“Mamaja, Aurelia, u përpoq disa herë që të takonte Enver Hoxhën për t’i kërkuar lirimin e babait nga burgu, por ai i tha…”/ Kujtimet e italianit, nipi i ish-portierit të kombëtares së Shqipërisë

Nga Aldo Renato Terrusi

Pjesa e dymbëdhjetë

                                                              RIKTHIMI

Memorie.al / Aeroporti i Fiumiçinos. Avioni ‘MD 80’ i Alitalias është gati për fluturim. Është e shtunë, 6 nëntor 1993. Ora 11.25. Komandanti mori miratimin. Stjuardesat na kujtojnë dhe një here të lidhim rripin e sigurimit. Dy motorët çohen në fuqinë maksimale, ndërsa zhurma bëhet e mbytur dhe shurdhuese. Butonat dhe komandat provohen për të fundit herë sipas procedurave të fluturimit, lëshohen frenat, fillon lëvizja gjithë e më e shpejtë, përshpejtimi i përplas pasagjerët pas shpinores, avioni ngrihet në fluturim. Ndjej të më ngrejë një forcë e padukshme që më lë si të pezull në zbrazëti. Hedh sytë përreth për të parë nëse dhe pasagjerët e tjerë kanë të njëjtën ndjesi si unë. Ca lexojnë, ca shohin jashtë nga dritarja, ca janë shpërfillës, ca mezi rrinë të qetë dhe ca, të ngrirë në ndenjëse, lënë të ndër duken frikërat e veta. Me një ndërrim drejtimi të gjerë, avioni ngrihet në lartësi dhe drejtohet drejt radio farit të Barit, për të mësyrë pastaj drejt e në Tiranë, në vendmbërritjen tonë.

                                                   Vijon nga numri i kaluar

Engjëll Kokoshi vazhdon:

“Pas zgjedhjes së qeverisë demokratike, desha të angazhohesha në Shoqatën e ish të Përndjekurve Politikë. Në këtë mënyrë përpiqem të ndihmoj ata që janë ende gjallë ose të afërmit e atyre që nuk jetojnë më. Kjo punë tashmë më është kthyer në qëllim të jetës. Ndihma për familjet që kërkojnë eshtrat e të zhdukurve, më bën të ndjehem më afër të dashurve të mi. Shpresoj vërtet të mund të identifikojmë eshtrat e babait tënd, të varrosur në Burrel: do të më lumturonte pa masë. Zoti nuk bën dallim mes krishterëve ose myslimanëve, mes italianëve dhe shqiptarëve. Zoti është i të gjithëve. Lëvduar qoftë”.

Nuk guxojmë të bëjmë pyetje, nuk arrijmë të nxjerrim fjalë goje para këtij njeriu të mbijetuar, por e dimë që të premten tjetër do të shkojmë në burgjet famëkeqe të Burrelit me një leje të veçantë që, na e ka nxjerrë Engjëlli, me shumë mund, nga autoritetet qeveritare shqiptare. Është thuajse orari i drekës, ndaj i ftoj mysafirët në restorant, por askush nuk pranon: gruaja e Engjëllit nuk është mirë me shëndet, ndaj ai duhet të nxitojë në shtëpi, ndërsa Toli dhe Pierxhorxho, duhet të kthehen në konsullatë. Kështu që ngulmoj të paktën për ndonjë aperitiv dhe këtë radhë pranojnë të gjithë. Pas urimeve reciproke, lëmë takimin për të premten në orën 09.00 para “Dajti”-t. Pasdite vendosim të shkojmë të shohim shtëpinë ku kemi jetuar në Tiranë. Drejtohemi andej me hap të sigurt, pasi daja e mban mend mirë rrugën. Vila gjendet jashtë qendrës dhe për të shkuar atje, kalojmë nëpër rrugët ende tërë gropa dhe shtëpitë e ndërtuara çrregullt, pa asnjë plan rregullator. Ecim paralel me kanalin e Lanës që përshkon pingul bulevardin e madh “Dëshmorët e Kombit”.

Në breg të kanalit, është dikush që kullot delet të lidhura për këmbe. Kalojmë afër një tregu të hapur me tezgat klasike që shesin nga të gjitha gjërat. Pamja është më së shumti e varfër dhe po kaq kaotike: fruta, perime, prodhime kopshti, vezë, shpesh janë të grumbulluara në copa të hapura përdhe; copa, tapete, perde janë varur në një kangjella të gjatë ndarjeje të disa pallateve, e cila shërben si mbështetëse dhe duket si një mur me shumë piktura, kompakt dhe i çrregullt. Karroca pak a shumë të ngarkuara me orendi dhe materiale të ndryshme janë parkuar si të qenë makina, vetëm se në këtë rast motori i tyre është mushka. Në trotuar zhvillohen aktivitete nga më të ndryshmet, si riparim biçikletash, këpucë, çadra shiu, makineri gazi, frigoriferë, ora…! Njerëzit lëvizin mes tezgave dhe rrogozave, japin e marrin e blejnë me thjeshtësi: nuk ka shumë mall, por është ai që duhet. Mund të ngjasojë me një treg periferie të kujtdo qyteti europian.

Përgjatë rrugës ndonjë banesë tek-tuk shfaq tiparet ndërtimore tipike të Shqipërisë së fillim viteve 1900: shtëpi katër këndore, simetrike, thelbësore, një ose dy kate, shumë dritare afër njëra-tjetrës, muraturë guri të murrmë dhe llaçi. Mbërrijmë te ish-vila jonë dhe daja e tregon menjëherë: “Ajo atje”! Vila e vogël është e rrethuar nga një mur i lartë që të pengon vëzhgimin në kopshtin e brendshëm. Është e mbajtur thuajse mirë: pemë nga brenda, lule në ballkon, Suva pa të çara. Ngjitur me shtëpinë, në një vend të gjerë, prehen dy kamionë të braktisur dhe shumë të vjetër. Përreth ka vila të tjera të mbajtura mirë dhe sigurisht me pronar. Ambienti, jashtë zonave private, është më së shumti i lënë pas dore, i pasur me gjelbërim rastësor.

Daja, në valën e kujtimeve, përshkruan sc çfarë ka qenë për ne ajo banesë.

“Një punëtor i firmës së tim eti, na e dha me qera, për shumë pak lekë, një shtëpi ende në ndërtim e sipër, larg qendrës, në të cilën shkoje duke kaluar një shteg të ngushtë. Një shtëpi në mes të fshatit e ndërtuar pranë një përroi të vogël, në anët e të cilit rriteshin plepa të lartë. Me formë katër këndore, me tullat dhe gurët e murit që binin në sy, e pa suvatuar me llaç as nga jashtë e as nga brenda, kjo ndërtesë kishte dy kate dhe një bodrum. Dritaret e katit të parë ishin mbyllur me kartonë që ditën duheshin zhvendosur që të hynte drita, ndërsa dritaret e katit përdhes ishin mbyllur me dhoga të gozhduara. I vetmi ballkon, sipër hyrjes kryesore, nuk kishte kangjella. Disa dhoga me gozhdë të fiksuara në një anë me një fill hekuri, përbënin derën e hyrjes; gërvima e saj, sa herë që hapej apo mbyllej, i vinte në alarm gjithë fqinjët, pllakat e dyshemesë së katit të parë ishin të vetmet punime të brendshme.

Banjën e kishim të përbashkët me një çift shqiptarësh të martuar, që kishin vetëm një dhomë në fund të korridorit; familja jonë kishte dy dhoma, korridorin dhe kuzhinën. Ti, unë, nëna dhe stërgjyshja flinim në dhomën më të madhe, gjyshi dhe gjyshja në atë më të voglën. Në çdo dhomë bëhej dritë nga një llampë e zbehtë, që varej pezull nga qendra e tavanit. Për ngrohjen e dimrit shërbente furra praktike me dru në kuzhinë, që mbahej ndezur gjithë ditën dhe në brendësi kishte mbajtës të posaçëm, nga i cili mund të merrnin ndonjë litër ujë të nxehtë.

Para vilës ishte një oborr ku rrinin të braktisur një kamion dhe një makinë, me gjasë të shkatërruar gjatë luftës. Pranë oborrit kalonte një rrugë e keqe që të çonte në kodër. Nga ana tjetër, paralel me rruginën, ishte një përrua me plepa të lartë. Pasi na përzunë nga Vlora në vitin 1945, kur tët atë e futën në burg, u shpërngulëm pikërisht këtu. Në atë kohë, pasi më kishin thirrur në kombëtaren shqiptare, për të pasur më shumë liri në stërvitje, komuna e Tiranës më kishte besuar detyrën e inspektorit të llojeve ushqimore.

Inspektorët e tjerë ishin të gjithë shqiptarë. Në këtë rast më kishin mbajtur me hatër, por vetëm sepse i shërbeja qëllimit të tyre. Bëhej fjalë për verifikimin e faturave dhe funksionimin e rregullt të shitblerjeve. Duke pasur pranë shtëpisë një terren të papunuar për të cilin nuk kujdesej askush, bleva një dhi, të cilën natën e lidhja në bodrum dhe ditën e çoja në lëndinën aty afër, për ta kullotur. Meqë qumështi nuk mjaftonte për gjithë familjen, bleva edhe një dhi tjetër. Bodrumi pra mbante dy dhi me dy kecat e tyre. Të gjitha kafshët duhej të denoncoheshin te autoritetet e megjithatë, çdo familje mund të kishte më shumë se dy; nëse numri i kafshëve ishte më i madh se dy, kafsha apo kafshët e tepërta duheshin vënë menjëherë në dispozicion të autoriteteve. Që të mund të kishim qumësht për të gjithë familjen dhe të mundoheshim që dhitë të mos na i merrnin nga komiteti qendror, shpika një strategji: nxirrja në kullotë herë një dhi me kecin e vet e herë tjetrën, në mënyrë që të gjithë të besonin se kishim vetëm dy kafshë, ndërkohë që në të vërtetë kishim katër.

Kështu mundëm të festonim Pashkët e shenjta të vitit 1946, me një cjap të pjekur pa ngjallur dyshime te askush. Blerja e ushqimeve, edhe pse me racione, mund të bëhej vetëm pranë kooperativave të autorizuara dhe me dhënien e një tolloni të dhënë nga Komiteti Qendror. Edhe këtu kishte radhë të gjata dhe rafte dëshpërimisht të zbrazët. Natyrisht, tregu i zi lulëzonte dhe ndonjëherë mund të gjeje edhe mish të mirë ose kafe që e sillnin nga Italia. Meqë isha pjesë e kombëtares shqiptare në turneun ndërkombëtar të Ballkanit, kur ktheheshim nga ndeshjet e zhvilluara në transfertë, sillja sheqer, kakao, marmelatë dhe biskota – lloje ushqimore që në Shqipëri as që mund të gjendeshin. Mes vizitave të ndryshme më qëllonte të shkoja madje edhe në thertore publike dhe shpesh më dhuronin këmbë keci ose qingji.

Në këto raste, në shtëpi bëhej festë e madhe, sepse ato këmbë pastroheshin e ziheshin shumë mirë nga stërgjyshja jote Serafina, e cila bënte me to një supë të mrekullueshme. Meqë s’kishim asgjë tjetër me se të ngroheshim përveç sobës së kuzhinës, gjatë të ftohtit të madh, në shtretër vinim një rrjetë druri ku ishte varur edhe mbajtësja e qymyrit dhe e hirorja.

Ujë mezi na vinte dhe shpesh duhej ta mbanim me kova nga çezma publike, duke ndarë dhe sikletin e radhëve të gjata me njerëz të tjerë bashkëvuajtës. Gratë i lanin rrobat e mëdha në kazanë të mëdhenj me finjë dhe copa sapuni të grirë. Në fushë bëhej një flakadan i madh dhe ziheshin rrobat e bardha, që në të njëjtën kohë edhe sterilizoheshin dhe pas kësaj shpëlaheshin, shtrydheshin dhe ndeheshin në diell. Një nga pak argëtimet e lejuara ishte gjuetia. Pushkët tona të bukura “Bereta”, na i kishte konfiskuar qeveria komuniste, por me ndihmën e disa të njohurve arrita të merrja mbrapsht një pushkë të vjetër italiane, me të cilën të vazhdoja pasionin tim.

Të kam marrë shumë here me vete…! Por ama mendjen e kishim përherë te yt atë. Shumë herë, si Melisi, ashtu edhe unë kemi shkuar në Komitetin Qendror që të takonim Enver Hoxhën ose, për të folur me ndonjë nga vartësit e tij, por gjithçka më kot. Ndonjë herë nuk pranonin fare, herë tjetër thoshin të prisnim, por nuk vinte askush, ndërsa ndonjë herë tjetër madje përballeshim me sjellje të pacipa shantazhi. Një herë Melisi shoqëroi Aurelian, e cila shpresonte të takohej me Enverin personalisht dhe t’i kërkonte faljen e të shoqit në emër të miqësisë së hershme, por ai u justifikua duke thënë se: arsyet shtetërore e pengonin të ishte shpirtmadh: po të dorëzohej para kërkesës së saj, do ta pësonte edhe vetë pushteti dhe hierarkia e tij. Por në vijim ama, Aurelian e thirri disa herë një nga puthadorët e Enverit që, i bënte vetëm propozime të padëgjuara, në këmbim të një lirimi të mundshëm të të shoqit”.

Në fytyrën time normalisht u shfaq një hije neverie dhe zemërimi aq e dukshme, saqë daja, ndërsa më vuri dorën në shpatull, po përpiqej të më qetësonte. Në kujtimet e mia prej fëmije, një gjë që më mahniste dhe mbante ndezur kureshtjen time ishte të luaja me flluskat shpërthyese të ujit që binin pa pushim nga luharja e gjyshes, kur ajo ishte duke gatuar. Ato flluska balerina ishin me njëmend mister për mua, ma hiqnin trurin dhe kaloja orë e orë të tëra duke i admiruar. Hapësira e madhe përpara, e zënë me karakatinat e kamionëve, ishte një park i vërtetë lojërash për fëmijët e mëhallës. Ishte një shteg i ngushtë që nga qendra e qytetit të çonte drejt maleve, shkonte ngjitur me shtëpinë tonë dhe dukej se përfundonte në hiç. Më bënte shumë përshtypje…! Ndërsa përkundrazi, kamionët e vjetër të sheshit më dukeshin shumë tërheqës dhe sa herë dilja nga shtëpia, kërkoja leje të luaja te ata përbindësha mekanikë. Ndonjëherë edhe më jepnin leje dhe atëherë futesha në kabinën e shoferit dhe bëja sikur ngisja kamionin, kontrolloja rrotat, hipja në rimorkio, i merrja erë naftës që kishte mbetur akoma në serbator; me të vërtetë që çmendesha nga gëzimi!

Kujtoj në veçanti, duke pasur parasysh tërheqjen time për reliket luftarake, se kisha gjetur dhe kisha sjellë në shtëpi një predhë mortaje. Sigurisht që ishte një pajisje e çaktivizuar sepse nuk kishte fitilin, por unë se dija. Kishte formë dardhe me krahëz të vegjël që dukeshin si bisht. Duhej të peshonte rreth dy kilogramë dhe më lodhi jashtë mase derisa e tërhoqa deri në shtëpi atë lodër të mrekullueshme. Mbaj mend që dhashë të dukem para gjyshes me atë gjë në dorë. Tmerri i saj duhet të ketë qenë jashtë mase i madh, meqë sa më pa, ngriu në vend. Sigurisht që për të mos më trembur nuk më tha asgjë, ma mori predhën nga duart me kujdesin më të madh dhe e fshehu larg shtëpisë, ndërsa stërgjyshja më ruante mua. Më vonë mora vesh që daja im, i kapluar nga problemet e tjera, e kishte groposur predhën afër përroit. Kjo aventurë shpesh bëhej objekt i kujtimeve familjare kur bëhej falë për ‘prapësitë’ e mia.

Natyrisht që unë nuk i vija re shtrëngimet nëpër të cilat kalonte familja, sepse, me sa kishin mundësi, ata mundoheshin të mos më mungonte asgjë. Gjithsesi, për habinë e madhe të të afërmve të mi, më pëlqente jashtë mase, sidomos kur dilte valë e nxehtë nga furra, kallamboqi (buka e misrit), ndërsa të tjerët hanin normalisht babanazin (bukë e zezë me miell gruri). Dy herë në muaj, nga Tirana shkoja bashkë me nënën në burgun e Vlorës, për të takuar tim atë. Në kësi rastesh i çonim ushqime dhe ilaçe jo vetëm babait tim, por edhe shokëve të tij të burgut. Im atë bënte çmos të më zbaviste dhe nga pas hekurave kuptonte rritjen time të shpejtë pasi, më maste dhe i kërkonte nënës ndryshimet e mia në peshë; më shihte si një fëmijë shumë kureshtar dhe që tregonte interes ndaj gjithçkaje që më rrethonte, gjë që e bënte shumë të lumtur.

Një ditë isha vetëm në shtëpi. Po luaja në korridor me një top që më kishte dhuruar daja, kur ky u hodh dhe përfundoi në dhomën ku jetonin shqiptarët. Hyra në dhomën me gjysmë dritë dhe papritur u ndesha me dy sy gjithë shkëlqim që më shikonin të palëvizur. U tremba aq shumë, sa zemërhekur ia mbatha me të katra sa më shpejt që të mundja dhe shkova e u fsheha në kuzhinë. Këtu u ndesha me stërgjyshen që për fat, u fut në kuzhinë bash në atë çast. Me gjasë më lexohej frika në sy, sepse ajo më pyeti ç’më kishte ngjarë. Nuk e hapa fare gojën se ç’më kishte ndodhur, sepse më vinte turp nga vetja dhe nga frika që më kapi. Kohë më pas e kuptova se ata sy të qelqtë ishin të një elefanti prej cohe, por që nga ajo ditë, sa herë kaloja para asaj dhome, shihja përreth me dyshim: kisha frikë se ajo kafshë me sy të këqij mund të më sulmonte nga njëri çast në tjetrin.

Daja im kishte një motor të vjetër e të fuqishëm Guci, me të cilin shkonte në punë ose në stërvitjet në fushën e sportit.

Sapo dëgjoja zhurmën karakteristike të motorit, kërkoja menjëherë të dilja nga shtëpia, të hipja në serbatorin e motoçikletës dhe të bëja një xhiro në sheshin përballë. Kjo dëshirë më plotësohej thuajse gjithmonë. Jo rrallë rreth shtëpisë fluturonte, në lartësi të ulët, një dymotorësh Dakota që i çonte për lojërat në transfertë Xhakomon dhe kolegët e vet futbollistë. Nëna më ngrinte te parmaku i dritares për t’i përshëndetur. Shpesh daja më hipte në shalën e biçikletës dhe bashkë shkonim në pyllin e vogël afër përroit. Hyja pa frikë në gajushë për të dëgjuar këngën e mëllenjave ose flatrimin e shapkave, edhe pse shumë shpesh as arrija madje t’i shihja dot. Kur qëllonte daja, zija veshët fort me duar, por isha i pari që vrapoja drejt qenit që sillte shpendin e vrarë.

Me të mbërritur në shtëpi, gjithë krenari, hidhja mbi tavolinën e kuzhinës prenë e gjahut. Edhe kur nuk shkoja me ta, kthimi nga gjuetia i dajës dhe gjyshit me prenë mbi kofanon e Jeep-it ishte gjithmonë si një festë e madhe për mua dhe për gjithë familjen. Në kthim drejt Dajtit kalojmë afër asaj që duhej të kishte qenë banesa e Lules, e fejuara bukuroshe e Xhakomos. Në lidhje me këtë çështje, daja ka qenë përherë gojëkyçur, më shpjegon se sa e lumtur ka qenë ajo dashuri, por njëherësh, edhe e kundërshtuar nga prindërit e vajzës, si për arsye etnike, edhe për ato fetare. Gjërat shkuan mbarë deri kur Xhakomos iu bë presion nga disa të tërbuar ‘të lëshonte prenë’, duke e kërcënuar me jetë. Duke parë rrethanat dhe ambientin, nuk bëhej shaka me këto gjëra, ndaj dhe Lulja dhe Xhakomo u ndanë. Morëm vesh nga një prej lojtarëve se Lulja më vonë ishte martuar dhe ishte bërë me një djalë, pastaj i shoqi i kishte vdekur dhe tani jetonte e vetme në mjerim. Edhe pse shokët i thanë Xhakomos të shkonte ta takonte me shkas udhëtimin tonë këtu, ai nuk pranoi. Shumë vite kishin kaluar: më mirë të ruante një kujtim të bukur të rinisë se sa, të gjendej përballë një fantazme të së kaluarës nga një çast në tjetrin.

Komiteti Olimpik

Sot na pret një ditë e madhe kushtuar sportit. Ka një ngazëllim në ajër. Këtë herë është daja ai që troket në derën time:

“Aldo, u bëre gati”

“Sigurisht që po, ka kohë që jam gati. Megjithatë është akoma herët, dajë, s’ka shkuar akoma 09.00”.

Të dy kemi veshur kostum e kollare dhe zbresim për të ngrënë mëngjes. Daja ka hedhur shumë pas rroje, e cila lëshon shumë aromë. Duket dhjetë vjet më i ri dhe më duket sikur do t’i zbresë shkallët me vrap. Na kanë thënë se sot mblidhet Komiteti Olimpik dhe Xhakomo së bashku me gjithë futbollistët e tjerë, janë ftuar në aktivitetin që do të mbahet në orën 11.00 në Stadiumin “Qemal Stafa”. Ndërsa hamë mëngjes, dëgjojmë zëra të paqartë që vijnë nga hyrja e hotelit. Menjëherë shfaqet para nesh Spartaku, që na thotë se kanë ardhur disa futbollistë dhe duan të përshëndesin shokun e vet Xhakomo. Po na presin në sallon. Takimi është shumë kordial: përgëzime dhe përqafime mes të gjithëve. Numërojnë njëri-tjetrin; gjashtë nga ekipi i ’46-ës, plus Xhakomon shtatë. Biseda natyrisht përqendrohet në kujtimet sportive.

U sjell kafe ekspres të gjithëve. Dikush edhe mahnitet nga mirëqenia jonë në dukje. Si mund të rrimë në një hotel kaq të shtrenjtë për kaq ditë, ndërkohë që mes tyre paga mujore është diku te 90 mijë lireta – aq sa na kushton hoteli për një ditë?

Të rrimë shtrembër e të flasim drejt, Shqipëria ka mbetur pesëdhjetë vjet prapa krahasuar me Italinë dhe Europën dhe sigurisht që as është e mundur të bëhen krahasime mes nivelit të jetës italiane dhe asaj shqiptare, që padyshim është më e varfër dhe e prapambetur. Memorie.al

                                                        Vijon numrin e ardhshëm

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/mamaja-aurelia-u-perpoq-disa-here-qe-te-takonte-enver-hoxhen-per-ti-kerkuar-lirimin-e-babait-nga-burgu-por-ai-i-tha-kujtimet-e-italianit-nipi-i-ish-portierit-te-komb/