“Kur Kadri Hazbiu e pyeti shoferin e tij, që ishte dëshmitar në gjyq, nëse kishte zbritur apo jo nga makina afër vilës së Mehmetit, ai i’u përgjigj…/ Fjala e Ramiz Alisë në Presidium, në ’83-in

Dashnor Kaloçi

Pjesa e gjashtë

Memorie.al publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish – Presidiumit të Kuvendit Popullor të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë), të cilat i përkasin vitit 1983 dhe janë pjesë e një dosje me siglën “Tepër Sekret”, ku ndodhet e gjithë korrespodenca ndërmjet Gjykatës së Lartë të Republikës Popullore të Shqipërisë, Presidiumit të Kuvendit Popullor, Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Komitetit Qendror të PPSh-së, lidhur me materialet në ngarkim të katër ish-funksionarëve të lartë të udhëheqjes dhe qeverisë shqiptare, si: Kadri Hazbiu, anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSH-së, Ministër i Punëve të Brendshme dhe Ministër i Mbrojtjes Popullore, Llambi Ziçishti, ministër i Shëndetësisë, Feçor Shehu, zv/ministër dhe ministër i Punëve të Brendshme, si dhe Llambi Peçinit, drejtor i Drejtorisë së Ruajtjes Fizike dhe Sigurisë së udhëheqjes së lartë të PPSH-së, të cilët që në vitin 1982, ishin arrestuar si “armiq të popullit” dhe mbaheshin në hetuesinë e Tiranë pranë ‘Repartit 313’, me akuzën: “bashkëpunëtorë të poli-agjentit Mehmet Shehu”. Në dosjen në fjalë, përveç akt-akuzës së Gjykatës së Lartë të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, (të kryesuar nga Aranit Çela), e cila i dënoi me vdekje Kadri Hazbiun, Llambi Peçinin, Feçor Shehun dhe Mihallaq Ziçishtin, ndodhen edhe dhe dokumenti me proces-verbalin e mbledhjes së Presidiumit të Kuvendit Popullor të kryesuar nga Ramiz Alia, (ku merrnin pjesë: Rita Marko, Xhafer Spahiu, Mine Guri, Sihat Tozaj, Eleni Selenica, Elmaz Puto, Faik Çinaj, Ibrahim Gjevori, Nik Shyti, Petrit Gaçe, Rrahman Hanku, Simon Ballabani, Stefan Qirjako, si dhe të ftuar kryetari i Gjykatës së Lartë, Aranit Çela dhe Prokurori i Përgjithshëm i Republikës, Rrapi Mino), ku kanë diskutuar pjesa më e madhe e anëtarëve të tij, duke marrë në shqyrtim kërkesat që katër të pandehurit, i kishin dërguar atij forumi të lartë, për faljen e jetës.

                                                      Vijon nga numri i kaluar

Dokumenti ‘Tepër Sekret’ me proces-verbalin e mbledhjes së  Presidiumit të Kuvendit Popullor të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, lidhur me kërkesat e bëra nga ana e Kadri Hazbiut, Llambi Ziçishtit, Feçor Shehut e Llambi Peçinit, për faljen e jetës…!

                                                                                                           Tepër Sekret

                                                              Proces-verbal

I mbajtur në mbledhjen e Presidiumit të Kuvendit Popullor, ditën e Premte, në orën 9.00

Në mbledhje merrnin pjesë shokët: Ramiz Alia (Kryetar), Rita Marko, Xhafer Spahiu, Mine Guri, (Nënkryetarë), Sihat Tozaj (Sekretar), Eleni Selenica, Elmaz Puto, Faik Çinaj, Ibrahim Gjevori, Nik Shyti, Petrit Gaçe, Rrahman Hanku, Simon Ballabani, Stefan Qirjako, (Antarë). Mungon për arsye shëndetësore shoqja Lumturi Rexha (Antare). Janë ftuar të marrin pjesë shokët Aranit Cela (Kryetar i Gjykatës së Lartë), dhe Rrapi Mino (Prokuror i Përgjithshëm).

SHOKU RAMIZ ALIA: Erdhi një ekip mjekësh kinezë, gjoja për të kuruar shokun Enver. Ata, rekomanduan një terapi e cila po të ishte zbatuar, do të kishte qenë tepër e rrezikshme për shëndetin e shokut Enver Hoxha.

Por ndërhyrja në kohë e mjekëve tanë, nuk lejoi përdorimin e kësaj terapie. Mjekët tanë, e refuzuan plotësisht terapinë e mjekëve kinezë, dhe e morën në dorë vetë situatën.

Një nga mjekët kinezë, pësoi një krizë nervore dhe iku nga Shqipëria. Siç duket, pati një remors në ndërgjegjen e tij. Por kjo, nuk ka shumë rëndësi. Çështja është se në vitet 1971-1974, shohim një intensifikim të agjenturave të ndryshme.

Është pikërisht kjo kohë kur Mehmet Shehut, i japin radion në Paris dhe i thonë “U plake, ç’po bën?! Erdhi koha për të vepruar”.

Dhe ata, i japin atij jo vetëm versionet se si duhet të bëhet atentati kundër Enver Hoxhës, por edhe rrugët se si duhet bërë ky atentat. Ose me helmin me veprim të vonuar, ose me armë zjarri, ose me aksident automobilistik.

Pra duket që kemi këtë periudhë të nxehtë që agjenturat amerikane dhe jugosllave, siç duket e gjykuan të nevojshëm momentin e përshtatshëm për të realizuar goditjen ndaj Shqipërisë socialiste. Mirëpo ç’ndodhi?! Ndodhi ajo që ka ndodhur gjithnjë, e do të ndodhë gjithnjë, që as Partia e as Populli, nuk e hëngri këtë gjë.

Përkundrazi, u demaskuan grupi i Fadil Paçramit e Todi Lubonjës, demaskoi grupin e Beqir Ballukut dhe të bandës së tij, demaskoi dhe grupin e Abdyl Këllezit. Por Mehmet Shehu, së bashku me shokët e tij, sërish mblodhën këmbët.

Në bazë të dokumenteve të gjyqit, na rezulton se Mehmet Shehu ka qenë në dijeni të plotë për të gjithë këtë veprimtari. Dhe jo vetëm kaq por në të njëjtën kohë ai, i ka inkurajuar si njërin grup ashtu edhe tjetrin, veçse me t’u zbuluar këto grupe, Mehmet Shehu tërhiqej menjëherë.

Dhe jo vetëm kaq por ai, dilte me flamurin e Partisë, gjoja për demaskimin e tyre. Kështu bëri me grupin e Fadil Paçramit, kështu bëri me grupin e Beqir Ballukut ku ai, këtu veç mbrojti Petrit Dumen dhe Hito Çakon. Ndërsa kur u zbuluan dhe këta të dy, edhe këtyre ju dha duart.

Kështu veproi dhe me grupin e Abdyl Këllezit. Por nga këto grupe armiqsh nëpërmjet hetuesisë, nuk doli asgjë më tepër nga ç’tha Komiteti Qendror i Partisë pasi, materiali përpunohej nga Kadri Hazbiu dhe Feçor Shehu.

SHOKU ARANIT ÇELA: Edhe tezat e zeza, ishin tezat e Mehmet Shehut.

SHOKU RAMIZ ALIA: Po ajo tani, vërtetohet plotësisht madje ato u gjendën të shkruara. Këto teza, ishin plotësisht të aprovuara dhe ishin hartuar nën udhëzimet dhe drejtimin e Mehmet Shehut. Këtë gjë, e pohuan dhe Nesti Nase me Kadri Hazbiun.

SHOKU ARANIT ÇELA: Madje Kadriu, tha se ka dhënë urdhër që të spostohet procesi, sepse tezat ishin të tyret.

SHOKU RAMIZ ALIA: Pra, është një periudhë kohe intensive kundër Partisë, por megjithatë grupet armiqësore përsëri dështuan njëri pas tjetrit. Kështu kjo periudhë e viteve 1971-1975, kaloi me tërë këto peripecira. Pas kësaj periudhe siç dihet ngjarjet përsëri morën rrjedhën e tyre. Vijojnë ngjarjet e fundit në Kosovë, që detyruan agjenturën jugosllave të veprojë me intensitet. Pse?!

Sepse ajo, gjendej përpara një rreziku të madh, në atë të shpërbërjes së Federatës Jugosllave. Tani, po u digjej shtëpia e tyre. Përpara këtij rreziku të madh ata, kërkuan që të hedhin në aktivitet të plotë agjentin e tyre kryesor, Mehmet Shehun. Ndërsa mbajtën rezervë Kadri Hazbiun, që ishte njeriu tjetër më aktiv në këtë bandë. Përse e mbajtën rezervë Kadri Hazbiun ata?!

Ata, e mbajtën Kadri Hazbiun rezervë pasi i dhanë urdhër Mehmet Shehut që të vepronte, për t’i bërë atentat Enver Hoxhës. Shkuan deri atje sa në datën 16 Dhjetor të vitit 1981, Feçor Shehu, siç del nga të gjitha dokumentet e administruara në gjyq, shkoi tek Mehmet Shehu dhe i dha ultimatumin e jugosllavëve, që ai në mbledhje duhet të vriste medoemos Enver Hoxhën, qoftë duke u vrarë dhe ai vetë.

Çdo të thotë: “qoftë duke u vrarë dhe ai vetë”?! Do të thotë që jugosllavët kishin vendosur se dhe ky do të likuidohej, sepse nuk po jua bënte dot më punën.

Se ata do të humbitnin Mehmet Shehun, kjo gjë nuk ju prishte fare punë pasi ata, kishin rezervën tjetër, kishin Kadri Hazbiun që rrinte në hije. Dhe në fakt, Fiqrete Shehu, e tha në gjyq që: duke filluar nga shtatori kur u demaskua fejesa e djalit të Mehmet Shehut, Kadri Hazbiu, krijoi distancë nga Mehmet Shehu, i cili siç pohon Fiqretja, i ka thënë kësaj: “Ah Juda, kërkon që të ma hedhë dhe mua tani”.

Domethënë pozita e Kadri Hazbiut, ishte pozitë e diktuar. Duket se jugosllavët i dërguan Kadri Hazbiut leje, që Mehmet Shehu të lihej prej tij të vepronte. Ndërsa ai, të priste që po të likuidohej Mehmet Shehu, të vepronte Kadri Hazbiu. Dhe po të shikojmë qëndrimin që ka mbajtur në atë kohë Kadri Hazbiu, siç e pohojnë dhe shokët ai, u tregua i zjarrtë kundër veprimit të fejesës së djalit të Mehmet Shehut, dhe këtë ai e bëri pasi donte që të forconte pozitat e tij sipas udhëzimit që kishte marrë.

Por Partia, e trajtoi problemin e fejesës së djalit të Mehmet Shehut, me shumë kujdes e ngjarjet, u zhvilluan ashtu siç u zhvilluan. Në gjyq u vërtetua plotësisht nga dëshmitarët e shumtë, madje dhe nga dëshmitarët që kërkoi vetë Kadri Hazbiu se, natën e 17 dhjetorit të vitit 1981, natën që Mehmet Shehu vrau veten, në shtëpinë e tij ka shkuar Kadri Hazbiu.

Këtë gjë, ja vërtetuan me shumë fakte pavarësisht se Kadri Hazbiu kishte ndërtuar një alibi e cila konsistonte në atë që Kadriu atë natë, kishte qenë në një darkë. Pra atë natë pas mbledhjes së Byrosë Politike, sipas Kadri Hazbiut, ky i fundit, nuk kishte se si të ketë qenë tek shtëpia e Mehmet Shehut. Për të vërtetuar alibinë e tij ai, kërkojë që të vinte për të dëshmuar të zotin e darkës, një oficer.

Madje ai, kërkoi gjithashtu dhe shoferin e tij që ky, të thoshte se nuk e ka çuar tek shtëpia e Mehmet Shehut. Në gjyq, u dëgjuan dhe 5-6 dëshmitarë të tjerë që ishin pjesëtarë të darkës, përveç Ali Çenos, oficerit të Mehmet Shehut, dhe Fiqretes që dëshmuan se atë natë Kadri Hazbiu, ka shkuar tek Mehmet Shehu.

Këtë gjë, e pohojnë dhe vetë oficerët e Gardës të cilët, e kanë parë që Kadri Hazbiu, ka shkuar tek Mehmet Shehu. Pra në këtë mënyrë, u pyetën dhe vetë dëshmitarët që kërkoi Kadri Hazbiu. Shoferi i vetë, deklaroi se e ka marrë atë me makinë nga Komiteti Qendror i Partisë rreth orës 20 e 10 minuta, kur mbaroi mbledhja e Byrosë Politike, dhe më pas e ka çuar në zyrë.

Prej andej ai, e ka dërguar shoferin që të marri duhan në shtëpi. Mbasi ai i solli duhanin, Kadri Hazbiu i ka thënë që ta priste se do të dilte. Doli nga zyra, hyri në makinë, dhe e urdhëroi atë që të shkonin nga bulevardi. Dhe kur arritën tek ura e Lanës, i tha që të kthehej djathtas.

Shoferi, është kthyer dhe e ka çuar atë, deri afër shtëpisë së shokut Rita Marko. Aty shoferi, ka ndaluar. Kadriu ka dalë nga makina, po se ku ka shkuar ai, shoferi këtë gjë, nuk e dinte. Mbas 20 minutash apo gjysëm ore, vazhdon shoferi, Kadri Hazbiu është kthyer. Këtij dëshmitari Kadri Hazbiu, ndërmjet të tjerash i bëri këtë pyetje: “E mban mënd kam zbritur apo nuk kam zbritur unë nga makina”?!

Dhe dëshmitari ju përgjigj: “Përse të çova unë aty që, ti të rrije në makinë?! Ti zbrite, po se ku ke shkuar unë, nuk di gjë”. Në këtë kohë, ndërhyri Ali Çeno i cili tha: “E di unë se ku ke shkuar. Tek dera e shtëpisë së Mehmet Shehut të prita unë”. U dëgjua si dëshmitar dhe i zoti i shtëpisë, ku zhvillohej darka.

Kur e pyeti shoku Aranit, se kur kishte shkuar Kadri Hazbiu për darkë tek shtëpia e tij, ai ju përgjigj: “Unë, e kisha ftuar Kadri Hazbiun se kisha festën time, 35 vjetorin. E prisja që ai të vinte. Kur më marrin në telefon e më thonë se Kadriu do të vonohet prandaj, ja lini karrigen bosh.

Ne, filluam të hamë e të pimë. Kur më lajmëruan se po vjen Kadri Hazbiu, dola poshtë dhe e prita. Orën se kur ka ardhur ai, nuk e mbaj mënd me saktësi, por duhet të ketë qenë pas orës 21.30 ose 22.00”.

Kadri Hazbiu, e pyeti: “Ti the se kishe pirë, si e mbake mënd orën”?! Dhe dëshmitari, i tha: “Fakti që kisha pirë, do të thotë se ti ke ardhur vonë. Përveç kësaj, unë pas asaj nate kam ndenjur dy javë në spital, pasi u ftoha kur zbrita për të të pritur. Mbasi kisha djersirë ngaqë kisha pirë. Pra ti, ke ardhur shumë vonë”.

Me një fjalë, nga të gjithë dëshmitarët, vërtetohet plotësisht që Kadri Hazbiu atë natë, pas mbledhjes së Byrosë Politike, ka shkuar tek shtëpia e Mehmet Shehut. Nga ky fakt del pyetja: Po përse ka shkuar Kadri Hazbiu tek Mehmet Shehu?! Me siguri që Kadri Hazbiu, është frikësuar në mbledhjen e Byrosë Politike pasi e pa që Mehmet Shehu i humbi të tëra pikët.

Kadri Hazbiu, duke pasur frikë se mos vallë Mehmet Shehu do e denonconte, ose ngaqë mund që më vonë ta detyronin që të denonconte. Kështu pastaj, do të dilte tërë veprimtaria e tyre sheshit. Kadri Hazbiu, u tremb pasi e pa që në mbledhjen e Byrosë Politike, Mehmet Shehu u bë si pulë dhe nuk ishte më Mehmet Shehu i mëparshëm.

Shokët e Byrosë flisnin e ai, mbante shënime duke mbushur 20-30 fletë të mëdha. Dhe Kadriu, ka shumë probabilitet, se këtë gjë nuk e dimë se çfarë kanë biseduar midis tyre, ta ketë frikësuar Mehmet Shehun. Dimë që ai ka shkuar tek Mehmeti, dimë dhe që është futur brenda në dhomë tek Mehmeti. Fiqretja, dëshmoi se Kadriun e futi brenda, dhe vetë ajo ndenji jashtë.

Ali Çeno, deponoi se kur Kadriu doli jashtë zyrës së Mehmetit, ai kishte me vete një dosje. Se çfarë ka pasur brënda dosja ne këtë nuk e dimë, dhe nuk e zbulojmë dot, pasi nuk po e gjejmë atë. Po çfarë ka biseduar Mehmeti me Kadriun?! Fiqretja, tregon se çfarë i ka thënë Mehmeti më pas.

SHOKU ARANIT ÇELA: Fiqretja thotë se më tha Mehmeti që sovjetikët e aprovuan atë të jugosllavëve.

SHOKU RAMIZ ALIA: Pra siç thamë, ka shumë propabilitet që Kadriu ta ketë frikësuar Mehmetin. Pse?! Sepse tërë problemi është, tek fjala e shokut Enver: “Alibi”. Shoku Enver në fund të mbledhjes së Byrosë Politike, i tha Mehmetit: “Tani ti shko në shtëpi, se edhe ne do shkojmë.

Neve, nuk do të na zërë gjumi, po dhe ty akoma më pak do të të zërë gjumi. Mendohu dhe reflekto, për të tëra këto që të thanë shokët dhe nesër të na flasësh pasi ajo alibi që ke, ajo alibi ku je përmbajtur, nuk qëndron”.

Fjala “alibi” i dogji atij. Por kjo fjalë, i ka djegur dhe Kadri Hazbiut. Kur ky ka shkuar tek Mehmeti, siç duket do ta ketë frikësuar atë: “Shiko Mehmet Shehu se këta, dinë gjëra të tjera, se unë gjatë këtyre kohëve, kam pasur kontakte shumë të ngushta me shokët, veçanërisht me shokun Enver”.

Dhe kjo dihej. Siç e thashë Kadriu, mbas fejesës që bëri djali i Mehmet Shehut, e mbas atyre që ndodhën, e tregoi veten të zjarrtë dhe mbajti distancë me Mehmetin. Pra ai, mundet t’i ketë thënë Mehmetit që: unë di ca gjëra, duke i bërë aluzion që: “Ti nesër kur të vish atje, do të futesh brenda”. Në mos i ka thënë se: “Jam unë i ngarkuar me këtë punë”.

Domethënë i ka thënë gjithçka, me qëllim që ta shtynte deri në vetëvrasje. Kadri Hazbiut, nuk i interesonte më Mehmet Shehu. Dhe për agjenturën jugosllave Mehmet Shehu, mbaroi pasi ajo i kërkoi që të kryente aktin e atentatit, duke u vrarë dhe ai vetë.

Pra si agjenturë, Mehmet Shehu u likuidua. Por ekzistenca e tij, bëhej më e rrezikshme për Kadriun, i cili donte ta vazhdonte vetë këtë rrugë armiqësore. Memorie.al

                                                                  Vijon numrin e ardhshëm

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/87587/