“Mita, unë mund të rroj edhe në këto kondita dhe në qoftë se ti këtë sakrificë je e detyruar ta bësh edhe për mua, duhet të dish…”/ Letrat e panjohura të Tuk Jakovës nga burgu, me bashkëshorten

Memorie.al / Mita Jakova lindi në qytetin e Korçës më 20 shkurt të vitit 1914 dhe shkollën fillore dhe unike e kreu në qytetin e lindjes. Gjatë periudhës që vazhdonte studimet në Liceun e Korçës ajo u angazhua në radhët e Lëvizjes Nacionalçlirimtare dhe më pas, doli në rreshtat partizane si pjesë në formacionet e Brigadës së Parë Sulmuese me komandant Mehmet Shehun. Tuk Jakova, lindi në Shkodër në vitin 1914 dhe shkollën fillore dhe unike e kreu në vendlindje, ndërsa studimet e mesme u detyrua t’i ndërpresë për arsye ekonomike dhe punoi si marangoz në punishtet e qytetit të tij. Gjatë kësaj periudhe kohe, ai u bë një nga krerët kryesor të Grupit Komunist të Shkodrës me kryetar Zef Malën dhe si pjesëtar i atij grupi, në vitin 1941, Tuku mori pjesë në mbledhjen themeluese të Partisë Komuniste Shqiptare. Pas kësaj ai mori pjesë aktive në Luftën Nacionalçlirimtare, fillimisht si komisar i Brigadës së Parë Sulmuese, që u krijua në gushtin e vitit 1943, në fshatin Vidhkuq të Korçës dhe më pas si zv/komisar i Divizionit të Parë Sulmues, të Ushtrisë Nacionalçlirimtare. Pas mbarimit të Luftës, Tuk Jakovës iu akordua titulli i lartë “Hero i Popullit” dhe grada gjeneral-leitnant. Po kështu pas vitit 1945, ai mbajti disa nga funksionet më të larta në hierarkinë partiake dhe shtetërore, si: anëtar i Byrosë Politike sekretar organizativ i Partisë Komuniste, ministër i Financave, zv/kryeministër, President i Sindikatave të Shqipërisë, ambasador në Beograd, etj. Menjëherë pas mbarimit të Luftës, në dhjetor të vitit 1944, Mita me Tukun martohen dhe nga kjo martesë, lindën katër fëmijë, dy djem dhe dy vajza. Në vitin 1951, kur ishte anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror, ndërmjet tij dhe Enver Hoxhës filluan përplasjet e para. Si rezultat i kësaj, ai u vu në sulmet e Enver Hoxhës, (duke u akuzuar për zbutje të luftës së klasave), deri sa në vitin 1955, atë e përjashtuan nga Byroja Politike dhe Komitetit Qendror, duke e shkarkuar nga të gjitha postet partiake dhe shtetërore. Në qershor të vitit 1955, familja dëbohet nga Tirana dhe vendoset në qytetin e Beratit, ku Tuku punon përsëri si marangoz (përgjegjës reparti) ndërsa Mita, fillimisht si arsimtare, e mbas pak kohësh, detyrohet të punojë edhe ajo si punëtore. Në nëntor të 1956-ës iu komunikohet masa e parë e internimit si familje, kurse pas dy vitesh, më 1957-ën, Tuku dënohet me izolim në Kalanë e Kaninës dhe në vitin 1958, ai shpallet tradhtarë dhe dënohet me 20 vjet heqje lirie. Në vitin 1959, Tuk Jakova vdes në spitalin e burgut të Tiranës, në rrethana misterioze, që edhe sot nuk janë zbardhur ende! Ndërkohë, familja e tij, Mita, dy djemtë dhe dy vajzat, (Vjosa, Agimi, Besniku e Bujana) vazhdonin të qëndronin në internim dhe ata mundën të kthehen në Tiranë, në fillimin e viteve ’90-të, pas shembjes së regjimit komunist. Mita Jakova ndërroi jetë në vitin 2014, në shtëpinë e saj në Tiranë. Pjesa që kemi përzgjedhur për botim në këtë shkrim, është marrë nga libri “Letërkëmbim i dhimbshëm”, ku bëhen publike një pjesë e korrespodencës së tyre gjatë periudhës që Tuku vuante dënimin në burgun e Tiranës.

                           FRAGMENTE NGA LIBRI “LETËRKËMBIM I DHIMBSHËM”

 Shumë e dashur Mita!

Kjo është letra e parë që po të shkruaj nga burgu, siç të kanë thanë edhe ata shokët e Degës aty, unë u dënova me 20 vjet burg.

Lutem të mos mërzitesh, por shiko punën, shiko fëmijët dhe shëndetin tënd. Për mua mos ki marak, jam mirë, nuk po mërzitem, dhe po jetoj me shpresën se do më dërgojnë në ndonjë vend për të punuar profesionin tim. Kështu nuk do të bie më në qafë për lekë, se do i fitoj vet me punën time. Por tani për tani (siç thonë), jam në burgun e vjetër të Tiranës, në pritje për t’u sistemuar në ndonjë qendër pune. Në qoftë se do ndryshoj adresën, do të shkruaj menjëherë.

                           Të fala e përqafime, Tuku!

                            27.IV.1958, Burgu i vjetër.

Shumë i dashur Tuk

Sa shumë e kam pritur këtë letrën tënde të parë nga Burgu! Tani porsa e mora dhe po të përgjigjem.

Kam shumë për të të shkruar, aq sa ke pasur edhe ti, për të më shkrojtur mua. Por a mund të shkruhen në letër të gjitha ato që kemi ndjerë dhe menduar për njëri-tjetrin pas 3 janarit? Megjithëse letra e jote ishte vetëm prej disa rreshtash, mua ajo më gëzoi shumë për faktin se, ti fillove të më rishkruash. Unë tani po filloj të numëroj ditët përsëri, deri sa prap e prap të marr letra nga ti.

Xhan i Mitas! Sa shumë të dashura dhe të shtrenjta do të më jenë mbas këtej letrat e tua…!!

Mos ki gajle për mua! E kuptoj shumë mirë detyrën e madhe që më takon në jetë, të rrit dhe të edukoj për një kohë të gjatë e vetme fëmijët tanë. Dhe se e kuptoj këtë detyrë dhe detyrat e tjera shoqërore, prandaj do të gjej forca për të mposhtur dhimbjen dhe për të kapërcyer çdo vështirësi.

Edhe ti mos u mërzit! Ishalla caktohesh sa më shpejt në ndonjë vend pune. Ti e don punën dhe ajo mbas këtej do të jetë shoku më i mire, për mos të lënë të mërzitesh.

Për këtë gëzohem unë, që të fillosh të punosh dhe jo se nuk do të më biesh më në qafë për lekë siç më shkruaje. Sigurisht mbas kaq muajsh do të kesh nevojë për ndonjë send veshmbathje ose gjë tjetër.

Më shkruaj të lutem pa asnjë ndrojtje. Fëmijët janë të gjithë mirë. Sot mora letër nga Vjosa. Më shkruante sa shumë përgatitje po bënin në shkollë për 1 Majin dhe me sa gëzim e priste atë ditë, sepse pas kaq vjetësh po e festonte përsëri në Tiranë.

Notat e semestrit III-të i kish pasur përsëri të gjitha pesa. Po kështu i pati dhe Besniku, ndërsa Agimi, e pati përsëri 4 në gjuhë, megjithëse ka përparuar mirë në gramatikë. Jam e preokupuar si do dalë në provimet për të marrë dëftesën e lirimit. Do të shkruaj përsëri për këtë. Bujana po si Bujana. Të kujton shumë e flet shumë xhevahire.

Fëmijët me mua sillen shumë mirë dhe nuk më mërzisin. Nëna ka 12 ditë që ka shkuar. Kështu që mua më duhet të kaloj çdo dëshpërim vetëm. Pse vetëm? Unë kam fëmijët, po ti?

Shkruamë Tuk, sa herë të lejohet. Edhe unë do të shkruaj. Kur të sistemohesh pres të të shoh.

                                          Fëmijët të puthin.

                                          Të përqafoj me mall, e jotja,

                                          Mita

                                          Berat, 6. V. 1958

Fort e dashur Mita!

Me gjithë që para një jave të kam dërguar një letër si përgjigja të letrës tënde të parë që mora këtu në burg, sot po të shkruaj përsëri.

Asht 24 Maji – Kjo ditë për ne ka qenë gjithnjë shumë e dashtun. Çdo vit kjo datë, na përtërinte kujtimet e paharrueshme që na lidhin ne të dyve. Unë po i shmangem anës romantike të kësaj date, (megjithëqë më pëlqente të shkruaja dhe çka të shkruaja) e po ndaloj pak ke realiteti aktual i jonë.

Në jetën time familjare, 24 Maji koinçidon me çaste lumturie dhe dëshpërimi. Një proverb i urtë popullor thotë: “Jeta nuk asht gjithmonë shesh me lule”, pra ajo ka gëzimet dhe hidhërimet e veta. Duke u nisë nga ky realitet, të këshilloj të jesh e durueshme dhe të qëndrosh e fortë përmbi dëshpërimin, sepse ne kemi detyrime ndaj fëmijëve tanë e ti, duhet të jesh për ta, edhe Baba edhe Nanë, e t’i bësh ballë jetës e vetme, për aq kohë sa do jemi të ndarë. Shumë më ka gëzuar në këtë drejtim fjala jote që ke shkruajtë se: “E kupton detyrën që të ra në jetë”.

I kam dërguar edhe nanës një letër dhe e porosita të vijë të më shikojë bashkë me Vjosën. Gjithashtu e porosita në qoftë se do ketë mundësi të më sjellë dhe ndonjë ushqim të thatë për të ngrënë, se tani kemi hy në normën e burgut dhe nuk e kemi ushqimin siç e kemi pasë.

Përsa u përket plaçkave që kisha me vete, kam ndalë: dyshekun, jorganin (pa çarçaf e pa krevat), jastëkun, bizhamet e reja, kostumin gri, xhaketën e vjetër, pantallonat qillota, mushamanë lëkure, cigaret, sandalet, 3 këmisha, 3 palë të mbathura, 2 kanotiere, fanellën e leshtë, kokoren, kapelën e bardhë, jelekun, peshqirin, shahun, dhe 5 libra. Të gjitha të tjerat më premtuan se do t’i nisin ty, prandaj të lutem në qoftë se i ke marrë dhe në rast se jo, atëherë kur t’i marrësh më bëj një listë çfarë ke marrë, se unë e kam inventarin e tyre. Gjithashtu në qoftë se na kanë ba ndonjë konfiskim dhe në rast se po atëherë më njofto se çfarë.

Unë me shëndet deri tashti nuk jam keq. Më shkruaj si je ti me shëndet, si vete me duhanin, si janë fëmijët e sidomos Bujana si u ba. Kur të marrin dëshmitë kalamajtë njoftomë si dolën me mësime. Puthi kalamajtë për mua.

                                         Të puth me mall

                                         I joti

                                         Tuku Tiranë, Burg i vjetër, 24.V.1958

                                         P.S. Sot i mora 500 lek që më kishe dërguar.

                                         Faleminderit!

                                         Tuku

Tuk i dashur!

Sot mora letrën e II-të të dt. 17.5.1958. Besoj se tani do ta kesh marrë letrën që të nisa para kësaj dhe do të jesh qetësuar për shëndetin tonë dhe gjithçka që të shkruaja. Para pak ditësh, të nisa edhe 500 lekë, duke menduar se u bë gjatë që s’të kam dërguar.

Kur të më shkruash, përsëri, pres një letër të gjatë, ashtu siç më premtove. Nga kjo e sotmja kuptova se je mërzitur dhe dëshpëruar. Të dua shumë Tuk! Mos u mërzit e mos u dëshpëro çfarëdo rrethanë që të jesh! Mundohu të kapërcesh çdo gjë me durim, urtësi. Kur të të kap mërzia dhe dëshpërimi, kujtomë mua, kujto fëmijët! Unë kam vendosur seriozisht të mos dëshpërohem.

Mos kujton se e bëj këtë, sepse s’kam përse? Përkundrazi! Gjatë muajve të fundit kam kaluar momente të ndryshme. Herë-herë kam qarë hallet me veten time (sepse s’kam kujt) dhe pastaj, po vetë, si një person i dytë, jam kthyer e i kam dhënë kurajo vetes sime, duke përdorur të gjitha ato çka unë di nga fatkeqësitë e njerëzve dhe vullneti e kurajua e tyre për t’i kapërcyer.

Tani unë do të mendoj për punën, si ta kryej në të ardhmen sa më mirë, si të edukoj më mirë fëmijët dhe t’u plotësoj nevojat e tyre brenda mundësive, do të mendoj shumë edhe për ty që ndonëse larg të të jem gjithmonë afër me forcën, vendosmërinë, entuziazmin për jetën, dashurinë për punën, kujdesin për fëmijët, dashurinë dhe besnikërinë e këto të gjitha t’i transmetoj edhe tek ty. Më kupton Tuk? Kështu pra. Edhe ti kudo që të jesh, mejto se e ke detyrë të jesh ashtu! Kur të të kërkohet punë, mos kurse forcat! Këtë e di, po ashtu kot ta shkrojta.

Gjatë muajve të fundit, kam lexuar mjaft libra, ndërmjet të cilave “Një hero i kohës sonë”, të Lermontovit, “Rruga e mundimeve” (trilogji e Aleksej Tolsojt) deri tani përkthyer në shqip vetëm vëllimi i parë “Motrat”, “Xha Gorjoj” të Balzakut, “Stuhi në Gang” të Tagorës, “Sikur të isha djalë” të Stërmillit, “Lulja e Kujtimit” të Postolit, disa pjesë të zgjedhura kineze etj. Do të duhesh një bisedë e gjatë për të të treguar përshtypjet për secilën, sidomos për të parat. Kur lexova “Stuhi në Gang” (për të cilin në një letër më ke shkrojtur se e ke lexuar dhe të ka pëlqyer shumë), sa herë unë rilexova ato pjesë që më bënin përshtypje, dhe me fantazinë time donja të gjeja edhe përshtypjet e tuaja.

Komolo u bë për mua e dashur, e urtë dhe me të gjitha cilësitë e mira që e ka veshur autori, aq sa ç’është për të gjithë ata që e njohin dhe jetojnë me të në roman. Në qoftë se mundet dhe ke nevojë për libra, më shkruaj të të dërgoj. Shkruam edhe për çdo gjë që ke nevojë. Jemi në ditët e fundit të vitit shkollor. Këto ditë kemi mjaft punë. Në dt. 24.V. u japim fund mësimeve. Pushimet i filloj andej nga 5 qershori.

Ditët e para të pushimeve do të merrem me rregullimin e shtëpisë, sepse nuk i kam bërë akoma punët e verës. Pastaj do të shkruaj si do t’i rregulloj pushimet. Fëmijët do të shkruajnë mbasi të marrin përfundimet. Po të dërgoj fotografinë e Vjosës që ka dalë enkas për ty. E pres të vijë me 4 qershor. Të gjithë jemi mirë me shëndet. Unë kam filluar të kthej nga pak. Të gjithë të puthim e të përqafojmë.

                                              Mita e jote

                                            Berat, 20.5.1958.

Shumë e dashtun Mita!

Të kam nisë dy letra, kjo asht e treta dhe jam duke pritë ndonjë përgjigje nga ti.

I kam shkruar edhe nanës e Vjosës nga një letër ku i thërrisja të vinin për të më parë, por ato nuk po duken e unë jam bërë merak. Sot po i shkruaj edhe Franit.

Në letrën tënde të parë që mora më porosisje të shkruaja se për çfarë kam nevojë edhe unë po të përgjigjem.

Në radhë të parë dëshiroj të vish të më shikosh me rastin e pushimeve në qoftë se të japin leje. Po të vish merr edhe Vjosën, dhe më sjell këto gjana:

Sallam të thatë, djath dhe pak sheqer, një bukë të gatuar, një rrogoz, një krehër të vogël, një pastë dhëmbësh, një sapun, ca pulla poste, një laps kopjativ, zarfe e letër dhe pak cigare. Siç e shikon këto janë gjëra që kushtojnë, prandaj shit atë kostumin tim të hollë. Në rast se nuk vjen ti dot, atëherë m’i nis me pako. Në rast se do vije, do të jepja me vete ca plaçka që kam unë këtu si p.sh. kostumin gri, pallton e lëkurës etj. se nuk kam ku i le, e po prishen.

Ti mos u mërzit xhan, por vazhdo të qëndrosh e fortë dhe e durueshme se kështu ma bën qejfin dhe unë të dua më shumë. Edhe unë nga ana ime po përpiqem të mos mërzitem. Me shëndet deri tashti nuk kam qenë keq dhe nuk kam ankuar as nga dhimbje e kokës, as nga kurrgjë…! Më duket po mësohem me klimën e burgut.

Më shkruaj si e kalon dhe si dolën kalamajtë me mësime. Fëmijët puthi për mua.Të puth me mall

                                                        I joti Tuku

                                                        Burgu i vjetër, Tiranë.

                                                        5.VI.1958

P.S. Harrova me të porositë edhe për ndonjë libër të ri (roman).

Shumë i dashur Tuk!

Të kam shkruajtur letër plot dy javë si sonte. Gjatë kësaj kohe nuk kam marrë ndonjë letër nga ti. Nuk di se si je me shëndet dhe si e kalon kohën në përgjithësi pas 24 majit (dt. e letrës se 3-t që kam marrë). A u rregullove me punë? Kjo ashtu si ty, edhe mua më preokupon. Vazhdimisht e kam mendjen tek ti, për ushqimin, fjetjen. Kam merak mos mërzitesh etj., etj. Sa herë gatuaj ndonjë send të mirë për të ngrënë më ngec në grykë.

Po Tuku them, çfarë ha sot? Më ther në zemër që jam larg e s’kam mundësi të të shoh shpesh dhe të të sjell gjë për të ngrënë. U bë kaq kohë që kur u dënove dhe s’ke parë njeri të afërt të vijë të të shohë e të të sjellë ndonjë gjë. Kushedi sa e ke pritur Nanën dhe Vjosën. Nana asht në Durrës dhe s’ka mundësi të vijë të të shohë dhe ti e di që ajo s’di nga të vijë po se shpuri njeri. Kështu mbeti pa ardhur edhe Vjosa. Ajo plasi së qari kur erdhi që s’kish pasur mundësi të të takonte. Pushimet i fillova që më 5 qershor.

Gjatë këtyre ditëve lava dhe pastrova shtëpinë. Dhe kur bie të fle në dhomë e shtrat të pastër, prap mendja më shkon tek ti. Po Tuku vallë ku fle? Si fle? Dhe prap më ther në zemër. Jeta qenka çudi! Të mendoj ty në ç’rrethana jeton dhe unë prap mundohem të jem e rregullt në jetë (aq më shumë tani që jam e ngeshme të kem sa më në rregull shtëpinë, fëmijët etj. Këto i bëj për vete që të humb mendjen dhe për fëmijën që t’u influencojë mirë ambienti familjar…!

…Kam kërkuar leje të vi të të shoh dhe të rri disa ditë në Tiranë, por nuk kam marrë ndonjë përgjigje. Po vazhdoj të pres. Në qoftë se do vijë do të të sjell edhe fëmijët. S’di si do t’ia bëj Bujanës. Edhe fëmijët të kujtojnë shumë. Po na rriten fëmijët Tuk! Gëzohem kur i shoh të katër si pëllumba. Gimi e don shumë punën. Pa punë mërzitet.

Filloi prap të merret me ato veglat e ndërtimit, të cilat i fshin dhe i vajis me kujdes. Një ditë më tha me plot seriozitet: – Moj Mami! Sikur të më gjeje ndonjë punë deri sa të hapen shkollat, edhe kaloja kohën edhe merrja rrogë e të ndihmoja ty. I thashë se ti je i vogël, mor bir, dhe se detyra jote është të mësosh dhe të bëhesh i mirë.

– Pse, m’u përgjigj, Babi ishte edhe më i vogël se mua kur filloi të punonte që të ndihmonte nënën Çi…! Mu desh të bëja një shpjegim të gjatë. Mbasi e shoh që mërzitet mendoj ta dërgoj disa ditë në Durrës. Edhe ai ka qejf. Kohët e fundit të kam parë çdo natë në ëndërr dhe vazhdimisht sikur papritur vjen. Kështu më shumë më shtohet malli.

Po të dërgoj 500 leke (pesëqind). Kam 1 muaj që s’të kam dërguar. E ç’të bëjnë ty 500 lekë në muaj? Po të shkoj në Tiranë e të shes gjë do të dërgoj prapë. Më shkruaj Tuk për çdo gjë. Letrat i pres me padurim.

                                                 Të puth me mall e dashuri

                                                 Mita jote

                                                 Berat, 5.6.1958

Shumë e dashur Mita!

Letrën tënde nr.2 të 10 dhjetorit e mora. Më erdhi keq që nuk kishe marrë ende letrën time të 5 nëntorit. Ndoshta do ta kesh marrë deri tani. Letrat tuaja si gjithnjë më gëzojnë shumë sepse aty mësoj mbi gjendjen tuaj.

U gëzova që ishit mirë dhe në anë tjetër më erdhi keq që e detyruar nga nevoja kishe filluar të punosh orë suplementare. Më preokupon çështja e shëndetit tënd sepse fizikisht nuk je dhe aq e përshtatshme për të përballuar një volum pune të dyfishtë. Në të vërtetë kjo iniciativë e jotja është një iniciativë fisnike, që nga pikëpamja e obligacionit për familjen arrijnë deri në heroizëm dhe si e tillë mua nuk më mbetet veçse ta përgëzoj me mirënjohjen më të thellë, por në qoftë se kjo (pavarësisht nga gatishmëria e jote për sakrificë) dëmton sadopak shëndetin tënd, mua dhe fëmijëve i kushton shtrenjtë.

Për këtë jam i shqetësuar dhe me këtë rast dëshiroj të theksoj edhe një herë se për mua nuk duhet të bëhesh merak, mbasi kam mundësi të rroj edhe në këto kondita të burgut, dhe në qoftë se ti këtë sakrificë je e detyruar ta bësh edhe për mua, duhet të dish se me këtë nuk më nderon, por më ven në një pozitë të pandershme, të ngjashme me pozitën e një krimineli ndaj gruas dhe fëmijëve të tij. Prandaj të lutem të kesh kujdes shëndetin, duke ju përmbajtë vetëm asaj mase në punë, që nuk i kalon fuqitë tuaja fizike. Më kuptove?!

Kam marrë nga Frani një kartolinë për vitin e ri. Kishte ardhë në Tiranë me djalin se e kish pasë të sëmurë dhe i kish ardh keq që nuk kishte pas mundësi me ardhë me më taku. Dua t’i kthej përgjigjen më 20 janar, prandaj ti mos u mërzit që nuk do të shkruaj ty në këtë datë. Megjithëse vonë po ju uroj vitin e ri.

                                                Puthi fëmijët për mua

                                                Ju përqafoj të gjithëve

                                                Të puth

                                                I joti Tuku

                                                Burgu i vjetër Tiranë, 5 janar 1959.

Shumë i dashur Tuk!

Sot është 5 shkurt edhe ti do më kesh shkruajtur. Besoj se dhe do jesh ulur të më shkruash me gëzim, mbasi t’u bë 1 muaj që je ndarë me letrat e mia.

Dëshiroj që gjatë kësaj kohe të kesh qenë mirë me shëndet dhe mirë qofsh gjithnjë. Kohën e fundit ka bërë mjaft ftohtë dhe unë kam qenë në merak mos kushedi je ftohur! Sa herë më ka shkuar mendja tek ty kur rri e ngrohem pranë zjarrit!

Ne të gjithë kemi qenë mjaft mirë. Dru kemi pasur dhe brenda nuk e kemi ndjerë të ftohtit. Edhe jashtë kemi qenë të veshur si unë, ashtu edhe fëmija. Pra për ne mos ki merak fare. Bujana ka për të mësuar edhe 4 shkronja e pastaj do të shkruajë letër me dorën e saj. Ajo edhe tashti është në gjendje të shkruajë dhe ka shumë dëshirë por unë i thashë t’i shkruash Babit atë ditë kur të kini festën e abetares (d.m.th. kur të festojnë mbarimin e abetares). Kështu e kemi lënë.

Fëmijët e tjerë s’të kanë shkruajtur për fajin tim. Unë zakonisht të shkruaj në darkë, atyre atëherë u flihet, harroj t’ju them që në drekë. Unë haraqe kam qenë Tuk, po tani jam bërë fare. Nuk shkoi dy javë që bleva ombrellën 750 lekë dhe duke psonisur s’di fare se ku e lashë. Pas disa ditësh kur filloi përsëri shi, kërko ombrellën s’ka! E ku s’pyeta për të. E shava veten sa munda, po ombrella iku. Sa herë që fëmijët marrin vesh që të kam dërguar letër u mbetet hatri që s’i lajmëroj. Agimi po vazhdon të përmirësohet.

Po të dërgoj një pako shumë të vogël 1 palë çorape leshi, 1 kg sheqer, 100 gr kafe, 5 kuti cigare, 1 pastë dhëmbësh, 1 sapun tualeti dhe vëllimin e ll-të të romanit “Lufta dhe Paqja”, E lexova dhe unë. S’po të shkruaj asgjë për të, lexoje dhe shijoje vetë. Po të dërgoj në një kuti kompostoje se ndryshe nuk i pranon posta. Ruaje këtë kuti dhe kur të vi në fund të marsit (në qoftë se do më japin leje) ma kthe që të ta dërgoj ndonjë herë tjetër.

S’di sepse po më mbyllen sytë sonte, duket se kam tre netë që fle vonë duke lexuar “Lufta e paqja”. Duke e lexuar atë harroja se të nesërmen më duhesh të çohesha herët e të shkoja në punë. Po e Ie me kaq pra.

Natën e mirë xhan! Të dërgoj të puthura e përqafime, Mita e jote…

Letra nr. 8. Berat, 5.1.’59

P.S. Po të dërgoj edhe 4 zarfa e letër që m’u ndodhën në shtëpi.

  … Tuk shpirt!

Kësaj here u nisa për të takuar ty më e gëzuar se herët e tjera. Sepse nuk do të vija për të fjetur në hotel, por do të shkoja ke nana në Durrës, e të nesërmen do vinim të dyja tek ti. Nanën nuk e gjeta në shtëpi. Ajo kishte shkuar në Tiranë, tek Kola, mbasi Filipi familjarisht ishte për pushime në Dardhë. Ndejta nja 2 orë në Durrës tek Teze Toninja dhe pastaj u nisa për në Tiranë, Besnikun e çova ke nana ta lajmëronte që erdha dhe e prisja në hotel. Ajo nuk erdhi atë mbrëmje, por të nesërmen, të ejten më 20 gusht. Kisha blerë të gjitha ato që kisha menduar dhe u nisëm për të takuar ty.

Xhani i Mitës! A mund të të shpreh se sa u shqetësova kur mësova për shëndetin tënd? Isha në rrugë dhe më duhesh ta mbaja veten përpara një dhimbjeje të re, të pa- provuar deri tani, por po të them se që në atë çast edhe tashti më është bërë një si lëmsh në fyt që më bën të marr frymë me vështirësi.

Është e tepërt të të shkruaj se sa përpjekje kam bërë atë ditë që të lija diku ushqimet që të kisha pregatitur (më mbajtën vetëm duhanin, 6 letra cigare, 1 kuti cigare dhe 1 kg sheqer) ose mbasi s’qe e mundur, në asnjë mënyrë të të shihja, të paktën të siguroja dy fjalë nga dora jote. Më thanë se ishe mirë e për këtë duhet të isha e qetë, por ti xhan më kupton: “a mund të më qetësonin mua këto fjalë?”

I dashur Tuk! Sikur të ishte puna për të bërë çdo sakrificë ose për të kaluar çdo vështirësi, çfarë s’do kisha bërë për të qenë qoftë edhe një minutë, mbi kokën tënde. Po në të tilla raste njeriu është i pafuqishëm. Megjithatë në imagjinatën time dëgjoja zërin tënd që më thërriste dhe unë me mendje e me shpirt isha aty te koka yte xhan! Më dukesh sikur t’i përpiqesh e më kërkon vetëm ujë.

Unë nuk të jepja se të bënte keq, por të lagja buzët e thara me një pecetë të lagur e një tjetër ta vija mbi ballin e nxehtë. A e ke ndjerë ti pra se sa afër më ke pasur në ato çaste të vështira? Ndofta ti e ke pasur me të vërtetë jo shumë vështirë dhe je mirë. Ashtu do dëshiroja me gjithë zemër, pavarësisht në se mua më shkon mendja për të keq.

Duke u kthyer kësaj here pa të takuar unë ndjeva se sa të lumtura më bëjnë, qoftë edhe ato pak minuta që të shoh shëndosh përtej hekurave. Nuk e di a e ndjen, a më kupton, se sa i shtrenjtë është shëndeti dhe jeta jote për mua e për fëmijët dhe në qoftë se ti e di mirë këtë dhe na don shumë, të lutem jeto i shëndoshë për ne, që të duam shumë.

Kërkova në Ministri që të vij të të shoh porsa të dalësh nga spitali dhe për këtë nuk më kundërshtuan.

Fëmijët i gjeta fare mirë. Ata më pritën shumë të gëzuar, por menjëherë u vërejtën kur më panë që u ktheva me ushqimet. M’u desh të tregohesha gjakftohtë dhe t’i qetësoja se ti ishe mirë.

E ç’të të shkruaj tjetër. Uroj, uroj qindra herë, që ti të jesh mirë dhe kjo letër të të gjejë shëndosh!

                                             Të puth fort.

                                             Mita jote që të don fort

                                             Më shkruaj gjatë për shëndetin

                                             Berat 21, gusht 1959

(Fatkeqësisht kjo letër mbeti e pa marrë nga Tuk Jakova. Ai vdiq papritur, më 26 gusht 1959, në spitalin e burgut. Versioni zyrtar që iu komunikua Mita Jakovës qe se vdekja u shkaktua nga apendisiti, por kjo vdekje mbetet ende një enigmë e pazgjidhur.) Memorie.al

 

Copyright©“Memorie.al”

 Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/mita-une-mund-te-rroj-edhe-ne-keto-kondita-dhe-ne-qofte-se-ti-kete-sakrifice-je-e-detyruar-ta-besh-edhe-per-mua-duhet-te-dish-letrat-e-panjohura-te-tuk-jakoves-nga-burgu-me-b/