Lekë Pervizi i flet botës anglisht, për krimet e ferrit komunist të Enver Hoxhës

Nga Frank Shkreli     

Me Lek Pervizin – ish-të përndjekurin e regjimit komunist të Enver Hoxhës — kam zhvilluar, gjatë viteve, një komunikim dhe bashkëpunim shumë të frytshëm. Njihemi nga larg sepse, fatkeqësisht, nuk kam pasur rastin ta takoj ndonjëherë, këtë burrë fisnik e patriot, dëshmitar i krimeve më barbare në Evropë, i cili edhe në moshë të shkuar, po vazhdon t’i dëshmojë, jo vetëm botës shqiptare, por edhe botës më të gjerë, krimet e Enver Hoxhës, prej pothuaj një gjysëm shekulli, në Shqipërinë komuniste. Një dedikim ky tepër njerëzor, për të dëshmuar në emër të të gjithë atyre që nuk mbijetuan vuajtjet dhe krimet e komunizmit.

Kam qenë në kontakt me Z. Pervizi pasi ai ka patur mirësinë që të pranonte dhe botonte në revistën e tij “Kuq e Zi” në Bruksel, shumë shkrime të mia modeste, në të cilat jam munduar të pasqyroj, nga larg, vuajtjet e qindra mijëra shqiptarëve, kundërshtarë të pafajshëm të regjimit të Enver Hoxhës dhe krimet çnjerëzore të atij regjimi anti-njerëzor, ndër më barbarët e ish-botës komuniste. Në disa shkrime modeste jam përpjekur të pasqyroj edhe vuajtjet e Lekës, autorit, piktorit, shkrimtarit, publicistit, poetit, ish i përndjekur politik – mbi të gjitha, Dëshmitar i gjallë i krimeve dhe vuajtjeve të regjimit komunisto-fashist. Frank Shkreli: Piktori i Kampeve të vdekjes të regjimit të Enver Hoxhës | Gazeta Telegraf

Lexuesit e interesuar shqiptarë janë të njohur tanimë me shkrimet e autorit, me skicat dhe me librat, poezitë dhe dëshmi të tjera, përfshi kumtesa dhe intervista të Lekë Pervizit, në këto 30-vite “tranzicion”, mbi krimet e komunizmit në Shqipëri. Dëshmi të gjalla ato, mbi jetën e tij në burgjet dhe kampet e përqendrimit. Ai ka  përshkruar me fjalë dhe me skica vuajtjet, por edhe jetën e vdekjen e mijëra bashkatdhetarëve të tij të pafajshëm, përfshirë gra, pleq e fëmijë, në kampet e ferrit komunist enverist për pothuaj 50-vjet – një gulag i vërtetë, në mes të Evropës. Të cilëve autori ua kushton librat: “Të gjithë atyre viktimave të pafajshme që sakrifikuan jetën e tyre, të cilët sakrifikuan çdo gjë për idealet e larta të njerëzimit– heronj dhe martirë të vërtetë të lirisë dhe demokracisë.”

Para disa ditësh, me mirësinë e tij, Z. Pervizi më njoftoi (me anë të një letre elektronike) për botimin e 5 librave të tij gjuhën anglisht – gjuhën më të përhapur në botë.  Veprat gjenden nën emrin e autorit, Lek Pervizi, në “Amazon” dhe site të tjera.  Jam i bindur se jo vetëm lexuesit anglisht folës të huaj, anë e mbanë botës, por siç me shkruan Leka edhe “Shqiptaret e amerikanizuem, dhe fare naivë, mund te njihen me realitetin tragjik qe kaloi Shqipnia e populli shqiptar”, duke lexuar versionin anglisht të këtyre veprave.

Lexuesit botërorë anglisht-folës dhe brezi i shqiptarëve të lindur jashtë trojeve shqiptare, përfshirë komunitetin shqiptaro-amerikan, duke lexuar këto 5 vëllime do të mësojnë se kush është Lek Pervizi, piktori, poeti e shkrimtari, por edhe periudhën e vuajtjeve, dënimeve dhe krimeve kundër njerëzimit ndaj bashkatdhetarëve të tij anti-regjimit, gjatë diktaturës komuniste në Shqipëri.  Siç dihet, ajo diktaturë, megjithëse në një vend të vogël, si Shqipëria, ishte ndër më të egrat dhe një ndër regjimet më kriminale, në krahasim me vendet e tjera ish-komuniste të Evropës lindore dhe qendrore. Kampet dhe burgjet e Shqipërisë komuniste, të cilat i përshkruan me fjalë dhe skica Z. Pervizi,  nuk besoj të ekzistonin në ndonjë nga ish-vendet komuniste të Evropës.  Por, përveç lexuesit të rëndom, veprat e Lekë Pervizit do i shërbejnë edhe historianëve, kërkuesve e akademikëve, si dokumentacion që provon se sa të tmerrshme ishin krimet e regjimit komunist të Enver Hoxhës. Nuk ka dyshim se kur lexuesit anglisht-folës të lexojnë librat dhe të shikojnë skicat e autorit dhe piktorit Lekë Pervizit – e të cilët jetojnë në botën e lirë – do të shokohen kur të mësojnë se në Shqipërinë e vogël, mu në mes të Evropës kanë ndodhur krime të tilla kundër njerëzimit – në një periudhë, kryesisht, paqësore në Evropë. Të njihet e keqja dhe pasojat e tmerrshme të saj, do të thotë që, nëpërmjet librave si këto të Lekë Pervizit, do të mësojmë se si të vlerësojmë me korrektësi të kaluarën e vërtetë të krimeve të komunizmit të regjimit të Enver hoxhës dhe të ndërtojmë një të ardhme më të mirë për të gjithë vlerëson ndër të tjera, shtëpia botuese e librave të autorit, Lek Pervizi.

Librat e Z. Pervizi janë një monument dëshmish për atë periudhë të zezë të historisë së Kombit Shqiptar që autori ua kushton – si një detyrim moral e njerëzor, nga ana e tij – të gjitha viktimave të komunizmit në Shqipëri, të gjallë e të vdekur: “Të gjitha viktimave që vuajtën në burgjet dhe në kampet e vdekjes të diktaturës komuniste; u dedikohet të gjithë fëmijëve të vegjël — simboleve të pafajësisë — të cilët humbën jetët e tyre në kampin famëkeq të Tepelenës, një holokaust i vërtetë i komunizmit gjakatar.”

 

Frank Shkreli

Autori  Lek Pervizi, piktor  shkrimtar, publicist, poet, ish i përndjekur politik – mbi të gjitha, Dëshmitar i krimeve dhe vuajtjeve të regjimit komunist të Enver Hoxhës — ndër më çnjerëzoret në Evropë e në botë, ç’prej Luftës së II Botërore – dëshmi që tashti autori po ndan me lexuesit anglisht-folës, jo vetëm në Amerikë dhe në Evropë, por edhe anë e mbanë botës.

 Letra dërguar me 9 Qershor, 2022, me të cilën Lek Pervizi më njoftoi për botimin e 5-vëllimeve në anglisht:

I nderur Frank Shkreli,

Faleminderit për mesazhet e shkrimet  e jueja.  Kemi pasë ne shkëputje nga mbyllja e Reviste Kuq e Zi, për shkaqe shëndetësore. Jam përmiresue, por jo ne gjendjen që të vazhdoj përsëri me revistën.

I ndjek shkrimet e jueja dhe ju përgëzoj për vijën kombëtare që mbani. Dhe njëkohësisht për mbështetjen e të përndjekurve politikë nga dikatura komuniste. Ju falënderoj se keni kontribue në njohjen e kampeve të internimit nëpërmjet vizatimeve të mia. Që mbeten dokumente themelore të asaj kohe mizore, ku në ato kampe ishin mbyllë veç familje të tana, pleq, gra, nana me fëmijë e tjerë qenie të pafajshme.

Për këtë gjë dje unë kam botue anglisht pesë libra kushtue gjendjes se burgjeve e kampeve që kam përjetue. Veprat i gjen në emrin tim në Amazon e tjerë site. Këtë e kam ba që të mbeten si dokumente faktike të terrorit bolshevik që përfshiu me mija viktima të pafajshme. 

Nga ana tjetër shkrimet e juaja, kanë ba efektin e tyne, në këtë drejtim, ndër shoqërinë shqiptare, jo vetëm të përndjekurve, por dhe shoqërisë së lirë. Për këtë punë fisnike tuej, ju jam shumë mirënjohës.  Miqësia jonë, ndonëse e largët, do të vazhdojë. Falëndrojmë internetin që na e lehtëson ketë punë.

Gjithë të mirat,

Përzemërsisht,

Lek Pervizi

 

KUSH ËSHTË LEK PERVIZI: Piktor, përkthyes, publicist, botues, i biri i gjeneral Prenk Pervizit. Lindi më 26 qershor të vitit 1929, në fshatin Skuraj të Kurbinit. Shkollën fillore dhe një të mesme tre vjeçare i kreu në Institutin «Santa Maria», në Romë. U kthye në Shqipëri më 1944. Nën diktaturën komuniste, familja Pervizi u persekutua për shkak të Gjeneral Prenk Pervizit, në burgje e kampe internimi; ai shpëtoi pranë librarisë së familjes Pepo në Tiranë. Më 1949 arriti të fillojë Liceun Artistik në Tiranë, por në maj të vitit 1950 u arrestua bashkë me të vëllanë, Valentin Pervizin. U internua në Porto Palermo. Një vit më vonë u transferua në kampin e Tepelenës, ku u takua me të ëmën (gjyshja ndërkaq kishte vdekur). Aty arriti të vizatojë skena e portrete nga jeta e kampit, si dhe të krijojë disa poezi, një pjesë e të cilave shpëtuan dhe u botuan pas rënies së diktaturës. Pas mbylljes së kampit më 1954, u transferua në Plug të Lushnjës. Një vit më vonë, u dërgua në Shtyllas të Fierit e prej këtu në Kuç të Kurveleshit. Më 1958 u kthye në Plug (deri më 1990). Pas rënies së komunizmit, u vendos familjarisht në Belgjikë, ku jeton edhe sot. Atje merret me shkrime dhe boton e drejton revistën “Kuq e Zi”.

Veprat: Në vorbullën e Skëterrës, «Dorian», Bruksel 2014; Në rrathët e Ferrit (album), ISKK, Tiranë 2014; Tingllime të vona, «Dorian», Bruksel 2016; Lek Pervizi, Odiseja e pafajsisë, «Dorian», Bruksel 2017; Gjenerali, «Gjergj Fishta», Lezhë 2017. Përkthime: Dhimitër Frangu, Historia e Gjergj  Kastriotit   Skënderbeut,   «Arbëria», Tiranë 2005.kthye në Shqipëri më 1944. Nën diktaturën komuniste, familja Pervizi u persekutua për shkak të Gjeneral Prenk Pervizit, në burgje e kampe internimi; ai shpëtoi pranë librarisë së familjes Pepo në Tiranë. Më 1949 arriti të fillojë Liceun Artistik në Tiranë, por në maj të vitit 1950 u arrestua bashkë me të vëllanë, Valentin Pervizin [shih]. U internua në Porto Palermo. Një vit më vonë u transferua në kampin e Tepelenës, ku u takua me të ëmën (gjyshja ndërkaq kishte vdekur). Aty arriti të vizatojë skena e portrete nga jeta e kampit, si dhe të krijojë disa poezi, një pjesë e të cilave shpëtuan dhe u botuan pas rënies së diktaturës. Pas mbylljes së kampit më 1954, u transferua në Plug të Lushnjës. Një vit më vonë, u dërgua në Shtyllas të Fierit e prej këtu në Kuç të Kurveleshit. Më 1958 u kthye në Plug (deri më 1990). Pas rënies së komunizmit, u vendos familjarisht në Belgjikë, ku jeton edhe sot. Atje merret me shkrime dhe boton e drejton revistën “Kuq e Zi”./Memorie.al

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/leke-pervizi-i-flet-botes-anglisht-per-krimet-e-ferrit-komunist-te-enver-hoxhes/