“Na servirej si model, fëmija sovjetik që kishte denoncuar të atin se nuk kishte dorëzuar drithin, ndërsa heronjtë: Lej Feni, Fuat Çela, Shkurte Pal Vata, etj., që…”/ Kujtimet e ish-të dënuarit politik, Eugjen Nerlika

Nga Eugjen Merlika

                              – “Ju takon juve të përmirësoni botën” –

 Gjon Pali i II

Memorie.al / Duke shëtitur në një rrugicë pylli të një fshati turistik malor të Alpeve italiane, një mëngjes të kthjellët gushti, mendimi vuri flatrat dhe më ktheu prapa në kohë. Para syve të mi u ripërtërinë skena ngjarjesh, njerëzish e mjedisesh, që ishin palosur si fletët e zverdhura të një ditari të vjetër në mendjen time. E shkuara u shpalos me fytyrat e njohura të shokëve e të shoqeve të fëmijërisë, të shkollës, të punës, të kampeve të internimit, të burgjeve, të të njohurve të rastësishëm në udhëtime, në plazhe, në ceremoni vdekjesh, në dasma, në…! Më dukej se i kisha pranë, se bisedoja me ta, se së bashku shëtisnim në këtë pyll magjepsës, se shkonim drejt një teleferiku që do të na ngrinte në majën e një mali, ku horizonti zgjerohej e ku shikimi tretej në këto bukuri të natyrës…!

E shkuara, sa e fuqishme mbetet gjithmonë ajo në veten tonë. Sido që të ketë qenë, e trishtuar apo e gëzuar, e dhimbshme apo e këndshme, na mban gjithmonë robër të saj. Ne çdo ditë flasim e mendojmë për të nesërmen, për muajt e vitet që do të vijnë, por instinktivisht, pa dashur kthehemi mbrapa tek muajt e vitet e kaluara, tek bëmat e më shumë tek ato që nuk mundëm të bënim, tek ato shpresa e ëndrra që i futëm nëpër sirtarë sepse nuk qemë të aftë t’i realizonim, sepse nuk ditëm t’i sendërtojmë, sepse nuk na lanë të tjera krijesa si neve t’i vinim në jetë…!

Në këto çaste, kur përfytyrimi më ka bashkuar me qindra njerëz që sot janë të shpërndarë në të katër anët e vendit tim dhe të botës së madhe, më duket vetja si ujët e një pellgu, në të cilin hidhet një gur e valët në formë rrathësh ngrihen e zgjerohen duke u përplasur në breg. Ndoshta gurin e hodhi kjo natyrë e bukur, që më solli ndërmend një tjetër vend po kaq të bukur në të cilin, tridhjet e tre vite më parë, kryeja shërbimin ushtarak: Martaneshi, Vërvjaka, Liqeni i zi, Kaptina…! Valët e ujit janë si ato të kujtimeve, të mendimit që në këtë rast më çon në bangot e shkollës, në kantieret e ndërtimit, në fusha, në shëtitore qytetesh, në qeli burgjesh, në plazhe, në galeri minierash, në reparte ushtarake, në të gjitha ato brigje ku rrodhi plot dallgë e shkumë lumi i jetës sime.

Në këtë mori skenash, që pushtojnë në këto çaste trurin tim, merr formë e trupëzohet një qenie e stërmadhe, që përmbledh gjithçka, vë rregull në mendimet e mia të davaritura dhe më kërkon, në heshtje, të flas për të. Është brezi im, një mori njerëzish të lindur në dhjetëvjeçarët e katërt e të pestë të shekullit që po lemë pas. Një dhimbje e njohur fillon të më sëmbojë zemrën, një dhimbje e hershme, për të cilën mjeku kohë nuk gjeti kurrë barin e shërimit. Është dhimbja për brezin tim, për fatin e tij, për fatkeqësitë e tij, për ëndrrat e tij të shkërmoqura, për shpresat e tij të cunguara, për mundin e tij prej Sizifi të shkuar kot, për lirinë e tij të panjohur, për varfërinë e tij të njohur, për…!

Ne lindëm e u rritëm me ajrin e luftës. Nga prindët tanë trashëguam një Vend, në të cilin sundonte një regjim, që i kishte rrënjët në gjak e që mbillte urrejtje. Ishte një kastë njerëzish, të sjellë nga koha dhe tragjedia e luftës së dytë botërore në krye të Vendit. Kaq shumë i ishin mirënjohës asaj lufte, që u kishte dhënë pushtet mbi një popull me njëmijë probleme të trashëguara nga historia, saqë fjalën “luftë”, nuk e hoqën kurrë nga goja, e bënë lajtmotivin e të qenurit në jetë, alfën dhe omegën e jetës dhe veprës së tyre.

Fëmijërinë dhe rininë tonë na e mbushën me shfaqjet më të ndryshme të këtij koncepti, me lakimet e togfjalëshat më të larmishme të atij emri, që zakonisht shoqërohej nga ndajfolja kundër. Luftë kundër borgjezisë, kundër kapitalizmit, kundër revizionizmit, kundër pronës private, kundër interesit personal, kundër ideologjisë së huaj, kundër shfaqjeve të huaja, kundër besimeve fetare, kundër “botës së vjetër“, kundër kanunit dhe mbi të gjitha kundër  “armikut të klasës” të brendshëm e të jashtëm…!

Krahas kësaj lukunie të lemerishme termash, të afta të atrofizonin çdo ndjenjë njerëzore, na u desh të mësonim dhe termin “dashuri”, por jo atë që gjen të shpjeguar në cilindo fjalor të botës. Dashuria jonë duhet të ishte diçka e veçantë, e pakufishme, por jo për prindërit tanë, për djalin a vajzën që na tërhiqte, për lirinë a të drejtat tona si njerëz. Ajo duhet të ishte e tillë për marksizëm-leninizmin, për Stalinin, për Partinë e Punës, për internacionalizmin proletar, për atdheun socialist, për Mao Ce Dunin e mbi të gjitha për “udhëheqësin e shtrenjtë” të partisë e të popullit, Enver Hoxhën. Këto dy fjalë, të lashta sa bota, bashkudhëtaret e njerëzimit në mijëvjeçarë, sinonime konceptesh të bastarduara e të përmbysura nga ithtarë të ideve marramendëse si molla biblike e Evës, na përkundën djepin, na shoqëruan hapat e para të fëmijës, lodrat e adoleshentit, fantazitë e të riut.

Në mendjet tona fëmijërore, bota përfytyrohej si një fushë e përjetshme beteje, ku luftohej vazhdimisht mes të mirësh e të këqijsh, ku të mirët kishin një emër të përbashkët: bolshevik, partizan, komunist. Të këqijtë ishin gjithmonë po ata: gjermanët, fashistët, ballistët. Secili prej nesh mundohej të njëjtësohej me kampin e të mirëve, për të ushqyer shpresën se një ditë do të arrinim “parajsën tokësore”, ku shndriste i paqëndrueshëm dielli i komunizmit. Ky ishte iluzioni fëminor, e vërteta ishte diçka tjetër. Ajo përkonte me idenë e fushës së betejës, por pa dashje, pa kuptuar ne ishim pjesëmarrës në këtë luftë. Ne luftonim me njëri tjetrin, me shokun e bangës në shkollë, me fqinjin, me të afërmin.

Në shkolla mësuesit na shpjegonin se nazistët vrisnin hebrenjtë, romët, evgjitët në emër të pastërtisë së racës ariane. Bëhej fjalë për miliona njerëz, viktima të urrejtjes raciale. Ne ishim pak më shumë se një milion dhe ishim të ndarë më dysh: “ne” dhe “ata”. “Ne” ishin të mirët, njerëzit e partisë e të pushtetit, kurse “ata” ishin të këqijtë, “armiqtë e klasës”, ata që bënin tërë prapësitë. Ne duhet të shiheshim vëngër, të mos i flisnim njëri tjetrit, paçka se ishim komshi me shtëpi, se shkonim në të njëjtën shkollë, se barisnim në të njëjtën rrugë, se shihnim të njëjtin qiell, se kishim të njëjtat dëshira, se ishim e njëjta racë, se flisnim të njëjtën gjuhë, se ishim i njëjti popull…!

Ne duhet të ishim në luftë të përhershme, në një luftë tinëzare, të pabesë, sepse kishim lindur nga prindër të ndryshëm, që në të ashtuquajturën “luftën e madhe kundër okupatorit e tradhtarëve” kishin patur mendime e qëndrime të ndryshme. Ne atëherë nuk kishim lindur, por megjithatë ne mbanim në kurriz “fajet” apo në gjoks “meritat”, të cilat mbeteshin të përjetshme. Në të vërtetë të paluajtshme mbeteshin vetëm “fajet”, që transmetoheshin në breza, ndërsa “meritat”, në mjaft raste zbeheshin, zhdukeshin e bartësit e tyre shpesh përfundonin në radhët e “ atyre”, duke pësuar ato qëndrime, që deri atëhere mbanin me të tjerët. Kjo ishte mendësia që përcillte rritjen tonë, në një Vend ku vënia në jetë e saj krijonte tablonë e lemerishme të burgjeve, të kampeve të internimit, të mohimeve nga më të ndryshmet, të dallimeve raciale nën emrin”klasore”, të fyerjeve, të dhunës, të nëpërkëmbjes.

Në këtë rend absurd idesh, konceptesh, qëndrimesh e veprimesh mëndja jonë nuk mund të zhvillohej normalisht. Ajo qe si një arë e palëruar , në të cilën mbinë vetëm ferra e barishte të këqija. Në të u mbollën e u kultivuan urrejtja, mosbesimi, frika, hipokrizia, putha-dorja. Horizonti ynë u ngushtua. Ne nuk mundëm të perceptojmë vlerën dhe fuqinë e koncepteve të tilla si: liria, toleranca, respekti për tjetrin, për mendimet e ndryshme nga tonat, për aftësinë e pakufizuar dhe të pakufizueshme të njeriut, për nismën e tij, respekti për botën e huaj, për kulturën dhe përparimin, për prindët, për traditën, për historinë.

Bota jonë niste më 8 nëntor 1941 dhe çdo raport kongresi shënonte një etapë zhvillimi të saj. Modeli ynë i imitimit ishte Pavlik Morozovi, një fëmijë që kishte paditur babanë, sepse nuk kishte dorëzuar drithin në pushtet, heronjtë tanë ishin Lej Feni, Fuat Çela, Alo Qosja, Shkurte Pal Vata etj…! Ç’mund të dilte nga një përzierje e tillë kundërvlerash? Dolëm ne, ‘Brezi im i gjymtuar’, që nuk pati kurajën as të përpiqet të ndryshojë diçka, megjithëse bota, rreth e larg nesh, ndryshonte çdo ditë. Ne ditëm vetëm të uni-formoheshim, të vazhdojmë lojën e llahtarshme të prindërve tanë të xhelatit e të viktimës, të duartrokisnim çdo trill e delir të Neronit tonë, çdo proces ku dënoheshin njerëz të pafajshëm, çdo sulm kundër çdo lloj ndryshimi në të mirë të sistemit komunist jashtë, çdo lloj goditjeje të vlerave shpirtërore tonat, madje dhe kundër besimit tek Zoti.

Ne nuk jetuam, ne mbijetuam si zvarranikët që tërhiqen në kërkim të një qosheje me diell. Ne humbëm vitet më të bukura të rinisë sonë, duke gërmuar me kazma malet e fushat sepse malet do t’i bënim si fushat. Ne, skllevërit modernë të shekullit të njëzetë, në ndryshim nga ata të botës së lashtë, nuk kishim të drejtë të mbanim dhe flokët siç dëshironim. Pantallonat dhe fundet duhet të kishin përmasat e përcaktuara e të miratuara nga “Faraoni” dhe vartësit e tij. Ne shkrimë të gjithë talentin e aftësitë tona për t’i kënduar madhështisë së “Sulltanit”, me vargje, me këngë, me piktura, me gdhendje, madje duke gdhendur dhe malet që emrat e dyshes me nga pesë shkronja të shiheshin së larti nga qielli, mbasi “Dielli” ynë ishte më i shndritshmi i gjithësisë.

Ç’ndodhi me ne? A jemi ne tërësisht përgjegjës për atë që nuk bëmë, që nuk mundëm, nuk ditëm apo nuk deshëm të bëjmë? Apo një fatalitet historik, shumë më i madh e më i fuqishëm se “vullnetet tona të ndrydhura”, na shtypi pa mëshirë e ne nuk patëm forcë të ngrihemi? Të tjerët na i dhanë shembujt: polakët, hungarezët, çekët kishin afërsisht histori të ngjashme me ne. Ata luftonin, organizoheshin, qëndronin, flijoheshin për t’a ndryshuar jetën e tyre. Ata përballeshin me përbindëshin e, megjithëse humbisni, fitonin diçka, jo vetëm për të patur më shumë liri, por dhe për të lënë një gjurmë në të ardhmen, në historinë e tyre. Ata do të kujtohen si brezi i Kryengritjes së Budapestit, i Pranverës së Pragës, i Solidarnostit.

Po ne, ‘Brezi im’, për çfarë do të mbahemi mënd? Për hosanatë e pambarim zinxhirit të pafund të krimeve të një regjimi jashtë çdo përmase njerëzore? Për frikën tonë proverbiale, që na e kishte vënë cakun e bisedave brenda vijave të një fushe futbolli? Për mungesën e kurajës e të guximit për të kërkuar gjërat më të domosdoshme: të drejtën për të menduar me trurin tonë, për të lexuar librat që na pëlqenin, për të dëgjuar muzikën që na pëlqente, për të mësuar gjuhën që na pëlqente, për të mos u ndjerë të përgjuar, të ndjekur, të spiunuar në çdo çast?

Çfarë bënë të shkolluarit, intelektualët e Brezit tim për t’a ndryshuar sadopak këtë gjendje të pazakontë, për të ndërgjegjësuar të tjerët, kur Vendi ishte katandisur të qeverisej nga ish shoferë, ish karrocierë, ish elektricist, madje ish mjelëse lopësh (pa vënë në dyshim respektin për zanatet) në fundin e shekullit të njëzetë? Në Vendet e tjera kishin qenë klubet Petefi, Karta 77, Sollzhenicinët, Pasternakët e Zakarovët që ngritën zërin e i treguan botës të vërtetën rrëqethëse të “socializmit real”.

Tek ne s’kishin të mbaruar sagat për komisarët e kantatat për partinë e Enver Hoxhën. Shkrimtarët  e brezit tonë që, me talentin e tyre i ngritën monumente letrare të pavdekshme komunizmit dhe dyshes majakovskiane Parti-Enver, për viktimat e dhunës së tyre përdorën vetëm sarkazmën, u tallën duke i paraqitur si qenie të dobëta, pa dinjitet e pa personalitet. Ndërsa ata e kishin treguar personalitetin e tyre, duke qëndruar me armë maleve të Shqipërisë, në mbrojtje të lirisë së humbur të popullit të tyre. Ende sot, mbas dhjetë vjetësh leksionesh “antikomuniste”, asnjë prej tyre nuk gjen frymëzimin të shkruajë diçka për Vloçishtin, Orman-Pojanin, Tepelenën, Spaçin, Qafën e Barit…!

A jemi në gjendje sadopak dhe sot të matemi me dobësitë tona, me një të shkuar, në të cilën shumë pak prej nesh morën guximin të vetëflijoheshin për të thënë të vërtetën? Emrat e tyre, të panjohur ende sot për pjesën më të madhe, janë çengelët e shpëtimit për ‘Brezin tonë’, janë yjet që ndriçojnë qiellin sterrë të një të shkuare që, sa më shumë kalon koha aq më shumë na bën të skuqemi. Le të tregojmë një minimum ndershmërie e t’i ngremë një monument këtyre njerëzve, këtyre shokëve tanë, që e dinin se do të vdisnin ose do të kalbeshin nëpër burgje, por nuk nguruan të thonë të vërtetën e të akuzojnë haptas regjimin, që po martirizonte një popull duke paragjykuar zhvillimin dhe mirëqenien e tij.

Në këto monumente do të ketë një vazo për lule të freskëta, ndofta do të jenë të vetmet vende në të cilat ‘Brezi ynë’ i meriton lulet. Së bashku me lulet t’i kërkojmë dhe të falur mbasi, në kohën që ata u therorizuan, ne nuk patëm as në vetvete kurajo t’i admirojmë, por i quajtëm të papërgjegjshëm, sepse një proverb i lashtë i yni thoshte: “Nuk i bihet murit me kokë”. Filozofinë e këtij proverbi ne, e bëmë lajtmotiv të ekzistencës sonë mjerane, sepse nëpërmjet saj justifikonim dobësitë tona, nënshtrimin e vullnetshëm ose të forcuar ndaj së keqes.

Në gjysmën e ecjes së jetës sonë, u gjenda në një pyll të errët…”, kështu fillon një nga kryeveprat e letërsisë botërore. Po të perifrazojmë këto vargje, por në kah të kundërt, më duket se sjell idenë e atij ndryshimi të madh, që erdhi në jetën tonë në vitin 1991, një vit më vonë se në të gjitha vendet e tjera. Kjo vonesë dëshmonte prapambetjen tonë në krahasim me të tjerët. Ndërsa të tjerët kishin vënë si synim rindërtimin e shoqërisë, nëpërmjet tej pamjes, ne derdhnim lot për vdekjen e tiranit dhe harxhonim dyzet milionë dollarë për të ngritur piramidën e tij mes Tiranës.

Ndërsa të tjerët hapnin kufijtë e i lejonin qytetarët e tyre të kërkonin fatin në botën e lirë, ne shtangeshim para skenash vandalizmash homerike të tërheqjes zvarrë të kufomave të të rinjve, “faji” i vetëm i të cilëve ishte se kishin tentuar të kalonin kufirin. Ndërsa të tjerët, të vetëdijshëm për dështimin e pashmangshëm të sistemit komunist, mundoheshin me të gjitha mënyrat të përfitonin nga përvoja dhe ndihma e vendeve të pjesës tjetër të Evropës, ne e kthenim mbrapsht ofertën e gjermanit Shtraus, për kredi e kërkonim armë…”! Ne nuk jemi as Lindje as Perëndim”, deklaronte atëherë Kryetari bizantin i Shtetit shqiptar, që “shquhej” për “modernizimin” e vendit nëpërmjet tufëzave dhe arrëzave.

Nga largësia e viteve duket më qartë absurditeti, në të cilin jetuam. Çdo epitet për të karakterizuar atë është i pamjaftueshëm. Në fund të shekullit të njëzetë, njerëz që të zinin radhën në mesnatë e t’a ruanin atë deri në mëngjes, për të marrë një litër qumësht, besoj se nuk ka patur as në vendin më të varfër të Afrikës. Ne bashkëjetonim me varfërinë skajore të tregut e tonën, me nenin 55 e internimet dhjetëvjeçare, me sulmet kundër antenave të televizorëve e kundër shpendëve të “tepërta” të fshatarëve, me demaskimet “revolucionare” para kolektivave e, ankthin para çdo punonjësi të Sigurimit e, na dukej se gjithçka ishte normale. Aq shumë ishim mësuar me të keqen, kaq shumë na kishte hyrë në palcë, saqë na ishte errësuar arsyeja e na ishin zbehur shqisat.

Kështu arritëm deri në vitin e ndryshimit të madh, për të cilin ne i mbetëm përsëri borxhli historisë dhe ndërgjegjes sonë. U desh vrulli dhe forca e të rinjve të Shkodrës, Kavajës, Tiranës, studentëve të Universitetit etj., pra të një brezi tjetër, të bijve tanë, që t’i jepnin grushtin e fundit një kufome që kutërbonte, por që mundohej të qëndronte duke ndërruar maskat. Por ajo rini, që u ngujua në grevat e urisë në qytetin Studenti e gjetiu, nuk kishte as përgatitjen, as përvojën për të marrë në dorë drejtimin e një Shteti të ri, në një gjendje katastrofale e në një rrugë të pashkelur më parë. Periudhën kalimtare nga një sistem i dështuar në një tjetër, që kishte dhënë prova të mjaftueshme rezultatesh e qëndrueshmërie, në popuj të zhvilluar e të lirë, do t’a administronim përsëri ne.

Ishte prova e së vërtetës, rasti i fundit që koha, si në një tabaka të argjendtë, na servirte për të përmirësuar imazhin, për të ndrequr gabimet, për t’u shkëputur kryekëput nga një e shkuar pa lavdi. Ishte një barrë e rëndë, por dhe një pikësynim tepër fisnik e i bukur: të rimëkëmbnim Atdheun tonë, t’a çlironim përfundimisht nga vargonjtë e komunizmit e pasojat e tij, nga mungesa e lirive, nga varfëria, nga shkëputja prej botës, nga prapambetja proverbiale, nga dhuna, gënjeshtra, pabesia e krimi të institucionalizuar në pushtet. Duhej të ngjallnim shpresën në një të ardhme më të mirë, të nisnim ecjen e ngadaltë, të vështirë por dhe të sigurt drejt një objektivi të përbashkët me shumë popuj të tjerë, drejt pjesëmarrjes në Bashkësinë Evropiane. Memorie.al

                                                  Vijon numrin e ardhshëm

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/na-servirej-si-model-femija-sovjetik-qe-kishte-denoncuar-te-atin-se-nuk-kishte-dorezuar-drithin-ndersa-heronjte-lej-feni-fuat-cela-shkurte-pal-vata-etj-qe-kujtimet-e-ish/