori, nga të gjithë të dënuarit e burgut të Qafës së Barit. Më tej, Isufin e kishin rrahur keqas, për gati dy javë. Kujtoj se, e sollën në Burrel të masakruar.

Por sërish e mori veten shpejt. Sepse kësaj radhe, nuk ishte më një i dënuar me vdekje, në pritje të ekzekutimit”, përfundon Skënder Haluci, me këtë fragment të fundit, historinë e thesarit imagjinar të Valbonës që, në vitet 1985-1986, u futi ethet e floririt gjithë krerëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme, pa lënë jashtë edhe ata të Sigurimit të Shtetit.

Një histori që vetë xhelatët e kohës, e pranojnë duke e veçuar djalin e shkathët nga Tropoja, Isuf Halucin, si të vetmin e të vetmëve, që arriti të fuste në lojë Sigurimin e Shtetit, atë folenë e grerëzave, që gatuante fatin e të gjithë shqiptarëve të rrethuar me tela me gjemba, pa dallim, qofshin krejt të bindur ndaj regjimit, qofshin pak apo aspak, me përjashtim të gjallesës ekstreme në majë të kupolës. Memorie.al

Copyright©“Memorie.al”

 Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/ndersa-prisnim-te-na-ekzekutonin-isufi-shpiku-nje-histori-thesari-qe-gjoja-kishte-fshehur-ne-lumin-e-valbones-dhe-nga-kjo-na-takuan-me-historia-e-vitit-1985-86-qe-f/