“Kur zv/prokurori i rrethit të Krujës, Piro Suli, që asistonte në pushkatimin e Dom Shtjefën Kurtin, e pyeti për fjalën e fundit, ai i’u përgjigj…”/ Proces-verbali i ekzekutimit të priftit të famshëm

NIKOLLË LOKA

Av. ALFDRED DUKA

NIKOLIN KURTI

Pjesa e tridhjetë e tetë

                                  -VRASJA E PARALAJMËRUAR E NJË KLERIKU RILINDËS –

Memorie.al/ Përpara se të fillojmë të analizojmë përciptazi dosjen hetimore e gjyqësore në ngarkim të pandehurit Shtjefën Kurti e të tjerë, për lexuesin do të bëjmë një parantezë të të drejtës dhe historisë se saj në shoqërinë njerëzore, me qëllimin e përqendruar për të ardhur tek e drejta jonë penale e procedurale, që në fillimet e saj dhe përgjatë viteve të diktaturës.

                                                         Vijon nga numri i kaluar

Vendimi i Gjykatës së Lartë dhe deklaratat e ish-prokurorëve dhe gjykatësve që dënuan me vdekje Dom Shtjefën Kurtin

                                      Proces-verbal mbi ekzekutimin e Shtjefën Jak Kurtit

Në Tiranë, më 29 shtator 1971

Unë, hetuesi i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Vangjel Kote, duke pasur me vete edhe zëvendësprokurorin e rrethit Krujë shokun Piro Suli, zëvendëskryetarin e Degës së Punëve të Brendshme Krujë, Ramiz Lalmi, Dr. Asim Yllin, në mbështetje të urdhrit të Ministrit të Punëve të Brendshme, Nr. 3285/1, datë 25.9.1971, tërhoqa nga Reparti 313, të dënuarin me vdekje (pushkatim), Shtjefën Jak Kurtin dhe e çuam në vendin e caktuar për ekzekutim.

Atje zëvendësprokurori i rrethit Piro Suli, i komunikoi të dënuarit në fjalë se Presidiumi i Kuvendit Popullor i’a ka refuzuar faljen e jetës dhe se do të ekzekutohej vendimi i Gjykatës, pra duhet të thoshte fjalën e fundit.

Shtjefën Jak Kurti u shpreh: Nuk kam shtyrë persona për të sabotuar, unë fajin tim e kam pranuar në hetuesi dhe në gjyq. Hallall qoftë gjaku im, rroftë Qeveria, rroftë Shqipëria, rroftë Kisha Katolike!

Mbas fjalës së fundit, u krye ekzekutimi me pushkatim dhe mbasi u konstatua nga mjeku Asim Ylli se kishte vdekur, u veprua sipas autorizimit përkatës, duke i’u dhënë rezultati Dr. Asim Yllit.

Proces-verbali u redaktua në katër kopje.

Proces-verbali, mbasi lexohet dhe shikohet se është shkruar në rregull nënshkruhet.

       Hetuesi                                                                         Zëvendësprokurori i Rrethit

     Vangjel Kote                                                                                   Piro Suli

 Dr. Asim Ylli   

Zëvendëskryetari i Degës së Punëve të Brendshme

            Ramiz Lami

Emri i Dom Shtjefën Kurtit, u gjet i regjistruar në “Regjistrin e të vdekurve të Repartit 313, me numrin rendor 102: Shtjefën Jak Kurti, 11.6.70, vdekje 29.9.71, u pushkatua. Vendi i varrimit mbahet sekret, sepse në kolonën përkatëse shënohet me vizë. Kjo konsiderohet si vrasja e dytë e tij, pasi edhe sot nuk është gjetur vendi ku prehen eshtrat e tij.

Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë e dërgon dosjen në Presidiumin e Kuvendit Popullor edhe kur nuk bëhet kërkesë nga ana e të dënuarit. Kështu kishte ndodhur me disa të dënuar të këtij viti si I. T. Po në atë vit, kishte dhe të dënuar që kishin bërë kërkesë për falje jete. Presidiumi i Kuvendit Popullor, në të dy rastet merrte vendim. Në rast të lënies në fuqi të vendimit të Gjykatës së Lartë, Presidiumi i drejtohej Ministrisë së Punëve të Brendshme, Prokurorisë së Përgjithshme dhe për dijeni Gjykatës së Lartë, me shënimin “vendimet e gjykatave të zbatohen!”

Në rastin e Dom Shtjefën Kurtit, megjithëse nuk kishte bërë lutje për faljen e jetës, Gjykata e Lartë, me shkresën Nr. 305, datë 18.9.1971 i’a dërgon çështjen në fjalë Presidiumit të Kuvendit Popullor.

Për kompetencë, ngjitur, Ju dërgojmë një kopje të vendimit Nr.806, datë 8.9.1971, të Këshillit Gjyqësor të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, me të cilin len në fuqi vendimin Nr.54, datë 30.7.1971, të Gjykatës së Rrethit të Krujës, që midis të tjerash e ka dënuar Shtjefën Kurtin me pushkatim. Shtojmë së së bashku me vendimin ju dërgohet dhe një relacion, ndërsa lutje i përmenduri nuk ka paraqitur.

Me shkresën Nr. Prot. 800/1, Presidiumi i Kuvendit Popullor i Drejtohet Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Prokurorisë së Përgjithshme.

Ju njoftojmë se në mbledhjen e datës 23.9.1971, Presidiumi i Kuvendit Popullor, shqyrtoi ndër të tjera dhe çështjen e dënimit me vdekje (me pushkatim), sipas vendimit Nr.54, datë 30.7.1971 të Gjykatës së rrethit Krujë, për Shtjefën Jak Kurtin dhe vendosi t’i refuzohet falja e jetës.

Prokuroria e Rrethit Krujë, me 20.10.1971, me shkresën Nr. prot. 215, i drejtohet Presidiumit të Kuvendit Popullor, ku i dërgon proces-verbalin e mbajtur me rastin e vënies në ekzekutim të vendimit të Gjykatës Popullore Krujë, në lidhje me të dënuarin me vdekje, Shtjefën Kurti. Prokurori i Rrethit, Hajdar Veseli.

Asnjë e dhënë për fatin e Don Shtjefën Kurtit!

 Ligji mbi ekzekutimet

Dekret, nr.3584, datë 12.11.1962. Mbi ekzekutimin e vendimeve Penale,

Në mbështetje të nenit 58, pika 6, të Kushtetutës së Republikës Popullore të Shqipërisë;

Me propozimin e Qeverisë, Presidiumi i Kuvendit Popullor nxjerrë këtë dekret:

 Dekret mbi ekzekutimin e vendimeve penale

Kapitulli I

Dispozita të përgjithshme

Neni 1

Gjykata, me të marrë vendimin penal të formës së prerë, u’a dërgon për t’a vënë në ekzekutim, organeve të ngarkuar me ekzekutimin e tij. Këto organe, kur fillon ekzekutimi, duhet të njoftojnë Gjykatën që ka dhënë vendimin.

Neni 2

Organet e ngarkuar për ekzekutimin e vendimeve, mbajnë evidencë mbi ekzekutimin e tyre

Neni 3

Kontrolli për ekzekutimin e vendimeve, ushtrohet nga Prokurori.

Kapitulli II

Mënyra e ekzekutimit të vendimeve penale.

a) Dënimi me vdekje.

Neni 4

Vendimi që përmban dënim me vdekje, ekzekutohet nga Organet e Punëve të Brendshme me pushkatimin e të dënuarit, përveç kur në vendimin e Gjykatës, caktohet ekzekutimi me varje në litar.

Neni 5

Në rast se paraqitet kërkesë për falje, sipas rregullave të caktuara në nenin 349 të Kodit të Procedurës Penale, ekzekutimi i vendimit pezullohet, gjerë në përfundimin e shqyrtimit të kësaj kërkese.

Neni 6

Në ekzekutimin e vendimit me vdekje, marrin pjesë sipas rastit, prokurori civil ose ushtarak, mjeku dhe një sekretar. Për ekzekutimin mbahet një proces-verbal që nënshkruhet prej personave të sipërm. Një kopje e proces-verbalit i dërgohet gjykatës që ka dhënë vendimin përfundimtar për ta bashkuara me aktet. Gjykata duhet të njoftojë, jo më vonë se 24 orë nga marrja e kopjes së proces-verbalit të përmendur më lart, nëpunësin e Gjendjes Civile, që të bëjë çregjistrimin në regjistrin e vdekjes.

Neni 7

Kufoma e personit të ekzekutuar, varroset nga ana e organeve të Punëve të Brendshme, me shpenzimet e shtetit.

Ekziston dokumenti që vërteton përdorimin e trupit të Don Shtjefnit, si kadavër për praktikat mësimore të studentëve. Sipas një proces-verbali të zbuluar vonë, lista e emrat të të ekzekutuarve në varrin masiv 31 ekziston. Aty shkruhet se trupi i pajetë i Dom Shtjefën Kurtit, është përdorur si kadavër në morg. Kalimi i trupit të klerikut për t’u përdorur është bërë me urdhër nga Ministri i Punëve të Brendshme, i cili kishte dhënë urdhra të tillë në raste të ngjashme që janë të dokumentuara.

Në këto kushte, gjetja e eshtrave të Dom Shtjefën Kurtit vështirësohet dhe përpjekjet rreth tridhjetëvjeçare të familjes nuk kanë dhënë rezultat. Duhet theksuar se sot jetojnë brenda ose jashtë vendit disa nga pjesëmarrësit në ekzekutimin e Shtjefën Kurtit, por as ata vetë dhe as shteti, nuk është angazhuar që të gjendet vendi ku ndodhen eshtrat, në mënyrë që i Lumi Dom Shtjefën Kurti, të ketë një varr, si të gjithë të tjerët. Kjo situatë paradoksale është një akuzë e rëndë për demokracinë shqiptare, që nuk ka bërë përpjekjet e duhura për të gjetur të zhdukurit, që tregon se ende shteti shqiptar nuk është ndarë realisht me të kaluarën.

Dëshmi e Çeçile Kurtit, rreth jetës së Dom Shtjefën Kurtit

Unë, Çeçile Ilezaj, jam martuar në familjen Kurti për Tadeo Kurtin, i biri i Gjon Kurtit, që kishte vëlla të madh Shtjefën Kurtin. Jam martuar për Tadeon me 7 korrik 1946 në Tiranë dhe na ka vu kurorë Dom Shtjefën Kurti, i cili ishte famullitar në Tiranë, ku ishin shumë priftën, si Dom Mark Dushi dhe Patër  Filip Mazreku.

Familja e burrit tim ka qenë familje shumë e mirë katolike me origjinë kosovare, nga Ferizaj. Jetën e Dom Shtjefnit e njoh fort mirë. Ai ka qenë një prift i shkathët, i devotshëm, dinte shumë gjuhë dhe ishte me kulturë shumë të lartë. Ai ka studiuar në Austri. Dom Shtejfën Kurti ka qenë një prift i angazhuar me jetën baritore. Ai predikonte jashtëzakonisht bukur. Ishte dhe i devotshëm në dhënien e sakramenteve të shenjta. Ishte shumë i dashur me rininë dhe zhvillonte shumë aktivitete rinore në Tiranë, ku themeloi kinemanë rinore. Rinia e donte shumë dhe ishin të gjithë me te.

Ra në burg më 27 tetor 1946. U dënua me 25 vjet burg. E torturojshin për ditë dhe kërkojshin prej tij ta shkëpuste Kishën Katolike në Shqipëri prej Vatikanit. Kishte lidhje me Vatikanin dhe dërgonte informacione atje. Në Burrel bani 6 vjet, 6 muaj e 6 ditë burg. Kur u lirua nga burgu erdhi te ne, ku ndeji 2 muaj. Pastaj, e dërguan prift në Gurëz. Shkoi atje, ku kishte kishën që e kishte ndërtua vetë dhe kishte vëllaun Kel Kurti.

Kur u mbyllën kishat e detyruan të punojë tokën e kooperativës. E thirri një familje për pagëzim të një fëmije. Ai nuk refuzoi se ishte meshtar i Krishtit. E kishin arrestuar dhe kur e pushkatuan, kishte thënë “Rroftë Krishti Mret!”

Unë mendoj dhe jam e bindur se ishte martir. Vetë ai më ka thënë se kur shërbente pa u ndërtuar kisha e re, ishte i lodhur dhe ujë i pikte në kokë. Këmbët ia kam pa me sy të mi me plagë dhe në ato plagë i kam vu kripë. Unë jam e bindur se Dom Shtjefën Kurti ishte martir dhe me tipare të shenjta. Këtë mendim e ndajnë të gjithë besimtarët katolikë në Durrës e Tiranë.

Dëshmi e Luigj Vatës për Dom Shtjefën Kurtin  

        Gurëz, me 24 mars 2003

Unë kam lindur me 1 gusht 1941 në Gurëz. Vij nga një familje katolike që jeton në Gurëz prej mëse 100 vjet. Dom Shtjefën Kurtin e kam njohur mirë, se ka qenë punëtori im në magazinën e kooperativës në kohën e komunizmit, prej vitit 1964 deri në vitin 1968. A mbaj mend me trup të gjatë dhe pak i kërrusun, në atë kohë rreth 70 vjeç dhe mbante syze. Unë kam qenë magazinier i kooperativës bujqësore Gurëz dhe Dom Shtjefni ka qenë punëtor magazine. Ai kryente punë të ndryshme: qepte thasët, seleksiononte patate e domate, mbushte arka.

E kam njohur Dom Shtjefnin. Nuk fliste shumë, por dukej se ishte njeri me karakter të lartë, shumë i dashur me njerëzit, predikues i mirë dhe i dashur me gjithë popullin. Jetonte në shtëpinë e Zotit. Pasi doli nga burgu ka jetuar shumicën e kohës në një kasolle të vogël. Një ditë e ftova për drekë dhe në bisedë e pyeta: A do të hapen kishat? Po, m’u përgjigj: Me siguri, por kur të vdesin të gjithë komunistët (Garda e vjetër). E kupton, deri dhe komunistet e fshatit e respektonin, se ai ka qenë shumë kohë famullitari ynë. Në një rast ishim vetëm për vetëm. E pyeta:

– Po të kishin ra në dorë udhëheqësit komunistë, a do t’i kishe vra?

– Jo, nuk do t’i kisha vra!

– Pse nuk i vret Zoti?

– Ngadalë se Zoti s’asht mace me të gërvishtë.

Dom Shtjefni u burgos për së dyti. E akuzuan në rrenë, se u ka thanë fshatarëve: Vidhni kooperativën, se kjo ashtë pasuria e juaj. Ka pagëzuar fëmijë dhe ka mësuar njerëzit që të pagëzojnë vetë fëmijët e tyre.

Ditën që asht arrestue Dom Shtejfni jam arrestue edhe unë, më 11 qershor 1970. Unë u akuzova për bashkëpunim politik me Dom Shtjefën Kurtin. Mua më kanë torturuar dhe më kanë ballafaque në hetuesi me të. Para dy hetuesve dhe në prani të Dom Shtjefnit, më kërkuan të them të vërtetën. Ne do ta pushkatojmë Dom Shtejfën Kurtin, – thanë ata në një rast. Dom Shtjefni gjatë hetuesisë nuk tha asnjë fjalë të keqe për ne. Ai kishte thanë se “dy vllaznit, Luigji dhe Nushi, janë djem të mirë dhe kanë qenë të mirë”. Mue më dënuan 8 vjet dhe vllaun 3 vjet për punë të keqe në ekonomi. Dom Shtjefën Kurti u dënua me vdekje me 27 korrik 1971.

Ai u pushkatua vetëm pse ishte prift, se ashtu deshi Partia Komuniste. Unë dhe populli e çmojmë Dom Shtjefën Kurtin si martir dhe si shenjt.

Dëshmi e Fran Ndocit rreth jetës së Dom Shtjefën Kurtit

Gurëz, me 18 mars 2003

Unë kam lindur me 9 korrik 1943 në Gurëz dhe jam me profesion bujk. Rrjedh nga një familje katolike e vjetër. Jam i dënuem 14 vjet burg, të njëjtën ditë me Dom Shtjefën Kurtin, me datë 11 qershor 1970. Dom Shtjefën Kurti u dënua sepse ideologjia komuniste, ishte që të zhduket feja, por ajo s’mund të zhduket pa u zhduk priftërinjtë. Për këtë arsye u arrestue Dom Shtjefën Kurti. Im at, Ndou, ka qenë shumë mik i Dom Shtjefën Kurtit dhe mue, si djali i Ndout, më burgosën si bashkëpunëtor me Dom Shtjefën Kurtin. Jam gjykue në kishën e Gurëzit, të cilën Dom Shtjefni e kishte ndërtuar vetë.

Në atë kohë ishte bë shtëpi kulture. E pyeti Kryetari i Gjyqit: “A të ka shkue mendja, se te kjo kishë që ndërtove ti, do të edukohet brezi i ri dhe ti do të dënohesh”? Dom Shtjefni i’u përgjigj: “Prej jush pres çfarëdo, por rëndësi ka për mue, se fenë katolike, ky brezi i ri nuk do ta harrojë”. Kryetari i Gjyqit ishte Qazim Mani nga Tropoja.

U dënua me pushkatim në korrik 1971. E pyeti Kryetar i Gjyqit: A po të vjen keq që u dënove me vdekje? Ai i tha: “Na jemi të dënuem me vdekje prej Zotit, se të gjithë do të vdesim – ju mund ta na shkurtoni ndonjë ditë”.

Vdekjen e pranoi me burrni dhe tha: “Unë nuk vdes, sa të jetë feja që unë besoj”. Asht pushkatue me 25 tetor 1971. Ka qenë në burgun e Tiranës, i lidhur duar e këmbë së bashku. Unë e kam pa me sy.

Dom Shtjefni asht nji ndër fetarët e respektuem, jo vetëm nga unë, por nga i gjithë populli. Meriton të shpallet Shenjt. Memorie.al

                                                         Vijon numrin e ardhshëm

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/kur-zv-prokurori-i-rrethit-te-krujes-piro-suli-qe-asistonte-ne-pushkatimin-e-dom-shtjefen-kurtin-e-pyeti-per-fjalen-e-fundit-ai-iu-pergjigj-proces-verbali-i-ek/