“Kur kthehesha në shtëpi nga estrada e qytetit, ku isha profesioniste, ai djali që më priste të rrugica, ishte gati të ulej dhe…”/ Dëshmia e rrallë këngëtares së adhuruar korçare

Nga Vepror Hasani

Memorie.al / Ndodh që mbrëmjeve aty mbi qytetin e Korçës ku gjendet një burim që mban emrin “Çezma e Shetros”, shumë pranë me klubin e dikurshëm të quajtur “Panda”, emër që e ruan edhe sot e kësaj dite, të dëgjohet një këngë që të sjell pranë shumë mall dhe të shtie në mendime:

“Sa lotka kam derdhur unë për ty,
sa shumë të kam dashur,
më mirë me ty dhe fukara,
se sa pa ty dhe i pasur…”.

Nuk dihet se kush e këndon. Ngjan me një zë të largët të kënduar dikur. Ai që e këndoi këtë këngë për herë të parë ndoshta nuk është më, por zëri çuditërisht ka mbetur aty si një brengë. Po t’i vësh veshin, mund ta dëgjosh këngën deri në fund:

“U mblodhëm një natë me shoqëri,
dolli për ty më dhanë,
e piva shishen pa mbarim,
lotkat përdhe më ranë…”.

Ndoshta bëhet fjalë për një djalë të dashuruar, që loton dhe kthen shishen pa mbarim, kërkon t’i thotë diçka vajzës që do dhe nuk mundet. E kërkon vazhdimisht dhe nuk e gjen:

“Rrugës tënde kur kaloj,
shikoj portën mbyllur,
u ula putha pragun me mall
sikur të putha ty…”.

Aty, diku te çezma e Shetros apo te “Panda” do të lindnin shumë histori, aty do të merrte udhë edhe jeta artistike e këngëtares së mirënjohur të qytetit të Korçës, Spanja Pipa

Fillimet e karrierës…

“Te “Panda” kam kënduar edhe unë që kur isha fare fëmijë, – nis të na tregojë këngëtarja Spanja Pipa, – por që nga ajo ditë do të rridhnin shumë ujëra. Kishin kaluar vite dhe unë isha bërë këngëtare profesioniste e Estradës së qytetit të Korçës. Tashmë isha e njohur në gjithë qytetin. Isha e para vajzë që u ngjita në skenë për të kënduar. Mëngjeseve, rrugën nga shtëpia te Estrada, e bëja mes përshëndetjeve të njerëzve.

Pse ta fsheh, diku më priste një djalë për të më thënë “mirëmëngjes Spanja”!, diku kapja një vështrim të ndrojtur, diku një varg kënge që unë e kisha kënduar një natë më parë në shfaqjet e Estradës… por atëherë kjo ishte më e shumta që mund të bënte një djalë për të shprehur dashurinë e tij. Ishte gati të puthte pragun e portës, pa mundur të të thoshte asgjë tjetër më shumë.

Vajzave u duhej të ecnin me kokën ulur përgjatë gjithë rrugës, sikur nuk vinin re asgjë se çfarë ndodhte. Megjithatë, ndihesha tejet e lumturuar. Ndoshta edhe unë kam qenë po kaq e ndrojtur. Kur shkoja te Radio-Korça për të kënduar, djemtë i gjeja duke dëgjuar këngën time, pranë altoparlantit që ishte vendosur diku aty përballë “Valbonës”.

I shikoja që larg dhe stepesha. Bëja sikur nuk i kisha parë dhe ndërroja rrugën për të hyrë te radioja nga ana tjetër. Ende nuk kisha vendosur për princin tim të kaltër. Kishte raste kur nisja ta përfytyroja si do të ishte ai, por ende ishte shumë shpejt për të vendosur. Kënga do të më rrëmbente të gjithën.

Plakat

Megjithatë për plakat e qytetit kjo nuk ishte gjë tjetër veçse një marrëzi. Ato rrinin te sofatet e portave dhe më vështronin gjithë çudi. “Si është e mundur të këndojë një çupë në mes të burrave”?! Më ndiqnin me vështrimet e tyre deri sa u humbisja nga sytë. Ishin kureshtare të dinin me kë shkoja në punë, kush më përshëndeste, donin të dinin gjithçka. Për to unë isha si një botë tjetër e panjohur.

“Thonë që këndon këngë dashurie me puthje dhe përqafime”, i tregonin njëra-tjetrës gratë e moshuara. Kur m’i tregonin të gjitha këto, më vinte për të qeshur. Diku kisha dëgjuar se portat me sofat ishin shpikur për thashetheme. Ishte një mënyrë për të përcjellë nga njëra portë te tjetra lajmet e ditës.

Të hyje në gojën e plakave nuk ishte e lehtë, por kënga kishte nisur të më tërhiqte pas vetes si një magji nga e cila nuk do të shkëputesha dot kurrë, as sot e kësaj dite. Nuk ka shumë kohë që përfundova një sidi me këngët e mia më të bukura. Do të vazhdoj të këndoj deri ditën e fundit të jetës time. Më pëlqen edhe kënga e Sofatit

“Panda”

Në të vërtetë gjithçka filloi aty te lokali “Panda”. Babai, Dhori, më merrte për dore dhe më çonte atje, sepse aty vinin të gjithë ata që këndonin serenata. Shpesh mblidheshin edhe mbi çezmën e Shetros. Ne shkonim si familje, nuk mungonte as nëna, as vëllezërit, Kostandini dhe Petraqi, as motrat, Lirika dhe Luiza. Këndonim që të gjithë. Babai dinte të luante edhe në fyell, këndonte edhe me korin “Lyra”. Po kaq bukur dinin të këndonin edhe vëllezërit dhe motrat e mia.

Isha mjaft e vogël atëherë, kur babai më thoshte: “Tani do të këndosh ti “Spanja”! Nuk prisja të më thoshin dy herë. Nisja të këndoja. Të gjitha këngët e serenatës flisnin për dashurinë. Ata që ishin rreth nesh, qëndronin të heshtur dhe më dëgjonin me kërshëri. Babai thoshte: “Spanja do të bëhet këngëtare”! Fjalët e babait filluan ta nxitnin këtë ëndërr edhe në shpirtin tim, por si do të ndodhte kjo, nuk dija asgjë. Pas meje këndonin të tjerë:

“Dashurova sytë e bukur,
sytë e djallëzisë,
më harrove.
më shkatërove moj,
ma humbe rininë.

Dhe ti vetëm qaje
s’pranoje të qeshje,
dhe më thërrisje si e marrë moj,
hajde-hajde…”!

Çuditesha pse njerëzit këndonin kaq shumë për dhimbje dhe lot, për zhgënjime dhe humbje, por nuk isha aq e rritur sa t’i kuptoja. Por edhe pse shumë këngë ishin të tilla, mua më dukeshin të gjitha të bukura.

Ishte e shkruar…

Që unë do të bëhesha këngëtare, duket se kishte qenë e shkruar. Në vitin 1956, fillova punë te Artizanati. Pavllo Sholla, mik i familjes tonë, i cili ishte drejtor i grupit artistik të ndërmarrjes, e dinte që unë këndoja dhe më mori në grupin artistik, bashkë me motrën time Lirikën. Për herë të parë u ngjitëm në skenë dhe kënduam një duet.

Nuk kam për ta harruar atë ditë. Dridhesha e gjitha nga turpi dhe emocionet. Ashtu si unë edhe motra ishim në ankth. Salla ishte e mbushur plot. Vështrimet e njerëzve ishin ngulur mbi ne të dyja. Kishte qenë një tmerr i vërtetë. Nuk ishte njëlloj si të këndoje në shtëpi apo të “Panda”. Pas përfundimit të këngës u dëgjuan duartrokitje.

Ishte një çast që për mua mbeti i paharrueshëm. Me t’u kthyer në shtëpi u thashë prindërve se isha bërë këngëtare. Kuptova se ata do ta mbështesnin ëndrrën time. Në ditët që do të vinin grupi ynë artistik, do të jepte koncerte në të gjitha ndërmarrjet e rrethit.

Pata frikë se nëna mund të më pengonte, por ajo tha, dua të bëhesh një këngëtare e zonja dhe e nderuar. Me këto fjalë i kishte thënë të gjitha çfarë kërkonte nga mua. E kuptova, ajo druhej se mos më përgojonin kur të dilja në skenë për të kënduar. Atë çast e përqafova nënë time me shumë dashuri. Po nënë, iu përgjigja, do të jem një këngëtare siç të pëlqen ty.

“Kinezka”…

Të nesërmen mora vesh se edhe Pavllo Sholla, kishte mbetur i kënaqur nga interpretimi im. Ishte kjo arsyeja që më dha të këndoja një këngë kineze. Mbeta e habitur kur ma tha këtë gjë. Nuk isha e sigurt nëse do t’i mësoja dot fjalët, melodia ishte krejtësisht e panjohur për mua, por Pavlloja ishte i bindur që mund ta këndoja.

Më veshën me rroba kineze, madje më shndërruan në një kinezkë të vërtetë. Mbaj mend që arrita t’ia dal mbanë. Pata sukses. Njerëzit më dëgjonin gjithë kureshtje dhe habi. Adhuruesit e mi patën rastin të më thërrisnin “kinezka”. Megjithatë dua të them se ishte kohë tjetër atëherë. Vlerësimi ishte i madh. Ishin gjëra që ndodhnin për herë të parë.

Më vështronin sikur të isha Perëndi. Karriera ime kishte nisur të ecte me shpejtësi. Në vitin 1960 fillova punë si këngëtare profesioniste në Estradën e Korçës. Për ata që më prisnin te pragu i portës, u duka sikur isha bërë edhe me e largët, por përsëri dëgjoja të këndoheshin këngët:

“Sa lotka kam derdhur unë për ty,
sa shumë të kam dashur,
më mirë me ty dhe fukara,
se sa pa ty dhe i pasur…”.

Gratë e sofateve vazhdonin të thoshin se bota kishte filluar të prishej, se djemtë dhe çupat po luanin nga fiqiri. Por jeta ime tashmë ishte shndërruar në këngë. Nisa të merrja pjesë edhe në teatër, vallëzoja, më jepnin role, këndoja këngë, interpretoja parodi me aktorin Aleko Prodani.

Te “Karnavalet e Korçës” me regji të Sokrat Mios, luajta rolin e Nastës, kurse te “Sekreti M…M”, me regji të Aleko Prodanit, pata një monolog të “Zenepe Salepit”. Mora pjesë edhe te drama e Namik Dokles, “Era e lartësive”. Punova gjithashtu edhe me regjisorët Aleko Skali, Dhimitër Orgocka, Petraq Marjani, Raqi Çili dhe Piro Manin, i cili te “Nata e Dymbëdhjetë”, më dha rolin e Maries.

Mbaj mend që Maria thoshte: “Muzika është buka e dashurisë”. Ishte një thënie që mua më pëlqente shumë. Nuk besoj se ka njeri në botë që të mos dashurohet pas muzikës. Dashurinë e njerëzve, kisha filluar ta ndjeja çdo çast, por ende mendoja shumë pak për princin tim të kaltër. Memorie.al

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/kur-kthehesha-ne-shtepi-nga-estrada-e-qytetit-ku-isha-profesioniste-ai-djali-qe-me-priste-te-rrugica-ishte-gati-te-ulej-dhe-deshmia-e-rralle-kengetares-se-adhuruar-korcare/