“Kush ishte ky njeri, një i persekutuar i burgjeve komuniste, a një dashurues i filozofëve dhe një njohës i pasionuar…”/ Refleksionet e studiuesit të njohur, për ish-kolegun, deputet e shkrimtar

Nga Sadik Bejko  

-Portret i një artisti, Leka Toto, ‘Njeriu dhe vetvetja’, ‘Njeriu dhe shteti’, i fundmi i Totollarëve me emër –

Memorie.al / Vështrimi i tij për demokracinë e sotme shqiptare, është zhgënjyes. Duke sjellë dhe atë fill mendimi të neoshqiptarizmës shqiptare, përfaqësues i së cilës qe i ati, Leka propozon një demokraci elitare, se sa këtë pluraliste që degjeneron lehtë në anarki. Aty jepen portretizime të shpejta, por të ngjeshura për aktorë të ngjarjeve, për klasën politike, për paritë, sidomos për të djathtën shqiptare. Në letërsi ai kishte preferencat e tij, po dhe e ka përkthyer që herët Bodlerin, tregimtarin amerikan, Shervud Anderson, dramaturgut, eseistit anglez, autorit të Dorian Greit, i ka përkthyer ‘Poemën e Burgut’. Pra kishim të bënim me një njeri me shije elitare. Ajo që të mbillte dhe më shumë hutim, ishte ndërlikimi i thellë i problemit në një bisedë me referenca nga filozofë si: Santana, Shën Agustini, Spenser, Hegel, Mark Aurel, Niçe; bisedë me referime psikanalitike nga Frojdi e Jungu, me referime në teologji nga Krishti dhe Muhameti, Erazmi, Luteri – në këtë eklektizëm që ai e kishte jo për stoli, por si një hyrje në odën e tij të zakonshme të kuvendit.

Koha është më e mençur nga njeriu, ajo u ktheftë për mirë. Njeriu? Pak janë si Leka. Ai i takonte racës së shpirtrave të trazuar dhe i tillë do të mbetej gjer në fund.

Portreti

Nuk do të ishte e lehtë që të bëje një portret të Leka Totos, pa e njohur personalisht, por sidomos pa i’a njohur krijimtarinë atij. Që me takimin e parë, e merrje vesh se ai ishte një i tjetërllojtë. Përtej atij shtati prej njeriu që dukej menjëherë se i kishte vënë në punë të rëndë fuqitë fizike, dhe ishte një trup i rëndë, i gjatë, pak mbi peshë, seç kishte një gjë që përtej tipareve disi të zeshkëta, tipike për një njeri nga Jugu i Shqipërisë, përtej atyre syve të zinj, të rrumbullakët, të mëdhenj, që dinin të ishin thekshëm të trishtuar, po të trishtuar në ëmbëlsinë e tyre – dhe me ca fekëtime herë-herë foshnjore në brishtësinë e vuajtjes së përtypur – vinte një ballë dhe një vrugosje, pastaj një përkulje gati deri në përthyerje e trupit që në vrik, mund të ndërpriste gjithçka, dhe vendin e ëmbëlsisë, e zinte depërtimi i atyre syve që ishin larguar thellë nën vetulla, pastaj buzët e tij të plota merrnin atë ironinë që të bënte akull- shkurt ky ishte një njeri i vështirë, por që e doje, i komplikuar, por që nuk dihej a e kishte me ty a me veten, dhe kjo të qetësonte, por të linte dhe turbull se me një skepticizëm për midis ai e bënte aq të pamundur ta vazhdoje një bisedë tjetër herë.

Mbase kjo ndodhte me ne që sapo e kishim njohur. Më shumë se kaq, i merrje me vete vramjet që binin mbi ballin e tij aq të pashpresa. Pa të dukej se dhe ai tërhiqej diku në një të pasme të vetvetes, që i thoshte hajde të lëvizim, të ecim… po asgjë nuk kemi për të bërë.

Diçka tek ai ishte vrarë pandreqshëm dhe me një të njohur rishtas si me mua, e bënte të vështirë komunikimin: mbase një fatalitet më i thellë se kohërat që jetojmë, më i thellë edhe se tek një fat personal që e kishte lënë të parealizuar, më tej se hija e vdekjes që me kosë kishte rënë mbi tërë trungun familjar të tij, te një traumë që ai e shihte në historinë kombëtare, dhe te një kuptim i lartë që kishte për jetën e njeriun në rravgimin e tij historik universal, por përherë me dështime, befasi dhe humnera.

Leka ishte vërtet një njeri i vështirë. Por duke mos qenë agresiv, për më tepër shumë zemërmirë, ai të dukej se i vuante gjërat më thellë nga ç’dukej, dhe të bënte ta respektoje. Mbase një brez i tërë vrarë me dyshime, helmuar me mosbesim.

Meditimi: urtësi dhe hidhërim

Në dy përmbledhjet e tij të fundit, ka një kapitull më vete: Meditimet. Kjo prirje vihej re dhe në takimet me të. Kur ishte në të tijat, arratisej larg.

Ajo që të mbillte dhe më shumë hutim ishte ndërlikimi i thellë i problemit në një bisedë me referenca nga filozofë si: Santana, Shën Agustini, Spenser, Hegel, Mark Aurel, Niçe; bisedë me referime psikanalitike nga Frojdi e Jungu, me referime në teologji nga Krishti dhe Muhameti, Erazmi, Luteri – në këtë eklektizëm që ai e kishte jo për stoli, por si një hyrje në odën e tij të zakonshme të kuvendit. Kush ishte ky njeri? Një i persekutuar i burgjeve komuniste shqiptare, a një dashurues i filozofëve dhe madje, një njohës i pasionuar i tyre? Po të hidhemi në botën e politikës, ai do të kishte preferencat e tij nga Ataturku te shtetarët e lashtë të Romës dhe deri te Beniamin Franklini, te historia e revolucionit frëng etj…!

Në letërsi ai kishte preferencat e tij, po dhe e ka përkthyer që herët Bodlerin, tregimtarin amerikan Shervud Anderson, Dramaturgut, eseistit anglez, autorit të Dorian Greit i ka përkthyer Poemën e Burgut. Pra kishim të bënim me një njeri me shije elitare. Fatkeqësitë, mos themi një përndjekje tragjike kobësh familjare i kishin vënë përpara pyetjen: pse jeton njeriu dhe e kishin kthyer përbrenda nga introspeksioni, deri në një mani sa, siç thotë vetë “mendja ime e sëmurë, nuk kënaqej të kërkonte” dhe të stërkërkonte një kuptim të çdo detaji, të çdo ndryshimi në jetën e njeriut.

Dhe kërkimi do të ishte i trefishtë: do t’i drejtohej zotit emocionalisht e misteriozisht për anën mistike, nuk ishte fetar praktikant, por me zemër; do t’u drejtohej shenjave për t’i qartësuar ato në transhendencën e tyre që nga paralajmërimet e ëndrrave, imazheve, tingujve, për t’i përthyer këto në vlerat e njohurive të tija të pasura nga Frojdi dhe Jungu; pastaj edhe të filozofëve. Ky burrë nuk u shmangej vra-mendjeve për të zgjidhur atë prapavijë të errët, të ngjarjeve në jetën e njeriut, madje do ta kthente në mani, këtë hetim mbi njeriun e mbi vetveten.

Një punë me të vërtetë e mundimshme për të mos thënë kurrë e pashterur, në kapacitetin e një njeriu, që do të bëjë psikanalistin, mistikun, filozofin dhe sociologun njëkohësisht. Por në torturat e gjata që e kanë ndjekur që në djep, e që nuk do t’i shqiteshin kurrë, në dilemën vetëvrasëse që ishin bërë vazhdë në familje, me këto lloj interesimesh e shkoqitjesh torturuese, ai arrinte ta sublimojë të keqen, dilemat vrasëse, duke i kthyer në ushtrime metafizike dhe intelektuale që, në mos për tjetër, atij i dhanë mundësinë që t’i mbaj nën kontroll demonët që çdo njeriu ia pjell vetvetja, aq më tepër në rrethana të një jete si ajo e tij dhe e brezit të tij. Por dhe e familjes së tij.

Kryetema e tij: Njeriu dhe vetvetja, njeriu dhe shteti…!

Në këtë kuptim, mua më solli njohja e paktë me të, brenda një simpatie e tërheqjeje ndaj atij njeriu që të imponohej, për këtë ndryshen, të tjetërllojtën e tij, por më shumë këtu më solli njohja me librat e tij, si: ‘Vetkryqëzimi’, (tri drama), ‘Shën e Premtja’ dhe ‘Po lexoj vetveten’. Arti, siç na e thotë në esenë ‘Arti’ si terapi e pavetëdijshme, veç që përmirëson shëndetin mendor të një populli, ai në radhë të parë shëron vetë autorin. Kështu që, sa thashë deri tani, më shumë buron nga leximi i letërsisë së tij, se sa nga njohja ime e drejtpërdrejtë me të.

Si ka mundësi që njeri vërtet kaq i përpunuar të shkonte dëm? Kaq sa ka shkruar ai të lënë të mendosh se ndodhemi para një njeriu që mund të bënte më shumë. Të ishte mungesë e një vullneti të fortë, dyshimi për vetveten…! Por ai diku e thotë: që të krijosh një identitet, të duhet pa tjetër jo izolimi, por hapja.

Ky njeri duhet të jetonte nën helmin e izolimit dhe si ai krimbi i mëndafshit, nën mëshikëzën e ndritur, nuk ka vend tjetër veç të kthehet e të rrotullohet në brerjet e pafundëta të vetes dhe të mëshikëzës-burg. Për fat të keq, rrethanat e vështira dinë të vrasin më rëndshëm shpirtrat elitarë, se sa ata që me vullnetin vulgar veprojnë, pa dalë e ku të dalë, as që e mendojnë. Leka bënte pjesë tek ata që nuk përtypin çdo gjë. Shijet e tij ishin mprehur nga studimi dhe nga vuajtja. Po shpresat ishin vrarë që në djep.

Për të ndalur më konkretisht në veprat e tij, nuk është e vështirë, por ajo çfarë mund të jetë me rëndësi për ata që duan të thellohen në studimin e njeriut dhe të shoqërisë, këto janë shkrime të një njeriu që po e ndien se fundi është afër. Janë dy tri tema obsessive, që përsëriten e përsëriten. Shenjat paralajmëruese, si: “Sheh Ganiu, ëndrrat, melodia e përsëritur që e çon nga hijet e adoleshencës dhe fëmijërisë, atëhere kur mjegull-mjegull zbulohet së pari erosi, një vajzë e re në vetëvrasje e fatalitet, gjithmonë me një shëmti fizike, diku një fytyrë e djegur, ku një shurdhmemece, ku një vajzë tjetër e braktisur nga i ati, burra të braktisur në vetmi dhe në ditët e tyre të fundit, dhe rikujtimi i fatkeqësive të tij e të fisit”.

Këtu mbetet për t’u hetuar: pse këto vizione do të thoje hygojane? Të jetë ajo se ‘97-ta bëri që njerëzve të vuajtur t’u dhembin prapë plagët e vjetra, se në një trishtim fort tronditës njerëzit si ai u kthyen dhe po i ripërtypnin hidhur vuajtjet e tyre nën këtë zhgënjim. Mund të jetë dhe një mallkim i pafund dhe i rëndë për shkaktarët, cilët do e ngado qofshin, që i detyruan ca njerëz të shumë vuajtur të kthehen e të përtypin prapë plagët e tyre. Mallkim, se mbase disave ua përshpejtuan me këtë kupë helmi në buzë, ikjen nga kjo jetë.

Një temë mund të ishte dhe fataliteti i një familjeje dhe i një kombi, ajo që ravijëzohet dhe mund të ishte një temë e madhe, por, siç e thashë, vetëm sa nxjerr krye herë pas here, është tema e pjesëmarrjes së individit në politikë në punët e shtetit dhe që shoqërohet me fatkeqësi, në mos më dërrmën e gjëmën e individit e, të krejt familjes. Dhe për këtë, familja Toto është një shembull par ekselence, duke përfshirë dhe vetë Lekën, që disi iu shmang drejtpërsëdrejti mortit rrafshues që, si hanxhar i rëndë preu në mishin e këtij trungu.

Sa për ta përmendur, xhaxhai i tij, Et’hem Toto, nga ish- ministër i Mbretit Zog, më 1936-ën, hidhet në një rebelim me armë kundër tij; dështon dhe vret veten. Bernard Fisher, thotë se kjo qe një dramë e besimit të tradhtuar. Et’hem Toto, ishte i ndershëm dhe besnik ndaj Monarkut, por jo gjithmonë shpërblehesh si i tillë. Përkundrazi. Vëllai i tij 29 vjeçar, Ismet Toto, eseist e mendimtar i njohur në hullinë e neoshqiptarizmës, kur merr vesh ç’i ndodhi të vëllait, zbret nga anija dhe dorëzohet me fjalët: “Duhet t’i tregojmë popullit, pse u ngritëm”.

Varet në litar. Vëllai i tyre Selaudin Toto, fizikan, nxënës i atomistit Italian, Eriko Fermi, ekzekutohet me “Grupin e Deputetëve” më 1947-ën. Këto ngjarje në familje u pasuan nga vetëvrasje të një xhaxhai të vëllezërve Toto, dhe të tri grave në mosha të ndryshme. Në Shqipëri, kush u mor me politikë e ka pasur në pjesë fatkeqësinë. Po mbase Totollarëve, nuk u printe fare politika.

Prirja nga një stil elitar

Vepra e tij duke përfshirë dhe tri dramat, që ai i botoi që më 1993-in, përbëhet nga tre libra, i pari, me dramat që përmendëm, i dyti, ‘Shën e Premtja’, (botoi Albin, 1996) përmban veç dramës, prozë dhe meditime, i treti, ‘Po lexoj veten’ (botoi Globus R, 2000) përmban, tregime, eseistikë dhe publicistikë. Në se tragjikja i ngjyros gjithë tekstet e tij, duhet të themi se ato, veç për idetë shquhen për stilin. Leka Toto ka shprehur në esenë që përmendëm, Arti si terapi e së pavetëdijshmes se imazhi i lashtë, ardhur në pavetëdijen e artistit, sjell rregull në shëndetin e popullit të sëmurë nga deviancat, pasojë e kohës reale shoqërore e politike të tij.

Do të thoshje se dhe proza e dramatika e tij, do të shkëlqenin nga imazhet. Por e kundërta ndodh. Stili i tij i ngjan atij të një zotërie të shkuar në moshë dhe me një formim krejt tjetër, nga ata që shkruajnë përreth tij në kohë. Ai në stil dallohet, për prirjen nga ngjeshja, nga meditimi, nga një shkrim i dendur dhe aforistik, ku përshkrimit të racionuar shpejt ia zë vendin gjykimi.

Ai këtë prirje nga filozofimi dhe problematizimi i ngjarjeve dhe i fakteve, e ka si procedim krijues dhe në dramat e tij, që më tepër u ngjajnë dialogjeve filozofike, ballafaqimit të ideve, se sa krijimit të situatës dhe të karakterit. Dramat e tij, frymëzuar nga realiteti i dhembjeve, pranimi i saj nën një rezinjacion gati fetar, ku procedohet me manierën e dialogjeve të Platonit, na ballafaqojnë njerëz nën peshën e mëkateve vetëvrasëse, që vijnë si pasojë e rrethanave, por dhe i fajit tragjik të vetë këtyre personazheve që nuk u bënë dot ballë tundimeve të vetvetes.

Këtu Leka dallon nga shumë të tjerë të klasës së tij që problemin e shohin në planin: ne dhe koha, jo: edhe ne dhe vetja. Edhe brenda këtij stili të rreptë, mund të ndaleshim në tri proza që flasin për arritje që mund të rrinë fare mirë, pranë faqeve më të realizuara të prozë shqipe në tërësi. E tillë është novela ‘Po lexoj vetveten’.

Me atë ton tragjik të përmbajtur, me forcën e detajeve dhe të situatave, me thyerjet e subjektit, me koncizitetin dhe poezinë e rrëfimit, me alternimin propoziomal të përshkrimit dhe të gjykimit, ajo na vë përpara një vepre të ardhur pas një pjekje të gjatë e të peshuar mirë, në një stil vërtet të kulluar dhe shumë fin.

Po i tillë është dhe tregimi Vjeshta, do të thoshja i pashoq për nga larmia e detajeve, situatave dhe për atë tendosje që ta mban frymën pezull me zhbirimet psikanalitike introspektive, me atë ndjenjë ankthi që e mbush fund e majë dhe me shenjat paralajmëruese kobndjellëse. I një plani dhe i një teknike tjetër është tregimi ‘Guri’ që të çon në malësinë e viteve të para të pasluftës së Dytë dhe që ka një rëndesë psikologjike të intelektualit të ri, para një katastrofe njerëzore.

Këtu vizatohen tablo të përgjithshme gërshetuar me fatin e individëve dhënë këto me teknikën e ditarit. Edhe në rrëfimin e gjatë ‘Udhëtimi’, marrim shumë të dhëna biografike për autorin dhe klasën e tij, ndonëse nuk i arrin tre tregimet që shënuam më lart.

Duke vazhduar me temat e tij, në këto proza fati i klasës së të persekutuarve në penën e Totos, u ruhet dy-tre prej sëmundjeve që kanë prozat e sivëllezërve të tij: patetizmit, lumit të fakteve dhe karakterit publicistik. Leka, rreh nga mistika dhe kërkimi për të gjetur një kuptim përtej fakteve.

Publicist me shijen e eseistikës

Publicistika e tij dhe eseistika, meditimet e tij do të donin një qëndrim të veçantë, për të hetuar më mirë burimet e një prodhimtarie të tillë dhe shkollat e autorët e lexuar e të pëlqyer prej tij. Zhgënjimi i zallahisë së ’97-ës e çuan Leka Toton te disa shkrime publicistike në të cilat, shprehet po në stilin meditativ një rrekje për të bërë sinteza më të gjera dhe vazhdimisht, nën një vështrim që ngjitet të shohë mbi dhe përtej ngjarjeve, duke i’u referuar eksperiencës politike së tij e të familjes së tij, po dhe meditimeve e leximeve të gjata në këtë fushë.

Vështrimi i tij për demokracinë e sotme shqiptare, është zhgënjyes. Duke sjellë dhe atë fill mendimi të neoshqiptarizmës shqiptare, përfaqësues i së cilës qe i ati, Leka propozon një demokraci elitare, se sa këtë pluraliste që degjeneron lehtë në anarki. Aty jepen portretizime të shpejta, por të ngjeshura për aktorë të ngjarjeve, për klasën politike, për paritë, sidomos për të djathtën shqiptare.

Shoqëria shqiptare, në tërësinë e krejt territoreve dhe të ngjarjeve të saj, me zhyt-a-hovet e rrokullimta e të rrëpirëta, po dhe në ëndrrën që më shumë merr frymë në gjirin e njerëzve për një shpresë dhe në nevojën për t’u mbajtur në shpresë, në këto vite u ndodh në atë trazim apokaliptik kur, nga kaosi rreh të krijohet kozmosi, kjo dhe me ngjarjet e Kosovës që autori u referohet.

Tekstet e tij si të gjithsecilit nga ne, dëshmitarë që i shohim nga kaq afër ngjarjet, pa atë distancën kthjelluese, kanë vlerën e një njeriu që edhe në ditët e fundit të jetës, tronditet për diçka të madhe që po ndodh rrethe rrotull nesh, është buzëplasur për fatin tonë që jemi të vegjël e të varfër, në një botë xhungël dhe jemi krejt të pa stabilizuar, për më tepër në gjendjen e traumave të rënda, që mund të pjellin dhe të tjera më të frikshme.

Koha është më e mençur nga njeriu, ajo u ktheftë për mirë. Njeriu? Pak janë si Leka. Ai i takonte racës së shpirtrave të trazuar dhe i tillë, do të mbetej gjer në fund. Vdiq në vitin 2001, më 1 qershorin e sivjetëm do të ishte 89 vjeç. Memorie.al

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/kush-ishte-ky-njeri-nje-i-persekutuar-i-burgjeve-komuniste-a-nje-dashurues-i-filozofeve-dhe-nje-njohes-i-pasionuar-refleksionet-e-studiuesit-te-njohur-per-ish-kolegun-deputet/