“Kur një i huaj, donte të lidhej me një vajzë kineze, gjë që ishte fare e lehtë, meshkujt vendas i ndiqnin ata nga pas, dhe…”/ Dëshmia e ish-pilotit, se si e “zgjidhnin” problemin e femrave, duke…!

Nga Niazi Nelaj   

Pjesa e dytë

                                    –  Në shkollën kineze të aviacionit ushtarak –

Memorie.al / Të përzënë nga shkolla sovjetike e Aviacionit, me ëndrra të prera në mes, një pjesë e grupit të studentëve për pilotë, që kishim studiuar një vit në qytetin e Batajskut, më 8 janar të vitit 1962, pas një lundrimi “skëterrë”, me një anije mallrash, mbërritëm në qendrën e Shkollës së Tretë të Aviacionit Ushtarak të Kinës, në qytetin Çin Zhou. Ai ndodhet në “zemër” të Mançurisë; në atë kohë kishte rreth 200.000 banorë. Pa ndonjë industri të spikatur. Një qytet me ndërtime 2-3 katëshe por me rrugë të asfaltuara. Terreni përqark qytetit ishte fushor; pranë tij janë brigjet Perëndimorë të Detit të Verdhë. Njëra nga vlerat e këtij qyteti mbahej fakti që aty ishte qendra e Shkollës së Tretë të aviacionit ushtarak të Kinës. Vajtja ime në këtë shkollë e në atë qytet ishte një rast fatlum. Në listën prej 7 studentësh të kursit tonë ku bwnin pjesw: Adem Çeça, Dhori Zhezha, Mihal Pano, Bashkim Agolli, Andrea Toli dhe Sherif Hajnaj (Bracki), u përfshi, fare rastësisht dhe emri im, Niazi Nelaj.

                                                          Vijon nga numri i kaluar

Tek po na tregonte dhomën e fjetjes, një kapanon i vogël sa për 7 shtretër, tek, me një kat, njëri nga kuadrot, “më i rëndi”, fliste pareshtur. Ai, bënte si bënte, i jepte theks politik tregimit të objekteve të dhomës kapanon. Fliste në gjuhën e tij e ne nuk e kuptonim në ato që thoshte, por, nga toni me të cilin artikulonte fjalimin, kuptonim se po evokonte miqësinë e madhe, të pathyeshme shqiptaro – kineze, të ngritur mbi themele të luftës, pa kompromis kundër revizionizmit modern, me atë hrushovian, në krye.

Oratori, me pathos u thurte lavde dy arkitektëve të kësaj miqësie: Mao Ce Dunit dhe Enver Hoxhës. Ai, me një zë lutës, dukej sikur kërkonte ndjesë që ne, miqtë e shtrenjtë, të ardhur nga Shqipëria Socialiste, ndodheshim në vendin e tij në një kohë krize ekonomike, kur nuk kishte patur reshje shiu, gjatë tre vjetëve të fundit. Këtë lloj justifikimi e dëgjova shpesh gjatë kohës që qëndrova në Kinë.

Mungesën e reshjeve, për rrjedhojë edhe të të korrave, kinezët e kishin pagëzuar me togfjalëshin “fatkeqësi natyrore”, shprehje, e cila u pëlqente ta përsëritnin në gjuhën ruse: “Stihijnije bjedstvija”. Në çdo rast, kufizimet ekonomike që përjetuam në Kinë, ashtu si dhe vendasit, përpiqeshin t’i shpjegonin, të lidhura ngushtë me fatkeqësinë natyrore. Me këtë logjikë, na foli dhe shefi llafazan. Ai dhe të tjerët, të cilët mbanin “iso” e u binin daulleve të njëjta, gjetiu e kishin hallin:

Ishim të përzënë nga Bashkimi Sovjetik, ku, për të thënë të vërtetën, gjetëm kushte jetese më të mira nga ato që lamë në vendin tonë dhe rusët përkujdeseshin për ne që të mos na mungonte asgjë. Kinezët, të kujdesshëm, si ata ndaj mysafirëve, nuk donin të ulej “piaca”, prandaj u përpoqën të na vinin në kushte komode. Mirëpo, disa muaj para nesh, për të vazhduar fluturimet e ndërprera, kishin mbërritur në Kinë disa studentë për pilotë, të grupeve të përzierë.

Disa prej tyre ishin graduar e ishin oficerë të Ushtrisë Popullore; të tjerë ishin studentë. Së bashku me këta, kishte shkuar në Kinë dhe një delegacion ushtarak, në përbërje të të cilit ishte dhe komandanti i Aviacionit Luftarak Shqiptar, kolonel Edip Ohri. Mes porosive të shumta që kishte lënë, koloneli u kishte thënë autoriteteve kineze të Aviacionit: “Studentët dhe oficerët shqiptarë të Aviacionit, ti trajtoni njëlloj si tuajët”! Porositë e komandantit të Aviacionit Shqiptar, u mirëpritën e u vlerësuan nga vendasit. Ato u hapën udhën atyre që ndodhën më pas, të cilat, për ne nuk rezultuan aq të dobishme.

Porositë e shefit shqiptar të Aviacionit u erdhën bukur pas avazit drejtuesve kinezë të Aviacionit Luftarak, studentët dhe oficerët e të cilëve stërviteshin e jetonin në kushte, në të cilët, ne e kishim të vështirë t’i përballonim. Kur studionim në shkollën sovjetike të Aviacionit, ishim të përkëdhelurit e regjimit. Ishim mësuar “ta lironim rripin”, e të notonim në bollëk; tani duhet “ta shtrëngonim rripin” përsëri, e të përjetonim kufizime, të cilat edhe në Shqipërinë e varfër të asaj kohe, nuk i ndeshje shpesh.

Ushtari kinez, krahasuar me atë sovjetik, përjetonte kufizime ekonomike të papara. Oficerët kinezë nuk e kishin jetesën më të begatë. Nejse, për këto gjëra do të kem rast të shkruaj më pas, tani le të kthehemi tek prezantimi ynë i parë. Njëri nga oficerët e lartë të suitës që shoqëronte “shefin e madh”, siç qëndronte, në këmbë, përpara nesh, pa teklif (drojë) lëshoi një goxha p….! Kinezët e pranishëm, e dëgjuan atë që nuk dua ta them dy here, por nuk u shqetësuan aspak. Sikur nuk kishte ndodhur asgjë.

Ne, studentët e ardhur nga Shqipëria, të pa mësuar akoma me kinezëritë, pamë njëri-tjetrin në sy, u skuqëm e u turpëruam, ulëm kokën e qeshëm nën zë. Është pak të them se u fyem; ne u pataksëm. Më pas dëgjuam shpesh të tilla shfaqje por, ato nuk na bënin më përshtypje; u mësuam, t’i dëgjonim por jo t’i aplikonim. Ndërkohë që ne ishim të alarmuar, oratori vijonte tregimin e objekteve, pa gjë të keq. Pamë dhomën e fjetjes.

Ne, studentët, të shkëputur nga grupi i Batajskut, ishim 7 vetë: Adem Çeça, Dhori Zhezha, Mihal Pano, Bashkim Agolli, Andrea Toli Sherif Hajnaj (Bracki) dhe Niazi Nelaj. Për të fjetur na orientuan në të njëjtën dhomë. Studentët e grupit të shturmanëve, ata që kishin studiuar në Krasnodar, për navigatorë fluturues dhe erdhën në Kinë, për të kaluar në trajnim si pilotë, të cilët ishin më të shumtë në numër, do të flinin në dhoma të tjera; në kushte si tonat. Sikundër ne, edhe grupi i oficerëve, të cilët stërviteshin diku 200 km. më larg, të cilët kishin fluturuar, në Krasnodar, në aeroplanët bombardues të frontit ‘IL-28’.

Ata erdhën në Kinë për t’u stërvitur në aeroplanët ‘Mig-15 Bis’. Ata pretenduan trajtim të diferencuar, në krahasim me ne, studentët dhe përftime materiale, sipas avantazheve që u jepte grada e oficerit. Nëse nuk mund të trajtoheshin si oficerët sovjetikë, së paku të kishin përftimet që u takonin si oficerë të vendit të tyre. Mirëpo menaxherët kinezë që merreshin me këto punë, e kishin marrë udhëzimin nga komandanti Aviacionit Shqiptar, për trajtimin tonë; prandaj na futën “në një thes”.

U revoltuan e protestuan oficerët që studionin për pilotë por përballë këmbënguljes kineze dhe kokëfortësisë e vendosmërisë të qeverisë tonë, ata preferuan të ndërprisnin apo të mos nisnin stërvitjen ajrore, për pasojë u kthyen në Shqipëri, ku disa u liruan nga ushtria e, disa të tjerë u caktuan në detyra të ndryshme, jo fluturuese. Ishin djem të mirë e pilotë me perspektivë. Me një trajtim më gjakftohtë e të mençur, ndoshta nuk do ta kishin paguar aq keq. Më keq e pësoi aviacioni ynë, i cili humbi një brez pilotësh me vlerë.

Qysh në prezantimin e parë, kushtet e fjetjes nuk na erdhën për shtat. Krevatet ishin njëkatësh, tek dhe prej druri. Deri këtu – normal. E keqja, as nis e as përfundon këtu. Për të shtruar, sipër dërrasave, na pajisën me një jorgan, me të cilin edhe duhet të mbuloheshim. Pa çarçafë. Ai, vetëm emrin kishte jorgan, mbasi ishte tepër i hollë. Duke u shtrirë mbi dërrasat e krevatit, na vriteshin brinjët, teksa për mbulesë, nuk shërbente, dhe ne kishim ftohtë.

Ne e shfrytëzonim atë duke e bërë dysh dhe futeshim brenda tij. Kur isha fëmijë, nëna më kishte rrëfyer një ndodhi të përafërt të kushëririt të saj Halil Adem Halilaj, nga Krahësi Nr 1. i Tepelenës. Ky Halili, të cilit, si kushëri i nënës, i thërrisja dajo, ishte një goxha burrë: “esnaf”, i pashëm, i zgjuar e me humor, trim e i shkuar me njerëzit, zotërues i gjuhës gjermane e i disa gjuhëve të tjera. Së bashku me disa bashkëfshatarë, dhe të tjerë nga rrethinat, dajo Halili shkonte në Fier, për të bërë pazar.

Të grupuar në karvanë, rrugën që zgjaste 10-12 orë e bënin në këmbë. Aso kohe udhët nga qarkullonin karvanët ishin plot me grabitës. Prandaj fshatarët ishin të detyruar të grupoheshin. Nata i zuri në fushën e Cakranit. Zgjodhën një vend të përshtatshëm, për vete e për kafshët me të cilat udhëtonin dhe vendosën ta kalonin natën tek disa mullarë bari e kashte. Nata ishte e ftohët dhe rrobat që kishin për shtrojë e mbulojë ua hodhën kafshëve.

Mblodhën disa shkarpa aty pranë e bënë një zjarr, nga i cili më tepër u plevitosën. Ngroheshin nga përpara; ftoheshin nga kurrizi. Bënë si bënë, shtruan bar e kashtë dhe, të lodhur nga udha e gjatë, u shtrinë. Nuk mund të flinin nga të ftohtit. Njëri nga fshatarët, të cilin nuk po e “merrte” gjumi nga të ftohtit, pyeti Halilin: “Po ti xha Halil, nuk mërdhi”? “Jo, – u përgjigj plaku fisnik, – nuk para mërdhi unë”! Fshatari e vazhdoi pyetjen: “Po çfarë ke hedhur”? “Një thes”, u përgjigj Halili. “Po për të hedhur, çfarë ke përdorur”? pyeti fshatari. “Një thes”, tha përsëri xha Halili. U gëzua fshatari, që plaku kishte dy thasë e bërtiti: “Ma jep një thes mua, se u plevitosa, o xha Halil”! Halil Ademi, me humorin e tij të njohur, me një farë solemniteti që i jepte statusi i kryetarit të karvanarëve, këndshëm tha: “Po unë një thes kam e jam futur brenda tij”. E dëgjuan dhe ata që bënin sikur flinin e plasi gazi, aty në mes të mullarëve të Cakranit.

Ndodhia interesante është treguar e tregohet pambarimisht, në rrethin tonë fisnor e më gjerë. Djali i djalit të xha Halilit, në vitet e fundit, u bë njëri ndër humoristët më të dëgjuar, në Shkodër e në të gjithë vendin. E heq dera. Nuk thonë kot në anët tona: “Dardha, nën dardhë do të bjerë”!

E zgjata pak me tregimin e kësaj ndodhie të largët në kohë, për të kujtuar një përjetim tjetër, jo aq të freskët. Në mes të dhomës ku flinim ishte vendosur një tavolinë prej druritë gdhendur, rreth së cilës uleshim e “shtynim orët e lira”. Tavolina kishte formën e një drejtkëndëshi e rreth saj mund të uleshin 6 vetë. Ne ishim 7 shokë. Njëri mbetej pa vend. Në heshtje, sipas “ligjit të xhunglës” ishte mirë pranuar të mbetej pa vend Misha (Mihal Pano) nga Tirana. Misha ishte më i riu në moshë e më micaku në trup.

Edhe vetë Misha ishte pajtuar me këtë zgjidhje, aspak humane. Tek koka e çdo krevati kishim nga një komodinë druri, me dy rafte. Mbi komodinë dhe brenda saj, mikpritësit tanë të kujdesshëm nuk kishin lënë jashtë vëmendjes, stivosjen e shumë veprave. Veprat ishin të klasikëve të marksizëm-leninizmit, kryesisht në gjuhën ruse. Kishte vepra të Karl Marksit e të Frederik Engelsit, si ‘Kapitali’, ‘Vepra të zgjedhura’, ‘Anti Dyhring’, ‘18 brymeri’ i Lui Bonapartit, etj., vepra, botim i Lajpsigut, etj. Të gjitha të lidhura bukur, me kapakë të fortë e me letër cilësore.

Seria e veprave të Josif Visarianoviç Stalinit, të cilin, vendasit e kishin mjaft për zemër, ishin nga numri 1 deri tek 14 dhe veprat e zgjedhura të tij. Ato dhe veprat e zgjedhura të Vladimir Iliç Leninit, mbushnin, me tepri komodinat tona. Mbi të gjitha binin në sy veprat e zgjedhura të Kryetarit Mao Ce Dun. Librat e kryetarit të tyre, të cilit ata i uronin të jetonte 10. 000 vjet dhe e kishin si perëndi, ishin të lidhura bukur, me kapakë të trashë e “këmishë” përsipër, të pajisura me një fjongo të kuqe, për të shënuar faqet. Në kapak e në këmishë, të veprave të Mao Ce Dunit, shkëlqente një stampë e madhe, e verdhë, me fytyrën e kryetarit Mao. Të kujdesshëm e sqimatar në çështjet e ruajtjes të ekuilibrave, organizatorët, e kishin plotësua bibliotekën tonë me libra e tituj, nga shkrimet e shokut Enver Hoxha.

Meqenëse ishim të përzënë nga Bashkimi Sovjetik, me të cilin, në atë kohë Kinezët nuk ishin në ujdi për çështje ideologjike dhe ndaheshin në qëndrimet politike, për të na “shkundur pluhurin revizionist”, i cili mund të kishte rënë mbi ne, drejtuesit e sektorit politik të shkollës, “na bombarduan” me literaturë politike marksiste – leniniste. Ndoshta ata menduan se ne ishim të etur për të mësuar Marksizëm- Leninizmin, në atë moshë. Theksoj se, në ato vite, në Kinë, literatura politike qarkullonte me shumicë e ishte në modë. Ai që nuk mbante në dorë citatet e kryetarit Mao e, nuk i përsëriste ato me vend e pa vend, shikohej shtrembër, nga drejtuesit e politikës.

Në vitet ’60-të të shekullit të XX-të, në Kinë televizioni ishte në hapat e parë. Në dhomën tonë, aty ku përcillnim kohën më të madhe, kishim vetëm një aparat radioje të zakonshme, me llampa. Ajo na shërbente për të mësuar njoftimet e fundit e për të dëgjuar muzikë, e cila, për hir të së vërtetës, na pëlqente shumë. Ishim në hall, kush e si do ta drejtonte këtë radio, të vetme. Shokët e vranë mendjen dhe shpejt e gjetën mënyrën e përdorimit të saj. Shokët ma besuan mua “menaxhimin” e radios. E vendosëm aparatin e radios mbi komodinën time.

Zakonisht dëgjonim lajmet, ndonjë program muzikor, me këngë sipas preferencave të mija. Në ndonjë rast edhe sipas kërkesave të shokëve, të cilët kishin dëshirë të ndiqnin emisione muzikore, kur ishin rreth tavolinës, por dhe të shtrirë, në shtretërit e tyre, para se ti zinte gjumi.

Kjo ishte e vështirë, mbasi kërkohej qetësi dhe përmasat e sallës ku flinim kërkonin ta mbaja zërin e radios në nivele të ngritur. Rregulli i brendshëm nuk na lejonte të shqetësonim të tjerët, në kohën e pushimit. Në çështjet e zbatimit të rregullave, kinezët ishin rigorozë. Të njëjtën gjë kërkonin dhe nga ne. Ramë në hall. Pyetëm nevojën e ajo na e tregoi rrugëzgjidhjen.

Ramë dakort që lajmet t’i ndiqnim nëpërmjet një radiostacioni rus, i cili transmetonte nga qyteti i Habarovskut, një qytet kufitar me Kinën. Nëpërmjet të njëjtit stacion, dëgjonim dhe muzikë ruse; popullore dhe moderne, për të cilën, nuk e fsheh, kishim nostalgji. Me mirëkuptim, ramë dakord që ta mbanim të fiksuar radion tek një stacion i Koresë të Jugut. Ky radiostacion transmetonte thuajse 24 orë muzikë të bukur, e cila na pëlqente. Interesante ishte çelja dhe mbyllja e programeve nga ky stacion.

E njohëm menjëherë melodinë e këngës tonë të mirënjohur: “O Drenova, moj drenovare”. Aq qe puna, sa e identifikuam. Nuk i ndaheshim atij stacioni. Kapëm dhe disa stacione japoneze, në të cilët dëgjonim muzikë të bukur. Meloditë e bukura japoneze, sidomos tangot, të cilat i kanë të famshme, ndonëse disi melankolike, na relaksonin së tepërmi.

Dita- ditës, duke eksploruar stacionet e ndryshme radiofonike, e kompletuam repertorin e shijeve tona muzikore. Detyrën e vështirë që më ngarkuan shokët e plotësova pa shumë mundime. Mirëpo duhej zgjidhur një problem tjetër e ai ishte tejet i vështirë. Si do ta dëgjonte muzikën çdo njëri nga ne, i shtrirë në krevat? Dikush nga shokët bëri “një shpikje”. Shlemafonët (kokoret e pilotit) kishin kufje. I përshtatëm ato e i lidhëm tek dalja e altoparlantit të radios. I mbajti 6 kufje altoparlanti i gjorë.

Mirëpo ne ishim 7 studentë. Përgjegjësi i grupit, Ademi, njeri tolerant e pa ego, mbeti pa kufje. Edhe ai donte të dëgjonte si ne. Njëri nga shokët tanë, ca si me shaka, ca me të vërtetë i tha “shefit”: “Ti, Demo, vër shlemafonin në kokë e fli me të”! U bë “eksperimenti”, e ai rezultoi i suksesshëm. Pak e bezdisshme të flesh me shlemafon në kokë por shoku ynë e siguroi “ushqimin intelektual”. E vunë re kinezët “shpikjen” tonë e nuk u ndien. Fundja ne nuk bezdisnim asnjeri. Lajme në gjuhën kineze e muzikë vendase, nuk para dëgjonim, jo vetëm për shkak të preferencave tona por dhe ngaqë nuk e dinim gjuhën.

Vinim nga një vend sllav, ku marrëdhëniet mes femrave me meshkujt ishin liberale. Ndryshe nga mjedisi shqiptar, ku aso kohe njerëzit ishin konservatorë dhe fanatikë. Në Kinë raportet femër – mashkull ishin krejt të tjera, kryesuar me dy vendet tona. Në marrëdhëniet mes femrave e meshkujve, kinezët, aso kohe ishin pak racistë e tepër xhelozë. Kur një djalë i një vendi tjetër, tentonte të lidhej me një vajzë kineze, gjë që praktikisht ishte e mundur, meshkujt vendas i ndiqnin ata, në çdo qoshe, nga pas dhe, kur atyre u binin në sy, buzëqeshnin, si pa të keq, por me hipokrizi.

Ishim të rinj e kishim nevojat e moshës. Në atë mjedis konservator e xheloz, të vendasve ndaj të huajve, ishim të shtrënguar të shfrytëzonim metodat klasike, individuale të relaksit….! Mbi njërën nga komodinat, në dhomën ku flinim, kishim vendosur kopertinën e ilustruar të një reviste e cila reklamonte seks, ku u bëhej jehonë hireve vajzërore dhe bukurisë femërore nudo.

Një vajze të re, të shtrirë, i bënte fresk, një femër e pashme, gjithashtu e re, me ngjyrë, me një pendë palloi. Hiret e bukurisë të vajzës të zhveshur, na joshnin e na eksitonin. Në ato kushte izolimi, ku nuk mund të bënim asnjë hap në shoqërinë e femrave, edhe ky lloj relaksimi nuk ishte keq; derisa ne ndiheshim mirë.

Ndonjëri nga djemtë e grupit tonë; kuptohet, më i shkathëti, tentoi të siguronte kontakte fizike me ndonjë vajzë kineze. U shtir i sëmurë njëri nga shokët tanë dhe kinezët, të cilët, për hir të së vërtetës kujdeseshin shumë për shëndetin tonë, e transportuan atë në Spitalin Qendror të Aviacionit, në Pekin.

Shoku ynë, gjatë disa ditëve të shtrimit në spital, i’u nënshtrua analizave dhe këqyrjeve të hollësishme. Kishim informacion se në kryeqytet ishte klimë tjetër e, ndonjë djalë i huaj mund të krijonte ndonjë lidhje të përkohshme me një vajzë vendase. Memorie.al

                                                 Vijon numrin e ardhshëm

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/kur-nje-i-huaj-donte-te-lidhej-me-nje-vajze-kineze-gje-qe-ishte-fare-e-lehte-meshkujt-vendas-i-ndiqnin-ata-nga-pas-dhe-deshmia-e-ish-pilotit-se-si-e-zgjidhnin/