“Kur Bushi, i shënoi gol nga 25 metra Perlat Mustës në ndeshjen me ‘Partizanin’, publiku…”/ Historia e panjohur e legjendës së futbollit tepelenas, që realizoi ëndrrën e memaliotëve

Nga Edmond Ismailati 

Memorie.al / Memaliotët, gjithmonë kanë dhënë maksimumin e tyre, në fusha të ndryshme të jetës, për të arritur, jo vetëm ëndrrat e tyre, por edhe të gjithë memaliotëve të tjerë, duke e bërë realitet! Një prej tyre është edhe ajo e daljes në Kategori të I-rë, të ekipit të futbollit “Memaliaj”, ku përveç sakrificave të futbollistëve, meritë të veçantë ka edhe përkushtimi i trajnerit të ekipit, Prof. Vladimir Bushi, siç e thërisnin të gjithë nxënësit dhe bashkëqytetarët e tij. Ai u lind në Gjirokastër, më 15 qershor të vitit 1954, me prindër Pashako dhe Mehdi Bushi, me origjinë nga Dhëmblani i rrethit të Tepelenës.

Shkollën fillore, 8-vjeçare dhe atë të mesme, e kreu në qytetin e Memaliajt. Më vitin 1980-të, diplomohet në Institutin e Lartë të Kulturës Fizike “Vojo Kushi”. Ka filluar të organizohet për të luajtur futboll, që në klasë të 7-të, kur u ngritë ekipi i pionierëve me grupmosha 12-13 vjeçare. I bie të ketë qenë viti 1966-të.

Trainer të parë, ka patur Luftëtar Strumën dhe ndihmës të tij, Barjam Kananin. Prof. Luftëtari, siç e thërrisnin të gjithë nxënësit dhe bashkëqytetarët e tij, në ato vite luante futboll, por u mor edhe me trajnimin e ekipit të pionierëve që sapo ishte hapur. Vladimir Bushi u spikat, pasi ishte evidentuar në fushat e zeza të futbollit të qytetit Memaliaj.

Ka marrë pjesë në spartakiada me pionierët e Jugut, ku bënin pjesë ekipet e futbollit të Memaliajt, Përmetit, etj. Ekipi i pionierëve, në vitin e parë kishin trajner Luftëtar Strumën dhe Bajram Kananin, ndërsa në vitin e dytë, ishte Karafil Asllani, pasi lejohej te luhej deri ne vitin e dytë.

Pas kësaj periudhe, kaloi me ekipin e të rinjve ku përgjatë kësaj kohe, ishte duke studiuar në vitin e parë gjimnaz. Ishte shumë i pasionuar mbas futbollit dhe po atë vit, që ishte duke u aktivizuar me ekipin e të rinjve, u thirr për stërvitje edhe nga ekipi i pare, deri në vitin 1974, kur filloi studimet e larta, të cilat i mbaroi në vitin 1978-të. Po në këtë vit, ka filluar edhe punën ku bëhej stazhi me shkollën e Memaliajt dhe në vitin 1980-të, mbrojti diplomën. Përgjatë studimeve, në vitet 1977-1978, u trajnua 6-muaj me klubin sportiv “Partizani”, me trajner Loro Boriçi.

I emëruar nga rrethi erdhi me punë si mësues në Memaliaj. Në kuadër të Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve, ku kishte si politik reformën në sistemin arsimor që të hapeshin klasa sportive, në vendet ku ishte traditë futbolli dhe me iniciativën e tij, u hapën klasat e para sportive. Ishte klasa sportive e futbollit si vazhdimësi e traditës në këtë qytet, por u hap gjithashtu edhe ajo e volejbollit.

Mbas katër vjetësh, u shpallën kampion të klasave sportive në Jug të vendit, për shkollat 8-vjeçare. Në finalen e marrjes së titullit kampion, kanë mundur ekipin e Përmetit 3-0. Me të filluar punë në Memaliaj, ai filloi të luaj me ekipin e parë të futbollit “Minatorit”, për dy vjet. Në vitin 1983, iu besua drejtimi i ekipin të parë. Që në vitin e parë si trajner, zuri vendin e dytë në kategorinë e dytë në rang kombëtar (16 shkurt), pasi në ato vite ishte me një grup.

Ekipit “Minatori” i doli e drejta për “Play off” dhe luajtën me Kuçovën. Ndeshjen e parë e humben 4-1, ndërsa ndeshjen e kthimit e fituan 2-1, pasi Kuçova vinte nga kategoria e parë, ndërsa “Minatori”, vinte nga kategoria e dytë. U kualifikua Kuçova me golavarazh. Si trajner i ekipit të parë, e drejtoi për dy vjet (1984-‘85) dhe e hoqën për rezultate të dobëta, pasi zuri vendin e tretë, por harronin që Federata Futbollit, nuk të linte të “ngrije kokë”. Me pas kaloi me trajnimin e klasave sportive, për një vit e gjysëm.

Në vitin 1986-të, trajnerit Vlladimir Bushi, i besohet përsëri drejtimi i ekipit të parë, të cilin e mori nga vendi i fundit i renditjes që mbante në kategorinë e III-të dhe e kaloi në “Play off”, me katër skuadra dhe zuri vendin e parë, ku ruajti dhe të drejtën për qëndrimin në kategorinë e dytë.

Me vitet 1973-1974, ai është shpallur golashënues i kategorisë së dytë, në mos gabohem me 18-21. Goli që ka ngelur në memorien e sportdashësve tepelenas, ishte goli që ai shënoi kundra “Partizanit” për Kupën e Republikës, të cilin e shënoi nga distanca prej 25 m., ku portën e mbronte portieri i famshëm, Perlat Musta.

Në atë kohë, ishte e detyruar që të bëje një vit stazh, përpara se të shkoje në shkollë të lartë dhe ketë ai e kreu në nëntokë, (minierë) përgjatë viteve 1973-‘74. Në vitin 1986-të, Klubi “Minatori”, u përfaqësua me dy ekipe. Pra u nda futbolli, ku i pagëzuan ekipet si “Minatori” i Memaliaj dhe “Minatori” i Tepelenës. Ekipi i futbollit të Tepelenës, qëndroi në kategorinë e dytë, ndërsa ai i Memaliajt, në kategorinë e tretë.

Prof. Vladimiri, u caktua trajner me ekipin e Tepelenës. Përgjatë kësaj kohe, bënte edhe trajnime një javore, por edhe specializime të ndryshme me specialistë të huaj. Në vitin 1987-të, e mbaroi dhe në këtë specializim, ku ka takuar trajnerë të huaj si gjermanë, suedez, rumunë, etj.

Në vitin 1987-të, specializohet për një vit në një kurs pasuniversitar për futbollin, ku në atë specializim, doli trajner i kategorisë së parë në 75 + 8 e lartë dhe u kthye në Memaliaj ku mori drejtimin e ekipit të Memaliajt nga kategoria e tretë, nga një kampionat më parë që renditej në vend të shtatë, dhe e nxori në kategorinë e dytë (1989). Nga viti 1989-92, ka drejtuar kategorinë e dytë, duke u renditur midis vendeve të dytë dhe të tretë.

Në vitin 1993, nuk u përfaqësuan në kampionat, nga që nuk kishte lojtarë, pasi gjithë qyteti u boshatis nga largimet në emigracion dhe ekipi, automatikisht u kalua (nga Federata) në kategorinë e tretë, pasi ishte masë ndëshkimore. Në raste të tilla, kur nuk u paraqitesh në kampionat, kaloje në një kategori më poshtë. Si e tillë, ekipi i Memaliajt, u regjistrua në kategorinë e tretë.

Ishte kampionati i viteve 1994-‘95, që u zhvillua me sistem grumbullimi të ekipeve, ku ekipi i Memaliajt, zuri vendin e parë në grupe dhe u mundën 2-1 në finale, me kryesuesen e grupit tjetër, e cila ishte Kamza. Të dy vendet e para, dolën në kategorinë e dytë. Për ironi të fatit, në kampionatin e kategorisë së dytë, në ndeshjen e tretë, Memaliaj u përball me Kamzën, ku fitoi me rezultatin 3-0.

Profesionalizmi dhe përkushtimi i tij në drejtimin e ekipit, u kurorëzua me sukses edhe me mbylljen e sezonit futbollistik 2008-2009, ku ekipi “Memaliaj”, fiton në Përmet me rezultatin 2-0, dhe kryeson grupin. Kjo renditje i jep më shumë shpresë për të synuar kalimin për në kategorinë e parë.

Për të bërë realitet këtë ëndërr të hershme memaliote, Prof. Vladimiri, punonte shumë me futbollistët përgjatë stërvitjes dhe përkushtimi i tij, i mori frytet e punës, duke e nxjerr ekipin në finalen, për kampion të kategorisë së dytë, të sezonit futbollistik të vitit 2008-2009, pasi fiton ndaj Gramshit, 2-1.

Kjo fitore, e shpall kampion të kategorisë së II-të, ekipin e “Memaliajt” dhe për herë të parë në historinë e futbollit të tij, kalon të luaj me ekipet e kategorisë së parë. Për këtë arritje, padyshim që një meritë të veçantë ka edhe Prof. Vladimir Bushi.

Personaliteti i tij, është i mirënjohur tek bashkëqytetarët edhe në lojën e shahut, pasi është shquar për lojën e tij të nivelit profesionist dhe ka fituar gjithashtu, edhe kampionate të këtij sporti që zhvilloheshin në qytetin tone dhe në shkallë rrethi.

Një tjetër vlerë që kam ndeshur tek Prof. Vladimiri, është fakti se ai është shquar edhe si mik i librit. Ngaqë e kam patur mësues kujdestar, kur kam qenë në klasën e V-të sportive, i kemi shkuar si klasë në shtëpinë e tij, për ta uruar, për festën e mësuesit.

Në dhomën e pritjes, kam parë bibliotekën e tij, e cila kishte zënë gjithë faqen e murit dhe ishte ndërtuar me shumë kujdes dhe finesë, me anë të një skeleti prej hekuri. Aty ishin mbi një mijë libra, ku disa prej tyre ishin edhe nga ata të ndaluar, siç mbanin edhe memaliot të tjerë nëpër shtëpitë e tyre dhe i lexonin, duke ja u dhënë dorë më dorë njëri-tjetrit.

Vlerësimet e kolegëve dhe bashkëqytetarëve të tij

Të shumta janë edhe vlerësimet e bashkëqytetarëve të tij, të cilët janë koleg, ish-futbollistë dhe ish-nxënës të tij në klasat sportive. Disa prej tyre janë:

Jorgo Ferro (ish-futbollist): “Është një nga profesorët tanë të parë të klasave sportive që u hapë në qytetin tonë, së bashku me Prof. Qirjako Fanin”.

Linda Haxhiaj (Petro) (ish-volejbolliste): “Prof. Vladimiri, ka qenë një ndër të parët, që hodhi hapat e para të klasave sportive të volejbollit dhe futbollit, në qytetin e Memaliajt. Ka punuar me përkushtim, që ne të fitonim një nivel të lartë në sportin e volejbollit. I jemi shumë mirënjohës”.

Myzafer Abedini (aktor): “Vladimir Bushi, një nga legjendat e sportit të qytetit tonë! Gjithë jetën e tij, ja kushtoi sportit ku me meritën e tij, arriti që ta nxirrte ekipin në kategori të parë, një ëndërr e hershme, kjo për memaliotët! Mirënjohje për këtë legjendë”.

Flamur Shehu (ish-futbollist dhe trajner): “Është njeri i veçantë dhe i respektuar nga të gjithë bashkëqytetarët, për gjithçka që ka dhënë për futbollin modern memalaliot. Unë ruaj respekt të veçantë për gjithë gjithashtu për bashkëpunimin dhe mbështetjen që më ka dhënë. Profesori më mirë në gjithë historinë e futbollit memaliot”.

Isak Vlashi (mësues): “Jo vetëm futbollist i shkëlqyer, por edhe trajner i përsosur i nivelit profesionist; një njeri i sinqertë që rrjedh nga një familje e përsosur.”

Sokol Velaj (ish-futbollist): “Respekt të veçantë, ikonës së futbollit dhe pankinës së ekipit tonë të zemrës “Minatori”, që më pas e pagëzuan me emrin “Memaliaj”, të cilën e shpalli kampion të kategorisë së II-të (2008-09),dhe e çoi në debutim në kategorinë e I-rë.

Është një ndër trajnerët e shkëlqyer në gjithë Jugun e në veçanti në drejtim të “Minatorit” të Memaliaj dhe më pas kur ekipi mori emrin e qytetit. Është unik dhe i pazëvendësueshëm dhe e krahasoj me trajnerin italian, Carlo Maconia”.

Islam Qibini (sportdashës): “Respekt për Prof. Vladimir Bushin. Një ish-futbollist dhe trajner me kontribute të veçanta për futbollin e qytetit tonë.’

Renat Kocali (ish-futbollist): “Është, jo vetëm njeri shumë i mirë, ish-futbollist i talentuar dhe trajner shumë i zotë, i cili ka dhënë kontribut mjaft të madh në sportin e qytetit tonë dhe atë të rrethit Tepelenë, por edhe në formimin sa më cilësor të futbollistëve, të cilët kapnin normat e atyre profesionistë”.

Tomor Xhani (mësues): “Një qytetar model dhe i pasionuar pas futbollit. Është një nga ish-futbollistët e talentuar që ka lënë gjurmë në historinë e futbollit tepelenas e më gjerë dhe një trajner i nivelit profesionist që aplikonte dhe stërviste futbollistët me programe perëndimore të kohës”.

Familja e Vladimir Bushit

Vladimir Bushi, rrjedh nga një familje që ka një kontribut të madh, jo vetëm në qytetin tonë Memaliaj, por edhe në vend. Babai i tij, Mehdi Bushi, që në moshë të re, ka dal partizan dhe ka luftuar me armë në dorë në radhët e Ushtrisë Nacionalçlirimtare. Ka punuar në detyra të ndryshme që nga kryeqyteti e deri sa erdhi në Memaliaj, ku punoi për disa vite, si kryetar i Këshillit Popullor të qytetit.

Më 2 nëntor 2014, nderohet me titullin “Qytetar Nderi” i Memaliajt. Ndërsa, nënë Pashako Bushi, pasi kështu i flisnin të gjithë memaliotët, ngaqë ka punuar për shumë vjet, si edukatore në çerdhen dhe kopshtin e qytetit, ku familjet memaliote u besonin fëmijët e tyre, përgjatë kohës që ata shkonin në punë.

I vëllai i tij, poeti Timo Bushi, ka luajtur futboll si portier me ekipin e “Minatorit” të qytetit tonë dhe ka një kontribut edhe si poet dhe shkrimtar, ku ka botuar disa vëllime letrare. Ai ka mbaruar studimet e larta në vitin 1971, në Fakultetin Histori-Filologji të Universitetit Shtetëror të Tiranës dhe diplomohet për Gjuhë-Letërsi. Ka punuar si mësues në qytetet, Memaliaj dhe Tepelenë.

Në kontributin e poetit Timo Bushi, dallohen, ato kulturore (aktor teatri dhe komedie), letrare (anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve) dhe sportive, mbahet mend të ketë ushtruar edhe atë të basketbollistit profesionist. Edhe motra e tij, Flora Bushi, ka dhënë një kontribut në fushën e kulturës, si këngëtare me trupën e qytetit.

Vladimir Bushi, ka krijuar familje para katër dekadash dhe ka tre fëmijë. Është një prind i mrekullueshëm dhe i përkushtuar për familjen e tij. Ai mrekullohet më shumë, kur është i rrethuar mes nipërve dhe mbesave të tij.

Për kontributin e tij të pashoq, që ka dhënë në fushën e sportit, e cila është kurorëzuar më së fundi me suksesin e nxjerrjes së ekipit në kategorinë e parë, ka shënuar një ngjarje historike për të gjithë brezat memaliotë. Kjo e ka bërë atë, një nga personalitetet më të dashura dhe më popullore të qytetit Memaliaj, ku me plot meritë, ai gëzon mirënjohjen e të gjithëve që të vlerësohet me titullin “Qytetar Nderi”, i qytetit tonë! Memorie.al

     New York, 7 korrik 2020.

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/kur-bushi-i-shenoi-gol-nga-25-metra-perlat-mustes-ne-ndeshjen-me-partizanin-publiku-historia-e-panjohur-e-legjendes-se-futbollit-tepelenas-qe-realizoi-endrre/