“Ministri Rrok Gera u tregua shumë i përzemërt me mua, ai ka një arsimim të shkëlqyer në Financë dhe Ekonomi në Universitetin e Vjenës…”/ Relacioni i ambasadorit të SHBA-ve në Tiranë, në ’36-ën

Nga Arben Pustina

Pjesa e nëntë

                                              -Rrok Gera, një burrë shteti ashtu si duhet –

 PARATHËNIE

Memorie.al / Ky libër synon të përcjellë te publiku imazhin e një njeriu perfekt, i cili jetoi në kohëra të tjera, por që ishte shembulli më i mirë, jo vetëm i asaj që mund të përfaqësojë një njeri i zakonshëm, por, në radhë të parë, si shembulli i një shtetari fisnik, të shquar, të gjithëdijshëm e, mbi të gjitha, të ndershëm. Duke pasur në gjene virtytet fisnike të prejardhjes së tij, duke u formuar si personalitet në një ambient të mrekullueshëm, siç ishte Shkodra e fillimit të shekullit XX-të, dhe duke u diplomuar në një nga universitetet më prestigjioze të Europës, siç ishte ai i Vjenës, Rrok Gera kishte gjithë potencialin për të qenë një ndër figurat e rëndësishme, që i dhanë hov një zhvillimi të vrullshëm nëpërmjet reformave të gjithanshme në Shqipëri, në vitet ’30-të të shekullit të kaluar.

Ky zhvillim arriti kulmin me qeverinë e Mehdi Frashërit, e cilësuar ndoshta si qeveria shqiptare më e mirë e të gjitha kohërave, e formuar në pjesën më të madhe nga persona jopolitikë, mes të cilëve ishte edhe Rrok Gera. Për 10 vjet, apo më shumë, si ministër apo në funksione të tjera të larta shtetërore, ai punoi me bindje se po ecej në rrugë të drejtë për konsolidimin e shtetit shqiptar, proces për të cilin thoshte se nuk kishte kohë për të humbur.  Ekonomist, financier, diplomat, jurist, Gera ishte një specialist që çau përpara drejt majave me profesionalizmin e tij në një ambient ku tarafet e vjetra, që ishin pothuaj mbizotëruese në politikë e në qeverisje, erdhën duke humbur terren përballë njerëzve të rinj e të arsimuar mirë.

                                                                       Vijon nga numri i kaluar

KTHIMI NË SHQIPËRI DHE AKTIVIZIMI NË ADMINISTRATËN SHTETËRORE

Në tetor të vitit 1935, i’u dha portofoli i Ministrit të Financave në kabinetin e Mehdi Frashërit. Ai erdhi në vendin e tij të punës plot entuziazëm përveç njohurive teknike dhe eksperiencës së punës në këtë departament. Por ai pati liri të kufizuar për iniciativat e tij për të bërë ndryshime radikale në administratën financiare, gjatë qëndrimit për një kohë të shkurtër të Qeverisë Frashëri. Ai u emërua Kryetar i Këshillit Auditiv në prill të vitit 1937 dhe Ministër i Ekonomisë Kombëtare, kur Qeveria e fundit u ri konstruktua pjesërisht, në fund të majit të vitit 1938”.

Më 09.11.1936, me rastin e largimit nga detyra e ministrit të Financave, Rrok Gera i’u drejtua me anë të një qarkoreje të gjithë nëpunësve të strukturave të financës dhe doganave në vend:“ …Me rastin që largohem nga Dikasteri i Financave, e shoh për detyrë me ju falenderue për bashkëpunimin korrekt e mirëdashjen që më keni tregue si koleg e ministër gjatë qenies s’eme në Ministrin e Financave. Ju lypi ndjesë për ndonjë sjellje t’ashpër që mund të kemi pas në lidhje me plotësimin e detyrës, por kurrë personale. Ish-Ministri i Financave: RROK GERA d.v.”.

Është vlerësuar tashmë nga shumëkush se gjatë periudhës së kabinetit Frashëri, Shqipëria përjetoi njëfarë demokracie liberale, ku nuk munguan interpelancat e shpeshta parlamentare, debate të gjata me ministrat (po në Parlament), kritika ndaj qeverisë, denoncime ndaj ministrave si individë si dhe një votëbesimi për qeverinë, gjëra të reja këto për atë kohë. Qeveria Frashëri është ndoshta e vetmja që u rrëzua nga Parlamenti, sa i përket periudhës ndërmjet dy luftërave botërore. Gjithsesi, ky kabinet mbetet një përvojë unike në historinë e vendit, pasi arriti të shpalosë disa elementë që e bëjnë atë qartësisht të dallueshëm nga kabinetet e tjera të kësaj periudhe. Më e veçanta është se ky kabinet përbëhej pothuaj nga vetëm jashtëparlamentarë dhe shumica e ministrave nuk kishin një status të lartë social e, nuk vinin nga shtresat e pasura, apo nga shtresat me influencë të shoqërisë shqiptare. Ndaj nuk është çudi që parlamenti, krejt ndryshe nga ç’ishte sjellë me kabinetet e mëparshme, i’u kundërvu fort qeverisë së Mehdi Frashërit.

Ndërsa në aspektin e politikës së jashtme (duke e lidhur me financat dhe ekonominë, ku Rrok Gera ishte protagonist) mund të kolaudojmë se, gjithë ajo sa thamë deri tani, ashtu si dhe ajo që do shihet në vijim, tregon qartë se politika italiane për një gllabërim ekonomik e financiar të Shqipërisë, nuk i’a arriti qëllimit dhe këtë e pohojnë shumë autorë italianë me emër, mes të cilëve edhe figura protagoniste të përpjekjeve italiane për të absorbuar ekonominë shqiptare, siç ishte për shembull Amedeo Gambino.

Sipas Alessandro Rosellit, gjatë viteve ’30-të, në qarqet ekonomiko-politike italiane kishte ndjenja pakënaqësie lidhur me marrëdhëniet financiare me Shqipërinë dhe kjo pakënaqësi u thellua veçanërisht në vitin 1936, kur bilanci tregtar bilateral u përmirësua në favor të Shqipërisë. Tabela më poshtë jep të dhënat për volumin e tregtisë së Shqipërisë me Italinë në vitet 1930-1938, në milionë franga shqiptare dhe nga shifrat, del e qartë tendenca e rënies së ndjeshme të eksporteve italiane drejt Shqipërisë gjatë 1934, 1935 e 1936, ndërkohë që eksportet shqiptare shënuan rritje.

Ndërsa tabela ne vijim jep të dhënat për tregtinë e jashtme të Shqipërisë me Italinë e me vendet e tjera (në përqindje): Edhe këtu bie në sy pothuaj i njëjti fakt (që padyshim i inatoste pa masë qarqet politike e ekonomike italiane), se sidomos në vitet 1935, 1936 e 1937, Shqipëria rriti ndjeshëm importet nga vendet e tjera dhe uli në një masë të madhe importet nga Italia, ndërkohë që rriti eksportet e saj në Itali, sidomos për vitet 1936 e 1937.

Amedeo Gambino, për shumë vite Këshilltar Delegat i Bankës Kombëtare të Shqipërisë, në një artikull të tij në 1940- ën shprehej troç për zhgënjimin e Romës, për shkak se modeli i investimeve kapitale të Italisë në Shqipëri, nuk përputhej me modelin e tregtisë ndërmjet Italisë e Shqipërisë:…“Deficiti tregtar i Shqipërisë me Italinë, që fillimisht u rrit me zgjerimin e investimeve italianë në Shqipëri, në vitet në vijim u tkurr, deri sa u zëvendësua në 1936 e 1937 me një sur-plus.

Kështu, kontributet e kapitalit italian, në vend që të rrisnin volumin e prodhimeve italiane drejt Shqipërisë, përfunduan në një valutë të huaj, në dispozicion të Shqipërisë për importimin e prodhimeve nga vende të treta, të cilat për më tepër, nuk lejonin asnjë eksport nga Shqipëria. Sipas Rosellit, nga një këndvështrim politik, këto fjalë të Gambinos tregojnë se Mbreti Zog nuk e shikonte aspak vendin e tij aq të lidhur me Italinë, sa për ta lejuar këtë të fundit t’i diktonte atij politikat ekonomike si dhe t‘i kërkonte një marrëdhënie tregtare preferenciale që të përfshinte thithjen e prodhimeve italiane.

KRYETAR I KËSHILLIT KONTROLLUES

Pas dorëheqjes së kabinetit Frashëri, më 20 mars 1937, Rrok Gera u caktua në krye të Këshillit Kontrollues (sot Kontrolli i Lartë i Shtetit). Për koincidencë, edhe vëllai i tij, Lac Gera, kishte qenë anëtar i këtij institucioni për disa vite, si dhe kryetar në vitin 1926. Në librin “Shqipënija më 1937”, tregohet se në atë kohë, Këshilli Kontrollues përbëhej nga një kryetar (Rrok Gera), dy anëtarë (Llambi Aleksi e Asim Jakova) dhe një prokuror (Ilia Kotia).

Gjithashtu, pjesë përbërëse e Këshillit ishin organet e kontrollit: pesë referendarët dhe nëntë kontrollorët si dhe organet e sekretarisë: një sekretar, një arshivisti dhe një kopist. Rrok Gera ishte i vetmi nga drejtuesit e Këshillit Kontrollues për periudhën para çlirimit që kishte gradën “Doktor Shkencash” dhe ndoshta i vetmi që kishte arsimin e plotë përkatës. (Kjo është pohuar edhe në fjalën e ish kreut të KLSh-së, Bujar Leskaj, mbajtur me rastin e 90-vjetorit të krijimit të institucionit të drejtuar prej tij).

Në një intervistë dhënë për “Tirana Observer” (korrik 2007), ish-kreu i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Mustafa Kërçuku, vlerësonte profesionalizmin e atyre që punuan në Këshillin Kontrollues në vitet e Monarkisë: …“Ata ishin specialistë të mirëfilltë. Madje edhe raportet që unë kam vërejtur, ishin të shkruar shumë mirë, me saktësi, të formuluar mirë dhe i trajtonin problemet ashtu siç duhet, duke nxjerrë në raporte anët e mira e anët e këqija të konstatuara gjatë kontrolleve…”.

Natyrisht, vlerësimet e zotit Kërçuku shkojnë edhe për Rrok Gerën, që qëndroi në krye të këtij Këshilli deri në fund të muajit maj 1938. Në shkresën e datës 9 janar 1938, me numër protokolli 331, Gera, në cilësinë e Kryetarit të Këshillit Kontrollues, u shkruante të gjithë vartësve të tij lidhur me një ndryshim të rregullores së Kontabilitetit të Përgjithshëm të Shtetit, në bazë të të cilit, Këshilli Kontrollues ngarkohej me mbikëqyrjen e posaçme të paradhënieve të akorduara.

Dokumenti në fjalë na jep një ide për mënyrën se si funksiononte Këshilli Kontrollues në atë kohë: “…Z.Z. Anëtarët janë të lutun me sistemue në marrëveshje me zotnitë në fjalë (Referendarët dhe Kontrollorët.- Shën. im, A.P.), mënyrën ma adapte për me pas në evidencë kryesisht: a) autorizimet e paradhënieve, b) pagimin e tyre nga ana e Financave (njoftimin n’afatin ligjuer nga ana e Zyrave financiare mbi shumat e pagesave) c) paraqitja e llogarive n’afatin ligjuer nga ana e Administratave përkatëse dhe ç) rilevimin e të metave të konstatueme në kontrollim e sipër.

Z.Z. Referendarët dhe Z.Z. Kontrollorët kanë me u njoftue Z.Z. Antarëve, ose kësaj Kryesie, jo vetëm moszbatimin nga ana e Administratave t’urdhnimeve të Rregullores në fuqi, por edhe çdo tjetër çështje që duhet t’u heq vërejtjen, si p.sh. akumulimin e shumë paradhënieve në nji dore, pagesën e shumave relativisht të nalta të kvintancave me vula, ose me gishta t’analfabetave, etj.”. Në fund, letra mbyllej me fjalët: “… Kjo Kryesi ka me kërkue her mbas here shpjegime mbi çështje, prandaj lutet që ky akt të zbatohet sa ma me skrupolozitet”.

Në kohën që ishte në krye të Këshillit Kontrollues, Rrok Gera kishte edhe detyra të tjera. Nga një dokument i Parlamentit Shqiptar të vitit 1938 mësojmë se ai ishte në krye të Komisionit të Pensioneve, në të cilin kishte përfaqësues edhe nga Këshilli i Shtetit, Ministria e Financave, Drejtoria e Pensioneve dhe nga Komanda e Mbrojtjes Kombëtare.

Nga dokumenti mësojmë se Këshilli i Ministrave kishte adresuar te Komisioni i Pensioneve shkresën nr. 71/II, datë 5. III. 1938, përcjellë me shkresën nr.48/III, datë 8. III. 1938, të Ministrisë së Financave, me të cilën kërkonte që të hartohej nga ky Komision, një projekt rregullore e re mbi pensionimet e nëpunësve të bashkive, e pajtueshme me dispozitat e ligjit të pensioneve civile dhe ushtarake në fuqi dhe me dispozitat e ligjit të bashkive. Komisioni, me në krye Gerën, mbasi shqyrtoi dosjen relative dhe e studioi çështjen imtësisht, konstatoi se sistemi i krijuar me Art. 65 të ligjit të bashkive, datë 30.04.1934, paraqiste shumë vështirësi për një funksionim të mirë.

Kjo për shkak se krijimi i një arke autonome përmbante në vetvete pamundësinë e kontrollimit të duhur mbi lëvizjen e të hollave dhe kjo arkë mbas pak kohe s’kishte për të qenë në gjendje të kryente në rregull pagesat e saj, ose edhe fare, për shkak se të ardhurat e saj ishin krejt të pakta e të pamjaftueshme kundrejt vjetërsisë së madhe që kishin në atë kohë nëpunësit, për përfitimin e të drejtave të pensioneve.

Gjithashtu, Komisioni i Pensioneve konsideronte se mbledhja e përqindjeve të bashkë-dhënësve nga bashkitë, dërgimi i këtyre të hollave në qendër pranë bashkisë së kryeqytetit, pagimi pastaj nga kjo e të gjithë pensionistëve kudo që të gjendeshin etj., nuk paraqitej aspak i thjeshtë. Nisur nga kjo situatë, Komisioni dilte me vendimin e tij nr. 73, datë 8.04.1938, ku theksonte se: do të ishte e arsyeshme, që në vend të një rregulloreje për mirë-zbatimin e Art. 65 të ligjit të bashkive, datë 30.04.1934, lindte nevoja të projektohej një ligj, i cili, duke abroguar sistemin e krijuar me këtë nen, të caktonte baza të reja e më të sigurta mbi mënyrën e rregullimit të të drejtave pensionare të nëpunësve bashkiakë.

Për këtë qëllim, Komisioni, pas studimit të realizuar prej tij, përpiloi një projektligj me synimin për të rregulluar në mënyrë të thjeshtë e të sigurt të drejtat dhe detyrat e nëpunësve bashkiakë dhe mënyrat e pagimit të pensioneve e të shpërblimeve që do t’u likuidoheshin atyre vetë, apo familjeve të tyre. Sipas Komisionit, me zbatimin e këtij ligji nuk do të kishte nevojë për asnjë rregullore tjetër, mbasi ligji ishte i plotë. Komisioni i Pensioneve, me në krye Rrok Gerën, i jepte kështu një leksion Këshillit të Ministrave, duke ofruar një ligj të plotë, që përcaktonte të gjithë mekanizmat për procesin e pensionimet e nëpunësve të bashkive, në pajtueshmëri me dispozitat e ligjit të pensioneve civile dhe ushtarake në fuqi dhe me dispozitat e ligjit të bashkive.

MINISTËR I EKONOMISË KOMBËTARE NË QEVERINË E KOÇO KOTËS

Në pranverën e vitit 1938, Italia kërkonte të shtonte edhe më tej ndikimin e saj mbi ekonominë shqiptare. Në atë kohë, qarqet italiane ishin të interesuara për marrjen e lejes së koncesioneve të reja nga ana shqiptare, por nën zë thuhej se Mbreti nuk ishte fort i kënaqur me zhvillimet në Ministrinë e Ekonomisë Kombëtare, pasi mendonte se aty po tregohej më shumë zell se ç’duhej, lidhur me mundësinë dhe mënyrën e dhënies së këtyre koncesioneve. Në këtë situatë, në krye të dikasterit të Ekonomisë, më 31 maj 1938, caktohet Rrok Gera, duke zëvendësuar Terenc Toçin, i cili dha dorëheqjen. Ndryshimet në kabinetin qeveritar shqiptar (përveç Rrok Gerës, kemi dhe Abdurrahman Dibrën, i caktuar në postin e ministrit të Arsimit), pasqyrohen gjerësisht në raportimet e ministrit të SHBA-së në Tiranë, Grant.

Në telegramin e datës 10 qershor 1938, dërguar Cordell Hull, sekretar shteti në Uashington, ambasadori amerikan shkruante: “…Përgjithësisht në qarqet diplomatike besohet se ndryshimi i kabinetit qeveritar, i cili rezultoi me emërimin e dy ministrave të rinj e të një zëvendësministri, mund të përbëjë një element të strategjisë politike, i drejtuar kundër italianëve nga Mbreti Zog…!

Sa u takon anëtarëve të rinj të Kabinetit: Dibra, Gera e Toptani, disa ditë pas emërimit të tyre, unë i takova këta zotërinj dhe ata më pritën në mënyrë shumë të përzemërt. Në veçanti Gera ka qenë shumë i përzemërt me mua dhe me Ambasadën…! Gera ka qenë Ministër Financash në kabinetin e Mehdi Frashërit në 1935-1936, që me përjashtim të Kryeministrit, ishte i përbërë nga të rinj të cilësuar progresistë. Ai është vetëm 37 vjeç dhe ka marrë një arsimim të shkëlqyer në financë dhe ekonomi, në Universitetin e Vjenës. Gjithashtu për Gerën ka një opinion të përgjithshëm se ai nuk ka asnjë lloj lidhjeje me Italinë…”.

Për këtë moment ndryshimi në kabinetin Kota shkruan 150 Hugh G. Grant-Smith në librin e tij “Entstehung und Ausbau der Koningsdiktatur in Albanian, 1912-1939”: “…Në këtë ndryshim të vogël është për t’u theksuar se ish ministri i Financave në kabinetin Frashëri; Rrok Gera, u kthye përsëri në qeveri. Emërimi i tij nuk ishte sipas shijes së italianëve…! Me këtë ndryshim mori fund edhe diskutimi për një bashkim doganor (mes Italisë dhe Shqipërisë – Shën. im, A.P.).” Në të njëjtën linjë shprehej edhe Banka e Anglisë, e cila në një artikull të saj, e cilësonte emërimin e Rrok Gerës në krye të Ministrisë së Ekonomisë Kombëtare, si “një ndryshim politik domethënës”, që vinte në krye të ekonomisë shqiptare një përfaqësues të shkollës së re, me një qëndrim ndryshe kundrejt qëllimeve të Romës.

Edhe shtypi i vendit ishte i fokusuar ne ndryshimet në qeveri. Gazeta “Drita”, në numrat e saj të datave 3-4 qershor 1938, përcillte te lexuesit momentet e para të fillimit të detyrës për ministrin e Arsimit, Dibra, dhe ministrin e Ekonomisë Kombëtare, Gera: “…Ministrat e rinj: z. Ministër i arsimit, Abdurrahman Dibra dhe z. Ministër i Ekonomisë Kombëtare, z. Rrok Gera, shkuan sot në mëngjes në Durrës, për të bërë betimin e duhur para Lart Madhnisë Mbretit dhe sapo të kthehen q’andej, do të fillojnë detyrën e re (3 qershor). …Ministrat e rinj filluan nga detyra pasi morën urimet e shumta.” (4 qershor).

Në numrin e saj të 6 qershorit 1938, gazeta “Java”, jepte nga një biografi të shkurtër të ministrave të rinj. Në pjesën e komentit për Gerën, gazeta shkruante me shumë pozitivitet për të: …“Z. Rrok Gera është një nga të rinjtë intelektualë që çmohen në vendin t‘onë. Studjonjës i thellë, me besim të pakufizuar në vet-vehte. Detyrat e nalta që i janë ngarkuar gjer më sot, i ka kryer me një ndërgjegje të plotë dhe u ka shërbyer verbërisht vetëm interesave të vendit“.

Me ardhjen e tij në krye të dikasterit të ekonomisë kombëtare, Gera u drejtohej gjithë strukturave në varësi të Ministrisë, me telegramin-qarkor të datës 03.06.1938, me numër protokolli 2555, në të cilin shkruante: “…Naltmadhnia e Tij Mbreti, denjoi me na ngarkue drejtimin e Dikasterit t’Ekonomisë Kombëtare. Presim prej Jush që të vazhdoni me nder e ndërgjegje në detyrë e të kontribuoni me punën e zotësinë Tuej për me plotësue çka Mbreti e Atdheu presin prej nesh bashkë me Ju. Do të na vinte shumë keq në kjoftë se për neglizhencë, mungesë zotësie o tjetër shkak të papajtueshëm me parimet themelore të Shtetit, bashkëpunimi i jonë të pësonte ndonjë tronditje. Ministri: Rrok Gera”. Memorie.al

                                                     Vijon numrin e ardhshëm

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/ministri-rrok-gera-u-tregua-shume-i-perzemert-me-mua-ai-ka-nje-arsimim-te-shkelqyer-ne-finance-dhe-ekonomi-ne-universitetin-e-vjenes-relacioni-i-ambasadorit-te-shba-ve-ne/