“Na shtroni asfaltin në rrugën Muzinës, t’ju japim futbollistin e kombëtares…”/ Historia e padëgjuar e “Bekenbauerit” shqiptar, që e kërkonin “Partizani” e “Dinamo” dhe shteti e përdori si “klering”…!

Nga Uvil Zajmi

Memorie.al / Do të bëhej një notar apo vozitës i shkëlqyer, rekordmen ndoshta, por jeta, karriera dhe fati, do t’i ndryshonte krejt papritur, për ta bërë një futbollist të shkëlqyer, një ndër talentet më të veçantë që ka zbuluar historia e futbollit shqiptar. Nga “Shkëndija” e Institutit të Lartë të Kulturës Fizike, “Vojo Kushi” në Tiranë, tek “Luftëtari” i qytetit të gurtë të Gjirokastrës në Jug të Shqipërisë, pastaj “Sëlltik” i Gllasgut dhe në fund “Dosja M.G.”. ‘Shkëndijasi’ i parë në Kombëtaren e Lym Allës, ofertat e padëgjuara unike për historinë e një transferimi, letrat anonime dhe “hakmarrja” pa kufi e “Dinamos” së Ministrisë së Punëve të Brendshme, e cila i shtinte të dridhurat kujtdo. Çfarë bën sot “Bekenbaueri” shqiptar, ai që ideoi stilin modern të lojës së mbrojtësit të lirë në vitet ‘70-të, një produkt autentik i mjeshtërisë së famshme të trajnerit legjendar, Zyber Konçi?


Kandidat Mjeshtër, si notar e vizitës…!

I lindur në nëntor të vitit 1951, në qytetin bregdetar të Sarandës, në një familje modeste të prindërve të pesë fëmijëve, 3 djem e dy vajza. Dikur i ati kishte luajtur futboll në kohën e Italisë dhe asgjë më shumë. Jetonin në kushte ekonomike si gjithë shqiptarët, në një qytet në të cilin peshkimi ishte primar, ndërsa noti dhe një top në një fushë futbolli, mbetej sheshi ku mund të argëtoheshin fëmijët. Milto Gurma shquhet si një djalë dinamik, për të cilin uji, deti, noti, janë të parat pasione e kontakte që i ofroi qyteti i lindjes, ndërsa futbolli shumë pak në ato fillime! Por do të ishte kjo disiplinë që do ta joshte për t’i dhënë një karrierë të veçantë, për ta bërë atë, një ndër futbollistët më të talentuar e spikatur në vitet ‘70-të. Sidoqoftë ende pa bërë 14 vjeç, ai është kandidat për Mjeshtër Sporti në kanotazh, vozitje, hedhje pangalli, madje edhe në garat e 50, 200, e 400, metra stil i lirë, në sportin e bukur të notit.

Ardhja në Tiranë

Viti 1968. Ashtu si nga e gjithë Shqipëria, edhe Milto Gurma ka ardhur në Tiranë dhe është testuar duke dhënë normat, ku trajneri Zyber Konçi, mjaft intuitiv, e ka regjistruar menjëherë në Shkollën e Mjeshtërisë Sportive të sapohapur. Madje është në grupin historik të saj, ku në janarin e atij viti, ishte ndër 20 djemtë e rinj që u përzgjodhën nga e gjithë Shqipëria dhe krijuan të parën skuadër futbolli të një shkolle në Tiranë, me emrin simbolik “Shkëndija”. Madje duke u bërë shumë e famshme në vitet që vijuan…! Ata ishin: Arjan Hoxha, (Tiranë) Vladimir Ajazi, (Durrës) Sh. Kurti, Bujar Hushi, (Kavajë) Milto Gurma, (Sarandë) Agim Medja, (Shkodër) Petrit Gjoni, (Tiranë) Fisnik Kosova, (Kavajë) Leonidha Curi, (Vlorë) L. Tagani, E. Zalla, Agron Bulku, (Durrës) Gjergj Ballsho, (Korçë)  Agron Sulo, (Vlorë), Vasillaq Zëri,(Tiranë) Met Spahiu,(Tiranë) B. Tufa, Haki Arkaxhiu, (Kavajë) Xhoxhi Puka, (Tiranë) dhe Luan Malaj.

Tek “Shkëndija”, Zyber Konçi vendimtar

Askush nuk i ka njohur ata të rinj 16-vjeçare në ato ditë kur të ardhur nga i gjithë vendi, i janë nënshtruar stërvitjeve intensive të Zyber Konçit. Milto Gurma ka tipare të një atleti, me një vrapim të bukur dhe elegant e një kapacitet vital aerobik: mbi 4.000 metra vrapim në testin ‘Kuper’, mushkëri e frymëmarrje notari. Dhe Zyber Konçi do të jetë strategu, zbuluesi dhe pedagogu i tij. Gurma i dedikon gjithçka atij, duke filluar nga testi i parë në janarin e ‘68-ës, edhe deri në momentet delikate të karrierës së tij sportive, shumë vite me vonë.

Debutimi, goli i parë

Historia e “Shkëndijës” fillon me pjesëmarrjen në kampionatin e të rinjve ku shpallet kampion, pastaj vend i parë në Kategorinë e Dytë dhe menjëherë debutimi në Kampionatin Kombëtar të Kategorisë së Parë, sezoni 1971-‘72. Gurma kujton sot se, kur ishte vetëm 20 vjeç, ka mbuluar Panajot Panon e famshëm në takimin e paharruar, “Shkëndija”-“Partizani”, 2-1, në tetor të 1971-sit në stadiumin “Qemal Stafa” (golat, Gon Sulo dhe Muç Fagu). Asokohe “Partizani” kishte 9 lojtarë në ekipin kombëtar…! Milto nuk shquhet se ka shënuar gola, por të parin me “Shkëndijën” e ka realizuar në Elbasan, në Kategorinë e Parë. Takimi luhej të premten, “Labinoti”-“Shkëndija” 1-2. Ishte ndeshja kur Konçi i bërtiste “mos e kalo mesfushën”, por kur Gurma realizoi golin, ai nuk foli më.

 Edhe për Gurmën polivalent, rolet dhe pozicionet kanë ndryshuar: E ka filluar si stoper me të rinjtë, madje në ndeshjen “Partizani” – “Shkëndija” ka mbuluar Artur Krantjen, një ndër talentet më të mëdha të kohës. Por luan edhe si qendërmbrojtës (mbrojtës i lirë), e në mjaft momente dhe ndeshje aktivizohet dhe si mesfushor i avancuar. Ka një pjekuri, luan pa frikë dhe bashkë me Petrit Gjonin në qendër, Leonidha Çurin e Kurtin në krahë, krijojnë një linjë mbrojtje solide, interesante, moderne për kohën. Madje rivaliteti për shiritin e kapitenit të skuadrës tek “Shkëndija”, njihet si një nga dilemat e mëdha të Zyber Konçit, i cili i alternonte në këtë rol, herë Gjonin dhe herë Gurmën.

Në Kupën Ballkanike

Pas Kupës së Kampioneve dhe Kupës së Kupave, Kupa Ballkanike për klubet shqiptare ishte një turne shumë komod për kohën, pasi aty luanin skuadrat e renditura pas vendit të dytë. FSHF-ja, duke parë se “Shkëndija” demonstronte një futboll modern dhe bashkëkohor, me lojtarë të talentuar dhe improvizues, pas një prezantimi tejet surprizë në sezonin 1971-’72, në Kategorinë e Parë, e cakton të prezantojë Shqipërinë në edicionin e vitit 1972, në Kupën Ballkanike. Në grup bashkë me “Shkëndinë” janë “Kavalla” e Greqisë dhe “Vardari” i Shkupit. 2-1 fiton në Tiranë me “Kavallën” (golat Gon Sulo e Muç Fagu), humbet 2-0 në Greqi, ndërsa barazon 1-1 dhe mundet 1-2 në Shkup (Llaq Zëri, autor i golave). Milto Gurma është kapiteni i skuadrës, që prezantohet mirë, por pa mundur që “Shkëndia” të kualifikohet për në finale.

Akuza për modën, shfaqen letrat anonime…!

Duhet ta kishte filluar me ekipin ‘Shpresa’, por debutimi europian për Milto Gurmën, ka qenë i menjëhershëm dhe cilësor, pasi e nis si titullar në Kombëtare në takimet zyrtare të saj në fillim të viteve ‘70-të. Por dhe me “Partizani”-n, që e merr si përforcim në Kupën Ballkanike në vitin 1973 kundër Larisës. Ndërsa luan në Tiranë, papritmas e njoftojnë se nuk duhet të shkojë në Greqi…! I shfaqet biografia…! Ndonëse ka qenë në Rumani, Turqi, Shkup e Kavalla, ai sërish nuk lejohet. Ndaj tij kanë vërshuar letrat anonime, të cilat e godasin pa mëshirë atë dhe karrierën e tij. E kritikojnë se pëlqen botën perëndimore dhe imiton të huajt: “Ka tendenca për të ndjekur modën, mban flokë të gjata e baseta dhe vishet me të zeza” – shkruhej në letrat pa emër për të. Por, si tek “Shkëndija” edhe tek brezi dhe sportistët e atyre viteve, pasioni për një emancipim dhe preferenca perëndimore, reflektohej kudo e nga të gjithë.

Deklarata dhe “hakmarrja” pa kufi

Viti 1973…! Grupi i parë i “Shkëndijës” ka përfunduar ciklin tre-vjeçar të ‘I.L.K.F.’-së dhe lojtarët do të largohen për të luajtur me klubet e qyteteve nga kanë ardhur. Të gjithë sistemohen dhe bashkë me ta edhe Gurma pret emërimin, për të cilin janë të interesuar veçanërisht “Partizani” dhe “Dinamo”. Madje nën influencën e Beqir Ballukut (ministri i Mbrojtjes Popullore) dhe Petrit Dumes, (Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë), emërimi i ishte bërë në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve “Enver Hoxha”, në Tiranë, si pedagog. Ndërkohë para se të mbarojë ‘Mjeshtërinë’, Gurma ka bërë një deklaratë: se dëshiron të qëndrojë te “Partizani”, duke refuzuar kështu “Dinamo”-n. Por kjo e fundit, ndërmjet Ministrisë së Brendshme, ndërhyn tek Thoma Deliana, (në atë kohë Ministër i Arsimit) dhe dokumentet e Gurmës, tërhiqen e mbahen qëllimisht në këtë dikaster, duke penguar e shtyrë pa motiv, që dosja të shkojë në Ministrinë e Mbrojtjes.

Pedagog e futbollist

Ka kaluar vetëm pak kohë, kur i ka ardhur njoftimi dhe emërimi surprizë: Pedagog në ‘Shkollën e Mjeshtërisë Sportive’ që varej nga Ministria e Arsimit. Pra, as te “Partizani”, as te “Dinamo”, as në Sarandë, as në ‘Shkollën e Bashkuar’. Në Tiranë, por tek ‘Mjeshtëria’, ku qëndroi 1 vit pedagog e futbollist njëkohësisht. Gjatë javës, stërviste lojtarë si Hasan Lika, Agustin Kola, Kristaq Eksarko etj., që sapo kishin ardhur në shkollë, ndërsa të shtunën, si kapiten, luante me “Shkëndijën”, ku ishin edhe Ilir Luarasi, Il Metani, Sul Starova, Aastrit Hafizi, Muç Fagu, etj. Emërimi si pedagog i dhënë nga Ministria e Arsimit, e kushtëzuar nga ajo e Brendshme, ishte motivi për të shtyrë e mbajtur nën presion kalimin te “Partizani”. I qetë dhe në pritje, ai ende nuk kishte kuptuar asgjë, lidhur me një “hakmarrje” që sapo ka filluar, e që do ta ndjekë deri në fund të karrierës…!

Dredhia e “Partizani”-t…!

Ndërsa ishte pedagog tek ‘Mjeshtëria’, “Partizani” tentoi të përdorte një dredhi: Është koha e qarkullimit të kuadrit, një iniciativë partiake e kohës dhe drejtues të Ministrisë së Mbrojtjes, ndërhynë për ta qarkulluar Gurmën, me qëllim që ta kishin më të lehtë për t’a marrë. Kërkuan dhe tentuan që dokumentet të shkonin në Sarandë, pastaj ta merrnin. Në atë vit, një delegacion i Klubit “Partizani” me zv / Shefin Mikel Janku dhe trajnerin Kolec Kraja, nisen për Sarandë, për të diskutuar me vetë Gurmën dhe Komitetin e Partisë së Rrethit, pasi Klubi “Butrinti”, nuk pyetej për këtë rast. Bisedimet nuk patën fund pozitiv, kishte lëkundje nga të gjitha palët dhe tentativa dështoi.

Zbori 6 mujor në Gjirokastër

Gurma ka qenë i detyruar të kryejë zborin ushtarak tashmë 6 mujor post-universitar dhe e kanë caktuar në Gjirokastër, ku edhe edhe mund të luajë me Klubin “Luftëtari”, gjatë kësaj periudhe. Dokumentet janë në Sarandë dhe në “betejën” kush ta marrë, gjirokastritët tregohen më të zgjuar. Nisur nga fati që solli në këtë qytet një lojtar kalibri, dëshira për të luajtur në Gjirokastër një yll si ai, duke shfrytëzuar edhe “urdhrin” e Ministrisë së Brendshme, fillojnë tentativat, bisedimet me Sarandën që ka dhe ruan me fanatizëm “Dosjen M.G.”. Për ta përdorur më vonë si “mall tregu e shkëmbimi”.

“Grupet armiqësore ushtarake”

Pikërisht në kohën kur shpresonte që mund të transferohej përfundimisht te “Partizani”, vjen goditja e madhe e ushtarakëve madhorë: Zbulohen “grupet puçiste armiqësore” dhe situata rëndohet në disfavor të Gurmës. Nuk ka kush të interesohet, asnjë nuk ka kurajën të hapë letrat dhe çështja e tij, pra kalimi te “Partizani” vjen duke u zbehur. “Partizani”, ndonëse kishte ndërmjetësuar që zborin ta kryente në Gjirokastër, për ta patur më të lehtë t’a tërheqë pas përfundimit të tij, tani i lë gjërat disi pezull…! Ndryshimi i pamenduar dhe i papritur i situatave politike, bëjnë që dokumentet shkojnë në Sarandë, qytetin e lindjes, ndërkohë që ka interesim tashmë nga “Luftëtari”, që ai të qëndrojë në Gjirokastër.

Komiteti: Ne Milton, ju asfalt për Muzinën

I tillë ka qenë mentaliteti i kohës, që kur e dëgjon sot mbetesh i habitur. Nuk kishte transferime klasike, shumë lëvizje kushtëzoheshin nga drejtues e pushtetarë, por ky i Gurmës është unik dhe i padëgjuar. Duke qenë se Kryetari i Komitetit të Partisë në Sarandë, ishte me origjinë gjirokastrite dhe duke shfrytëzuar situatën si dhe “dëshirën” për ta mbajtur dosjen që ajo të mos shkonte në Tiranë tek “Partizani”, nën presionin e vazhdueshëm edhe të “Luftëtari”-t, ai i bën propozimin-ofertë tejet origjinal dhe fantastik, Komitetit të Partisë së Gjirokastrës: “Na shtroni me asfalt rrugën dhe Qafën e Muzinës që t’ju japim Milto Gurmën”. Pas këtij “shkëmbimi me kliring”, përcaktohet dhe merr drejtim karriera e tij: Tashmë ai është futbollist i “Luftëtarit”.

Në Gjirokastër, pesë sezone

Me “Luftëtari”-n ka luajtur pesë sezone, 1974-1979. Aty gjen Bahri Ishkën trajner, që e aktivizoi thuajse në të gjitha rolet, mesfushë, mbrojtje, kudo…! Por aty ka edhe Sefedin Brahon, Kallucin, Currin, Bonin, Seitin, Kasmin. I dhanë shtëpi, filloi punë në arsim dhe për Gurmën, Nedin Hoxha e Jani Boshnjaku (dy titullarët e Komitetit Ekzekutiv dhe të Komitetit të Partisë së rrethit), janë të paharruar, pasi e kanë përkrahur maksimalisht dhe ai gjithashtu u është shumë mirënjohës. Pastaj publiku, tifozët, kanë qenë ata për të cilët ka luajtur me mish e shpirt. Kujton një moment shumë prekës: Ishte i dëmtuar, qëndronte i shtruar në spital, kur i thonë: “Vetëm dil e qëndro në stadium edhe pse nuk luan”. Ka qenë në fushë i rikuperuar, por jo plotësisht, kur për “Luftëtari”-n ndaj “Tomorri”-t është dhënë një penallti. Nuk e gjuajti askush, i kërkuan dhe pritën që ta godiste ai. Me një këmbë ka goditur nga pika e bardhë, duke realizuar. Kur ishte me “Luftëtari”-n fitonte gjithmonë në anketën e 11-sit më të mirë të skuadrës së vitit.

Me ‘Selltikun’, e Gllasgout, shansi i fundit

Qershor 1979. Është viti kur tejet i mërzitur dhe në pritje të një transferimi, si tentativë e fundit për tek “Partizani”, Milto Gurma largohet nga Gjirokastra e kthehet në Sarandë. Është 28 vjeç. Ndërkohë, “Partizani” që stërvitet nga trajnerët Bejkush Birçe e Panajot Pano, ndodhej në Pogradec, duke u përgatitur për sfidën ndaj ‘Sëlltikut’ në Kupën e Kampioneve. Djali i madh i Enver Hoxhës, duke qenë atje me pushime, takohet me drejtues të Klubit, të cilët i thonë për çështjen Gurma. Bashkë me interesimin e tij që dokumentet të shkojnë në Tiranë, “Partizani”, luan kartën e përforcimit, duke e thirrur Gurmën në grumbullim, si lojtar formacioni ndaj skocezëve. Zyber Konçi, asokohe Kryetar i FSHF-së, kërkon t’i vijnë dokumentet në Tiranë, si kusht i domosdoshëm, pasi një veprim i tillë jepte mundësinë për ta federuar me “Partizani”-n, sepse pa të nuk mund të luaje ndaj ‘Sëlltikut’. Ndonëse Gurma vazhdonte stërvitjen me “Partizani”-n, dosja qëndronte në heshtje e mbuluar me pluhur dhe harresë, në një zyrë diku në një qytet në Jug të Shqipërisë dhe vetëm pak orë para takimit me ‘Sëlltikun’, ndërsa skuadra udhëton për në Tiranë, Gurma tashmë i pashpresë, braktis grumbullimin dhe kthehet tek “Luftëtari”.

Kur “Partizani”, ofroi 6 lojtarë…?!

Ndërsa kishte përfunduar qëndrimin duke mbyllur ciklin me “Luftëtari”-n e Gjirokastrës, Gurma ishte kthyer tashmë në Sarandë dhe drejtuesit e “Partizani”-t ndërhynë sërish, duke i propozuar Komitetit të Partisë të Rrethit Sarandë, një ofertë gati të pabesueshme: “Na jepni Milton, t’ju japim 6 lojtarë ushtarë, për skuadrën e ‘Butrintit”. Por përgjigja ishte e thatë, madje më shumë se heshtje, pas të cilës shpresat humbën përgjithmonë dhe “Dosja M.G.”, nuk erdhi kurrë në Tiranë. Madje, bashkë me Milton, qëndroi dhe mbeti përfundimisht në Sarandë, ku janë edhe sot. Transferimi te “Partizan”-i, nuk u krye për të mos u realizuar kurrë, duke shuar njëherë e përgjithmonë ëndrrën që mbeti vetëm e tillë. Ky ishte rasti i dytë i dështimit. “Hakmarrja” kishte qenë e gjatë dhe pa mëshirë, gjithmonë pas ndërhyrjes në heshtje të “Dinamo”-s, që nuk ja falte refuzimin për të luajtur në radhët e saj.

Porta e madhe e Myslym Allës

Gurma është lojtari i parë i “Shkëndijës” që ka luajtur me Kombëtaren. Ka qenë meritë e Myslym Allës, trajner ato vite që e afroi, i besoi madje duke e aktivizuar në skuadrën përfaqësuese. Në Rumani, ndaj skuadrës vendase ka shtangur, kur Pano i ka thënë: “Përgatitu se do jesh në formacion”. Imitonte legjendat e Gjermanisë Perëndimore, Bekenbauerin dhe Netzerin, lojën e të cilëve e ndiqte, e studionte me kujdes dhe vëmendje në çdo detaj. I shihte me adhurim e pasion, i pëlqente stili ‘nobël’ i tyre, të cilin tentoi ta demonstronte më së miri në fushat shqiptare. Nuk e harron momentin kur, i ka parë nga afër në “Qemal Stafa”, në takimin Shqipëri-Gjermani, në shkurtin e ‘71-shit. Nuk pati asnjëherë fatin t’i takojë e të luajë kundër tyre. Në kulmin e formës, famës e shpresës së madhe, futbolli shqiptar u vetë shkëput për tri vite, nga përballjet evropiane!

Kronike e një kombëtareje

Cili ishte ky futbollist i ri që do të luante në krah të gjigantëve të kohës? Madje në një transfertë të vështirë, si ajo e 29 tetor 1972, në Bukuresht, në takimin Rumani-Shqipëri 2-0? Bashkë me katër lojtarë të “Partizani”-t e “Dinamo”-s, dy të “Vllaznisë”, trajneri Lym Alla surprizoi me Milto Gurmën i ardhur nga “Shkëndija”, duke e futur në formacion. Pastaj me 8 prill të 73, në sfidën e radhës po për eliminatoret e Botërorit, në Magdeburg, Shqipëri-Republika Demokratike  Gjermane 2-0, Alla e vendos sërish titullar. Pas një muaji, në Tiranë ndaj Rumanisë, në humbjen e thellë 1-4, Gurma nuk është në formacion. Për t’u rikthyer në fund të vitit nga Ilia Shuke, në takimin Shqipëri-Finlandë 1-0, si zëvendësues i kavajasit Naim Allaj, i cili atë ditë kishte ditëlindjen dhe mbushte 20 vjeç, gjë e cila u theksua nga komentatori i famshëm Ismet Bellova, gjatë transmetimit të ndeshjes. Për tri vite që vijnë, nuk ka ndeshje ndërkombëtare me përfaqësuese e klube dhe në të parën miqësore me Algjerinë në Tiranë (3-0, me 10 tetor 1976), Loro Boriçi e kthen sërish në kombëtare. Në atë sezon ai luan me “Luftëtari”-n dhe ai takim do të jetë i fundit me ngjyrat kuqezi. Megjithëse shijen e kombëtares do ta provojë edhe një herë pak më vonë….!

Nga Kategoria e tretë, në kombëtare…!

Është pak entuziaste fundi i karrierës, të cilën e mbyll duke luajtur në kategorinë e tretë. Maj 1986, ‘Përrenjasi’-‘Butrinti’, ndeshja e fundit e tij. Por, pikërisht në këtë periudhë, krejt papritur i vjen një ftesë surprizë: Edhe pse luan dhe ka humbur disi emrin e tij duke u aktivizuar në kategoritë inferiore, e kanë thirrur në një grumbullim një javor me Kombëtaren. Shkak u bë gazeta “Sporti Popullor”, që e trajtoi me superlativa pas ndeshjes ‘Butrinti’-‘Besëlidhja’, finale në Elbasan, ku ai shkëlqen dhe është më i miri në fushë, pasi talenti e forca nuk e kanë tradhtuar. Pastaj në mbyllje ka një episod të rrallë: Në Sarandë, ka ardhur “Partizan”-i (me 6 lojtarë që aktivizoheshin në kombëtare) dhe në një miqësore me “Butrinti”-n, ai realizon 3 gola. Thuhet se pas atij takimi, Bejkush Birçe ka thënë shprehjen e famshme: “Për Milto Gurmën, do jepja një një thes me dollar, ose dhe gjithë pasurinë, për ta marrë në skuadër”!

Çfarë ishte dhe përfaqësonte stili “Gurma”?

Cili ka qenë Milto Gurma, futbollisti model, i pari që transformoi dhe krijoi stilin modern të një mbrojtësi e mesfushori, një ndërthurje ‘Bekenbauer-Netzer’, për mënyrën që luajti? Aftësi të larta teknike, një mbrojtës, mesfushor, sulmues me karakteristika të përcaktuara mirë: Elegancë në mbajtjen dhe udhëheqjen e topit, stopime dhe goditje elegante jo të zakonta, me pjesën e jashtme të këmbës dhe një vështrim të rafinuar periferik. Një perfeksion koordinimi në vrapim, pasim dhe goditje të sakta e të shpejta, e bënë të spikasë në futbollin shqiptar në fillim të viteve ‘70-të. Çdo ndërhyrje e ka të sigurt dhe çdo demonstrim i tij, është thuajse në kufijtë e perfeksionit. Çdo lëvizje është e shoqëruar me një gërshetim të teknikës perfekte, gjithçka në qëndrim e lëvizje. Trajneri elegant Zyber Konçi, pati nuhatjen, kurajën dhe besimin ta hedhë në fushë, ta mbështesë e inkurajojë lojën e tij, duke i krijuar hapësira për inkursionet që ndërmerrte. Interpretimi i rolit të mbrojtësit të lirë nga Milto Gurma, krejt i rrallë për kohën, ka rëndësi edhe historike pasi, eviloi lojën e këtij roli, me një përdorim klasik të topit me të dyja këmbët dhe kokën lart, duke e qarkulluar me mendim e, pa e parë sferën. Për t’u distancuar nga largimet dhe goditjet “katjushkë” pa adresë, tipike të një qendërmbrojtësi të natyrshëm në ato vite.

Çfarë bën sot “Bekenbaueri” shqiptar?

I martuar me Kristina Cilingirin, ish-atlete, (edhe kjo nga “Mjeshtëria Sportive”), prindër të 3 fëmijëve, (dy vajza dhe një djalë), prej vitesh Gurma jeton e punon në Sarandë. Pas viteve ‘90-të provoi si trajner në Greqi, pastaj rikthimi në qytetin e lindjes si trajner me moshat, duke qenë njëkohësisht edhe mësues i Edukimit Fizik. Nga fëmijët, ka një djalë futbollist me “Olimpik-Volon” në Greqi, i cili është shpallur edhe “Këpuca e Artë” e Kategorisë së Dytë, më i miri nga të huajt në këtë kategori, në vendin fqinj, tashmë i transferuar në Itali. Milto Gurma tashmë ruan kujtime dhe ka vlerësime për Zyber Konçin, Lym Allën dhe Bahri Ishkën, por edhe për Ben Jorgonin, me të cilin diskutonin gjithmonë. Ka mirënjohje për shumë futbollistë e trajnerë: Zan Rragami, Sabah Bizi, Mexhit Haxhiu, Jani Kaçi, Perlat Musta, Ilir Lame, Tur Angoni, Dash Bajaziti, Kujtim Pagria, Bujar Hushi, Agron Sulo, Tut Leshteni, Arjan Hoxha, Panajot Pano, Ben Çela, Muç Fagu, Astrit Hafizi, Spiro dhe Leonidha Çurri, etj. Për Agim Jankun ruan konsideratë të veçantë si dhe për Llaq Zërin, me të cilin fliste fshehurazi greqisht, kur ndiqnin televizor në shtëpinë e tij në orët e vona pas mesnate. Pa harruar edhe arbritrat. I kujton pasi nuk ka asnjë karton në karrierën e tij. “Si pambuk luan, kur të shkel Milto, nuk kupton asgjë”- ishte opinioni dhe mendimi i të gjithëve.

Batuta e Myslym Allës

Trajneri, profesori legjendar, Myslym Alla, me një filozofi të veçantë e të njohur, ka qenë një ndër njerëzit që e ka stimuluar shumë në karrierën e tij. I pyetur në një seminar me trajnerë dhe specialistë, rreth lojës e stilit të Milto Gurmës, ai është shprehur: “Çfarë mund të them për një lojtar si Milto Gurma…? Topi në këmbët e Gurmës, është më i sigurt së lekët në bankat zvicerane…”! Memorie.al

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016  


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/na-shtroni-asfaltin-ne-rrugen-muzines-tju-japim-futbollistin-e-kombetares-historia-e-padegjuar-e-bekenbauerit-shqiptar-qe-e-kerkonin-partiza/