“Kur Hrushovi u kthye nga SHBA dhe tha se Bashkimi Sovjetik do e kalojë Amerikën, filluan anekdotat; vetëm do e arrij, se po e kaloj, do i duket prapanica…”/ Kujtimet e inxhinierit të naftës

Nga Petraq Xhaçka

Pjesa e gjashtë

Memorie.al / Qëllimi i këtij libri, është të bashkojë ndihmesën në përpjekjet që bëhen, për të paraqitur të vërtetat dhe tmerret e diktaturës komuniste në Shqipëri. Qëllimi kryesor i librit, nuk është t’i tregojë popullit tonë e kujtdo tjetër, se ne naftëtarët kemi qenë të pafajshëm, sepse kjo është bërë e njohur nga botime në shtypin tonë, nga televizionet e huaja, si dhe nga takimet direkte me Forumin Ndërkombëtar dhe atij shqiptar të të Drejtave të Njeriut. Dëshira e autorit, është që nëpërmjet kësaj historie, së bashku me tregime të tjera, të luftohet çdo shfaqje në çfarëdo forme, qoftë dhe të moderuar, që ai mund të ketë për të krijuar një shoqëri komuniste. Mendoj se edhe nëpërmjet kësaj historie të hidhur personale, do të shfaqet fytyra mizore e pabesë dhe prepotente e enverizmit, që për një gjysëm shekulli, ja mbajti thikën me majën në gjoks popullit shqiptar, me syrin pishë, duke përgjuar lëvizjet për shpëtim nga jashtë, apo rebelim të vetë popullit, i gatshëm ta shtynte thikën drejt zemrës, në lëvizjen më të parë. Ngjarjet janë vënë në fushat ekonomike ku ajo është shfaqur më me forcë, siç ka qenë industria e naftës dhe e gazit, ku pata fatin të derdh energjitë e mia, për një jetë të tërë dhe të bëhem në ato ngjarje pjesëtar dhe dëshmitar. Të gjitha ngjarjet që shkruhen në këtë libër kujtimesh, janë të vërteta, jo vetëm pa asnjë përzmadhim apo zbukurim të tyre, por ndofta, nuk di sa kam mundur të paraqes forcën tmerruese të ngjarjeve që ndodhnin në atë sistem dekadent të socializmit, ku nuk ekzistonte asnjë ndjenjë humane.

                                                         Vijon nga numri i kaluar

Kujtoj me mall rastet kur me Ramadan Hoxhën hipnim në autobus ose metro. Unë dihej që isha më mirë ekonomikisht, por ai e bënte zakonin: fuste dorën në xhep e më thoshte:

– Oh, shiko vetëm pesë kopejka, paska xha Dania! Të kisha, do të paguaja për të dy, por ja. Na i paguaj ti biletat, tani!

Natyrisht, paguaja duke qeshur. Kurse Dhimitri, në mensën e konviktit, përdorte një gjuhë më të tërthortë.

– Ti Peçi, – më thosh, – zër radhë këtu tek arka, ku paguhen dhe merren tallonat, ndërsa unë po mbaj rradhën ku merren gjellët, që të mos vonohemi. Dhe kështu bënim.

Grupi shqiptar i institutit, dallohej në tërësi për seriozitet në studime e për korrektesë në fushën e marrëdhënieve shoqërore, në respektimin e të gjitha rregullave disiplinore. Ne nuk patëm asnjë student ngelës, që të përsëriste klasën apo të bëhej objekti i ndonjë ngjarjeje të pa pëlqyer, për ta kthyer në atdhe, siç pat ndodhur tek tuk, me student në shkolla të tjera.

Disa nga shokët tanë u martuan me vajza sovjetike. Por ishin dhe mjaft të tjerë, që u bindën të hiqnin dorë nga një ndërmarrje e tillë. Shumica nga ne martesat e këtij lloji, i konsideronim me telashe për kushtet tona.

E vërteta është se studentët dhe njerëzit sovjetike, ishin të afruar më shumë me ne shqiptarët. Me sa duket, kjo vinte ngase ne ishim më të lexueshëm, më shoqërorë dhe më të hapur, sikurse ishim dhe me gjithë studentët e vendeve të tjera. Kur blinim gjëra nëpër dyqane, ose kur nëpër fjetore hapnim pakot me pije e ushqime karakteristike nga vendi i ynë, ne i ndanim ato pa shumë ceremoni, me shokët e dhomave. Po të njëjtën gjë, bënin edhe studentët rusë.

Nuk mund ta them këtë për studentët e vendeve të tjera, për shembull çekë, apo le ta zemë, polakë. Të mos flasim pastaj për studentët kinezë. Ata të gjorët edhe pse vetë nuk i pëlqenin, zbatonin akoma më verbërisht rregullat e vëna nga udhëheqja e tyre komuniste: visheshin njësoj, dilnin në rrugë bashkë në rresht, nuk pinin asnjë lloj alkooli, në mbrëmjet e tyre, ose të shkollës, duke u paraqitur se nuk ua kishte ënda, prandaj nuk e vinin në gojë.

Por, në fakt, shumë nga ata pinin dhe kur kishin fatin të jetonin në dhoma me studentë rusë, një pjesë pinin më hapur dhe u luteshin vendasve, të mos ua nxirin të fshehtën. Kështu dhe në mbrëmjet, tek prisnim Vitin e Ri. Ndërsa të gjithë ne studentët nga vendet evropiane, mblidheshin nëpër mbrëmjet e ngushta shoqërore, kinezet mblidheshin në sallat e hapura të konviktit. Festa e tyre zgjaste vetëm gjysëm ore. Asnjë lloj pije tjetër, veç limonadave. Për vallëzim, as që bëhej fjalë fare.

Studentët sovjetike dhe rinia e atij vendi në përgjithësi, nuk e vrisnin mendjen për problemet politike. Ata shfaqnin një farë apatie në këtë drejtim, aq sa shumë prej tyre, nuk njihnin udhëheqësit kryesorë të partisë e të shtetit të tyre, gjë që nuk mund ta përfytyronte njeri, ta ndeshte tek ne, studentët e brigjeve të Adriatikut. Vendasit nuk lexonin shtypin politik, kurse mbledhjet e organizatës së Komsomolit, ishin të rralla dhe thuajse formale. Një pjesë studentësh, ishin të tërhequr pas botës së sportit.

Kishim në klasë një djalë inteligjent e sportdashës, Eduart Roshkov, i cili kishte shumë shoqëri me ne shqiptarët. Ai i njihte e dinte të fliste për skuadrat e njohura shqiptare të futbollit, për Shkodër apo në Vlorë. Por ata i tërhiqte kryesisht letërsia e viganëve rusë dhe atyre perëndimorë, veprat e të cilëve ishin të përkthyera në kollana seriale apo volume të veçantë.

Unë kam patur rastin të vizitoj shumë vende të botës, por nuk më ka zënë syri të shoh njerëz të lexojnë aq shumë sa në Rusi. Atje nuk e ndanin librin në tren, në tramvaj, në autobus, në radhë të ndryshme për bileta e kudo, e jo vetëm në kohë behari me diell, por dhe në ditët e dimrit të ftohtë rus, përjashta qoftë dhe kur rrinin në radhë, për të pritur autobusin.

Bisedat që hapeshin me ta, kryesisht kishin temë librat, mbi atë çfarë ishte lexuar atë javë apo atë muaj e çfarë ishte për t’u lexuar në ditët që do të vinin. Në një ambient të tillë, unë fillova të lexoja shumë nga letërsia e njohur ruse e Tolstojve, Gorkit, Ljermontovit, Pushkinit. Lexoja Eseninin, sidomos poezitë e tij lirike, të pa botuara, por që qarkullonin nën dorë, fshehurazi.

Më tërhiqte letërsia e shumëkërkuar perëndimore, si ajo e Dickensit, Hygoit, Mopasanit, Xhek Londonit dhe të tjerëve. Kur më pas u ktheva në atdhe, unë solla me vete shumë botime seriale të letërsisë artistike, si dhe albume të piktorëve të shquar. Ishin vërtet të papërsëritshëm tablotë e piktorëve të mëdhenj rusë dhe botërorë mbushnin muzetë e arteve figurative në Moskë dhe Petërburg, që unë i vizitoja aq shpesh.

Mbresa të pashlyeshme më ka lënë sidomos vizita në ekspozitën e hapur në Moskë, me veprat e muzeve gjermanë, të marra nga ushtria sovjetike, si trofe të luftës dhe që pas ekspozimit ju kthyen palës gjermane.

Në ato vite në Moskë, qarkullonin fshehurazi dhe libra të autorëve modernistë perëndimorë, ose të shkrimtarëve disidentë rusë, të cilët nuk lejoheshin, sepse ato me gjuhën e tyre të veçantë, bënin thirrje të dënoheshin krimet e sistemit komunist në Rusi. Të njohurit m’i jepnin këta libra rreptësisht të ndaluar dhe më luteshin që unë, t’i lexoja brenda natës, ose e shumta për dyzetetetë orë. Ata duheshin dorëzuar menjëherë, se dhjetëra e dhjetëra të tjerë, prisnin radhën.

Midis të rinjve sovjetikë filloi të përhapej fshehurazi muzika rock, e cila pëlqehej shumë nga të gjithë. Ajo u përhap gradualisht, nëpër rrethe të ngushta në fillim, e pastaj nga pak edhe nëpër mbrëmje e nëpër lokale. Letërsia moderne, filmat, njohja me rezultatet e larta të kapitalizmit në fushën ekonomike, muzika rock, të cilën nisa ta shijoj e pastaj të bëhem një amator i madh, rezultatet fenomenale në sporte, si dhe opinioni i shumë të rinjve, për hemisferën perëndimor, më bënë që unë të kem një ide më të gjerë dhe më të drejtë, për demokracinë e vërtetë në botë, sidomos në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Për pasojë, shkallë-shkallë, fillova ta shikoj më realisht sistemin shoqëror të këtyre vendeve, dhe rrjedhimisht të hap sytë i lehtësuar nga indoktrinimi që kishte sëmurur jetën shoqërore në Shqipëri. Jeta në atdheun tonë, ish e mjerë, ishim të detyruar ta pranonim ashtu, sepse e shikonim krejt të pamundur, që të gjendej njeri ose të gjendeshin njerëz, ta ndryshonin atë.

Kallëpi i akullt në mendjen time, mbi epërsinë e sistemit komunist në Rusi, në Shqipëri e gjetkë, filloi të shkrijë, dhe vite më pas, duke parë në vendin tim shumë shfaqje të egra e të papranueshme të diktaturës komuniste, u shkri pothuaj i tëri. Zhgënjimi i madh, i la avash avash vendin një urrejtjeje të thellë, të madhe, të fshehur.

Kur ishim në vendin tonë, para se të vinim në Moskë, nga shtypi dhe materialet propagandistike të partisë, na bëhej thirrje që të merrnim shembull, nga jeta dhe puna e të rinjve sovjetikë apo komsomolasve, siç quheshin vetë ata. Kështu, në përfytyrimin tonë tiparet e komsomolit, e virtytet e komsomolasve, vinin e zinin vend tërësisht të idealizuar. Kur ne filluam mësimet, vumë re se kish komsomolas, që nuk mësonin mirë dhe kur hynin në provime, bënin një të kopjuar, që kurrë nuk do ta kishim besuar.

Megjithëse kjo është normale për çdo shkollë të botës, ne ky fakt na bëri përshtypje, sikur perënditë të kishin rënë me hundë përdhe. Pra propaganda jonë, atje në Tiranë, na kishte gënjyer derrçe. Një ditë, kur po i nënshtroheshim provimit me shkrim të matematikës, pashë në bangën e fundit, një djalë të ri, të cilin nuk e kisha parë asnjëherë më pare, në klasën tonë.

Kur mbaroi provimi, pyeta për këtë shokun tim të bangës. Ky m’u përgjigj se ai djalë, ish paraqitur në vend të një studenti tjetër rus, që kishim në grupin tonë. Dhe, për çudinë tonë, këtë ndodhi, askush nuk shkoi ta raportonte në dekanat, apo në Komsomol.

Shpesh here, shokët tanë studentë të klasës, të dhomës apo të tjerë, tregonin haptas anekdota për udhëheqësit e partisë dhe të shtetit të tyre e, veçanërisht për Hrushovin, sidomos mbas vizitës së tij në Amerikë, por ne nuk vumë re asnjëherë ndonjë rast, që dikush të raportonte e të mbahej qëndrim për këtë. Po të bëje një gjë të tillë në Shqipëri, diktatura e egër të fuste menjëherë në burg, si minimum, për nja dhjetë vjet.

Më kujtohet kur Hrushovi vajti në Amerikë dhe u kthye, ai nxori tezën për zhvillimin ekonomik që: “Ne, Bashkimi Sovjetik, do ta arrijmë dhe tejkalojmë Amerikën” dhe menjëherë ne dëgjuam anekdotën: – Vetëm do ta arrijmë! Për ta tejkaluar, nuk do ta tejkalojmë, se na shohin prapa, bythën e zhveshur!

Krahas mësimeve, punës përkthyese që bëja dhe asaj të organizatës bashkatdhetarë të studentëve, unë kisha dhe një pasion shumë të madh për sportin, e prandaj qysh në vitin e pare, vendosa të mësoja rrëshqitjen në akull dhe me ski. Mbasi bleva patinat për rrëshqitje, vajta për herë të parë në Parkun “Gorki”, në vendin e posaçëm, që ishte për fillestarët, ku natyrisht, kuptohet që gjeta pothuaj vetëm fëmijë të vegjël.

Ata kur më shikonin mua, që i mbajtur në disa trarë si të paraleleve, me shumë vështirësi ecja e jo më të rrëshqisja, afroheshin e më thoshin: “Hej, xhaxhi! Kaq i madh e nuk dini të rrëshqisni?!” Unë qeshja me këta fëmijë dhe me këmbëngulje, për një periudhë të shkurtër, i përvetësova mjaftë mirë patinat dhe disi skitë.

Ndjeja një kënaqësi të madhe, kur vija në këto sheshe. Një shesh jo të madh, kishim dhe në oborrin e konviktit tonë. Gjatë dimrit ai bëhej akull dhe ne atë e përgatisnin për rrëshqitje. Gati çdo natë, pasi mbaroja studimin në orët e vona afër mesnatës, shkoja aty për gjysëm ore, merrja ajër të pastër dhe freskoja trurin e mbi lodhur gjatë ditës.

Në dy vitet e fundit të studimeve tona, erdhi tek ne për disa muaj, Ing. Teki Biçoku, i cili në vitin 1951, pat mbaruar po institutin tonë, degën e Gjeofizikës. Tani ai pat ardhur për të përgatitur e mbrojtur disertacionin për

Kandidat të Shkencave Sizmike.

Në ato kohë, ai punonte si Kryegjeolog i Komitetit Gjeologjik Shqiptar në Tiranë. U vendos në dhomën time. Gjatë kësaj kohe dhe periudhës së më vonshme, vura re se ai ishte një njeri shumë i qetë, i matur në mendimet e tij dhe mjaft i komunikueshëm me specialistët. Më vonë, mua m’u dha rasti të punoj ngushtë me të, sepse ai u ngarkua me detyrën e drejtorit të Drejtorisë Gjeologjike në Ministri, për naftën dhe minierat.

Në atë periudhë, kurrë nuk do të ma priste mëndja se ky specialist, ish-partizan, që fliste me aq pasion për zhvillimin e gjeologjisë në vendin tonë, vite më vonë, do të përfundonte si “armik popullit”. Ashtu si nuk mund ta imagjinoja se dhe unë, do të kisha të njëjtin përfundim të keq, që gjithë ato ëndrrat tona të bukura e të pastra rinore, për të mbetur të nderuar në historinë e popullit tonë, do të vinte një ditë e nga diktatura komuniste do të bëheshin shkrumb e hi.

Në një ambient të tillë mbushur me studime, shfaqje miqësie dhe çlodhjeje kalonin muajt dhe vitet, pa u përzier fare në biseda, apo veprime politike me të huajt. Vetëm një preokupim kishim ne: të mësonim mirë, të dilnim inxhinierë të zotë e, të justifikonim atë mundësi që na dha shteti, duke na dërguar me bursë për studime jashtë vendit, për të cilën unë i isha shumë mirënjohës.

Pikërisht dhe prandaj aktivizohesha dhe mundohesha, t’i kryeja mirë detyrat shoqërore që kisha, në organizatën atdhetare të studentëve. Dhe jeta tregoi se ne studentët e Institutit “Gubkin”, e kryem me nder detyrën patriotike dhe në interesin tonë personal, që ne kishim para shtetit dhe familjeve tona. Asnjë ngjarje apo akt i poshtër, nga asnjëri prej nesh, nuk u krye gjatë gjithë atyre viteve, sepse dhe marrëdhëniet midis shteteve e popujve tanë, ishin shumë të afërta.

Në vitin 1959, mbarova studimet e larta për gjeolog në Institutin e Naftës “Gubkin” të Moskës dhe u ktheva në atdhe. Meqenëse pata përfunduar me diplomë të shkëlqyer, organet e nomenklaturës, më kishin paracaktuar të punoja si pedagog, në Universitetin e Tiranës.

Drejtori i Përgjithshëm i Naftës, Ramiz Xhabia, erdhi në Tiranë e u interesua të më takonte. Sapo më gjeti, ma tha menjëherë se kish ardhur të më kërkonte, që ta lija pedagogjinë, ta lija Universitetin, e t’i kthehesha përsëri industrisë së naftës.

– Eja tek ne, – më tha ai ngrohtë. – Ti je familjar me sektorin e naftës. Që i mitur ke punuar në të. E jam i bindur që përsëri, do të bësh punë të mrekullueshme atje!

Më bindi. Ia dhashë pëlqimin. Xhabia paraqiti për mua kërkesën lart në qendër dhe kështu përfundimisht unë u emërova kryegjeolog i Ndërmarrjes së Naftës në Marinëz. Gjatë rrugës së jetës, na takon të marrim shpesh vendime.

Por jo të gjithë vendimet janë të rëndësishëm. Disa prej tyre ama, janë fatale. E tërë jeta jote, e njerëzve të tu, të afërm, më pas ka si peshë të rëndë, atë vendim për të cilin, në vazhdën e viteve, qindra herë thua: “Nuk duhej ta kisha pranuar! Nuk duhej të kisha pranuar”!

Atë ditë vere të vitit 1950, me Xhabinë, unë nuk duhej ta kisha marrë atë vendim. “Nuk duhej të kisha pranuar të merresha drejt për drejt me fushën e naftës!” Po mërmërisja si përçart edhe në atë birucë të Degës së Punëve të Brendshme të Fierit, teksa zbardhte një ditë e re, e akullt marsi dhe thëllima futej nëpër dritarezën pa xham…! Memorie.al

                                                   Vijon numrin e ardhshëm

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/kur-hrushovi-u-kthye-nga-shba-dhe-tha-se-bashkimi-sovjetik-do-e-kaloje-ameriken-filluan-anekdotat-vetem-do-e-arrij-se-po-e-kaloj-do-i-duket-prapanica-kujtimet-e-inxhinierit-t/