“Kur Jorgo më propozoi të arratiseshim, jo vetëm nuk ja aprovova, por e këshillova të hiqte dorë nga ajo aventurë e rrezikshme, por kur ai iku, policia erdhi te shtëpia ime…”/ Kujtimet e vëllait të Drita Pelinkut

Nga Reshat Kripa 

Pjesa e pesëmbëdhjetë

Memorie.al / “Nganjëherë, kur fëmijës i bien në kokë sprova të rënda që në moshën më të njomë në skutat e fshehta të shpirtit të tij, lind një farë peshoreje, një peshore e llahtarshme, me të cilën ai peshon punët e kësaj bote. Duke e ndier veten të pafajshëm, ai iu nënshtrua fatit pa bërë zë. Nuk u qa aspak. Ai që s’ka përse të qortohet, nuk qorton të tjerët”!

 (Viktor Hygo, “Njeriu që qesh“)

                                                                RINI E COPËTUAR          

                                                   Kushtuar familjes dhe shoqërisë,

                                                                         Autori

                                                          Vijon nga numri i kaluar

JORGUA

Në verën e vitit 1957, Jorgua u lirua nga ushtria. E kishte kryer në repartin e punës. Vura re një ndryshim në karakterin e tij. Ai djali i qeshur që këndonte aq bukur këngët labe, ishte kthyer në një njeri të heshtur. Pothuajse nuk të bënte muhabet fare. Përgjigjej vetëm kur e pyesje. Herë-herë shkëputej nga bota që e rrethonte dhe zhytej në vetminë e tij.

Kjo gjendje më shqetësoi. Ai që bisedonte me mua plot pasion për probleme të ndryshme, tashti ishte kthyer në një njeri pasiv. Diçka duhej të kishte ndodhur. Dhe këtë gjë unë duhej ta zbuloja

– “Jorgo, bashkë kemi ndarë shumë halle. Tregomë çfarë të mundon”?

Nuk u përgjigj menjëherë. U mendua për disa çaste, pastaj foli:

– “Kur pështyn lart, të bie në fytyrë, kur pështyn poshtë, të bie në këmbë. Kështu më ndodhi edhe mua. Më është bërë shtëpia varr. Im atë më nxiu jetën Gjithmonë më quan fajtor të gjendjes së familjes. Tre vjet burg që bëra, nuk u dëgjua i gjallë. U lirova nga ushtria dhe ai më trajton si djalin e njerkës. Nuk di si të veproj. Më vjen keq për nënën. Ajo vuan, por nuk ka kurajo t’i flasë se ai e mbyt”.

Këtë gjë e kisha kuptuar që në burg, ku për gati tre vjet nuk i erdhi njeri për takim. Megjithatë, duhej t’i flisja, t’i jepja kurajo që të krijonte besim në të ardhshmen e tij.

– “Dëgjo, Jorgo, unë e kuptoj hallin tënd. Martohu dhe ndau mënjanë. Krijo familjen tënde. Nuk je rasti i vetëm që vepron kështu”.

Në atë çast m’u duk sikur më kuptoi. Për disa ditë e pashë më të qeshur dhe më të afruar. Bisedonte më hapur. Ditët kalonin dhe trishtimi e mbuloi përsëri.

– “Kam marrë një vendim”, – më tha.

– “Çfarë vendimi”?

– “Do të arratisem. Këtu nuk ka më vend për mua”.

– “A i ke menduar pasojat”?

– “Le të dalë ku të dalë. Ose të shpëtojë ose të vritem. Do të vish edhe ti? Shkojmë në Çatistër gjoja për të parë gjyshen dhe prej andej arratisemi kollaj”.

Tundimi ishte i madh. Që kur ishim në burg e kishim biseduar variantin e arratisjes. Por rrethanat kishin ndryshuar. E kisha të qartë se arratisja e ime, do të thoshte internim për gjithë pjesëtarët e familjes. Kurse familjen e Jorgos, nuk e gjente gjë. Sjelljen e të atit karshi të birit, e kishin marrë vesh të gjithë. Unë nuk mund të bëhesha shkaktar, i katastrofës për familjen.

– “Jorgo, më vjen keq që po hedh poshtë kërkesën tënde. Tashti unë kam një familje karshi së cilës kam detyrime. Të këshilloj edhe ty të heqësh dorë nga ky mendim”.

Kaloi më shumë se një muaj. Kujtova se Jorgua kishte hequr dorë. Një ditë pa pritur e kujtuar u zhduk nga qarkullimi. Prita dy ditë se mos e takoja. Të tretën i shkova në shtëpi. Te porta pashë të ëmën që po rrinte. Sytë i kishte të përlotur. Sa më pa, më bëri shenjë të hyja brenda. Me një zë që i dridhej më foli:

– “Jorgo zu Miço. Mori luga, pirunja iku”.

Shqipen mezi e fliste. Në këtë kohë mbërriti djali tjetër që më sqaroi:

– “U zu me babanë. Ai e qëlloi me pëllëmbë. Mori dy tre lugë dhe pirunë dhe iku duke thënë se nuk do ta shihnin më me sy. Do banonte më vete”.

– “Po a mendoni se ku mund të ketë shkuar”?

– “Nuk dimë asgjë. Sot do të shkonte babai, të lajmëronte në Degën e Brendshme”.

Kuptova gjithçka. Jorgua duhej të ishte arratisur. Lugët dhe pirunjtë i kishte marrë për të humbur gjurmët dhe për të fituar kohë. U interesova në mënyrë indirekte për të, mos ishte vendosur diku, por asnjë lajm.

Isha në ankth. Prisja të më thërrisnin edhe mua për të më pyetur. Pas dy ditësh një polic, u shfaq te porta e shtëpisë.

– “Merr letërnjoftimin dhe eja me mua. Të kërkojnë në Zyrën e Pasaportizimit për një verifikim”.

Mendova se ky ishte fundi. Sidoqoftë, vendosa të sillesha sikur nuk dija gjë. Zyra e pasaportizimeve ndodhej aty afër, në një godinë trekatëshe prapa tregut fshatar. Më futën në një dhomë në katin përdhes. Një oficer që rrinte pas një tavoline më mori letërnjoftimin dhe filloi ta vështrojë. Pas pak i bëri një shenjë policit që më mbylli në dhomën ngjitur.

Dhoma ishte bosh fare. Më kujtoi qelitë e sigurimit. Nuk e di sa qëndrova aty por, me siguri, më shumë se dy orë. Nga çasti në çast prisja të vinte makina e burgut që të më çonte në qelitë e sigurimit të shtetit.

Së fundi hyri përsëri polici dhe tha:

– Eja me mua!

I shkova nga prapa. Më shpuri në dhomën e mëparshme. Oficeri vazhdonte të qëndronte në tavolinë duke mbajtur në duar letërnjoftimin. Në një tavolinë tjetër ishte ulur një vajzë që shtypte diçka në makinë shkrimi.

– “Me siguri, po shtyp urdhër arrestin tim”, –  mendova me vete.

Oficeri më hodhi një vështrim sikur do të më psikologjiste dhe tha:

–  “Ku punon”?

–  “Në kooperativën e dru punuesve”.

– “Pse nuk e ke shënuar në letërnjoftimi? A nuk e shikon që ka një faqe të veçantë për këtë”?

“Nuk ma ka kërkuar njeri“.

– “Po ti pse nuk je interesuar vetë”?

– “Nuk e dija”.

Oficeri u mendua një kohë të gjatë. Në dhomë mbretëronte heshtja. Nuk dëgjohej asgjë, përveç trokëllimës së gishtave të vajzës në makinën e shkrimit. Së fundi, foli:

– “Merre letërnjoftimin dhe nesër që me mëngjes të shkosh te shefi i kuadrit për të bërë shënimin përkatës”.

Mora frymë i lehtësuar. Kisha shpëtuar nga arrestimi. Ika gati me vrap për në shtëpi. Atje më prisnin me zemër të ngrirë. U shpjegova çfarë kishte ngjarë. Për Jorgon nuk u thashë gjë se nuk doja t’i shqetësoja. E kisha të qartë se e gjithë kjo lojë u bë për shkak të arratisjes së tij. Ndoshta dyshonin se mos kisha ikur edhe unë me të.

Të nesërmen u paraqita në zyrën e kuadrit. Shef Shameti, sa më pa, tha me mospërfillje:

–  “Çfarë do”?

– “Më ka dërguar zyra e pasaportizimeve të më shënoni qendrën e punës në letërnjoftimi”.

– “Ik, se nuk ta kam ngenë”! – m’u përgjigj me një zë të ashpër!

– “Më ka dërguar zyra e pasaportizimeve”, – përsërita unë.

– “Le ta vënë ata vulën, po të duan”.

U largova pa u ndierë më. E mora vesh kuptimin e kësaj loje. Pas disa ditësh në tërë Vlorën ,u hap lajmi i arratisjes së Jorgos. Kishte ikur së bashku me Ismail Mustafarajn nga Çeprati. Nëpërmjet fshatit të tij, Çatistrës, kishin mundur të kalonin në Greqi. Aty qëndruan dy vjet. Pastaj mundën të shkonin në Amerikë. Vazhdoi studimet. Mbaroi për kimist. Por fati nuk i eci. Sëmundja e kancerit e mposhti. I mbylli sytë në dhe të huaj pa marrë asnjë lajm nga të dashurit e tij. I ati nuk derdhi asnjë pikë lot. Ndërsa e ëma nuk duroi dot, por i mbylli sytë pas disa vitesh.

NERI

Ditët kalonin. Ato ishin të gjitha të ngjashme. Një monotoni e përjetshme. Si përfundonte orari i punës, ktheheshim në shtëpi dhe në mbrëmje dilnim me shokët për të bërë xhiron e zakonshme. Ndonjëherë, kur kishim lek, shkonim në kinema. E djela ishte e futbollit. Mblidheshim dhe ndiqnim ndeshjet e kampionatit kombëtar në radio apo stadium.

Nerin kisha disa ditë që nuk e kisha parë. Nuk e dija nëse ishte e sëmurë, apo kishte ndonjë problem tjetër. Për më tepër s’guxoja të pyesja njeri. Ajo ishte diçka që më takonte vetëm mua dhe si të tillë duhej ta zgjidhja vetë. Po si?

Një pasdite shkova për vizitë te dajo Nuriu. Ishin dy pleq që nuk kishin lindur fëmijë. Kohët e fundit kishin marrë një vajzë në shtëpinë e fëmijës. Dajua e donte shumë Tatianën, kështu e quanin. Tërë ditën vetëm për të bisedonte. I shkëlqente fytyra kur fliste. Qëndrova deri në mbrëmje

Fillova të endem rrugëve të qytetit. Nuk pashë asnjë fytyrë të njohur, ose ndoshta më dukeshin mua kështu. M’u ngjall ndjenja e nostalgjisë. Ku ishin kohët e shkuara që, megjithëse kishin ndonjë problem, ishin plot gjallëri? Apo mos vallë ishte mosha që e sillte atë ndjenjë? Mendoja se duke dalë nga burgu do të gjeja qetësi.

Nuk do të më dilnin më para syve ngjarje të trishtuara. Por tashti që isha përjashta u ndesha me fenomene që as i shkoja ndër mend. Një botë tjetër po më rrethonte. Ndieja një boshllëk brenda vetes, të cilin nuk dija me se ta mbushja. Nuk e di se si, por këmbët më çuan në rrugicën e Nerit. U përmenda kur e pashë veten pranë portës së saj. Ajo portë më ngjalli shumë kujtime.

Një krismë porte më zgjoi nga ky ëndërrim. Vura re se po hapej porta e saj. U largova në anën tjetër të rrugicës. E pashë që po dilte me një djalë. Më erdhi rëndë që isha aty. Ajo më pa, shtangu dhe desh u rrëzua përtokë.

Ai e mbajti për krahu dhe e pyeti:

– “Çfarë pate”?

– “Asgjë, desh u pengova në një gur”.

Në fakt rruga nuk kishte asnjë gur, por ai nuk e vuri re.

– “Kthehemi brenda”?

– “Jo, jo ecim”.

Ai i shkoi krahun dhe u larguan. Unë qëndroja duke i vështruar. Rrugica ishte e shkretë. Ktheu kokën prapa dhe më vështroi. Sytë i vezullonin. Mua m’u dukën sikur ishin të përlotur. Ndoshta ishte edhe ndonjë iluzion i imi. Pas pak u zhdukën. Këmbët më dridheshin. U ula në një sofat që ishte pranë një porte. Vura kokën midis duarve dhe po mendoja. Kuptova që dashuria jonë kishte perënduar.

– “Çfarë keni, mos jeni i sëmurë”? – ndjeva një zë që më foli.

Ngrita kokën dhe para meje pashë babanë e saj.

– “Jo, faleminderit, nuk kam gjë”! – iu përgjigja

U ngrita dhe u largova. Ai bëri një shenjë sikur të isha i   çmendur. I kishte rënë në kokë. Isha vërtet i çmendur nga dashuria për vajzën e tij. Ishte hera e fundit që kaloja në atë rrugë. U largova duke menduar për ç’ka kishte ndodhur. Fytyra më kishte marrë një pamje tjetër. Dukesha që isha tronditur tepër. Kur më pa nëna, më pyeti:

– “Çfarë të ka ndodhur që je prishur në fytyrë”?

– Nuk kam gjë, – e gënjeva. – Më preku dajua me dashurinë për Tatianën.

U ngjita lart në dhomën e Fatushes. Nxora poezinë që i kisha  kushtuar para pesë vjetëve. E kisha ruajtur me dashuri. Letra ishte zverdhur nga koha. Aty këtu shkronjat ishin prishur. E lexova dhe rilexova. Ç’të bëja me të? Ta ruaja akoma? E kujt mund t’ia kushtoja? Ajo ishte dedikuar vetëm për Nerin. Nuk mund t’i kushtohej askujt tjetër. E grisa në copa të vogla dhe i hodha poshtë. Vargjet e saj ishin regjistruar në mendjen time. Ndjeva një dhimbje në zemër.

REPARTI I PUNËS

Reparti i punës ishte një gjysmë burgu i ri. Puna, ushqimi, fjetja qenë pothuajse të njëjta. Po ashtu edhe trajtimi i ushtarëve. I vetmi ndryshim ishte se nuk kishim roje që të na shoqëronin kur shkonim dhe vinim në punë dhe të drejtën e liri daljes kur i tekej komandantit. Në dy vjet ushtar më dhanë vetëm gjashtë ditë leje për të shkuar në shtëpi. Në vend të pushkës së vërtetë kishim nga një prej druri, sikur të ishim fëmijë dhe do të luanim me të.

U mobilizuam më 17 qershor 1958. Në degën ushtarake kishin dalë për të më përcjellë babai dhe Qamileja. Nëna ishte shtruar në spital në Tiranë. Me të kishte shkuar edhe Fatushja. U përqafuam. Në sytë e tim eti m’u duk sikur pashë lot. Gjashtëdhjet e gjashtë vjeçarin kishte filluar ta linte zemra. I fola dhe hipa në makinë. E mblodhi veten. Makinat u nisën.

Mbërritëm në Tiranë dhe u vendosëm në repartin 5310 në kazermat e Ali Rizajt. Komandant batalioni kishim major Zyber Lloshin, një person në përgjithësi i mirë dhe i sjellshëm. Edhe komandanti i kompanisë, Nystret Veria, nuk ishte njeri i keq. Vetëm se ishte pak llafazan.

Punonim për ndërtimin e Fabrikës së Birrës si dhe të pallateve dykatëshe me pupulit në kombinatin e tekstilit. Skuadra e jonë bënte pjesë në këtë grupin e dytë. Ishim një skuadër karpentierësh. Në të vërtetë kishim vetëm Irfan Aliajn, që merrte vesh nga zanati i karpentierit. Por në ushtri i mëson të gjitha. Kështu vepruam edhe ne.

Në repart u njoha me shumë shokë të mirë. Do përmend Petrit Çepelen nga Roskoveci, vëllanë e Tefik dhe Refik Çepeles me të cilët, kisha qenë në burg, Agim Likun, babai i të cilit, Muharrem Liku, ishte vrarë në masakrën e nëntorit 1944, në Tiranë, Aleksandër Belevskin, Zyhdi Turdiun, Halit Bakallin dhe Ihsan Bankën nga Tirana, Halit Turkeshin nga Durrësi, Skënder Metën, Shaqir Elbasanin, Shemsi Bashën dhe Esat Kurtabegun nga Shkodra dhe plot të tjerë.

Pas një viti reparti ynë u transferua tek “Zogu i Zi”, në rrugën e Durrësit. Punonim në ndërtimin e pallateve në “Rrugën e Kavajës”, përballë Kishës Katolike. Teknik ndërtimi kishim një civil. E quanin Vasil Tole. Ishte djalë shumë i mirë. Kishte punuar për një kohë me Agimin. Ai më mësoi njohjen dhe zbatimin e projekteve që do të më shërbenin shumë në të ardhshmen.

Besnikun e kishin sjellë në Spitalin e Burgut të Ri të Tiranës. Mbi dhjetë vjetët që kishte bërë burg i kishin prekur zemrën. I bleva disa ushqime me ato pak të holla që kisha, të cilave u shtova edhe ato që më dha Drita dhe një të djelë shkova ta takoja. Kur më panë policët me uniformë ushtarake, u habitën. Nuk deshën të më lejonin, por unë ngula këmbë dhe u detyruan të pranonin.

E gjeta jashtë mase të dobësuar. Kishte pësuar një rënie fizike të madhe, në krahasim me atë që e kisha parë kur ishte në kampet e Çermës dhe Bubullimës. Ndjeva një dhimbje të madhe.

– “Si je”? – i fola duke dashur të mos i tregoja dëshpërimin tim.

– “Shumë mirë, – u përgjigj me një zë të sigurt. – Tashti iku e shumta dhe mbeti e pakta. Edhe dy vjet kanë mbetur dhe do bëhemi të gjithë bashkë”.

– “Po, vëlla, dhe nuk kemi për t’u ndarë më kurrë”!

Pastaj i tregova për të gjithë pjesëtarët e familjes. Më dëgjonte me vëmendje. Kur u ndamë më tha:

– “Përqafoji me mall të gjithë nga ana e ime”!

Kur u ktheva në repart, më thirri komandanti i batalionit.

– “Ku ishe”? – më pyeti.

Në fillim nuk doja t’i tregoja, por e kuptova që ishte sinjalizuar nga drejtuesit e burgut, ndaj i thashë:

– “Në burg, takova vëllanë”.

– “Përse është dënuar”?

– “Agjitacion e propaganda”.

– “Ka edhe shumë për të bërë”?

– “Edhe dy vjet”.

– “Mirë, mirë, por të këshilloj, të mos shkosh më për ta takuar”.

E kuptova që këshillën ma dha me gjithë zemër. Tërë atë mbrëmje kisha parasysh fytyrën e tretur të tim vëllai. Në janar 1960, u transferuam në Repartin 4300 në Durrës. Punonim në ndërtim banesash tek Ura e Dajlanit. Koha që kalova në atë repart nuk shënoi ndonjë gjë të veçantë që ia vlen të shkruhet.

Tre javët e fundit i kaluam në Repartin 2200 në Dushk të Lushnjes. Atje bënim qilizmë për të mbjellë vreshta. Isha caktuar skuadërkomandant. Ishim dhjetë vetë në skuadër. Midis nesh ishte edhe një malësor, që njihej për kapadaillëkun dhe arrogancën e tij. Pothuajse nuk punonte fare. Edhe atë pak punë që bënte e kryente si mos më keq. Këtë e dinin të gjithë. Kjo bëri që një ditë të vinte për kontroll operativi i repartit. Ishte nga fshatrat e Vlorës.

Emrin nuk ia mbaj mend. Mori disa ushtarë nga skuadrat e tjera dhe i urdhëroj të vështronin, nëse e kishim bërë mirë qilizmën. Me paturpësinë më të madhe ata deklaruan se puna ishte bërë shumë keq nga të gjithë, gjë që nuk ishte aspak e vërtetë. Operativi e rreshtoi skuadrën në mensën e repartit. Filloi të na kritikonte me zë të ashpër, për punën e kryer. Në mënyrë të veçantë mua si skuadërkomandant. Unë e kundërshtova. Nuk pranova që ishte bërë punë e keqe. Ai u xhindos dhe më foli:

– “Mos kërkon të sabotosh punën?! Nuk është bahçja e tyt eti, që të bësh si të duash. Unë mund të të hedh hekurat për këtë”.

E kuptova që duhej të heshtja. Që atë ditë më shkarkuan nga  detyra e skuadër-komandantit. Për fat ishin ditët e fundit të ushtrisë. Më 1 qershor 1960, u lirova. Më në fund e kisha kryer edhe këtë detyrë.

U ktheva përsëri në familje. Ata ishin kthyer në shtëpinë tonë.  Fillova punë si murator në Ndërmarrjen Ushtarake. Veliu kishte mundur të më siguronte një vërtetim, si murator i kategorisë së gjashtë, nga Ndërmarrja “21 Dhjetori”, për të cilën punonim kur ishim ushtar në Tiranë.

Punonim në ndërtimin e Shkollës së Aviacionit. Më prapa kaluam në ngritjen e hotelit të oficerëve, pas Hotel “Adriatiku”-t. Teknik ndërtimi, ishte Andrea Bellua, që kryente shërbimin ushtarak. Brigadier ishte shoku im i burgut, Filip Daullja. Andrea dhe Filipi, duke parë aftësitë e mia, nuk më linin të punoja si murator. Falë aftësive që kisha për të zbatuar projektin, më linin për të piketuar dhe dhënë kuota. Nisur nga këto, shokët e brigadës, më kishin ngjitur nofkën “inxhinieri“. Kështu vazhdoi jeta e ime, duke ngritur mure dhe duke ëndërruar për lirinë. Memorie.al

                                                          Vijon numrin e ardhshëm  


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/kur-jorgo-me-propozoi-te-arratiseshim-jo-vetem-nuk-ja-aprovova-por-e-keshillova-te-hiqte-dore-nga-ajo-aventure-e-rrezikshme-por-kur-ai-iku-policia-erdhi-te-shtepia-ime-kujtim/