“Me popullsinë e saj 90% shqiptare dhe ekonominë e shkatërruar, Kosova duhet të ishte një barrë për Serbinë, megjithatë, demokratët më të moderuar serbë…”/ Libri i ri i studjuesit dhe diplomatit Bashkim Trenova

Nga Bashkim Trenova    

                         MITE-MISTICIZËM, VIKTIMOMANI, RACIZËM DHE SERBONOSTALGJI

                                                 SHQIPTARËT SIPAS SERBËVE 

                                    (KRIZA LINDORE DHE LUFTËRAT BALLKANIKE)

Memorie.al / “Serbët rrjedhin nga sllavët, një numër i madh tribushë që i dhanë jetë popujve sllavë. Mbi origjinat e historisë së sllavëve njohuritë janë modeste dhe jo aq të qarta. Emri i tyre del për herë të parë në shekullin VI pas J. K., kur shkrimtarë bizantinë fillojnë të flasin për sllavët….”! (Dushan Batakoviç, Milan St. Protiç, Nikola Samarxhiç, Aleksandër Fotiç. Histori e Popullit Serb. L’Age d’Homme. Lausanne. 2005. Fq. 3.)

                                                Vijon nga numri i kaluar

                                                            ****

Dubravka Stojanoviçhistoriane në Institutin e Historisë së Re të Serbisë, jep mësim në Departamentin e Historisë së Përgjithshme Bashkëkohore, Departamenti i Historisë, Fakulteti Filozofik në Beograd:

Humbja është çelësi i homogjenizimit të kombit. Kjo disfatë dhe viktimat janë të rëndësishme, sepse me më të dobëtit krijohet ndjeshmëri. Viktima ka çdo të drejtë paraprakisht.

Nuk bëhet fjalë për përballimin e disfatës së vitit 1999, por të 1389. Ne nuk e kemi përballur atë dhe, nëse nuk e përballim, duhet të pushojmë së rënkuari. Ne jetojmë në vitin e ngrirë 1389 dhe kjo kohë nuk kalon. Kjo kohë nuk ka dinamikë, ajo qëndron dhe ne qëndrojmë në atë kohë. Nëse do të pranonim humbjen e vitit 1389, do të pajtoheshim që historia nuk është e mbyllur, se ajo është dinamike, se disa njerëz janë përgjegjës për të. Le ta mbajnë ata  përgjegjësinë. Kosova e ngrirë shërben për t’u siguruar që ne nuk shohim, nuk kuptojmë apo nuk dëgjojmë gjë prej gjëje. Prandaj nuk e duam shkrirjen. (1)

1 – Dragisha Lapçeviç. Radniçke novine. 10. 2. 1914.

Gjatë gjithë historisë shumë intelektualë serbë kanë propozuar projekte të ndryshme antishqiptare, ku janë shquar Jovan Cvijiç, Vaso Çubriloviç, Ivo Andriç, Vukotiç, Stevan Moljeviç dhe të tjerë.

Fillimet e propagandës antishqiptare në Serbi datojnë që nga fundi i shekullit të 19-të dhe janë të lidhura me aspiratat e shtetit serb ndaj territoreve të Perandorisë Otomane, të cilat banoheshin nga shqiptarët.

Pas luftës serbo-turke dhe zgjerimit territorial të Principatës së Serbisë në vitin 1878, ndodhin dëbime masive me dhunë të shqiptarëve etnikë nga rajonet e pushtuara (kryesisht nga rrethi i Toplicës, dikur i banuar me shqiptarë) dhe djegie të fshatrave shqiptare dhe pjesë të qyteteve. Edhe pse shumë personalitete serbe atëherë kanë kundërshtuar dëbimin e popullsisë shqiptare, kryeministri serb Milan Piroanac me këtë rast ka deklaruar: “Nëse do t’i lejonim të qëndrojnë këtu, do të na krijonin probleme”.

Rritja e mëtejshme e ndjenjave antishqiptare lidhet me pretendimet e politikës së jashtme të Principatës së Serbisë (të parashtruara në Naçertanije) në Kosovë, në Maqedoninë perëndimore dhe në veri të Shqipërisë, të cilat janë të banuara nga popullsia myslimane shqiptare. Autorët serbë i përshkruajnë shqiptarët si banditë dhe uzurpatorë, duke theksuar krimet e tyre kundër serbëve gjatë periudhës osmane. Popullsinë shqiptare në Sanxhakun e Novi Pazarit, në Kosovë dhe në Maqedoni ata e paraqesin si lumë vërshues i dalë nga shtrati. (2).

1 – Dubravka Stojanoviç. Kosovski mit zamerzavana Srbiju u dalekoj istoriji.(Miti i Kosovës ngrin Serbinë në historinë e largët). Zëri i Amerikës. 20. 06. 2018.

2 – Dubravka Stojanoviq. Gazeta Express, 27. 08. 2020.

Sikurse ka shkruar Amos Oz, ne asistojmë në “kampionatin botëror të viktimave”, sepse vendi i nderit i “viktimës më të madhe” sjell një përfitim moral dhe përbën një armë të përjetshme kundër armikut, aq më tepër kur e përmend pa pushim këtë armik, që nuk ka shlyer borxhin e tij të vërtetë simbolik. Për më tepër, nëse “viktimat” kryejnë krime në të tashmen apo në të ardhmen, veprimet e tyre mund të përligjen me vuajtjet e tyre në të kaluarën. Kështu këto veprime trajtohen me më shumë tolerance.

Duke paraqitur imazhin e të qenit të jashtëzakonshëm, krijohet ideja e superioritetit të kombit tënd dhe e një misioni të rëndësishëm, me të cilin ai është ngarkuar, pastaj ideja e përpjekjeve veçanërisht të vështira me të cilat ai është përballur, dhe me sfidat, të cilave popujt e tjerë nuk kanë mundur t’u bëjnë ballë. Imazhi i viktimave, i padrejtësisë dhe i aftësive të veçanta për të kapërcyer të gjitha fatkeqësitë, përsëritet kështu pa ndërprerje. Një vështrim i tillë i historisë përjashton një qasje krahasuese, që do të vinte në pikëpyetje këtë imazh me specifikën e tij.

Përdorimi i metaforave biblike është një tjetër pikë veçanërisht e rëndësishme në shikimin e dhënë mbi Luftën I Botërore. Kështu, kalimi nëpër Shqipëri i ushtrisë serbe dhe ofensiva në Frontin e Selanikut përmenden pothuajse gjithnjë në letërsi si dhe në manuale si “Golgota dhe rilindja e Serbisë”. Ky cilësim është edhe titulli i një numri të madh librash të botuar në vitet 1980.

Metaforat biblike kanë për objektiv përforcimin e ndërgjegjes historike dhe kombëtare, duke farkëtuar imazhin e një kombi martir, të ndryshëm nga gjithë të tjerët, të qëndrueshëm përballë çdo tentative të fuqishme dhe që rijeton pa ndërprerje fatin e Krishtit. Këto anë të përbashkëta tregojnë se, në një rrëfim të karakterit mitik nuk është suksesi i rëndomtë që kurorëzon një fushatë ushtarake, por është pikërisht vdekja ajo që e hyjnizon dhe që i jep një karakter të thellë. Në idenë sipas të cilës nuk ka ringjallje pa vdekje, është në fakt vdekja që ajo që zë vendin qendror.

Përbërësja mitike thelbësore, që mund të gjendet në rrëfimet për Luftën e I-rë Botërore, është ajo e popullit bujar, që sakrifikohet për të tjerët, me qëllim që t’i çlirojë, por kjo sakrificë nuk i është njohur dhe as është çmuar me vlerën e saj të vërtetë. Nga këtu rrjedh idea kyç, ajo e padrejtësisë. Sakrifica meqë nuk është kuptuar dhe nuk është shpërblyer kurrë me mirënjohjen e madhe të pritur, merr kështu një tjetër kuptim. Ky është mekanizmi i përsosur për të krijuar ndjenjën e të qenit i tradhtuar, e humbjes së besimit tek popujt fqinjë, që përbënin Jugosllavinë, e zhgënjimit si pasojë e “dashurisë që s’i jepet dashuri”, si edhe ndjenja e padrejtësisë që bart në vetvete farën e qëndresës dhe të hakmarrjes.

Miti tjetër është ai i armikut, sepse të ndërtosh imazhin e vërtetë të një kombi nuk është e mundur ndryshe, por vetëm nëpërmjet imazhit, që ai krijon për armikun. (1)

Menjëherë pas fillimit të Luftës së Parë Ballkanike në vitin 1912, ushtria serbe hyri me shpejtësi në territorin e Kosovës. Kur u nënshkrua paqja, rajoni u bë pjesë e Serbisë, si dhe Sanxhaku dhe Maqedonia. Gazetat e kohës ishin plot me shpërthime patriotike, duke deklaruar se hakmarrja për Kosovën ishte kryer, se premtimi i Lazarit ishte mbajtur, se shteti mesjetar serb ishte ringjallur. Në këtë moment, edhe Jovan Skerliçin, zakonisht cinik, e përfshiu vala patriotike. Gjithçka ishte e  ngazëllyer dhe patriotike derisa lindi pyetja se çfarë qeverisjeje do të vendosej për Kosovën: pra një pyetje e ngjashme me atë që edhe sot nuk ka përgjigje.

Nga viti 1913, kjo pyetje mori si përgjigje atë që njihet me emrin “mbarë shtrimi i territoreve të reja”. Partia Radikale në pushtet, e udhëhequr nga Nikola Pashiçi, argumentoi se atje duhej të vendosej një regjim i veçantë ushtarak dhe policor. Gjatë debatit parlamentar dhe publik zyrtarët e qeverisë këmbëngulën se banorët e këtyre territoreve nuk ishin të qytetëruar në mënyrë të mjaftueshme, se nuk ishin mjaft të pjekur politikisht dhe se kushtetuta demokratike serbe nuk mund të shtrihej në këto troje, sepse banorët e tyre nuk do të dinin çfarë të bënin me të drejtat që u jep ajo.

1 – Dubravka Stojanoviç. La mémoire de la Première Guerre mondiale comme matrice de l’identité serbe. (Kujtesa e Luftës së Parë botërore si mitër e identitetit serb). Les Cahiers Irice 2015/1 (nr.13). Fq. 129-144.   

Deputetët shqetësoheshin se çfarë do të ndodhte nëse banorët e “territoreve të reja” do të kishin të drejta të barabarta votimi, si do të ndikonte kjo në ekuilibrin politik brenda vetë Serbisë, çfarë do të ndodhte në marrëdhëniet e vendosura midis partive dhe nëse puna mund të shkonte deri te rrëzimi i qeverisë. I pyetur nga opozita parlamentare për qëllimin e qeverisë për t’u konsultuar me banorët e “territoreve të reja” për formën e qeverisjes që do të vendosej, [radikali kryesor] Stojan Protiç u përgjigj: “Ne nuk u konsultuam me ta as për çlirimin e tyre, prandaj vëllezërit tanë, me siguri, do të na lejojnë që t’i qeverisim për pesë ose gjashtë vjet në atë mënyrë që ne e  mendojmë si më të mirë. Nuk ndihemi të detyruar t’i pyesim se si duhet të qeverisen, sepse ne e dimë më mirë se ata, sepse jemi më të rritur dhe më të pjekur”.

Kjo pyetje i ndau palët në atë kohë. Partia Progresive, edhe pse konservatore, kërkoi që kushtetuta të shtrihej shpejt në tokat e aneksuara dhe mbrojti thirrjen e një Asambleje të Madhe, në të cilën do të bëhej një rishikim i Kushtetutës së vitit 1903. Deputetët e saj argumentuan se demokracia serbe po vihej në provë dhe se serbët duhet të mbeten kundërshtarë të palëkundur të çdo ndarjeje në raca më të larta dhe më të ulëta (pasojat e së cilës ata vetë i kishin vuajtur).

Në kundërshtim me qeverinë, Partia Radikale e Pavarur shkruante në atë kohë në gazetën e saj Odjek [Echo]: “Radikalët kanë shpallur se gjysma e Serbisë [e re] është pashallëku i tyre. Përmes ministrit të tyre të Brendshëm ata shpallën se gjysma e Serbisë nuk është Serbi dhe në territorin, që ata e konsiderojnë se nuk është serb, vendosën një regjim sipas dëshirës së tyre.” Socialdemokratët kanë qenë më të zëshmit.

Ata shkruan në Radniçke novine [Lajmet e Punëtorëve]: “Kushtetutës së Turqisë mund t’i bëhen lloj-lloj kritikash, por një gjë është e sigurt: duke hyrë në këto troje, Serbia nuk duhet thjesht të largohet prej saj, por të marshojë përpara – shpejt, duke zëvendësuar kushtetutën e kufizuar dhe të rreme turke me një të vërtetë, duke e shndërruar autonominë komunale patriarkale dhe primitive në një qeveri autonome dhe duke i dhënë popullatës mundësinë që të ndihet realisht në Europë dhe jo ta trajtojë atë si një popull të pushtuar. Duke iu përgjigjur analogjisë së qeverisë midis demokracisë dhe notit, dhe argumentit se popullsia e “territoreve të reja” nuk dinte ende të notonte, socialdemokratët u përgjigjën: “A mund të mësojë një fëmijë ndonjëherë të notojë, nëse nuk futet kurrë në ujë”?

Prandaj mendoj se Kosova ka qenë e “humbur” para se të “fitohej”. Ajo u “humb” për shkak të mënyrës se si e shihnin serbët, për shkak të vendit të saj në ideologjinë mitike kombëtare dhe për shkak të paaftësisë së elitave në pushtet për të pranuar dhe kuptuar realitetin. Ndërsa kërkonin të “çlironin dhe bashkonin popullin serb” dhe të krijonin një shtet të madh kombëtar, politikanët serbë u treguan të paaftë për të qeverisur tokat e aneksuara në një mënyrë që do të frymëzonte banorët e rinj që ta pranonin shtetin e ri si të tyrin. Kjo ishte e vërtetë për Serbinë e zgjeruar më 1913 si dhe për të gjitha Jugosllavitë e mëvonshme. Qëndrimi i tyre ndaj “tjetrit” përjashtonte tolerancën dhe barazinë. (1)

                                                                         ****

Dushan Popoviç – gazetar, publicist dhe politikan social-demokrat:

Nuk është për tu çuditur shumë, në fund të fundit, me instiktet e shëmtuara të masës sonë fshatare, për shkollimin dhe qytetërimin e së cilës ky shtet nuk është interesuar kurrë, nuk duhet të habitemi as me horizontin e ngushtë e të vajtueshëm politik e shpirtëror të komandantëve tanë ushtarakë, të cilët janë edukuar në mënyrë të tillë që vrasjen gjakftohtë, kriminale të dhjetëra e qindra shqiptarëve, të grave dhe fëmijëve të tyre, ta quajnë si një heroizëm të trimave të tragjedive. Nuk duhet të revoltohemi shumë as me opinionin publik borgjez, që jep viston për të gjitha këto krime, të cilat, për më tepër, hapin oreksin për zhdukjen e shqiptarëve dhe të familjeve të tyre, pasi përfaqësuesit e këtij opinioni publik janë njerëzit që nuk ngurruan që me fushatë gazetarie e shantazhe të përpunojnë familjet e bashkëqytetarëve të tyre.

Nuk duhet të çuditemi për të gjitha këto, pasi parullën për një kuptim të tillë dhe një politikë të tillë e  hedhin ata që qëndrojnë në shkallët më të larta shoqërore e politike në Serbi, dhe pasi njëfarë z. Stojan Protiç ( Ballkanikus), përfaqësues i ideve demokratike  dhe kampion i parlamentarizmit anglez në Serbi, duke iu referuar për pohimet e tij “shkencore”  aventurierëve europianë, që e kanë urryer Shqipërinë ndofta sepse aty nuk kanë patur mundësi për ndonjë biznes, ka kurajon që, në formën e një diskutimi objektiv shkencor, të dëshmojë para gjithë botës se shqiptarët nuk kanë të drejtë  për pavarësi kombëtare dhe as shtetërore, se ata janë pothuaj gjysmë njerëz, që nuk kanë të drejtë  të jenë anëtarë të familjes së madhe njerëzore. (1)

1 – Dubravka Stojanoviç. Kosovo-le mythe ultime. (Kosova-miti i fundit). Peščanik.net, 19. 07. 2008.

 

Edhe një arsye tjetër po kaq e rëndësishme, për mendimin tim, duhet të nxisë shokun Tucoviç, që me këtë çështje të dalë para opinionit europian. Arsyeja është: Nuk është fjala vetëm te protesta e proletariatit serb kundër politikës shqiptare të borgjezisë sonë, por duhet shpëtuar edhe autoriteti i popullit serb përpara botës së kulturuar e demokratike të Europës, autoritet të cilit Ballkanikus dhe dr.Vlladan i kanë dhënë një goditje të rëndë, duke dalë me broshurat e tyre para opinionit europian.

Teoria e tyre barbare për shqiptarët është një refleks besnik i asaj praktike barbare, që ka ndjekur ushtria jonë në Shqipëri.  Dhe nuk duhet të lejojmë që këta njerëz të pasqaruar të krijojnë përshtypjen se teoritë kanibalë të Ballkanikusit dhe të Vlladanit janë shprehje e mendimit dhe ndjenjave të të gjithë popullit serb. Duhet treguar se në Serbi ka njerëz, ka shumë njerëz, që mendojnë krejt ndryshe nga ata dhe se në ballë të tyre qëndron proletariati, qëndron Demokracia sociale. (2)

1 – Dushan Popoviç. Borba, 16. 10. 1913.

2 – Dushan Popoviç. Borba. 16. 02. 1914.

E mjera Shqipëri…! Rrallë herë mund të gjendet ndonjë komb që t’i jenë krijuar kaq shumë pengesa e vështirësi që në hapat e para të jetës së vet të pavarur dhe të organizimit politik. Populli shqiptar tregon një qëndresë, këmbëngulje dhe aftësi të tillë, që e shtangin njeriun. Nuk është e lehtë t’i rezistosh e të përballosh dyndjen barbare të 3 shteteve njëkohësisht: serbe, malazeze e greke. (1)

                                                             ****

Dushan Lj. Kashiçrektor i Seminarit Teologjik St. Sava dhe profesor i Fakultetit Teologjik:

Sllavët kanë populluar vendbanimet e tyre të reja në Gadishullin Ballkanik dhe Alpet Lindore pas luftërave të ashpra, shkatërrimtare e grabitqare. Si pasojë, një pjesë e madhe e popullsisë së mbetur autoktone trake, ilire dhe romane ose emigroi, ose u tërhoq nga zonat fushore dhe të punuara për t’u vendosur në male, ku filloi të merret me jetë gjysmë nomade e me blegtori.

Nga ilirët e paromanizuar sllavizimit i bënë ballë vetëm shqiptarët. Gjithashtu, gjatë dyndjeve sllave, ata u tërhoqën nëpër male, por më vonë i spostuan sllavët nga zonat fushore dhe gradualisht krijuan territorin e tyre kombëtar. (2)

                                                                       ****

Helene Despiç-Popoviç Gazetare në Libération, specialiste për Ballkanin, ish Bashkimin Sovjetik dhe Europën Lindore:

Me popullsinë e saj 90% shqiptare dhe ekonominë e shkatërruar Kosova duhet të ishte një barrë për Serbinë. Megjithatë, edhe demokratët më të moderuar serbë nuk pranojnë ta marrin në konsideratë idenë e pavarësisë së kësaj krahine. Për serbët

1 – Dushan Popoviç. Borba, 1. 05. 1914.

2 – Dushan Lj. Kashiç. Istorija srpske crkve za narodnom istorijom. (Historia e kishës serbe për historinë popullore). Beograd 1967.

Kosova, djepi i historisë së tyre, është para së gjithash një mit. Ai i epokës së artë të humbur dhe të gjetur sërish pas pesë shekujsh nën zgjedhën e Perandorisë Osmane.

1389: Fitorja turke ose humbja e unitetit serb. Mbretëria mesjetare serbe e Nemaniçëve arriti kulmin e saj në shekullin e 14-të, nën udhëheqjen e Stefan Dushanit, i kurorëzuar perandor në vitin 1346. Perandoria e tij, zemra e së cilës ishte në Kosovë, shtrihej deri në Maqedoni dhe Greqi. Pas vdekjes së tij, ajo u nda në principata të shumta. Në qershor të vitit 1389, shteti mesjetar serb u mund nga turqit në Fushë Kosovë, fjalë për fjalë “fusha e mëllenjave”.

Beteja është e përmasave të papara. Vriten prijësi i ushtrisë serbe, princi Lazar dhe sulltani turk Murat. Osmanët bëhen zotër të Ballkanit. Të përçarë, gjysmë të vasalizuar, feudalët serbë bënë vetëm një qëndresë sporadike dhe Beogradi u kthye një shekull e gjysmë më pas në kohë. Nga disfata e Fushë Kosovës serbët do të ruajnë vetëm një mit, të ruajtur me kujdes nga Kisha: atë të bashkimit që duhet ribërë me çdo kusht, atë të kujtimit të vuajtjeve. Nga Nemaniçët do të mbeten një varg manastiresh të mëdha të shpërndara në Kosovë rreth Patriarkanës së Pejës.

Nga Kosova lind edhe një mit tjetër serb, madje më keq, një obsesion i vërtetë, ai i migrimeve. Gjatë përparimit të trupave austriake kundër forcave osmane, serbët e Kosovës ngritën krye. Por austriakëve iu desh të luftonin duke u tërhequr në vitin 1690. Ata u ndoqën nga Patriarku i Pejës dhe 37.000 familje serbe, që gjetën strehim në Vojvodinën e sotme.

1918: Rikolonizimi serb. Pas themelimit të Jugosllavisë në vitin 1918 monarkia serbe do të ketë vetëm një obsesion: të rivendosë ekuilibrin etnik dhe demografik të prishur nga shpërnguljet e mëdha në dëm të serbëve. Tokat u jepen me përparësi ushtarëve të merituar serbë të thirrur për të rikolonizuar “tokën e shenjtë”. Bashkë me turqit për në Turqi largohen edhe shumë shqiptarë. (1)

1 – Helene Despiç-Popoviç. Serbes et Albanais revendiquent l’héritage du Kosovo. Depuis le Moyen-Age, une terre écartelée entre deux rêves. (Serbët dhe shqiptarët pretendojnë trashëgiminë e Kosovës. Që në mesjetë, një tokë e ndarë mes dy ëndrrave).  Libération. 10 mars 1998.

                                                                        ****

Ivan Çoloviçetnolog dhe antropolog politik:

Së fundi, një grup autorësh të vetëshpallur specialistë të prehistorisë serbe, ishte shumë aktiv në Serbi në vitet 1990. Për t’i dhënë status të respektueshëm shkrimeve të tyre ata e quanin veten “Shkolla Autoktoniste Serbe” (Srpska autohtonistička škola). Produkti më i njohur i kësaj “shkolle” është vepra e madhe e Olga Lukoviç-Pjanoviçit me titull “Serbët, njerëzit më të vjetër”.

Siç tregon edhe titulli, ambicia e kësaj vepre nuk kufizohet në demonstrimin e lashtësisë së serbëve në Ballkan, por shkon deri në pretendimin për të vërtetuar se serbët janë populli më i vjetër në botë, një popull autokton në kuptimin planetar, pra absolut. Në këtë kontekst, autorëve shqiptarë apo autorëve të tjerë, që pretendojnë prejardhjen ilire të popujve të tyre, u kërkohet – për shembull në veprat e historianit serb Relja Novakoviç – të pranojnë “provat shkencore”, që tregojnë se emri “ilirian” ishte në lashtësi vetëm një emër alternativ, vetëm një sinonim i emrit “serb”!

Sot, për shembull, historitë që flasin për varret si shënues simbolikë të “kufijve natyrorë” të një kombi, si dhe histori me origjinë parahistorike, nuk pranohen nga shkencëtarët dhe politikanët seriozë. Megjithatë, pranohen forma të tjera të këtyre rrëfimeve, tregime në të cilat lidhja e njerëzve me një territor nuk shprehet më me imazhe vdekjeje dhe gjaku, por më tepër në regjistra formulash më pak dramatike, ku lidhja e një populli me “tokën e tij” shprehet në termat e një aspirate për identitet kulturor, madje edhe shpirtëror, në çdo rast si çështje e të drejtave të njeriut. (1)

Dhe serbët e tjerë duhet të kontrollojnë ndjenjat e tyre raciste, të përcaktojnë se cilit lloj racor i përkasin dhe të mendojnë me kujdes përpara se të vendosin të hyjnë në një martesë të përzier racore. Kur Serbia të vijë në vetëvete nga kjo anë, pra kur të pastrohet racialisht, mund të jetë, ndoshta, shumë vonë. (1)

1 -Ivan Çoloviç. Les mythes de l’autochtonie dans les pays ex-yougoslaves. (Mitet e autoktonisë në vendet ish-jugosllave). Open Edition Books. Ecole française d’Athènes. Fq. 369-377.             

                                                                  ****

Ives Tomiçhistorian, specialist i Historisë së ish-Jugosllavisë:

Në 1389 në Fushë Kosovë ushtritë e Sulltanit ndeshen me trupat e krishtera, kryesisht serbe, por jo vetëm serbe, sepse në betejë morën pjesë edhe feudalë shqiptarë dhe boshnjakë, ideja se një komb mund të shembet historikisht nuk u shpik nga historianët. Në këto kohë ndryshimesh të shpejta ne mund të mbijetojmë biologjikisht, por edhe të bëhemi historikisht të parëndësishëm. Ne mund të kërcënojmë amerikanët dhe të flirtojmë me Rusinë, të themi se Europa është e kalbur dhe e sëmurë, por pyetja themelore është se çfarë mund të bëjmë nga brenda, dhe këtu mendoj se të gjithë duhet të angazhohen. (2)

                                                                 ****

Kosta Novakoviç – një nga më të shquarit në politikën e majtë serbe të shekullit të 20-të, redaktor i gazetave të majta Radniçke novine, Radnik dhe Borba:

Në luftën ballkano-turke 1912-1913 në fillim isha kapter rezervist e më pas toger. Midis ushtarëve përhapja propagandën socialiste.Në korrespondencat nga Shqipëria (gjatë ekspeditës së ushtrisë serbe kundër Shqipërisë), të botuara në gazetën Radniçke novine dhe në revistën Borba, kam demaskuar politikën imperialiste serbomadhe. (3)

                                                                ****

Latinka Perovic historiane dhe politikane, kritike e nacionalizmit serb:

Nëse flasim për territore, atëherë duhet ta dini se ky territor u bë pjesë e Serbisë në vitin 1912, një shekull më parë, dhe gjatë gjithë kësaj periudhe, për të cilën kolegia ime e re Dubravka Stojanoviç shkruan gjëra shumë të mira, ju keni ushtruar dhunë të vazhdueshme në Kosovë. Ju keni ndërmarrë përpjekje të pasuksesshme kolonizimi në Jugosllavinë e parë, dhe në Jugosllavinë e dytë keni vendosur një administratë ushtarake në Kosovë.

1 – Ivan Çoloviç: Pobeda jaceg demokrate.(Fitorja e demokratit më të fortë). Radio Peščanik,

23 .03. 2007.

2 – Ives Tomiç. La Serbie du prince Milos à Milosevic. (Serbia nga princi Milosh deri tek Milosheviçi). Collection “Europe plurielle”. Nr.27. Fq.15.

3 – Kosta Novakoviç. Autobiografia. Čačanski glasnik. (Lajmëtari i Çaçakut). Çaçak. 1966.

Një nga historianët më të mëdhenj anglezë ka shkruar – askush nuk do ta mohojë që beteja e Kosovës u zhvillua në vitin përkatës, se ajo është pjesë e një miti, e ndërgjegjes historike, por ju duhet të keni parasysh faktin se në këtë territor jetojnë dy milionë shqiptar.

                                                                           ****

Lazar Stojanoviç regjisor, gazetar, veprimtar kundër luftës dhe një nga disidentët kulturorë më të shquar të ish Jugosllavisë:

Po ju shkruaj në lidhje me deklaratën tuaj, sipas së cilës organizatat që e njohin Kosovën, duhet të ndalohen. Unë nuk jam organizatë, por jo vetëm që e mbështes pavarësinë e Kosovës, por kam punuar aktivisht dhe hapur me aq sa kam mundur që nga viti 1972. E kam parë thelbin e fshehur kolonial të këtij problemi ndërsa, si disident, jam burgosur me shqiptarë të dënuar në mënyrë drastike për organizimin e qëndresës ndaj pushtimit serb të Kosovës, e cila zgjati nga viti 1912 deri më 17 shkurt të këtij viti.

Pushtimi i vitit 1912 u njoh me dëshirë dhe lehtësi nga Europa, sepse ishte dobësimi dhe copëtimi i Turqisë së mundur, dhe shteti i Shqipërisë nuk ekzistonte atëherë, kufijtë e tij u përcaktuan vetëm në 1913. Dy kolonizime të dështuara, në 1913 dhe 1919, dëshmojnë se Kosova ishte vetëm një koloni, e vonuar dhe e pasuksesshme, natyrisht. Kosova ishte e vetmja koloni në Europë. Kjo është arsyeja pse është një rast i veçantë në politikën moderne botërore. Europa sapo ka ndrequr gabimin e saj të vitit 1912. Pyetini pak shqiptarët për ato nëntëdhjetë e gjashtë vite shtypjeje koloniale, ata dinë më mirë se ju.

1 – Latinka Peroviç: Pobeda jaceg demokrate. (La victoire du démocrate le plus fort – Fitorja e demokratit më të fortë). Radio Peščanik, 23 .03. 2007.

2 – Latinka Peroviç. Confronting the past. (Të përballosh të kaluarën.) Peščanik.net.28. 06. 2009.

Për nevojat e betejave të reja të Kosovës, SANU dhe Kisha Ortodokse Serbe kanë ringjallur mitin perandorak të Kosovës. (1) Memorie.al

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/me-popullsine-e-saj-90-shqiptare-dhe-ekonomine-e-shkaterruar-kosova-duhet-te-ishte-nje-barre-per-serbine-megjithate-demokratet-me-te-moderuar-serbe-libri-i-ri-i-studjuesit-dhe/