“Më 25 dhjetor ‘51, Xhemal Selimi erdhi në Kryezi të Pukës, te Sharrat dhe pasi e pushkatuan vëllanë tim, Rrokun, ai e goditi edhe me…”/ Dëshmia rrëqethëse e Marije Gjokës

Nga Marije Gjoka (Mazreku)

Pjesa e parë

Memorie.al /  Marie Gjoka, qysh në moshë të re u përball me përndjekjen politike, mbasi, aty nga fundi i vitit 1946, vëllanë, Dom Nikoll Mazrekun, e arrestojnë dhe ai kaloi në burgje e internime, gjithë periudhën e diktaturës komuniste të Enver Hoxhës dhe pasuesit të tij, Ramiz Alisë. Vëllain tjetër, Rrokun, e pushkatuan, në vitet e para të ardhjes në fuqi të regjimit komunist enverian edhe pse ai ishte krejt i pafajshëm! Maria, kaloi një jetë të tërë mbas burgjesh e kampesh, ku shkonte për të ndihmuar të vëllanë, Dom Nikollën dhe bashkëshortin e saj, që e arrestuan vetëm pak kohë mbas martesës. 

                            – NJË MOTËR QË SHKRUAN TË VËRTETËN E DHIMBSHME…! –

(Fragment nga libri “CIRKA KUJTIMESH TË HIDHURA” të Marije Gjoka)

Pas kaq vitesh marr guximin të shkruaj pak rreshta për vëllanë tim, Rrok Mazreku. Ai lindi në Shkodër në vitin 1920. Dom Nikolli, më 1941-in, ishte zëvendës famullitar në Kishën e Tiranës. Pastaj, e transferojnë në Kryezi të Pukës, po si famullitar. Këtu mori me vete nanën, Rrokun dhe mua.

Rroku punonte si marangoz, qe mjeshtër andaj, që në fillim, mori përsipër rregullimin e kishës së Kryeziut. Por, përveç punimeve të kësaj kishe, ai sipas dëshirës së Dom Nikollit, shkon edhe në katundin Flet, për riparimin e dritareve të kishës së fshatit. E pikërisht atë ditë që shkonte atje, kalon andej një person i dënuar me vdekje, i shoqëruar nga njerëz të Sigurimit. Ai ishte i maskuar dhe po shkonte të tregonte vendet ku rrinin të fshehur Pashuk Bibë Mirakaj me të arratisur të tjerë.

Këtë rast e shfrytëzon kryetari i këshillit, Riza Mustafa, për t’u hakmarrë ndaj Dom Nikollit dhe familjes së tij. Kështu, me anë të kunatit të tij, Islam Pema, ish-oficer Sigurimi në Degën e Punëve të Brendshme Pukë, kurdisin shpifjen, duke thënë se: “Dom Nikolli ka dërguar vëllanë në Flet, për të lajmëruar të arratisurit e për t’i ndihmuar kështu që të shpëtonin nga duart e Sigurimit”.

Pak ditë përpara kësaj ngjarjeje, Rizai me priftin, ishin ballafaquar në praninë e përfaqësuesve të kishës, për disa konflikte në mes tyre, nga ku e drejta i ishte dhënë priftit. Prandaj Rizai shfrytëzoi rastin për t’u hakmarrë. Kështu, sapo Rroku kthehet nga Fleti, arrestohet. Pasi mbi të ushtrohen tortura nga më çnjerëzoret, pa asnjë fakt, dënohet me 5 vjet burg politik.

Vetëm pak muaj pas këtij arrestimi, i vënë prangat edhe Dom Nikollit, duke na lënë në atë fshat të largët të vetmuara mua dhe nënën. Në atë kohë isha vetëm 18 vjeç.

Sapo kryen dënimin, Rroku, duke mos pasur me kë të jetojë në shtëpinë, që kishim në Shkodër, vjen tek ne, afër nënës dhe meje. Por mjerisht jeta pranë vatrës familjare për të, qe e shkurtër. Tek ai do të ushtrohej edhe më e egër hakmarrja e po atyre njerëzve, që e duan edhe herën e parë, me epitetin “armik i popullit”, si i papajtueshëm me idealet komuniste, e mbi të gjitha, si vëllai i priftit të arrestuar. Këto akuza ishin ogurzeza për ne, pasi paralajmëronin një diçka të keqe. Qenë si zërat e qyqes që ndillnin vdekje.

Më 5 janar 1950, në atë ashtuquajturin Stabiliment të Sharrave (ishte vetëm një barangë e vjetruar), ashtu siç kishte marrë zjarr edhe sa herë të tjera, përsëri i ra zjarri dhe e shkrumboi tërësisht. Im vëlla, së bashku me katër punëtorë, ishin rreth 100 metra larg këtij objekti. Shpejtuan menjëherë për ta fikur, por më kot. Kaq u desh e forcat e Sigurimit të Shtetit, erdhën menjëherë. Në krye kishin kriminelin Xhemal Selimi (Uci).

Disa muaj më parë, Rroku kishte pasur një grindje me Xhemal Selimin në klubin e Pukës, pasi ai e kishte fyer rëndë. Punëtorët e pyetur rreth kësaj ngjarjeje, thanë me plot gojën se zjarri ishte i pamundur të ndalohej, por Xhemali, nuk e donte të vërtetën. Në mendje të tij vërtitej djalli. Ai u përgjigjet punëtorëve, duke u thënë se: “Stabilimentin e ka djegur Rrok Mazreku dhe kryet e tij unë do ta vë në themelet e Stabilimentit të ri”.

Me gjithë këmbënguljen e punëtorëve dhe të përgjegjësit të tyre, Lukë Mark Ndoci, Xhemali bën të vetën. Bërtet si i çmendur, duke thënë se: “Këtu kemi të bëjmë me një armik të popullit e një ish-të burgosur politik, sikurse i vëllai, Dom Nikollë Mazreku, që gjendet edhe ai në burg politik. Ata nuk pajtohen me ne, janë demokristianë”, etj.

Ky njeri i pamëshirshëm, e mban Rrokun në hetuesi plot 10 muaj, duke ushtruar mbi të, tortura nga më të tmerrshmet. Herë pas here e shtronte në spital me të vetmin qëllim, që i burgosuri të merrte veten, e pastaj…përsëri tortura. Kur Rroku ndodhej në spitalin e burgut, duke parashikuar vdekjen, me anë të një sanitareje, të quajtur Leze, na dërgonte një letër të vogël, ku shkruante: “Unë po pushkatohem për një faj të pa bamë. Më çoni ndonjë medalje sermi, që të gjindet vorri ndonjëherë”.

Në pragun e pushkatimit, Rroku ka lënë edhe letra të tjera, të cilat u gjetën në dyshekun etij. Në një ndër to, shkruante: “Nënë, unë po vdes, por ti mos u dëshpëro: Kështu paska qenë thanë prej Zotit, me pague me jetën time, një faj që kurrë nuk e kemi krye”.

Pastaj, pasi u kërkon të falur të gjithëve, përshkruan hollësisht torturat çnjerëzore në hetuesi, shumë herë nga duart e vetë Xhemalit. Letrat e Rrokut u kopjuan të gjitha nga i vëllai, Dom Nikolli, pas lirimit të tij nga burgu i parë. Por, meqë në familjen tonë arrestimet, konfiskimet e kontrollet nuk mbaruan kurrë, ato i patëm fshehur dhe sot mjerisht janë dëmtuar aq shumë, sa mezi lexohen.

Ndërkaq, Xhemal Selimi i rri besnik premtimit të tij e, pas një gjyqi formal, u vendos që Rroku do të pushkatohej. Kështu, ai lajmëron gjithë katundin Kryezi që të mblidhej para Stabilimentit të Sharrave, në ora 3 pasdreke. (Për këtë kriminel nuk ishte hera e parë që provonte kënaqësi të tilla sadiste të tipit komunist).

Ishte zgjedhur qëllimisht data 25 dhjetor, dita e Krishtlindjeve…! Kur erdhi Xhemali me skuadrën e pushkatimit, ku ishin grumbulluar tërë njerëzit e thirrur, i thotë Rrokut: “Ne e ndërtuam Stabilimentin përsëri, kurse ti po pushkatohesh”!

Rroku i përgjigjet:

– “Ku don që të rri”?

Pastaj kapërcen një grumbull trupash (lëndësh), të cilat ishin të stivuara para tij. Ata i thonë të ndalonte tek grumbulli i tallashit. E pyesin:

– “Ç’ka ke me thane”?

E Rroku i përgjigjet: – “Rroftë Shqipnija e lirë, me një liri të vërtetë…”!

Dhe, sa dëshiron të shtojë dhe diçka, të shtënat e automatikut i’a presin fjalën në gjysmë. Por Xhemali nuk kënaqet me kaq. I afrohet me revolver në dorë dhe i bie kokës për së vdekuri. Pastaj rrëzohet në gjunjë para kufomës. Siç duket e kishte zënë gjaku. Gjaku i pafaj i Rrokut…!

Ishte ditë Krishtlindjesh, festë për mbarë katolicizmin botëror, por fatkeqësisht jo për atë shqiptar. Unë që larg dëgjova krismat e armëve. U rrëqetha. Më ndillte zemra zi. Vrapova tek vendi i ngjarjes. Isha shumë e tronditur. E pashë vëllanë ashtu të shtrirë, të përgjakur…! Desha t’i afrohesha, por nuk më lanë. Doja ta përqafoja për të fundit herë…!

Trupi i të vrarit qëndroi aty deri në të errët. Donin t’i shtinin tmerrin njerëzisë, por edhe të prisnin natën, me qëllim që të mos zbulohej varri i tij. Unë gjeta njerëz të besueshëm, të cilët, ashtu tinës dhe të fshehur, vrojtuan veprimet e kriminelëve. Pas tri ditësh, bëra të pamundurën, së bashku menjë fshatar që e kishte fiksuar vendin me kujdes, shkuam tek ai shesh vdekjeje…!

U ndaluam. Grumbulli i dheut ishte mbuluar me degë pishe. Kishte edhe plot krande shkrepësesh të përdorura për të parë natën teksa ishin duke e varrosur. Largova gemat në degët e bëra, me sa munda, një gropë. Aty vura medaljen e sermit dhe ujin e bekuar…!

Dëshira e Rrokut që t’i gjendej varri, sipas vullnesës së Zotit, u plotësua. Por vetëm pas 41 vjetësh të pushkatimit të tij…! E pikërisht në dhjetor të vitit të 1991. Eshtrat e tij u gjendën së bashku me zinxhirët, me të cilët e kishin lidhur për së gjalli e varrosur për së vdekuri…! Ata u rivarrosën pranë varreve të prindërve të shkretë, në varrezat katolike të Rrmajit, në Shkodër.

Rroku lindi dhe u rrit në Shkodër, por u pushkatua në Kryezi të Pukës. Ishte i njohur, i ëmbël dhe i dashur nga të gjithë. Kështu e kujtojnë të gjithë shkodranët që patën shoqëri me të. Po kështu e mbajnë në zemër banorët e Kryeziut, me të cilët ndau hallet e gëzimet. Kryezezët janë, njëkohësisht, edhe dëshmitarë okularë të martirizimit të tij, njëherazi edhe të pafajësisë së tij, gjë që e kanë shprehur sa herë nën zë, ndonëse me frikë…!

Arrestimi i Dom Nikollë Mazrekut

Në nëntorin e vitit 1946, ndërsa po hanim darkën, bie dera dhe ndodhi ajo që pritnim. Tetë ushtarakë hynë në shtëpi dhe, pasi i vunë prangat, e morën me vete Dom Nikollin. Ishte ora 21. Sa u larguan nëpër terrin e natës, ne mbetëm vetëm. Unë dola nga shtëpia dhe vazhdova të ecja prapa vëllait të lidhur. Forcat e Sigurimit të Shtetit më bënë presion të kthehem, por unë vazhdova rrugës me ta. Kisha një ndjenjë frike se mos e vritnin rrugës…! Pas gjysmë ore udhëtim, Dom Nikolli solli kokën prapa dhe më tha:

– “Marie, kthehu dhe tregoju dorëzanëve të kishës (Këshillit të Kishës) se më kanë arrestuar! Ti, po të duash, eja nesër në Pukë”!

Ishte gati mesi i natës…! Nga halli që na gjet nuk e kisha frikë as errësirën, që ishte si me shti gishtat në sy. Mendjen e kisha te porosia e vëllait. Zgjodha rrugën më të shkurtër, dhe, ashtu duke ecur në mes ferrash dhe shkurresh, arrita tek shtëpia e një këshilltari. Sa u afrova te dera prej thuprash, m’u hodh një qen, i madh sa një ujk, i cili më kafshoi rëndë në këmbë.

Dikur dolën dhe njerëzit e shtëpisë. Njëra nga gratë më përcolli deri brenda. Këpuca ime ishte mbushur me gjak, që pas pak u ngri. I dhashë porosinë e Dom Nikollit dhe, ashtu dalëngadalë u nisa për në shtëpinë time. Nëna e shkretë, kur mori vesh ç’ka më kishte gjetur, u mërzit fort. Ajo ishte e mjeruar nga arrestimi i të birit, pastaj, duke më parë në atë gjendje, dukej se nuk kishte kufi halli i saj.

Të nesërmen, edhe pse kisha temperaturë, u nisa për në Pukë. Nga Kryeziu për në Pukë me makinë, lypsen rreth 2 orë. Unë e bëra atë rrugë në këmbë. Nuk më pritej, doja me çdo kusht të dija se ç’po bëhej me vëllanë tim. Kur arrita tek ato zyra shfarosjeje, e gjeta vëllanë në zyrën e Franc Jakovës, i cili e kishte marrë për ta pyetur për kureshtjen e vet personale. Arrestimi i vëllait u bë nën drejtimin e operativit të Sigurimit, Zydi Çoba.

Sa burg dhe internim ka kryer im vëlla, është e vështirë veç ta mendosh. Çdo Mandelë i botës do të skuqej para tij. 37 vjet burg e internim, dy arrestime, dy hetuesi, dy gjyqe me sa e sa seanca. Sa e sa vende internimi…! Ai pothuajse i ka provuar të gjitha burgjet e kampet e shfarosjes të Shqipërisë. Është e trishtueshme vetëm t’i përmendësh ato orë frike, vuajtjeje psikologjike e fizike, keqtrajtime e përbuzje që ushtroi mbi vëllanë e mbi ne, si familjarë të tij, Sigurimi i Shtetit komunist.

Kam shpjeguar në librin e vogël me poezi me titull “Lot nane”, si e përse unë jam martuar atje në atë fshat malor të Pukës me një njeri tepër të varfër, vetëm që ta kisha përkrah ndër ato vështirësi të jetës, që të ndihmoj nënën, e cila mbeti vetëm me mua. Të dy vëllezërit m’i futën në burgje. (Për vëllanë tjetër, Rrokun, do të tregoj më vonë).

Por, fatkeqësisht, vuajtjet e mia s’kishin të mbaruar. Mbas tetë muaj martese më arrestojnë edhe burrin dhe tani duhej të kujdesesha edhe për të. Pak ditë mbas kësaj ngjarjeje, unë me një kushëri të Bibës, (kështu e quanin burrin tim), u nisëm në këmbë për në Pukë, për t’i dërguar ushqime tim shoq. Në një shenjë vendi, që thirret “Mullini i Pal Gjergjit”, takojmë dy burra, që mbanin një vig. Mbas tyre po ecte një grua malësore. Vigu ishte i zbuluar, i vdekuri ishte Lekë Berisha. Kufoma kishte shenja e njolla të zeza në fytyrë e në qafë. Gruaja që ecte me të, e që ishte e ëma, më tha:

– “Mana, moj fisnike, ma kanë mbytur për gazep”!

Flitej se Lekës i’a kishin marrë shpirtin në tortura, me shami në gojë e thonj në fyt. Pëshpëritej me fakte bindëse edhe se kush ishte autori i kësaj mizorie…! Pak vite më vonë, gati po në atë vend ku e ndeshëm viktimën e tij, u rrëzua djali i vetëm i atij krimineli që thuhej se kishte mbytë Lekën. Njerëzit, ashtu duke u dridhur nga frika, nën zë, këtë e merrnin si dënim të Zotit. Dënim i Zotit, se sa për njerëzit, atij nuk i hyri kurrë ferrë në këmbë…! Me ardhjen e demokracisë, ai jetoi disa vjet në Romë…! Flitej, pranë Caritasit…!

Meqë sipas shpifjeve, dyshohej se unë jetoja aty në bjeshkë për t’u marrë me politikë, vendosa dhe kërkova strehim në katund poshtë, në qendër, aty ku ishin zyrat e Këshillit Popullor dhe të partisë. Duke u vendosur këtu doja të mos u ngjallja dyshimin e djajve. Por kjo gjë më kushtoi jo pak. U strehova në një kolibe të rrethuar me thupra shelgu dhe fare pranë ishte vatha e bagëtive. Isha shumë ngushtë. Fëmija ishte 4 muajsh… një tjetër pak më i madh.

Rruga e kalvarit tim ishte e gjatë…! Në dhjetor të 1950-ës, nëntë ditë pas pushkatimit të vëllait, Rrokut, më vdes një fëmijë 13 muajsh. Vogëlushi i nënës ishte mjaft i zhvilluar dhe i bukur si drita…! Këtë fëmijë, ditën që dëgjova të shtënat e automatikut, që pushkatuan vëllanë tim, (duke qenë se nëna nuk ndodhej brenda në shtëpi), e nxora në oborr dhe e vura në rreth (kular), që ai të mos rrëzohej. Por jashtë ishte mjaftë ftohtë. Për atë që e ka provuar, klima e zonës së Pukës është e egër…!

Fëmija u ftoh rëndë në fyt dhe pas tri ditësh më vdiq nga difteriti. Pas një viti, duket nga hidhërimi i pushkatimit të djalit, Rrokut, më vdiq edhe nëna. Mbas vdekjes së saj erdha të banoj tek qela (shtëpia e kishës). Këtë e bëra kryesisht se, sipas këshillës së Imzot Vinçens Prendushit, (i vdekur dhe ky më vonë në burgjet komuniste), unë, si motër prifti, në mungesë të meshtarit, duhej ta mbaja hapur atë t’u bija kambanave tri herë në ditë, e të bëja ndonjë shërbim të vogël. Memorie.al

                                                               Vijon numrin e ardhshëm

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/me-25-dhjetor-51-xhemal-selimi-erdhi-ne-kryezi-te-pukes-te-sharrat-dhe-pasi-e-pushkatuan-vellane-tim-rrokun-ai-e-goditi-edhe-me-deshmia-rreqethese-e-marije-gjokes/