“Kur mbi trupin e saj ranë breshëritë e para të skuadrës së pushkatimit, Ramize Ggjebrea, tha…”/ Dëshmitë e panjohura për ekzekutimin e partizanes, të akuzuar për “dashuri të ndaluar”…!

Nga Edmond Prifti

Rrëfimi ish-partizanëve të Brigadës së V-të Sulmuese, dëshmitarë të ngjarjes për misterin e ekzekutimit të partizanes Ramize Gjebrea dhe akuzat vrasëse të “dashurisë” së 21- vjeçares, me Zaho Kokën…!

Memorie.al / “Atë vit edhe pranvera erdhi e ftohtë. Ishte 5 marsi i vitit 1944. Atë ditë mungonin vetëm dy udhëheqësit; Komandanti i Brigadës së V-të, Shefqet Peçi, dhe Komisari, Hysni Kapo, ndërkohë që organizohej vrasja për akuzën e pabesë, në shtabin partizan…”?! – rrëfen ish-partizani i Brigadës së V-të Sulmuese, Mato Hasamataj. 21 –vjeçarja, përgjegjësja e rinisë së Brigadës së V-të Sulmuese, Ramize Gjebrea, pushkatohet në 5 mars të vitit 1944, pa asnjë provë por me urdhër nga lart, që kurrë nuk u mor vesh nga cili nënshkruhej.  Një nga njollat e turpshme të PPSH-se qe dhe sot mbas gati 80 vjetesh, nuk ka guximin të tregojë pendesë.

Të vërtetat e kësaj vrasjeje janë në varr por, nuk është bërë asnjë përpjekje edhe për të gjetur autorët e këtij ekzekutimi megjithëse, një vit më vonë, u zhvillua gjyqi i Gjykatës së Lartë.

Ramizeja u akuzua se ishte e dashura e fshehtë e komandantit të Batalionit të Brigadës së V-të, Zaho Koka, e ndërsa ishte zyrtarisht e fejuara e Nako Spirut. Gabim ky i pafalshëm, (dashuritë e fshehta) për “Partinë” dhe Ramize Gjebrea, sipas tyre, meritonte ekzekutimin e pabesë prapa shpine…!

Por pse jo, shkaqet këtij ekzekutimi lidheshin me luftën personale për karrierë, që në ato vite kishte shpërthyer ethshëm.
Me këtë akuzë, pra “imoralitet”, gjykata e Brigadës së Pestë e, dënon Ramizenë me pushkatim.

Ramizea, do të ishte ende gjallë, në qoftë se letra e korrierit, e nisur nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë, do të mbërrinte tri orë më parë në Ramicë të Vlorës, e cila kundërshtonte vendimin e Gjykatës së Brigadës së V-të, për ekzekutimin e saj.

Por ishte tepër vonë, Ramizesë nuk i rikthej më jeta edhe pse e drejta për të jetuar i jepej edhe nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë…!

Ekzekutimi!

Përtej maleve, në Ramicën e vetmuar, në afërsi të Vlorës, vranë pabesisht vajzën 21- vjeçare, partizanen gjirokastrite Ramize Gjebrea. Nga kujtimet e asaj kohe, Mato Hasemataj, ish-partizan në Brigadën e V-të, shkruante në kujtimet e tij, diku në fillim të viteve të demokracisë: “…Atë mëngjes me cikmë marsi, me fjolla resh si të përhime, tek çelte sytha në zall, bajamja e lajthia, Mesaplikut i ndrinte nuri e bardhësia… mos kesh faj që e doje jetën e që s’gëlltite dot gënjeshtrën. Dy sytë e tu që fort e deshën çdo gjë të bukur, të vërtetë. E që s’do mundem t’i harroj, sa të kem frymë edhe jetë”!

Pas ekzekutimit prapa shpine, nga Gjykata e Brigadës së V-të, Gjykata e Lartë, në vitin 1945, kreu një gjyq formal, ku u hetua rreth pafajësisë apo jo, të fajit të saj, por jo për fajtorët e vërtetë të krimit. Ndërkohë që gjyqi u zhvillua me dyer të mbyllura, për publikun, Nako Spiru- i fejuari i saj – e mbështeti figurën e saj gjatë gjithë kohës.

Sipas të dhënave të fundit arkivore, ka qenë Dushan Mugosha (Dusan Mugosa), delegati i Partisë Komuniste Jugosllave (asaj kohe ndihmonte partizanët, në Ramicë të Vlorës) së bashku me anëtarë të tjerë të Gjykatës së Brigadës së V-të Sulmuese, ata, të cilët kanë dhënë urdhrin për ekzekutimin e Ramize Gjebresë.

Kjo e fundit, mësohet nga Nijaz Dizdareviç, konsulenti jugosllav në ndihmë të rinisë shqiptare, gjatë kohës së Luftës, i cili në vitin 1988, boton një libër në gjuhën serbo-kroate, të titulluar “Albanski Dnevnik” (Tipografia “Globus”, në Zagreb të Kroacisë).

“Ramize Gjebrea nuk është vrarë pa dijeninë e Dushan Mugoshës”!

Megjithëse, Ramize Gjebrea u pushkatua, ngelet ende enigmë fakti, sesi arriti ta ekzekutonte Gjykata e Brigadës një anëtare të sajën, kur dihet që urdhrat për ekzekutime, vinin vetëm nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë – thotë Ali Gjebrea, njeriu i afërt i familjes së Ramizesë.

Sipas tij, ky ekzekutim s’kishte të bënte me një histori dashurie por, me eliminimin e personave që nesër, (pas luftës) mund të kishin një të ardhme në pushtet. Po ashtu, Aliu tregon se Nako Spiro, është shprehur se: edhe nëse kjo histori dashurie e saj me Zaho Kokën të ishte e vërtetë, kjo ishte një çështje e tij personale dhe jo e Partisë. Këtë mendim ka ruajtur deri në fund të jetës së tij, duke u shprehur gjithnjë me konsiderata për të fejuarën e tij.

Gjyqi fals…!

Një vit pas vrasjes, zhvillohet gjyqi mbi vrasjen e Ramize Gjebresë, i cili mori në shqyrtim vetëm faktin nëse Ramizeja kishte apo jo marrëdhënie me Zaho Kokën. Në përfundim të këtij hetimi, Gjykata e Lartë me kryetar Frederik Nosin, deklaron të pafajshme Ramize Gjebrenë, duke i dhënë asaj titullin: “Dëshmore e Kombit”.

Me tej kjo gjykatë nuk mori në shqyrtim se cilët ishin autorët e vrasjes as dhe kush urdhëroi ekzekutimin e Ramizesë, por thjesht, historinë e dashurisë së saj me Zaho Kokën, e konsideroi si thashetheme të thurur në emër të pushtetit.

E vërteta e asaj dite krimi, u fundos përfundimisht, atje ku prehen eshtrat e Ramize Gjebresë, pranë monumentit “Nënë Shqipëri”, që nga zhvarrimi i saj nga vendi i pushkatimit në maj të vitit 1945!.

Vajza beratase me gjak Kaçaniku

Ramize Gjebrea lindi në qytetin e Beratit në 20 prill të vitit 1923, në një familje me tradita patriotike. E ëma, Safia ,ishte nga Kaçaniku i Kosovës. Ndërkaq në kohën e Luftës me zgjedhën turke, u njoh me Rustem Gjebrenë, me të cilin shumë shpejt u martua. Ramizeja, që në fëmijëri, u frymëzua nga origjina e familjes së saj, dhe u kthye në një patriote të flaktë për çështjen mbarëshqiptare. Sikur ta imagjinonte fatin e Shqipërisë të pasluftës, ajo i drejtohej Agllai Zotos, – veprimtares së gruas në Bregdet, – në datën 29.08.1943, me fjalët: “…ne jemi për Luftën Nacionalçlirimtare dhe jo për të prurë rusin ose grekun me serbin këtu…”!

Ramizeja, nusja që kaloi shtet-rrethimin

Vajza beratase që arriti të bëjë famë me intelektin e saj, u radhit ndër të parat femra “rebele”, të Institutit Femëror “Nëna Mbretneshë”, në Tiranë. Në vitet 1935-1941, ajo u shqua për një përgatitje shkollore, prirje letrare dhe organizatore, duke u bërë udhëheqësja e demonstratave, veprimtarive antifashiste dhe shpërndarjes së këngëve patriotike.

Karriera si gjimnaziste u mbyll për shkak të bindjeve të saj pro shqiptare, duke u shënuar në histori si femra e parë shqiptare, e cila u vu në krye të demonstratës së 28 tetorit 1941, kur rrëzoi nga kali oficerin fashist të Karabinierisë, i cili tentoi të griste flamurin shqiptar. Vera Malo, ish- shoqe e Institutit Femëror, shprehet për të se: “ajo lexonte shumë, sidomos libra të ndaluar, të cilat kishte dëshirë t’i diskutonte me ne- deri sa një ditë- një thirrje e të rinjve, ra në duart e Këshillit Pedagogjik, dhe e përjashtuan atë, shtatë ditë”.

Për atë dhe shoqet e saj, kishte ardhur koha të hidhej në ilegalitet. Që nga viti 1942, ajo punon në fshehtësi, – arrestohet, dhe për mungesë provash lirohet pas katër ditësh, – duke u lidhur sakaq me Shejnaze Jukën në Shkodër, (ndodhet një artikull i shkruar nga Taras Begeja, në Muzeun Historik Kombëtar) dhe në mars të po atij viti, bashkëpunon me Qemal Stafën, në qarkun e Gjirokastrës.

Rikthehet në Tiranë në vitin 1943, ku caktohet përgjegjëse e rinisë së Beratit dhe mbledh sakaq Konferencën e Rinisë të Shqipërisë, në Zaloshnje (Skrapar). Së bashku me Mihal Durin dhe Misto Mamen, ajo organizon rrëmbimin e shtypshkronjës “Gutenberg”, si dhe atë të kalimit të postbllokut armik, e maskuar si nuse. Punon në Elbasan, Sulovë, Mallakastër, Lubonjë, Treblovë, Kuç dhe së fundi në Ramicë të Vlorës.

Kujtime, vetëm kujtime…fajtorët…?!

Veterani i Brigadës së V-të Sulmuese, Andon Cane Xhaka nga Vlora, tregon se pas plumbit të parë që nuk e zuri, Ramizeja e habitur kishte thënë: “Uaaa, ç’ndodhi kështu?”. Por i paramenduar dhe kriminal, ky pushkatim u krye. Janë bërë shumë komente për këtë akt dhe për fajtorët e vërtetë…! E vërteta është se Ramizeja, u bë viktimë e injorancës dhe inkuizicionit komunist.

Shkrimtari Shefqet Musaraj, në Revistën “Shqiptarja e Re” (Nr.11, viti 1973), midis të tjerash, shkruante: “…Nga gratë që kanë dhënë një kontribut shumë të çmuar gjatë Luftës, ka qenë Ramize Gjebrea…”!

Liri Belishova, rikujtonte edhe njëherë dy momente të cilat i kanë mbetur në memorie: “I pari, kur kemi kënduar në kor në Institut këngën, ‘Mjaft në robëri, Kosovë e Çamëri…’, dhe së dyti, aksioni i rrëmbimit të shtypshkronjës “Gutenberg”, ku diktatori Enver Hoxha, nuk e përmendi fare emrin e saj”. Liria tregon më pas për Ramizenë e bukur dhe të zgjuar, dhe pse ishte e tillë, atë e zgjodhi për të fejuar Nako Spiru.

“Të vdekurit jetojnë me ne, ata vetëm fizikisht nuk janë me ne”, – kujton Liria, thënien e Viktor Hygo, duke shtuar se: “Kjo është shumë e vërtetë, pasi atë e kemi ndier vazhdimisht pranë…ashtu siç foli në 20 janar 1944, në themelimin e Brigadës së V-të Sulmuese, para më shumë se 3000 partizanëve, në luginën e Bramyshnjes, duke u shprehur: ‘…hakmarrje për çdo pëllëmbë tokë të shkelur nga armiku, hakmarrje për gjakun e shokëve! Armiku do ta paguajë çdo pikë gjaku me një kokë ushtari…”, pati thënë ajo ato ditë dimri…!

Veterani i Brigadës së V-të, Lefter Kasneci

“E kam njohur Ramizenë në dhjetor të ’41-it, atëherë kur punonte ilegalisht. Ishte vajzë e zgjuar. Zotëronte shkëlqyeshëm italishten, frëngjishten dhe turqishten (të cilën ia kishte mësuar e ëma). Ishte interesante, ashtu siç kishte pseudonimin, ashtu siç u pa gjatë fjalimit të saj para Brigadës, me 3000 partizanë”.

Requiem

Një gjë me sa duket ka ngjallur xhelozi dhe armiqësi kundra Ramizesë. Sipas fakteve, ajo ishte me bindje anti-jugosllave, ç’ka bëri që ajo të mos pajtohej me prishjen e ‘Marrëveshjes së Mukjes’ nga Enver Hoxha – duke thënë se (gusht 1943): “Tani do të fillojë një vëllavrasje e madhe, midis Shqiptarëve, dhe Jugosllavëve do t’ju bëhet qejfi…”!

Kështu është shprehur Ramizeja pas Konferencës së Mukjes duke thënë haptazi mospajtimin e saj ndaj rrjedhës së mëtejshme së çështjes së Kosovës.

Akuza e njollosjes së moralit të saj, nuk ishte e vërtetë, ç’ka u hodh poshtë edhe nga seanca gjyqësore e Gjykatës së Lartë, në 1945. Sipas veteranit, Xhaka, “inkuizitorët komunistë, u penduan që e vranë, pasi disa orë pas pushkatimit, kishte ardhur urdhri i anullimit, por ishte tepër vonë…”!

Ramize Gjebrea, nuk ishte dakord me trajtimin që i bënte Partia Komuniste Shqiptare dhe udhëheqja e saj pro-sllave, çështjes së Kosovës- historinë dhe tragjedinë e copëtimit të saj, të cilën ajo e njihte mjaft mirë, – pasi ishte mbesë nga Kaçaniku i Kosovës.

Ndoshta fati nuk ka qenë me të!. Akuzat shumëllojëshe, të hedhura ndaj saj, që çuan më pas në pushkatimin, nuk patën të njëjtin fat edhe për Zaho Kokën.

Ai u shpall “Hero i Popullit”, duke rënë në betejë kundra gjermanëve në Vuno të Himarës, në 08.06.1944.

Ndërsa i fejuari i Ramize Gjebresë, Nako Spiru, vite më vonë, pas ekzekutimit të saj, u martua me Liri Belishovën. Ai u konsiderua si agjent i komploteve nga emisarët e Titos në Shqipëri, në prag të Plenumit II, të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Shqiptare, në Berat”.

Vrau veten në 1947.

Flitet se disa nga filmat e ish-Kinostudios “Shqipëria e Re”, siç janë “Nusja dhe shtetrrethimi” dhe “Vajzat me kordele të kuqe”, subjektin e skenarit të tyre e kanë marrë nga veprimtaria e Ramize Gjebresë. Memorie.al

(Shënim: Dokumentet u shfrytëzuan nga arkivat personale të fisit Gjebrea. Dorëshkrime origjinale, komente, intervista, botime, dekorata dhe fotografi).

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/kur-mbi-trupin-e-saj-rane-bresherite-e-para-te-skuadres-se-pushkatimit-ramize-ggjebera-tha-deshmite-e-panjohura-per-ekzekutimin-e-partizanes-te-akuzuar-per-dashuri-te/