“Kur stjuardesa e linjës Zyrih-New York, njoftoi se në avion ishte një zonjë që kishte vuajtur 40 vjet në burgje e internime, të gjithë u çuan…”/ Dëshmia e rrallë e ish-diversantit nga SHBA-ës

Nga Hajro Hajra

Pjesa e pestë

Memorie.al / N rrëfim autentik, i jetuar dhe i pazbukuruar, i nxjerrë nga kujtesa e skalitur, por jo e fjetur, e shqiptarit që ka përjetuar ferrin komunist, por që ka arritur të ikën nga ai ferr falë shkathtësisë e besimit të madh se vetëm duke dalë nga ai purgatori, mund të luftohet ai dimër i acartë, ajo mjegullnajë e skëterrshme që kishte mbuluar Shqipërinë cep më cep, do të lexoni në këtë shkrim për Remzi Barollin, të dënuarin me 101 vjet burg nga regjimi komunist i Enver Hoxhës.

                                                Vijon nga numri i kaluar

Suzana kishte qenë këmbëngulëse dhe, pas disa bisedash, kishte arritur ta nxirrte nënën e Remziut nga kampi. Më 11 korrik 1990, ajo kishte hipur në avion dhe ishte nisur për në Zvicër, ku do ta priste i biri. Gjatë gjithë rrugës kishte qarë…! Remziu kishte shkuar nga Amerika në Zvicër, në aeroportin e Cyrihut, për ta pritur nënën, të cilën s’e njihte dhe e cila po ashtu, s’e njihte të birin.

Ditën që do të arrinte e ëma, Remziu kishte fluturuar nga Nju-Jorku në Cyrih (Zvicër). Nja 2 orë pas arritjes, kishte shkuar në Konsullatën Amerikane.

– Në shkollën ku punoja – tregon Remziu, – kishim një ambasador, mister Franky quhej. Ky i kishte telefonuar konsullit amerikan në Zvicër dhe i kishte thënë: nesër vjen një njeri, Remzi Barolli, për ta pritur nënën që i vjen nga Shqipëria dhe të lutem ndihmoji me se të mundesh! Kur kishte vajtur në konsullatë, Remziun e kishin pritur shumë mirë.

Nga ora 5 ose 6 duhej të vinte aeroplani nga Shqipëria. Nga hoteli në aeroport ai kishte shkuar me tren. Teksa priste, sytë i mbante në orarin e mbërritjes së avionit nga Tirana. Kishte kaluar një copë kohë dhe nuk kishte njerëz të dilnin nga aeroplani që duhej të vinte nga Shqipëria. E kishte pyetur një njeri që punonte në aeroport dhe ai i kishte thënë se udhëtarët nga Shqipëria, po kalonin një procedurë të veçantë, ndaj do të vonoheshin pak. Pas pak kishin filluar të dilnin udhëtarët. Në mesin e tyre kishte qenë një njeri, të cilin e njihte Remziu.

Aziz Gjermeni, e quanin. Ai dhe e shoqja e tij po ktheheshin nga vizita në Shqipëri. Kur e kishte pare Remziun, ai i kishte thënë: – Hë, xha Remzi, ç’po pret? – Po pres mamanë, – ia kishte kthyer Remziu. – Si? Mamanë? – Po – ia kishte kthyer prapë Remziu. E shoqja e Azizit i kishte thënë: – Ishte një plakë prapa nesh në aeroplan, gjithë kohën qante. Mund të jetë ajo, – tha. – Mos ki merak – i tha Azizi, tash vjen ajo. E mbajtën më gjatë, se nuk kishte letra…!

Kur ishin afruar te një kthinë e aeroportit, kishin parë se aty i kishin futur të gjithë udhëtarët që nuk kishin dokumente. Me nënën e Remziut ishte kunata Adibeja (gruaja e vëllait të Remziut). Ajo e njihte Remziun dhe ky e njihte atë, sepse e kishim parë njëri-tjetrin në fotografi, kurse nëna nuk e njihte Remziun. Kur e kishte parë kunata Remziun, ishte afruar dhe e kishte zënë për qafe. Ishte afruar dhe nëna e Remziut dhe me zë qortues i kishte thënë Adibesë: – Kush është ky burrë që e zë për qafe? – Remziu, është Remziu – i kishte thënë kunata. – Jo – ia kishte kthyer e ëma e Remziut, – ai ishte i hollë, me leshra të bardha, me këmbë të holla…! Shiko si qenka plakur…! – Nënë – i kishte thënë Remziu dhe i ishte hedhur në përqafim, por ajo edhe më tutje nuk besonte dhe me siguri do të ketë thënë më vete: – Kush është ky njeri i huaj që del e na pret?…

Pastaj kishin marrë një taksi dhe kishin shkuar në hotel. Nëna e Remziut ende nuk besonte. Në hotel kishin zënë dy dhoma, një për nënën e kunatën, një për Remziun. Nëna Aishja kishte të mbathura një palë këpucë të grisura, me një karton shtruar në to. Remziu ia kishte marrë dhe ia kishte hedhur nga dritarja…! Nëna kishte thënë: – Ja, na i hodhi këpucët që të mos ikim. Ky burri do të na vrasë…!

– Nëna nuk besonte që isha unë – rrëfen Remziu. Filloi të më bënte pyetje: – Po, nga je ti? – më pyeti. – Jam nga Tresteniku, – i thashë. – Po babanë tënd si e quajnë? – më pyeti ajo.  – Rakip, – i thashë…! – Eh, sa mirë të paskan mësuar… – vazhdoi ajo. Pastaj më pyeti: – Çfarë të pëlqente të haje? – Kur isha i vogël, ti nënë bëje shumë gjëra të mira, bëje lakrorë, byrekë, po të mira i bëje, sidomos patatet me lëng mishi…! Në atë moment ajo zuri të qante. – Eh, biri i nënës, po ti qenke plakur…! – Ç’prite – i thashë, – ka kaluar gjysmë shekulli…! Pas kësaj, nëna u bind që isha unë dhe u qetësua.

Të nesërmen në mëngjes kishin shkuar në konsullatë për ta marrë vizën amerikane për nënën.

– Kur shkuam në konsullatë, – rrëfen Remziu, na pritën sikur erdhi Mbreti i Shqipërisë. Na gostitën me pije e me ëmbëlsira dhe na e dhanë vizën. Viza ishte një formalitet që u krye për 5 minuta. Nga konsullata, pasi nënë Aishja ishte pajisur me vizë amerikane, ishin kthyer në hotel. Ndërkaq, më 13 korrik kishin shkuar në aeroportin e Cyrihut. Kur kishin arritur te porta për të hyrë në aeroplan, Remziu u kishte treguar zyrtarëve me pak fjalë historinë e nënës, u kishte thënë se ajo vinte nga kampi, se kishte vuajtur shumë nën diktaturë e të tjera, me pak fjalë ua kishte treguar gjithë historinë.

Ata e kishin marrë nënë Aishen me një karrocë të posaçme, e kishin futur brenda në avion dhe i kishin bërë vend afër kabinës së pilotit, tamam sikur të ishte një person i rëndësishëm. Njëra nga stjuardesat u ishte drejtuar udhëtarëve që ishin në aeroplan dhe atyre që vazhdonin të hynin, me fjalët: – Në aeroplan kemi një udhëtare shumë speciale…! Pastaj pothuaj të gjithë udhëtarët kishin shkuar dhe e kishin zënë për dore nënë Aishen dhe gjithsecili i kishte dhuruar diçka, dikush një shami, dikush para, dikush ndonjë gjësend tjetër. Ajo vetëm kishte shikuar e habitur nga gjithë ajo që po ndodhte dhe me siguri gjithçka i ishte dukur si një ëndërr. Po vinte nga kampi ku e kishin trajtuar në mënyrë çnjerëzore dhe po përjetonte diçka që kurën e kurës nuk do të mund ta besonte…!

Kur kishin arritur në Nju-Jork, ja befasia tjetër, jo vetëm për nënë Aishen, po edhe për Remziun. – Nga aeroporti te shtëpia ime kishte nja 60 milje (mbi 96 km.), – rrëfen Remziu. – Kur erdhëm afër shtëpisë, në të dyja anët e rrugës kishte përplot njerëz. Ishin 400-500 veta që kishin dalë për të na pritur, shumë televizione e radio, kurse një numër i madh policësh ishin angazhuar për t’a mbajtur rendin. Nëna, kur i pa policët, u tremb pak. – Nënë, – i thashë, – këtu policët nuk janë sikur në Shqipëri, këta vijnë të të shpëtojnë, jo të të ngatërrojnë. – Kapitenit të policisë i tregova se nëna ka qenë në kamp dhe kur ju pa, u tremb. Ai e kapi nënën për dore dhe e përqafoi. Nënës, ndërkaq i bëri përshtypje se, fëmijët nuk flisnin shqip.

Një familje nga Manastiri kishin një restorant të madh. Pronar ishte Milaim Lika. Djali tij, Ferizi, kur kishte marrë vesh se do të vinte nëna e Remziut, kishte ofruar dhe kishte sjellë ushqim për 400 njerëz.

– Ne kishim arritur me nënën të shtunën, më 14 korrik. Po atë ditë martohej vajza ime, Veronika. Në dasmë kishim të ftuar 350 njerëz. Ndonëse njerëzit kishin ardhur për dasmë dhe Veronika që martohej do të duhej të ishte në qendër të vëmendjes, dasmorët e kishin nënën në qendër të interesimit.

Për nënë Aishen ky fillim i ri kishte qenë tejet i vështirë. Të vije nga një ferr, siç ishte asokohe Shqipëria, për më tepër nga një kamp-ferr ku ajo kishte kaluar gjithë ato vite ankthi drejt e në një botë plot shkëlqim, siç ishte Amerika, ishte një ndryshim si nata me ditë. Megjithatë, nënë Aishja, ndonëse mbartte më vete peshën e rëndë të së kaluarës, në mjedisin e ri, e rrethuar me kujdes e dashuri, dalëngadalë do ta merrte veten.

Angazhimi për bashkimin e shqiptarëve të Arizonës

Ishin vitet e fundit të qëndrimit të tij në Nju-Jorkun e zhurmshëm. Tashmë ishte në një moshë kur i duhej pak më shumë qetësi, por jo dhe pushim, se ai kurrë nuk e ka ndërprerë aktivitetin në dobi të çështjes shqiptare. Ai ka vuajtur shumë në fëmijërinë e tij të vonshme dhe në rininë e hershme, prandaj nuk mund të bënte sehir kur një bashkatdhetar i tij ishte keq dhe kishte nevojë që t’ia shtrinte dikush dorën e ndihmës. Dhe, atë dorë të ndihmës, Remziu nuk ia shtrinte kujt nga mëshira, por ngase ka një shpirt tepër fisnik.

Pas qëndrimit afro dyzetvjeçar në qytetin më të madh të SHBA-ve, në Nju-Jork dhe pas një veprimtarie të frytshme në atë qytet të stërmadh, Remziu vjen e vendoset në Arizonë, një vend me klimë shumë të nxehtë, por të përshtatshme sidomos për moshën e tretë. Bashkë me të shoqen Meri, me të birin Rakipin, që mban emrin e babait të vrarë të Remziut, vendosen në Feniks (Phoenix). Këtu Remziu ka punuar në kolegjin “International Institute of the Americas” (ka ligjëruar kontabilitet e financa), deri më 2006, kur është pensionuar.

Më vonë familjes Barolli do t’i bashkëngjitet në Feniks edhe e bija më e madhe e Remziut, Aishja, së cilës ia ka lënë emrin e së ëmës, pasi që kjo kishte lindur në kohën kur nuk dihej në ishte gjallë apo jo nënë Aishja. Ndërkaq, vajza tjetër e Remziut, Veronika, po ashtu jeton në Feniks.

– Në Feniks kam ardhur në vitin 1993, – rrëfen zoti Barolli. Atëherë këtu kanë qenë vetëm 17 familje shqiptare, kryesisht nga Dibra. Ata gati të gjithë punonin nëpër piceri dhe gati nuk merreshin me kurrfarë aktiviteti, duke u arsyetuar se nuk kishin kohë. Ata, shumica, vërtet punonin ag e terr, mirëpo ashtu siç ishin, të paorganizuar fare, ishin krejtësisht të padobishëm. Bashkë me Petrit Çamin, një shqiptar nga Dibra, u përpoqëm të bënim diçka. U deshën gjashtë muaj përpjekje për t’i bindur shqiptarët që të formonim komunitetin. Komunitetin e themeluam më 1995-ën dhe e pagëzuam me emrin simbolik “Shqipja e Arizonës”.

Menjëherë pas themelimit bëmë piknikun e parë. Pastaj festuam 28 Nëntorin dhe aktiviteti ynë dalëngadalë filloi të zgjerohej.

Themelimi i komunitetit shqiptar të Arizonës, në krye të të cilit u zgjodh Remzi Barolli, është i një rëndësie të veçantë, në radhë të parë për vetë shqiptarët e Feniksit, qytet ku janë të vendosur gati të gjithë shqiptarët e Arizonës, por edhe për ta ndihmuar çështjen e Kosovës. Para se të organizoheshin në komunitet, shqiptarët e Arizonës kontaktonin me njëri-tjetrin, kryesisht në bazë të lidhjeve farefisnore dhe informatat që merrnin për ngjarjet në Kosovë dhe në trojet e tjera shqiptare ishin më shumë individuale. Me themelimin e komunitetit, filloi gjallëria. Shqiptarët mbanin mbledhje, kontaktonin me njëri-tjetrin, organizonin piknikë të përbashkët, ku nuk mungonin as miq të shumtë amerikanë.

Në mbështetje të luftës së Kosovës

Në kohën kur shpërtheu lufta në Kosovë, shqiptarët e Arizonës u mobilizuan. Në krye të tyre ishte Remzi Barolli, i cili krah të djathtë në të gjitha aktivitetet e zhvilluara që nga dita e parë e themelimit të komunitetit, kishte bashkëshorten, zonjën Meri.

– Puna e parë që bëri komuniteti ynë pas fillimit të luftës në Kosovë, – thotë Remzi Barolli, – ishte mbledhja e ndihmave për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Në fillim ndihmat i mblidhte Shahin Berisha (një shqiptar nga Prishtina, Doktor Shkencash, Profesor në “Gateway Community College”). Më pastaj mjetet i dërgonim në Fondacionin “Vendlindja thërret”. Mblidheshin prej 15 deri në 80 mijë dollarë, sipas mundësive. Më së shumti ndihma kanë dhënë Bardhyl Kosovrasti dhe Abedin Ollomani, që të dy pronarë picerish.

Në vitin 1998, po sidomos në dimër-pranverë të vitit 1999, atëherë kur lufta në Kosovë kishte arritur kulmin, Komuniteti kishte organizuar disa demonstrata të suksesshme. Në to, përveç shqiptarëve, merrnin pjesë edhe shumë amerikanë, në mesin e tyre edhe studentët e Remzi Barollit. Kishte edhe pjesëtarë të komuniteteve të tjera që u bashkëngjiteshin protestuesve shqiptarë. Pos që organizonte protesta, komuniteti kontaktonte me shumë kongresmenë nëpërmjet postës elektronike, me telegrame të shumta e me letra të ndryshme.

– I kemi shkruar zonjës Ollbrajt – thotë Remziu, – dhe kemi kërkuar nga ajo që të angazhohej maksimalisht për çështjen shqiptare. Zonja e senatorit Mc Cain, me ftesën tonë ka qenë pjesëmarrëse në një mbledhje të komunitetit tonë dhe i ka përkrahur kërkesat tona, domethënë kërkesat e popullit shqiptar të Kosovës. Demonstratat tona i ndiqnin gati të gjitha radiostacionet dhe televizionet e Arizonës, si dhe gazetat kryesore të këtij shteti. Jam takuar me mjaft personalitete të jetës politike, por edhe me të tjerë, si me boksierin e njohur Muhamed Ali, i cili po ashtu është angazhuar për çështjen e Kosovës.

Punët kryesore rreth organizimit dhe mbajtjes së protestave i kryenin Remzi Barolli dhe bashkëshortja e tij, Meri. Ajo i shkruante në kompjuter tekstet e pankartave, ftesat qe do t’u dërgoheshin personaliteteve të shquara amerikane të Arizonës, telegramet e shumta që dërgoheshin në Uashington, dërgonte letra elektronike etj. Remziu siguronte lejen për protestat, njoftonte mjetet e informimit, siguronte flamuj shqiptarë e amerikanë, si dhe flamuj të Arizonës.

Është me interes të zihet ngoje një debat televiziv i asaj kohe në televizionin FOX10. Përballë njëri-tjetrit ishin vënë Remzi Barolli dhe Andrei Simiq, një profesor i Antropologjisë në Universitetin Jugor të Kalifornisë (‘University of Southern California’), bir i një diplomati serb nga ish-Jugosllavia. Profesori serb, ndonëse i lindur e i rritur në Amerikë, shfaqte pikëpamje të njëjta me ato të politikës agresive pushtuese të Millosheviqit. Pa pasur në dorë asnjë argument, në atë dyluftim televiziv ai ishte përpjekur ta arsyetonte, ta përligjte luftën që kishte bërë Serbia në ish-republikat jugosllave dhe luftën që po bënte në Kosovë. Remzi Barolli, ndërkaq, u ishte kundërpërgjigjur me argumente të shumta pikëpamjeve të tij, qëndrimeve të tij, që ishin në një linjë me ato të politikës aktuale të Serbisë. Memorie.al

                                                         Vijon numrin e ardhshëm

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/kur-stjuardesa-e-linjes-zyrih-new-york-njoftoi-se-ne-avion-ishte-nje-zonje-qe-kishte-vuajtur-40-vjet-ne-burgje-e-internime-te-gjithe-u-cuan-deshmia-e-rralle-e-ish-diversantit-n/