“Lutjeve të Zinovievit e Kamenievit që t’u falej jeta, të paktën për besnikërinë që kishin treguar ndaj tij, Stalini i’u përgjigj; po e njoh, por ajo…”/ Historia e panjohur e diktatorit sovjetik dhe Enver Hoxhës

Nga Spartak Topollaj

-Stalin – Enver – paralele të përgjakura të terrorit të kuq dhe përse ne shqiptarët i njohim kaq pak krimet e tmerrshme këtyre dy diktatorëve…?!

Memorie.al / Zbatimi në praktikë i ideve komuniste të Marksit dhe Engelsit, edhe pse ata ishin në apogjeun e veprimtarisë së tyre si revolucionarë, filozofë dhe ekonomistë, dihet që nuk gjeti terren, té Komuna jetëshkurtër e Parisit (18 mars – 28 maj 1871), ndërsa idetë anarko – socialiste të Prudonit, Blankit apo Bakuninit, gjithashtu nuk u përkrahën dhe s’patën mbështetje mbarëpopullore. Engelsi thoshte, se: Komuna e Parisit, ishte varri i ideve socialiste të Prudonit! Pikërisht se nuk u zbatuan mësimet e Manifestit Komunist (1848), si dhe koha e shkurtër e qëndrimit të komunarëve në pushtet (vetëm 72 ditë, në Paris dhe  4 – 5 qytete), ishin shkaku, që Komuna të mos ushtronte dot dhunën ekstreme revolucionare proletare! Sidoqoftë, në gjallje të tyre, krijuesit e doktrinës së Komunizmit Shkencor (që kurrë nuk u kuptua, se ku qëndronte shkenca në këtë doktrinë), nuk mbërritën asnjëherë të shohin, qoftë edhe në ndonjë vend të vetëm, zbatimin konkret të utopisë së socializmit, i cili, edhe kur u vu në jetë, pas përmbysjes së absolutizmit carist të Dinastisë Romanov në Rusi, me ‘Revolucionin e Tetorit 1917’, eci nē rrugë kriminale dhe me gjak,  e terror të kuq bolshevik!

Pa gjyq, Car Nikolla i II-të, Caresha gjermane, vajzat dhe djali 11 vjeçar Aleks, i sëmurë me hemofili, e deri edhe mjeku Botkin, bir i Botkinit të madh, (mjek personal i dy carëve), Aleksandri II-të dhe i III-të, shkencëtar, që zbuloi ç’ishte hepatiti (verdhëza), e si shërohej kjo sëmundje, e po ashtu, edhe personeli shoqërues, si edukatorja Demidova, Kryekuzhinieri Charitonov, dhe kryekamerieri Trupp, u ekzekutuan pa mëshirë, nga gardistët e kuq, muzhikë e proletarë, të komanduar nga bolsheviku injorant e katil, Jakov Mihajloviç Jurovskij, në katin përdhes të Shtëpisë Ipatjev në Jekaterinburg, ku mbaheshin të izoluar, patjetër kjo, me miratimin e Leninit, Svjerdllovit dhe Xherxhinskit, më 17 korrik 1918…!

Lenini, Trockij dhe të tjerët, sapo erdhën në krye të shtetit, bënë kujdes, që autoritetin e pushtetit muzhiko – proletar të sovjetëve, ta konsolidonin me terror, ndaj edhe i kushtuan vëmendje të veçantē organeve të Diktaturës, veçanërisht Policisë Sekrete!

I pari që e drejtoi Shërbimin Sekret të bolshevikëve, paradoksalisht bëhet një aristokrati idealist revolucionar polak, Feliks Edmundoviç Xherxhinski, të cilin vetëm për disa muaj të 1918-ës, e zëvendësoi Jakov Peters, personazh apokaliptik me profil të ulët dhe mbiemër gjermano-hebré , për të cilin dihet shumë pak…?!

Xherxhinski rikthehet fuqishëm muaj më pas, për ta mbajtur funksionin, kësaj here plus dikasterin delikat të Komunikacionit, deri sa ndërroi jetë, pa mbushur të 50-at, nga një atak kardiak, kur sapo kishte mbajtur një fjalim të zjarrtë kundër armiqve trockistë, më 20 korrik 1926!

I pakorruptueshëm, i sprovuar në burgjet dhe internimet e Ohranës cariste, (metodat çnjerëzore të torturave të së cilës, pasi i kishte pësuar vetë, i perfeksionoi edhe më tej), i devotshëm deri në vetëmohim, ai u mbiquajt “Feliksi i hekurt”, që gëzonte mbështetjen, e miqësinë e Leninit dhe pas tij, edhe të Stalinit!

Atij iu ngarkua detyra delikate dhe e vështirë, të krijonte dhe kryesonte, qysh më 20 Dhjetor të 1917, atë që njihet si ÇEKA ( e plotë VEÇEKA), akronim në rusisht, i Komisionit të Jashtëzakonshëm Pan-rus të Luftës ndaj Kundërrevolucionit dhe Sabotimit!

Ai luajti rol të veçantë në vitet e Luftës Civile ( 1917-1922 ) dhe Intervencionit të huaj, mbas Paqes së sforcuar e të imponuar nga rrethanat, të Brest-Litovskit, në mbrojtjen me çdo mjet të pushtetit bolshevik !

I pamëshirshëm, pa asnjë dallim, si ndaj bjellogardistëve, (Armatës së Bardhë me gjeneralët caristë dhe Legjionit çekosllovak prej 60.000 ushtarësh, robër në Siberi), ashtu edhe opozitarëve të shumtë brenda Partisë!

Gjeneralët e bardhë caristë, Kollçak dhe Kapel’ në Siberi,

Kornillov, Denikin,Vrangel dhe Kaledin në Jug, Miller në Veri dhe Judeniç në Veri-Perëndim, u thyen, me gjithë ndihmat e Perëndimit, duke lënë pas mijra të vrarë, ndërsa ata që ranë në duart e të Kuqve , sidomos të çekistëve, nuk tregohet se ç’hoqën!

Një rol të madh luajti edhe Lev Davidoviç Trockij, si Komisar për Punët e Jashtme në fillim, e më pas deri më 1925-ën,  Komisar i Popullit  për Ushtrinë dhe Marinën, Kryekomandant i Ushtrisë së Kuqe, personaliteti i dytë pas Leninit!

Më 30 gusht 1918 Leninit, teksa po dilte nga një takim me punëtorët e Uzinës ‘Mih’elson’, i’u bë atentat, madje nga një grua, 28 vjeçarja hebreo-ruse Fanny Efimovna Kaplan (emri i vërtetë Fejga K’haimovna Roytblat – Rojtman) dhe me pseudonimet ‘Fanja’ apo ‘Dora’, një socialiste revolucionare që kish vuajtur vite burg e internim carist në Siberi, liruar në mars 1917!

Ajo e urrente Leninin, si kreu i bolshevikëve, që i konsideroi armiq ESER-ët (socialistët revolucionarë), njëlloj si edhe menshevikët dhe akoma më tepër, për nënshtrimin dhe nënshkrimin e Traktatit të Brest – Litovskit, konsideruar prej saj, akt i rëndë tradhtie!

Pa i’u dridhur aspak dora, qëlloi me tre plumba revolveri, njëri në qafë, tjetri në shpatullën e majtë dhe i treti, vetëm sa i shpoi kapotën! Lenini shpëtoi, por shëndeti i tij filloi rrënimin, ngaqë ai vuante edhe nga sëmundje veneriane, shkak ky, që ai me Krupskajan, nuk patën kurrë fëmijë?!

Fanny Kaplan, u kap dhe me gjithë torturat e tmerrshme të bishave të ÇEKA-s, për të treguar frymëzuesin dhe bashkëpunëtorët, ajo nuk implikoi askënd, ndaj dhe në mbrëmjen e 3 shtatorit 1918, pas urdhrit të Svjerdllovit, (të njëjtit, që pak javë më parë kish urdhëruar ekzekutimin e familjes së Carit), me një plumb në zverk, e ekzekutuan!

Ndërkohë ÇEKA arrestoi mijra të tjerë, kundërshtarë të regjimit të ri shtetëror e partiak, pas  Dekretit për zbatimin e Terrorit të Kuq, rreth 800 prej të cilëve, gjithashtu u ekzekutuan! Për një rast si ky, patjetër do të kishte dhe plot teori konspirative, si ajo, që urdhëruese e atentatit të ishte një tjetër grua, Lidia Konopleva, socialiste revolucionare me funksione!

Për Fanny Kaplan flet në librin e saj “Gruaja në KATORGA” edhe revolucionarja dhe aktivistja tjetër e shquar (té né, pothuaj e panjohur) Vera Figner, e mbiquajtur, edhe si ‘Venera e bukur e Revolucionit’! (Katorga ishin kampe përqendrimi, kryesisht në Siberi gjatë regjimit të carëve, ndërsa pushteti bolshevik i quajti këto GULAG, përshkruar me gjenialitetin e tij nga nobélisti Sollzhjenjicin)!

Gjendja ekonomike e Rusisë pas Revolucionit dhe Luftës së Parë Botërore, ishte katastrofike, ndaj Lenini propozonte “Komunizmin e Luftës”, e më pas “NEP-in”, (Novaja Ekanjamiçjeskaja Politika), që përmbanin masa drastike e shtrënguese, shoqëruar edhe me ndëshkime të rënda, deri në ekzekutime masive!

Të pabindurit dhe “sabotatorët”, dënoheshin me vdekje, Ata ishin mijëra, por numëri i saktë i tyre, ndoshta nuk do të mësohet kurrë! Ndërkohë që shëndeti i Leninit përkeqësohej, në hije, një personazh tjetër, deri aso kohe pa ndonjë rol të rëndësishëm në udhëheqje, vëzhgonte, përgjonte dhe intrigonte, duke çarë me bryla rrugën drejt kreut të Partisë, e më pas edhe pushtetit sovjetik, poste për të cilat, të gjithë pranonin, se pas Leninit, do t’i merrte Trockij!

I pashkollë (me një seminar ortodoks), brutal dhe i dhunshëm (deri grabitës bankash), maloku gjeorgjian, zotëronte falë teorisë së kompensimit, aftësi të tjera, dhe falë këtyre cilësive, ia mbërriti në vitet kur vendi ishte në Luftë Civile dhe nën Intervencion të huaj, të zgjidhej Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Bolshevike!

Më 1922-in, Lenini ashtu gjysmë i aftë për të drejtuar Partinë, shkruajti një një letër për udhëheqjen, që ruhet edhe sot, se duhej menduar, gradualisht largimi i Stalinit nga posti i Sekretarit të Përgjithshëm…?!

I tërbuar, sapo mësoi për Letrën, Stalini i hakërrehet Krupskajas, që edhe e solli letrën, me fyerjen e rëndë: e kush të pyet ty, moj shterpë?! Stalini, ky mjeshtër i lindur i intrigës, pragmatizmit, kompromiseve të pabesa, kish mundur të njihte mirë ambiciet për pushtet të disa prej krerëve udhëheqës, si: Zinovievi, Kamenievi, Buharini, etj., dhe t’i keqpërdorte ata, edhe pse ishin me origjinë hebreje, kundër Trockit, gjithashtu hebré, por që siç shkruajtëm më parë, dukej i padiskutueshëm si zëvendësues i Leninit, i cili, i sëmurë siç ishte, qé i pafuqishëm të ndikonte, madje,  po shkonte drejtë shuarjes, që nuk vonoi dhe erdhi, më 21 Janar 1924!

Trockij gaboi rëndë, teksa flinte mbi dafina, me mendimin se ishte ai zëvendësuesi i paevitueshëm i Leninit dhe e nënvlerësoi  Stalinin, i cili nga ana e tij, kish bërë për vete tashmë mbi gjysmën e Polit-byrosë, dhe po përgatiste terrenin për ta goditur Trockin, ndërsa atyre që e ndihmuan për këtë, si edhe shumë të tjerëve do t’iu vinte radha më vonë, siç edhe do të sqarohet më poshtë në këtë shkrim !

Në shkurt 1929, pasi e kishin shkarkuar nga çdo funksion, duke parapëlqyer të mos e arrestojë, për shkak të autoritetit të madh që kishte, Stalini urdhëroi depërtimin me dhunë të Trockit, pra dëbimin e tij nga BRSS-ja dhe mbasi e hipën forcërisht në tren,  e nisën për në Stamboll! (Në Athinën e lashtë, dëbimi ishte dënimi më i rëndë që jepej!)

Hakmarrës i pamëshirshme, Stalini pasi i vrau njërin djalë në Gulag dhe i helmoi tjetrin (dy vajzat vdiqën, njëra e sëmurë dhe tjetra e vetëvrarë), nuk mund ta falte edhe vetë Trockin, të cilin, më në fund e vrau nëpërmjet agjentit të infiltruar  sovjetik, Ramon Mercader, (Daja i aktorit dhe regjisorit të madh Italian, Vittorio de Sica), në 20 gusht të 1940-ës!

Në Ukrainë, hambar i drithërave si edhe sot, Stalini në vitet 1932-1933, zbatoi HOLODOMOR-in e tmerrshëm, vdekjen masive nga uria, të miliona njerëzve, të cilën, vetëm më 2008, OKB e njohu si gjenocid dhe krim kundër njerëzimit?!

Siç edhe ka ndodhur me të gjithë diktatorët, veçanërisht kur ata qëndrojnë gjatë në pushtet, kaplohen nga paranoja e humbjes së tij, çka për shkak të krimeve që kanë bëre, deri edhe ndaj më të afërmve e miqve të ngushtë, i shndërron  të gjithë në Makbethë të pagjumë! Ata duan të dinë gjithçka, dyshojnë të të gjithë, deri dhe të bashkëshortet, fëmijët, vëllezërit etj etj., duke mos i besuar askujt, madje si e përdorim në shqiptarët, as edhe  këmishës që mbanin veshur…?! E këtu, Stalini, zë një vend “nderi”, në librin e rekordeve GUINNESS!

Ishte për këtë, që Stalini, mbasi urdhëronte përhapjen deri në kapilarë të rrjetit të spiunëve të policisë politike, që ka ndërruar shpesh emrin, (por jo metodat, krerët e saj të keqpërdorur e të zhytur në krime monstruoze), i eliminonte fizikisht si tradhtarë dhe kriminelë, pikërisht për krimet e tmerrshme, që ata kishin bërë po me urdhrat e paranojakut despotik, Carit të Kuq të Kremlinit (këtu kemi ngjashmëri binjakësh monozigotë, mes tij dhe kryekriminelit shqiptar, diktatorit paranojak, Enver Hoxha)!

Të gjithë krerët e policisë politike sekrete, përjashtuar të parin, pra Xherxhinskin, që vdiq nga infarkti dhe të fundit Berian, që vërtetë e përcolli për në atë botë Stalinin, (por edhe ai pati fatin e pararendësve të tij, duke u ekzekutuar nga klani Hrushov, Malenkov, Bulganin, Molotov, Zhukov), vetëm pak muaj më vonë (23 dhjetor 1953), Stalini i kish ekzekutuar me radhë njërin pas tjetrit!

Fati dhe fundi i Menzhinskijt, Jagodës, Jezhovit, por edhe i të tjerëve, si Merkulov, Abakumov, Ogoltsov, Fedorov, Kuznjeçov dhe Malik ishte pak a shumë i njëjtë! Stalini, parapëlqente t’i etiketonte si “Grupe Armiqsore” dhe komplotistë, të gjithë ata, që ai mendonte se nuk e donin atë dhe i rrezikonin pushtetin personal absolut!

Atij i duhej një alibi e fortë, për të nisur goditjet e mëdha, dhe të tmerrshmen PURGA (spastrim), ndaj dhe ideoi e urdhëroi të inskenonin vrasjen e Sergej Mironoviç Kirovit, udhëheqës i shquar e autoritar i partisë në Leningrad, të cilit, Stalini i trembej shumë si rival! Militanti Leonid Vasiljeviç Nikolajev, më 1 dhjetor 1934, në orën 16.30 në katin e tretë para derës së zyrës së tij, në Pallatin e famshëm Smolnij, në Shën Petersburg (Leningrad) u bë ekzekutori material i atentatit!

Për çdo gjë, ishte kujdesur personalisht i frikshmi Jagoda, i tmerrshmi i NKVD-së, ky Jago i Stalinit. Duke e njohur Nikolajevin, të riun komsomolas problematik dhe me dosje në Policinë Sekrete, (gruaja e bukur e të cilit, Mil’da Draule, punonte në Smolnij), agjentët e Jagodës i futën xixat e xhelozisë, duke i lënë të nënkuptonte, se jo rastësisht ajo ishte punësuar pranë Kirovit…?!

Pasi improvizuan një shkak, njerëzit e Jagodës ndaluan brenda Smolnit Mikhail Borisovin, rojen personale të Kirovit, duke i hapur rrugën atentatorit të shtinte e të vriste pas shpine, me një pistoletë ‘Nagant M. 1895’, udhëheqësin popullor bolshevik të Leningradit!

Atentatorin e bllokoi Platanov, një elektricist që po punonte aty dhe rastësisht pa gjithçka! Borisovin, që të nesërmen e atentatit, po e transportonin për ta hetuar mbi “përgjegjësinë e rëndë”, në mos ruajtjen e jetës së shefit të tij, e vrau “aksidentalisht” një kamion?!

Aq me rëndësi ishte kjo ngjarje për shokun “Koba” (pseudonimi i Stalinit), sa ai, që vetëm ‘Kobe’ dinte të bënte, u muar personalisht me hetimin e çështjes, e cila përfundoi me ekzekutimin e atentatorit dhe disa të tjerëve, që u cilësuan “Grup armiqësor”- gjithsej 13 vetë!

I tmerrshëm ishte edhe fundi i të gjithë familjes së Nikolajevit, e shfarosur e tëra, përfshi nënën 85 vjeçare, bukuroshen  Mild’a, deri dhe kushërinjtë e tij!

Me vrasjen e  Kirovit, Stalini realizoi  tre qëllime: eliminoi një rival potencial, dha shembullin se kushdo që guxonte ta rivalizonte, vritej, por ama shpallej heró dhe i hapi rrugë Purgës së Madhe (pastrimeve me fshesë të hekurt), të atyre që sadopak mendonin, se Stalini sundonte si despot i kuq !!!

Së pari duhej zhdukur Jagoda, që zbatoi deri në detaje skenarin e Stalinit. Zëvendësi i tij, Nikollaj Ivanoviç Jezhov, me urdhër të Kobas, mbasi i zuri vendin, në krye të NKVD -së, (paraardhëse e KGB-së), e arrestoi dhe pas një farë kohe, e gjykuan, dënuan me vdekje dhe e ekzekutuan!

Purga e madhe, u quajt edhe Terrori i madh! Kjo periudhë në BRSS-në stalinian, u njoh edhe si “Jezhovçina”, nga emri i supermonstrës Jezhov, majës së mprehtë të shpatës së Damokleut sovjetik, Josif Visarionoviç Xhugashvili – Stalin, me pseudonimin KOBA!

Proceset gjyqësore gjatë ‘Purgës së madhe’ ishin të panumërt, por prej tyre dallojnë katër më të mëdhatë, tre të bëra publike dhe i katërti, sekret e me dyer të mbyllura (ai kundër krerëve më të lartë të Ushtrisë së Kuqe)!

Në të tre Proceset publike, gjyqet i kryesoi i tmerrshmi Vasilij Vasiljeviç Ulrich, ndërsa akuzën e përfaqësoi një tjetër mostër, Andrej Januarjeviç

Vishinskij, Prokuror i Përgjithshëm i BRSS-së, stalinist ekstremist, që kërkoi 55 dënime kapitale dhe vetëm 5 me burgim të gjatë, (nga 62 të pandehurit gjithsej), kërkesa të cilat,  Ulrich nuk i ndryshoi aspak, madje edhe 5 fatkeqët, që i shpëtuan dënimit kapital, pak më vonë vdiqën të gjithë në rrethana të dyshimta, si rëndom edhe shumë të tjerë para dhe pas tyre në Bashkimin Sovjetik stalinian?!

Vishinskij, ky xhelat – prokuror i Stalinit, u shpërblye prej tij, kur u gradua si Ministër i Jashtëm i BRSS-së (1949 – 1953)! Shpesh ai identifikohej, me xhelat – gjykatësin e tmerrshëm të kohës së nazizmit, Roland Freisler, të cilin vetë Hitleri e quante ‘Vishinskij ynë’! (Freisler, Kryetar hitlerian i Gjykatës Popullore – Volksgerichtshof, i cili edhe kishte asistuar personalisht në procesin farsë e të manipuluar stalinian të Moskës kundër krerëve të Armatës së Kuqe,  me Vishinskijn Prokuror)!

Pra, nazistët merrnin eksperiencë të stalinistët, për gjyqet farsë dhe dënimet me vdekje të kundërshtarëve të pafajshëm, që i shpallte armiq paranoja dhe absurdi i pushtetit totalitar të një njeriu brutal?!

Procesi i parë i madh i Purgës, ishte ai i të 16-ve (19 -28 Gusht 1936), ndaj Zinovievit, Kamenievit, Bakajevit, Berman-Jurinit, Davidit, Dreitzerit, Evdokimovit, Holtzmanit, Moisej dhe Natan Lour’é, Mraçkovskij, Olberg, Pikel, Reingold, Smirnov dhe – Ter – Vaganjan! Të gjithë u dënuan me vdekje dhe u ekzekutuan që të nesërmen!

Zinovievi dhe Kamenievi i ishin bashkëngjitur Stalinit, mjeshtërit të intrigës pragmatisto-komuniste, në spostimin e ndëshkimin e Trockit, por mosmirënjohësi i pashoq (ndoshta vetëm Enveri ynë ishte kopje e tij autentike), i thirri në zyrë para arrestimit dhe në prezencë tê Boris Bazhanovit, (ROLEX-i i tij, ose Haxhi Kroi i Stalinit, Sekretari personal dhe kryeaxhutantit të tij, gjeneral – leitnantit, Nikolaj Sidoroviç Vlasik (‘Sulo Gradeci’ i Stalinit), lutjeve dhe deklaratave të tyre, që të paktën t’iu njihte besnikërinë pa kufij ndaj tij (rasti Trockij), ai iu përgjigj: po, e njoh atë, por besnikëria, është një zakon shumë i vjetër prej qeni…! Memorie.al

                                                         Vijon në numrin e ardhshëm

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/lutjeve-te-zinonievit-e-kamenievit-qe-tu-falej-jeta-te-pakten-per-besnikerine-qe-kishin-treguar-ndaj-tij-stalini-iu-pergjigj-po-e-njoh-por-ajo-historia-e-pa/