Letra për Hysni Kapon: “Gjatë vizitës së Eduart Kardelit në SHBA-ës, ambasada jugosllave në Washington, ftoi dhe Anthony Athanas, i cili u takua me…”/ Relacioni i Kadri Hazbiut, në ’77-ën

Dashnor Kaloçi

Memorie.al publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë, (Fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSh-së), të cilat i përkasin vitit 1977 dhe janë pjesë e një dosje  me letra, relacione, raporte, informacione, udhëzime, etj., ndërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme, Komitetit Qendror të PPSh-së dhe Misionit Diplomatik Shqiptar, pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Ndërmjet të tjerash, në dosjen në fjalë, ndodhet edhe një raport-informacion i përpiluar nga Punëtori Operativ i Sigurimit të Shtetit, me shërbim pranë Zbulimit Politik Shqiptar në SHBA-ës, (që vepronte i kamufluar në përbërje të Misionit Diplomatik Shqiptar pranë OKB-së), dërguar Ministrisë së Punëve të Brendshme në Tiranë, lidhur me veprimtarinë e Zbulimit Jugosllav, në radhët e Kolonisë Shqiptare në atë vend, ku midis të tjerash thuhet: “Përfaqësitë dhe konsullatat jugosllave në Uashington, New York, Boston, Detroit, japin pritje e organizojnë shfaqje filmash, për shqiptarët në këto qytete, me të cilët njëkohësisht zhvillojnë propagandë kundër Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë. Ata po shtojnë e zgjerojnë format dhe mjetet e propagandës, në drejtim të shqiptarëve me banim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me anë bisedash nga emisarët e tyre, botimesh të ndryshme si fletushka e broshura, të shkruara nga agjentët e tyre në radhët e emigracionit. Përveç kësaj, konsullata jugosllave në New York, po bën përpjekje për të organizuar një emision javor në gjuhën shqipe, në televizionin e New Yorkut. Në kuadrin e synimeve të tyre në drejtim të kolonisë shqiptare, me pretekste të gjithfarëllojshme, organizojnë kontakte me krerë si: Anthony Athanas, Dhimitër Trebicka, Peter Xhejms, të cilët i kanë ftuar dhe në konsullatën e tyre në New York”.

Dokumenti sekret me raport-informacionin e përpiluar nga Punëtori Operativ i Sigurimit të Shtetit me shërbim pranë Zbulimit Politik Shqiptar në SHBA-ës, që vepronte i kamufluar në përbërje të Misionit Diplomatik Shqiptar në OKB-ra, dërguar Ministrisë së Punëve të Brendshme në Tiranë, lidhur me veprimtarinë e Zbulimit Jugosllav, në radhët e Kolonisë Shqiptare në atë vend.

Sekret

Ekzemplar Nr 2

Tiranë më 4.11.1977

                                                  I N F O R M A C I O N

Duke ndjekur aktivitetin e Zbulimit Jugosllav në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në konsultim me shokët tanë të misionit, si dhe nga disa takime me burime me patriotët në radhët e emigracionit rezulton:

Organet e UDB-së dhe kuadrot politikë jugosllavë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë intensifikuar dhe arritur aktivitetin e tyre në drejtim të emigracionit shqiptar (emigracionin reaksionar, atë ekonomik, dhe mërgatën kosovare). Kjo veprimtari e jugosllavëve, zhvillohet në këto drejtime:

1 – Në organizimin e aktivizimit kundër Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë të elementit me tendenca terroriste e diversioniste nga radhët e emigracionit reaksionar, nën drejtimin e Leka Zogut e të tjerëve.

2 – Zgjerimin e aktivitetit në drejtim të emigracionit kosovar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për të rritur influencën jugosllave në radhët e këtij emigracioni, mbajtjen e tij nën kontroll me mjete dhe forma nga më të ndryshmet, si dhe vënien e tij në armiqësi me Republikën Popullore Socialiste të Shqipërisë.

3 – Shtimin e veprimtarisë në radhët e emigracionit ekonomik shqiptar me synim për të penetruar dhe uzurpuar organizatat e Kolonisë Shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

4 – Intensifikimi i propagandës pro jugosllave, e kundër Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë në emigracionin shqiptar në përgjithësi, e veçanërisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Për zgjerimin e rritjen e veprimtarisë së mësipërme, organet jugosllave përdorin forma e mjete të shumëllojshme. Nëpërmjet shtimit të kuadrit të Zbulimit Politik me origjinë kosovare në përfaqësitë e ndryshme që kanë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe konkretisht në ambasadën në Washington, konsullatën në New York, misionet, dhe përfaqësitë e ndryshme tregtare, etj.

Me anë të rritjes së numrit të personave zyrtarë e privatë kosovarë që shkojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si delegatë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, delegacione ekonomike e tregtare, shkencëtare e artistike, etj.

Këto delegacione gjatë qëndrimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, marrin kontakte me emigrantët shqiptarë, duke përfshirë këtu dhe ata që vijnë nga radhët e mërgatës ekonomike.

Përfaqësitë dhe konsullatat jugosllave në Washington, New York, Boston, Detroit, japin pritje e organizojnë shfaqje filmash për shqiptarët në këto qytete, me të cilët njëkohësisht zhvillojnë propagandë kundër Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë.

Ata, po shtojnë e zgjerojnë format dhe mjetet e propagandës në drejtim të shqiptarëve me banim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me anë bisedash nga emisarët e tyre, botimesh të ndryshme si fletushka e broshura të shkruara nga agjentët e tyre në radhët e emigracionit.

Përveç kësaj, konsullata jugosllave në New York, po bën përpjekje për të organizuar një emision javor në gjuhën shqipe, në televizionin e New Yorkut.

Në kuadrin e synimeve të tyre në drejtim të kolonisë shqiptare, me pretekste të gjithfarëllojshme organizojnë kontakte me krerë si: Anthony Athanas, Dhimitër Trebicka, Peter Xhejms, të cilët i kanë ftuar dhe në konsullatën e tyre në New York.

Gjatë vizitës së Eduart Kardelit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në pritjen e dhënë nga ambasada jugosllave në Washington, u ftua dhe Anthony Athanasi të cilin, e takoi edhe Kardeli, ndërsa emisarë të ndryshëm kosovarë vizitojnë zyrat e organizatës “Shqipëria e Lirë”, në Boston.

Për të afruar shqiptarët e kolonive politike dhe ekonomike në Amerikë, jugosllavët ju kanë bërë ftese atyre që të shkojnë në Kosovë vitin që vjen, për të marrë pjesë në “Festivalin e madh shqiptar” që do të organizohet me rastin e 100 vjetorit të Lidhjes së Prizrenit.

Nëpërmjet kësaj veprimtarie të gjithanshme në drejtim të emigracionit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, jugosllavët, duke shfrytëzuar titistët kosovarë synojnë të armiqësojnë Republikën Popullore Socialiste të Shqipërisë me shqiptarët që ndodhen jashtë, me qëllim që të deklarohen si mbrojtës e përfaqësues të tyre e, për t’i përdorur më pas kundër Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë dhe Kosovës.

                   Puntori Operativ

                   (Kozma Moja)

Shënimi i ministrit të Punëve të Brendshme, Kadri Hazbiu, mbi raport-informacionin e Punëtorit Operativ të Sigurimit të Shtetit, Kozma Moja, dërguar sekretarit të Komitetit Qendror të PPSH-së Hysni Kapo, lidhur me problemet që shtroheshin aty

          Shoku Hysni

Mendoj se ja vlen të njiheni me këtë informacion që bën ky kuadër, i cili ka shërbyer si zbulues në Nju Jork kur ishte delegacioni ynë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Problemi që ngrihet në këtë informacion, më duket se do studim dhe rishikim të kujdesshëm. Çështja është se çfarë duhet dhe çfarë mund të bëhet legalisht më tepër se deri tani për të luftuar kundër këtyre përpjekjeve e punës armiqësore sistematike (tani edhe më e intensifikuar), veçanërisht të jugosllavëve, në adresë të emigracionit shqiptar (përfshi dhe atë kosovar jashtë Kosovës).

Mesa gjykoj unë, këtu ka vend për të rishikuar disa forma pune legale në praktikën e përfaqësive tona në tërësi, për të cilat ndoshta ja vlen të ngarkohen shokë që të rrahin mendime e t’i paraqesin ato sa më shpejt që të jetë e mundur.

Për çka mund të kontribuojmë ne (sektori përkatës), le të inkludohemi në këtë studim.

Ky informacion ju dërgua dhe shokëve Ramiz Alia e Nesti Nase. Memorie.al

                            Me respekt

                         Kadri Hazbiu

Tiranë më 5.11.1977

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/letra-per-hysni-kapon-gjate-vizites-se-eduart-kardelit-ne-shba-es-ambasada-jugosllave-ne-washington-ftoi-dhe-anthony-athanas-i-cili-u-takua-me-relacioni-i-kadri-hazbiut-ne/