“Kur shau udhëheqjen e Partisë, unë i thashë; ti Gjet Kadeli, je armik i betuar, ndërsa Kujtim Prushi, shtoi se do ta denonconte në Degën e Brendshme dhe…”/ Raporti me dëshminë e Fran Gjon Gjinaj, Mamurras, 1972

Nga Gjet Kadeli

Pjesa e trembëdhjetë

Memorie.al publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga Autoriteti për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, ku ndodhet një dosje voluminoze (dosja formulare e përpunimit me 433 faqe dhe ajo hetimore e gjyqësore me 632 faqe) në ngarkim të Gjet Kadelit, me origjinë nga fshati Bulshar i Oroshit të Mirditës dhe me banim në Bushnesh e Mamurras të Kurbinit, ish – i burgosur politik në regjimin komunist të Enver Hoxhës dhe pasardhësit të tij, Ramiz Alia, i cili kaloi plot 16 vjet në kampet dhe burgjet komuniste, si në Spaç, Burrel, etj. Siç do të shohim nga dokumentet që ndodhen në dosjen në ngarkim të Gjet Kadelit, e cila publikohet për herë të parë nga Memorie.al, survejimi dhe ndjekja ndaj tij, ka filluar që në vitin 1957, kur ai ishte në moshën 17 vjeçare, me raport-informacionin e oficerit të Sigurimit të Shtetit, Fahri Kraja, (në bazë të të dhënave të bashkëpunëtorit të Sigurimit me pseudonimin “Dylli i Bardhë”, me miratimin e Kryetarit të Degës së Punëve të Brendshme të rrethit të Krujës, nënkolonel Muhedin Kërxhalliu), ka vazhduar më pas edhe gjatë periudhës që ai ndodhej në kampe dhe burgje, si në Spaç, ku pas revoltës së majit vitit 1973, Gjeta u ri dënua, pasi ishte ideatori kryesor për ngritjen e flamurit pa yllin komunist, duke vijuar më pas në burgun e Burrelit, me raport-informacionet e Punëtorit Operativ, Piro Nuredini, etj., për bisedat e Gjetës me të dënuarit e tjerë të atij burgu, si: Pjetër Arbnori, Daut Gumeni, Abdulla Sallaku, Spartak Ngjela, Avni Aliko, Luan Burimi, Çaush Çoku, Kapllan Resuli, Bardhosh Gjonzeneli, Bashkim Shehu, etj. Survejimi dhe ndjekja ndaj Gjet Kadelit, ka vijuar edhe pas daljes nga burgu në vitin 1987, duke vazhduar deri në janarin e 1991-it, me shembjen e regjimit komunist, kur dosja e tij u mbyll përfundimisht duke u arshivuar në arshivën sekrete të ish-Sigurimit të Shtetit. Po kështu, një vend të rëndësishëm në dosjet e në fjalë, zë edhe korrespodenca me letra e Gjetës dhe familjes së tij, me babanë e tyre, Pjetër Kadeli, ish-ushtarak i Monarkisë së Zogut, i cili pasi kishte shpërthyer qelitë e burgut të Degës së Brendshme të Rrëshenit më 28 korrik 1950, qëndroi disa kohë në male në arrati, e më pas në vitin 1951, u kthye fshehurazi në Mirditë, mori dhe djalin e tij, Gjonin dhe u arratis në Jugosllavi e, më pas në SHBA-ës, ku qëndroi si emigrant politik, deri në fillimin e viteve ’90-të, kur u kthye përgjithmonë në Shqipëri. Gjatë kësaj periudhe kohe gati 35 vjeçare që, Gjet Kadeli është ndjekur dhe survejuar nga Sigurimi i Shtetit, ndaj tij janë angazhuar dhe aktivizuar plot 33 bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit, që kanë dhënë raportet e tyre, duke filluar nga “Dylli i bardhë” në 1957-ën,  e deri te “Dallëndyshja e Malit” në 1990-ën, të cilat, do të pasqyrohen të gjitha të plota, ashtu siç ndodhen në dosjet përkatëse.

                                                    Vijon nga numri i kaluar

Dokumenti me proces-verbalin e hartuar nga hetuesi Hamdi Shullazi, për marrjen në pyetje të dëshmitarit Fran Gjon Gjinaj, në lidhje me Gjet Kadelin

                                                        PROCES-VERBAL

                              (I PYETJES SË DËSHMITARIT, FRAN GJON GJINAJ)

 Në Krujë, më 27.IX.1972

Unë Hamdi Shullazi, hetues në Degën e Punëve të Brendshme Krujë, në prani të oficer, Thanas Totos, mora në pyetje në cilësinë e dëshmitarit, qytetarin Fran Gjinin (Lufin), i biri i Gjonit dhe i Prenës, lindur në fshatin Lufaj të rrethit të Mirditës dhe banues familjarisht në fshatin Bushnesh të rrethit të Krujës, me datëlindjen 1 nëntor 1951, me arsim të lartë dhe me profesion agronom, tash me punë arsimtar në fshatin Ballaush të rrethit të Tiranës, i martuar, nuk e ka kryer shërbimin ushtarak, me shtetësi dhe kombësi shqiptare. Hetuesi më paralajmëroi për përgjegjësi penale, konform nenit 222 të Kodit Penal, në rast se kufizoj, ose jap dëshmi të rreme.

            DËSHMITARI

Fran Gjon Gjinaj (Lufi)

Lidhur përsa pyetem, për Gjet Pjetër Kadelin, kam me thënë se:

Gjet Kadeli, me origjinë nga Mirdita dhe banues familjarisht në qendër Mamurras, e kam njohur qysh në moshë të re, mbasi ka banuar në fshatin Bushnesh dhe kemi punuar bashkë në kooperativën bujqësore. Në vitin 1969, unë kam mbaruar shkollën e mesme në Peshkopi, për Agronomi, kështu që me Gjetën, kam pasur raste që jemi takuar. Kemi biseduar probleme të ndryshme.

Në muajin prill të vitit në vazhdim, muaj i saktë nuk e mbaj mënd, jam takuar me Gjetën në qendër të Mamurrasit, kohë në të cilën unë kam qene i shoqëruar me Kujtim Prushin, takimin e kemi bërë në qendër pjacë të Mamurrasit dhe të tre jemi futur në kafe, unë Kujtimin ja paraqita Gjetës, duke e ditur se Gjeta nuk e njihte Kujtimin, bile unë Kujtimit më kujtohet se i kam thënë se, Gjetën e kam kushëri, është besnik dhe të tjera muhabete.

Gjatë bisedave të ndryshme aty në kafe, Gjeta tha se: Kooperativat Bujqësore, janë ekonomi që shfrytëzojnë djersën e fshatarëve, njerëzit nuk sigurojnë bukën, por vuajnë keq.

Partinë tonë e cilësonte Gjeta, jo si parti të klasës punëtore dhe të fshatarësisë punonjëse, dhe si pararojë të masës punonjëse për ndërtimin e socializmit, por si Parti, e disa personave që janë në udhëheqje dhe nuk mendojnë për jetën e popullit, që gjoja po vuan, por ata shikojnë vetëm për veten e tyre, duke bërë jetë luksoze, duke bërë shpenzime të shumta etj., nga ana tjetër Gjeta, shfaqte urrejtje për udhëheqësin e partisë dhe të shtetit tonë, duke thënë se, nuk ka barazi, po shfrytëzon popullin. Unë dhe Kujtimi ja kemi kundërshtuar, bile unë i kam thënë se; këto fjalë që po flet ti Gjetë, nuk janë të vërteta, së pari sepse nuk është ashtu siç thua ti, se në kooperativa bujqësore nuk jetohet mirë dhe nuk ka të ardhura, ai (Gjeta), mundohej të më bindte mua, se ishin të vërteta ato që thoshte ai.

Ja. p.sh., tha Gjeta; babai jot, Gjon Lufi, kur ishte privat, punonte 6 muaj në vit dhe jetonte shumë mirë, kurse tani punon gjithë vitin në kooperativë bujqësore deri në 16 orë në ditë dhe me të ardhurat që merr, nuk siguron as bukën, prandaj shko dhe bisedo me babën tënd, se ai të dëfton se si ka qenë jeta në të kaluarën. Me kaq këtë radhë u ndamë. Mbas tre javësh, jemi takuar prap në Mamurras qendër, ku unë isha prap i shoqëruar me Kujtimin. Gjeta pasi më përshëndeti, m’u drejtua mua duke më pyetur se; ku punon tani, unë i thashë se tash për tash, nuk jam vendosur në punë. Gjeta tha; a e ke lënë punën, apo të kanë pushuar, se këtë nuk harrojnë se ti ke pasur babën xhandar, i thashë, po të ishte kjo, nuk më jepte bursë shteti, ne në atë kohë kur kishim nevojë për kuadro, si agronom, por tash agronom ka mjaft, por ti nuk ke punuar agronom.

Këtu fjalën e kishte Gjeta për, të më bërë mua të pakënaqur, dhe bile tha Gjeta, unë jam mjeshtër dhe nuk punoj në kooperativë bujqësore për 10 lekë të vjetra që marr në ditë pune, fitoj se kam zanatin e mirë mjeshtër dhe fitoj më shumë se sa një person që ka bërë 11 vjet shkollë. Unë i them Gjetës se; kooperativa bujqësore dhe sidomos kooperativa bujqësore Burizanës, ka pasur dhe ka të ardhura shumë të mira, prandaj nuk jam dakord me ato që thua, që nuk jetohet mirë në kooperativë bujqësore se, ka të ardhura të vogla, etj. Gjeta në formë qeshje tha; kur qenke bërë komunist ti?!

Unë kam thënë; shko e pyet babën, nëse jetohet mirë sot, se sa me vështirësi e kalon jetën, e tjera, sepse në kooperativën bujqësore, nuk siguron dot as bukën e gojës. Nga ana tjetër, Gjet Kadeli më ka thënë se; unë kam babën dhe vëllaun të arratisur jashtë shtetit në Amerikë, këta më dërgojnë mua pare dhe pako e jetoj më së miri dhe nuk kam nevojë me punue në kooperativë bujqësore, këtu Gjeta, vazhdoi e tha se; ti me gjithë atë shkollë që ke, nuk je në gjendje me sigurua bukën e gojës, por në vendet e huaja, punëtorët fitojnë dhe bëjnë jetë të kulturuar, kurse këtu, ka vështirësi jetesa. Unë Gjetës i thashë se; ti je armik i betuar i partisë dhe i shtetit tonë dhe kërkon të bësh shok me veten tënde, biles këtu, ndërhyri Kujtimi dhe i tha Gjetës se; për këto që na ke thënë ti, unë të denoncoj në organet kompetente. Gjeta tha; shko e denonco ku të duash, ty nuk ta beson kush fjalën. Më gjatë, nuk u zgjatëm këtu. Gjet Kadeli, shoqëri të ngushtë ka pasur edhe me Pjetër Lugjën.

Unë kam me thanë se, Gjet Kadeli merresh me punë private, më kujtohet se më ka thënë se të rregulloj unë një thikë, e tjera, bile për thikat që më tha Gjeta, ka dijeni dhe policia. Unë me Gjet Kadelin, nuk kam as hasmëri dhe as grindje, përkundrazi, kam pas shkuar mirë me të, ai më besonte mua duke e ditur se kisha pasur babën xhandar dhe tash kohët e fundit, isha larguar si agronom nga kooperativa bujqësore. Unë mora vesh se Gjeta, është arrestuar dhe për këtë erdha vetë vullnetarisht për t’ju dëshmuar për bisedat që kam bërë me të, për sa shpjegova më sipër dhe jam gati t’ja them edhe në ballafaqim Gjet Kadelit.

Procesi u lexua, u gjet në rregull dhe firmoset.

   DËSHMITARI                                                                            H E T U E S I

 (Fran Gjon Gjinaj)                                                                     Hamit Shullazi

                                                                 I pranishëm

                                                                   Thanas Toto

Raporti sekret i hartuar nga Punëtori Operativ, Thanas Toto, me të dhënat e bashkëpunëtorit me pseudonimin “Mbrehija”, lidhur me bisedat që ka bërë axha i Gjet Kadelit, Zefi, me Beqir Kurtin në Mamurras

                                                                                                   Marrë P.Op. Thanas Toto

                                                                                                     Dhënë: B.p. “Mbrehija”

Raporti i datës 10.10.1972

Ai raporton se më datën 9.10.1972, është takuar me Zef Kadelin nga Mamurrasi, i cili është axha i Gjet Kadelit, që është në burg, dhe në biseda Zefi i tha atij se; jam takuar me Beqir Kurtin, marangoz në Komunale në Mamurras, i cili punon marangoz dhe në biseda Beqiri më tha; ti Zef, mos të vish të më takosh ditën, po hajde dhe më tako natën, se unë kam pasur shoqëri me Gjet Kadelin, nipin tënd dhe na kuptojnë se unë kam pasur lidhje me të, e kështu kam frikë se më arrestojnë dhe mua, sepse Gjetës, unë i kam dhënë një plaçkë që bën 700 lekë të reja, këtë plaçkë do ta çonte deri në një vend, por akoma nuk e ka çuar. Zefi tha se, unë i thashë se deri tani Gjeta, nuk ka treguar gjë, se po të kishte treguar, do të kishte arrestuar Dega, kështu e lamë që të mos takohemi.

                      “Mbrehija”

Detyra:

Takohu me Zef Kadelin dhe mundohu të mësosh se çfarë është kjo plaçka që i ka dhënë Beqir Kurti, mos është një revole, dhe ku e ka lënë Gjeta këtë, juve për këtë, po të kini muhabet, bisedoni edhe vetë me Beqir Kurtin.

Sqarimi i të dhënës:

Beqir Kurti, është me origjinë nga Lushnja dhe punon marangoz në Mamurras, është person me qëndrim të keq dhe e ka pas babën e tij të pushkatuar dhe është pa triska Fronti etj. Ky ka pasur lidhje të ngushta me Gjet Kadelin dhe sipas Zefit dhe B.p., kanë shkëmbyer plaçka, por çfarë janë këto nuk i dimë.

Masat Operative:

E dhëna e B.p. të shtypet në dy kopje, një për Gjet Kadelin dhe një për Beqir Kurtin, në fashikullin e përgjithshëm. Në hetuesi, Gjetës t’i kërkohet për lidhjet me Beqir Kurtin dhe çfarë plaçkash ka marrë ky prej tij.

                          Punëtori Operativ

                                Thanas Toto

Dokumenti sekret i hartuar nga Kryetari i Degës së Brendshme të Krujës, Dhosi Pecani, me planin e masave për mbledhjen dhe verifikimin e provave, në lidhje me Gjet Kadelin dhe Kin Bashën

 A P R O V O H E T                                                                          S E K R E T

KRYETARI I DEGËS SË PUNËVE TË BRENDSHME                         Krujë, 4.10.1972

  DHOSI PECANI

                                                P L A N – M A S A SH

MIDIS SEKTORIT OPERATIV DHE TË HETUESISË MBLEDHJE PROVASH DHE VERIFIKIME LIDHJESH PËR TË PANDEHURIT GJET KADELI DHE KIN BASHËS

Gjatë zhvillimit të hetuesisë, të pandehurit Gjet Kadeli i dalin materiale në ngarkim të tij për verifikim dhe dokumentim të provave ligjore, nga ana tjetër, në këtë proces, implikohet dhe Kin Basha, si lidhje e tij e ngushtë, nga i cili Gjeta ka marrë tre ora dore, për t’i shitur ndër persona të tjerë dhe këto ora janë kontrabandë.

Në drejtimit të çuarjes përpara hetimit të Gjet Kadelit, të merren këto masa:

  1. Të merret me cilësi dëshmitari dhe të bëhet ballafaqim, qytetari Riza Ahmeti, Deri më 10.10.1972
  2. Të studiohen për t’u pyetur si dëshmitar, Simon Buna dhe Mëhill Ndreka, me banim në Mamurras. Deri më 12.10.1972
  3. Të merren në takim një nga një Pashk Kadeli, i cili sipas të dhënave ilegale dhe legale del se ky, ka folur për kundra pushtetit me Gjetën. Ky për t’u zbërthyer nga ana jonë, në bisedim me të, dhe të përdoret dijeninë që ka lidhur me tre orët, që i pandehuri ja ka pas marrë Kin Bashës. Nga ana tjetër, të studiohet dhe të merret në bashkëbisedim dhe Palok Ujka. Të dy të mësipërmit, sipas të dhënave në birucë, del se i pandehuri i ka thënë dhe është shprehur se këtyre të dyve, ua ka frikën.

Kryhet deri më datën 20.10.1972. Hetuesi dhe shefi i Seksionit, Thanas Toto

  1. Të pyeten në cilësinë e dëshmitarit, Qamil Murati, Nikoll Lala dhe Gaspër Noka, për thikat që i’u ka shitur i pandehuri. Deri më datën 15.10.1972
  2. Të drejtohet bashkëpunëtori i birucës “Lapsi”, duke i dhënë këto detyra dhe vijë sjellje.

Të mësojë se, si reagon i objekti gjatë hetuesisë, nëse ka mbajtur rezerva dhe çfarë komentesh konkretisht ka zhvilluar kundra pushtetit, me persona të ndryshëm jashtë, i pandehuri.

b). B.p., “Lapsi” në bisedë e sipër me të pandehurin, t’i thotë objektit se; ju më keni thënë më parë se frikën ja kishit Kujtim Prushit, tash ju po thoni se ju kanë ballafaquar me Kujtimin dhe ju nuk paskeni pranu, pra unë po ju këshilloj që juve, është mirë që t’i deklaroni vetë, se kështu ndihmoni veten tuaj. Këtu pra B.p., të punojë me objektin për ta bindur atë që të filloj të flasë, mbi aktivitetin e tij armiqësor dhe të rrethit të tij.

c) Në qoftë se shikohet e arsyeshme dhe dalin të dhëna me rëndësi, të përdoret T.O.

Kjo detyrë është e vazhdueshme.

  1. Të pandehurit në hetuesi, t’i kërkohet për lidhjet e tij me Kin Bashën, në këto drejtime:
  • Kur është njohur me të, nëpërmjet kujt, çfarë shoqëria ka patur dhe kur e ka shtrirë këtë shoqëri.
  • T’i merret me shkrim, për orët që i ka marrë Kin Bashës, për t’i shitur në persona të tretë. Kush tjetër ka dijeni për këto orë, nga i kanë ardhur Kinit, rruga që i kanë ardhur e të tjera.
  • Çfarë dini tjetër për Kin Bashën.
  • Të pandehurit ne hetuesi t’i kërkohet, sepse këta me Kin Bashën, para disa muajve kanë shkuar disa herë në Lushnje dhe çfarë kanë marrë atje, mbasi sipas disa të dhënave që kemi, juve të dy keni marrë një armë dhe ja keni dhënë një personi të tretë.

Këtë detyra i kryen hetuesi Hamit Shullazi dhe Shefi i Seksionit, Thanas Toto, deri më datën 20.10.1972

        H E T U E S I                                                                 SHEFI I SEKSIONIT

      Hamit Shullazi                                                                  Thanas Toto

Dokumenti me proces-verbalin e hartuar nga hetuesi Hamid Shullazi, mbi marrjen në pyetje të dëshmitarit Mark Preng Kaçi, lidhur me Gjet Kadelin

                                                    PROCES – VERBAL

                           (RRETH PYETJES SË DËSHMITARIT MARK PRENG KAÇIT)

        Krujë, më 30.10.1972

Unë Hamit Shullazi, hetues në Degën e Punëve të Brendshme të rrethit të Krujës, mora në pyetje me cilësinë e dëshmitarit,. Mark Kaçin, të birin e Prengës, lindur dhe banues në fshatin Zhejë të rrethit të Krujës, më 1940, i pa organizuar në parti, i pa dënuar, me profesion teknik pyjor, pranë N.I.SH. Pyjore Krujë, kryer shërbimin ushtarak i martuar me dy fëmijë, më shtetësi dhe kombësi shqiptare. Hetuesi më paralajmëroi për përgjegjësinë penale, konform ligjit 220 të Kodit Penal, në rast se kufizoj ose, jap dëshmi të rreme.

                          D Ë SH M I T A R I

                                Mark Kaçi

Lidhur me çështjen, kam me thënë se aty rreth muajve maj-qershor 1972, u takova rastësisht me Gjet Kadelin me banim në Mamurras, tash kam marrë vesh se është arrestuar, mua më pat dhënë një shok para disa kohësh, 5 – 6 fishekë revolver Sovjetik dhe unë kisha 5 – 6 copë fishekësh pistolete “Berret” italiane të prishur dhe Gjeta më tha më gjej fishekë sovjetik që t’i modifikoj, kështu që unë i dhashë fishekët dhe ai m’i modifikoj, për pistoletën “Berret”, kl. 7.65.

Këto, m’i ka modifikuar për një periudhë, tre-katër javë. Mua nuk më ka marrë hak pune. Se ku i ka rregulluar (modifikuar), unë nuk e kam pyetur. Unë Gjet Kadelin e kam njohur si person, e kam ditur se ka të arratisur jashtë shtetit babën e tij, por nuk kam pasur asnjë muhabet me të. Më vonë, në ndërgjegje, u pendova se pse ja lejova vetes time një gjë të tillë. Më gjatë, nuk kam gjë me thënë, sa thashë më lart, janë të vërteta dhe firmos. Memorie.al

             D Ë SH M I T A R I                                                             H E T U E S I

             Mark Preng Kaçi                                                              Hamit Shullazi

                                                    Vijon numrin e ardhshëm

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/kur-shau-udheheqjen-e-partise-une-i-thashe-ti-gjet-kadeli-je-armik-i-betuar-ndersa-kujtim-prushi-shtoi-se-do-ta-denonconte-ne-degen-e-brendeshme-dhe-raporti-me-deshmine-e-fr/