Laurent Ymet: Rëndësia e integritetit të politikanëve

Laurent Ymet: Rëndësia e integritetit të politikanëve

Integriteti i politikanëve ndikon drejtpërdrejt në mbarëvajtjen dhe mirëfunksionimin e sistemeve qeverisëse, sidomos atyre demokratike.

Kurthi i tranzicionit dhe kohëzgjatja pa afat e këtij procesi është një nga treguesit për integritetin e politikanëve në zgjedhje. Në përgjithësi, integriteti elektoral dhe problematikat me këtë të fundit hasen në vende ku nuk takohen standardet ndërkombëtare të mbarëvajtjes së proceseve elektorale. Në krahasim me Perëndimin, ku vlerat demokratike janë aplikuar herët dhe tashmë janë normalitete, vendet e Ballkanit Perëndimor kanë luhatje në pajtimin me standardet e një sistemi demokratik të qeverisjes. Për të shprehur më qartë rëndësinë e integritetit të figurave politike vlen të përmendim studimin e Ipsos Moris, një prej gjigantëve në kërkimet shkencore në Britaninë e Madhe.

Në sondazhin e vitit 2022 për nivelin e besueshmërisë te profesionistët, politikanët renditen në grupin më pak të besuar në shoqëri.

Këto shifra i përkasin një shteti, ku vlerat demokratike, integriteti, proceset zgjedhore, mbahen dhe respektohen me rigorozitet. Nëse marrim parasysh këtë studim, që na vjen nga Britania e Madhe, ku besimi është kaq i ulët dhe dyshimi tepër i lartë, specifikisht ndaj politikanëve presioni i ushtruar nga qytetarët në Shqipëri duhet të rritet urgjentisht. Pavarësisht se treguesit në fjalë janë mjaft alarmantë, politikanët janë profesionistë të rëndësishëm. Ata luajnë rol thelbësor për sa i përket mirëfunksionimit të qeverisë dhe sistemit politik.

Integriteti i politikanëve, sidomos gjatë proceseve elektorale, është gjithashtu indikator i idealeve dhe parimeve që promovohen në një shoqëri . Kjo për arsyen e thjeshtë se politikanët janë figura publike. Ky fakt i vendos ata përballë përgjegjësisë së të qenit shembull përballë publikut të gjerë, të cilin pritet ta përfaqësojë në institucionet e larta të qeverisjes. Proceset elektorale studiohen herët përpara procesit zgjedhor, periudhë që ka të bëjë kryesisht me fushatën elektorale dhe prezantimin e kandidatëve në garë, ditën e procesit që ka të bëjë me votimin ku marrin pjesë qytetarët dhe periudhën post-elektorale që paraprin shpalljen e kandidatëve fitues. Integriteti i politikanëve në zgjedhje matet dhe përcaktohet nga kontributi i tyre në fushat përkatëse të ekspertizës dhe edukimi i tyre në këto fusha. Gjithashtu, veprimet e ndërmarra pas përfundimit të procesit zgjedhor dhe shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve janë tregues të vlerave dhe integritetit të figurave politike.

Nëse krahasojmë politikanët në vendet perëndimore dhe ato të rajonit, përfshirë dhe Shqipërinë, mund të analizojmë edhe cilësitë që i karakterizojnë. Gjatë fushatave elektorale për zgjedhjet e fundit parlamentare në SHBA dhe Britaninë e Madhe dëshmuam fitoren e dy politikanëve, të cilët merrnin në dorë përgjegjësinë e qeverisjes të dy prej shteteve më të fuqishme në botë. Përkatësisht Joe Biden dhe Boris Johnson ishin politikanët, të cilëve u ishte besuar pushteti dhe vendimmarrja në vendin e tyre.

Për të kuptuar më tepër rreth modelit të politikanit që përfaqëson Joe Biden vlen të shihet historiku i ngritjes së tij dhe rëndësia e integritetit të tij si figurë gjatë procesit elektoral. Presidenti Biden përshkruhet si një lider empatik, krejt e kundërta e paraardhësit të tij, Donald Trump, i cili konsiderohet më tepër si kontraversial. Biden është një politikan me një karrierë dhe kontribut të gjatë në fushë. Ai vjen si shembull i një politikani, i cili e ka dëshmuar kontributin e tij dhe ka përcjellë vlerat e popullit amerikan me veprimet e tij gjatë ngritjes në detyrë. Fitorja e tij si presidenti i 46-të në SHBA, vjen si rezultat i një përpjekjeje të përjetshme nga një individ i përulur dhe i kalitur me vështirësi e mësime të ardhura nga jeta e tij personale. Spontanisht lind pyetja se: Çfarë kërkon kjo arritje? Pa dyshim, kërkon një përkushtim të gjatë. Biden, gjatë fushatës së tij elektorale, ka përmendur se vlerëson njerëzit guximtarë, pasi në fund, kur situata vështirësohet, ata janë të vetmit ku mund të mbështetesh për të ecur përpara. Për shkak të tragjedive të shumta, të cilat i është dashur të kalojë në jetë dhe mënyra se si i ka përballuar, Biden është konsideruar nga një artikull në “Washington Post” si njeriu që do të udhëheqë një Amerikë në vuajtje. I gjithë integriteti i tij gjatë fushatës elektorale qëndroi te kontributi dhe kualifikimet e tij, te përkushtimi, guximi dhe aftësia për t’u përballur me vështirësitë.

Nëse shqyrtojmë rastin e Boris Johnsonit në Britaninë e Madhe, mund të themi se edhe ai është konsideruar si një figurë jo pak kontroversiale. Si fillim, Johnson vjen me kualifikime të forta nga disa prej institucioneve arsimore më prestigjioze në botë, si Eton College dhe Balliol College i Universitetit të Oksfordit. Johnson, në karrierën e tij, ka eksperienca në pozicione të ndryshme në disa prej mediave më në zë të kohës. Karriera e tij politike është e gjatë, fillimisht si deputet dhe më pas si kryetar i Bashkisë së Londrës. Pavarësisht okupimit të tij në politik, Johnson nuk i ndali shkrimet e tij. Synimi i tij, për të sfiduar lidershipin e konservatorëve, pati luhatje. Gjatë ngjitjes së tij në jetën politike nuk munguan gabimet dhe veprimet që shpesh ngjallnin reagim nga publiku i gjerë dhe mediat. Johnson nuk e kanë konsideruar si shumë të kujdesshëm. Në njëfarë mënyre, as me takt, por tepër i drejtpërdrejt sa i përket sjelljes, ose deklaratave të tij. Megjithatë, ai përcolli këmbëngulje dhe vendosmëri për nxjerrjen e vendit nga situata e vështirë politike dhe zgjidhjen e krizës pas referendumit, në të cilin qytetarët votuan pro daljes nga BE. Johnson qëndron si një figurë mjaft e përfolur në jetën politike të Britanisë. Për më tepër i përcaktuar si njeriu i duhur në momentet kritike që u gjend vendi gjatë BREXIT. Hapat e tij të guximshëm dhe vendosmëria për ta nxjerrë vendin nga situata e vështirë politike i dhanë mundësinë të shpaloste cilësitë e duhura për të fituar besimin e qytetarëve gjatë fushatës elektorale. Johnson nuk u mundua të fshehë karakterin e tij. Kjo gjë i dha rëndësi integritetit të tij si figurë politike. Edukimi dhe eksperienca e tij në fushë ishin përcaktuese të suksesit, por veprimet e tij të mëvonshme gjatë kohës së pandemisë përcaktuan kohën se sa do të zgjaste ai sukses. Shoqëria, qytetarët dhe klasa politike e Britanisë së Madhe treguan se sa të ndjeshëm ishin ata për sa i përket sjelljes dhe integritetit të politikanëve, duke dhënë shembull se si veprohet në të tilla raste. Leksioni i marrë nga ky rast është se besimi i qytetarëve nuk mund të tradhtohet dhe situata të kalojë pa u ndëshkuar ose pa marrë masa.

Për ta përmbyllur, duke sjellë në vëmendje rajonin dhe Shqipërinë mund të themi se modelet që na sjellin dhe na prezantojnë vendet me praktika më të mira se ato të vendit tonë, duhen të studiohen dhe të aplikohen në situata të ngjashme. Aktualisht në Shqipëri, rëndësia e integritetit të politikanëve në zgjedhje kërkon më tepër vëmendje. Nga shembujt e marrë më sipër të dy liderëve perëndimorë shohim se secili prej tyre ka një edukim relevant me fushën ku ata kontribuojnë. Për më tepër, secili prej tyre vjen nga një eksperience e gjatë dhe me përpjekje të lavdërueshme për të ngjitur shkallët në karrierat përkatëse. Këto modele duhet të merren parasysh jo vetëm nga politikanët, por edhe nga shoqëria, e cila i mbështet dhe i zgjedh të udhëheqin.

Artikulli bëhet në kuadër të projektit “Fuqizimi i integritetit të zgjedhjeve dhe i qëndrueshmërisë së partive politike”, loti “Forcimi i rolit monitorues dhe kërkesës së llogarisë nga qytetarët nëpërmjet shoqërisë civile, medias dhe mbështetjes akademike”, zbatuar nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KSHH) në partneritet me Institutin e Studimeve Politike (ISP), BIRN Albania dhe Qëndresa Qytetare(QQ), mbështetur financiarisht nga Ambasada Britanike.


This is a companion discussion topic for the original entry at https://isp.com.al/laurent-ymet-rendesia-e-integritetit-te-politikaneve/