Letra për Hysniun dhe Mehmetin: “Sokrat Plaka, i thotë sekretarit të parë: ju të Sigurimit, keni hijen e rëndë dhe…”/ Relacioni tepër sekret në ’77-ën, për dy titullarët e ambasadës në Beograd

Dashnor Kaloçi

Pjesa e parë

Memorie.al publikon disa dokumente arkivore me siglën “Tepër sekret”, të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së), të cilat i përkasin vitit 1979 dhe janë pjesë e një dosje ku ndodhet një korrespodencë e gjatë me letra, raporte, relacione, informacione, udhëzime, shënime, porosi, etj., ndërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë, aparatit të Këshillit të Ministrave dhe Komitetit Qendror të PPSh-së, (përkatësisht Sektorit të Marrëdhënieve me Jashtë), ku titullari i atij sektori, Piro Bita, informon sekretarët e Komitetit Qendror, Hysni Kapon dhe Ramiz Alinë, kryeministrin Mehmet Shehu, ministrin e Punëve të Jashtme, Nesti Nase dhe ministrin e Punëve të Brendshme, Kadri Hazbiu, lidhur me problemin që kishte dalë në ambasadën shqiptare në Beograd, midis dy titullarëve kryesor të saj, ambasadorit Sokrat Plaka dhe sekretarit të parë të asaj ambasade, Perlat Çaushi, (që ishte shefi i Zbulimit me Jashtë pranë asaj përfaqësie diplomatike), të cilët prej kohësh ishin të përfshirë në një konflikt të ashpër me njëri tjetrin, duke ndarë dhe personelin e asaj ambasade në dy grupe, ku stafi teknik, mbështeste ambasadorin Plaka, kurse ai diplomatik, mbështesin Çaushin! Raport-informacioni i plotë i hartuar nga shefi i Sektorit të Jashtëm, të aparatit të Komitetit Qendror të PPSh-së, 

 

Dokumenti tepër sekret me raport-informacionin e përgatitur nga sektori i Jashtëm të Komitetit Qendror të PPSh-së, dërguar Ramiz Alisë dhe Hysni Kapos, lidhur me konfliktin ndërmjet dy titullarëve kryesorë të ambasadës shqiptare në Beograd, Sokrat Plaka dhe Perlat Çaushi

Tepër sekret

                                                               I N F O R M A C I O N

MBI DISA MENDIME TË SEKTORIT TË JASHTËM PËR AUTOKRITIKËN E SOKRAT PLAKËS DHE PERLAT ÇAUSHIT, LIDHUR ME MOSMARRËVESHJET QË KANË LINDUR MIDIS TYRE

Sipas porosive të sekretarit të Komitetit Qendror, thirrëm në Sektorin e Jashtëm, shokët Sokrat Plaka dhe Peralt Çaushi dhe u kërkuam që të bënim autokritikë me shkrim, për mosmarrëveshjet që kanë lindur midis tyre në ambasadën në Beograd.

  1. Në autokritikën e tij, shoku Sokrat Plaka, thotë: se qysh nga tremujori i fundit i vitit 1976, në ambasadë filloj të krijohej një gjendje jo e mirë, e cila u pasqyrua edhe gjatë analizës vjetore të punës, ku u bënë dhe disa akuza.

Sipas tij, pikënisja ishte, preokupacioni për punën, lindën kundërshtimet midis kërkesës dhe mundësisë dhe mbi këtë bazë u krijuan fërkime, të cilat u shtrinë edhe në marrëdhëniet personale. Këto e kanë burimin në konceptet mbi euforinë, punën sektoriale dhe mbeturinat mikroborgjeze. Kjo bëri që puna e ambasadës të bjerë.

Materialet e Kongresit, thotë ai, më dhanë forca e shtytje të reja, për zbatimin e detyrave në luftën kundër euforisë, të metave dhe vënia e detyrave në përputhje me kërkesat e reja, me qëllim që, të revolucionarizohej puna dhe për të ngritur atë në një nivel më të lartë.

Por nuk gjeta metodën e përshtatshme, për shtrimin e këtyre detyrave, se nuk punova sa duhet për të krijuar bindjen tek shokët që të kuptoheshin detyrat, se në metodën për përgatitjen e analizës vjetore të punës, kam pasur të meta.

Nuk krijova komision pune dhe nuk insistova deri në fund, që shokët të jepnin vlerësimet e tyre, se në caktimin e detyrave, janë nisur më tepër nga dëshira dhe jo nga mundësitë e shokëve.

Ai thotë se, në metodën e tij, ka elementë burokratikë, duhet thjeshtësuar mbajtja e dosjeve, duhet përmirësuar metoda e ndjekjes së problemeve politike dhe se nuk ka inkurajuar iniciativën dhe vetëveprimin e shokëve, për t’u hapur horizont dhe për një punë më me cilësi.

Nuk u ka hyrë sa duhet, problemeve të rezidenturës dhe nuk ka ushtruar ndihmë e kontroll, ndaj këtij sektori.

Tani, thotë Sokrati, e realizoi se këto gjëra nuk duhej të ndodhnin, nuk reflektova mirë, kur u shpreha se zgjidhja e problemit, mund të arrihej me transformimin e njërit, apo tjetrit. Kjo e ka burimin se u theva para rezistencës së Perlatit, për të zgjidhur mosmarrëveshjet.

Kritikën, thotë ai, nuk e kam kundërshtuar ndonjëherë, por tani, reflekton, se ka një sedër mikroborgjeze për punën dhe kjo pasqyrohet edhe në raport me kritikën, pranon se ka shfaqje të mendjemadhësisë, e cila sipas tij, vjen nga eksperienca profesionale, se ka pasur raste dyshimi, për punë prapa krahëve, nga ana e ndonjë shoku. Kjo ka bërë që edhe tek ndonjë shok, të ketë lindur mosbesimi ndaj tij.

Në fund, thotë se, nga këto të meta e dobësi, ka nxjerrë mësime, premton se do të thellohet dhe do të bëjë autokritikë në organizatën e Partisë.

2. Shoku Perlat Çaushi, në autokritikën e tij, thotë se gjatë ditëve që ishte në Tiranë, është përpjekur të  shqyrtoj me gjakftohtësi, gjithë punën e ambasadës, punën e tij, dhe marrëdhëniet me Sokratin.

Ai thotë se, duke i vënë në dukje disa dobësi Sokratit, për të cilat ka bindje se në përmbajtje janë të drejta dhe i shërbejnë punës, nuk ka pasur e nuk ka asnjë iluzion se në punën e tij, nuk ka të meta, përkundrazi, ka vënd, thotë Perlati, që unë të thellohem gjithnjë e më shumë, për të gjetur rrugë dhe për të përmirësuar punën time.

Ai thotë se, në marrëdhëniet me Sokratin, nuk është nisur asnjëherë nga qëllime jo të pastra, se çdo gjë e ka bërë me qëllim të mirë, që puna të shkojë mbarë, por e keqja ime vazhdon ai, është se në ndonjë rast, mënyra se si ja kam thënë Sokratit, format e të shprehurit, thënia e fjalëve, nuk kanë qenë të përshtatshme, ka pasur raste, si ai gjatë analizës që kam manifestuar ndonjë shenjë gjaknxehtësie.

Këto kanë krijuar tek Sokrati, përshtypjen e gabuar, sikur nga ana ime, ka mungesë dashamirësie, bashkëpunimi, tendence, për ta penguar atë në punë, apo ç’është më keq, edhe për ta denigruar.

Kjo, vazhdon ai, nuk është aspak e vërtetë, sepse unë, jo vetëm nuk vuaj nga një sëmundje e tillë, siç është smira për shokun, por edhe sepse, çmoj Sokratin, si një kuadër me përvojë, si bashkëpunëtorin dhe eprorin tim, prej të cilit, përpiqem të përfitoj.

Gjykimi që kam shprehur, thotë ai, ndonjëherë për ndonjë çështje të mprehtë, si ajo e vigjilencës politike, nuk duhet interpretuar si mungesë e besimit politik, nga ana ime, për Sokratin.

Qëllimi ka qenë, që të kritikoj ndonjë tendencë nxitimi të tij. Shkaku kryesor për lindjen e mendimeve të kundërta, u bë raporti që përgatiti Sokrati në analizën vjetore.

Pavarësisht se ai ndoqi rrugë të gabuar, në përpilimin e raportit, duke mos marrë as mendimin tim, unë duhej, t’i tërhiqja vëmendjen dhe të kërkoj rrugë më të përshtatshme, kolegjiale për nxjerrjen e konkluzioneve. Këtë unë, nuk e bëra, se e dija që nuk do t’ja arrija qëllimit, mbasi personi im, ishte injoruar në raport.

Perlati, njeh si të metë, mos çuarjen deri në fund, të defekteve të konstatuara në metodën burokratike që kishte zënë vënd në ambasadë, si dhe çështjeve të ngritura në marrëdhëniet me Sokratin. Thekson se: këto çështje, nuk i ka shtruar as në organizatën bazë dhe as në qendër.

Si përfundim, Perlati thotë, se: mosmarrëveshjet me Sokratin, nuk janë çështje personale, por për çështje serioze të punës, prandaj, nuk ka asgjë objektive, që të na pengojë, për të punuar së bashku dhe për ta çuar punën përpara. Premton, se në të ardhmen, do të thellohet dhe do të bëjë përpjekje për të përmirësuar më tej punën.

Mendimi i Sektorit të Jashtëm, është se autokritika e dy shokëve, nuk është e thelluar. Ata, nuk evidentojnë si duhet dobësitë dhe sidomos, nuk zbulojnë shkaqet që i çuan në këto mosmarrëveshje, bile, se tek njëri dhe tek tjetri, por më e theksuar tek Perlati, shihet tendenca e justifikimit.

Të dy shokët, në autokritikën e tyre, premtojnë se do të reflektojnë, por nga sa kanë konstatuar, Zija Koçiu dhe Haki Keta, gjatë kthimit të tyre nga Stambolli, marrëdhëniet midis Sokratit dhe Perlatit, nuk janë shumë të ngrohta. Ata janë në pritmëni.

Sekretari i organizatës bazë, shoku Halit Çoku, që ndodhet këto ditë me shërbim në Tiranë, na tha se: ata janë në pritje dhe ky është i mendimit, se mosmarrëveshjet midis Sokratit e Perlatit, lindën vetëm gjatë analizës vjetore, se kjo analizë, sipas tij, ishte fryt i punës të Sokratit dhe se aty nxihesh puna e ambasadës.

Duke marrë parasysh, se autokritika e tyre është e cekët, jo premtuese, se mosmarrëveshjet janë serioze, dhe shtrirë edhe në komunistë e punonjës të tjerë, përfshi edhe sektorin e organizatës bazë, propozoj:

  1. Të dërgohen dy shokë nga aparati i Komitetit Qendror (një nga Sektori i Jashtëm dhe tjetri nga grupi i instruktorëve) për të analizuar gjendjen në organizatën bazë të përfaqësisë në Beograd dhe të shtrihen konkluzionet që duallë nga takimi që bënë shokët sekretarë të Komitetit Qendror. Para mbledhjes së organizatës të merren takime individuale me komunistët e punonjësit. Në këtë mbledhje të diskutohet për problemet që i takojnë organizatës dhe të kërkohet që të bëhet autokritikë.
  2. Mbas kësaj analize, të dy shokët, të kthehen në atdhe, në fillim Sokrati, e pastaj Perlati dhe të dërgohen në një nga zonat e thella të vendit. Dikasteret përkatëse dhe aparati i Komitetit Qendror të marrin masat e menjëhershme, për zëvendësimin e tyre.
  3. Përfaqësia e Beogradit, ka nevojë të freskohet me kuadro dhe punonjës të rinj, mbasi atje, ka prej tyre, që kanë kaluar afatin e qëndrimit: Bido Mehmeti dhe Selim Malaj, kanë mbi 6 vjet, Idajet Gurra mbi 4 vjet, kurse shifranti dhe radisti, afërsisht nga 5 vjet. Memorie.al

  2.6.1977                                                                                  SEKTORI I JASHTËM

                                                            Vijon numrin e ardhshëm

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/letra-per-hysniun-dhe-mehmetin-sokrat-plaka-i-thote-sekretarit-te-pare-ju-te-sigurimit-keni-hijen-e-rende-dhe-relacioni-teper-sekret-ne-77-en-per-dy-titullare/