“Më 25 Prill 1980, aty ku punoja erdhi “Gaz”-i i Degës me gjashtë veta, oficerë e policë dhe shefi i Sigurimit, Kosta Ndini, më pyeti: Ti je nipi i Mustafa Krujës….”? / Dëshmitë e rralla të Eugjen Merlikës

Nga Eugjen Merlika

Pjesa e tretë

                                                            Një jetë nën diktaturë

                                                   Kujtime të një “armiku të klasës” 

                                                        Vijon nga numri i kaluar

Memorie.al/ Vite më vonë, çuditërisht, më ra në dorë një letër e gjyshes sime nga Italia. Ajo tregonte se si ishte munduar me të gjitha mënyrat, duke përdorur gjithë njohjet e saj në instancat e larta të Shtetit italian e të organizmave ndërkombëtare, për të më tërhequr atje për të vazhduar studimet, por pa rezultat. Mbas shumë përpjekjesh, një gazetar francez i ishte afruar dhe e kishte pyetur: “Zonjë, ju kam parë shpesh në këto zyra, çfarë halli keni”?! Gjyshja i kishte shpjeguar rastin tim. Përgjigja e tij kishte qenë: “Më vjen shumë keq, në çfarëdo vendi të Botës do të kisha patur mundësi t’ju ndihmoja, vetëm në Shqipëri nuk mundem. Atje s’ka asnjë mundësi komunikimi. Mos u lodhni kot”.

Ikja ime nga shkolla bëri shumë përshtypje tek bashkënxënësit dhe mësuesit e mi. Të gjithë ata shkuan tek xhaxhai në shtëpi, për të shprehur keqardhjen e tyre. Ju jam tepër mirënjohës atyre të gjithëve për gjestin bujar e të guximshëm, që shprehte pa mëdyshje një formë proteste karshi dhunës së verbër të regjimit që godiste pa mëshirë. Ata nuk e njihnin atë, por vendimi i largimit tim për ta ishte i papranueshëm, në raport me sjelljen time karshi tyre.

Tani më duhej të ballafaqohesha me punën e krahut. Isha i dobët nga trupi, por vullneti nuk më mungonte. Babai punonte në ofiçinën e fermës si tornitor. Puna e tij e ndershme dhe cilësore vlerësohej nga eprorët e tij, nëpërmjet të cilëve munda të gjej një vend pune në Investimin e Fermës si punëtor ndërtimi, për të mos qenë punëtor bujqësie. Aty kisha shokët e mi, moshatarë ose më të rritur, me të cilët na bashkonte rruga e gjatë e vuajtjeve të përbashkëta, privacionet, dëshirat e pa-sendërtuara, miqësia e sinqertë…!

Mbas disa muajsh, së bashku me prindërit, un shkova përsëri në sektorin e Plukut, gjithmonë familjarisht në gjendje internimi. Tashmë jeta kishte pak ndryshime; ditët, muajt, vitet kalonin të njëjtë. Format e luftës së klasave, që peshonin mbi ne, ishin nga më të ndryshmet. Ato shfaqeshin dhe në banesën e pamjaftueshme, gjë që nuk u zgjidh kurrë në jetën time dyzeteshtatë vjeçare. Kam jetuar gjithmonë në kasolle të ndërtuara vetë me kallama e baltë. Kam fjetur tre vjet në dhomën e beqarëve, mbasi kishim vetëm një dhomë, në të cilën flinin prindërit, hanim, rrinim, prisnim ndonjë mik të rrallë që kujtohej të vinte. Një tjetër formë ishte veçimi, trysnia mbi ata që na rrethonin për të mos marrë e dhënë me ne, një racizëm para të cilit Soveto nuk vlen për t’u përmendur. Sa e sa njerëz paguheshin për të “vigjëluar” jetën tonë, kush vinte, kush na fliste, kush na përshëndeste, kush na bënte ndonjë të mirë.

T’a  ndjesh veten të huaj në vendin tënd, pa i bërë të keqe askujt, është një gjendje që nuk ja uroj asnjërit në botë. E tillë ishte gjendja jonë që zvarritej kështu me dhjetëra vite, me batica e zbatica, si mbas tekave të “Zeusit”. Dallimi, urrejtja, pabesia mbilleshin e kultivoheshin në të gjitha drejtimet, kudo, në rrethin shoqëror, por dhe në farefisni, brenda familjes, deri në ndërhyrjet në marrëdhëniet dashurore. Ne nuk kishim të drejtën të dashuronim vajza me tjetër origjinë shoqërore e as të mendonim të lidhnim jetën me to. “Aristokracia” komuniste e pushkës, kishte huajtur nga simotrat e saj të shpatës mendësinë e ruajtjes së kastës nga përzierja e gjakut. Rastet e pakta të thyerjes së këtij ligji “madhor” të Enver Hoxhës, kishin pasojat e tyre me shkëputjen përgjithmonë të prindërve nga fëmijët. Sa tragjedi të heshtura ka shkaktuar në Vendin tonë kjo mënyrë veprimi, sa plagë ende të pambyllura në shpirtrat e djemve e vajzave që shihnin dhunën e regjimit të diktonte, nëpërmjet trysnisë së saj, ligjet e zemrës…!

Mbas dy vitesh internimi, papritmas, m’u hoq kjo masë. Kur m’u komunikua zyrtarisht kjo gjë, emrit tim i ishte shtuar një “i” mbrapa, që i ndryshonte seksin. Ndofta ndonjë shpirtmirë në ata organe të dhunës, mund të ketë menduar t’i japë “liri” një vajze nëntëmbëdhjetë vjeçare, që i ka prindërit me masa internimi. Kështu un rastësisht u gjenda formalisht jashtë rrethit të shokëve të mi, të cilët masën e internimit e mbajtën dhe për disa pesëvjeçarë pa shkëputje, ndërsa un do të takohesha përsëri me të, por për këtë do të flas më vonë.

Gjysma e dytë e viteve gjashtëdhjetë solli acarime të mëtejshme të luftës së klasave. U kopjuan të gjitha marrëzirat e të ashtuquajturit ‘Revolucion Kultural’ kinez, si dalja para kolektivave për të paraqitur biografinë, fletë-rrufetë, dacibaot shqiptare, ku teorikisht ”cilido pa frikë e me shkronja të mëdha mund të shkruajë çmendon ai për punën dhe për njerëzit”. U dha kushtrimi për prishjen e kishave e të xhamive, një veprim barbar, i pashembullt në shoqërinë moderne, me pasoja shkatërrimtare për botën shpirtërore të shqiptarëve e për prishjen e vlerave kulturore e artistike që qëndronin në objektet e kultit. U fol me të madhe për luftën kundër Kanunit, duke i hequr kështu themelin e disa prej traditave e ligjeve morale, që kishin qeverisur këtë popull prej shekujsh të gjatë.

U lakua shumë “emancipimi” i femrës shqiptare, për t’a futur plotësisht në ingranazhet marramendëse të një ideje, në dukje përparimtare, që e ngarkonte aq shumë sa të meritonte përcaktimin “skllave e shoqërisë moderne“. “Heroizmi“ popullor, i mishëruar në figura qesharake si Fuat Çela, u propagandua me art, duke vënë në shërbim dhe artin zyrtar, për të krijuar një brez të tërë skllevërish, të aftë vetëm të punonin si kafshë për shtetin, mbasi vetëm aty do të gjenin “lumturinë”. Kanalizimi i të gjitha dëshirave e interesave të rinisë tek puna përbënte thelbin e strategjisë së krijimit të “njeriut të ri” që duhej të ishte një robot në trurin e të cilit të ishin vetëm “veprat” e Enver Hoxhës. Përpjekja për të ndryshuar natyrën njerëzore nëpërmjet dhunës e ligjeve të saj, nuk mund të kishte tjetër përfundim veç dështimit, e nuk mund të vërtetonte më mirë marrëzinë e autorëve të saj.

Në Bllokun Lindor lulëzonte teoria e “sovranitetit të kufizuar” të Brezhnjevit, më vonë u sulmua Çekosllovakia e Shqipëria doli nga Traktati i Varshavës. Në Kinë vazhdonte anarkia e pasojat ndiheshin dhe këtu. U krijua një atmosferë e nderë, në të cilën u shtua puna e hafijeve, që përpiqeshin të kapnin copa bisedash për t’i regjistruar në dosjet vetjake të arkivave të Sigurimit, në pritje të proceseve të panumërta për agjitacion e propagandë të viteve shtatëdhjetë.

Në këtë kohë, në vitet 1967-1969, kreva shërbimin e detyrueshëm ushtarak. U mobilizuam për të plotësuar porosinë e Partisë: “T’u qepemi kodrave e maleve t’i bëjmë ato pjellore si fushat”. U caktova me shërbim në efektivin e N.B.U.-së së Burrelit. Me uniformën e ushtarit, kishim për detyrë të shpyllëzonim e të mbillnim patate në malet e Martaneshit, të Lurës, Steblevës etj. Un, me zanatin tim të muratorit, mbas pesë gjashtë muajsh, fillova të punoj në repartin e ndërtimit të banesave të Korpusit, si pasojë e nismës së marrë në shkallë Vendi, për të ndërtuar banesa me kontribut vullnetar. E kreva shërbimin ushtarak pa bërë asnjë qitje, dhe sot e kësaj dite nuk kam shtënë asnjëherë me armë.

Pranvera e Pragës më 1968-ën, ishte përkohësisht një “rreze drite” në mbretërinë e errësirës së Kampit Socialist. I gjithë brezi im kujton ende me shumë mall emrat e Dubçekut, të Smerkovskit, të Çernikut etj., që u bënë për ne të dashur, sinonime të një ere të re, që na ushqente shpresën se mund të vinte ora e ndryshimeve dhe në botën tonë. Por fatkeqësisht, 21 gushti i përmbysi të gjitha iluzionet e brezit tim që vazhdon të nderojë kujtimin e gjestit heroik të Jan Palashit. Logjika e tankeve rivendosi atë rend gjërash që bazohej mbi dhunën dhe shtypjen e lirive vetjake e shoqërore.

Atje, gjatë shërbimit ushtarak u njoha me shokë të tjerë. Në kujtesën time mbetet imazhi i një poeti, të cilin un e quaja mjaft të talentuar. Talenti shoqërohej me një vështrim objektiv e të saktë të jetës  dhe një karakter të fortë e pozitiv. Ndoshta këto qenë arsyet që nuk njohu podiumin e suksesit si shumë kolegë të tij. Më kujtohet se si një ditë të ftohtë dhjetori, në pyll, anës një zjarri ku kishim pjekur patate, ai më lexoi dy poezi që kishte shkruar për Shkurte Pal Vatën dhe për Skënderbeun. Nëntekstet e poezive ishin shumë të thella, të guximshme e të reja për kohën. Ato më pëlqyen shumë e mbas një bisede të hapur në lidhje me to, ai bëri ndonjë ndryshim të vogël dhe i çoi për botim.

Me të më lidhi një miqësi e sinqertë, që nuk shihej me sy të mirë nga kolegët e tij ushtarakë, ca poetucë të dështuar, mbi të gjitha shpirtërisht. Ata në emër të artit dhe dëshirës për t’a “ruajtur” shokun tim nga “infeksioni” i mbushën mendjen atij se un do të arrestohesha dhe e ndanë përkohësisht prej meje. Kjo shkaktoi një gjendje tensioni tek un, por fatmirësisht ishin muajt e fundit të shërbimit ushtarak. Më vonë me shokun u shpjeguam dhe mbetëm miq, por ka shumë vite që nuk dëgjoj më për të. Më vjen keq se ishte me talent e me zemër të madhe e parashikoja një të ardhme letrare të sigurt për të.

Vitet e para të dhjetëvjetëshit të shtatë ishin më të qetat. Njerëzit nëpër plazhe dëgjonin së bashku Hit parade me këngët e Çelentanos, Milvës, Iva Xanikit, Massimo Ranierit e të tjerë këngëtarë italianë që, në përgjithësi, ishin ata që pëlqeheshin më shumë. Të rinjtë filluan të vishen më ndryshe, vajzat zbuluan minifundet e pantallonat, djemtë zgjasnin basetat e flokët. Diskutohej hapur për muzikën dhe sportin e huaj. Por më 1973, papritmas, në skenën e shoqërisë shqiptare filloi tufani i luftës kundër ”shfaqjeve të huaja”. Në fillim u kujtua se ishte thjesht një çështje e pamjes së jashtme, por regjimi e kishte synimin shumë më thellë. Duhej përdorur shtypja për të shmangur në embrion çdo prirje shkëputjeje ose vënieje në diskutim të dogmave dhe ideologjisë zyrtare. Pasuan vite të tmerrshme ankthi, me goditje lart e poshtë. Fluturonin ministra e funksionarë të lartë, të akuzuar për tradhti, por shpata binte e fortë edhe mbi ne që kishim në dorë vetëm mistrinë.

Më 1974, në moshën tridhjetë vjeç, u martova me një vajzë të re që, kundra opinionit, pranoi të lidhë jetën me mua. Ajo sapo mbaroi atë vit shkollën e mesme dhe ne filluam jetën së bashku, në vështirësi për banesë, por me shpresë për një jetë më të qetë. Mendonim t’a ndërtonim atë jetë mbi frytin e djersës sonë të ndershme e, mbi të gjitha, të gjenim ngushëllim në harmoninë familjare. Mbaj mend vetëm një dhjetëditor të bukur në plazhin e Durrësit, pastaj retë e zeza e mbuluan, duke paralajmëruar shtrëngatën dhe një dimër të zgjatur pa fund.

Me atë periudhë të vështirë lidhen dhe kujtimet e vajzës së xhaxhait që ne e kishim rritur në shtëpinë tonë dhe e kishim si fëmijën tonë. Ajo vazhdonte vitin e parë të gjimnazit në Lushnjë. Është e paimagjinueshme për botën e qytetëruar dhe aktualisht e pabesueshme dhe për rininë tonë, që një nxënëse në klasën e nëntë, të përjashtohet nga shkolla vetëm sepse një shoqe e saj i kishte treguar në klasë një fletë reviste që paraqiste një femër në plazh me rroba banjoje! Ky ishte “sakrilegji” që do të gjente si shkak Këshilli Pedagogjik e organizata e partisë, për të këputur dëshirat e dy vajzave ende të parritura mirë, për të vazhduar mësimet.

Kështu plotësohej “plani” i viktimave të luftës ideologjike e politike kundër “shfaqjeve të huaja”. Ky ishte versioni zyrtar i përjashtimit nga shkolla të Silvës. E vërteta ishte një tjetër, sa dramatike aq dhe e rëndomtë në sistemin kriminal në të cilin jetonim: Sigurimi i shtetit kishte dashur të bënte bashkëpunëtore të saj Klarën, nënën e vajzës. Kundërshtimit të saj për të bërë punën e spiunes ata, i u përgjigjën me urdhrin e përjashtimit të vajzës nga shkolla. Ai urdhër u zbatua nga drejtuesit e shkollës, që merrnin mbi ndërgjegje një krim: atë të dënimit me mohimin e së drejtës për të vazhduar shkollën të një fëmije të pafajshëm. Do t’isha kurioz të di nëse i ka munduar ndonjëherë në vetvete ky fakt, apo është kaluar thjesht me justifikimin e zbatimit të një urdhri që vinte nga organe që s’kishin asnjë lidhje me arsimin…!

Duhet të pohoj me sinqeritet se për mua qe një dhimbje e thellë kthimi i motrës tek prindërit e saj në Gradishtë e që në moshën pesëmbëdhjetë vjeçare të kapte kazmën për të rrëmihur tokën e për të nxjerrë bukën e gojës. Mbaj mend se më shpëtuan lot nga sytë, kur shumë rrallë në jetën time prej burri, qoftë dhe në vdekjet, kam derdhur lot.

Më 1975 filluan pushimet nga puna. Në kuadrin e luftës kundër burokratizmit, unë dhe shokët e mi, specialistë ndërtimi me kategori të lartë u kaluam në bujqësi si punëtorë fushe. Kjo ishte logjika e Rrapi Gjermenit, që për të plotësuar numrin e “burokratëve” të hequr nga aparatet, si mbas orientimit të Komitetit Qendror, fuste emrat tanë në listat e shkurtimeve. Dëmi ekonomik i shtetit ishte i dukshëm. Ne kishim mbajtur peshë në brigadat e ndërtimit me punën tonë të ndërgjegjshme e të kualifikuar, dhe papritmas këto brigada cungoheshin. Vërejtjeve të personelit inxhiniero-teknik në këtë drejtim, i’u kundërvu “lufta e klasave” në emër të së cilës merreshin këto masa, e për të cilën askush nuk mund të kundërshtonte. Kjo ishte një nga të këqijat e vogla në krahasim me ato që na prisnin në vitet e ardhme.

Në mars 1975 u arrestua Kurt Kola, një mik i imi. Filloi ajo periudhë ankthi që zgjati plot gjashtë vjet. “Më mirë një fund i ankthshëm se sa një ankth pa fund”. Nuk më kujtohet tani se kujt i përkasin këto fjalë; por gjatë këtyre viteve unë dhe shokët e mi të kampeve, e sigurisht familjet e tyre, e kemi vërtetuar plotësisht saktësinë e shprehjes. Çdo tre muaj arrestohej njëri prej nesh, në sektorë të ndryshëm të fermës së Lushnjës ku ishim shpërndarë. Më duket se diçka më shtrëngon fytin e s’më lë të mbushem me frymë dhe tani që i kujtoj ato vite të llahtarshme. Çdo ditë kur niseshim për në punë përshëndeteshim në heshtje me njerëzit e shtëpisë se, ndoshta nuk ktheheshim në darkë.

Ishte një torturë sfilitëse mendimi se nga një çast në tjetrin do mund të të viheshin hekurat në duar, për të të shkëputur nga gjiri i familjes. Më e tmerrshmja ishte se nuk dije si t’i ruheshe së keqes. Proceset bëheshin për agjitacion e propagandë, dhe ky përcaktim ishte kaq i gjerë, sa që mund të të fajësonin edhe pa hapur gojën fare, mjafton të shikoje me bisht të syrit një bukë të djegur apo një domate të kalbur në banakun e shitësit. Këtu gjenin terren të aktivizoheshin dhe fundërrinat e shoqërisë, njerëzit pa kurrfarë vlere veç poshtërsisë që, vullnetarisht, e vinin në shërbim të së keqes, për të mbjellë dëshpërimin e personave, të familjeve, të fëmijëve, të mbarë shoqërisë.

Kishte mes tyre dhe shokë nga tanët, që i quanim njerëz të mirë, shokë të vuajtjeve që nga fëmijëria, njerëz që i respektonim, i prisnim e i shkonim në shtëpi, por që, fatkeqësisht, ishin kthyer në varrmihësit tanë. Provokatorët gjenin mënyrat më të ndryshme për të zbatuar  detyrat e tyre, e ne u kthyem në memecë. Çdo gjë për të cilën bisedohej, nga punimi i tokës, tek vegla e punës, tek brigadieri, tek muzika, tek filmi, tek mallrat e dyqaneve, shërbimet e ndryshme, gjithçka që thuhej futej në veprimtari armiqësore.

Prandaj e vetmja bisedë pa zarar ishte sporti e veçanërisht futbolli, për të cilin diskutonim me orë të tëra, pa kaluar në tema të tjera që ishin bërë tabu të paprekshme. Nuk guxonim të dilnim në qytet se mos “binim në sy”. Ishte problem rasti i vdekjeve ose i dasmave në shoqëri, ku grumbulloheshin shumë njerëz, sepse një fjalë e thënë pa qëllim mund të raportohej brenda pak orëve e stërholluar nga disa persona.

Për vite të tëra nuk shkova njëherë me gruan në kinema. I shmangeshim takimit me shokët, vetmia e trishtuar ishte e vetmja gjendje normale e jona. Ndiqnim me sy të zgurdulluar çdo “Gaz” që kalonte rrugës e sidomos targat 6701 e 6702 të cilat ishin bërë për ne si kuçedra që përpinin njerëz. Ankthi përpinte gjithë sektorin kur vinin ata me oficerët e Sigurimit brenda. Kush e kish radhën sot? Kjo pyetje si një varré binte mbi trurin e secilit dhe vetëm kur largohej makina, lirohej frymëmarrja. Gjendja bëhej tragjikomike po të merrej parasysh se secili e kishte atë ankth në shpirt e nuk guxonte t’ia shprehte askujt, as shokut përbri, as familjarëve vetë…! Ndërkaq muajt e vitet kalonin duke gllabëruar në burgun e zi shokët tanë me radhë. Mbas Kurtit, Ahmeti, Eqeremi, Qemali, Fatmiri, Naimi, Mojsi, Deda, Leka…!

Tashmë ankthi kishte marrë një tjetër formë torture. Frikës së arrestimit i shtohej presioni shkatërrues në të gjitha format, për t’u degjeneruar e për t’u bërë bashkëpunëtorë në krim, për të spiunuar dhe akuzuar shokun, mikun, deri dhe njeriun e afërm të gjakut. Ishte veprimtaria e Sigurimit të Shtetit, e njerëzve zotër të këtij vendi, që gëzonin të gjitha privilegjet, i shërbenin me zell këtyre privilegjeve dhe atyre që ua kishin dhënë. Përballimi i luftës me ta kërkonte gjakftohtësi, përvojë, vendosmëri, e mbi të gjitha karakter të fortë. Njerëzit me karakter të dobët u dorëzuan në këtë luftë, për t’i shpëtuar së keqes së tyre projektuan shkatërrimin e shokut, burgosjen e tij.

Ishte një luftë e ashpër që i bëhej  ndërgjegjes së njerëzve, ishte përpjekja për të shkatërruar në themel gjithçka pozitive kishte shpirti i shqiptarit, e në radhë të parë besën e mikpritjen. Ishte një tërmet që lëkundte themelet e kombit e krijonte një çarje vertikale që shkonte deri në thellësi të ndërgjegjes. I hiqej karakterit kombëtar ajo forcë që e kishte bërë të përballonte furtunat e historisë së bashku, mbillej përçarja, urrejtja, lufta mes njëri-tjetrit.

Këtë trysni, që për vite me radhë kushtëzoi qenien time, vendosa ta shmang me një vendim skajor: të pranoj arrestimin dhe pasojat e tij për veten dhe familjen. Lija në shtëpi tre pleq, gruan dhe dy vajza të vogla. Në dorën e Zotit! Arrestimi u krye më 25 Prill 1980, në punë. Erdhi “Gaz”-i i Degës me gjashtë veta, oficerë dhe policë. Ende sot ato gra lushnjare që punonin aty në stallat e Institutit, e kujtojnë atë skenë. Shefi i Sigurimit Kosta Ndini, më pyeti: “Ti je nipi i Mustafa Krujës”? Përgjigjes time pohuese, i’a ktheu me formulën e zakonshme: “Në emër të popullit je i arrestuar”. Tani që sjell para syve të mendjes atë çast fatkeq, më kujtohet shprehja e famshme e zonjës Roland para gijotinës: “Popull! Sa krime bëhen në emrin tënd…”! Memorie.al

                                                                    Vijon numrin e ardhshëm

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/79665/